ATV

Category: Lajme

  • Këto janë 12 ekstradimet të cilat i kreu Policia e Kosovës përgjatë vitit

    Këto janë 12 ekstradimet të cilat i kreu Policia e Kosovës përgjatë vitit

    Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në kuadër të angazhimeve dhe detyrave ligjore të bashkëpunimit ndërkombëtar me shtetet tjera, gjatë periudhës së fundit në koordinim me organet e drejtësisë dhe mbështetur nga njësitë tjera policore, ka realizuar me sukses një numër të ekstradimeve, transfereve dhe deportimeve, më konkretisht janë kryer këto aktivitete nga fusha e bashkëpunimit ndërkombëtar:

    • Me datën 08.11.2023 është ekstraduar shtetasi i Republikës së Kosovës, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet tona për veprën penale ‘vrasje’.
    Personi është ekstraduar nga Mali i Zi në Republikën e Kosovës.

    • Me datën 10.11.2023 është transferuar personi shtetas i Republikës së Kosovës, për veprën penale ‘vrasje’. Personi është transferuar nga Belgjika në Republikën e Kosovës.

    • Me datën 13.11.2023 është transferuar personi shtetas i Republikës së Kosovës, për veprën penale ‘vjedhje’ dhe i njëjti është transferuar nga Belgjika në Republikën e Kosovës.

    • Me datën 14.11.2023 është ekstraduar personi shtetas i Gjermanisë, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet e Austrisë për veprën penale ‘vjedhje e rëndë komerciale’.
    Personi është ekstraduar nga Republika e Kosovës në Austri.

    • Me datën 15.11.2023 është deportuar personi i kërkuar shtetas i Polonisë, për veprën penale ‘prishje e rendit dhe qetësisë publike’, ‘mospërfillje e urdhëresave të personave zyrtarë’.
    Personi është deportuar nga Republika e Kosovës për në Poloni.

    • Me datën 15.11.2023 është ekstraduar personi shtetas i Turqisë, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet e Turqisë për veprën penale ‘keqtrajtim seksual i fëmijëve’.
    Personi është ekstraduar nga Republika e Kosovës në Turqi.

    • Me datën 21.11.2023 është ekstraduar personi shtetas i Maqedonisë së Veriut, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për veprën penale ‘vjedhje e rëndë’ dhe i njëjti është ekstraduar nga R. e Kosovës ne Maqedoninë e Veriut.

    • Me datën 22.11.2023 është ekstraduar personi shtetas i RKS-së, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet tona për veprën penale ‘tentim vrasje’, ku i njëjti është ekstraduar nga Gjermania në Republikën e Kosovës.

    • Me datën 29.11.2023 është ekstraduar personi shtetas i RKS-së, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet tona për veprën penale ‘tentim vrasje’. Personi është ekstraduar nga Franca në Republikën e Kosovës.

    • Me datën 12.12.2023 është ekstraduar personi shtetas i Malit të Zi, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet gjermane për veprën penale ‘vjedhje e rëndë’. Personi është ekstraduar nga R. e Kosovës në Gjermani.

    • Me datën 12.12.2023 është ekstraduar personi shtetas i RKS-së, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet tona për veprën penale ‘grabitje’. Personi është ekstraduar nga Gjermania në Republikën e Kosovës.

    • Me datën 13.12.2023 është ekstraduar personi shtetas i RKS-së, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet tona për veprën penale ‘trafikim me narkotikë’. Personi është ekstraduar nga Gjermania në Republikën e Kosovës.

    Policia e Kosovës përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), ka vazhduar në avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me institucionet e zbatimit të ligjit të shteteve tjera dhe me organizatat ndërkombëtare policore dhe të sigurisë, me qëllim arrestimin e personave të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar, ekstradimin apo sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë dhe një bashkëpunim dhe koordinim i tillë do të vazhdojë në frymën e partneritetit dhe besimit reciprok edhe në të ardhmen.

  • ​Rohde: Gjermania në Kosovë po mbështet programin për gazetarët e strehuar nga Ukraina

    ​Rohde: Gjermania në Kosovë po mbështet programin për gazetarët e strehuar nga Ukraina

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se Gjermania qëndron fort në krah të Ukrainës, derisa ka theksuar se në Kosovë po mbështesin programin “Gazetarët në Rezidencë” për gazetarët nga Ukraina si pjesë e Iniciativës Hannah Arendt.

    Ai ka marrë pjesë në aksion i përbashkët me Qeverinë e Albin Kurtit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias.

    Nga shkurti i vitit 2022 janë 23 gazetarë përfitues, prej të cilëve 18 ukrainasë dhe pesë afganë. 15 gazetarë vazhdojnë të banojnë ende në Kosovë. Ky program zbatohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me mbështetjen e iniciativës Hannah Arendt.

  • Kurti pret zyrtaren e DASH dhe Ambasadorin Hovenier, ZKM jep detaje çfarë u diskutua

    Kurti pret zyrtaren e DASH dhe Ambasadorin Hovenier, ZKM jep detaje çfarë u diskutua

    Kryeministri Albin Kurti është takuar sot me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier dhe Drejtoreshën për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit Amerikan, Collen Hyland, me të cilët diskutoi për marrëdhëniet në mes të dy vendeve.

    Pjesë e diskutimit ishte edhe bashkëpunimi në shumë fusha përfshirë edhe atë të konvertimit të targave në RKS.

    “Së bashku diskutuan për marrëdhëniet e forta dypalëshe ndërmjet vendeve tona, bashkëpunimin në shumë fusha, dhe tema e çështje që na presin deri në përfundim të vitit dhe vitin që po vjen. Një prej tyre ishte çështja e procesit të konvertimit të targave, nga i cili deri më tani mbi 4200 qytetarë serbë të Kosovës kanë përfituar prej lehtësimeve financiare të Qeverisë për regjistrimin e veturave me targa RKS”, thuhet në njoftim.

    Kurti poashtu ka falënderuar ambasadorin amerikan për përkrahjen ndaj Kosovës, teksa përmendi sulmin e serbëve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, sulmin në Banjskë, rrëmbimin e tre policëve dhe vrasjen e rreshterit policor Afrim Bunjaku.

    “Kryeministri Kurti falënderoi Ambasadorin Hovenier dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e vazhdueshme përgjatë gjithë vitit. Vit ky që krahas zhvillimit dhe progresit ishte vit sfidues veçanërisht në aspektin e sigurisë për shkak të sjelljes agresive të Serbisë ndaj Kosovës dhe strukturave kriminale të saj, që u përcoll me tensione, sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, institucioneve vendore e të gazetarëve në katër komuna në veri, rrëmbimin e tre policëve të Kosovës brenda territorit tonë, dhe sulmi terrorist e paramilitar i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri i policor, tani Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

  • Vuçiq me gjuhë të rëndë ndaj perëndimit, sërish shpreh pretendimet ndaj Kosovës

    Vuçiq me gjuhë të rëndë ndaj perëndimit, sërish shpreh pretendimet ndaj Kosovës

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vazhduar të përdorë gjuhën e tij nacionaliste në prag të zgjedhjeve në Serbi. Ai është fokusuar sërish tek Kosova, për të cilën pretendon se është pjesë e Serbisë.

    Në një intervistë për gazetën Politika, Vuciq tha se gjoja sipas tij vitin e ardhshëm perëndimi “do të përpiqet t’ia marrë Serbisë Kosovën”, transmeton KosovaPress.

    “Vitin e ardhshëm do të tentojnë zyrtarisht, përfundimisht, të na e marrin Kosovën. Unë nuk kam iluzione se ata do të përpiqen ta bëjnë atë në çdo mënyrë dhe me çdo kusht, sepse ata duhet t’i japin fund luftës në Ukrainë sa më parë të jetë e mundur, ata nuk kanë nevojë që Putini apo dikush tjetër t’i referohen Kosovës, prandaj duan ta mbyllin atë histori sa më parë. Dhe, sigurisht, para zgjedhjeve amerikane”, tha Vuçiq.

    Ai sërish ka pretenduar se ballafaqohet me presion të jashtëm, duke synuar që të mbajë sa më afër shumicën në Serbi.

    “Për Serbinë do të jetë me rëndësi të madhe ruajtja e paqes dhe stabilitetit në nivelin e brendshëm për të vazhduar me progresin e mëtejshëm ekonomik, investimet, projektet e mëdha infrastrukturore, punësimin, rritjen e pagave dhe pensioneve dhe për të pasur forcë të mjaftueshme për t’i rezistuar të presioneve jashtme. Parakusht për këtë është një shumicë e qëndrueshme dhe një qeveri që do të bashkëpunojë me presidentin”, ka thënë ai.

    Ai ka folur edhe për kapitullin 35 me Marrëveshjen e Ohrit, me ç’rast përsëriti se nuk vjen në konsideratë njohja e Kosovës.

    “E informova mbarë opinionin vendor dhe ndërkombëtar me atë që nuk vjen në konsideratë, e që është njohja e pavarësisë së Kosovës, në asnjë mënyrë, as anëtarësimi në Kombet e Bashkuara dhe agjencitë dhe organizatat e saj. Meqë nuk thonë se këtë e përjashtojnë, por e duan të gjithë marrëveshjen, atëherë për ne është e papranueshme. Do ta vënë apo jo, nuk mund të hamend në këtë moment”, tha Vuçiq.

  • Izolohet në regjimin “41 biss” i dënuari përjetë për vrasjen e dy turistëve çekë

    Izolohet në regjimin “41 biss” i dënuari përjetë për vrasjen e dy turistëve çekë

    Ministria e Drejtësisë ka urdhëruar vendosjen në regjimin e posaçëm “41 bis” të një tjetër të dënuari, Sokol Mjaçaj, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm në burgun e sigurisë së lartë IEVP “Peqin”.

    Ende nuk dihet rregulli që ka thyer i dënuari në burgun e Peqinit, por ai do të vuajë dënimin e përjetshëm në regjimin “41 biss”

    Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja është shprehur se do të zbatojë me rigorozitet ligjin për vendosjen në regjimin e posaçëm (41/b) për të gjithë ata të paraburgosur dhe të dënuar që cenojnë rendin dhe sigurinë, apo që vazhdojnë aktivitetin kriminal brenda i IEVP-ve.

    “Asnjë tolerancë! Do të zbatoj me rigorizitet ligjin. Mesazhi im është i prerë: Të dënuarit që cënojnë sigurinë e institucionit apo që vazhdojnë aktivitetin kriminal do të përballen me pasojat, menjëherë në regjimin e posaçëm 41/b, pavarësisht emrit apo veprës për të cilën janë dënuar!” – tha Manja.

    Sokol Mjaçaj është i dënuar përjetë për vrasjen e dy turistëve çekë, Michal Svatos dhe Anna Kusinova, më 3 korrik 2015 në fshatin Prekal të Dukagjinit. Mjacaj i grabiti e më pas i ekzekutoi me armë zjarri në automjetin e tyre.

    Aktualisht në regjimin “41 biss” janë Alber Kupa, Viktor Ymeri, Aleksandër Llanaj, Arbër Çekaj, Fatmir Pjetri, Kelend Çala, Eldi Çala dhe Redjan Rraja.

  • Nënshkruhet marrëveshja 20 milionë euro për ujërat e zeza në Ferizaj

    Nënshkruhet marrëveshja 20 milionë euro për ujërat e zeza në Ferizaj

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë, Maslichenko nënshkruan sot një marrëveshje me vlerë 20 milionë euro.

    Përmes kësaj marrëveshje parashihet ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Rajonin e Ferizajt përmes së cilit parandalohet shkarkimi i ujërave të zeza në lumenj. Nga ky projekt përfitojnë rreth 90 mijë qytetarë duke ndikuar në ruajtjen e burimeve lokale të ujërave. Gjithashtu, vlen të theksohet se projekti është në linjë me Strategjinë Nacionale të Ujërave për Kosovë (2023 -2027).

    Në ceremoninë e nënshkrimit, Ministri Murati theksoi se “ky projekt do të ndikojë në ruajtjen e ambientit në komunat e Ferizajit dhe Kaçanikut si dhe në gjithë rajonin përreth”.

    Drejtori i BERZH-it për Kosovë  Maslichenko nga ana e tij shprehu se “ ky projekt do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së mjedisit dhe shëndetit publik në Kosovë. Ne e vlerësojmë shumë bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës në sektorin e ujërave dhe mjedisit dhe shpresojmë që ky projekt të shërbejë si model i suksesshëm për projekte të ngjashme në të ardhmen”.

    Ndërsa Kryeshefi Ekzekutiv në kompaninë “Bifurkacioni SH.A”, njëherit kompani zbatuese e këtij projekti, falënderoi palët për përkushtimin e treguar duke potencuar se projekte të tilla lehtësojnë jetën e qytetarëve në Rajonin e Ferizajt.

    Të gjitha palët u pajtuan që ta thellojnë bashkëpunimin në projekte të tjera me interes për qytetarët.

  • Musliu pasi Osmanin nuk e përmendi emrin e Thaçit: Tregon injorancën dhe urrejtjen patetike të një gruaje të llastuar si Vjosa

    Musliu pasi Osmanin nuk e përmendi emrin e Thaçit: Tregon injorancën dhe urrejtjen patetike të një gruaje të llastuar si Vjosa

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani se nuk e ka përmendur emrin e Hashim Thaçit.

    Musliu tha se Osmani me këtë ka treguar injorancë dhe urrejtje patetike.

    “Vjosa Osmani edhe sot e deshmoj qe nuk mund të jetë më shumë se një Vjosë. Kur flitet për historinë e Kosovës e nuk përmendet emri i Presidentit qe shpalli Pavarsinë e Kosovës, Presidentit Hashim Thaçi, kjo tregon injorancën dhe urrejtjen patetike të një gruaje të llastuar si Vjosa. Prandaj unë sot nuk bojkotova adresimin e Presidentit te shtetit tim, bojkotova fjalimin e nje gruaje qe nuk mund të sherohet nga urrejtja patetike ndaj një epoke te lavdishme të historisë”, ka shkruar ajo.

  • ​Superheronjtë sjellin buzëqeshje tek fëmijët e shtrirë në Pediatri

    ​Superheronjtë sjellin buzëqeshje tek fëmijët e shtrirë në Pediatri

    Fëmijët që po trajtohen në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë suprizuar me disa dhurata nga alpinistët e Klubit “Alpin Prishtina”.

    KAP së bashku me “Care for Kosovo Kids” organizuan ngjarjen “Superheronjtë”, ku alpinistët u lëshuan me litarë nëpër ballkonet dhe dritaret e Pediatrisë duke shpërndarë dhurata për pacientët.

    Aktivitet ky që po organizohet tash e katër vite ka për qëllim rritjen e fondeve për shërimin e fëmijëve që janë diagnostikuar me kancer.

    Menaxherja për aktivitete në “Care for Kosovo Kids”, Mrika Karaçi tha se ky aktivitet ka për qëllim ngritjen e fondeve dhe vetëdijesimit për fëmijët me kancer që gjenden në Klinikën e Hematoonkologjisë Pedriatike në QKUK.

    “Aktiviteti ‘Superheronjtë në Pediatri’ është viti i katërt që po organizohet nga organizata ‘Care for Kids’ së bashku me klubin ‘Alpin Prishtina’, dhe gjithashtu përkrahësin kryesor që është Banka Ekonimike. Është një aktivitet që për qëllim kryesor ka ngritjen e fondeve dhe vetëdijesimit për fëmijët të cilët janë të diagnostikuar me kancer e që gjenden në klinikën e Hematoonkologjisë Pediatrike në QKUK”, tha Karaçi.

    Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Bankës Ekonomikë të Kosovës, Shpend Luzha tha se buzëqeshja e fëmijëve është shtyrje dhe motiv për të mbështetur aktivitete të tilla.

    Ai shtoi se me kënaqësi kanë dhënë donacionin dhe dhuratat për këtë klinikë.

    “Buzëqeshjet e këtyre fëmijëve rreth neve janë shtyrje dhe motiv që të mbështesim eventet e tilla…Si Bankë Ekonomike kemi kënaqësinë të bëjmë një donacion dhe dhuratë rreth klinikës dhe organizimit. Falënderim i veçantë shkon për stafin mjekësor që janë prezent këtu në baza ditore që përballohen me sfidat e këtyre familjeve dhe fëmijëve”, theksoi Luzha.

    Ndërsa, drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi tha se është rritur lista esenciale për trajtimin e fëmijëve.

    Lidhur me organizimin, Azizi tha se janë të mirëseardhura, meqë sipas tij përveç trajtimit shëndetësorë, fëmijët kanë nevojë edhe për trajtim shpirtëror.

    “Qendra Klinike Universitare dhe ShSKUK nga aspekti profesional i kryejnë punët e tyre dhe ne kemi rritur listën esenciale këtë vit për t’i trajtuar pacientët në fjalë. Gjithashtu i rrimë gati furnizimit me rregull sa i takon pacientëve… Aktivitete të tilla sikur ky janë shumë të mirëseardhura për arsye se përveç aspektit shëndetësor apo trajtimit shëndetësor është edhe ky trajtimi shpirtëror apo këto aktivitete argëtuese që ndikojnë shumë në trajtimin dhe shërimin e tyre”, tha Azizi.

  • Model Slovenia pranon çmimin “Tatimpaguesi i vitit 2023”

    Model Slovenia pranon çmimin “Tatimpaguesi i vitit 2023”

    Kompania ndërtuese që operon tash e sa vite me sukses të plotë në territorin e Kosovës, Model Slovenia, sërish sivjet është shpallur “Tatimpaguesi i vitit” nga Oda Ekonomike e Kosovës.

    Këtë mirënjohje përfaqësuesit e kompanisë e kanë marrë nga kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna.

    Model Slovenia me këtë rast ka falënderuar të gjithë të punësuarit, bashkëpunëtorët dhe klientët besnikë.

    “Faleminderit Oda Ekonomike e Kosovës për çmimin: Tatimpaguesi i Vitit 2023! Edhe sivjet jemi Tatimpagues të vitit, një falënderim i veçantë për të gjithë stafin e Model Slovenia, punëtorët, bashkëpunëtorët dhe blerësit tanë besnik nga i gjithë rajoni të cilët kanë besuar tek ne për gjithë këto vite”, thuhet në njoftimin e kompanisë në faqen e saj zyrtare në facebook.

    Kujtojmë se Model Slovenia, merr çmimin për të katërtën herë si “Tatimpaguesi i vitit” nga Oda Ekonomike e Kosovës. /atvlive.tv

  • Dislokohen në Kosovë edhe pesë xhandarë nga Franca

    Dislokohen në Kosovë edhe pesë xhandarë nga Franca

    Pesë xhandarë të Xhandarmësisë së Francës do të dislokohen nesër në Kosovë si kontribut i Forcës së Xhandarmerisë Evropiane (EUROGENDFOR) për Njësinë e tanishme të Policisë së Specializuar Rezervë të EULEX-it (NJPSR), aktualisht e përbërë prej 24 Karabinierëve italianë dhe 20 Zyrtarëve lituanezë të sigurisë publike, njofton EULEX

    Përmes një njoftimi, thuhet se dislokimi i tyre do të kontribuojë për informimin e Misionit mbi situatën.

    Franca edhe më herët ka dislokuar në Kosovë xhandarë.

    EULEX-i tha më herët se prurja e kësaj njësie në Kosovë, do të rrisë më shumë sigurinë.