Zhvillimi i shërbimeve me bazë në komunitet, konkretisht zhvillimi i strehimit familjar pas arritjes së moshës 18-vjeçare, është një ndër pikat e reja të Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare.
Pas miratimit të Ligjit të ri, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë ka kërkuar që të merren veprime për implementim efikas të tij.
Duke thënë se pritet të ngrihet cilësia e ofruesve të shërbimeve sociale, Remzie Krasniqi, nga SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë, tha se me Ligjin e Ri, fëmijët e kësaj kategorie kanë më shumë mbështetje.
Po ashtu, sipas Ligjit të Ri për Shërbime Sociale dhe Familjare, parashihet ndarje e përgjegjësive të institucioneve të nivelit qendror dhe komunal, për të shmangur paqartësitë rreth themelimit të shërbimeve sociale, menaxhimit, monitorimit dhe inspektimit.
Ky Ligj është aprovuar të enjten nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. /atvlive.tv
Zbatimi në tërësi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Shtojcës Zbatuese të Ohrit, sipas Bashkimit Evropian, është detyrim ligjor për Kosovën dhe Serbinë.
Bazë për këtë është neni 11 i Konventës së Vjenës për Traktatet.
Qartësimi i qëndrimit të BE-së u bë një ditë pas letrës, në të cilën Serbia theksoi se ujditë e 27 Shkurtit dhe 18 Marsit janë të pranueshme vetëm në kontekstin që përjashton çfarëdo lloj njohje të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në OKB.
“Bashkimi Evropian rithekson se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët. Zbatimi i saj është pjesë integrale e rrugës së tyre respektive evropiane. Marrëveshja me shtojcën e saj zbatuese u bë e detyrueshme nëpërmjet deklaratës së shkruar të Përfaqësuesit të Lartë, më 18 Mars 2023”, tha zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano.
Pasi letrën e cilësoi goditje për perëndimin, profesori Dritëro Arifi tha se Serbisë iu bë e qartë se pa zbatim nuk mund të integrohet në Bashkimin Evropian.
“Në njëfarë mënyre ka dalë kundër çfarëdo marrëveshjeje që ka nënshkruar apo që në të ardhmen e afërt çfarëdo që ndodh me këto marrëveshje. Kjo nënkupton një flakaresh i madh për BE-në, por edhe për SHBA-në, që Serbia nuk është e gatshme t’i normalizojë marrëdhëniet me Republikën e Kosovës. Në anën tjetër, BE-ja ka pasur një përgjigje shumë të saktë, të prerë për herë të parë, jo shumë me terma diplomatikë, por ka kërkuar në mënyrë eksplicite që marrëveshja të zbatohet në tërësi nga të dyja palët”, tha Arifi.
Përkundër rreziqeve eventuale, në këto rrethana, ai vlerësoi se Kosova duhet të bëjë marrëveshje me BE-në për zbatim të njëanshëm të obligimeve të saja, në këmbim të integrimit euro-atlantik.
“Duhet kuptuar që pesë vendet e BE-së janë edhe katër vendet e NATO-s, që nëse e kemi një pëlqim nga ato vende dhe, po themi, një konfirmim që rruga jonë do të jetë drejt BE-së dhe NATO-s, atëherë nuk shoh pengesa të zbatimit të kësaj marrëveshje, sepse përfitimi i Kosovës si shtet në marrëdhëniet ndërkombëtare do të jetë shumë më i madh sesa marrëveshja, të cilën Kosova është e obliguar ta zbatojë”, tha Arifi.
Në konkluzionet e miratuara më 12 Dhjetor, Këshilli për Çështje të Përgjithshme kërkoi nga Komisioni dhe Përfaqësuesi i Lartë që të propozojnë shtimin e zbatimit e Marrëveshjes dhe Shtojcës, në Kapitullin 35 në rrugën integruese të Serbisë.
Kamerat e sigurisë nga objekti i partisë që e udhëhiqte Oliver Ivanoviqi kishin kapur vetëm momentet pas vrasjes së tij, më 16 janar të 2018-s. Pamjet nga ora 8:17 minuta e asaj dite janë shfaqur të premten, në gjykimin për vrasjen e ish-liderit serb, që po zhvillohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Kjo video dhe të tjerat të shfaqura gjatë kësaj seance, sipas Prokurorisë Speciale, vërtetojnë se kamerat e sigurisë nuk kishin punuar nga 4 janari deri më 16 janar të 2018-s. Pas ambulancës, në vendin e ngjarjes arrin edhe policia, në mesin e tyre edhe akuzuari Nedelko Spasojeviq.
Në video-incizimet shihen lëvizje të qytetarëve në oborrin e objektit të partisë, çka, sipas PSRK-së, dëshmon se Spasojeviq nuk e siguroi vendin e ngjarjes.
E për veprimet e të akuzuarve, ish-pjesëtarëve të Policisë, është sfiduar me pyetje ish-shefi i Njësisë rajonale Hetimore të Mitrovicës së Veriut, Nenad Simiq, i cili ishte në vendin e ngjarjes së vrasjes së Ivanoviqit dhe pjesë e hetimeve.
Por, ishte vetëm një video-incizim që Simiq e kishte parë nga kamerat e sigurisë, nga e cila e kishte identifikuar të akuzuarin Dragisha Markoviq.
Simiq u ftua të dëshmojë në këtë gjykim me ftesë të të akuzuarit Rade Basara, i cili pretendon se në kohën e vrasjes, nuk ishte në Kosovë dhe sipas Simiqit, ai ishte në pushim vjetor.
Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit do të vazhdojë javën e ardhshme.
Në krah me kryeministrin e kryekuvendarin hyri në sallën e Kuvendit.
Një ulëse e veçantë ishte vendosur për të e më pas mori fjalën.
Në fjalimin vjetor para deputetëve, presidentja Vjosa Osmani e konsideroi sulmin në Banjskë, të 24 shtatorit, ndër sfidat më të mëdha që kaloi Kosova që nga pavarësia.
E para e shtetit tha se është punuar shumë në përmirësimin e imazhit të Kosovës, derisa nuk munguan as falënderimet për aleatët.
Në adresimin e saj, Osmani nuk la pa e përmendur edhe vrasjen e Liridona Ademajt, duke theksuar nevojën për fuqizimin e institucioneve të drejtësisë.
Fjalimin vjetor të presidentes e bojkotuan dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, derisa e pranishme ishte Lidhja Demokratike e Kosovës.
Është njëra prej pajisjeve që shërben për ta neutralizuar rrezikun pa pasur nevojë të përdoret arma. Por, policët e Kosovës, spërkatësin kimik e kanë me afat të skaduar, dëshmon një raport i Inspektoratit Policor.
“Policët e Kosovës ishin të pajisur me armë brezi, pranga, elektrik dore dhe spërkatës kimik dhe uniformat ishin të rregullta, por si problematikë u konstatua se spërkatësi në të gjitha rastet ka qenë me afat të skaduar, që nga dhjetori i vitit të kaluar”, thuhet në raportin e AMP & IPK.
Përdorimi i spërkatësit me afat të skaduar vlerësohet të jetë shumë i rrezikshëm për shëndetin e njeriut.
Teksa u kërkua zgjidhje e shpejtë e problematikës, institucionet përkatëse u fajësuan për faktin se pjesëtarët e Policisë kanë mungesë të pajisjeve adekuate.
Inspektorati Policor edhe më parë gjatë inspektimit në stacione ka hasur spërkatës kimikë dhe jelekë antiplumbë me afat të skaduar.
Oda Ekonomike e Kosovës edhe këtë vit ka ndarë shpërblime e mirënjohje për tatimpaguesit më të mirë për bizneset kosovare.
Më mesin e 400 bizneseve, ndërmarrja ndërtimore Model Slovenia fitoi shpërblimin si tatimpaguesi më i mirë i vitit në Kosovë. Ky shpërblim kompanisë iu nda nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.
E hapur në vitin 2008, sot, Model Slovenia numëron mbi 100 objekte banesore dhe është lider në tregun e Kosovës për ofrimin e hapësirave të përshtatshme për banim dhe për afarizëm.
Misioni i Model Slovenisë është që t’iu ofrojë qytetarëve të Kosovës dhe më gjerë, ambient të ngrohtë për jetë të rehatshme familjare, të një standardi ndërkombëtar dhe me çmime të arsyeshme.
Përveç ndërmarrjes Model Slovenia, mirënjohje për tatimpaguesin e vitit mori edhe kompania e sigurimeve Prisig, madje për të dytin vit radhazi.
Me liberalizimin e vizave që për kosovarët vlen nga 1 janari i vitit të ardhshëm, PRISIG qëndron si zgjedhja kryesore për sigurimin e udhëtimit në Zonën Shengen, duke ofruar mbulim gjithëpërfshirës të udhëtimit.
Në mesin e shumë kompanive kosovare që u nderuan këtë vit nga Oda Ekonomike, Model Slovenia e Prisig u nderuan për të disatën herë. /atvlive.tv
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për gratë e arta të Kosovës, ngjarje kjo e organizuar nga kabineti i zëvendëskryeministres Rexhepi dhe NGO “Lady”.
Në fjalën e tij, Kurti tha se po nderojmë gra të jashtëzakonshme për përkushtimin e tyre të palëkundur, për të kremtuar arritjet dhe kontributin e 63 grave të shquara në fusha të ndryshme, nga komunitetet tona.
Duke theksuar mbështetjen e Qeverisë, kryeministri theksoi se për vajzat studente kemi ndarë mbi 4600 bursa në fushat STEM- Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, e cila ka bërë që pjesëmarrja e vajzave në këto fusha, të arrijë në 50% në Kosovë, ndërkohë që mesatarja në vendet e Bashkimit Evropian është 17%.
Ai përmendi edhe shtesat për fëmijë dhe nënat e reja lehona, duke thënë se deri më tani, kanë përfituar mbi 387 mijë fëmijë dhe 50 mijë nëna të reja.
Ai përmendi dhe skemën “Qeveria për Familjet” dhe veçorinë e re të shtuar, që ka cak punësimin e të mbijetuarave të dhunës në familje, thuhet në njoftim.
Në përfundim, ai fuqizoi mesazhin se arritjet e grave janë një dëshmi e fuqisë së unitetit dhe potencialit të jashtëzakonshëm dhe se vlerësimi i merituar për këto arritje, duhet të na shërbejnë si kujtesë për atë që mund të arrijmë së bashku.
“Le të vazhdojmë të mbështesim njëri-tjetrin, sepse së bashku do të krijojmë një të ardhme më të drejtë për të gjithë. Historitë e juaja do të vazhdojnë të na frymëzojnë, për lartësi të reja në rrugën e barazisë dhe të progresit”, është shprehur Kurti në fjalimin e tij.
Dy trena u përplasën në një metro në kryeqytetin kinez, Pekin, gjatë motit të lig si pasojë e borës së madhe, duke shkaktuar lëndimin e qindra personave, thanë autoritetet kineze të premten.
Rreth 500 njerëz u dërguan në spital, përfshirë 102 me thyerje eshtrash, sipas zyrtarëve.
Aksidenti ndodhi të enjten në mbrëmje në perëndim të Pekinit, në një metro nëntokësore.
Binarët e rrëshqitshëm e shtynë një tren të frenojë në mënyrë automatike. Një tren tjetër që po vinte pas tij nuk qe në gjendje të frenojë me kohë dhe si pasojë u përplas me të, thanë zyrtarët e transportit të Pekinit të premten.
Policia, emergjenca dhe autoritetet e transportin shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ia dolën t’i evakuojnë të gjithë udhëtarët deri në orën 23:00 të enjten, sipas zyrtarëve.
Njëzet e pesë udhëtarë mbesin nën vëzhgim, ndërsa 67 mbetën të shtrirë në spital të premten në mëngjes, thanë autoritetet.
Bora e madhe, që filloi të bjerë të mërkurën, ka shkaktuar pezullimin e udhëtimeve me disa trena dhe mbylljen e shkollave.
Autoritetet alarmuan për rrugë me ngrica, të ftohtë ekstrem dhe reshje bore. Temperaturat pritet të bien në minues 11 gradë të premten natën.
Nuk është raportuar për viktima nga stuhitë dimërore që e kanë goditur një pjesë të madhe të Kinës veriore. Dimrat në Pekin janë zakonisht shumë të ftohtë, por rrallëherë me reshje të mëdha bore./REL
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar Komunën e Mitrovicës, ku së bashku me Kryetarin Bedri Hamza, kanë ndjekur nga afër punimet e rëndësishme infrastrukturore që po zhvillohen në këtë komunë.
Krasniqi tha se Komuna e Mitrovicës dhe komunat tjera që udhëhiqen nga kryetarët që janë nga radhët e PDK-së, janë shembull i rikthimit të politikës në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim, thuhet në komunikatë.
“Unë jam krenar si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, që kryetarët e komunave që udhëhiqen nga PDK-ja siç është rasti i Bedri Hamzës, janë modeli më i mirë i qeverisjes, janë kampionet zyrtarë të Kosovës në qeverisjen e mirë, në transparencë buxhetore financiare, në realizim të projekteve, në realizimin e projekteve kapitale edhe në përmirësimin e dukshëm jo vetëm të infrastrukturës që tashmë është evidente po edhe në ofrimin e shërbimeve shumë më efikase edhe ndihmës për të gjitha kategoritë e shoqërisë”, theksoi Krasniqi.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza tha se Qeveria Kurti përgjatë mandatit të saj nuk ka mbështetur realizimin e asnjë projekti në këtë komunë.
“Katër vjet qeverisje, një shirit të një projekti kapital në Mitrovicë mos me e pre si rezultat i financimit të nivelit qendror, nuk është mirë”, shtoi Hamza.
Gjatë vizitës së tij në Komunën e Mitrovicës, Krasniqi përcolli nga afër punimet për ndërtimin e Ambulantës së Mjekësisë Familjare në Koshtovë, ato në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në lagjen Shipol dhe në rrugën “Mbretëresha Teutë”, hapësirën ku po ndërtohet shëtitorja që lidh shëtitoren e qytetit dhe shëtitoren e Liqenit Akumulues, si dhe punimet e Ballkonit Panoramik të qytetit.
Kryeministri Albin Kurti, priti sot në takim përfaqësuesin e Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Haakon Blankenborg, me të cilin bisedoi për punën e qeverisjes, situatën e sigurisë dhe dialogun me Serbinë.
Kurti shprehu falënderimin për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të Norvegjisë për zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në organizatat euro-atlantike.
Ai tha se luftimi i korrupsionit është përkthyer në zhvillim ekonomik dhe përparim demokratik të vendit, duke u bërë kështu kampione e demokracisë në rajon. Pasi prezantoi strategjinë 2022-2030 në fushën e energjisë, Kurti ftoi për investime të Norvegjisë në Kosovë, të cilat do të forcojnë më shumë marrëdhëniet bilaterale.
Në takim u bisedua edhe mbi situatën e sigurisë dhe dialogun me Serbinë për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me ç ‘rast kryeministri Kurti theksoi se pas sulmit terrorist e paramilitar, të inspiruar, përgatitur e sponsorizuar nga Serbia, është e rëndësishme që të shtohet siguria në kufirin me Serbinë.
Ndërkaq, për sa i takon dialogut, Kurti vijoi duke i dhënë theks rëndësisë, që marrëveshja e arritur këtë vit në Bruksel dhe Aneksi në Ohër të nënshkruhet, pranohet, respektohet dhe zbatohet nga Serbia në tërësi, sidomos pas deklarimit të hapur tash së fundmi nga Serbia për mosrespektim të tyre e deri te mosnjohja e integritetit territorial të Kosovës, që paraqet kërcënim të hapur për ne.