ATV

Category: Lajme

  • IPK nis hetimet për zbardhjen e rastit të viktimës nga Podujeva

    IPK nis hetimet për zbardhjen e rastit të viktimës nga Podujeva

    Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka nisur hetimin për të zbardhur rastin e vrasjes së viktimës, Lulzim Fejzullahu nga Podujeva.

    Sipas përgjigjes së IPK-së ndaj RTK-së, janë duke grumbulluar raportet dhe provat për të shikuar nga fillimi trajtimin e rastit nga Policia, i cili kishte ndodhur më 14 janar në Podujevë mes disa të rinjve.

    “Veprimet e tjera do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat e hetimit preliminar dhe autorizimeve ligjore të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e institucionit.

  • Arkitektët tregojnë pse u rrëzua kulmi i Komunës

    Arkitektët tregojnë pse u rrëzua kulmi i Komunës

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me arkitektët, Visar Geci e Gëzim Kastrati kanë bërë një analizë të çatisë së Komunës së Prishtinës, e cila u rrëzua gjatë javës nga një erë e lehtë, duke lënë të lënduar një 23-vjeçare. Këta të fundit treguan në detaje për gabimet që janë bërë gjatë renovimit të çatisë, raporton EO.

    I pari i Kryeqytetit, fillimisht uroi shërim të shpejtë 23 vjeçarës së lënduar nga kulmi i çatisë së Komunës.

    Nga rrëzimi i kulmit ka pësuar lëndime trupore një qytetare, e Rama u shpreh para mediave të hënën se gjendja e saj është stabile, duke theksuar se është në kontakt me familjarët e saj.

    “Për fat të mirë, gjendja është stabile, por ende është në rrezikshmëri të lartë.Jemi në kontakt çdo ditë me doktorët, e kam qenë në kontakt me familjen e saj…Problemi me kulmin ka qenë edhe më parë. Duhet ekspertizë urgjente e preliminare për të ditur se çka e ka shkaktuar këtë problem me kulmin e ndërtesës…Kam ftuar ekspertët e fushës, Visar Gecin e Gëzim Kastratin, që i kam parë si profesionistë që veprojnë jashtë Komunës për të analizuar e për të na dhënë një gjendje preliminare për rrëzimin e kulmit”, ka thënë Rama.

    Rama ka shtuar se sikur të mos merreshin masat urgjente pas rënies së kulmit, do të mund të kishte edhe djegie të objektit.

    “Do të shohim edhe në objekte të tjera që mund të kenë probleme të tilla, të krijojmë struktura të reja që i analizojmë në numër më të madh të ndërtesave që janë pranuar teknikisht, të shohim a kemi problem masovik, apo problemi ekziston në disa pika të ndryshme”, ka shtuar kreu i Prishtinës.

    Tutje Rama tha se rasti i njëjtë është përsëritur edhe në vitin 2017 duke e bërë kurioz të dinë se çfarë ka shkaktuar rënien e tij në një objekt të ri.

    Përmes dy arkitektëve, siç tha Rama persona neutral që punojnë jashtë Prishtinës do të analizohen rrethanat dhe shkaqet e rastit.

    Geci tha se puna e kryer në këtë objekt është bërë jashtë standardeve profesionale e në disa pjesë me materiale të dobëta.

    “Vlerësimin e kemi bërë nga vendi i ngjarjes, normalisht se ne kemi kontaktuar edhe dy inxhinierë dhe jemi konsultuar me ta. Kulmi ka ra se nuk e ka strukturën të cilën do duhej ta ketë, dhe problemi më i madh ka qenë nuk është ekzekutuar ankerimi i binakeve të murit”, tha arkitekti Geci.

    Po ashtu ata thanë se dritaret nuk ishin në vendin e duhur, e prej herës se kaluar punimet janë bërë vetëm shkel e shko”, deklaroi ai.

  • Xhavit Haliti dënohet me 1 mijë euro gjobë për sulm ndaj deputetit të LDK-së, Arben Gashi

    Xhavit Haliti dënohet me 1 mijë euro gjobë për sulm ndaj deputetit të LDK-së, Arben Gashi

    Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti për sulm fizik ndaj deputetit të LDK-së, Arben Gashi, duke e dënuar me 1 mijë euro gjobë.

    Aktgjykimi ndaj Halitit u shpall të hënën, nga gjykatësi Driton Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktgjykimit, Haliti obligohet që gjobën prej 1 mijë euro ta paguaj në afate prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë se këtij vendimi.

    Në aktgjykim po ashtu thuhet se, në rast se i njëjti nuk dëshiron ose nuk mund ta paguaj dënimin me gjobë, gjykata do t’ia zëvendëson dënimin me gjobë në dënim me burgim duke ia llogaritur një ditë burgim me 20 euro gjobë.

    Haliti obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 60 euro dhe në emër të kompensimit të Fondit për viktima shumën prej 20 euro.

    Gjithashtu, gjykatësi Berisha bëri të ditur se detajet mbi dënimin e Halitit do jepen pas përpilimit të aktgjykimit.

    Kurse, ky rast më parë ishte gjykuar nga gjykatësja Sulltane Hoti, mirëpo pas kalimit të saj në Departamentin e Krimeve të Rënda, tani gjykohet nga gjyqtari Driton Berisha.

    Për Dreshajn, gjyqtari Berisha tha se e ka pranuar urdhrin dhe ka bërë kërkesë për kthim në gjendjen e mëparshme për ta zënë afatin për kundërshtim, por bazuar në shkresat e lëndës, nuk ka vendim për atë kërkesë nga gjyqtarja Hoti.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur në maj të vitit 2019 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Xhavit Haliti më 18 maj 2018 në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë me dashje ka sulmuar deputetin- tani të dëmtuarin Arben Gashi, duke e shtyrë me krahë dhe bërryl në gjoks.

    Me këtë, Haliti po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 187, par.1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

    Ndërsa, deputeti Gani Dreshaj thuhet se po të njëjtën ditë, me dashje, e kishte kanosur deputetin Gashi me fjalët “Kom me ta prish fytyrën”.

  • KEDS i zë afër 7 mijë kosovarë duke vjedhur rrymën, njëri nga ta mbi 52 mijë euro

    KEDS i zë afër 7 mijë kosovarë duke vjedhur rrymën, njëri nga ta mbi 52 mijë euro

    KEDS-i ka njoftuar se vetëm përgjatë vitit 2023, fiks 6715 konsumatorë-keqpërdorues të energjisë elektrike, janë detyruar t’i rikthejnë humbjet.

    Sipas kësaj kompanie, vlera më e madhe që një konsumator komercial është detyruar t’ia kthejë asaj në kuadër të rikthimit të humbjeve vitin e kaluar është 52 mijë e 489 euro.

    “Vetëm përgjatë vitit 2023, nga afro 100 mijë kontrolle, KEDS zuri fiks 6,715 konsumatorë-keqpërdorues duke e vjedhë energjinë elektrike. Për këtë periudhë ata janë obliguar t’i rikthejnë humbjet, që konsiderohet hapi i parë në kuadër të një sërë pasojash që i presin ata”.

    “Fenomeni i keqpërdorimit të energjisë elektrike që në praktikë klasifikohet si humbje komerciale, është i barabartë me diferencë ndërmjet energjisë së konsumuar dhe energjisë së faturuar. Humbjet komerciale po shkaktohen nga lidhjet direkt në rrjet, manipulimet në njehsorët elektrikë dhe metoda të tjera klandestine të devijimit nga pika matëse nga konsumatorë të pandërgjegjshëm”, thuhet në një njoftim të kësaj kompanie..

    KEDS-i thekson mes tjerash po vazhdon të realizojë rreth katërqind kontrolle ditore në mbarë Kosovën për identifikimin e keqpërdoruesve të energjisë elektrike, duke e rritur numrin e ekipeve të kontrollit dhe intensifikimin e tyre. Si kompani që po ecën në hap me trendet më të reja teknologjike-energjetike.

    Ajo njëherit iu bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të mos e keqpërdorin energjinë elektrike, sepse herët ose vonë do duhet të paguajnë për dëmet dhe e vetmja formë e mosndëshkimit është përdorimi i ligjshëm i saj.

  • ​Basha depoziton në Kuvend amendamentin e PD për buxhetin: 5 miliardë lekë ndihmë ushtarake për Kosovën

    ​Basha depoziton në Kuvend amendamentin e PD për buxhetin: 5 miliardë lekë ndihmë ushtarake për Kosovën

    Ashtu siç e paralajmëroi ditën e premte në konferencën për mediat, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka depozituar sot në Kuvendin e Shqipërisë një amendament të buxhetit të shtetit prej 5 miliardë lekësh në ndihmë të sigurisë së Kosovës.

    Duke parë situatën e fundit, që nga sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator siguria e Kosovës është cënuar, prandaj mbështetja e saj është një domosdoshmëri për Bashën nga ana e shtetit shqiptar.

    Basha propozon në kërkesën e tij miratimin e shkurtimit të disa investimeve kapitale jo të domosdoshme për mbarëvajtjen e ecurisë ekonomike të vendit dhe miratimin e një shtese “zëri” për ndihmë financiare ushtarake për Republikën e Kosovës në masën e 5 miliardë lekëve.

    Propozimi i Bashës:

    Duke marrë parasysh situatën e tensionuar të sigurisë në Republikën e Kosovës nën dritën e fakteve të një acarimi të paprovokuar të gjendjes së sigurisë nga Serbia, bëhet e domosdoshme një ndihmë financiare për nevoja të mbrojtjes dhe sigurisë nga ana e Republikës së Shqipërisë për Republikën e Kosovës prej së paku 5 miliardë lekë në vit, duke filluar nga viti 2024.

    Kjo ndihmë financiare ka për synim forcimin dhe zgjerimin e kapaciteteve ushtarake të Republikës së Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit dhe tërësisë territoriale në një kohë në të cilën Republika e Serbisë po riarmatoset me objektiva të deklaruar për ndërhyrje ushtarake në Kosovë në momentin kur konjuktura politike do ta mundësonte këtë veprim.

    Sulmi terrorist i 24 shtatorit në Kosovë nuk ishte një incident i izoluar. Terroristët janë trajnuar në baza ushtarake në Serbi, armët janë kontrabanduar në Kosovë prej muajsh, me qëllim që të provokojnë një skenar të ngjashëm me atë të Krimesë në 2014. Nuk ka dyshim se asgjë e këtyre përmasave nuk mund të ndodhë pa implikimin e autoriteteve shtetërore në Serbi. Dhe as nuk ishte ky i vetmi operacion për ndyshimin me forcë të status quo-së në të cilin është përfshirë aktualisht Serbia.

    Nxitja dhe mbështetja për shkëputjen e Republika Srpska nga Bosnje-Hercegovina, përpjekja për të kontrolluar infrastrukturën politike të Malit të Zi dhe infiltrimi i strukturave të armatosura paraushtarake në Kosovë për të orkestruar marrjen me dhunë të një pjese të territorit të një shteti të pavarur, të gjitha bëjnë pjesë në strategjinë e shtetit serb për të diktuar në terren një realitet të ri, të cilin liderët e Beogradit e etiketojnë publikisht si Bota Serbe.

    Kjo është një përpjekje për të imponuar ndryshimin e kufijve përmes ndarjeve de facto dhe pushtimeve të territorit. Rezultati përfundimtar do të përmbyste arkitekturën e sigurisë euro-atlantike të Europës Juglindore dhe do t’i jepte një goditje potencialisht vdekjeprurëse paqes dhe stabilitetit në Europë.

    Në një plan më të gjerë, kjo nënkupton përdorimin e Serbisë si gur shahu në një strategji të ideuar dhe orkestruar nga Moska me objektiva të qartë: Destabilizimin dhe zhytjen e Ballkanit Perëndimor në kaos dhe minimin e krahut juglindor të NATO-s duke hapur një front të ri në zemrën e Aleancës kundër luftës së paligjshme pushtuese të Rusisë në Ukrainë.

    Ndërkohë që përfaqësues të lartë të vendeve aleate kanë bërë të qartë se objektivat pas sulmit terrorist të Banjskës përbëjnë një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin, autoritetet më të larta të Kosovës kanë ngritur shqetësimin se 3 nga 4 brigadat e këmbësorisë së forcave të armatosura serbe janë pozicionuar në 48 baza operacionale përgjatë kufirit me Republikën e Kosovës, në pritje të një konjukture të volitshme për ndërhyrje ushtarake.

    E gjithë kjo tregon se duhet vepruar pa humbur kohë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës. Disa nga vendet aleate kanë hedhur hapa aktivë në forcimin dhe zgjerimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës. Por në ndihmë të Kosovës dhe mbështetjen e aleatëve të saj duhet të renditet edhe Shqipëria.

    Duke marrë parasysh shpenzimet kapitale të Buxhetit të Shtetit të vitit 2024, i propozoj Kuvendit të Shqipërisë:

    1 – të miratojë uljen nga 129 miliardë e 381 milion lekë në 124 milardë e 381 milion lekë duke shkurtuar investimet kapitale jo të domosdoshme për mbarëvajtjen e ecurisë ekonomike të vendit, siç janë restaurime zyrash, mobilime, blerje automjetesh, shpenzime kapitale jo-emergjente;

    2 – të miratojë një shtesë zëri “ndihmë financiare ushtarake për Republikën e Kosovës” në masën 5 miliardë lekë.

  • ​Sulmet e rebelëve Houthi – Italia, Franca e Gjermania thonë se nevojitet veprim në Detin e Kuq

    ​Sulmet e rebelëve Houthi – Italia, Franca e Gjermania thonë se nevojitet veprim në Detin e Kuq

    Italia, Franca dhe Gjermania po bëjnë thirrje për një mision detar të BE-së për të mbrojtur anijet e Detit të Kuq nga sulmet e rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen me një dokument të përbashkët që po paraqesin në takimin e së hënës të Këshillit të Punëve të Jashtme, shkruan ANSA, transmeton KosovaPress.

    “Duke pasur parasysh peshën e situatës aktuale dhe interesat tona gjeostrategjike, është e rëndësishme që BE-ja të demonstrojë vullnetin dhe aftësinë e saj për të vepruar si një aktor global i sigurisë, përfshirë në fushën detare”, thuhet në dokument.

    “Misioni do të jetë në përputhje me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Detit dhe do të jetë mbrojtës,” vazhdon ai, duke theksuar “rëndësinë e përdorimit të strukturave dhe aftësive tashmë ekzistuese” të misionit Emasoh/Agenor në ngushticën e Hormuzit.

    Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani ka thënë se misioni i Detit të Kuq mund të përfshijë pjesëmarrjen e vendeve jo anëtare të BE-së.

  • Krimet Ekonomike aksion në Zveçan, bastiset një depo

    Krimet Ekonomike aksion në Zveçan, bastiset një depo

    Njësia e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës është duke kryer bastisje në një lokacion në hyrje të Komunës së Zveçanit.

    Kontrollet po kryhen në një depo, ku dyshohet për veprimtari të kundërligjshme.

    Lajmin e ka konfirmuar edhe Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, i cili tha se aksioni po vazhdon.

    “Nga ora 9:30 ka filluar kontrolli në një depo në hyrje të Zveçanit nga ana e djathtë. Bastisjen e bën Njësiti për Krime Ekonomike nga Prishtina dhe ne ndihmojmë. Nuk kemi më shumë detaje sepse aksioni është ende në vazhdim”, ka thënë Elshani.

  • Vrasja e 18-vjeçarit, Bulliqi thërret mbledhje të jashtëzakonshme

    Vrasja e 18-vjeçarit, Bulliqi thërret mbledhje të jashtëzakonshme

    Komuna e Podujevës në krye me Shpejtim Bulliqin ka ftuar mbledhje të jashtëzakonshme nga ora 13:00, pas vrasjes së Lulzim Fejzullahut, 18-vjeçarit nga kjo komunë.

    Njoftimin e ka bërë vetë komuna, duke thënë se temë diskutimi do të jetë situata e përgjithshme e sigurisë në Podujev.

    “Kryetari i Komunës së Podujevës, z. Shpejtim Bulliqi sot nga ora 13:00 me datë 22 janar 2024 ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme(urgjente) të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi me temën; Situata e përgjithshme e sigurisë në Komunën e Podujevës”, thuhet në njoftim.

    Fejzullahu vdiq të shtunën si pasojë e lëndimeve të marra nga sulmi që iu bë prej dy të dyshuarve të moshës së mitur.

    Pamjet e rrahjes qarkulluan nëpër media, ku shihej se njëri nga të dyshuarit e godiste me stupc të bejsbollit në kokë tashmë të ndjerin Fejzullahu.

  • ​Përfundon mbledhja e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve shqiptarë në veri

    ​Përfundon mbledhja e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve shqiptarë në veri

    Nënshkrimi i peticioneve, i cili do të hapte rrugën për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komuna në veri të Kosovës, tashmë ka përfunduar. Këtë e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë përfaqësues të grupeve, të cilat e kanë iniciuar këtë proces.

    Darko Vuksanoviq, nga grupi për Zveçanin, ka konfirmuar për REL-in se gjatë ditës së parë (e premte, 19 janar) është mbledhur numër i mjaftueshëm i nënshkrimeve.

    Në komunën e Zubin Potokut, ku nënshkrimi është kryer gjatë periudhës 19-22 janar, janë mbledhur mjaft nënshkrime, ka konfirmuar Sërgjan Vuçiniq, njëri nga iniciatorët.

    Paraprakisht, edhe Sanja Kërtiniq, nga grupi iniciator në Mitrovicën e Veriut, ka thënë se procesi i mbledhjes së nënshkrimeve ka përfunduar. Të shtunën, më 20 janar, janë mbledhur nënshkrime të mjaftueshme edhe në komunën e Leposaviqit.

    Iniciatorët e nënshkrimit të peticioneve nuk kanë specifikuar se sa qytetarë kanë nënshkruar, duke thënë vetëm se janë mbledhur më shumë nënshkrime se minimumi i kërkuar.

    Në komunën e Mitrovicës së Veriut, peticionin është dashur ta nënshkruajnë së paku 3.640 votues me të drejtë vote, në Leposaviq 2.689 votues, në Zveçan 1.411 votues dhe në Zubin Potok 1.347 votues, shifra që përbëjnë 20 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve në këto komuna.

    Hapi i radhës tani është që peticionet e votuesve të regjistruar t’u dorëzohen kryetarëve të kuvendeve komunale.

    Pas dorëzimit të peticionit me nënshkrime, kryetari i kuvendit ka tri ditë kohë për t’ia përcjellë atë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për shqyrtim dhe verifikim.

    Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë të përshtatshme dhe i verifikon ato, organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditëve. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

    Pas kësaj, rezultati i dërgohet Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur zgjedhje të parakohshme.

    Kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023, në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët, në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

    Nisja e detyrës së tyre nxiti tensione në fund të majit të vitit të kaluar, të cilat kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR.

    Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

    Peticioni është nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, parti që bojkotoi zgjedhjet dhe largoi përfaqësuesit e saj nga institucionet e Kosovës, duke nxitur edhe largimin e serbëve të tjerë.

    Largimi nga institucionet u bë në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me ndërrimin e targave të makinave nga ato të lëshuara nga Serbia në ato që lëshohen nga Kosova, por që atëherë kjo çështje është zgjidhur.

    Por, në mesin e tetorit të vitit 2023, kjo parti deklaroi se ishte e gatshme të merrte pjesë në zgjedhjet në komunat në veri, pa vendosur asnjë kusht për pjesëmarrje në zgjedhje, siç kishte bërë më herët.

    Ky qëndrim i kësaj partie u mor pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje përfaqësuesve serbë në veri të Kosovës që të inicionin mbajtjen e zgjedhjeve të reja, në mënyrë që “levat kryesore të pushtetit të jenë në duart e tyre”.

    Kësaj thirrjeje i parapriu një sulm i armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator, kur një grup serbësh sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një polic. Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

  • ​Kurti: Për t’u integruar rajoni ekonomikisht, kërcënimet e sigurisë duhet të ndalen

    ​Kurti: Për t’u integruar rajoni ekonomikisht, kërcënimet e sigurisë duhet të ndalen

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për t’u integruar rajoni ekonomikisht, kërcënimet e sigurisë duhet të ndërpriten.

    Kurti gjatë tryezës në Shkup, në kuadër të samitit për Planin e Rritjes të Ballkanit Perëndimor, nënvizoi se besimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore nuk ndodhin nëse liria për mallra shfrytëzohet për bartjen e municioneve.

    Ai para liderëve rajonal por edhe përfaqësueseve politik nga BE-ja dhe ShBA-ja tha se anëtarësimi në Bashkim Evropian duhet të bazohet në merita.

    “Plotësisht e pranojmë qasjen që i kushtëzon mjetet me përafrimin e vlerave të BE-së, po ashtu i rritë përfitimet e Ballkanit Perëndimor dhe njëkohësisht e rritë edhe anëtarësimin e plotë për ata që janë të përkushtuar. Besojmë se aderimi në BE duhet të bazohet në merita. Ky plan i rritjes nuk është vetëm për reforma dhe rritje ekonomike, por gjithashtu duhet të jetë mundësi për bashkëpunim më të fuqishëm rajonal në vendet e Ballkanit. Duhet të jemi konstruktiv në angazhimin tonë dhe të jemi të vetëdijshëm për fuqinë transformuese të vendimeve tona. Kosova është e gatshme për reforma që rajoni të integrohet ekonomikisht dhe qytetarët të përafrohen. Kërcënimet e sigurisë duhet të ndërpriten. Kërkova besim dhe marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona dhe popujve tanë. Kjo nuk mund të ndodh nëse liria për mallra shfrytëzohet që të barten municione”, theksoi Kurti.

    Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor është i dobishëm, por duhet iniciativa më të shpeshta të BE-së për t’i ulur bashkë liderët rajonal, pasi sipas tij, të njëjtit mund t’i bëjnë punët pisë.

    “Patjetër se duhet të vendosim një rreth politik sikur kishim mbrëmë. Të takohemi rregullisht për shkak se edhe pse jemi shumë entuziast ne jemi ballkanas. Nëse nuk vini për të na ulur bashkë në tryezë mund t’i bëjmë punët pisë. Koordinimi teknik është shumë i rëndësishëm, ministrat ekonomik të kenë mesazh të qartë nga liderët se duhet të harrojnë historinë, andaj duhet të harroni se cila ngjyrë është flamuri i vendeve tona. Flamuri më i rëndësishëm është ai i BE-së, duhet të ulemi dhe teknikisht t’i diskutojmë detajet, shiritat e gjelbër dhe kështu me radh që të realizojmë këtë”, deklaroi Rama.

    E, nikoqiri i samitit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se ky samit është një lehtësim për vendet rajonit që do t’i hap dyert drejt tregjeve botërore për lirinë e mallrave dhe qytetarëve.

    “Një lehtësim që hap dyert e tregjeve botërore, mallrave, njerëzve dhe kështu me radhë. Kjo kornizë strukturore e fuqizuar me mbështetje financiare është një çelës për integrim më të shpejt. Gjithashtu rregullon edhe standardet me BE-në, duke promovuar integrim në rajon dhe BE. Kjo strategji për integrim të dyfishtë jo vetëm që përshpejton qasjen në BE, por jep edhe rezultate të mira, siç është tregtia dhe investimi më i madh, konkurrenca më e mirë dhe ligjshmëria rajonale më e mirë”, tha ai.

    I hapur për krijimin e tregut të përbashkët rajonal u shpreh edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    “Kur flasim për tregun e përbashkët rajonal ne jemi të hapur për të gjitha idetë, të gatshëm për të realizuar dhe besojmë thellë se mund të bëjmë këtë. Unë kam një lutje të madhe për të gjithë ju organizatat rajonale të BE-së që të na ndihmoni me çështje që ne duhet të zgjedhim disa probleme të mëdha me të cilat do të ballafaqohemi. E dini se duhet të harmonizohemi kur flasim për masat ekonomike dhe për politika të ndryshme para se të hyjmë në BE”, deklaroi Vuçiq.

    Nga Bashkimi Evropian, drejtor i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Gert Jan Koopman, theksoi se ideja e rritjes së BE-së përshpejton aderimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt bllokut dhe se qëllimi është që të dyfishohet ekonomia.

    Ai u shpreh entuziast për një gjë të tillë, megjithatë, tha se vendet e rajonit nuk duhet t’i bllokojnë fqinjët e tyre, pasi nuk do të kenë mundësi për hyrje në tregun e BE-së.

    “Qëllimi është që të dyfishohet ekonomia. Mësimet nga zgjerimi paraprak tregon se pikërisht tregu është vital. Tregjet rriten menjëherë pas aderimit në BE, deri tani janë rritur trefish prandaj është ky plani i rritjes. Kjo dëshiron punë, pasi për të hyrë në tregun e brendshëm nevojitet shumë punë. Ne tani i kemi përveshur mëngët që të angazhohemi, kjo mund të ndodh vetëm kur qeveritë e rajonit konsiderojmë se kjo është prioritet i lartë dhe të sigurohen se ndryshimet po miratohen. Këtu logjika thotë se ne do t’iu ndihmojmë të integroheni mes veti, derisa të integroheni në tregun e brendshëm. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi pa integrim të rajonit, ju nuk mundeni t’i shfrytëzoni mjaftueshëm leverditë e tregut të brendshëm. Këto dy gjëra duhet të shkojnë së bashku. Prandaj ne vendosëm kusht në këtë pjesë të planit të rritjes që thotë se ju nuk duhet t’i bllokoni fqinjët e juaj. Nëse i bllokoni fqinjët, atëherë nuk do të ketë mundësi për hyrje në tregun e brendshëm, pasi kosto e bashkëpunimit është shumë e lartë”, theksoi Koopman.

    Ndërkaq,ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, kërkoi po ashtu që vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të mund t’i bllokojnë fqinjët në nismën për zhvillimin ekonomik, e sipas tij, kushdo që përpiqet ta bëjë këtë, do të përballet me pasoja.

    “Në këtë proces askush nuk do të bllokojë dikë tjetër, pasi s’ka të drejt të vetos. Askush nuk do ta pengojë të drejtën për avancim pasi s’ka çështje dy palëshe të pazgjidhura. Kush e bënë këtë do të ballafaqohet me pasoja. Nëse një shtet dëshiron të pres dhe të vëzhgojë atëherë qytetarët e atyre shteteve duhet të vendosin nëse këta liderë politik janë të duhurit. Ajo që me të vërtet u inkurajova në këtë diskutim është se secili liderë e vëren dhe sheh rëndësinë për të avancuar në këtë drejtim. Ky ishte një takim me shpresë të madhe dhe premtim për punë të mëtutjeshme dhe do të shohim si do të avancojmë më tej”, theksoi O’Brien.

    Iniciativën e konsideroi të dobishme edhe kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajic./kp