ATV

Category: Lajme

  • Kryeshefi i ri i “Trepçës”: Do të angazhohem për realizimin e kërkesave

    Kryeshefi i ri i “Trepçës”: Do të angazhohem për realizimin e kërkesave

    Përgatiti: Armand Hoti

    Enis Abdurrahmani, në uebfaqen zyrtare të ndërmarrjes “Trepça”, vazhdon të figurojë si ushtrues detyre i kryeshefit. Por, kjo pozitë që nga java e kaluar nuk i takon më atij.

    Konkursi për pozitën e kryeshefit të ndërmarrjes, rezultoi me emërimin e Bashkim Kurtit, kryeshef të gjigantit të dikurshëm metalurgjik.

    “Pikat e forta, për mua është shumë esencial preciziteti, menaxhimi i kohës, dakordimet paraprake për mua janë shumë të rëndësishme dhe kam monitorim tejet të rreptë ndaj tyre. Goxha detajist, kërkues po në anën tjetër edhe motivues edhe përkrahës”, tha Kurti.

    I biri i minatorit që vdiq në horizontin e dhjetë të minierës së Stan Tërgut gjatë viteve të ‘80-ta, e ka të qartë se në çfarë momentumi po e merr udhëheqjen e “Trepçës”.

    “Nuk ka mundësi të bazohemi në ndihma nga Qeveria as askush, kur “Trepça” ka mundësi ta menaxhojë veten pa ndihmë të askujt. A kemi nevojë për ndihmë në drejtim të investimeve kapitale, besoj se po. Së paku referuar raporteve zyrtare, të publikuara, qoftë raporti i auditorit apo plani i biznesit i kompanisë, gjendja është goxha alarmante, goxha shqetësuese. Por, besoj se me punë dhe angazhim gjithë këto do të tejkalohen”, tha Kurti.

    Ai thotë se do të angazhohet në realizimin e kërkesave të të gjithë punëtorëve të “Trepçës”.

    “Pika kyçe realisht është siguria e stafit. Kjo është pika kyçe. A do të punojmë seriozisht në këtë çështje? Me siguri se po. A është e lehtë të realizohet? Nuk e besoj! Por a është e mundshme? Gjithsesi se po. Sidomos ata në zgafelle do trajtohen me prioritet”, tha Kurti.

    I zgjedhuri si kryeshef në ndërmarrjen “Trepça”, ka një kontratë me kohëzgjatje prej tri vjetësh.

    Enis Abdurrahmani, ish-kryeshefi i padëshiruar për minatorët sindikalist, në shtator të vitit 2023 u shkarkua nga bordi paraprak i ndërmarrjes.

    Më pas Qeveria e Kosovës e shkarkoi atë bord, duke emëruar një Bord të ri, që ktheu përsëri Abdurrahmanin në detyrë.

    Nga viti 2019 deri në atë 2023, Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 30 milionë euro subvencione për ndërmarrjen. Me pjesën më të madhe të mjeteve financiare janë mbuluar shpenzimet operative të ndërmarrjes.

    ATV-ja ka raportuar se “Trepça”, me Enis Abdurrahmanin në krye, deri në tetor të vitit të kaluar nuk kishte arritur të realizojë as gjysmën e shitjeve të planifikuara për tërë vitin.

  • Gënjyen se “shkolla është prapa”, nxënësit organizojnë mbrëmje muzikore

    Gënjyen se “shkolla është prapa”, nxënësit organizojnë mbrëmje muzikore

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Në pamje të parë duket sikur mbrëmje e maturës.

    Por në fakt janë nxënësit 16 vjeç të shkollave të mesme në Ferizaj, që organizuan mbrëmje muzikore.

    Madje, për këtë organizim gënjyen se po e bënte shkolla, në mënyrë që të marrin leje e para nga prindërit.

    “Ne kemi dalë edhe me njoftim që drejtoria e arsimit nuk është mbrapa këtyre organizime dhe këto janë të jashtëligjshme, jemi munduar që të komunikojmë edhe me këshillin e prindërve që përgjegjësia të mos mbetet mbi ne…”, tha Selim Marevci, zedhënës në Komunën e Ferizajt.

    Nga 25 euro për person, ishte shuma që duhej të mblidhej, që organizimi të mos dështonte.

    Për më tepër ndeja ishte edhe me këngëtar.

    Për këto organizime është i njoftuar inspektorati komunal.

    “Ne natyrisht që sapo e kemi marrë vesh lajmin për organizimin, kemi komunikuar edhe me inspektoratin e punës, pasi pamfletet kanë qenë publike edhe për këngëtarët që kanë marrë pjesë, nuk i di procedurat e tyre por kjo duhet të jetë shqetësuese për të gjithë, është punë e inspektoratit pjesa tjetër”, tha drejtoresha e gjimnazit “Shaban Hashani”, Hajrije Nebihu.

    Organizimet si këto, po e shqetësojnë drejtoreshën Nebihu, e cila thotë se shumica e nxënësve nuk kanë libra shkollorë, derisa japin para të shumta për këso aktivitete.

    “Është tronditëse të thuhet, por është e vërtetë, që nga fillimi i vitit shkollor ka nxënës pa asnjë libër në çantat e tyre, përderisa shpenzimet për mbrëmje të tilla që po i organizojnë, mbrëmjet dihet, veshja, organizimi, transporti e të tjera”, tha Nebihu.

    Organizime të tilla janë mbajtur edhe vitet e kaluara.

    Sipas raportit të policisë që e posedon gjimnazi “Shaban Hashani”, për shkak të konsumimit të tepruar të pijeve alkoolike, disa nxënës kanë përfunduar në emergjencë.

  • “Gabim i madh i BE-së”, Von Cramon theksoi urgjencën për zbatim të marrëveshjes

    “Gabim i madh i BE-së”, Von Cramon theksoi urgjencën për zbatim të marrëveshjes

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Me frikën se mund të lihet në harresë, deputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, theksoi urgjencën për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit, para muajit Qershor.

    Presidenca hungareze e Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të vitit, krahas forcimit eventual të partive të djathta në Parlamentin Evropian, sipas saj, mund të ndikojnë në raport me mbështetjen ndaj Kosovës.

    “Po, e kuptoj dëshirën që të kemi njohjen de fakto, para zbatimit. Është kërkesë absolutisht legjitime, e mbështes Qeverinë në këtë dhe, gjithashtu, mendoj vitin e kaluar BE-ja bëri një gabim të madh, në mars, që nuk këmbënguli për nënshkrime nga të dyja palët. Por, shqetësimi është nëse e vonojmë gjithë procesin tani, do të kemi zgjedhje evropiane, mbase mund të ketë president të ri në Shtëpinë e Bardhë që mund të mos e mbështesë vendin aq sa mund ta mbështesë presidenti aktual. Do të kemi situatë ndryshe në BE, do të kemi Gazën, Ukrainën, Tajvanin, Huthi etj., kam frikë se në fund askush nuk brengoset për dialogun dhe njerëzit këtu”, tha Von Cramon.

    Edhe pse rezultatet eventuale nuk i ndërlidh me afatet kohore, ajo theksoi se pesë muajt e ardhshëm në dialog janë jetik.

    “Nuk është tërësisht e drejtë, por sidoqoftë ju lutem bëjeni të mundur në javët dhe muajt e ardhshëm, edhe nëse mendoni se nuk është detyra juaj, edhe nëse mendoni se pala tjetër duhet të përmbushë [obligimet]. Nëse do të isha këtu do të provoja të bindja qytetarët e mi, votuesit e mi, që edhe nëse prisni diçka tjetër nga unë – që unë jam rezistent, që unë jam figura heroike – në interes të qytetarëve, unë do të filloja me zbatimin. Kjo është këshilla ime e sinqertë, por ky është shtet sovran, qeveri sovrane dhe secili mund vendos dhe të bëjë çfarë dëshiron vetë, mos më keqkuptoni”, tha Von Cramon.

    Pa dhënë një cilësim të qartë juridik, ajo foli edhe për atë që Kosova e cilëson “akt agresioni nga Serbia, përmes sulmi terrorist paramilitar në Banjskë”.
    “Ajo që kemi dëgjuar është që kishte përfshirje serioze nga grupe të ndryshme armatosura nga Serbia dhe ishte një test për të parë se si po punojnë forcat e sigurisë, e po ashtu se si do të reagonin BE-ja, perëndimi dhe SHBA-ja. A ishte rrezik për një lufte të menjëhershme, mund të them se, fatmirësisht për ne, kemi KFOR-in këtu, dhe mendoj se është mirë që NATO-ja ka shtuar numrin e ushtarëve. Mendoj është siguri, kjo është ajo që rajoni ka nevojë. Mos më keqkuptoni. Mendoj që ka arsye që NATO-ja vendosi të fuqizojë masat e sigurisë. Por, nuk jam e sigurt se fotografia se nesër mund të ketë luftë është reale. Të nxisësh frikë në shoqëri është pak e rrezikshme”, tha Von Cramon.

    Përkundër pretendimeve për paqartësi procedurale, euro-deputetja tha se inicimi i zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri tani varet nga interesimi për mbledhjen e nënshkrimeve.

    Në tema të tjera, Von Cramon i quajti të papranueshme sulmet e Qeverisë ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe institucioneve të drejtësisë.

  • “15 janari 1999” në kujtimet e atyre që ndihmuan shqiptarët gjatë luftës

    “15 janari 1999” në kujtimet e atyre që ndihmuan shqiptarët gjatë luftës

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Lotët i rrodhën posa shkeli në Reçak.

    Ilmi Bardhi, në Kosovë erdhi për herë të parë, në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut.

    Në varret e 45 të masakruarve, për herë të parë i pa edhe emrat e atyre, që ai u kishte ndihmuar gjatë luftës.

    “Për herë të parë kam ardhë në Kosovë, kam shprehë dëshirë me rastin e këtij përvjetori me kolegun tim, për çdo moment kemi qenë në ndihmë të kosovarëve gjatë kohës së luftës. Jemi mundu të mirën e të keqen me e nda bashkë, jemi kanë në rrezik edhe prej maqedonve edhe prej serbëve, por dashti zoti na ka rujt, me gjithë zemër kemi punuar”, tha Bardhi.

    Por ndryshe nga Bardhi, Agron Mehmeti, 25 vjet më parë ishte në Reçak. Ai edhe sot e ka të freskët kujtimin për mëngjesin e kobshëm të 15 janarit të vitit 1999.

    “Ka qenë dita më e dhimbshme për mua, ka qenë një ngjarje shumë tragjike, afër meje është vrarë axha, vajza e tij, është plagosur edhe vajza e tij. Ka pasë sy të nxjerrë, organe të nxjerra. Më e rënda është kur njerëzit i ke afër, i sheh duke u vrarë dhe nuk ke mundësi të bësh asgjë”, tha Mehmeti.

    Dhimbja për të bëhet më e rëndë, kur e di që kryerësit e kësaj vepre ende nuk janë të dënuar.

    “Serbia ka vrarë njerëz të pafajshëm, vetëm se kanë qenë shqiptarë, e 25 vjet pas luftës, Serbia e quan këtë masakër trillim dhe bota po toleron e nuk po e dënon Serbinë për krimet e kryera. Komanda e Serbisë ende nuk është gjykuar dhe ende nuk është dënuar”, tha Mehmeti.

    Në nëntor të vitit të kaluar ka nisur gjykimi në mungesë ndaj Cedomir Aksiqit, i cili akuzohet për pjesëmarrje në masakrën e Reçakut.

    Ndërsa në po të njëjtin vit, në 24-vjetorin e masakrës që bëri kthesë të madhe Prokuroria Speciale pati njoftuar se ka lëshuar fletarreste ndërkombëtare ndaj 18 personave serbë, të cilët që nga paslufta nuk ndodhen në Kosovë.

  • Zgjatet përmbushja e kërkesave të policisë

    Zgjatet përmbushja e kërkesave të policisë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Kërkesat e policëve për rritje pagash nuk mund të realizohen edhe për pak kohë.

    Kështu ka deklaruar, të hënën, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

    “Kosova është vendi më i varfër në rajon dhe në Evropë dhe kërkesat të cilat mund të duken të drejta duhet të shihen se në çfarë barre buxhetore bien. Por, në asnjë moment nuk ka tendenca që dikush të shfrytëzohet, por realisht që të gjithë ata të paguhen në bazë të punës dhe kontributit që japin”, tha Sveçla.

    Kryetari i komisionit, Bekë Berisha, pyeti ministrin Sveçla nëse do të ketë shtesa dhe privilegje për polici.

    “Duke pasur parasysh se çfarë fqinji verior kemi, emergjencat nuk do të kryhen shpejt. Aspiratat e Serbisë vetëm se po vazhdojnë, por edhe aktivitetet e tyre konkrete po vazhdojnë në minimin e shtetit të Kosovës. Nuk pres që këto do të kryhen shpejt”, tha Berisha.

    “Në aspektin e privilegjeve, pres që situata jo të përmirësohet, por të ngrihet. Jemi duke hyrë në procesin e përcaktimit të ekspertizës te policët, duke qenë se ka policisë që kanë ekspertizë të veçantë e të cilët duhet të klasifikohen më ndryshe se që janë klasifikuar deri tani”, tha Sveçla.

    Ministri i Punëve të Brendshme lavdëroi Policinë e Kosovës sërish për rezultatet e treguara në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

    Ai kërkoi që Prokuroria të ngrejë akuza për këtë rast.

    “Është fakt se PK-ja ka ndërmarrë procesin hetimor më të madhin në historinë e saj me rastin e Banjskës, edhe për ka rëndësia, por edhe nga numri i dëshmive me të cilat është dashtë që të merret apo të procedojë. Një pjesë e këtyre dëshmive tashmë janë publike, një pjesë është në duart e prokurorisë. Unë fuqishëm besoj se është koha e fundit që Prokuroria e Kosovës të fillojë me ngritjen e aktakuzave apo të paktën një raporti përfundimtar”, tha Sveçla.

    Sveçla, me këtë rast, tha se nga themelimi i policisë së Kosovës, 24 policë kanë rënë në detyrë.

  • Lajçaku takon Bislimin: Është urgjent zbatimi i shpejtë i marrëveshjes së normalizimit

    Lajçaku takon Bislimin: Është urgjent zbatimi i shpejtë i marrëveshjes së normalizimit

    Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak është takuar të hënën në Zvicër me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi për të diskutuar për çështjet e ndërlidhura me dialogun.

    Lajçak ka shkruar në X se me Bislimin kanë biseduar për një gamë të gjerë të çështjeve të ndërlidhura me dialogun dhe se janë pajtuar që zbatimi i shpejt i marrëveshjes së normalizimit është urgjent.

    “Përpara takimit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, takova zëvendëskryeministrin e pare, Besnik Bislimi për të diskutuar një gamë të gjerë temash të dialogut dhe pritjet për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë në periudhën e ardhshme. Ne ramë dakord që zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit është urgjent”, ka shkruar Lajçak në X.

  • 10 mijë fermerë “paralizojnë” Berlinin, me traktorë e kamionë në Portën e Brandenburgut

    10 mijë fermerë “paralizojnë” Berlinin, me traktorë e kamionë në Portën e Brandenburgut

    Berlini është shndërruar të hënën në qendrën e protestave të fermerëve nga mbarë Gjermania kundër planit të qeverisë Scholz, për të shkurtuar paketat e subvencionimeve për naftën.

    Pasi prej disa ditësh kanë shprehur revoltën e tyre duke bllokuar hyrjet e autostradave dhe ngadalësuar trafikun në të gjithë Gjermaninë, 10.000 fermerë, me mjetet e tyre bujqësore e nisën javën duke bllokuar simbolin e kryeqytetit, “Portën e Brandenburgut”.

    “Mijëra fermerë po mbushin rrugët e kryeqytetit gjerman për të protestuar kundër reduktimit të subvencioneve bujqësore, një fakt që shumë shpejt mund të rëndojë publikun konsumator”, raporton gazeta “Bild”.

    Sipas gazetës “Bild”, 1300 policë janë vendosur në rrugët e kryeqytetit duke mbikëqyrur demonstratën e fermerëve.

  • Kurti udhëton për në Zvicër

    Kurti udhëton për në Zvicër

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në Zvicër.

    Gjatë qëndrimit të tij në Zvicër, fillimisht ai së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, do të marrin pjesë në hapjen e panairit “Swissbau 2024”, ku 12 kompani vendore do të promovojnë prodhimet e tyre.

    Pastaj do të udhëtojë për në Davos për të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), ku krahas takimeve bilaterale me homologë, zyrtarë të lartë shtetërorë dhe përfaqësues të kompanive ndërkombëtare është i ftuar edhe si folës në panele të diskutimit.

  • ​Sveçla: Është koha e fundit që Prokuroria të ngritë aktakuza për sulmin në Banjskë

    ​Sveçla: Është koha e fundit që Prokuroria të ngritë aktakuza për sulmin në Banjskë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se është koha e fundit që Prokuroria e Kosovës të fillojë me ngritjen e aktakuzave sa i përket personave që kanë marrë pjesë në sulmin e Banjskës në 24 shtator të vitit të kaluar. Ai tha se ka prova e incizime të mjaftueshme për të ngritur aktakuza.

    Ministri Sveçla, derisa ka raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, për raportin vjetor të punës 2023, tha se ky institucion qëndron mirë, derisa shtoi se në Policinë e Kosovës, investimet kapitale janë rritur, porse sipas tij, edhe procedurat janë përshpejtuar.

    Pas prezantimit të raportit nga ana e ministrit, deputeti nga Vetëvendosje, Enver Dugolli ka kërkuar sqarim nga ministri Sveçla, përse nuk është ngritur ende asnjë aktakuzë për rastin e Banjskës. Po ashtu ai ngriti edhe çështjen sa i përket furnizimit të njësive patrolluese me armë të gjata.

    Sa i përket sulmit në Banjskë, Sveçla tha se është koha e fundit që Prokuroria të fillojë me ngritjen e aktakuzave apo të paktën e një raporti përfundimtar, duke shtuar që edhe partneret ndërkombëtar zyrtarisht të jenë të njoftuar me atë çfarë ka ndodhur në rastin e sulmit në Banjskë.

    “Është fakt se Policia ka ndërmarrë procesin hetimor më të madhin në historinë e saj me rastin e Banjskës, edhe për nga rëndësia, por edhe nga numri i dëshmive me të cilat është dashur që të merret apo të procedojë. Një pjesë e këtyre dëshmive tashmë janë publike, një pjesë është në duart e prokurorisë. Unë fuqishëm besoj se është koha e fundit që Prokuroria e Kosovës të fillojë me ngritjen e aktakuzave apo të paktën një raporti përfundimtar. Duke qenë se siguria patjetër është e lidhur edhe me segmentet tjera të punës institucioneve e sidomos me diplomacinë, është e duhur që edhe partnerët tanë ndërkombëtar, zyrtarisht të jenë të njoftuar me atë çfarë ka ndodhur në rastin e sulmit në Banjskë, por jo vetëm me atë çfarë ka ndodhë, por edhe me atë se çfarë është zbuluar si qëllimi i këtij grupi terrorist dhe gjithë elementeve tjera që kanë mbështet, qoftë financiarisht, me trajnime, pajisje, këtë grup terrorist që dihet tashmë, ka pas për qëllim aneksimin e një pjese të territorit të Republikës së Kosovës”, tha Sveçla.

    Sipas tij, parandalimi më i mirë që mos të ndodhin këso lloj sulmesh, është përndjekja e pjesëmarrësve në këtë sulm.

    Mes tjerash, ai ka potencuar se vonesat dhe toleranca nga ‘dikush tjetër’ i ka trimëruar ata që të vinë deri tek rasti i Banjskës.

    “Ka dëshmi më së të mjaftueshme që të ngritët aktakuzë ndaj këtyre terroristëve. Përveç punës profesionale të PK-së, siç thotë populli, “trimit i prin edhe fati”, ne kemi pas fat. Kemi incizimin e trajnimit të këtij grupi terrorist, thellë në brendësi të Serbisë, që këtë më qëllim as shërbimet më të forta botërore nuk kishin mundur ta arrijnë. Kemi incizimin e vetë betejës, kemi identifikimin shumicës së pjesëmarrëseve, angazhimin e tyre në raste të tjera…Parandalimi më mirë që mos të ndodhin sulme të këtilla është përndjekja e atyre të cilët kanë qenë pjesëmarrës në këtë sulm. Kemi rastin e tre policeve të kidnapuar brenda në territorin e Kosovës, po të kish pas reagim tjetër të të gjithë akterëve për këtë, besoj që edhe vetë Serbia do të ishte më e rezervuar për të vazhdar me sulme ndaj Kosovës. Por, vonesat tona, toleranca nga dikush tjetër, i ka trimëruar ata me ardhur deri te rasti Banjskës. Mund të pajtohemi që kjo mos të jetë rasti fundit, por prej Serbisë pritet çdo gjë, ata as nuk kanë ndërruar politikisht, por as me veprimet e tyre. Prandaj, është shumë me rendësi që si masë preventive të ndërmerren gjitha hapat e nevojshëm që këta terrorist të vihen para drejtësisë”, shtoi Sveçla.

    Ndërkaq, sa i përket armëve të gjata, ai tha se janë në proces, dhe se të gjitha patrullat do të pajisjen me to.

    “Jam i bindur, vendim i drejtë që gjitha patrullat e PK-së tash e tutje të jenë të pajisur me armë të gjata. Kjo nuk do të thotë që publiku t’i sheh në vazhdimësi patrullat e PK-së me armë të gjata, por ata do t’i kenë me vete në dispozicion në rast nevoje, për t’i përdorur gjithmonë sipas procedurave dhe ligjeve në fuqi. Tashmë patjetër që jemi në proces, të gjitha patrullat do të kenë armë të gjata. Ka qenë pak e çuditshme për mua se si më herët nuk kanë pas gjithë zyrtarët certifikim për përdorim për armë të gjata, të gjithë ne i jemi fut këtij procesi dhe të gjithë zyrtarët policor, ashtu siç janë të trajnuar për përdorim të armeve personale të shkurta, do të jenë të trajnuar edhe për përdorimin e armeve të gjata që kanë në dispozicion”, shtoi Sveçla.

    Ndërsa, deputeti nga PDK, Rashit Qalaj, është shprehur i shqetësuar lidhur me situatën në trafik. Ai ka akuzuar Ministrinë e Infrastrukturës për objektivat e parapara që nuk ka arritur t’i realizojë. Po ashtu edhe autoshkollat, që sipas tij, duhet të kenë një qasje më strikte.

    Ndërsa, ka thënë se koeficienti pagës për zjarrfikësit ende nuk është rregulluar.

    “Kam kuptuar që këto ditë që në kuadër të komunave, aty ku ka udhëheqës ndërrimi që janë zjarrfikës, koeficienti nuk i është rregulluar ende, edhe pse është paraparë në kuadër të programit, kanë mbet të njëjtat”, tha Qalaj.

    Për këtë, Sveçla tha se do të menaxhohen e paguhen nga niveli qendror.

    Ai po ashtu tha se janë duke i shqyrtuar me Sindikatën e Policisë, kërkesat e tyre, porse ka ritheksuar se jo të gjithë kërkesat e tyre mund të jenë të plotësueshme për shkak që barra financiare ua pamundëson këtë.

    “Për çdo angazhim të tyre ata marrin kompensimin e duhur. Në kuadër të ligjit për paga janë paraparë klasifikimet e duhura për secilin profesion. Aty është gjetur edhe PK, e cila ka pas rritje të pagës bazë, dhe po ashtu është marrë vendimi për sigurimin e të ardhurave shtesë të cilat kanë të bëjnë me rrezikshmërinë. Çështja se sa kush merr, është çështje e këtij vendimi për përftimet e shtesave për kushte specifike të punës, mund të ketë pakënaqësi, dhe të gjitha këto ne jemi duke i adresuar me sindikatën e PK-së, me të cilën kemi takime të rregullta dhe mundohemi që të gjitha pretendimet t’i sqarojmë. Kjo nuk do të thotë se të gjitha kërkesat është e mundshme t’i përmbushim, mos të harrojmë se Kosova është vendi më i varfër në rajon dhe Evropë dhe kërkesat të cilat mund të duken të drejta duhet të shihen se në çfarë barre buxhetore bien. Por, në asnjë moment nuk ka tendenca që dikush të shfrytëzohet, por realisht që të gjithë ata të paguhen në bazë të punës dhe kontributit që japin, që është i jashtëzakonshëm”, tha Sveçla.

    Ndërkaq, kryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha, ka pyetur nëse MB-ja ka ndonjë iniciativë që PK-së t’i shtohet ndonjë privilegj tjetër, po ashtu edhe sa i përket emergjencave.

    Për këtë, ministri Sfeçla tha se janë duke diskutuar me sindikatën e PK-së për një serë hapash në aspektin e privilegjeve sa i përket këtij institucioni.

    “Shpresoj që këto emergjenca të kalojnë sa më shpejtë që është e mundshme në bazë të analizave, por edhe më shumë në bazë të asaj çfarë fqinji verior ne kemi. Këto emergjenca nuk do të kryhen shpejtë, aspiratat e Serbisë po vazhdojnë, por edhe aktivitetet konkrete të tyre janë duke vazhduar në minimin e shtetit të Kosovës, prandaj nuk pres që këto të kryhen shpejtë. Kemi diskutuar me sindikatën e PK-së një serë hapash që në përgjithësi në aspektin e privilegjeve të ngritët me PK-në, jemi duke hyrë në procesin e përcaktimit të ekspertizës tek policët, duke qenë se ka policë të cilët kanë ekspertizë të veçantë dhe për këtë ata duhet të klasifikohen më ndryshe, se ç është klasifikuar deri tani. Do të kalojmë në një diferencim tjetër pozitiv, ku dallimi do të bëhet në bazë të ekspertizës, jo të gjithë policët me të njëjtën gradë, gjithë njësitë kanë ekspertizë apo kualifikim të njëjtë, andaj edhe kjo duhet të kihet parasysh”, ka theksuar Sveçla. /kp

  • Begaj dekreton Adea Pirdenin, si ministre të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

    Begaj dekreton Adea Pirdenin, si ministre të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

    Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar këtë të hënë Adea Pirdenin, e cila u emërua nga kryeministri Edi Rama si ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

    “Presidenti i Republikës Sh.T.Z Bajram Begaj me propozim të Kryeministrit dekretoi emërimin e zonjës Adea Pirdeni në detyrën e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin”, njofton Begaj.

    Emërimi vjen pas propozimit të kryeministrit Edi Rama i cili argumentoi se “në këtë fazë të re zhvillimi të vendit dhe në kushtet kur Shqipëria po punon për kapitujt e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian, kërkohet një qasje e re ndaj administratës publike”.

    Kjo, sipas kryeministrit, për të rritur krahas pagave konkurruese dhe cilësinë e burimeve njerëzore.