ATV

Category: Lajme

  • Çeku: Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi, faleminderit përjetësisht!

    Çeku: Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi, faleminderit përjetësisht!

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka përgëzuar të gjithë për organizimin e Kampionatit Evropian të Hapur në Prishtinë.

    Çeku, mes tjerash në veçanti falënderoi Driton Kukën dhe Majlinda Kelmendin.

    “Shumë përgëzime, një punë e shkëlqyeshme,dua të potencoj një fakt para nënkryetarit të federatës ndërkombëtare, që na ka besuar këtë organizim”, ka theksuar Çeku.

    “Faleminderit shumë Unionit Evropian, përgëzime për të gjithë, i dëshirojë të gjitha klubeve qëndrim të këndshëm, dhe natyrisht një falënderim për njerëzit, Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi, faleminderit përjetësisht”.

  • Arrestohen dy persona në Mitrovicë, sulmuan dy të tjerë

    Arrestohen dy persona në Mitrovicë, sulmuan dy të tjerë

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Mitrovicë.

    Të njëjtit dyshohet se pas një mosmarrëveshje verbale, i kanë sulmuar fizikisht me mjet të fortë dy viktimat meshkuj kosovarë të cilët kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor.

    Personat e dyshuar janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

    Njoftimi i plotë:

    Rr. Driton Veliu- Mitrovicë 15.12.2023-20:30. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje verbale, i kanë sulmuar fizikisht me mjet të fortë dy viktimat meshkuj kosovarë të cilët kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Pas intervistimit me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, rasti është duke u hetuar.

  • Kurti për Fondin Sovran: Do të jemi shembull për shtetet dhe qeveritë e tjera

    Kurti për Fondin Sovran: Do të jemi shembull për shtetet dhe qeveritë e tjera

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se me miratimin e mbrëmshëm të Fondit Sovran në Kuvendin e Kosovës, do t’i forcohen ndërmarrjet publike, do të sjell një cikël të ri investimesh në vend dhe do të shtojë qarkullimin e kapitalit investiv në ekonominë tonë, por mbi të gjitha do të jemi shembull jo vetëm për gjithë shqiptarët në Ballkan, por edhe për shtetet e qeveritë e tjera në kontinentin tonë.

    Kurti këto komente i bëri gjatë mbledhjes së fundit për këtë vit të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku tha se është rasti për t’u përgatitur për sukseset e vitit të ardhshëm, e ku edhe i kërkoi të gjithë anëtarëve të jenë më aktiv në pozitat dhe komunat ku janë.

    Kurti ka komentuar edhe Fondin Sovran, i cili është miratuar mbrëmë në Kuvendin e Kosovës.

    “Për dy dekada pas luftës, ekonomia e Kosovës, burimet e saj janë shndërruar në plaçkë për zhvatje në një proces brutal të privatizimit të shkapërderdhjes centrifugale, nga ky proces i dy dekadave centrifug po kalojmë në fazën centripetale, ku vendi ynë edhe ekonomikisht, jo vetëm historikisht, politikisht, do të peshojë gjithnjë e më rëndë, pra nga një tendencë dy dekadëshe centrifugale, Fondi Sovran është thelbi i kalimit në fazën centripetale, ku rritet graviteti i vendit tonë edhe si ekonomik kombëtare“, tha ai.

    Kurti u ndal edhe te institucionet tjera, ku tha se prej fillimit të mandatit deri tash 30.6 milionë euro mall janë konfiskuar nga operacionet e Doganës së Kosovës.

    Sipas tij, ekonomia e Kosovës është më e fort se kurrë, pavarësisht krizave të shumëfishta si për bizneset, ashtu edhe për familjet, derisa u ndal edhe te mbështetja në fushën e bujqësisë.

    Sipas tij, qarkullimi i bizneseve nga janari-nëntor 2023, ka arritur shumën 15.88 miliardë euro.

    Kurti në këtë mbledhjen e këtij këshilli nuk la pa kritikuar edhe mediat. Sipas tij, shumë nga lajmet dhe vendimet që merr qeveria nuk paraqiten fare ose paraqiten pjesërisht në pjesën dërmuese të mediave. Ai shtoi se qeverisja e tyre nuk kanë zgjedhur metodat e paraardhësve të tyre me sponzorizime sepse në thelb janë fasadë.

    Ai shtoi se brenda mandatit të tyre raporti i eksportit ndaj importet nga një me nëntë është në një me gjashtë.

  • Tahiri: Do ta çojmë në Kushtetuese Fondin Sovran, cënon Kushtetutën, i bazuar në ekonomi komuniste

    Tahiri: Do ta çojmë në Kushtetuese Fondin Sovran, cënon Kushtetutën, i bazuar në ekonomi komuniste

    Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar pasi dje në Kuvend është votuar ligji për Fondin Sovran. Ai procesin e ka quajtur si angazhim kundër rendit kushtetues, meqë përmes Fondit Sovran thotë se cenohen parimet themelore të organizimit ekonomik të Kosovës.

    Tahiri ka thënë se PDK do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese ligjin për Fondin Sovran duke u zotuar se do të angazhohen që me argumente juridike ta rrëzojnë, meqë sipas Tahirit bazën e ka në ekonomitë komuniste.

    “Prandaj, do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, ku me argumentet juridike do të angazhohemi për ta rrëzuar edhe këtë ligj, që bazën ideologjike e ka në ekonomitë komuniste”, ka shkruar Tahiri.

    Reagimi i plotë:

    Në seancat e djeshme të Kuvendit, shumica parlamentare rikonfirmoi angazhimin kundër rendit kushtetues.

    I tillë ishte rasti me miratimin e Ligjit për Fondin Sovran, me të cilin cenohen parimet themelore të organizimit ekonomik të Republikës, si konkurrenca e lirë, liria ekonomike, trajtimi i barabartë i investitorëve.

    Me këtë ligj, mëtohet të krijohet një megastrukturë burokratike që dëmton buxhetin e shtetit, krijon pasiguri juridike dhe mbi të gjitha cenon vlerën kushtetuese të sundimit të ligjit, sepse në organizimin dhe funksionimin e tij, nuk do të zbatoj as ligjin bazik për ndërmarrjet publike, as ligjin e punës, as të prokurimit publik por do të qeveriset sipas tekeve të kuazi ekspertëve të shitur.

    Ky ligj, qindra miliona euro koncentron në duart e një grupi të pushtetit, ndërsa mijëra punëtorë të ndërmarrjeve rrezikojnë të mbesin në rrugë, duke i zëvendësuar me militantë partiak e me familjarë të pushtetarëve.

    Prandaj, do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, ku me argumentet juridike do të angazhohemi për ta rrëzuar edhe këtë ligj, që bazën ideologjike e ka në ekonomitë komuniste.

    Ndërsa dje shumica parlamentare, po ashtu, pas një cirku votimesh, miratoi edhe shkarkimin e anëtarit të Këshillit Prokurorial nga radha e profesorëve univeristar, Prof. Dr. Agron Beka dhe ky vendim paraqet përpjekjen e radhës për të bllokuar këtë institucion të pavarur kushtetues, që më pas ta kapin dhe nënshtrojnë.

    Edhe ky vendim përbën cenim arbitar të pavarësisë dhe punës së KPK-së, dhe si grup paralamentar, ashtu siç jemi angazhuar në raste të tjera, edhe kësaj radhe nuk do të lejojmë prishjen e parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve duke e dërguar të njëjtin në Gjykatën Kushtetuese.

  • Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj dy të akuzuarve për vrasjen e trefishtë në Kaçanik

    Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj dy të akuzuarve për vrasjen e trefishtë në Kaçanik

    Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin më 7 qershor 2023 Afet dhe Agron Dalloshi ishin liruar nga akuza se me 40 fishekë kishin vrarë tre persona në Kaçanik dhe se e kishin lënduar një tjetër.

    Vendimi i Apelit është marrë më 18 tetor 2023, me të cilin është refuzuar si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Speciale, ndërsa është hudhur si e palejuar ankesa e palës së dëmtuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “II.REFUZOHET si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës Kosovës, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.628/2014, i datës 07.06.2023, VËRTETOHET. II. HUDHET si e palejuar ankesa e përfaqësuesit të palës së dëmtuar A.B.a av. J.M. e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, …., i datës 07.06.2023” thuhet në vendimin e Apelit.

    Fillimisht, kundër vendimit të Themelores për lirimin e Afet dhe Agron Dalloshit nga akuza, ankesë ka parashtruar PSRK, duke propozuar që për shkak të shkeljeve ligjore, çështja të kthehet në rigjykim.

    Gjithashtu, edhe pala e dëmtuar ka parashtruar ankesë ndaj vendimit të Themelores, duke i propozuar Apelit që vendimin e Themelores ta anulojë dhe çështjen ta kthejë në rigjykim për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

    Ndaj ankesës së PSRK-së dhe palës së dëmtuar, kanë paraqitur përgjigje mbrojtësja e të akuzuarit Afet Dalloshit, avokatja Kosovare Kelmendi dhe mbrojtësi i të akuzuarit Agron Dalloshi, avokati Ahmet Ahmeti, duke i propozuar Apelit që të vërtetohet aktgjykimi i Themelores.

    Andaj, Apeli në gjetjet e tyre ka theksuar se nuk qëndrojnë pretendimet ankimore të PSRK-së dhe palës së dëmtuar, të cilat pretendime do ta kushtëzonin anulimin e aktgjykimi të ankimuar.

    Sipas shkallës së dytë, dispozitivi i aktgjykimit të Themelores është i kuptueshëm, në të nuk ka kundërthënie me vetveten e as me arsyet e tij dhe se është i qartë dhe konkret, duke përmbajtur kështu të gjitha arsyet e duhura mbi faktet relevante të çështjes penale në fjalë.

    Tutje, Apeli ka sqaruar se Themelorja drejt ka vërtetuar se nga dispozitivi i akuzës nuk rezulton të jenë të përfshira faktet vendimtare që do të përbënin elemente e veprës penale, me të cilën janë akuzuar Afet dhe Agron Dalloshi.

    Prandaj gjithnjë sipas Apelit, Themelorja ka bërë analizimin e të gjitha provave të proceduara në këtë çështje penale gjatë shqyrtimi gjyqësor dhe ka ardhur në konkludime të drejta, objektive dhe të ligjshme.

    Në vendim, Apeli ka theksuar se nga dëshmia e dëshmitarëve M.B., H.B., I.B., B.B., A.B. dhe V.B përveç fjalëve që ata kanë dëgjuar nga të tjerët për rrethanat e sulmit të mundshëm me armë ndaj të afërmve të tyre, në fund është vërtetuar se të njëjtit nuk kishin asnjë të keqe me të akuzuarit.

    Pretendimet e PSRK-së se të akuzuarit kishin bartur me makinë dy të armatosur, Apeli thotë se nuk bazohen në asnjë provë- dëshmi, por kjo rrethanë është përshkruar ashtu siç Prokuroria e ka menduar pa mbështetje në prova.

    Gjithnjë sipas këtij vendimi, dëshmia e dëshmitari R.T është vlerësuar si shmangie nga thëniet e tij pas ngjarjes kur e ka pasur kujtesën më të freskët dhe se ndryshimi i deklaratës nga R.T sipas Apelit është bërë pas takimit të tij me familjarët e të dënuarve Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi.

    Tutje, sipas Apelit të dënuarit Hasani dhe Qerimi vazhdimisht kanë bërë përpjekje për ndryshimin e rrethanave dhe versionit të ngjarjes së ndodhur, duke kontaktuar dëshmitarë dhe njërin nga të akuzuarit Dalloshi, saqë njëri nga ta ishte dërguar në burgun e Dubravës për t’u takuar me Hasanin.

    Apeli, po ashtu konstatoi se nuk mund të llogaritet se janë provuar veprimet e të akuzuarve Dalloshi vetëm për faktin se dy të dënuarit Hasani dhe Qerimi kishin realizuar takime në burgun e Dubravës me të dëmtuarit, vetëm që të ndriçohet rasti.

    Po ashtu, Apeli ka sqaruar se edhe sa i përket pretendimeve të PSRK-së për shkelje të Ligjit Penal, Themelorja ka ofruar prova të mjaftueshme me të cilat konsiderohet se në veprimet e të akuzuarve nuk qëndrojnë elementet esenciale të veprës penale për të cilën akuzohen.

    Ndërkaq sa i përket ankesë së të dëmtuarit, Apeli të njëjtën e ka hedhur poshtë me arsyetimin se pala e dëmtuar mund të parashtrojë ankesë vetëm për sanksionin penal kur të akuzuarit shpallen fajtorë e që në rastin konkret të akuzuarit janë liruar, andaj ankesa e palës së dëmtuar nuk lejohet.

    Ndryshe, me aktgjykimin e 7 qershorit 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë, në mungesë të provave i liroi nga akuza të akuzuarit Afet dhe Agron Dalloshi.

    Në lidhje me këtë rast, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë më 2 nëntor 2009 ndaj të akuzuarve Besnik Hasani, Shpend Qerimi dhe Nysret Cena, për veprën penale të vrasjes, kurse ndaj Hasanit dhe Qerimit edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

    Lidhur me këtë, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me aktgjykimin e 7 shkurtit 2011, të akuzuarit Hasani dhe Qerimi i ka shpallur fajtorë, duke iu shqiptuar dënim me burgim afatgjatë, çdonjërit nga 33 vite, kurse të akuzuarin Nysret Cena e ka liruar nga aktakuza në mungesë të provave.

    Pas shpalljes së këtij aktgjykimi, i akuzuari Hasani ka dashur të japë deklaratë në Prokurori lidhur me vrasjet e datës në mes 27 e 28 shtatorit 2007, andaj Prokuroria pas dëgjimit të tij, kishte ngritur aktakuzë më 13 shtator 2011 ndaj Nysret Cenës, Agron Dalloshit dhe Afet Dalloshit për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”.

    Kurse, me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale më 5 mars 2012, është ndryshuar përshkrimi i dispozitivit të aktakuzës së 13 shtatorit 2011, ashtu që sa u përket veprave penale nën pikën I të aktakuzës, Nysret Cena nuk e kishte cilësinë e të akuzuarit.

  • Ultrazëri i barkut do të kryhet në gjashtë QMF-të në Prishtinë

    Ultrazëri i barkut do të kryhet në gjashtë QMF-të në Prishtinë

    Pacientët nuk do të kenë më nevojë të shkojnë në Emergjencën e QKUK-së për një ultrazë, pasi kjo tash e tutje do të bëhet në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

    Përparim Rama, kryetar i Prishtinës, ka bërë të ditur se në gjashtë Qendra të Mjekësisë Familjare në kryeqytet do të bëhet ultrazëri i barkut nga specialistët e mjekësisë familjare.

    “Doktorët tanë janë duke u trajnuar, dhe më pas fillojmë me realizimin e ultrazërave të barkut, në QMF-të në lagjet “Dardania”, “Bregu i Diellit”, “Kodra e Trimave”, “Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare”, QMF në rrugën “Bajram Bahtiri” dhe në Qendrën e Mjekësisë Urgjente”, ka shkruar ai në Facebook.

  • Drenasi mbetet pa ujë të pijshëm, shkak turbullira dhe ndërprerja e energjisë

    Drenasi mbetet pa ujë të pijshëm, shkak turbullira dhe ndërprerja e energjisë

    Komuna e Drenasit ka mbetur pa furnizim me ujë të pijshëm.

    Sipas KRU “Prishtina”, kjo për shkak të turbullirës dhe ndërprerjes së energjisë elektrike.

    “Ju njoftojmë se si shkak i turbullirës dhe ndërprerjes së energjisë elektrike, Drenasi është pa furnizim me ujë të pijshëm. Energjia elektrike është ndërprerë në orën 11:00 në Bivolallk”, thuhet në njoftim.

  • Rizavnolli takon Hylandin, e falënderon për ndihmën e ShBA-së në energji

    Rizavnolli takon Hylandin, e falënderon për ndihmën e ShBA-së në energji

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka zhvilluar një takim me Colleen Hyland, Drejtoreshë për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit të ShBA-së.

    Aty, sipas Rizvanollit, është diskutuar për tema të ndryshme të zhvillimit ekonomik si eksporti, tregu i punës, punësimi i grave, tërheqja e investimeve të huaja direkte, energjia e sektori i TIK-ut.

    Ministrja tha se Hyland e njeh shumë mirë Kosovën pasi ka shërbyer si Zëvendës Shefe e Misionit në Ambasadën Amerikane në Kosovë, e më parë edhe si Këshilltare për Politikë e Ekonomi.

    “Andaj është kënaqësi të ndaj me të progresin e Kosovës gjatë këtyre viteve, për të cilin edhe ajo vetë ka kontribuar”, u shpreh Rizvanolli.

    Ajo tha se gjatë diskutimit ka shprehur mirënjohjen për përkrahjen e Qeverisë amerikane dhe agjensive si USAID e MCC “për rolin e tyre të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të ekonomisë, e në veçanti atij të energjisë”.

  • Gara: Këtë vit i kemi përfunduar 15 lokacione në kërkim të të zhdukurve, sfidë mungesa e informacioneve të besueshme

    Gara: Këtë vit i kemi përfunduar 15 lokacione në kërkim të të zhdukurve, sfidë mungesa e informacioneve të besueshme

    Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit në kuadër të Qeverisë së Kosovës, ka thënë se këtë vit kanë arritur të gërmojnë në 15 lokacione me qëllim të zbardhjes së rasteve të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

    Ndonëse këtë vit e quan më dinamik në adresimin e informatave për gjetjen e personave të zhdukur, Gara është i rezervuar për të dhëna e shifra të personave që kanë arritur t’i identifikojnë.

    Ndërsa sfidë për ta mbetet mungesa e informacioneve të besueshme.

    E që nga përfundimi i luftës e deri më sot, Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit kanë arritur t’i kryejnë mbi 2700 lokacione në Kosovë.

    Gara ka thënë se shkaku i kushteve atmosferike dhe sezonit të dimrit, aktualisht po hasin në vështirësi të adresimit të lokacioneve të reja.

    “Edhe ky vit karakterizohet me një përpjekje dhe një angazhim në kuptim të adresimit të informatave me qëllim të realizimit të gërmimeve të nevojshme në lokacionet tanimë të shënuara në Republikën e Kosovës, karakterizohet vit me një dinamik të jashtëzakonshme në adresimin e çdo informate që do të mund të kontribuonte në zgjidhjen e cilido rast të personave të zhdukur me forcë. Sipas të dhënave që tani i kemi si institucione, gjatë këtij viti janë të paktën 15 lokacione të adresuara në kuptimin e gërmimeve vlerësuese. Tani për shkak edhe të sezonës së dimrit do të kemi vështirësi në rast të adresimit të lokacioneve me qëllim të gërmimeve por sigurisht se këtë fazë jemi duke punuar në kuptim të trajtimit të shqyrtimit të analizimit të të dhënave që kemi siguru gjatë këtyre muajve dhe pastaj për ndjekjen e procedurave për të siguruar urdhëresë nga gjykatat kompetente”, u shpreh Gara.

    Gara thotë se kanë arritur t’i përfundojnë dhjetëra mostra të ADN-së të personave të zhdukur. Disa thotë se janë në përputhje me familjarë dhe se po presin t’i njoftojnë edhe familjarët.

    “Nga eshtrat e zhvarrosura gjatë këtij viti janë dërguar me dhjetëra mostra për analiza të ADN-së në Komisionin Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur, disa prej të cilave janë kthyer raporte të përputhshmërisë, mirëpo për shumicën e tyre jemi ende në pritje të rezultateve të ADN-së dhe sigurisht që rezultatet do t’i pranojmë gjatë vitit 2024 dhe do të veprohet me njoftimin e familjeve të personave të identifikuar”, thotë Gara.

    E që nga përfundimi i luftës, ky Komision ka arritur që t’i kryejë më shumë se 2700 lokacione në tërë Republikën e Kosovës. Ndonëse këtë proces nuk dëshiron ta përkthejë në terma statistikor, Gara thotë se kanë arritur të gërmojnë në një perimetër prej katër kilometra katrorë.

    “Edhe vitin 2023 por edhe vitet paraprake, sfidë në këtë proces jo vetëm në luftën e Kosovës por edhe në luftërat tjera në Evropë e më tutje, mbetet sfidë mungesa e informacioneve të besueshme. Edhe gjatë vitit 2023 por edhe viteve paraprake, Republika e Kosovës vazhdon të mbetet shembull në rajon dhe më gjerë për mënyrën e trajtimit të çdo informate që mund të kontribuonte në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur. Gjatë këtyre 25 viteve pas luftës, Republika e Kosovës brenda territorit të saj janë adresuar në kuptim të gërmimit vlerësues më shumë se 2700 lokacione që i bie në kuptim statistikor, i bie që çdo 4 km2 ka pasur një lokacion që ne e kemi gërmuar”, thotë Gara.

  • Zyrtarisht përfundon afati për konvertimin e targave

    Zyrtarisht përfundon afati për konvertimin e targave

    Zyrtarisht ka përfunduar afati për konvertimin e targave ilegale serbe në ato të Republikës së Kosovës.

    Afati nuk do të zgjatët më.

    Nga kjo e shtunë secili automjet që lëviz në rrugë me tabela ilegale do të gjobitet nga Policia e po ashtu mund t’i konfiskohet automjeti.

    Megjithatë në ditën e fundit të afatit shtesë, interesimi i qytetarëve në veri për ndërrimin e targave ishte i vogël.

    Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë konfirmuar se nga fillimi i procesit, më 1 nëntor e deri tash, më shumë se 4 mijë qytetarë i kanë konvertuar targat.