ATV

Category: Lajme

  • Gjendet i vdekur një person në Istog në bodrumin e shtëpisë së tij

    Gjendet i vdekur një person në Istog në bodrumin e shtëpisë së tij

    Një burrë është gjetur i vdekur në bodrumin e shtëpisë së tij në Istog të dielën.

    Rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës.

    Vdekja është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

    “Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion. Rasti në procedure hetimore”, ka njoftuar policia.

  • Haxhiu për vrasjen e Lulzim Fejzullahut: Dorasët të marrin dënime meritore

    Haxhiu për vrasjen e Lulzim Fejzullahut: Dorasët të marrin dënime meritore

    Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka reaguar ndaj vrasjes së 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu nga dy bashkëmoshatarë të tij në Podujevë më 15 janar, duke thënë se drejtësia duhet të veprojë dhe dorasët të marrin dënimet meritore.

    Lulzim Fejzullahu ndërroi jetë dje në QKUK pas plagëve të marra gjatë një përleshjeje me dy të mitur të tjerë, të cilët kanë përdorur një shkop dhe ata tashmë ndodhen në paraburgim.

    Haxhiu ka thënë se vrasja e të riut është një ngjarje që ka tronditur të gjithë qytetarët e Kosovës.
    “Është tmerrues fakti kur dëgjon për humbjen e jetës së një të riu, aq më shumë kur jeta e tij merret dhunshëm, në mënyrë totalisht të pamëshirshme. Kjo ngjarje tronditëse prek në ndërgjegjen tonë qytetare dhe tërheq alarm institucional për edukim të mirëfilltë të fëmijëve”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

    Ndërkohë që Prokuroria Themelore në Prishtinë ka cilësuar rastin ‘vrasje’ dhe kishte publikime të pamjeve brutale të këtij akti, ministrja Haxhiu thotë se këto pamje nuk mund të jenë të dobishme për askënd veçse për Prokurorinë, e cila duhet të veprojë dhe dorasët duhet të marrin dënime meritore.

    “Nga njëra anë mungesë e theksueshme e emisioneve edukative, emancipuese, dhe në anën tjetër me nxitim shpërndarje të pamjeve të dhunës e vrasjeve. Kjo nuk është në rregull dhe si e tillë nuk mund të pranohet”, ka përfunduar Haxhiu.

  • Avokati Asdren Hoxha: Të miturit që vranë 18-vjeçarin mund të dënohen maksimalisht 10 vjet

    Avokati Asdren Hoxha: Të miturit që vranë 18-vjeçarin mund të dënohen maksimalisht 10 vjet

    Pas vdekjes së 18-vjeçarit në Podujevë si pasojë e plagëve të marra nga rrahja, ka reaguar edhe avokati i njohur Asdren Hoxha.

    Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se kjo vepër penale cilësohet si lëndim i rëndë trupor me pasojë vdekjen.

    Hoxha ka shkruar se meqë të dyshuarit për këtë vrasje janë të mitur, dënimi maksimal mund të jetë 10 vite.

    “Nuk kualifikohet si vrasje! Eventualisht edhe po qe se kualifikohet si vrasje gjë që, juridikisht nuk ndodh prap se prap dënueshmëria maximale me burg, për të miturit është 10 vite. I mituri i moshës 17 vjeçare në rastin edhe më të keq, lirohet në moshën 25 vjeçare dhe vazhdon jetën normalisht, viktima nuk çohet”, ka shkruar avokati Asdren Hoxha.

    Ai ka kërkuar që ky ligj të ndryshohet. “Ligji duhet të ndryshohet, ndëshkueshmëria duhet të rritet”.

    Postimi i plotë:

  • Veselaj: Sivjet ajri më pak i ndotur, shkak “dimri i butë” – Subvencionet s’janë zgjidhje në aspektin mjedisor

    Veselaj: Sivjet ajri më pak i ndotur, shkak “dimri i butë” – Subvencionet s’janë zgjidhje në aspektin mjedisor

    Sektori i ngrohjes nëpër familjet kosovare ka bërë që të ketë ndotje të ajrit, ndonëse ky vit konsiderohet më pak i ndotur si shkak ti “dimrit të butë”. Kështu ka thënë për Ekonomia Online profesori dhe eksperti i çështjeve ekologjike, Zeqir Veselaj.

    Ndërsa subvencionimin e Qeverisë me pompa termike e klima, nuk i konsideron zgjidhje në aspektin mjedisor

    Veselaj deklaroi se sezona e dimrit zakonisht përcillet me një gjendje të rënduar të ajrit, jo vetëm në Prishtinë por edhe në qytetet tjera.

    “Dimri është sezona e kur zakonisht në Prishtinë por edhe qendrat tjera rëndohet gjendja ambientale sepse ka ndryshim të faktorëve klimatik”, deklaroi ai.

    Veselaj shtoi se deri më tani parametrat e ndotjes ishin më të ulëta si shkak i motit jo të ftohtë.

    “Brenda ditës janë faza të caktuara si mëngjesi e mbrëmja kur parametrat e ndotjes me thërrmija të imta ngjiten lartë megjithatë sivjet kam përshtypjen se nga ajo që po e vërejmë nuk është si vitet tjera ndoshta se dimri ende nuk i ka treguar dhimbjet e tij, kemi pasur një dimër të butë qe s’ka kërkuar shumë ngrohje e djegie të lëndëve te fosileve, kjo ndotje është normale nëse mund ta quajmë është normale në shkallën e rritjes por jo për shëndetin dhe mjedisin tonë”, u shpreh ai.

    Veselaj i pyetur se sa do ndikojnë në përmirësimin e ambientit subvencionet e dhëna nga Qeveria, si klima dhe pompat termike, u shpreh se ato janë ndihma me zgjidhje afatshkurtër pasi të njëjtat po ashtu kanë bazë fosile.

    “Këto subvencionet qe po i jep Qeveria lidhur me klimat, pompat termike dhe të tjerat në aspektin ekonomik janë zgjidhje afatshkurtër për ekonominë familjare por në aspektin mjedisor nuk është se bëjnë në zgjidhje reale sepse në fund fundit edhe ato klima të gjitha e shfrytëzojnë energjinë elektrike e cila e ka bazën fosile, pra atë që prodhohet nga qymyri në termocentralet e KEK-ut nuk është zgjidhje afatgjate në aspektin mjedisor por në atë ekonomik social e ekonomik”, deklaroi ai.

    Ai shprehu nevojën e intervenimit të qeverisë lokale dhe asaj qendrore në përmirësimin e gjendjes aktuale të ajrit.

    “Secili qytetarë e di se çfarë ajri po e thithim, e dimë se kur është i tejkaluar në parametrat ndotëse, duhet intervenimi i qeverisë që situata të përmirësohet. Qeveria qendrore në aspektin e përgjegjësisë ligjorë dhe Kushtetuese duhet të merret me ndotësit e mëdhenjtë KEK-un, Ferronikelin, etj. Ndërsa ato lokale do të ishte e udhës që të merret me rregullim transporti sepse menjëherë pas sektorit energjetik, transporti është faktori i dytë që i kontribuon ndotjes, por edhe qytetarët i kanë përgjegjësitë e veta që mund të ndihmojnë në këto probleme qoftë nga kursimi i energjisë elektrike, sepse përveç se kursejnë xhepin e tyre, kursehet edhe mjedisi sepse 93 për qind e resurseve tona vine nga qymyri”, u shpreh Veselaj.

  • “Therrje me thikë”, si raportoi Policia rastin e sulmit të 18-vjeçarit në Podujevë

    “Therrje me thikë”, si raportoi Policia rastin e sulmit të 18-vjeçarit në Podujevë

    Prokuroria Themelore në Prishtinë gjatë së dielës përmes një komunikate ka dhënë detaje për rastin e vdekjes së 18-vjeçarit nga Podujeva.

    Aty thuhet se dy të dyshuar (të mitur) goditën me një shkop viktimën.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me rastin e dt. 15 janar 2024, në Podujevë, ku pas një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën (tashmë të ndjerin, 18 vjeç), duke i shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale “Vrasje në tentativë” (tashmë vrasje) dhe rasti ka filluar të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.” – kanë bërë të ditur nga Prokuroria.

    Por, ditën që ndodhi rasti, raporti i Policisë kishte përshkrim krejt tjetër. Sipas atij raporti viktima është therrur me thikë.

    “Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, të njëjtit kanë therrur me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar për në QKUK Prishtinë. Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje.

  • Hyn në fuqi rregullorja e re e “Prishtina Parking”

    Hyn në fuqi rregullorja e re e “Prishtina Parking”

    Sot do të hyjë në fuqi rregullorja e re për menaxhimin e parkingjeve të Prishtinës.

    Sipas njoftimit të Prishtina Parking, banorët rezidentë duhet të presin që brenda 30 ditëve të ardhshme të kontaktohen nga N.P.L. Prishtina Parking dhe në kontaktin që do ta realizojnë, do të informohen nëse dokumentet e tyre të dorëzuara më herët janë të plota.

    “Nëse dokumentacioni është i plotë, banorët do të ftohen të vizitojnë zyrat e N.P.L. Prishtina Parking për të realizuar kontratat e reja dhe pagesën e njëhershme administrative prej 10 euro. Nëse dokumentacioni nuk është i plotë, banori do të informohet se cilin dokument shtesë duhet ta plotësojë. Të gjithë banorët e regjistruar më herët do të kontaktohen brenda kësaj periudhe. Gjithashtu, përgjatë kontaktit do të informohen banorët që kanë parapagim për t’u rimbursuar. Deri në përfundim të kësaj procedure zyrat mund t’i vizitojnë banorët që nuk kanë qenë më herët të inkuadruar në sistem si banorë rezident apo ata të cilët kanë ndryshuar adresat ose automjetet (targat)”, thuhet në njoftim.

  • 26 vjet nga sulmi në familjen Jashari

    26 vjet nga sulmi në familjen Jashari

    Sot shënohet 26-vjetori i sulmit të dytë të Serbisë mbi familjen e komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz.

    Më 22 janar 1998, në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharëve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.

    Meqë atë natë Adem Jashari nuk ndodhej në shtëpi, rezistencë sulmit të policisë serbe i kishin bërë Shabani e Hamza, me nipa e mbesa.

    Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars 1998. Pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK, Adem Jasharin, shkruan KosovaPress.

  • ​Kurti: Plani i rritjes duhet të përshpejtojë anëtarësimin e BP në BE

    ​Kurti: Plani i rritjes duhet të përshpejtojë anëtarësimin e BP në BE

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Plani i Rritjes dhe Tregu i Përbashkët Rajonal i Procesit të Berlinit duhet të përshpejtojnë anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

    Kështu ka thënë Kurti gjatë darkës së mbrëmshme me liderët rajonalë të shtruar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

    Në komunikatën për media thuhet se kreu i ekzekutivit ka theksuar po ashtu se fondet e BE-së duhet të jenë të ndërlidhura me vlerat e BE-së.

    Kjo darkë i paraprin takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor së bashku me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që mbahet sot në Shkup kushtuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të miratuar nga Komisioni Evropian.

  • Sot mbahet samiti i BE-së në Shkup

    Sot mbahet samiti i BE-së në Shkup

    Sot në Shkup do të mbahet samiti i BE-së, kushtuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të miratuar nga Komisioni Evropian.

    Të pranishëm do të jenë liderët e Ballkanit Perëndimor, derisa Kosovën do ta përfaqësojë kryeministri Albin Kurti.

    Po ashtu pjesëmarrës janë dhe përfaqësuesit e lartë të administratës amerikane e të Bashkimit Evropian.

    Kujtojmë se të dielën është mbajtur darka e liderëve, ku është folur për zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

  • Borë në Shqipëri, vështirësohet qarkullimi

    Borë në Shqipëri, vështirësohet qarkullimi

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Deri më 50 centimetra ka arritur trashësia e borës në disa zonat të Shqipërisë.

    Reshjet e djeshme të borës, temperaturat e ulëta në – 10 *C, e erërat e forta, kanë bërë që shumë rrugë nëpër pjesët rurale të bllokohen.

    Pjesa më e prekur është Dibra në për akset rrugore të së cilës lëvizja është shumë e vështirë.

    Vështirësi kishte edhe në akset Bulqizë-Klos-Burrel, Bulqizë-Krastë, Ura e Çerenecit-Librazhd si dhe Qafa e Buallit-Qafë Murrizë.

    Gjendje hiq më e mirë nuk është as në Shkodër. Përveç borës, banorët e kësaj zone po përballen edhe me mungesa e energjisë elektrike.

    Ndërsa ne qytetin e Korçës trashësia e borës arrin deri 25 cm, ku qarkullimi me i automjeteve ishte i mundur vetëm me ndihmën e zinxhirëve. Madje gjatë natës, nga bora u bllokuan 4 vetura, ku është dashur ndërhyrja zjarrfikësve për të bërë të mundur tërheqjen e tyre dhe pasagjerëve që kanë qenë brenda.

    Meqë janë shkaktuar edhe një numër i madh i aksidenteve, autoritetet kanë kërkuar nga shoferët, që të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë. Ndërkohë që temperaturat kanë zbritur deri në -12 gradë celsius.

    Ndërkaq, Aksi Librazhd Peshkopi, fshati Stebleve ishte i pakalueshëm për shkak të ngricave të mëdha. Trashësia e borës ka shkuar në 50 cm. Në fshatrat e thellë të Librazhdit e Përrenjasit, sipas mediave në Shqipëri autoritetet po punojnë për hapjen e rrugëve.

    Ndërkohë që nëpër rrugët nacionale, kalohen më lehtë, pasi që në to bora u largua e është hedhur kripë për të mos pasur probleme nga ngricat.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: