ATV

Category: Lajme

  • Putin në Pekin, Xi Jinping thotë se marrëdhëniet Kinë-Rusi janë në një fazë të re zhvillimi

    Putin në Pekin, Xi Jinping thotë se marrëdhëniet Kinë-Rusi janë në një fazë të re zhvillimi

    Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi një vizitë zyrtare në Pekin, ku u takua me udhëheqësin kinez Xi Jinping, në kuadër të forcimit të partneritetit strategjik mes dy vendeve.

    Gjatë takimit të zgjeruar mes delegacioneve, Xi Jinping deklaroi se marrëdhëniet mes Kinës dhe Rusisë kanë hyrë në “një fazë të re me më shumë përparim dhe zhvillim më të shpejtë”, duke theksuar afrimin e vazhdueshëm politik dhe ekonomik mes dy fuqive.

    Nga ana tjetër, Vladimir Putin i cilësoi bisedimet me Xi si “thelbësore”, ndërsa tha se partneriteti mes Rusisë dhe Kinës është “shembullor”. Sipas mediave shtetërore kineze, presidenti rus deklaroi se objektivi i përbashkët i dy vendeve mbetet “mirëqenia e popullit rus dhe atij kinez”.

    Takimi, i cili ishte planifikuar të niste në mesditë sipas orës lokale, u shty për afro një orë. Më vonë gjatë ditës, dy liderët pritet të marrin pjesë në një ceremoni zyrtare nënshkrimi, ku do të mbikëqyren 21 marrëveshje bashkëpunimi.

    Në fokus të takimit janë dy dokumente kryesore: deklarata për forcimin e mëtejshëm të partneritetit gjithëpërfshirës dhe ndërveprimit strategjik mes Kinës dhe Rusisë, si dhe deklarata mbi krijimin e një bote shumëpolare dhe një modeli të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare.

    Gjatë deklarimeve të tij, Xi Jinping komentoi edhe situatën në Lindjen e Mesme, duke e cilësuar atë si një “pikë kritike”, ndërsa tha se rajoni po kalon nga lufta drejt paqes.

    Sipas liderit kinez, ndalimi i armiqësive është “i domosdoshëm”, ndërsa rikthimi i konfliktit do të ishte “i papranueshëm”. Ai përmendi edhe propozimin e tij me katër pika për paqen në Lindjen e Mesme, i cili synon forcimin e konsensusit ndërkombëtar, uljen e tensioneve dhe promovimin e stabilitetit.

    Vizita e Putinit në Pekin vjen vetëm pak ditë pas udhëtimit të presidentit amerikan Donald Trump në Kinë, vizita e parë e një presidenti amerikan në gati një dekadë. Trump i përshkroi bisedimet me Xi Jinping si “shumë të suksesshme”, ndërsa lideri kinez i quajti ato një “pikë referimi historike”.

  • Ngjarje e rëndë në Obiliq: Foshnja dërgohet pa shenja jete në QMF

    Ngjarje e rëndë në Obiliq: Foshnja dërgohet pa shenja jete në QMF

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur të martën në fshatin Plemetin të Obiliqit, ku ka ndërruar jetë një foshnje.

    Foshnja u dërgua nga familjarët në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prilluzhë të Vushtrrisë.

    Më pas, nga mjeku kujdestar u konstatua se e njëjta nuk kishte shenja jete.

    Lidhur me rastin tashmë kanë nisur hetimet.

    Së pari rasti u raportua në Stacionin Policor të Vushtrrisë, derisa me të njëjtin do të vazhdojë të merret Stacioni Policor në Obiliq ku edhe do të zhvillohen hetimet lidhur me rastin.

    Organet e rendit i kanë intervistuar edhe familjarët.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Trup i pajetë – Hetim mbi vdekjen”, ndërsa trupi i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Shkaku i vdekjes pritet të përcaktohet pas ekzaminimeve mjeko-ligjore.

  • “Kur jemi te frizerkat”, burri i Vjosa Osmanit i reagon Glauk Konjufcës: Tallje me çdo vajzë e grua në Kosovë

    “Kur jemi te frizerkat”, burri i Vjosa Osmanit i reagon Glauk Konjufcës: Tallje me çdo vajzë e grua në Kosovë

    Një video e publikuar dje ku shihet ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca duke qeshur dhe duke thënë fjalën “frizerkë” bëri bujë të madhe dje në rrjet.

    E pas kësaj, Konjufca deklaroi se këtë nuk e tha duke iu referuar ish-presidentes Vjosa Osmani, por që po i përgjigjej një “pseudo-gazetari” i pranishëm në takim.

    E pas kësaj ka reaguar edhe bashkëshorti i Vjosa Osmanit, Prindon Sadriu.

    Përmes një shkrimi të gjatë ai foli mbi dinjitetin dhe për arritjet e Vjosa Osmanit. Pas kësaj ai tha se ky rast flet shumë për Glauk Konjufcën dhe për mentalitetin e tij “karateist” sesa për Osmanin dhe frizeret.

    “Sepse ajo që zbuloi kjo “tallje” është kjo: në botën tënde mizogjeniste, ti mund të hysh në një sallon të frizereve, të kërkosh votën e grave dhe, në të njëjtin hap e çast, profesionin e tyre ta përdorësh si armë kundër një gruaje tjetër. Kërkon mbështetjen e tyre, por nuk u jep respektin tënd. Ky nuk është qëndrim politik. Është interes i maskuar si përçmim”.

    “Ti i kërkove Kosovës të të besojë pushtetin, Glauk. Por pushteti në duart e dikujt që tall gratë që përfaqëson, nënçmon punën e njerëzve që pretendon se u shërben dhe qesh me ambicien e tyre, nuk është lidership. Është paralajmërim”, shtoi ai.

  • Behrami: VV-ja nuk u distancua asnjëherë nga dhuna politike dhe kauzat e rrejshme

    Behrami: VV-ja nuk u distancua asnjëherë nga dhuna politike dhe kauzat e rrejshme

    Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Artan Behrami, gjatë një debati televiziv ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk është distancuar asnjëherë nga metodat dhe kauzat përmes të cilave, sipas tij, erdhi në pushtet.

    Behrami ka thënë se VV-ja nuk është shkëputur nga “dhuna politike”, gazi lotsjellës dhe, siç i quajti ai, “tentim-atentatet për kauza të rrejshme”. “Asnjëherë nuk u distancua nga dhuna politike, nga gazi lotsjellës, nga tentim-atentatët për kauza të rrejshme.

    Asnjëherë nuk u distancua nga kauzat e rrejshme përmes të cilave erdhi në pushtet”, ka deklaruar Behrami. Sipas tij, shumë nga çështjet për të cilat VV-ja kishte protestuar ndër vite, pas ardhjes në pushtet nuk kanë pësuar ndryshime.

    “Sot, për të gjitha ato për të cilat kanë protestuar – asnjë nuk është bërë. Asnjë nuk është zhbërë. I njëjti demarkacion, e njëjta fusnotë, e njëjta pako e Ahtisaarit. Pa bashkim kombëtar”, ka theksuar ai. Në fund të deklarimit të tij, Behrami ka bërë thirrje për mbështetje të PDK-së dhe kandidatëve të saj në zgjedhje.

    Postimi i plotë

  • Dy cisterna kineze dalin nga Ngushtica e Hormuzit ndërsa çmimet e naftës bien pak

    Dy cisterna kineze dalin nga Ngushtica e Hormuzit ndërsa çmimet e naftës bien pak

    Dy cisterna kineze që transportonin naftë dolën nga Ngushtica e Hormuzit më herët sot, sipas të dhënave të transportit detar, duke rritur shpresat se lufta mund të zgjidhet së shpejti.

    Ka pasur sinjale pozitive nga SHBA-të dhe Gjiri, me Donald Trump që thotë përsëri se lufta do të përfundojë “shumë shpejt”, transmeton Telegrafi.

    Çmimet e naftës u ulën për shkak të optimizmit, me naftën e papërpunuar Brent LCOc1 që ra në 110.16 dollarë për fuçi, përpara se të rikuperonte pjesën më të madhe të humbjeve të saj.

    Toshitaka Tazawa, një analist në Fujitomi Securities, tha se investitorët janë “të etur të vlerësojnë nëse Uashingtoni dhe Teherani mund të gjejnë vërtet terren të përbashkët dhe të arrijnë një marrëveshje paqeje”, me qëndrimin e SHBA-së “që ndryshon çdo ditë”.

    SHBA-të kanë luftuar për t’i dhënë fund luftës që filluan së bashku me Izraelin gati tre muaj më parë.

    Trump ka thënë vazhdimisht gjatë konfliktit se një marrëveshje me Teheranin është afër, ndërsa gjithashtu ka kërcënuar me sulme të rënda ndaj Iranit nëse nuk bie dakord për një marrëveshje.

    Ai është nën presion të madh politik në vend për të arritur një marrëveshje që do të rihapte Ngushticën e Hormuzit, ku rrjedh normalisht një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm në botë.

    Çmimet e gazit mbeten të larta në SHBA dhe vlerësimi i miratimit të Trump ka pësuar një goditje përpara zgjedhjeve të Kongresit që afrohen në nëntor. /Telegrafi/

  • Nafta shtrenjtohet sërish, rritet për 1 cent

    Nafta shtrenjtohet sërish, rritet për 1 cent

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet e reja të derivateve për datën 20 maj 2026, ku nafta është shtrenjtuar për 1 cent krahasuar me ditën e djeshme.

    Sipas vendimit të publikuar nga MINT, çmimi maksimal i lejuar për naftën (dizel) është 1.63 euro për litër, ndërsa benzina do të shitet me 1.54 euro për litër dhe gasi me 0.75 euro për litër.

    Çmimet kanë hyrë në fuqi nga ora 10:00 dhe vlejnë për 24 orët e ardhshme.

    Rritja e vazhdueshme e çmimeve të derivateve po vazhdon të rëndojë qytetarët dhe bizneset, derisa tregjet ndërkombëtare të naftës mbeten të paqëndrueshme.

    Qytetarët mund të paraqesin ankesa lidhur me çmimet përmes adresës elektronike të ministrisë ose në numrin pa pagesë 0800 11000.

  • AKK: Komunat do ta dërgojnë në Kushtetuese rregulloren e Qeverisë për pranimin në shërbimin civil

    AKK: Komunat do ta dërgojnë në Kushtetuese rregulloren e Qeverisë për pranimin në shërbimin civil

    Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka bërë të ditur se komunat do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Rregullores së Qeverisë Nr. 07/2025 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil.

    Sipas AKK-së, vendimi është marrë nga Këshilli i Kryetarëve në mbledhjen e mbajtur më 14 maj 2026.

    “Këshilli i Kryetarëve i Asociacionit të Komunave të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më datë 14 maj 2026, ka vendosur që Rregullorja e Qeverisë Nr. 07/2025 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë së saj”, thuhet në njoftim.

    Asociacioni thekson se komunat “nuk do të lejojnë cenimin e vetëqeverisjes lokale”, duke argumentuar se e drejta e vetëqeverisjes lokale është kategori kushtetuese dhe garantohet me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.

    “E drejta e vetëqeverisjes lokale është kategori kushtetuese dhe garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet në fuqi dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale”, thuhet më tej.

    AKK vlerëson se pushteti qendror ka të drejtë të ushtrojë vetëm kontroll të ligjshmërisë ndaj akteve komunale, por jo të ndërhyjë në kompetencat kushtetuese dhe autonome të komunave.

    “Pushteti qendror ka të drejtë të ushtrojë vetëm kontrollin e ligjshmërisë ndaj akteve komunale, por jo të ndërhyjë në kompetencat kushtetuese dhe autonome të komunave”, thuhet në reagim, duke shtuar se çdo veprim që tejkalon këtë kufi “përbën cenim të rendit kushtetues dhe të autonomisë lokale”.

    Në këtë frymë, AKK thotë se Rregullorja e Qeverisë Nr. 07/2025 “përfaqëson ndërhyrje të drejtpërdrejtë në kompetencat e komunave”, pasi, sipas tyre, centralizon procedurat e rekrutimit të stafit komunal dhe redukton autonominë funksionale të pushtetit lokal.

    “Rregullorja e Qeverisë Nr. 07/2025… përfaqëson ndërhyrje të drejtpërdrejtë në kompetencat e komunave, duke centralizuar procedurat e rekrutimit të stafit komunal dhe duke reduktuar autonominë funksionale të pushtetit lokal”, thuhet në njoftim.

    Sipas AKK-së, një qasje e tillë bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, parimin e subsidiaritetit dhe standardet evropiane të vetëqeverisjes lokale.

    Për këtë arsye, Asociacioni ka bërë të ditur se, përmes komunave, do ta dërgojë këtë rregullore në Gjykatën Kushtetuese, “me kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë”, me qëllim mbrojtjen e autonomisë lokale dhe rendit kushtetues në Republikën e Kosovës.

  • Sot do të testohet sistemi i alarmit i TC “Kosova B”, ftohen qytetarët të mos shqetësohen

    Sot do të testohet sistemi i alarmit i TC “Kosova B”, ftohen qytetarët të mos shqetësohen

    Komuna e Obiliqit ka njoftuar se sot, nga ora 11:00 deri në 13:00 në Termocentralin “Kosova B” do të realizohen testime teknike të sistemit të alarmit.

    Sipas njoftimit, gjatë këtij intervali do të dëgjohen alarme paralajmëruese, të cilat janë vetëm pjesë e testimeve dhe nuk paraqesin rrezik apo arsye për shqetësim.

    “Lusim qytetarët për mirëkuptim dhe të mos krijojnë panik.” – thuhet në njoftim.

  • BE miraton paktin tregtar me SHBA-në, Trump kërcënoi me tarifa të reja deri më 4 korrik

    BE miraton paktin tregtar me SHBA-në, Trump kërcënoi me tarifa të reja deri më 4 korrik

    Ligjvënësit e Bashkimit Europian dhe shtetet anëtare arritën në orët e para të së mërkurës një marrëveshje për zbatimin e paktit tregtar me Amerikën, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump kishte paralajmëruar tarifa të reja në rast të mosmiratimit deri më 4 korrik.

    Marrëveshja mes Brukselit dhe Uashingtonit ishte arritur që në korrik të vitit të kaluar dhe parashikon vendosjen e taksave prej 15 për qind për shumicën e mallrave evropiane. Megjithatë, teksti përfundimtar duhej ende të ratifikohej nga BE-ja, gjë që kishte shkaktuar pakënaqësi nga ana e Trump.

    Pas negociatave që zgjatën deri vonë gjatë natës, përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe shteteve anëtare arritën kompromisin final disa orë pas mesnatës.

    “Sot, Bashkimi Evropian përmbush angazhimet e tij”, deklaroi ministri i energjisë, tregtisë dhe industrisë i Cyprus, Michael Damianos, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së.

    Ai theksoi se ruajtja e një partneriteti transatlantik të qëndrueshëm dhe të balancuar është në interes të të dyja palëve.

    Ratifikimi i marrëveshjes e vendos BE-në në rrugën e duhur për të respektuar afatin e vendosur nga Trump për marrëveshjen e nënshkruar në Turnberry të Skocisë mes tij dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

    Trump kishte paralajmëruar më herët se BE-ja mund të përballej me tarifa “shumë më të larta”, duke përfshirë rritjen e tarifave për makinat dhe kamionët evropianë nga 15 në 25 për qind.

    Përplasjet tregtare të muajve të fundit, përfshirë tarifat mbi çelikun, aluminin dhe pjesët e automjeteve, kanë shtyrë BE-në të kërkojë partnerë të rinj tregtarë në nivel global. Megjithatë, Brukseli synon të ruajë marrëdhënien ekonomike me SHBA-në, e cila vlerësohet në rreth 1.6 trilionë euro dhe mbetet partneriteti më i madh tregtar i bllokut.

  • Angela Merkel merr çmimin më të lartë të BE

    Angela Merkel merr çmimin më të lartë të BE

    Në Strasburg u dha për herë të parë Urdhri Evropian i Meritës. Ndër fituesit ishte edhe ish-Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila u nderua me shkallën më të lartë të Urdhrit.

    Ndër fituesit e çmimit ishte edhe ish-Kancelarja gjermane Angela Merkel , e cila u nderua me shkallën më të lartë të Urdhrit si “Anëtare me Merita të Urdhrit”.

    Vlerësim për 16 vjet autoritet drejtues

    Juria e arsyetoi nderimin e 71-vjeçares me autoritetin e saj të pandërprerë drejtues në Evropë gjatë 16 viteve të saj si Kancelare dhe me rolin e saj për Traktatin e Lisbonës. Ish-Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso theksoi se Merkel është angazhuar në vazhdimësi për integrimin evropian dhe për vlerat e përbashkëta.

    Merkel: Tre premtime të Evropës në rrezik

    Pas marrjes së Urdhrit, Merkeli kujtoi në fjalimin e saj tre premtime që sipas saj përshkojnë si konstante “75 vitet e BE-së” – premtimin e paqes, premtimin e mirëqenies dhe atë të demokracisë. Por politikania gjermane i sheh të tria premtimet të kërcënuara.

    Ajo tha se “sulmi barbar” i Rusisë ndaj Ukrainës ka treguar se premtimi i paqes nuk është i vetëkuptueshëm, por i brishtë. Merkel shtoi se SHBA sot nuk është më “shtyllë e sigurt” siç ishte dikur.

    Për të siguruar mirëqenien, nevojitet qëndrueshmëri dhe sukses ekonomik. Duke iu referuar premtimit të demokracisë, ish-Kancelarja paralajmëroi se nuk mund të ketë liri pa demokraci.

    Paralajmërim për mediat sociale dhe inteligjencën artificiale

    Merkel sheh rreziqe të veçanta nga zhvillimi i shpejtë i mediave sociale – “ku faktet nuk janë më fakte”, ku gënjeshtrat bëhen të vërteta dhe ndjenjat përzihen me të vërtetat. Kjo përforcohet nga përdorimi gjithnjë e më i gjerë i inteligjencës artificiale. Merkeli bëri thirrje prandaj që të vazhdohet “rruga e rregullimit”, edhe nëse ndonjëherë bëhen gabime.

    Fitues të tjerë të shquar

    Së bashku me Merkelin u nderuan personalitete të tjera të shquara, ndër ta Presidenti ukrainas Wolodymyr Zelenski dhe ish-presidenti polak Lech Walesa, të cilët gjithashtu morën shkallën më të lartë të Urdhrit. Përveç disa politikanëve, në mesin e fituesve janë edhe shkencëtarë, sportistë dhe katër anëtarët e bandës U2.

    Urdhri Evropian i Meritës u krijua në përvjetorin e 75-të të Deklaratës së Robert Schuman-it në maj 2025 dhe vlerëson personat që kanë dhënë kontribut në integrimin evropian ose në nxitjen dhe mbrojtjen e vlerave themelore të BE. DW