ATV

Category: Lajme

  • Pamje brenda Qendrës së votimit në Bujanoc

    Pamje brenda Qendrës së votimit në Bujanoc

    Ekipi ATV-së është duke qëndruar në Bujanoc për të raportuar për zhvillimet e fundit nga zgjedhjet që po mbahen atje.

    Deri më tani, në pamjet e ATV-së, shihet se procesi zgjedhor në këtë komunë me shumicë shqiptare është duke u zhvilluar i qetë.

    Siç bën të ditur kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor në Bujanoc, Fejzi Beqiri, në këtë komunë deri në orën 12:00 kanë votuar 8.6 për qind e qytetarëve.

    “Në Komunën e Bujanocit, 42786 qytetarë kanë të drejtë vote në 59 qendra të votimit. Deri në orën 10:00 kanë votuar 3.74 për qind. Ndërkaq, deri në orën 12:00 kanë votuar 8.67 për qind”, njoftoi ai.

    Ndryshe, në orët e mëngjesit, ekipi i ATV-së ka hasur në probleme në pikën kufitare me Serbinë, ku për shkak se gazetari Arton Hamiti është ngta Likoci i Skenderajt, atij i është mbajtur letërnjoftimi nga policia serbe më shumë se një orë, pa asnjë sqarim. /atvlive.tv

  • ​Vrasja në burgun e Peqinit, arrestohet drejtori dhe 12 punonjës të tjerë

    ​Vrasja në burgun e Peqinit, arrestohet drejtori dhe 12 punonjës të tjerë

    Pas ngjarjes së rëndë në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, ku Sokol Mjacaj vrau me armë zjarri të dënuarin Arben Lleshi dhe plagosi dy persona të tjerë, është arrestuar drejtori i burgut Kamber Hoxha dhe 12 punonjës të tjerë.

    Më herët Sokol Mjacaj ka deklaruar se armën e kishte siguruar më shumë se një muaj e gjysmë më parë. Dyshohet se ai ka pasur bashkëpunëtorë për të futur armën në burg sepse nuk rezulton ta kenë futur me dron.

    Mjacaj thotë se Arben Lleshin e ka vrarë sepse kishte sherr me të, pasi se ka pranuar në sektor. Por prokuroria ka dyshime për vrasje te organizuar kundrejt pagesës.

    Njoftimi i policisë

    Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje, në IEVP Peqin, ku shtetasi Sokol Mjaçaj vrau me armë zjarri, shtetasin Arben Lleshi, plagosi shtetasin Indrit Shaqja (të tre këta shtetas vuanin dënimin me burgim të përjetshëm në IEVP Peqin), i cili është aktualisht në kujdesin e mjekëve, si dhe kanosi me këtë armë, punonjësit e shërbimit në këtë IEVP, ju informojmë se:

    Nga oficerët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan u ekzekutua urdhri i prokurorit, për kryerjen e arrestimit në flagrancë për veprat penale vrasja në rrethana të tjera cilësuese, mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit dhe futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim, të shtetasit Sokol Mjaçaj (28).

    Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Personit, në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve, ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin për veprën penale shpërdorimi i detyrës, të shtetasve:

    -K. H., 59-vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtor i IEVP Peqin;
    -Q. M., 60-vjeç, banues në Elbasan, me detyrë shef i Policisë së IEVP Peqin;
    -N. Gj., 54-vjeç, banues në Tiranë, ish-shef i Policisë së IEVP Peqin;
    -V. Sh., 37-vjeç, banues në Tiranë, me detyrë shef regjimi në IEVP Peqin;
    -A. D., 52-vjeç, banues në Tiranë, me detyrë specialist i informacionit në sallën operative të IEVP Peqin;
    -I. B., 46-vjeç, banues në Peqin, polic shërbimi i IEVP Peqin;
    -F. M., 43-vjeç, banues në Lushnje, polic shërbimi i IEVP Peqin;
    -F. P., 50-vjeç, banues në Belsh, polic shërbimi i IEVP Peqin;
    -G. M., 49-vjeç, banues në Lushnjë, punonjës policie i IEVP Peqin;
    -K. H., 44-vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin;
    -E. Ç., 36-vjeç, banues në Belsh, punonjës policie i IEVP Peqin;
    -I. D., 41-vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin.

    Në vijim të veprimeve procedurale u sekuestrua arma e zjarrit e përdorur në ngjarje, si dhe prova të tjera materiale që do t’i shërbejnë hetimit.

    Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, vijojnë hetime intensive për të individualizuar përgjegjësinë penale të shtetasve të ndaluar, si dhe për të zbardhur dhe dokumentuar ligjërisht rrethanat e kësaj ngjarjeje. /Euronews Albania

  • Serbët e Kosovës e votojnë Vuçiqin për një meditje

    Serbët e Kosovës e votojnë Vuçiqin për një meditje

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq po e keqpërdorë buxhetin e Serbisë duke i paguar serbët e Kosovës që të votojnë për SNS-në.

    Burime të KosovaPress-it, bëjnë të ditur se serbët e Kosovës që votojnë për SNS-në, janë duke marrë nga 20 euro për derivate dhe një meditje modeste.

    “Atyre u janë premtuar edhe nga 80 euro për çdo votë që e japin për SNS-në”, ka thënë i njëjti burim.

    Në Serbi sot po mbahen zgjedhjet parlamentare, ndërsa edhe serbët nga Kosova kanë ushtruar të drejtën e tyre për të votuar atje.

  • Kusari-Lila për garën në Prizren ku vdiqën tre të rinj: Organizimet e tilla duhet rreptësishtë të ndalen

    Kusari-Lila për garën në Prizren ku vdiqën tre të rinj: Organizimet e tilla duhet rreptësishtë të ndalen

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila, ka reaguar për aksidentin e rëndë në Prizren, ku vdiqën tre të rinj.

    Ajo ka thënë se këto vdekje të shkaktuara nga papërgjegjësia dhe veprimi i jashtëligjshëm në trafik mbrëmë, thërrasin për veprime të menjëhershme dhe masa të ashpëra nga organet kompetente.

    “Lordi Syla, Molos Delija dhe Nue Bibaj janë viktimat e fundit të aksidentit tragjik mbrëmë në autostradën “Ibrahim Rugova”. Ata humbën jetën nga papërgjegjësia e tjerëve deri sa kishin dalë të shikonin garat me vetura të cilat jashtë ligjit ishin organizuar në autostradë.”

    Ajo ka thënë se organizimet e tilla duhet të ndalen rreptësisht dhe të merren masa të ashpra.

    Kusari- Lila i ka shprehur ngushëllime familjeve dhe miqve të të ndjerëve.

    Postimi i plotë:

    Tri vdekje të shkaktuara nga papërgjegjësia dhe veprimi i jashtëligjshëm në trafik mbrëmë, thërrasin për veprime të menjëhershme dhe masa të ashpëra nga organet kompetente.

    Lordi Syla, Molos Delija dhe Nue Bibaj janë viktimat e fundit të aksidentit tragjik mbrëmë në autostradën “Ibrahim Rugova”. Ata humbën jetën nga papërgjegjësia e tjerëve deri sa kishin dalë të shikonin garat me vetura të cilat jashtë ligjit ishin organizuar në autostradë.

    Organizime dhe veprime të ngjajshme, duhet rreptësisht të ndalen dhe masa të ashpëra të ndërmiren menjëherë.

    Lordi, Molosi dhe Nue nuk mund të kthehen më në jetë, por të gjithë duhet angazhuar që jetë tjera të shpëtohen.

    Ngushëllime familjeve Syla, Bibaj dhe Delija dhe gjithë miqve të djemve të ndjerë!

  • Mbahet edicioni i tetë i “Vrapo Babadimër”

    Mbahet edicioni i tetë i “Vrapo Babadimër”

    Një numër i madh personash kanë marrë pjesë në edicionin e tetë të mini-maratonës humanitare “Vrapo Babadimër”, e cila organizohet çdo dhjetor në Prishtinë.

    Qëllimi kryesor i kësaj ngjarjeje është rritja e donacioneve për t’i ndihmuar familjet e varfra në Kosovë me rastin e festave të fundvitit dhe ndihma për fëmijët e Onkologjisë-Pediatri.

    Në këtë event, pjesëmarrës ishin mijëra vrapues, të cilët vrapuan me kostumet e Babadimrit.

  • 4.8 % e qytetarëve votojnë në Preshevë deri në orën 12:00

    4.8 % e qytetarëve votojnë në Preshevë deri në orën 12:00

    4.8 për qind është pjesëmarrja e qytetarëve të Preshevës në votim.

    Kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor të Preshevës, Alban Mehmeti njoftoi se deri në këtë kohë kanë shfrytëzuar të drejtën e votës mbi 2000 mijë qytetarë.

    “Në Preshevë deri në orën 12:00, kanë votuar 2100, apo 4.8 për qind e qytetarëve”, tha Mehmeti.

    Në Preshevë të drejtë vote kanë 43 mijë e 500 votues. Në këtë komunë votohet në 38 qendra të votimit.

  • “Gjendje e jashtëzakonshme” – Pas tragjedisë në autostradë, kërkohen dënime më të ashpra në komunikacion

    “Gjendje e jashtëzakonshme” – Pas tragjedisë në autostradë, kërkohen dënime më të ashpra në komunikacion

    Tre persona humbën jetën nga një aksident që ndodhi në autostradën “Ibrahim Rugova”.

    Viktimat dyshohet të kenë qenë duke e shikuar një garë mes veturave, njëra prej të cilave e humb kontrollin dhe godet shikuesit anash rrugës.

    Pas kësaj ngjarje, po kërkohet ashpërsim i madh i dënimeve në komunikacion.

    Avokati Arianit Koci ka shkruar në rrjete sociale se gjendja është e jashtëzakonshme.

    “Në një shtet ku prej 10 shoferave së paku tetë janë me telefon në dorë në ndonjë pjesë të vozitjes, ndodhin tragjeditë si ajo në autostradë afër Prizrenit. Madje, edhe shoferat e autobusave urban flasin në telefon gjatë vozitjes. Jo rrallë, i kam parë edhe policët me telefon në dorë në lëvizje me vetura zyrtare. Toleranca sistematike e kundërvajtjeve, e krijon kulturën e interaksionit kriminal në komunikacion. Kjo gjendje pastaj e determinon tragjedinë që ka ndodhur mbrëmë ku kanë mbetur të vdekur tre të rinj!”, ka shkruar Koci.

    “Prandaj, urgjentisht duhet shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në komunikacion. Të fillohet me aplikimin e ashpër të dënimeve. Sot menjëherë!”, ka shkruar avokati.

    Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se me Ligjin e ri dënimet do të jenë shumë më të ashpra.

    “Ligji i ri për Rregullat në Trafik do të ketë dënime shumë më të ashpra sesa Ligji aktual në fuqi. Në tre majorin e parë të vitit 2024 do ta kemi Ligjin e ri për Rregullat në Trafik. Aksidenti i mbrëmshëm në autostradën “Ibrahim Rugova” ku humbën jetën 3 të rinj tregon se sa e nevojshme është që të ashpërsohen dënimet në komunikacion”, ka shkruar deputetja.

    “Ju njoftoj se Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim tashmë ka përfunduar hartimin e Ligjit të ri për Rregullat në Trafik. Bashkë me Policinë e Kosovës dhe Ministrinë kemi punuar me muaj të tërë në hartimin e Ligjit të ri. Ne e kemi përfunduar hartimin e draft ligjit dhe i njëjti do të votohet të martën në Komision. Ligji i ri do të ketë dënime shumë më ashpra në krahasim me ligjin aktual që është në fuqi”, ka thënë ajo.

    Nata e kaluar ishte e kobshme për tre persona. Lordi Syla, Molos Delija dhe Nue Bibaj, dyshohet të kenë qenë duke përcjellë një garë mes veturash në autostradën “Ibrahim Rugova”.

    Njëra nga veturat e ka humbur kontrollin dhe ka goditur shikuesit, ku humbën jetën Syla, Delija dhe Bibaj.

    Nacionale ka mësuar se shoferi i veturës i cili është arrestuar, është familjar tejet i afërt i tashmë të ndjerit Lordi Syla.

    I ndjeri sipas informatave jozyrtare, kishte shkuar për ta përcjellur garën mes familjarit të tij dhe shoferit të një veture tjetër.

    Gazeta Nacionale nga burimet e veta ka mësuar gjithashtu se viktima Lordi Syla, është vëlla i avokatit të njohur, Leutrim Syla. Leutrimi është avokat me emër, dhe merr pjesë në konferenca e emisione të ndryshme televizive lidhur me sistemin e drejtësis

    Kurse, vëllai tjetër i Lordit, është Ali Syla, polic i Kosovës. Kjo mund të shihet edhe nëpër fotografi të ndryshme në rrjete sociale. Edhe polici Syla është gjithashtu figurë e njohur për punën e tij në Policinë e Kosovës.

    Babai i Lordit, Muhamet Syla, ishte luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

  • Shaip Kamberi optimist se do të zgjidhet deputet edhe për një mandat

    Shaip Kamberi optimist se do të zgjidhet deputet edhe për një mandat

    Kandidati për deputet në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka votuar sot në Preshevë.

    Pas votimit, ai para mediave ka thënë se është optimist se do të arrijë të zgjedhet deputet edhe për një mandat.

    Kamberi është duke kandiduar me listën “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”.

  • Ekipi i ATV-së ‘maltretohet’ nga policia serbe në kufi, arsyeja se gazetari Arton Hamiti është nga Likoci i Skenderajt

    Ekipi i ATV-së ‘maltretohet’ nga policia serbe në kufi, arsyeja se gazetari Arton Hamiti është nga Likoci i Skenderajt

    Ekipi i ATV-së është nisur drejt Preshevës për të raportuar rreth zgjedhjeve në Preshevë, mirëpo nuk u është lejuar hyrja në territorin e Serbisë, për arsye se gazetari Arton Hamiti është nga Likoci i Skenderajt.

    Atij i është mbajtur letërnjoftimi nga policia serbe më shumë se një orë, pa asnjë sqarim.

    “Gazetar nga Likoci? Çka i bjen Skenderaj”, ishte pyetja e vetme që policët serbë i kanë bërë gazetarit Hamiti.

    Pas më shumë se një ore, gazetarit Hamiti i është kthyer letërnjoftimi ku bashkë me ekipin e ATV-së kanë vazhduar drejtë Preshevës për të raportuar për zhvillimet e fundit nga zgjedhjet që po mbahen atje.

  • Osmani: Deri më sot, kemi instaluar matësit e energjisë dhe alokatorët në mbi 16 mijë njësi banimi

    Osmani: Deri më sot, kemi instaluar matësit e energjisë dhe alokatorët në mbi 16 mijë njësi banimi

    Kryeshefi i ngrohtores “Termokos”, Fisnik Osmani, ka thënë se kanë instaluar matësit e energjisë dhe alokaorët në mbi 16 mjë njësi banimi.

    Osmani, theksoi se me instalimin e valvulave termostatike, termokokave dhe alokatorëve në radiatorë, këto familje nga sezoni i ardhshëm do të faturohen me mënyrën e re të kalkulimit, përmes së cilës ato do të mund të paguajnë aq sa kanë shpenzuar.

    “Deri më sot, kemi instaluar matësit e energjisë dhe alokatorët në mbi 16000 njësi banimi. Me instalimin e valvulave termostatike, termokokave dhe alokatorëve në radiatorë, këto familje nga sezoni i ardhshëm do të faturohen me mënyrën e re të kalkulimit, përmes së cilës ato do të mund të paguajnë aq sa kanë shpenzuar”, shkroi Osmani.

    “Duke kontrolluar shpenzimet, kursehet energjia, krijohet një ambient i rehatshëm i jetesës dhe rrjedhimisht ruhet ambienti. Aktualisht po bëjmë testimin e sistemit, i cili po jep rezultate të jashtëzakonshme në funksion të kursimit të energjisë! Termokos, po i jep kuptim Prishtinës së gjelbër!”.