ATV

Category: Lajme

  • Kroacia dërgon 133 ushtarë në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it

    Kroacia dërgon 133 ushtarë në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it

    Kroacia ka dërguar zyrtarisht 133 pjesëtarë të Forcave të Armatosura si pjesë e Kontingjentit të 45-të Kroat (HRVCON), në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

    Ceremonia u mbajt në kazermat “Kolonel Predrag Matanoviq” në Petrinjë, ku morën pjesë zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiç, si dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.

    Kontingjenti i ri do të veprojë nën komandën e brigadierit Marijan Grđan.

    Gjatë ceremonisë, Anushiç vlerësoi lart profesionalizmin e ushtarëve kroatë, duke theksuar se kontributi i tyre në misionet paqeruajtëse në Kosovë dhe vende të tjera ka fituar respektin e aleatëve të NATO-s.

    “Çdo kontingjent kroat ka marrë vlerësime të larta dhe respekt të thellë nga shtetet anëtare të NATO-s”, u shpreh ai, duke shtuar se kjo dëshmon profesionalizmin dhe përgatitjen e lartë të forcave kroate.

    Ministri kroat e vendosi këtë angazhim edhe në kontekstin historik të ushtrisë së vendit, duke theksuar se ajo është ndërtuar mbi përvojën e Luftës për Atdheun dhe sot përfaqëson një forcë profesionale dhe të konsoliduar.

    Kroacia, anëtare e NATO që nga viti 2009, ka mbajtur vazhdimisht praninë e saj në misionin e KFOR-it në Kosovë, përmes njësive të këmbësorisë, inteligjencës dhe ekipeve mjekësore, në mbështetje të stabilitetit dhe sigurisë në rajon.

  • Votimi me postë nis nesër, KQZ del me sqarim për votuesit që po pranojnë njoftime me sms dhe e-mail

    Votimi me postë nis nesër, KQZ del me sqarim për votuesit që po pranojnë njoftime me sms dhe e-mail

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me një sqarim lidhur me votuesit e regjistruar për votim me postë për zgjedhjet e 7 qershorit.

    KQZ ka bërë me dije se ka përgatitur pakon me fletëvotim për secilin votues të regjistruar që gjatë regjistrimit ka përzgjedhur këtë mënyrë votimi dhe se deri tash një numër i madh i tyre janë pranuar nga posta dhe do të dërgohen nëpër adresa ditëve në vijim.

    KQZ ka sqaruar votuesit e regjistruar që janë duke pranuar sms ose e-mail nga DHL ku njoftohen se çdo pako ka një kod gjurmimi, përmes së cilit votuesi mund ta përcjellë vendndodhjen e dërgesës.

    “Gjithashtu, njoftimi i përcjellë nga operatori ekonomik, u jep mundësi votuesve që të përzgjedhin ta pranojnë dërgesën në adresën e tyre apo ta tërheqin personalisht në pikën më të afërt të DHL”, përfundon njoftimi.

    KQZ sot ka marrë vendim që procesi i votimit me postë të fillojë katër ditë më herët se që ka qenë e planifikuar, pra më 21 maj.

    “Ky ndryshim i afatit është bërë pas njoftimit nga kontraktori për shërbime postare se kompania DHL dhe shërbimet postare në disa vende europiane nuk do të punojnë më 25 maj 2026 për shkak të një feste zyrtare dhe si pasojë, gjatë periudhës 22 – 26 maj nuk do të ketë shpërndarje dhe pranim të dërgesave, thuhet në njoftim.

  • Parashikimi i motit për të mërkurën

    Parashikimi i motit për të mërkurën

    Të mërkurën parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa gjatë orëve të pasdites pritet të ketë ndonjë rrebesh të izoluar në zona të caktuara.

    Era do të fryjë nga veriu, e cila lokalisht pritet të jetë e fuqishme me shpejtësi prej 10-41 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 6 deri në 10°C, ndërsa maksimalet prej 18 deri në 22°C. /MeteoKosova

  • 56-vjeçari gjendet pa shenja jete në Skenderaj, nisin hetimet

    56-vjeçari gjendet pa shenja jete në Skenderaj, nisin hetimet

    Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, më 19 maj 2026, rreth orës 12:40, është pranuar një informacion për një person pa shenja jete pranë vendbanimit të tij në një fshat të Skenderajt.

    Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa është njoftuar edhe ekipi emergjent i QKMF-së në Skenderaj. Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë kompetente hetimore, ndërsa me autorizim të prokurorit janë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

    Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës mashkull, rreth 56 vjeç, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Sipas policisë, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”.

  • NATO rrëzon dron të dyshuar ukrainas në hapësirën ajrore të Estonisë

    NATO rrëzon dron të dyshuar ukrainas në hapësirën ajrore të Estonisë

    Një incident ushtarak është regjistruar këtë të martë në Estoni, pasi forcat ajrore të NATO-s kanë rrëzuar një dron të dyshuar ukrainas që kishte hyrë në hapësirën ajrore të vendit.

    Autoritetet estoneze konfirmuan se alarmi u aktivizua menjëherë pas identifikimit të dronit, ndërsa reagimi u krye nga misioni i Policisë Ajrore Baltike të NATO-s.

    Sipas ministrit estonez të Mbrojtjes, Hanno Pevkur, droni është neutralizuar nga një avion luftarak F-16 Fighting Falcon i Forcave Ajrore Rumune.

    Ngjarja vjen në një periudhë tensionesh të shtuara në rajonin baltik, ku prej muajit mars janë raportuar disa raste të hyrjes së dronëve ushtarakë në hapësirat ajrore të vendeve si Finland, Letoni, Lituani dhe Estoni.

    Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, kishte deklaruar javën e kaluar se Ukraina do të dërgojë ekspertë në Letoni për të ndihmuar në forcimin e mbrojtjes ajrore dhe monitorimin e hapësirës ajrore në rajon.

  • Alarmon avokati i popullit në Shqipëri: Të mbyllen 5 burgje, cenojnë dinjitetin njerëzor

    Alarmon avokati i popullit në Shqipëri: Të mbyllen 5 burgje, cenojnë dinjitetin njerëzor

    Avokati i Popullit kërkon mbylljen e pesë burgjeve në Shqipëri, duke i konsideruar kushtet aty si degraduese dhe në shkelje të dinjitetit njerëzor.

    Sipas raportit pas inspektimeve në 18 institucione penitenciare gjatë vitit 2025, burgjet e Burrelit, Kosovës në Lushnjë, Kukësit, “Mine Peza” dhe “Jordan Misja” duhet të mbyllen deri në rikonstruktimin e tyre të plotë.

    Raporti evidenton mbipopullim alarmant në burgun e Lezhës, ku numri i të burgosurve është 65% mbi kapacitetin. Ndërkohë, të paraburgosurit qëndrojnë mesatarisht 253 ditë në qeli pa një vendim gjykate. Avokati i Popullit denoncon mungesën e kushteve bazë të jetesës, mungesën e mjekëve me kohë të plotë, probleme në trajtimin shëndetësor dhe mungesën e institucioneve për personat me probleme të shëndetit mendor.

    Institucioni i kërkon qeverisë rishikimin urgjent të politikës së paraburgimit dhe ndërhyrje të menjëhershme në sistemin penitenciar.

  • Jevtiq dënohet me 6 vjet burgim e 2000 euro gjobë për spiunazh

    Jevtiq dënohet me 6 vjet burgim e 2000 euro gjobë për spiunazh

    Gjykata Themelore në Prishtinë pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, e ka dënuar me 6 vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë togerin e Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq, lidhur me akuzën për spiunazh dhe armëmbajtje pa leje.

    Sipas aktgjykimi të shpallur nga gjykatësi Kushtrim Shyti, Jevtiq për veprën penale “Spiunazhi” u dënua me 6 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje 2 mijë euro gjobë. Ndaj tij, u shpall dënim unik në kohëzgjatje prej 6 vitesh dhe gjobë me 2 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit. Ndërkaq, u urdhërua shkatërrimi i armës së gjetur dhe të gjitha gjësendet e sekuestruara konfiskohen në pajtim me ligjet në fuqi.

    Jevtiqit iu shqiptua edhe dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në administratë publike në kohëzgjatje prej 5 vitesh pas mbajtjes së dënimit me burgim.

    Prezent në shpallje ishte prokurori special, Bekim Kodraliu dhe mbrojtësi i Jevtiq, avokati Millosh Nikoliq.

    Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh.

  • “Daut Radoiçiqi”, OVL-UÇK dënon sulmet ndaj Haradinajt e Lushtakut: S’është e rastësishme, Kurti ta ndalë fushatën antiçlirimtare

    “Daut Radoiçiqi”, OVL-UÇK dënon sulmet ndaj Haradinajt e Lushtakut: S’është e rastësishme, Kurti ta ndalë fushatën antiçlirimtare

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ka quajtur “sulme të ndyra” disa deklarata në drejtim të ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Daut Haradinaj dhe Sami Lushtaku.

    “Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dënon sulmet e ndyra të drejtuara kundër gjeneralëve të Luftës Çlirimtare, sulme që tani po përforcohen nga qarqe, prejardhja politike dhe familjare e të cilave u kalit në shërbim besnik ndaj Jugosllavisë dhe pushtimit serb”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

    Organizata e Veteranëve tha se “asnjë shpifje nuk mund ta njollosë luftën që çliroi Kosovën”.

    “Gjeneralët dhe luftëtarët e UÇK-së nuk u kërkuan kurrë leje puthadorëve të një regjimi të vdekur para se të rroknin armët për këtë tokë. Sakrifica e tyre është themeli mbi të cilin ngrihet Kosova. Ata që pështyjnë mbi të, nuk shpërfaqin asgjë tjetër veçse zbrazëtinë e tyre politike dhe kalbëzimin moral”, thuhet në reagim.

    OVL-UÇK thotë se “nuk është e rastësishme” kjo gjuhë “kundër UÇK-së”.

    “Pas dy vitesh krizë institucionale, nxitja e qëllimshme e militantëve kundër UÇK-së nuk është e rastësishme. Është një lëvizje e llogaritur për të helmuar jetën publike, për të përçarë shoqërinë shqiptare dhe për ta çuar Kosovën drejt përplasjes së brendshme. Interesit të kujt i shërben kjo sjellje? Qartazi, Serbisë, në fushatën e saj të gjatë për të kriminalizuar Luftën Çlirimtare dhe për të shkatërruar unitetin tonë kombëtar”.

    Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i është kërkuar që ta ndalë “nxitjen e këtyre sulmeve”.

    “Albin Kurti dhe Vetëvendosje duhet të ndalin, tani, nxitjen e këtyre sulmeve ndaj UÇK-së, veteranëve dhe komandantëve të saj. Kosova nuk u çlirua që aventurierët politikë të përdorin si armë konfliktin qytetar për pushtet. Ata që nuk trashëguan asgjë nga kjo përpjekje, nuk kanë asnjë tagër të gjykojnë ata që e ngritën atë me gjak. Kërkojmë llogaridhënie publike dhe ndërprerje të pakushtëzuar të kësaj fushate antiçlirimtare. Vazhdoni në këtë rrugë dhe pasojat do të jenë të përhershme”, thuhet në reagim.

    OVL-UÇK mori shkas nga disa deklarata të rënda dhe kërcënuese së fundmi të një mërgimtari të quajtur Naser Xhylani ndaj Daut Haradinajt, të cilin ai e quajti “Daut Radoiçiqi”.

  • Haradinaj pret në takim ambasadorin Hargreaves, diskutojnë për anëtarësimin e Kosovës në NATO

    Haradinaj pret në takim ambasadorin Hargreaves, diskutojnë për anëtarësimin e Kosovës në NATO

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuara në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

    Haardinaj, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se Kosova vlerëson lart marrëdhëniet e shkëlqyera me Mbretërinë e Bashkuar dhe mbështetjen e vazhdueshme për forcimin e subjektivitetit tonë shtetëror në arenën ndërkombëtare.

    Postimi i tij i plotë:

    Me ambasadorin Jonathan Hargreaves, biseduam për proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë dhe për avancimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës së Kosovës.

    Ambasadorin Hargreaves e falënderova për angazhimin e tij dhe të Mbretërisë së Bashkuar në mbështetje të Republikës së Kosovës.

    Kosova vlerëson lart marrëdhëniet e shkëlqyera me Mbretërinë e Bashkuar dhe mbështetjen e vazhdueshme për forcimin e subjektivitetit tonë shtetëror në arenën ndërkombëtare. Në këtë drejtim, anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet një domosdoshmëri strategjike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.

  • Shala: Themelimi i xhandarmërisë në Kosovë hap i vonuar, por i nevojshëm për sigurinë kombëtare

    Shala: Themelimi i xhandarmërisë në Kosovë hap i vonuar, por i nevojshëm për sigurinë kombëtare

    Njoftimi i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për nisjen e procedurave për themelimin e xhandarmërisë së Kosovës, po vlerësohet si një hap i rëndësishëm në forcimin e arkitekturës së sigurisë në vend.

    Eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë se krijimi i një strukture të tillë ka qenë i nevojshëm tash e një kohë dhe se ajo do të ndikojë në menaxhimin më efikas të çështjeve të sigurisë dhe kontrollit kufitar.

    Shala në një intervistë për Ekonomia Online tha se xhandarmëria pritet të ketë një emërtim të ri.

    “Unë mendoj që veprimi i ndërmarrë nga ana e nivelit politik në Republikën e Kosovës është një vendim, i cili në kohë është i vonuar. Për arsye se kjo çështje do të duhej të ishte përfunduar që në 2023-ën, që nga përfundimi i sulmit terrorist diverzant nga ana e Beogradit zyrtar. Sepse është parë qartazi se do të duhet të kemi një ndryshim të arkitekturës së sigurisë dhe në kuadër të saj të kemi një strukturë të re, e cila do kishte me ndihmuar jashtëzakonisht në procese të sigurisë kombëtare. Në këtë aspekt, unë mendoj që xhandarmëria e Kosovës do të ketë një emërtim të ri, por nuk do të pranohet si terminologji e xhandarmërisë, por që funksioni dhe aktiviteti do të jetë i ngjashëm, të cilën është paraparë sipas ligjit në fuqi për sigurinë publike dhe asaj nacionale, por njëkohësisht sipas vendimit nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, u shpreh Shala.

    Ai vlerëson se Kosova tashmë i ka kapacitetet institucionale dhe operative për të krijuar një strukturë të tillë të sigurisë.

    “Kosova besoj tani më ka përmbyllur në aspekte të saja, arkitekturën e sigurisë, sa i përket krijimit të njësive relevante brenda Policisë së Kosovës, por njëkohësisht ne kemi në stazhin final edhe në përmbylljen e fazës së transformimit të FSK-së në forca të armatosura. Unë mendoj se tani më është koha më optimale, më e duhura që ne të kemi një strukturë të tillë, e cila do kishte me qenë si një sinergji e këtyre dy mekanizmave më herët, por që në asnjë rrethanë nuk do kishte me minimizuar punën dhe funksionin e Policisë së Kosovës apo ndoshta dhe të Ushtrisë së Kosovës, meqenëse tani më koncepti do të jetë në formatin të cilin e ka Shteti i Turqisë”, thekson ai.

    Sipas Shalës, themelimi i xhandarmërisë do të ndikojë drejtpërdrejt në lehtësimin e barrës operative të Policisë së Kosovës, sidomos në zonat kufitare dhe në menaxhimin e situatave të ndjeshme të sigurisë.

    “Sipas të gjitha gjasave do të jetë një ndihmesë jashtëzakonisht për Policinë e Kosovës, sepse deri më tani ishte përgjegjës për pjesën e brezit kufitar me shtetet fqinje, do të kishte me patur një minimizim të aktiviteteve të përditshme policore, sepse do të kishte me kaluar barrën dhe përgjegjësia e xhandarmërisë së Kosovës dhe njëkohësisht aksesin në mjetet ushtarake për të përmbyllur misionin dhe mandatin, do kishte me qenë tjetër e dëshirueshme, duke mos e ekspozuar ushtrinë në Kosovë në ndonjë aktivitet kërcënues, që mund të vihet, si me të cilin do kishte mund të menaxhojë xhandarmëria e Kosovës”, tha ai.

    Ai pret që procesi i funksionalizimit të kësaj strukture të nisë relativisht shpejt pas formimit të grupit punues nga Ministria e Punëve të Brendshme.

    “Unë po besoj dhe shpresoj se në një periudhë kohore afro 18-muajsh, që nga dita e nënshkrimit të vendimit nga ana e Ministrit të Punëve të Brendshme, ne do kemi strukturën e parë komanduese që udhëheq këtë strukturë”, u shpreh tutje Shala.

    Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi sot se është nënshkruar vendimi për themelimin e grupit punues që do të analizojë modalitetet e funksionimit të xhandarmërisë së Kosovës.

    “Xhandarmëria e Republikës së Kosovës po bëhet. Si Ministër i Punëve të Brendshme sot kam nënshkruar themelimin e grupit punues i cili do të bëj analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës, si Agjencion i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufinjve, integritetit dhe sovranitetit tonë territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike”, ka shkruar Sveçla në Facebook.