ATV

Category: Lajme

  • “Dialogu dhe anëtarësimi nuk ndahen”, ndëshkimi për Banjskën “peng” i hetimit

    “Dialogu dhe anëtarësimi nuk ndahen”, ndëshkimi për Banjskën “peng” i hetimit

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Bashkimi Evropian është i palëkundur në qëndrimin se, për Kosovën dhe Serbinë, dialogu dhe anëtarësimi janë procese pashmangshëm dhe pandashëm të lidhura, nëpërmjet dokumenteve zyrtare, qëndrimeve politike dhe jo vetëm atyre.

    Qëndrimi i BE-së përbën përgjigje ndaj kërkesës së kryeministrit Albin Kurti për t’i ndarë këto procese.

    “Pa përparim në dialog nuk ka përparim në procesin e anëtarësimit në BE. Kjo është e shkruar në një numër dokumentesh, konkluzash të Këshillit, konkluzat e këshillit nga viti 2013, 2014 deri më 2022, në kornizën negociuese të Serbisë, në komunikimin për zgjerim këtë vit, raportet për Kosovën dhe Serbinë. Është shumë e qartë se çfarë pret BE-ja dhe shtetet anëtare, kur bëhet fjalë për anëtarësimin dhe dialogun. Në fakt është pjesë e procesit të njëjtë. Dialogu dhe anëtarësimi për Kosovën dhe Serbinë janë pashmangshëm dhe pandashëm të lidhura… Sigurisht nëse ka progres në njërën anë, do të reflektojë në procesin e anëtarësimit të partnerit në fjalë”, tha zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano.

    Pa komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, i cili mbrojti grupin terrorist-paramilitar të udhëhequr nga Milan Radojcic, BE-ja njoftoi se nuk mund të veprojë pa raportin përfundimtar hetimor nga institucionet e Kosovës.

    “Është e qartë që BE-ja pret bashkëpunim të pakushtëzuar nga të gjithë që mund të kontribuojnë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, kush janë fajtorët, kush e organizoi, kush mori pjesë, etj. Pozicioni ynë është i qartë, por që të vihemi në lëvizje dhe të nxjerrim pasojat, duhet t’i shohim rezultatet përfundimtare dhe zyrtare të hetimit të kryer nga autoritetet kosovare”, tha Stano.

    Katër muaj nga sulmi, institucionet e Kosovës nuk kanë treguar nëse raporti përfundimtar është gati dhe se kur do t’ia përcjellë Bashkimit Evropian.

  • Dorëzohen në KQZ peticionet nga katër komunat veriore

    Dorëzohen në KQZ peticionet nga katër komunat veriore

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Pas përfundimit të afatit për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkim të kryetarëve në komunat veriore, përfaqësues nga komuna e Leposaviqit, Zveçanit e Mitrovicës Veriore iu drejtuan të enjten Komisionit Qendror të zgjedhjeve.

    Ata dorëzuan peticionin me nënshkrime të qytetarëve, për verifikim nga ana e KQZ-së.

    Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, në një mbledhje të rregullt të këtij institucioni, konfirmoi se tashmë i kanë pranuar peticionet nga katër komunat veriore për shkarkimin e kryetarëve.

    “E konfirmoj që e kemi pranuar peticionin nga katër komunat. Ka numër të madh dhe nevojitet kohë zyrtarët me bë verifikimin e tyre”, tha Radoniqi.

    Verifikimi i nënshkrimeve nga ana e KQZ-së i hap rrugë votimit për shkarkimin e kryetarit, gjë e cila mund të bëhet vetëm nëse pro shkarkimit votojnë mbi 50 për qind e votuesve të regjistruar.

    “Atëherë konsiderohet që ky votim ishte i suksesshëm dhe do të organizohen zgjedhjet e parakohshme. Por nëse ky votim nuk përmbushet për shkak se nuk ka plotësuar 50% +1 të votave, konsiderohet se ky votim ka dështuar dhe nuk do të kenë të drejtën e organizimit të një peticioni edhe për 12 muaj”, tha ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

    Ndërkohë, ditë më parë KQZ-ja ka pranuar edhe peticionin për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Zubin Potokut.

  • LDK- ja kritikon qeverinë, s’ka dije për ta menaxhuar situatën me rrymën

    LDK- ja kritikon qeverinë, s’ka dije për ta menaxhuar situatën me rrymën

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Duke folur për vlerën e faturave të rrymës, Lidhja Demokratike e Kosovës vlerësoi se Qeveria Kurti nuk ka vizion dhe kapacitet për ta menaxhuar situatën me energjinë elektrike.

    Visar Azemi konsideron se për shkak të paaftësisë së ekzekutivit, qytetarët po pranojnë fatura me çmime të papërballueshme.

    “Qytetarët e Kosovës sot vazhdojnë të paguajnë fatura me tarifa të papërballueshme në një kohë kur secili produkt tjetër elementar është shtrenjtuar. Mos të harrojmë se çmimi i energjisë elektrike është rritur dy herë gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, i cili si opozitar, pikërisht këtyre qytetarëve u thoshte se çmimi i energjisë elektrike është shumë i shtrenjtë, përderisa qytetarët e Kosovës qëndronin mbi thëngjill”, tha Azemi.

    Teksa kritikoi ministren Artane Rizvanolli për vendimet e marra në fushën e energjetikes, Azemi shtoi se LDK-ja është e vetmja parti që ka program specifik për zgjidhjen e problemit me energjinë elektrike.

    “Në një moment kur Kosova e pati mundësinë për ta ulur varësinë nga thëngjilli, me projektin amerikan të gazit, ministrja e Ekonomisë, Artane Rzivanolli, bashkë me kryeministrin Kurti refuzuan këtë projekt duke u arsyetuar se çmimi dhe kostoja e lartë mund të bënin investime të tjera me një rrisk tjetër me kosto më të ulët e rrisk më të ulët… Kosova, që sipas kësaj qeverie, synon që deri në vitin 2031 të përmbushë 30 për qind të energjisë nga burimet e ripërtëritshme vazhdon të mos bëjë asgjë, vazhdon të mos ketë vizon dhe të jetë e paaftë në dinamikat që i kemi parë deri sot”, tha Azemi.

    Mes tjerash, anëtari i Lidhjes Demokratike tha se në kohën e krizës energjetike, Blloku A5 u la qëllimshëm jashtë funksionit që Martin Berishaj të tregtonte energji elektrike me shifra të larta.

  • Presidenti Pendarovski në Prishtinë, takohet me Kurtin e Osmanin

    Presidenti Pendarovski në Prishtinë, takohet me Kurtin e Osmanin

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Në Prishtinë qëndroi shkurt. Por, me t’u larguar tha se Maqedonia e Veriut i përkrah aspiratat e Kosovës për integrimin në institucionet euro-atlantike.

    Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, i cili erdhi për vizitë zyrtare fillimisht takoi homologen e tij, Vjosa Osmani. Ndonëse nuk pati deklarime për media, nëpërmjet një njoftimi u tha se mes tjerash u diskutua rreth sigurisë në rajon e më gjerë.

    “Takimi i sotëm me Presidentin Stevo Pendarovski ishte një mundësi e mirë për t’i diskutuar zhvillimet e fundit, çështjet e interesit të ndërsjellë, si dhe hapat për ta avancuar të ardhmen evropiane të vendeve tona”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

    Deklarim për media nuk pati as pas takimit që Pendarovski kishte me kryeministrin Albin Kurti. Megjithatë, nëpërmes një postimi të mysafirit nga Shkupi në rrjetet sociale u theksua se shteti fqinj jep kontribut aktiv në mbështetjen e paqes në Kosovë nëpërmjet KFOR-it.

    I mbështesim aspirimet euroatlantike të Kosovës. Si anëtare e NATO-s japim kontribut aktiv në mbështetjen e paqes në Kosovë, nëpërmjet pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it”, tha Pendarovski.

    Ushtarët e Maqedonisë së Veriut që shërbejnë në kuadër të KFOR-it janë të stacionuar në rajonin e Pejës të cilët Pendarovski i ka vizituar.

  • PSRK-ja e kundërshton mbrojtjen se denoncimi ndaj Dusko Arsiqit erdhi shkaku i një prone

    PSRK-ja e kundërshton mbrojtjen se denoncimi ndaj Dusko Arsiqit erdhi shkaku i një prone

    Përgatiti: Nora Luta

    Dëshmi rrëqethëse kishte dhënë Artan Krasniqi në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte në Butovc të Prishtinës, Dushko Arsiq.

    Krasniqi, vetëm 15 vjeç, gjatë prillit të 1999-s, nga maltretimet fizike e psikike që ka thënë se ia shkaktoi Arsiq, pasojat i vuan edhe sot.

    Ai gjatë dëshmisë kishte identifikuar Arsiqin, duke thënë se e kishte parë në mesin e grupit që kishte shtënë në drejtim të Brahim Shalës, të cilin të plagosur, e kishin detyruar ta bartë në shpinë.

    Prokuroria Speciale në fjalën përfundimtare të enjten, duke u bazuar në dëshminë e tij dhe të tjera prova ka kërkuar dënim maksimal për Arsiqin.

    Mbrojtja e ka kundërshtuar dhe ka tentuar ta ndërlidhë denoncimin ndaj Arsiqit me çështje pronësore. Vetë i akuzuari përsëriti versionin e tij edhe gjatë kësaj seance.

    “Ata më kanë kërcënuar që unë të tërhiqem nga padia për pronën, sepse do ta pësoj, nuk e kam ditur se do të akuzohem për krime lufte”, deklaroi i akuzuari Dusko Arsiq.

    “Kjo çështje ka lindur 23 vjet pas luftës, ngrihet kallëzim penal kundër njeriut që ka jetuar e punuar në Kosovë, e i martuar edhe atë me grua shqiptare, përnjëherë dëshiron të shesë tokën, kush janë blerësit të gjithë nga familja Krasniqi, nga fshati i njëjtë”, tha Nebojsha Vlaiq, avokat i Dusko Arsiqit.

    Derisa me kërkesë të trupit gjykues, u pajtua që të jetë i shkurtër në kohë gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare, prokurori Atdhe Dema reagoi kur mbrojtja shfrytëzoi më shumë se një orë, me qëllimin sipas tij të krijojë huti në publik.

    Gjykimi, gjatë të cilit u dëgjuan 12 dëshmitarë, 9 të PSRK-së, dhe tre të mbrojtjes e u mbajtën dhjetë seanca të shqyrtimit kryesor, nisi vitin e kaluar.

    Arsiq ishte arrestuar në dhjetor të 2021-s, në një nga pikëkalimet kufitare me Serbinë.

  • Salla e sporteve në veri reklamon pronat e Radojiçiqit, Steviqt e Petroviqit

    Salla e sporteve në veri reklamon pronat e Radojiçiqit, Steviqt e Petroviqit

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Restoranti i ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq, organizator dhe prijës i sulmit terrorist paramilitar më 24 shtator, në Banjskë, vazhdon të reklamohet në sallën e sporteve në Mitrovicë të Veriut.

    Reklama e “Restoran Grey”, në të cilin institucionet kryen bastisje më 29 Shtator, është e vendosur fare nën tabelën e rezultateve. Në murin tjetër, është e vendosur reklama e kompanisë “Rad 028”, pronë e Radule Steviç, që bashkë me Radojçiq, janë në listën e të sanksionuarve nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

    Kompania e sanksionuar nga SHBA-ja kreu punët në shumë prej projekteve pa leje të financuara nga Serbia, përmes strukturave të saj ilegale në Kosovë.
    “Rad” ishte në mesin e kompanive që fituan më së shpeshti në tenderë në kohën kur katër komunat me shumicë serbe në veri udhëhiqeshin nga Lista Serbe.

    Reklamën të madhe në sallë për kah dimensionet ka kompania “RP Gradnja”, pronë e Rados Petroviç, i cili ishte arrestuar më 29 Maj të vitit të kaluar në protestën e dhunshme në Zveçan.

    Petroviç, sipas Prokurorisë, dyshohet se bashkë me protestues të tjerë përmes dhunës tentuan të shkaktojnë trazira në veri.
    Një muaj pas arrestimit, i ishte aprovuar mbrojtja në liri. Ai njihet për afërsinë me Listën Serbe dhe ish-krerët e saj.

    Rreth 1.2 milion euro është vlera e investimit nga Fondi Zhvillimor për ndërtimin e sallës së sporteve në Mitrovicë të Veriut.

    Në Zyrën e BE-së nuk komentuan lidhur me këtë temë, duke thënë se projektet nga Fondi Zhvillimor, pas përfundimit, kalojnë në kompetencë të nivelit lokal.

    Me gjithë përpjekjet, ATV-ja nuk mori ndonjë qëndrim nga Komuna e Mitrovicës së Veriut, lidhur me këtë temë.

  • Ndodh edhe kjo vaki shqiptare, mësimdhënësit në Gjermani, nxënësit në shtëpi

    Ndodh edhe kjo vaki shqiptare, mësimdhënësit në Gjermani, nxënësit në shtëpi

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Shtatë ditë të pushimin dimëror nuk iu mjaftuan dy mësimdhënësve të kësaj shkolle të Pejës, prandaj atë e vazhduan edhe për disa ditë.

    Kjo bëri që 20 nxënësit e shkollës, të mos e mbajnë mësimin të mërkurën dhe të enjten.

    Për vazhdimin e pushimit, mësimdhënësit nuk e kanë njoftuar as drejtorinë e Arsimit në këtë komunë e as drejtorin e shkollës. Për këtë drejtori Cenë Gashi, thotë se ne qofte se nuk kthehen as të hënën, e kanë menduar një zgjidhje për nxënësit.

    “Nëse nuk kthehen, nxënësit e shkollës duhet me i pru në shkollën amë, duhet me u shpërnda nëpër paralele apo klasë që i takojnë. Nëse i bashkohen procesit të hënën kanë me i zëvendësua ato orë”, tha drejtori i shkollës “Fan Noli”, Canë Gashi.

    Megjithatë veprimi i dy mësimdhënësve, nuk do të kalojë pa masa.

    “Njeri nga ta nuk do te kthehet me në shkollë, ndërsa tjetri do të marrë vërejtje vetëm se po presim ta dëgjojmë arsyetimin e tij. Por, sido që të jetë tri mungesa e humb vendin e punës. Të hënën do të fillojë mësimi dhe ne kemi kuadro për t’i zëvendësuar lehtësisht ata”, tha drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, Naser Gega.

    Krejt kjo situatë e krijuar nuk iu pëlqeu fare prindërve, sipas tyre, më së shumti e pësuan fëmijët e tyre.

    “Nxënësit krejt barrën po e bëjnë se nuk po munden me viju mësimin qysh duhet”, tha Ramadan Gashi, banor i fshatit Rashiq.

    Megjithatë, nga komuna thanë se për shkak të numrit të vogël të nxënësve, kjo paralele do të mbyllet dhe nxënësit do të bartën në shkollën e fshatit Kryshec.

    Derisa në këtë paralele mësimi nuk u mbajt, në dy paralelet e tjera, në fshatin Broliq e në Kryshec, mësimi u zhvillua normalisht.

  • ​Lutjet e Mëngjesit në Uashington, cilët deputetë e Kosovës pritet të marrin pjesë

    ​Lutjet e Mëngjesit në Uashington, cilët deputetë e Kosovës pritet të marrin pjesë

    Edhe këtë vit, fundi i janarit do t’i gjejë disa deputetë të Kuvendit të Kosovës në Uashington, të cilët do të udhëtojnë atje për të marrë pjesë në ceremoninë e Lutjeve të Mëngjesit. Por cilët deputetë deri më tani kanë marrë ftesa nga Kongresi Amerikan?

    Nga Partia Demokratike e Kosovës ftesë nga Kongresi Amerikan ka marrë kryetari Memli Krasniqi, si dhe deputetet Ganimete Musliu e Ariana Musliu-Shoshi.

    Krasniqi në një përgjigje me shkrim për KosovaPress tha se është ftuar, por për shkak të angazhimeve të paraplanifikuara nuk do të merr pjesë këtë vit.

    “Unë jam i ftuar edhe këtë vit në Mëngjesin e Lutjeve, por për shkak të angazhimeve të paraplanifikuara, nuk do të marr pjesë këtë vit,” u shpreh Krasniqi.

    Në anën tjetër, deputetja tjetër opozitare e PDK-së, Ganimete Musliu konfirmoi se do të jetë prezente në ceremoninë e Lutjeve të Mëngjesit.

    “Po, jam e ftuar dhe do të marrë pjesë,” konfirmoi Musliu.

    Ndërkaq, deputetja tjetër e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi tregoi se nuk do të jetë prezente për shkak se Kuvendi nuk i mbulon shpenzimet për të gjithë, teksa shtoi kjo është shkelje e të drejtave të deputetit.

    Ajo madje dërgoi vendimin ku thuhet se “Nga buxheti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, do të mbulohen shpenzimet e udhëtimit, të akomodimit, të pjesëmarrjes dhe mëditje, përveç shpenzimeve të pjesëmarrjes për deputetin e dytë, të cilat nuk do të mbulohen nga buxheti i Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

    “Po jam e ftuar, por nuk do të marr pjesë sepse Kuvendi nuk i mbulon shpenzimet për të gjithë. Siç po shihet në vendim dhe kjo është shkelje e të drejtave të deputetit,” u shpreh Shoshi.

    Në anën tjetër, prej LDK-së, ftesë ka marrë deputeti Armend Zemaj. Ai tha se është i rregullt prej vitit 2010, dhe sa herë ato të mbahen, ai do të jetë aty.

    “Po, i rregullt jam unë aty, numër një jam prej 2010-ës, dhe vitin e ardhshëm sa herë të mbahet, veç ishalla jam shëndosh e rahat, se aty më ke”, konfirmoi Zemaj për KosovaPress.

    Ndërsa, zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli, ka konfirmuar se ftesë për këtë ceremoni ka marrë kreu i partisë, Ramush Haradinaj, dhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

    “Kryetari Ramush Haradinaj dhe deputeti Besnik Tahiri do të udhëtojnë në ShBA për të marrë pjesë në ceremoninë e Lutjeve të Mëngjesit, ku ndër tjerash kryetari Haradinaj në agjendë ka edhe disa takime tjera me rëndësi gjatë qëndrimit në ShBA,” konfirmon Xhemajli për KosovaPress.

    KosovaPress gjithashtu ka telefonuar zëdhënësin e Qeverisë, Përparim Kryeziun, por ai nuk është përgjigjur.

    Njejtë nuk është përgjigjur edhe shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.

    Ceremonia e Mëngjesit të Lutjeve mbahet me 1 shkurt që nga viti 1997. Në këtë ceremoni pritet të marrin pjesë shumë liderë, diplomatë dhe përfaqësues të shteteve nga mbarë bota.

  • Deputeti Gazmend Gjyshinca shkon në Londër për 140 vjetorin e “Fabian Society” dhe merr pjesë në konferencën vjetore të FEPS dhe FS

    Deputeti Gazmend Gjyshinca shkon në Londër për 140 vjetorin e “Fabian Society” dhe merr pjesë në konferencën vjetore të FEPS dhe FS

    Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca, në profilin e tij në facebook, ka publikuar foto nga Londra në 140 vjetorin e organizatës “Fabian Society” si dhe nga konferenca vjetore e Fondacionit për Studime Progresive Evropiane (FEPS) dhe të organizatës “Fabian Society” (FS).

    “Kënaqësi të ritakohemi me David Lammy, i propozuar nga Parita Laburiste e MB për Sekretar të Shtetit për Punë të Jashtme, dhe të bisedojmë për Kosovën, rajonin dhe planet e tyre për qeverinë e re të Britanisë së Madhe. Po ashtu me shokun e kolegun tjetër, deputetin portugez, Miguel Costa Matos. E ardhmja e Republikës sonë është e ndritshme”, ka shkruar Gjyshinca.

  • Presidenti i Maqedonisë së Veriut: Përkrahim aspiratat euroatlantike të Kosovës

    Presidenti i Maqedonisë së Veriut: Përkrahim aspiratat euroatlantike të Kosovës

    Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka njoftuar për takimin që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se shteti që përfaqëson përkrah aspiratat e Kosovës për integrimin në institucionet euroatlantike.

    Ai ka thënë se shteti maqedonas si anëtarë i NATO-s do të japë kontribut në mbështetje të paqes në Kosovë përmes pjesëmarrjes në KFOR.

    “Të dyja shtetet kultivojnë marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh pozitiv dhe konstruktiv, me dialog të hapur në të gjitha nivelet. Shprehëm interes për përparim të tij në të gjitha sferat e interesit të përbashkët. I mbështesim aspirimet euroatlantike të Kosovës. Si anëtare e NATO-s japim kontribut aktiv në mbështetjen e paqes në Kosovë nëpërmjet pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it”, ka shkruar Pendarovski në “Twitter”.