ATV

Category: Lajme

  • QMK: Qytetarët duhet të përgatiten për reshje të dendura bore

    QMK: Qytetarët duhet të përgatiten për reshje të dendura bore

    Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) pas njoftimeve nga QRMK këtë fundjavë për reshje të dendura bore dhe mot të ftohtë me rënie të ndjeshme të temperaturave apelon tek qytetarët për menaxhim të kujdesshëm të automjeteve për shkak të pakalueshmërisë së mundshme të rrugëve në zonat më të larta.

    “Qytetarët të udhëtojnë me kujdes gjatë ditës së nesërme dhe të dielën, nëse është e nevojshme, me karburant të mjaftueshëm në cisterna dhe sigurisht me pajisje dimërore të përshtatshme për automjetet në vendet më të larta dhe qafa malore, sepse mund të krijohen rrëshqitje bore dhe rrugë. itineraret duhet të jenë të pakalueshme në seksionet e larta për një periudhë të caktuar kohore”, thekson QMK.

    Në të njëjtën kohë, njerëzve që jetojnë në vende më të larta u kujtohet se duhet të rezervojnë me kohë ushqimet bazë (ushqim dhe ilaçe), si dhe rekomandohet lëvizja e kujdesshme e qytetarëve në këmbë, pasi është e mundur shfaqja e etheve.

    Sipas parashikimit të motit nga Administrata për Çështje Hidrometeorologjike, gjatë ditës së nesërme do të mbajë mot i vranët dhe i ftohtë me reshje kryesisht bore. Reshjet do të jenë më të shumta sidomos në pjesët perëndimore. Në male do të formohet një mbulesë e konsiderueshme dëbore mbi 30 cm, ndërsa në zonat më të ulëta nga 3 deri në 10 cm. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga veriu, sidomos në afërsi të Povardarisë dhe temperaturat do të kenë rënie të ndjeshme dhe do të ketë edhe ngrica.

    NP “Rruga e Maqedonisë” njoftoi sonte se komunikacioni në rrugët shtetërore aktualisht po zhvillohet në kushte dimërore, në vend të rrugëve me lagështirë. Në rrugë të caktuara rrugore që kalojnë nëpër lugina dhe prerje është e mundur shfaqja e rrëshqitjeve më të vogla, për këtë arsye apelohet për menaxhim të kujdesshëm të mjeteve, respektim i sinjalistikës së komunikacionit të vendosur, si dhe përshtatje të shpejtësisë sipas kushteve të rrugës. Ekipet kujdestare të NP MACEDONIJAPAT janë vazhdimisht në terren dhe i mbajnë të kalueshme të gjitha rrugët rrugore, thuhet në ndërmarrjen publike.

  • I dënuari për shpërthimin në Zhur, Arben Gashi, thotë se Iran Badalli nuk është fajtor

    I dënuari për shpërthimin në Zhur, Arben Gashi, thotë se Iran Badalli nuk është fajtor

    Përgatiti: Nora Luta

    Katër vjet pas ngjarjes, i dënuar me 12 vjet burgim nga Gjykata e shkallës së parë për shpërthimin në Zhur të Prizrenit, Arben Gashi e ka ndryshuar deklaratën e tij të premten para kolegjit të Apelit.

    Gashi ndryshe, nga ajo çfarë kishte thënë gjatë hetimeve dhe procesit gjyqësor, tha se i dënuari tjetër, Iran Badalli, nuk është përgjegjës e mjetin shpërthyes ia shiti ish-gruas së tij.

    Sipas tij, kishte një arsye se pse nuk e kishte treguar këtë më herët.

    I kontaktuar nga televizioni ish-prokurori i rastit Metush Biraj, e ka quajtur shpifje deklaratën e Gashit.

    Me këtë deklarim nuk është pajtuar as avokati i ish-policit Artur Mrasori, i cili ka humbur pothuajse tërë shikimin nga shpërthimi.

    Besnik Berisha para kolegjit të Apelit, kujtoi deklaratat e mëhershme të Gashit.

    E mbrojtja e të dënuarve kërkoi kthimin e rastit në rigjykim, ose ulje të dënimit.

    Badalli dhe Gashi u dënuan me 12 vjet burgim për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, dhe armëmbajtje pa leje.

    Një thirrje për dhunë në familje kishte dërguar policinë në shtëpinë e Badallit, në janar të 2020-s, e cila pastaj kishte dyshuar për substanca narkotike dhe pas kontrollit nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, kishte hasur në mjet shpërthyes, i cili ia mori jetën një zyrtari policor dhe tre të tjerë u lënduan rëndë.

    Sipas aktakuzës, të dënuarit, në janar të 2020-s, janë furnizuar me mjet eksplodues nga Valbon Çollaku, të cilin e kanë fshehur në shtëpinë e Badallit në Zhur, i cili të premten nga salla e gjykimit doli i nervozuar me avokatin Besnik Berisha.

  • Me 500 euro mund të paguash, por nuk mund t’i marrësh nga banka

    Me 500 euro mund të paguash, por nuk mund t’i marrësh nga banka

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Kartëmonedha 500-euroshe mund të përdoret për pagesa, por ajo nuk mund të merret më nga institucionet financiare.

    Banka Qendrore e Kosovës ka vendosur që nga fillimi i muajit të ardhshëm ta ndalë riqarkullimin e kësaj monedhe.

    Sidoqoftë, BQK-ja sqaroi për qytetarët se nuk duhet të kenë frikë, meqë ato mund t’i këmbejnë me kartëmonedha të tjera.

    “Kjo nuk nënkupton ndalimin e qarkullimit të saj ndërmjet palëve si mjet i ligjshëm i pagesës. Kur ajo deponohet nga klientët, ajo nuk rikthehet më në qarkullim nga institucionet financiare. Gjithashtu, klientët mund ta konvertojnë në institucionet financiare kartëmonedhën 500 euro në denominime më të vogla, sikurse janë 200 euro, 100 euro, 50 euro, 20 euro, 10 euro, 5 euro dhe të tjera”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

    Një gjë e tillë po mirëpritet edhe nga ekonomistët, meqë thonë se nuk ka efekte negative në ekonomi.

    Megjithatë, me vendimin e BQK-së janë shtuar edhe rastet për mashtrim me këtë kartëmonedhë të falsifikuar.

    Disa raste janë paraqitur në organet e rendit pasi persona të ndryshëm kanë tentuar që këtë kartëmonedhë falëse ta deponojnë në institucione bankare.

    Sidoqoftë, kartëmonedha 500-euroshe është ndaluar së prodhuari nga 2019-ta në bankat evropiane, ku euroja përdoret si valutë.

  • Edhe në Zubin Potok e në Zveçan nisin peticionet kundër kryetarëve

    Edhe në Zubin Potok e në Zveçan nisin peticionet kundër kryetarëve

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Edhe pse në biseda pa kamerë u shprehën optimistë për mbledhjen e 20% të nënshkrimeve të nevojshme, nënshkruesit e kësaj nisme nuk donin të flisnin publikisht.

    Numra për ditën e parë nuk dhanë, por në këtë komunë kërkohen së paku 1347 nënshkrime të vlefshme nga lista e votuesve, për të vazhduar me hapin e radhës.

    Në Zveçan, ndërkaq, për ta bërë të mundshëm votimin për shkarkimin e kryetarit kërkohen së paku 1411 nënshkrime valide.

    Edhe në këtë qytezë nënshkruesit hezitonin të shpreheshin para kamerës.

    Referuar bojkotimit të zgjedhjeve nga komuniteti serb, kryetari Ilir Peci vlerësoi se peticioni nuk është i drejtë.

    “Unë nuk e shoh se do të jetë zgjidhje përfundimtare e duhur, derisa kanë qenë zgjedhjet tetë muaj më herët dhe kanë qenë të pranuara nga politika vendore dhe ajo ndërkombëtare”, tha Peci.

    Kundërshtimi ligjor i nismës, sipas tij, është opsion.

    “Besoj se do të ketë ankesë, por ta shohim. Ende nuk e kemi marrë një vendim të tillë”, tha Peci.

    Afati 30 ditor për mbledhjen e nënshkrimeve në këtë peticion në Zveçan ka nisur të rrjedhë më 27 Dhjetor.

  • 23 mijë udhëtarë më shumë në këtë vit, në aeroportin e Prishtinës

    23 mijë udhëtarë më shumë në këtë vit, në aeroportin e Prishtinës

    Përgatiti: Benita Zeneli

    23 mijë udhëtarë më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kanë udhëtuar drejt vendeve të ndryshme të Evropës e botës, përmes Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”.

    Në të njëjtën kohë, janë shtuar edhe fluturimet, me 112 më shumë.

    “Në 18-ditëshin e parë të këtij viti, nëse e krahasojmë me periudhën e kaluar, kemi pasur diku përafërsisht rreth 20% më shumë fluturime dhe një rritje të numrit të udhëtarëve nga data 1 deri më 18, diku rreth 15% më shumë udhëtarë”, tha zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Valentina Gara.

    Mirëpo, interesimi për udhëtime nuk është vetëm me transport ajror.

    Pas vendimit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, fluks i udhëtarëve po vërehet edhe te transporti rrugor.

    Mirëpo, pas datës 15 janar interesimi për të udhëtuar me autobus ka rënë.

    “Nga data 15 janar e këtej ky intensitet është ulur në masë të madhe. Po e marrim për shembull, nëse për Zvicër janë nis 3-5, ndonjëherë edhe 10 autobusë brenda 1 dite, tash nisen të kompanive të ndryshme nga 1 autobus. Pra ka rënë dukshëm kërkesa për të udhëtuar drejt zonës Shengen, sidomos drejt Zvicrës e Gjermanisë”, tha Ruzhdi Kurtishaj nga Shoqata e Transportit Rrugor.

    Ndërkohë, viti 2023 është përmbyllur me mbi 3.4 milionë udhëtarë në aeroportin “Adem Jashari”.

    Derisa, këtë vit, gjithashtu, pritet që aeroportit të Prishtinës t’i shtohen edhe 3 linja të reja direkte.

    Nga marsi qytetarët mund të udhëtojnë për në Luksemburg, në maj për në Riga dhe qershor për në Izmir.

  • Zyrtari i lartë i NATO-s: Perëndimi duhet të përgatitet për luftë me Rusinë

    Zyrtari i lartë i NATO-s: Perëndimi duhet të përgatitet për luftë me Rusinë

    NATO ka paralajmëruar se Perëndimi duhet të rrisë përgatitjet për ngjarje të papritura, përfshirë një luftë me Rusinë, përderisa pushtimi rus i Ukrainës po i afrohet përvjetorit të dytë, në mes të indikacioneve për lodhje politike të disa aleatëve perëndimorë të Kievit.

    “Ne duhet ta kuptojmë se nuk është e mirëqenë që jemi në paqe. Prandaj, ne [forcat e NATO-s] po përgatitemi për një konflikt me Rusinë”, tha admirali holandez, Rob Bauer.

    Këto deklarata shefi i komitetit ushtarak të NATO-s i bëri në Bruksel, para nisjes së stërvitjeve më të mëdha të aleancës ushtarake perëndimore që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

    Aleanca duhet të jetë në gatishmëri të lartë për luftë dhe “të presë të papriturën”, tha Bauer, duke shtuar se “në mënyrë që të jemi plotësisht efektiv, po ashtu në të ardhmen, ne duhet të transformimin luftarak të NATO-s”.

    Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, po ashtu ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë mund të zgjerohet në shtetet fqinje.

    “Ne pothuajse çdo ditë dëgjojmë kërcënime nga Kremlini, së fundi kundër miqve tanë në shtetet baltike”, tha Pistorius për gazetën Tagesspiegel më 19 janar.

    Për të rritur përgatitjen, NATO do të nisë muajin e ardhshëm stërvitjet Steadfast Defender 2024, që do të zgjasin përgjatë majit. Në këto stërvitje do të përfshihen afër 90.000 trupa, të cilët do të stërvisin planet rajonale të aleancës.

    Stërvitja “do të tregojë se NATO mund të kryejë operacione të qëndrueshme dhe të ndërlikuara në shumë fusha për disa muaj, përgjatë mijëra kilometrave, nga Veriu i Lartë në Evropën Qendrore dhe Lindore në çfarëdo kushtet”, tha aleanca pre 31-anëtarësh.

    Përderisa vija e frontit në lindje të Ukrainës ka mbetur gjerësisht e pandryshuar për muaj të tërë, Rusia ka vazhduar të sulmojë qytetet ukrainase me dronë dhe raketa lundruese. Ndërkaq Kievi, që po përballet me pushtimin rus që nga shkurti i vitit 2022, ka sulmuar caqet ekonomike dhe ushtarake në thellësi të Rusisë.

  • Parashikimi i motit gjatë vikendit

    Parashikimi i motit gjatë vikendit

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se vikendi do të jetë me mot të paqëndrueshëm, pasi e shtunja do të jetë me borë, ndërsa, e diela me diell.

    Sipas njoftimit, të shtunën parashihet të mbajë mot i vranët dhe me reshje bore.

    “Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -3 deri -1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet -1 deri1 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i veriperëndimit me shpejtësi 1-5m/s. Të dielën mot me diell dhe vranësira të pjesshme temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -4 deri -2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet -1 deri 1. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit”, thuhet në njoftim.

  • Pas ankesave të qytetarëve – dënohen me gjobë nga KPM katër operatorë kabllorë

    Pas ankesave të qytetarëve – dënohen me gjobë nga KPM katër operatorë kabllorë

    Komisioni i Pavarur për Media sot në mbledhjen e mbajtur ka gjobitur me 100 mijë euro katër operatorët kabllorë.

    Me 64 mijë euro është dënuar operatori ‘Artmotion’, me 26 mijë euro operatori ‘Kujtesa’, me 7 mijë ‘Ipko’ dhe me 3 mijë euro ‘Telkos’.

    Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti tha se këto gjobitje kanë ardhur pas ankesave të qytetarëve ndaj këtyre operatorëve të cilët kishin ndaluar transmetimin e kanaleve të platformës “Digitalb” pa paralajmërim.

    “Ne si KPM kemi obligime, ashtu siç e thotë ligji se nëse shohim që ka shkelje të rregulloreve ne duhet të adresojmë çështjet….”, u shpreh ai.

    “Jemi duke u ballafaquar me një dukuri që ka ndodhur edhe vite më parë ku qytetarët kanë bërë ankesa për largim të disa pakove televizive pa paralajmërim nga operatorët e shpërndarjes me të cilët qytetarët kanë pasur kontrata”, tha më tej Mehmeti, duke shtuar se rregullorja parasheh që qytetarët 30 ditë përpara duhet të njoftohen se diçka do të ndryshojë nga pakoja për të cilën kanë paguar.

  • Kurti u shprehu ngushëllime familjes Gashi, me rastin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit Adem Gashi

    Kurti u shprehu ngushëllime familjes Gashi, me rastin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit Adem Gashi

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë paradites qëndroi për vizitë te familja e poetit të njohur, Adem Gashi, i cili u nda nga jeta të martën e 16 janarit.

    Në njoftimin e Zyrës së Kreministrit thuhet se kryeministri Kurti u shpreh se Adem Gashi, ishte “mik i popullit shqiptar, i vuajtjeve të shoqërisë tonë, i Kosovës së tij e tonë të dashur, dhe rrjedhimisht i secilit prej neve”.

    “Vepra e tij, për ne dhe kujtimet tona për të janë gjurmë të thella që bëjnë dritë. Mendja e mprehtë, puna e zellshme, atdhedashuria e paepur dhe miqësia e përhershme e shkrimtarit Adem Gashi, janë kontribut fort i çmueshëm për kombin dhe shoqërinë tonë”, ka shkruar kështu kryeministri në librin e zisë, gjatë vizitës së tij tek familja Gashi.

    Tutje kryeministri shtoi se të ndjerin do ta kujtojmë me respekt për punën, përkushtimin dhe gjurmët e thella që ka lënë te populli ynë, duke theksuar se veprat e tij janë ato që do të bëjnë përherë dritë për kontributin e dhënë për Kosovën e tij të dashur.

    “Jemi borxhli, përgjegjës, që kontributin e tij ta vazhdojmë me sjelljen dhe veprimet tona të përgjegjshme në kuadër të idealeve të përbashkëta”, tha në fund kryeministri Kurti.

    Në këtë vizitë për ngushëllime, bashkë me kryeministrin Kurti ishin edhe deputetët e Kuvendit, Avni Dehari, Enver Dugolli, Shqipe Selimi, Gani Krasniqi dhe Hydajet Hyseni.

  • ​Bullgaria dhe Kosova do të bashkëpunojnë në bujqësi e zhvillim rural

    ​Bullgaria dhe Kosova do të bashkëpunojnë në bujqësi e zhvillim rural

    Këshilli i Ministrave miratoi projekt-memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet ministrive të Bujqësisë së Bullgarisë dhe Kosovës në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

    Vitet e fundit ka pasur një dëshirë të përbashkët mes dy institucioneve për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

    Nënshkrimi i këtij memorandumi do të krijojë një kuadër ligjor për zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve dypalëshe në fushën e ushqimit, blegtorisë, prodhimit bimor, vreshtarisë, zhvillimit rural, kërkimit dhe peshkimit.

    Objektivi kryesor i përfundimit të memorandumit është thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive, përmes shkëmbimit të informacionit, transferimit të ekspertizës dhe trajnimeve, futjes së teknologjive të reja në kultura, blegtori, peshkim dhe akuakulturë, bashkëpunim teknik dhe administrativ. /BTA