ATV

Category: Lajme

  • Eksperti i sigurisë nuk e beson versionin e vrasjes së Liridona Ademajt

    Eksperti i sigurisë nuk e beson versionin e vrasjes së Liridona Ademajt

    Eksperti i sigurisë, Avni Islami, në emisionin A LIVE në ATV, tha se nuk e beson asnjërin version që është dhënë deri më tani për vrasjen e Liridona Ademajt.

    “As të parin as të dytin nuk e besoj. Unë kam një version të tretë, sepse në kushte normale, dhe ajo që thuhet kinse për në siguracion që e ndjera ka në Suedi, është që t’i merret aoj shumë e mjeteve. Atje thuhet në mënyrë taksative që ai siguracion paguan deri në 20 milion euro, por nuk e specifikon se duhen kushtet dhe rrethanat që të shkojë në maksiumum. Prandaj, duke pasur parasysh që gjendjen ekonomike të burrit të Liridonës, unë nuk e besoj që për shkak të pareve, për shkak të mjeteve ta ketë kryer një organizim dhe ta kenë një vrasje çfarë ka ndodhë”, tha Islami.

    Ai thotë se duhet të presion versionin e drejtësisë, i cili sipas tij do të jetë zyrtar.

    “Unë, secilin version që është dhënë deri më sot, qoftë nga gazetarët, qoftë nga ekspertë të ndryshëm, nuk jam dakord dhe nuk do të kisha dashur që të dha version para se ta japë drejtësia, sepse ai është i vetmi version zyrtar që do të duhej të jetë ai që do ta japë. Prandaj, nuk është mirë që të paragjykojmë, të japim versione të ndryshme, sepse secili nga ne ka nga një version. Edhe unë kam një version timin, i cili nuk përputhet me versionet e tanishme. Është e padrejtë që unë të dalë me një version para organit të drejtësisë”, tha Islami. /atvlive.tv

  • Izraeli urdhëron evakuime, bombardon zonat në të cilat ikin civilët

    Izraeli urdhëron evakuime, bombardon zonat në të cilat ikin civilët

    Përgatiti: Lum Haliti

    Izraeli të hënën ka urdhëruar civilët palestinezë që të evakuohen nga qyteti kryesor jugor, Khan Younis, teksa ushtria ka ashpërsuar ofensivën tokësore në jug të Rripit të Gazës.

    Në mëngjesin e së hënës, ushtria izraelite publikoi në rrjetin social “X”, që njihej si Twitter, një hartë në të cilën kishte rrethuar pjesët e qytetit Khan Younis, nga të cilat duhej të fillonte një evakuim i menjëhershëm i civilëve.

    Sipas “Reuters”, ushtria izraelite, megjithatë, ka bombarduar edhe zonat te të cilat u ka thënë civilëve që të evakuohen.

    Izraeli ka fajësuar grupin militant Hamas se ka vënë në rrezik civilët, duke operuar nga zonat e civilëve, përfshirë tunelet të cilat mund të shkatërrohen vetëm nga bomba të fuqishme.
    Megjithatë, Hamasi ka hedhur poshtë pretendimet e ushtrisë së Izraelit.

    Që nga nisja e luftimeve më 7 tetor, deri në 80% e 2.3 milionë banorëve të Gazas janë larguar nga shtëpitë e tyre, si pasojë e bombardimeve të pandërprera nga ushtria izraelite.

    Sipas zyrtarëve mjekësorë në Gaza, bombardimet kanë vrarë më shumë se 15 mijë e 500 njerëz, derisa mijëra të tjerë janë të zhdukur dhe mund të jenë nën rrënoja.

    Izraeli nisi sulmet ajrore dhe ofensivën tokësore në Gaza, pas sulmeve të Hamasit, të kryera më 7 tetor në Izraelin jugor, ku u vranë 1.200 persona dhe u morën peng 240 të tjerë.

    Forcat e Izraelit kapën pjesë të mëdha të Gazës veriore në nëntor, derisa ofensivën në Gazën jugore e intensifikuan pas prishjes së armëpushimit njëjavor, të premten.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Deputetët e opozitës përplasen me trupat e sigurimit

    Deputetët e opozitës përplasen me trupat e sigurimit

    Tensionet i nisën ende pa hyrë në sallën e seancës.

    Duke kundërshtuar kontrollin fizik, deputetët e opozitës janë përplasur me trupat e sigurimit që në hyrje të Kuvendit.

    Mirëpo, kaosi nuk përfundoi vetëm jashtë.

    Tensionet janë rritur me nisjen e seancës plenare në orën 10:00.

    Opozitarët fillimisht bllokuan foltoren me përmbysjen e karrigeve.

    Ndërkohë, disa prej deputetëve të opozitës janë përplasur me gardistët, ndërsa Flamur Noka ka ndezur flakadan.

    Pas këtij veprimi, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e ka përjashtuar nga seanca plenare. Noka nuk është larguar, por u ka vënë flakën letrave, ndërsa tentoi t’u vinte zjarrin edhe karrigeve të grumbulluara në foltore.

    Ky veprim është parandaluar nga gardistët të cilët e fikën zjarrin.

    Mes kaosit dhe përplasjes së tavolinave nga deputetët e opozitës, seanca plenare u mbyll me urdhër të Nikollës, deri në një lajmërim të dytë. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Abortet selektive, shqetësuese për institucionet

    Abortet selektive, shqetësuese për institucionet

    Përgatiti: Sara Shehu

    Rreth 1079 aborte janë bërë vetëm gjatë vitit të kaluar në të gjitha institucionet shëndetësore në vend. Shifrat janë brengosëse edhe këtë vit, sipas udhëheqësve institucionalë.

    Megjithatë, edhe më shqetësues mbetet Aborti Selektiv, i cili është i paligjshëm, dhe ndërmerret pas javës së 16-të kur edhe dallohet gjinia e fetusit.

    Sipas Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ky lloj i abortit vazhdon të jetë i pranishëm në Kosovë.

    “Si dikaster kyç jemi duke punuar që të ulim këto raste dhe të rrisim më shumë barazinë gjinore. Kush ka vajza ka botën..”, tha Vitia.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se janë duke punuar në parandalimin e rasteve të abortimeve selektive, nëse ato kryhen në mënyrë joligjore.

    “Këto raste janë me të vërtetë të ndjeshme, aborti është i ligjshëm, por në disa raste mënyra se si bëhet janë vepra penale…”, tha Haxhiu.

    Edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se po ligjërohet nëpër shkolla për eliminimin e kësaj dukurie.

    “Bashkë me Qeverinë jemi duke punuar që në orët edukative të kemi edhe rritje të njohurive të të rinjve për negativitetin që ka diskriminimi i përzgjedhjes së gjinisë apo aborti selektiv”, tha Nagavci.

    Nga ana tjetër, Drejtori i Gjinekologjisë në QKUK, Zef Ndrejaj, thotë se në total këtë vit janë kryer afro 100 aborte brenda këtij institucioni.

    Kjo konferencë u organizua nga Ministria e Drejtësisë bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë në koordinim me UNFPA-në, organizatë që merret me shëndetin seksual dhe riprodhues.

    Ndryshe, ky diskutim u mbajt në kuadër të fushatës globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës mbi baza gjinore”, që ka për qëllim eliminimin e dhunës ndaj vajzave dhe grave, e që do të përfundojë më 10 dhjetor.

  • Erërat e forta, shkaktuan dëme të mëdha në rrjetin energjetik

    Erërat e forta, shkaktuan dëme të mëdha në rrjetin energjetik

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Këto dy lopë për pak sa nuk ia mbyti rryma Gjergj Racit nga fshati Deiq, i komunës së Klinës.

    Nga erërat e forta të së enjtes, shtyllat elektrike përfunduan në tokë e kabllot në stallë.

    Hallin e njëjtë si të Rracit e ka edhe Fatmir Murtezgashi, por atij KEDS-i nuk i bëri zgjidhje.

    Pa rrymë janë edhe banorët e fshatit Radulloc e Liskoc të Klinës. Ata thonë se rryma ndalet sa herë që ka erëra.

    Përveç komunës së Klinës, nga Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike, thonë se erërat e forta kanë shkaktuar probleme edhe në disa komuna të tjera.

    “Në disa fshatra të Klinës, fundjavën e kaluar ka pasur disa prishje të rrjetit elektrik, për shkak të erërave të forta në rajonin e Dukagjinit. Por veç Klinës, aktualisht janë edhe disa raste individuale, pra që nuk afektojnë shumë konsumatorë në një zonë të Pejës, kryesisht në Rugovë, pastaj në Vushtrri, një zonë e Mitrovicës, Deçanit, Istogut dhe Gjakovës”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

    Krasniqi, thotë se KEDS-i po vazhdon investimin në rrjetin elektro-energjetik, me qëllim që të ketë furnizim më të qëndrueshëm të energjisë elektrike.

  • Hungaria krah Serbisë kundër kushtëzimit për anëtarësim në BE

    Hungaria krah Serbisë kundër kushtëzimit për anëtarësim në BE

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Serbia po përpiqet të shmangë futjen e Marrëveshjes së Brukselit dhe Shtojcës së Ohrit në Kapitullin 35, si kusht për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.

    Ditë më parë, Radio Evropa e Lirë raportoi se brenda BE-së ka një propozim që këto dy dokumente të bëhen kusht në rrugën integruese të Serbisë, përkatësisht Kapitullin 35, por mediat serbe raportojnë se Hungaria është duke e bllokuar atë.

    Në prag të samitit të radhës të Këshillit, Bashkimi Evropian nuk tregoi nëse ka pajtueshmëri të plotë ndërmjet shteteve anëtare.

    Me përfshirjen zyrtare të Marrëveshjes së Brukselit dhe Shtojës së Ohrit në rrugën e anëtarësimit të Serbisë, sipas Fitim Mulollit nga POLCON, nënshkrimi ose jo i këtyre dy dokumenteve nuk do të ishte më relevant.

    “Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit tashmë është miratuar një herë si konkluzion i Këshillit Evropian në një prej takimeve paraprake. Ndërsa, tani kjo iniciativë e re me u futë në kapitullin 35 do të ishte një obligim shtesë dhe në njëfarë mënyre final për Serbinë, sepse do të lidhej drejtpërsëdrejti progresi i Serbisë me zbatimin e marrëveshjes së Ohrit”, tha Mulolli.

    Krahas vlerësimit se politikat e Qeverisë aktuale hungareze nuk përkojnë me vlerat e BE-së dhe shpresës për ndryshime në zgjedhjet në pranverë atje, Mulolli shtoi se nuk do të befasohej nëse Hungaria e bllokon propozimin.

    “Gjatë atyre zgjedhjeve shpresojmë që mos do të ndërrohet qeveria aktuale hungareze dhe të vijë një pushtet, një parti tjetër, më liberale, më demokratike, më e hapur në aspektet e procesit të integrimit dhe të tërë Ballkanit Perëndimor. Prandaj, edhe nëse dështon këtë herë futja, po besoj që BE-ja nuk do të heqë dorë dhe do të tentojë në herët e radhës ta fusë këtë kusht për Serbinë”, tha Mulolli.

    Pas sulmit terrorist paramilitar të 24 Shtatorit, në Banjskë, kryeministri hungarez, Viktor Orban, doli haptas kundër masave ndëshkuese të BE-së ndaj Serbisë.
    Më 14 dhe 15 Dhjetor, mbahen takimet e radhës të Këshillit Evropian në të cilat në rend dite është procesi i zgjerimit, përfshirë Ballkanin, si dhe çështje të sigurisë dhe politikës së jashtme, të cilat lidhen me rajonin.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve/ Dëshmon Sadik Halitjaha, thotë se dy persona e torturuan

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve/ Dëshmon Sadik Halitjaha, thotë se dy persona e torturuan

    Përgatiti: Nora Luta

    Sadik Halitjaha këtë të hënë sërish është ulur në bankën e dëshmitarit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Halitjaha ka vazhduar dëshminë e tij të nisur gjatë nëntorit, në procesin gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

    Ai ka rrëfyer se si u keqtrajtua gjatë periudhës së burgosjes së tij në Prizren. Sipas tij, Latif Dulla dhe Vesel Latifi e torturuan sa ishte në burg dhe bashkëpunuan me Serbinë, duke përmendur edhe emra të tjerë të përfshirë.

    Ai teksa ka folur për shtabin e përgjithshëm të UÇK-së, ka thënë se është i hidhëruar me Hashim Thaçin, derisa për Adem Demaçin tha se ai e drejtonte shtabin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Nga trupi gjykues, Halitjaha u pyet edhe për Shërbimin Informativ.

    Halitjaha u shpreh i pasigurt nëse ka ekzistuar një shërbim i tillë. Por ai gjatë dëshmisë së tij tha se gjatë 1999-s, ka ekzistuar një strukturë e Zbulimit dhe Kundërzbulimit në UÇK.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të vazhdojë të martën. Gjithsej edhe gjashtë seanca të tjera janë në kalendar për këtë vit.

  • Argjendaritë, pa sigurim të arit

    Argjendaritë, pa sigurim të arit

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Argjendaria “Diakos” ishte cak i hajnave dy javë më parë. Nga aty ata morën sasi ari me vlerë rreth 200 mijë euro. Siç mëson ATV-ja, pronari i këtij biznesi nuk e kishte të siguruar mallin e tij, ndonëse bëhet fjalë për vlera të mëdha parash.

    Dhe jo vetëm ajo në Suharekë, por edhe shumë argjendari të tjera nuk e bëjnë një gjë të tillë. Rreth 530 argjendari në gjithë territorin e Kosovës.

    “Kjo është shumë shqetësuese sepse në Kosovë po ndodhin shumë plaçkitje dhe shpresojmë që të jetë rasti i fundit. Është shqetësuese kjo mungesa e sigurimit, kemi pas takim me argjendarët dhe kemi cek se duhet të kemi të gjithë sigurime, për shkak ngjarjes së fundit që ndodhi në Suharekë”, tha kryetari i Shoqatës së Argjendarëve të Kosovës, Enver Pakashtica.

    Shmangia nga tatimi, është shkak i mossigurimit të arit, sipas njohësve të ekonomisë.

    “Një prej arsyeve kryesore pse artarët nuk e sigurojnë mallin e tyre, pasi që shumica e arit që ata e shesin është i padeklaruar në doganë, d.m.th është i futur ilegalisht në tregun e Kosovës dhe qarkullon në një formë në të zezë dhe deklarimi i tij u kushton më shumë taksa artarëve dhe kjo është një formë që ata me i ik pagimit të taksave, kjo mund të vërehet edhe në të dhënat e Doganës”, tha njohësi i ekonomisë, Zekirja Shabani.

    Administrata Tatimore e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje për ATV-në, se sa biznese të arit e kanë deklaruar mallin e tyre gjatë këtij viti.

    Megjithatë, njohësit e ekonomisë kërkojnë më shumë inspektime në këto biznese.

    “Jo vetëm ATK, por edhe Dogana dhe Policia e Kosovës, bashkë me inspektorët e tregut duhet të kontrollojnë artarët, për shkak që edhe këta janë shitës si të gjithë shitësit e tjerë për produktet në gjithë tregun e Kosovës, një kontroll më i rreptë do të vendoste edhe një siguri më të madhe edhe për qytetarët”, tha Shabani.

    Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, rreth 4 kilogramë ari dhe argjend janë importuar në Kosovë, vetëm gjatë periudhës Janar-Tetor të këtij viti. Kosova më së shumti importon ar dhe argjend nga Kina dhe Republika Çeke.

  • Vrasja e 14-vjeçares ndihmohet edhe nga babai

    Vrasja e 14-vjeçares ndihmohet edhe nga babai

    Përgatiti: Entela Sahiti

    E vrarë dhe e varrosur është gjetur 14-vjeçarja, Vanja Gjorçevska, nga Shkupi, e cila më 27 nëntor është raportuar e zhdukur. Fatin si të vajzës e kishte edhe një person tjetër me inicialet P. ZH., 74 vjeç, nga qyteti i Velesit.

    Vrasjet e 14-vjeçares dhe 74-vjeçarit, sipas prokurorisë së Maqedonisë së Veriut, i ka kryer banda e njëjtë kriminale, derisa për rastin e vajzës i arrestuar tashmë është edhe babai i saj.

    Policia dhe prokuroria maqedonase kanë njoftuar për arrestimin e tre personave të dyshuar për vrasjen e vajzës dhe të personit tjetër, të cilëve edhe iu është caktuar masa e paraburgimit, derisa lidhur me këto raste janë të dyshuar edhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve, besohet të jetë edhe autori i krimit, e që është arratisur nga Maqedonia e Veriut.

    “Personi i pestë, babai i vajzës së mitur, është arrestuar, është marrë në pyetje dhe po ndërmerren masa të tjera nga ana e Prokurorisë Publike… Organizatori kryesor dhe autori i aktit, pasi vrau vajzën me pistoletë, është arratisur”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

    Dyshohet se kreu i këtij grupi është Ljupço Palevski, kreu i një partie të vogël pro-ruse në Maqedoninë e Veriut. Ai është shpallur në kërkim dhe dyshohet se menjëherë pas krimit ka udhëtuar drejt Serbisë, më pas në Bullgari dhe tashmë fshihet në Turqi.

    Ndërsa, sipas prokurorit Gavril Bubevski, vrasja e të miturës ka ndodhur dy orë pasi është kidnapuar dhe se qëllimi i kidnapimit ka qenë kushtëzimi i nënës së vajzës për të marrë para nga ajo.

    “Babai i Vanjës, Aleksandri, ka dhënë informacione për vendet ku ka lëvizur vajza dhe kur ka qenë e vetme. Kidnapuesit nuk kanë arritur të kushtëzojnë nënën për para, pasi vrasjen e vajzës e kanë kryer vetëm dy orë pasi e kanë realizuar rrëmbimin”, tha Bubevski.

    Po ashtu, autoritetet kanë bërë të ditur se gjatë hetimeve gjetën edhe trupin e pajetë të një 74-vjeçari nga Velesi, i zhdukur në 24 nëntor, edhe ky i vrarë nga i njëjti grup.

    Vrasja e tij nuk ka lidhje me rastin e 14-vjeçares, por dyshohet se ai u vra për t’i marrë makinën me të cilën edhe u rrëmbye vajza e mitur. Makina me të cilën supozohet që është bërë kidnapimi, u gjet e djegur.

    Për vrasjen e 14 vjeçares, kishte edhe reagime të motiveve etnike, andaj edhe pati nxitje të urrejtjes ndëretnike dhe kjo bëri që Ministria e Punëve të Brendshme, të njoftojë opinionin se autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë janë me përkatësi etnike maqedonase.

    Për këtë ngjarje, që ka tronditur opinionin në Maqedoninë e Veriut, prokurori Buvevski tha se do të ketë “dënime të rrepta”, bazuar në Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Liridona Ademaj rivarroset në vendlindjen e saj

    Liridona Ademaj rivarroset në vendlindjen e saj

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Trupi i pajetë i Liridona Ademajt, nga sot do të prehet në vendlindje.

    Pasi familjes Ademaj iu mundësua zhvarrosja e të bijës së saj, qindra qytetarë sot morën rrugë drejt Rracajt të Gjakovës në rivarrimin e Liridonës.

    Në mesin e shumë qytetarëve, të pranishëm në varrim ishin edhe ministra e deputetë të Kuvendit të Kosovës.

    Për vrasjen mizore të saj tashmë në paraburgim janë 3 të dyshuar, në mesin e tyre edhe ish-bashkëshorti Naim Murseli.

    Sipas dosjes fillestare të prokurorisë, Murseli, madje, dyshohet se e kishte paguar 30 mijë euro të arrestuarin tjetër Granit Plavën për ta kryer vrasjen.

    E gjitha, sipas dosjes së prokurorisë, që e ka parë edhe televizioni, ishte bërë edhe me ndihmën e një personi të tretë, në këtë rast Kushtrim Kokalla, që kishte vënë në kontakt Naim Murselin me Granit Plavën, pasi ky i fundit kishte pranuar se merret me gjithçka. Kësisoj, sipas dosjes, të tre janë marrë vesh që përmes një grabitjeje të inskenuar ta vrasin tashmë të ndjerën.

    Vrasjet e tilla të porositura, gjykata nuk i njeh si të ndara, por kategorizohen si vrasje e rëndë. E në bazë të kësaj edhe dënimet mund të jenë maksimale.

    “Kodi penal e njeh veprën penale e cila kryhet me dashje dhe nga pakujdesia, në këtë rast kemi të bëjmë me vrasje të kryer me dashje e ku si motiv i dyshuar mund të ketë qenë pagesa. Kjo është e dënueshme dhe ligji ka paraparë dënime maksimale, me burgim të përjetshëm”, tha avokati Arbër Jashari.

    Hiç më lehtë nuk shpëtojnë as ata që urdhërojnë vrasjen.

    “Janë disa forma të bashkëpunimit, njëra prej tyre është edhe bashkëkryerja, e kam parë se këtë vepër penale prokuroria e ka cilësuar si vrasje e kryer në bashkëkryerje dhe sipas ligjit, bashkëkryerësi dënohet njësoj sikur ai që e ka kryer veprën penale, pra mund të dënohet me dënimin më të madh që është paraparë, pra nuk ndahet përgjegjësia”, tha Jashari.

    Për 3 të dyshuarit tashmë është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë: