Një i burgosur ka sulmuar dy gardianë në Burgun e Pasjakut në Novobërdë.
Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar prokurori.
“Dy viktimat meshkuj kosovarë (gardianë të burgut) kanë pësuar lëndime trupore pasi janë sulmuar në vendin e punës nga i dyshuari mashkull kosovar (i burgosur). Viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, njofton raporti 24 orësh i policisë.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me vetaksidentin që ndodhi dje në Gjilan, ku ka vdekur një person.
Sipas Policisë, vetura duke mos iu përshtatur shpejtësisë së lëvizjes ka dalë jashtë rrugës dhe ka goditur shkëmbinjtë.
“Gjilan 25.01.2024 – 00:50. Raportohet për një vetë aksident trafiku ku një veturë duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, del jashtë rrugës duke goditur shkëmbinjtë. Lëndime vdekjeprurëse ka pësuar drejtuesi i veturës mashkull kosovar ndërsa pasagjeri ka pësuar lëndime të rënda. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Trupi i pajetë me vendim të prokurorit është dërguar në obduksion”, thuhet në raport.
Këtë të enjte u përdor për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gazi azot, për ekzekutimin e një të dënuari me vdekje.
I dënuari Kenneth Smith u vra duke e asfiksuar me gaz azot si një metodë që në Alabama po mendohet të çohet përpara si një alternativë më e thjeshtë ndaj injeksioneve vdekjeprurëse.
Smith, i dënuar për vrasje në vitin 1988, ishte një i burgosur i rrallë që i kishte mbijetuar një tentative ekzekutimi. Në nëntor 2022, zyrtarët e Alabamës e ndërprenë ekzekutimin me injeksion vdekjeprurës pasi u përpoqën për orë të tëra për të aplikuar një gjilpërë intravenoze në trupin e tij.
Por këtë herë, në dhomën e ekzekutimit, “xhelatët” ishin kujdesur që ai të mos i shpëtonte më dënimit kapital. Në fytyrë i kishin lidhur një maskë respiratore dhe në të kishin vendosur azotin, të cili i dënuari e mori në vend të oksigjenit.
Sipas gazetarëve të cilët ishin dëshmitarë të këtij ekzekutimi, Smith ishte i vetëdijshëm edhe pas disa minutash nga aplikimi i azotit, por kjo nuk zgjati shumë.
Pak përpara ekzekutimit, Smith bëri një deklaratë, duke thënë se ndër të tjera se më këtë veprim Alabama bëri që njerëzimi të bënte një hap prapa.
Kundërshtarët e dënimit me vdekje, duke përfshirë ekspertët e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, kanë thënë se metoda është eksperimentale me njerëzit dhe thjesht mund t’i lëndojë ata pa e vrarë ose ta çojë në një vdekje torturuese.
Ish-presidenti Donald Trump ka deklaruar në gjyqin kundër tij për shpifje ndaj autores E. Jean Carroll. Ai ka përsëritur dëshminë e tij paraprake që pretendimi i shkrimtares se Trump e ka dhunuar është vetëm një mashtrim.
“100% po”, i ka thënë Trump avocates së tij, Alina Habba në gjykatën federal në Manhatan, kur është pyetur nëse komentet e tij në tetor të vitit 2022, për këtë rast, kanë qenë të sakta.
Më herët gjatë së enjtes, avocatët e Carroll e kanë publikuar një incizim të seancave të kaluara, në të cilat Trump e ka quajtur ish-kolumnisten e revistës Elle, si “të sëmurë mendërisht”, dhe ka kërcënuar se do ta padisë atë.
“Është akuzë e rreme, nuk ka ndodhur kurrë, nuk do të ndodhte kurrë”, ka thënë Trump gjatë dëshmisë.
Caroll, 80-vjeçare, synon të fitojë një dëmshpërlim prej të pakën 10 milionë dollarëve, lidhur me mohimet e Trumpit, më 2019, se e ka dhunuar atë në mesin e viteve ’90 në zhveshtoren e një dyqani në Manhatan.
Në majin e vitit të kaluar, një tjetër juri e ka urdhëruar Trumpin ta paguajë Carollin, 5 milionë dollarë, pasi ai e ka mohuar pretendimin për dhunim. Gjyqi ka zgjatur katër ditë dhe argumentet përmbyllëse pritet të bëhen publike të premten. /REL
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se kryeministri Albin Kurti nuk ka qenë në gjendje me e respektua besimin e qytetarëve.
Ai thotë se Kurti u ka premtuar qytetarëve diçka, ndërsa ka vepruar diçka tjetër.
“Në rend të parë, Albin Kurti nuk u kanë në gjendje me e respektu besimin e qytetarëve edhe mos respektimi i qytetarëve është një lloj ofendimi edhe është ofenduese me e madhe se sa me i thanë qytetarit diçka dhe ti me vepru diçka tjetër në raport me qytetarin. Ka thënë që do të ketë zhvillim, ka thënë se do të ketë qasje në raport me FSK-në, Policinë, do të ketë sigurime shëndetësore, ka thënë se do ta ndalim gjakderdhjen financiare, nuk e kanë ndalë. Tash kur e sheh te çerdhet, te zhvillimi i bujqësisë, tash kur analizohet programi politik – ekonomik që duhet me u ballafaqua Qeveria aktuale me programin, na sot përballemi me veç një segment edhe me atë që veç ka qenë kundër Asociacionit, Albin Kurti, sepse kur flasim për VV-në, flasim për Albin Kurtin dhe ky është tash dëmi më i madh që ne duhet me folë për Albin Kurtin e jo për VV-në”, tha Humolli.
Ai tha se në kohën kur kishte hyrë në listën për deputet të VV-së, kishte bërë një marrëveshje me Albin Kurtin dhe Liburn Aliun.
“Interesi kombëtar më ka shtu me i ndihmu VV-së. Marrëveshja që kam bërë me Albinin edhe Liburnin, kam hy në listë. Mos të ishte kjo marrëveshje, unë s’do të isha në listë, por do t’i kisha ndihmu me krejt rrethin shoqëror VV-së, për arsye se nuk e ka mbajtur fjalën AAK-ja, nuk e ka mbajtur fjalën PDK-ja, nuk e ka mbajtë fjalën LDK-ja nga qytetarëve”, tha Humolli. /atvlive.tv
Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka pritur sot në një takim shefen e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.
Sipas një njoftimi nga UNMIK-u, Ziadeh dhe Tërnava kanë biseduar lidhur me gjendjen aktuale të marrëdhënieve ndërfetare në Kosovë.
“PSSP Ziadeh shprehu vlerësimin e saj për përkushtimin e kryemyftiut për të nxitur dialogun, për të mbrojtur tolerancën dhe për të promovuar bashkëjetesën”.
“Ziadeh theksoi rëndësinë e udhëheqësve fetarë si kontribues kryesorë në përpjekjet për paqe. Duke e njohur pozicionin e tyre unik për të ndikuar në ndryshime pozitive, ajo përsëriti rolin thelbësor që Bashkësia Islame ka në konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe më gjerë”, thuhet në njoftimin e lëshuar pas takimit.
UNMIK (Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë) ishte vendosur si Administratë e Përkohshme në Kosovë, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila u miratua në qershor 1999, pas sulmeve ajrore të NATO-s që i dhanë fund kontrollit të Beogradit mbi Kosovën.
UNMIK-u vazhdon të qëndrojë ende në Kosovë megjithëse roli i tij është tashmë minimal.
ShBA-ja dhe shtetet aleate të Kosovës kanë kërkuar disa herë që Misioni i UNMIK-ut duhet ta përfundojë edhe formalisht mandatin, pasi puna e tij ka përfunduar prej kohësh. Por, kjo është kundërshtuar nga Rusia dhe disa shtete të tjera, që e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se largimi i 10 deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje ka qenë reale, po të mos ndodhte problemi në veri të Kosovës.
“Ka qenë reale për arsye se po dua veç me e tregu një fakt që ne kur kemi diskutuar brenda një grupi të VV-së, ne kemi diskutuar për me e ndërtua një grup prej 10 vetave si opozitë brenda Vetëvendosjes, dmth me ba opozitë për me e shty programin e Vetëvendosjes me u realizu për shkak se e kemi parë që nuk ka opozitë që i bën presion”, tha Humolli.
Ai tha se grupi i VV-së ka qenë një prej grupeve që nuk ka pasë unitet më së shumti në krahasim me grupet e partive të tjera politike.
“Grupi i Vetëvendosjes ka qenë në fushatë prej grupeve që s’ka qenë unik, që s’ka pasë unitet më së shumti se sa krejt grupet e tjera politike. LDK-ja e ka pasë një unitet brenda strukturës, PDK-ja ka pasë një unitet, AAK ka pasë një unitet, kurse Vetëvendosja në fushatë ka hy si grupacion ose si formacion politik për një pikë të caktuar për me i çun ë opozitë partitë politike, të cilat nuk e kanë kryer misionin qysh ne kemi pretendu që ka pasur mundësi me i kry. Grupi i Vetëvendosjes ka zgjatë shumë për shkak të rrethanave edhe ndërkombëtare edhe të rrethanave problematike çfarë janë brenda Kosovës. Ka vazhdu me unitet për shkak të problemeve më të mëdha se sa do probleme që janë vlerësuar dytësore brenda grupit që nuk ka unitet të të menduarit. Tash në fazën për krijimin e unitetit të vepruarit të grupeve të cilat janë brenda Lëvizjes Vetëvendosje, ka dalë problemi i veriut, kanë dalë probleme tjera të cilat e kanë stopuar”, tha Humolli. /atvlive.tv
Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe guvernatori i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), Carlo Monticelli kanë nënshkruar sot marrëveshje në vlerë prej 25 milionë euro për krijimin e një sistemi të banimit social.
Projekti në fjalë ka fokus të veçantë familjet e cënueshme të shoqërisë të cilat kanë të ardhura të ulëta pa zgjidhje banimi.
“Përmes marrëveshjes parashihet shndërrimi i ndërtesave ekzistuese në banesa të reja sociale dhe të përballueshme, renovimi i shtëpive të cilat janë në pronësi të familjeve me të ardhura të ulëta si dhe ndërtimi i banesave të reja kolektive sociale. Në ceremoninë e nënshkrimit, Ministri Murati shprehu se “projekti për banimin social do të garantojë akomodimin e dinjitetshëm dhe të përballueshëm për familjet e cënueshme”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, guvernatori Monticelli ka deklaruar se “kjo iniciativë do të ndihmojë në realizimin e objektivit të përgjithshëm të vendit për krijimin e banimit social gjithëpërfshirës për qytetarët e Kosovës”.
Të dyja palët janë pajtuar që të thellojnë bashkëpunimin në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë akomodim të përballueshëm, efiçient dhe të sigurtë.