ATV

Category: Lajme

  • KQZ pranon kërkesat për verifikimin e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve në veri

    KQZ pranon kërkesat për verifikimin e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve në veri

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar kërkesat për verifikimin e nënshkrimeve të mbledhura në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq dhe Zubin Potok, për largimin e kryetarëve.

    Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, derisa ka shtuar se në përputhje me legjislacionin në fuqi do të verifikohet lista e nënshkrimeve.

    “Mund t’ua konfirmoj se gjatë ditës së sotme kemi pranuar edhe kërkesat për verifikim të nënshkrimeve të mbledhura në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq. Ndërkaq, siç kemi njoftuar, më parë kemi pranuar edhe kërkesën të njëjtë edhe nga Zubin Potoku. KQZ, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të verifikojë listën e nënshkrimeve, pra nëse nënshkruesit janë qytetarë me të drejtë vote në komunën përkatëse”, ka thënë ai.

  • ​Ndalohen dy persona për narkotikë në Han të Elezit

    ​Ndalohen dy persona për narkotikë në Han të Elezit

    Mbrëmë rreth orës 23:50 policët e stacionit në Han të Elezit, gjatë patrullimit në rrugën “Dëshmorët e Kombit” kanë ndaluar një veturë me targa vendore dhe gjatë kontrollit janë gjetur sasi e substancave narkotike, tetë doza të mbështjella marihuanë me peshë 11 gramë.

    Dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin e policisë dhe janë njoftuar njësia për hetimin e narkotikëve.

    Pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, dy personat e dyshuar janë liruar për procedurë të rregullt hetimore, ndërsa në cilësinë e provave materiale sasia e narkotikëve është sekuestruar.

  • ​Rritet çmimi i naftës

    ​Rritet çmimi i naftës

    Çmimet e naftës u rritën të enjten pas të dhënave që tregojnë kërkesë më të lartë në SHBA, vendi më i madh konsumues i naftës në botë, dhe vendimi i bankës qendrore të Kinës për të ulur raportin e rezervës së bankave, duke treguar më shumë masa mbështetëse që do të vijnë.

    Nafta e papërpunuar ndërkombëtare Brent u tregtua me 80.41 dollarë për fuçi në orën 10:20 të mëngjesit, një rritje prej 0.46% nga çmimi i mbylljes prej 80.04 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare të mërkurën.

    Standardi amerikan, West Texas Intermediate (WTI), tregtohej në të njëjtën kohë me 75.49 dollarë për fuçi, 0.53% më shumë nga mbyllja e së mërkurës prej 75.09 dollarë për fuçi.

    Çmimet e naftës u rriten në tregtinë aziatike për shkak të pritjeve të mëdha të kërkesës së SHBA pas një rënieje më të madhe se sa pritej në rezervat e naftës së papërpunuar.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Administrata e Informacionit të Energjisë (EIA) të mërkurën, inventarët komercialë të naftës së papërpunuar në SHBA u ulën me rreth 9.2 milionë fuçi në 420.7 milionë fuçi, krahasuar me pritjet e tregut për një rënie prej rreth 3 milionë fuçi. /AA

  • ​Kriza e Detit të Kuq kushton 95 milionë në ditë

    ​Kriza e Detit të Kuq kushton 95 milionë në ditë

    Kriza e sigurisë në Detin e Kuq ka shkaktuar 8.8 miliardë euro dëm në tregtinë e jashtme italiane që nga nëntori 2023, tha të enjten grupi i artizanëve të vetëpunësuar Confartigianato.

    Kjo është ekuivalente me 95 milionë euro në ditë, nga të cilat 35 milionë euro në eksporte të humbura dhe 60 milionë euro në furnizime të humbura.

    Ndikimi i ndërprerjeve në Detin e Kuq për shkak të sulmeve kundër anijeve civile nga rebelët Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen do të ndihet veçanërisht në rajonet veriore të Lombardisë, Emilia Romagna, Veneto, Toscana, Piemonte dhe Friuli Venezia Giulia, të cilat transportojnë mallra me vlerë 12.9 miliardë euro, 9.4 miliardë euro, 5.7 miliardë euro, 4.7 miliardë euro, 4.2 miliardë euro dhe 2 miliardë euro.

    Ekziston rreziku i “pasojave të rënda në rritjen ekonomike të Italisë”, paralajmëroi presidenti i Confartigianato, Marco Granelli. /ANSA

  • ​Kurti pret në takim Pendarovskin

    ​Kurti pret në takim Pendarovskin

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka pritur në takim presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

    Mediat janë lejuar të marrin pamje vetëm në fillim të takimit, raporton KosovaPress.

    Paraprakisht, Pendarovski është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

    Policia ka njoftuar se gjatë kësaj vizite do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore.

  • ​OBSH përsërit thirrjen për mbrojtje të civilëve në Gaza

    ​OBSH përsërit thirrjen për mbrojtje të civilëve në Gaza

    Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) kërkoi të enjten mbrojtjen e të gjithë civilëve, humanitarëve dhe punonjësve shëndetësorë në Gaza, duke përsëritur thirrjen e tij për një armëpushim të menjëhershëm.

    Duke përmendur sulmin e së mërkurës në Qendrën e Trajnimit Khan Younis në Gaza, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se ekipi i OBSH-së ndihmoi në evakuimin e 45 pacientëve në spitalin Al-Najjar, 15 prej të cilëve ishin në gjendje kritike, por një pacient vdiq gjatë rrugës.

    “Intensiteti i luftimeve ishte rritur dhe ekipi nuk arriti të evakuonte të gjithë të plagosurit”, shkroi Tedros në rrjetin X.

    “Ne kërkojmë mbrojtjen e të gjithë civilëve, humanitarëve dhe punonjësve shëndetësorë. Ne apelojmë për një armëpushim të menjëhershëm”, shtoi ai.

    Më herët, Thomas White, kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) në Gaza, tha se një sulm në Qendrën e Trajnimit Khan Younis ndodhi të mërkurën, gjatë të cilit dy raunde tankesh goditën një ndërtesë që strehon 800 njerëz.

    Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pas një sulmi të 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas, deri më tani duke vrarë të paktën 25.700 palestinezë dhe duke plagosur 63.740 të tjerë. Gati 1.200 izraelitë besohet se janë vrarë në sulmin e Hamasit.

    Lufta izraelite ka lënë 85% të popullsisë së Gazës të zhvendosur brenda në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa më shumë se gjysma e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së. /AA

  • ​Inspektorati i Punës me metoda të reja inspektimi, nga muaji maj me iPad digjital

    ​Inspektorati i Punës me metoda të reja inspektimi, nga muaji maj me iPad digjital

    Inspektorati i Punës dhe Mirëqenies Sociale është duke përgatitur inspektimin në teren me metoda të reja në formë digjitale.

    Rastet e shumta të shkeljeve të rregullave të punës, kanë shtuar nevojën për rritjen e numrit të inspektorëve, si dhe nevojën për inspektim më të shpejtë në kohë.

    Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, për KosovaPress ka treguar se ka nisur një projekt i ri për inspektim digjital.

    Nikçi thotë se nga muaji maj 2024, inspektorët mënyrën e inspektimit dhe shqiptimin e gjobave do ta bëjnë me iPad digjital në terren, gjë e cila do ta rritë cilësinë e inspektimeve.

    “Procesi i digjitalizimit, krijimi i digjitalizimit ka filluar vitin e kaluar. Në këtë proces jemi mbështetur nga SIDA suedeze dhe projekti i Bashkimit Evropian ESAP 2. Partnerë ekzekutues në Kosovë. Partner implementues në këtë proces e kemi edhe organizatën ndërkombëtare të punës në Kosovë. Ne jemi në fazën e dytë apo në fazën e zhvillimit të sistemit informativ të digjitalizimit. Ky Sistem i Informativ i Digjitalizimit parashihet që të përfundojë në muajin maj dhe në muaj maj gjithashtu të funksionalizohet dhe të vihet në punë. Ky sistem i digjitalizimit parasheh inspektime digjitale nga terreni. Do të kalohet nga letra e fortë në iPad digjital. Ky sistem gjithashtu ngrit numrin e inspektimeve ngrit cilësinë e inspektimeve dhe gjithashtu shkurton kohën e inspektimit. Gjithsesi një sistem i tillë ka qenë patjetër i nevojshëm sepse ka benificionet e tij, siç i përmenda dhe një sistem të tillë nuk kanë as inspektoratet e punës në rajon”, tha Nikçi.

    Nikçi shton se mënyra e inspektimit në formë digjitale është projekt i vetëm më të cilin do të pajiset Inspektorati i Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndryshe nga inspektoratet e tjera në rajon.

  • ​Mitrovicasit të ndarë në dysh për faturat e energjisë

    ​Mitrovicasit të ndarë në dysh për faturat e energjisë

    Qytetarët e Mitrovicës janë ndarë në dysh sa i përket faturave të energjisë elektrike. Derisa disa thonë se ato janë shumë të larta dhe se po faturohen më shumë sesa duhet, të tjerët besojnë se faturimi po bëhet korrekt dhe se po paguajnë aq sa po harxhojnë.

    Lavdim Behrami, qytetar nga Mitrovica, ka bërë të ditur për KosovaPress, se çmimi i faturës së energjisë është tejet i lartë. Ai dyshon se qytetarët e jugut po vazhdojnë të paguajnë energjinë për serbët e veriut, njëjtë si në të kaluarën.

    Përkundër ankesave që ka bërë, shtoi ai, energjinë po e paguan sërish me çmim shumë të lartë.

    ‘Jo pak, por është shumë shtrenjtë. Herë vjen 80 euro, 90, herë vjen 40, kur bëjmë ankesë thonë e ke harxhuar, por nuk e kam harxhuar sepse të njëjtat pajisje i kemi… Faji po ma merr mendja se është veriu. Ata s’janë duke paguar që 30 vjet, e pastaj po na rrisin faturat këndej deri të bëhet një zgjidhje për andej. Tjetër s’ka shans, sepse gjithmonë kanë ardhur faturat normal, tash e disa muaj dyfishi… Me dru ngrohemi, një televizor, bojler, lavatriqe, edhe ato para orës 11 të natës nuk lëshohen kurrë. Sot isha të bëj një ankesë, bile këtë muaj që kanë qenë fëmijët në pushim, s’kemi qenë në shtëpi dhe shumë më pak është përdorur rryma. Kam menduar se do të vijë shumë më lirë, ndërsa veç më shtrenjtë ka ardhur sesa muajin e kaluar kur kemi qenë në shtëpi të gjithë anëtarët. S’e di’, ka thënë Behrami.

    Edhe Idriz Rrustemaj, tha se çmimi i energjisë është shumë i lartë dhe se muajin e kaluar e ka ‘shkatërruar’ atë. Sipas tij, një kW duhet të ketë çmimin dhe qytetarët të paguajnë sado kW që harxhojnë njëjtë, dhe jo që ata të penalizohen nëse tejkalojnë 800 kW, e të paguajnë dyfishin e çmimit.

    “Muajin e kaluar na ka shkatërruar. Çka domethënë, nëse i harxhoj 800 kW, ose 200, 1 mijë kW, ta faturojnë rrymën qysh dëshiron ai – 100 për qind. Kilovati e ka çmimin e vet, prandaj si është e mundur? Kjo është veç se po mund t’ia bëjë popullit… Na i dha nga 100 euro neve pensionistëve, pas dy ditësh na i mori”, tha ai.

    Në anën tjetër, Nazmi Qaushi, një mitrovicas tjetër, theksoi se çmimi i faturave të energjisë nuk është i lartë, dhe se qytetarët po paguajnë aq sa po harxhojnë. Ai tha se qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos tejkalojnë 800 kW, sepse sipas tejkalimit dyfishohet çmimi.

    “Jo, nuk janë faturat e larta, aq sa kemi harxhuar janë duke u faturuar. Bëhet tejkalimi i 800 kW, dhe sipas tejkalimit është dyfishuar vlera… 130 euro kam paguar muajin e kaluar dhe këtë muaj gati njëjtë… Ngrohemi me stufa elektrike’, u shpreh për KosovaPress Qaushi.

    Smajl Kajtazi thotë po ashtu se çmimi i faturave të energjisë është normal dhe se është duke paguar vetëm aq sa po harxhon.

    “Faturat që më kanë ardhur dy muajt e fundit, janë normale si gjithmonë, as më pak dhe as më shumë, vetëm sa kam harxhuar… Muajin e kaluar kam paguar 33 euro, këtë muaj 32 euro… Unë i kushtoj goxha vëmendje… Jemi dy persona dhe ngrohemi me dru më shumë… Mua më ka lënë amanet gjyshi, ‘djalo shyme dritën sa herë të dalësh dhe të hysh, se për atë punë e kanë lënë”, tha ai.

    Ndryshe, përveç qytetarëve, reagime për dyshime nëse ka pasur rritje të çmimeve apo fryrje të faturave ka pasur edhe nga KMDLNJ, partitë opozitare dhe shoqëria civile.

  • Dorëhiqet kryeministri i Maqedonisë së Veriut

    Dorëhiqet kryeministri i Maqedonisë së Veriut

    Shërbimet e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut njoftojnë se kryeministri Dimitar Kovaçevski ka deponuar në Kuvend dorëheqjen e tij. Para se të dorëzoj mandatin, Kovaçevski deklaroi:

    “Talat Xhaferi ka përvojë në drejtimin e parlamentit, unë kam ardhur me një përvojë tjetër, në drejtimin e korporatave dhe ne kemi një stil tjetër si politikanë, por shteti me siguri do të mbajë të njëjtin drejtim, orientim properëndimor dhe synime strategjike, qeveria teknike do të kujdeset mirë për qytetarët. Kjo është diçka që e parashikon ligji dhe më 9 maj qeveria e re do të udhëhiqet nga unë dhe koalicioni që do ta çojë Maqedoninë në BE deri në vitin 2030.

    Më vonë gjatë ditës pritet edhe dorëheqja e kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, i cili të dielën pritet të marrë funksionin e kryeministrit teknik.

  • Mitrovica e Veriut dorëzon në KQZ mbi 4 mijë nënshkrimet e peticionit

    Mitrovica e Veriut dorëzon në KQZ mbi 4 mijë nënshkrimet e peticionit

    Nexhat Ugljanin, kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, ka thënë se ka dorëzuar në KQZ nënshkrimet e peticionit me mbi 4000 mijë nënshkrime për rrëzimin e kryetarit të kësaj komunë Erden Atiq, raporton EO.

    Ugljanin, ka thënë se dorëzimi i nënshkrimeve të peticionit në KQZ, është bërë në mënyrë të rregullt.

    Sipas tij, tash mbetet në duart e KQZ që procesi i shkarkimit të vazhdoj me procedura të tjera.

    “Faza përfundimtarë ka përfunduar ne e kemi kryer obligimin sipas Udhëzimit Administrativ dhe krejt në rregull ka kaluar dorëzimi në KQZ peticioni nga grupi iniciues. Janë 423 faqe, nënshkrimet janë 4148 edhe ajo procedura nga KQZ-ja ka qenë e rregullt, tash është në duart e ministrisë përkatëse dhe KQZ-së që të shkoj me tutje”, tha ai.