ATV

Category: Lajme

  • PDK e AAK e kritikojnë Osmani se s’ishte unifikuese, e quajnë asistentet të Kurtit – VV kërkon bashkëpunim për dialogun

    PDK e AAK e kritikojnë Osmani se s’ishte unifikuese, e quajnë asistentet të Kurtit – VV kërkon bashkëpunim për dialogun

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë kritikuar qëndrimin që ka mbajtur presidentja e Kosovës,  Vjosa Osmani, gjatë proceseve nëpër të cilat ka kaluar vendi gjatë vitit 2023. Ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kanë thënë se ajo ka qenë konstruktive në disa çështje, por që do të duhej të ishte me bashkëpunuese me opozitën, raporton Ekonomia Online.

    Nga PDK-ja e AAK-ja kanë thënë se presidentja Osmani ka qenë asistente teknike e kryeministrit Albin Kurti dhe se ajo nuk e ka luajtur rolin unifikues që i takon në bazë të Kushtetutës.

    Deputeti i VV-së Eman Rrahmani, ka thënë se në aspektin ndërinstitucional gjatë viti 2023 ka pasur  bashkëpunim të mirë ndërmjet institucioneve të presidencës, Kuvendit dhe ekzekutivit. Por sipas tij, presidentja do të duhej që të ishte më bashkëpunuese me opozitën sa i përket procesit të dialogut.

    “Në aspektin ndërinstitucional mendoj ka qenë një bashkëpunim i mirë i institucioneve mesë presidencës, Kuvendit dhe ekzekutivit. Besoj që do të duhej të angazhohej më shumë dhe në bashkëpunim pak më të mire me opozitën edhe me aktoret tjerë sidomos në raport me dialogun, do të thotë përgatitjen e një strategjie të angazhimit në atë se çfarë duhet të angazhohemi për të dal prej kësaj situatës. Po ashtu mendoj që ka dhënë edhe një rol konstruktiv në një farë mënyre po e them në tensionimin e raporteve në mese kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës. Ka pas një rol kogja konstruktiv ku ka filluar një bashkëpunim pak më i mire se sa që ka qenë vitin e kaluar në mesë presidentes dhe kryeministri të Shqipërisë”, tha ai.

    Rrahmani tha se shpreson që në vitin 2024 të përmirësohen angazhimet, raportet e po ashtu që të ketë edhe unifikim më të madh të gjithë spektrit politik që të punohet për mirëqenien e qytetarëve.

    “Kanë qenë disa angazhime, ka mund të jetë sidomos me opozitën një bashkëpunim më i mirë në aspektin e dialogut por edhe në çështje të tjera.  Besoj që edhe vitin e ardhshëm do te vazhdoj dhe të përmirësohen këto angazhime dhe raporte dhe të kemi një unifikim më të madh të gjithë spektrit politik që ta përmbyllim një proces i cili po e mban peng Kosovën e sidomos në këtë kohë kur me duhet të angazhohemi secili që të kemi një mirëqenie më të mirë ekonomikë, një shëndetësi më të mirë, një arsim më cilësor edhe që duke marr parasysh që nga 1 janari do të jetë edhe  liberalizimi i vizave natyrisht që një ndër rreziqet më të mëdha është edhe ikja e të rinjve dhe fuqisë punëtore nga vendi. Kështu që na duhet një unifikim i shumë temave e kështu besoj që do të mund ti ndihmonim më së shumti Kosovës gjithë se bashku”.

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se roli i presidentes së vendit përcaktohet me Kushtetutë, por që sipas saj, presidentja Osmani në asnjë rrethanë nuk e ka respektuar rolin e saj dhe se ka heshtur e ka pranuar si të mirëqene çdo gjë që ka ndodhur në vend. Ajo ka theksuar se Osmani e ka luajtur rolin e asistentes teknike të kryeministrit Albin Kurti.

    “Në vend që të kemi një presidente e cila do të unifikonte popullin në situata normale e me theks të veçantë në situata krizash siç ka qenë kriza e 24 shtatorit, ne e kemi një presidente e cila e luan rolin e asistentes teknike të Albin Kurtit. Roli i presidentit apo i presidentes është shumë qartë përcaktohet në Kushtetutën e vendit prandaj ajo në as një formë nuk e ka respektuar rolin e saj. Ajo ka heshtur dhe ka pranuar si të mirëqene çdo gjë që ka ndodhur në këtë vend”, tha ai.

    Musliu tha se presidentja ka heshtur në shumë probleme të cilat ka kaluar Kosova gjatë viti 2023, që sipas saj, kjo heshtje e ka bërë atë që të mos jetë kredibile në pozitën që ka.

    “Loja me Prokurorin e shtetit, heshtja e saj ndaj sulmeve që ju kanë bërë gazetarëve të Kosovës, heshtja e saj me ditë të tëra për veriun, heshtja saj për skandalet diplomatike që po ndodhin çdo ditë. Heshtja saj ndaj kërkesave të Policisë së Kosovës e bënë presidentët të mos jetë kredibile, mos të flas se lista është e gjatë e problemeve për të cilat presidentja është dashtë ta jap mendimi dhe qëndrimin e saj. Të unifikoj popullin, të thërras edhe qeverinë që të reflektoj ndaj kërkesave të qytetarëve, ajo përkundrazi ka qenë një patericë e Albin Kurtit”, tha ajo.

    Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, është shprehur se në historinë e pas luftës në Kosovë nuk ka pasur president më të heshtur dhe që nuk e ka luajtur rolin unifikues se sa presidentja Osmani.

    Sipas saj, ajo një zëri ka përcjell politikat e kryeministrit Kurti, herë duke i dal në krahë vendimeve të tij, e herë duke mos folur për çështje që i takojnë me Kushtetutë.

    “Në historinë e pas luftës ne nuk kemi pasur presidente më të heshtur edhe pa as një dyshim konkret nuk e ka luajtur rolin e unifikuesit. Sepse në plotë raste në situata në të cilat gjendet Kosova është dashtë me marr rol ashtu siç ja përshkruan vetë Kushtetuta e Kosovës, po kjo ka qenë një zëri i ka përcjell politikat e Albin Kuritit, herë duke dal në krahë të politikave të Albin Kurtit edhe herë duke mos u prononcuar duke ikur përgjegjësisë që ja jep Kushtetuta e Kosovës. Nuk e ka luajtur një rol siç është dashtë me luajt një presidente, kam pritur më shumë prej Vjosës për shkak të punës që e ka bërë edhe si deputete, ka qenë një deputet e zëshëm”, ka thënë ajo për EO.

  • Babai raporton se e bija iu sulmua seksualisht në Gjakovë

    Babai raporton se e bija iu sulmua seksualisht në Gjakovë

    Të premten një person në Gjakovë ka raportuar në Polici se vajza e tij është sulmuar seksualisht nga një person i panjohur në rrugë.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti ka ndodhur me 26 dhjetor të vitit 2023.

    “Gjakovë 26.12.2023 – 17:50. Më 05.01.2024 është paraqitur në stacion policor ankuesi mashkull kosovar dhe i njëjti ka deklaruar se vajza e tij është sulmuar seksualisht nga një person i panjohur në rrugë. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti në hetime”, thuhet në raport.

  • Buleshkaj: Vetëm 20% kallëzime penale të dorëzuar në Prokurori kanë përfunduar me aktakuzë, 36 zyrtarë do të gjobiten

    Buleshkaj: Vetëm 20% kallëzime penale të dorëzuar në Prokurori kanë përfunduar me aktakuzë, 36 zyrtarë do të gjobiten

    36 zyrtarë të cilët gjatë viti 2023 nuk e kanë deklaruar pasurinë me kohë e të cilët do të detyrohen që të paguajnë gjobë mandatore prej rreth 30% të pagës që kanë realizuar për një muaj, kështu ka deklaruar për Ekonomia Online drejtori i Agjencisë për Parandalim të Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj.

    Buleshkaj tha se gjatë viti 2023 ka pasur numër shumë të mirë të zyrtarëve të cilët e kanë deklaruar me kohë pasurin dhe se ka pasur numër shumë të vogël të atyre të cilët nuk e kanë deklaruar me kohë pasurin.

    “Këtë vit kemi pasur numër shumë të mirë të zyrtarëve të cilët e kanë deklaruar me kohë dhe kemi pasur numër tepër  të vogël të zyrtarëve të cilët nuk i kanë deklaruar në kohë. I kemi rreth 30 zyrtarë që nuk e kanë bërë deklarimin e pasurisë me kohë, për të cilët ne kemi përgatit gjobat dhe janë duke pritur për tu shqiptuar. 36 zyrtarë nga ata që s’kanë deklaruar me kohë do të pranojnë një gjobë mandatore e cila është 30% e pagës që kanë realizuar për një muaj”.

    “Kjo është hera e parë që testojmë këtë mekanizëm të Agjencisë, më herët nuk ekzistuar, na ka marr kohë më shumë derisa e kemi bërë përgatitjen teknike e ligjore që të mund të shqiptojmë gjobat, kjo është një masë më shumë si vërejtje për ta që të ardhmen mos të vonohen ndërsa sa i përket shkeljeve tjera të mundshme ato do të procedohen në prokurorinë në qoftë se identifikohen”, tha ai.

    Ai ka thënë se kjo Agjenci nuk është e kënaqur me trajtimi që Prokuroria e Shtetit po u bënë kallëzimeve penale që i kanë dorëzuar dhe se vetëm 20 për qind e tyre kanë përfunduar me aktakuzë.

    Ai po ashtu tha se nuk janë të kënaqur as me trajtimin e ankesave nga ana e Gjykatës së Apelit.

    “Tashmë është problematike sepse ne kemi dëshirë dhe pritja jonë ka qenë që gjitha kallëzimet tona penale të përfundoj me aktakuzë. Ajo çka ka ndodhur është se  një numër i vogël i tyre ka përfunduar me aktakuzë, do të thotë është ndoshta rreth 20% të cilët kanë përfunduar me aktakuzë dhe ne nuk mund të jemi të kënaqur me këtë trajtim. Ne nuk jemi të kënaqur as me trajtimin e ankesave tona që i ka bërë  Apeli. Ne të gjitha refuzimet e tilla i kemi ankimuar ndërsa Apelit nuk na e ka quajtur si palë të interesit dhe si ka trajtuar fare ankesat tona. Besoj se vitin e ardhshëm bashkë me Kryeprokurorin e Shteti e po ashtu edhe Këshillin Prokurorial do arrijmë deri te një sqarim i kësaj çështje sepse besoj që nuk ka institucion tjetër në Kosovë i cili është më adekuat për ta ankimuar rastin apo që është interesuar më shumë që deklarimi të shkoj në rregull”, tha ai.

    Drejtori i APK-së ka thënë se do të ishte mirë për vendin që të bëhej një koordinim dhe strukturalizëm më të mirë të mekanizmave  për parandalimin e korrupsionit e po ashtu edhe mekanizmave për luftimin  e korrupsionit.

    “Ajo që  besoj se i bën mirë Kosovës aktualisht është koordinimi dhe strukturalizmi më i mirë i mekanizmave qoftë për parandalimin e korrupsionit e po ashtu edhe mekanizmave për luftimin  e korrupsionit. Në asnjë mënyrë nuk duhet ta shohim njëri tjetrin si konkurrent në këtë punë sepse qëllimi kryesor është që kjo punë të kryhet me sukses mirëpo më e rëndësishmja është që qytetari i Kosovës ta këtë një jetë më të mirë”.

    “Kosova  është  duke shënuar në progres të vazhdueshëm por nuk është i mjaftueshëm pasi ende nuk rangohet tek vendet e zhvilluara të Evropës perëndimore edhe pse kemi pasur progres në raport me vendet e rajonit, por nuk duhet të jemi të kënaqur me të sepse ne synojmë tek më e mira e standardet Evropës perëndimore”, tha ai.

    Buleshkaj tha se për vitin 2024 pret që të vazhdojnë bashkëpunimet me institucionet e ndryshme duke shpresuar se nuk do të ketë nevojë për shqiptimin e asnjë mase për korrupsion, raporton EO.

    “Për vitin 2024 mendoj që përkrahja do  të vazhdoj nga institucionet të cilat na ofrojnë informata për ti trajtuar çështjet tona, pres që stafi ynë të vazhdoj me punën e mirë dhe pres që të gjithë qytetarët dhe zyrtarët të besojnë në ligj dhe ta zbatojnë ligjin. Ne do të jemi të kënaqur nëse vitin e ardhshëm s’do të ketë nevojë ta dorëzojmë asnjë kallëzim penal në Prokurori, që mos të ketë nevojë ta shqiptojmë asnjë gjobë dhe të parandalojmë korrupsionin në bazë”.

    “Tek konflikt interesi kemi shënuar mjaftë suksese, te sinjalizimi po ashtu e ky trend duhet të vazhdoj ndërsa zyrtarët publik duhet të na besojnë sepse deri tash s’ka pasur ndonjë arsye për të kundërtën e duke raportuar e besuar ata që kanë në plan për të bërë diçka të kundërligjshme do të dekurajohen dhe si fund Kosova do të jetë më e mirë për të gjithë”, tha ai.

  • Tragjike: Humbin jetën dy mërgimtarë në një aksident trafiku

    Tragjike: Humbin jetën dy mërgimtarë në një aksident trafiku

    Një ngjarje tragjike është shënuar dje në mbrëmje për dy familje kosovare. Dy nga më të dashurit e tyre, humbën jetën tragjikisht pasi u përfshinë në një aksident trafiku, raporton Gazeta Sinjali.

    Siç merr vesh Sinjali, dy viktimat janë mërgimtarët K.Hoxhaj dhe J.Rexhepi, të cilët nuk arritën t’i përballojnë plagët e shkaktuara nga aksidenti i cili dyshohet se ka ndodhur në Hungari.

    Lajmin për vdekjen e tyre e kanë konfirmuar edhe familjarët e viktimave.

  • BE pret të nis themelimi i Asociacionit: Kosova dhe Serbia t’i vazhdojnë bisedimet bazuar në draftin e propozuar

    BE pret të nis themelimi i Asociacionit: Kosova dhe Serbia t’i vazhdojnë bisedimet bazuar në draftin e propozuar

    Bashkimi Evropian është shprehur e gatshme që të fillojë themelimi i Asociacionit, duke theksuar se pret nga Kosova t’i jap komentet dhe sugjerimet e saj për draftin e Asociacionit.

    Siç deklaroi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se në këtë fazë të avancuar të procesit, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe pritet të fillojë së shpejti.

    “Në këtë fazë të avancuar të procesit, pritet që së shpejti të fillojë me themelimin e Asociacionit së komunave me shumicë serbe. Kosova është e ftuar të japë komentet dhe sugjerimet e saj për draftin që është në tryezë”, tha Stano në një përgjigje për REL.

    Po ashtu, zëdhënësi i BE-së ka përsëritur se “presin nga të dyja palët t’i vazhdojnë bisedimet bazuar në këtë draft”.

    Në një video-mesazh në fund të dhjetorit 2023, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se SHBA-ja pret të shohë përparim në normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2024.

    Në këtë kontekst, ai tha se, edhe Kosova, edhe Serbia, duhet t’i përmbushin obligimet e tyre nga dialogu, duke përfshirë edhe përparimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Ndryshe, SHBA-ja e mbështeti draft-statutin që më parë iu paraqit Kosovës dhe Serbisë.

    Mes tjerash, ai parasheh qartë mundësinë e mbështetjes financiare të Asociacionit nga ana e Serbisë, si dhe “një kanal efikas dhe të drejtpërdrejtë të komunikimit ndërmjet komunitetit serb të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale”.

    Gjithashtu, ka kompetenca të plota mbi nivelin lokal, përkatësisht në fushat e zhvillimit ekonomik, planifikimit hapësinor, shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes së identitetit kulturor dhe fetar.

    Përveç draftit nga BE-ja, deri më tani janë hartuar edhe katër draft statute të tjera për formimin e Asociacionit: Draft-statuti i Ekipit Menaxhues, drafti i vizionit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, drafti-statuti i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe draft-statuti i Asociacionit i përgatitur nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).

  • Konjufca reagon pas arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së: Sinjal i rrezikshëm – të lirohet menjëherë

    Konjufca reagon pas arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së: Sinjal i rrezikshëm – të lirohet menjëherë

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar në lidhje me arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj nga policia serbe në pikën kufitare me Serbinë, përkatësisht në Merdarë.

    Konjufca ka thënë se ky është një sinjal i rrezikshëm në vazhdën e ngjarjeve që tregojnë se autokracitë sot po sulmojnë nga të gjitha anët stabilitetin dhe paqen.

    “Arrestimi i papranueshëm në Merdare i ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj, nga policia serbe, përbën një sinjal tepër të rrezikshëm në vazhdën e ngjarjeve që tregojnë se autokracitë sot po sulmojnë nga të gjitha anët stabilitetin dhe paqen. E vetmja mënyrë e mbijetesës së tyre është shtypja e opozitës dhe demokracisë së brendshme, por dhe dëmtimi me çdo mjet i fqinjëve”, ka shkruar Konjufca në një postim në Facebook.

    Ai tutje ka thënë se mungesa e ndëshkimit ndaj Serbisë po e rrit numrin e sulmeve mbi Kosovën.

    “Në mënyrë të përsëritur, mungesa e ndëshkimit ndaj Serbisë po e rrit numrin dhe natyrën e sulmeve të saj mbi Republikën e Kosovës dhe qytetarëve të saj”, vijon ai.

    Ai tutje ka bërë thirrje për lirim të menjëhershëm të ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj.

    “Bëj thirrje për lirim të menjëhershëm të qytetarit tonë, Hasan Dakaj. Mbajtja e tij peng, vetëm pse është ish-ushtar i UÇK-së, tregon që në Serbi kemi të bëjmë me një qeveri dhe me një shtet që nuk ka ndryshuar aspak në raport me atë Serbi që bëri krime lufte, spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë”, ka thënë kreu i Kuvendit.

    Tutje Konjufca ka thënë se me këtë akt, qeveria serbe dëshmon se është në përputhje të plotë me politikën e regjimit të Millosheviqit.

    “Akte të tilla mbi qytetarët tanë nuk do të tolerohen në asnjë mënyrë. Thirrja e komunitetit ndërkombëtar për t’i bërë presion Serbisë për lirimin e Hasan Dakajt do t’i shërbente më së miri stabilitetit dhe mundësive të së ardhmes”, ka përfunduar ai.

  • 2023 ta, vit i sulmeve ndaj policisë në veri, KFOR-it, EULEX-it dhe gazetarëve

    2023 ta, vit i sulmeve ndaj policisë në veri, KFOR-it, EULEX-it dhe gazetarëve

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Nga nëntori i 2022-s, kur kryetarët e katër komunave në veri nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje kryetarët e rinj u caktuan vetëm në prill. Zgjedhjet e jashtëzakonshme të atij muaji kaluan pa asnjë incident. Pa ndonjë telashe kaloi edhe betimi i tyre, ndonëse u bë në objekte shkollore e alternativa të tjera.

    Por, kaq qetë nuk ishte edhe kur Lulzim Hetemi i Leposaviqit, Izmir Zeqiri i Zubin Potokut e Ilir Peci i Zveçanit me 26 maj hynë në objektet e komunave respektive.

    Grupe të qytetarëve serbë u mblodhën para ndërtesave komunale, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale, teksa sulmuan Policinë e në disa komuna pati të shtëna me kallashnikov.

    Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur protestuesit serbë në komunën e Zveçanit sulmuan pjesëtarët e KFOR-it, të cilët morën kontrollin e objektit të Komunës.
    Nga mjete të forta, shok-bomba të improvizuara e gjuajtje me armë, 93 ushtarë të misionit të NATO-s u plagosën rëndë dhe lehtë. Për pasojë, disa prej tyre e patën të pashmangshëm amputimin e gjymtyrëve.

    Nga sulmet nuk u kursyen as ekipet e mediave. Gazetarët, sipas AGK-së, u sulmuan mbi 20 herë. Sipas institucioneve kosovare, pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” dy organizata këto që më pas u shpallën terroriste, ishin prapa këtyre protestave të dhunshme.

    Ky mobilizim i serbëve për t’i kundërshtuar kryetarët shqiptarë, zgjati rreth 3 javë. Megjithëse, që nga maji, tendat e vendosura pranë objekteve komunale vazhdojnë të qëndrojnë.

    Tensionet e fundmajit, sipas njohësve të sigurisë, sollën frikë dhe panik te qytetarët e asaj pjese.

    Ndërkaq, vlerësohet se Kosova nuk e shfrytëzoi siç duhej gjithë këtë situatë të krijuar.

    Në Kosovë, deri më tani, janë arrestuar dhjetë persona për “pjesëmarrje në protesta të dhunshme” dhe sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

    Si lider i “demonstruesve të dhunshëm” u identifikua Millun Millenkoviq – Llune, i cili u arrestua më 13 qershor dhe është ende në paraburgim.

  • Bizneset private “vuajnë” nivelin e ulët të fuqisë punëtore

    Bizneset private “vuajnë” nivelin e ulët të fuqisë punëtore

    Përgatiti: Sara Shehu

    Gati 70 për qind e bizneseve këtë vit kanë shprehur shqetësim për shkak të mundësisë së largimit të fuqisë punëtore pas liberalizimit të vizave.

    Në një konferencë për media, Kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, tha se institucionet qendrore duhet të punojnë në aspektin e përmirësimit të situatës në sektorin ekonomik.

    “67 për qind e bizneseve janë shumë të shqetësuar nga largimi i punëtorëve, pas 1 janarit me liberalizimin e vizave. 27 për qind kanë deklaruar se është e shqetësuese, 4 për qind kanë deklaruar si pak shqetësuese dhe 2 për qind kanë deklaruar se nuk është aspak shqetësuese”, tha Rafuna.

    Sfidë kryesore, sipas tij, gjatë viti 2023 bizneset kanë pasur edhe mungesën e personelit të kualifikuar. Mes tjerash, Rafuna shtoi se pritet që këtë vit të mos ketë rritje të inflacionit.

    “Pritjet tona janë që në vitin 2024 nuk do të këtë rritje të inflacionit dhe normave të interesit. Do të këtë ulje të inflacionit. Ky është një lajm i mirë edhe për bizneset që në vitin 2024 do të këtë rënie të normave të interesit. Kemi bërë një analizë me 500 biznese të sektorëve të ndryshëm dhe kemi nxjerrë se cilat kanë qenë sfidat dhe barrierat në vitin 2023. Del që gjatë vitit ka pasur një mungesë të kërkesës, këtu hyn edhe ndërtimtaria te shitja e banesave, 53 për qind kanë deklaruar që ka mungesë të porosive. 70 për qind kanë deklaruar që kanë mungesa të personelit të kualifikuar. Problemi me mungesë të energjisë elektrike kanë deklaruar se kanë 28 për qind”, tha Rafuna.

    Sidoqoftë, ai tha se Oda Ekonomike gjatë këtij viti do të realizojë një sërë projektesh për normalizimin e situatës në aspektin ekonomik për kompanitë private. Derisa nga masat e vendosura nga Bashkimi Evropian, Kosova ka humbur rreth 300 milionë euro projekte.

  • Greqia mund ta njohë pavarësinë e Kosovës këtë vit

    Greqia mund ta njohë pavarësinë e Kosovës këtë vit

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pas një kohe të gjatë pa njohje, pavarësinë e Kosovës këtë vit pritet ta njohë një shtet.

    Sipas zëvendësministrit të Jashtëm dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, Kosova mund të njihet nga Greqia, meqë raportet mes dy vendeve janë përafruar shumë.

    Ahmeti shprehet optimist se në vitin 2024 do të ketë edhe lëvizje pozitive sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, duke thënë se nuk ka asnjë kushtëzim lidhur me dialogun me Serbinë.

    Ahmeti komentoi edhe masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës. Këto masa, sipas tij, po e dëmtojnë vendin dhe po japin sinjal të gabuar për tërë rajonin.

  • Janari, muaji më kritik sa i përket ndotjes së ajrit

    Janari, muaji më kritik sa i përket ndotjes së ajrit

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Shtimi i veturave, ulja e temperaturave e përdorimi më i madh i energjisë ka bërë që ndotja e ajrit të jetë më e theksuar në muajin janar.

    Andaj po bëhet thirrje te qytetarët e në veçanti ata me sëmundje kronike të kenë kujdes dhe t’iu shmangen daljeve në mëngjes dhe në mbrëmje, kur ajri është më i ndotur.

    Pasojat në shëndet që vijnë nga ndotja e ajrit, sipas asamblistëve, nuk janë të vogla. Sipas ambientalistit Alban Hyseni, faktor tjetër që po ndikon në shëndetin e njeriut janë edhe ndryshimet klimatike të cilat ndodhin në këta muaj.

    Në anën tjetër, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës në vitin që e lamë pas, ka pasur përmirësim të ajrit krahasuar me vitet paraprake.

    Ani pse indeksi i cilësisë së ajrit duhet të jetë nën 25 mikrogramë, në kryeqytet të enjten cilësia e ajrit ishte 68.