ATV

Category: Lajme

  • Besnik Bislimi i propozon Gjykatës Kushtetuese të garojë në zgjedhje

    Besnik Bislimi i propozon Gjykatës Kushtetuese të garojë në zgjedhje

    Përgatiti: Haris Ademi

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi po vlerëson se Gjykata Kushtetuese është duke devijuar prej misionit të vet. Sipas tij, organi më i lartë kushtetues në disa raste po përzihet në punët e Qeverisë, në disa prej nismave ligjore.

    Këtë reagim, Bislimi e tha të mërkurën, kur u paralajmërua prej Partisë Demokratike se do t’i drejtohet kësaj gjykate, lidhur me Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Medieve, nëse Qeveria nuk kërkon mendim për të, nga Komisioni i Venecias.

    “Ne këtë ligj do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese”, tha deputeti i PDK-së, Isak Shabani.

    Prandaj Bislimi propozon që, për kompetenca shtesë, Kushtetuesja të garojë në zgjedhje.

    “Duhet me u bë qeveri njëherë, me dalë me kërku vota si Gjykatë Kushtetuese, tani me dalë me caktu…”, tha Bislimi.

    Numri dy i qeverisë thotë se projektligji për KPM-në u është përshtatur direktivave të Bashkimit Evropian.

    “Është e qartë që duhet të krijohen rregulla që sigurojnë konkurrueshmëri, që mbrojnë të miturit dhe të rinjtë, menaxhim të standardizuar, transparencë të pronësisë, databazë të medias që operojnë në treg”, tha Bislimi.

    Ndryshe mendon Besnik Tahiri, që përmend akuzat për tentim të kapjes së mediave nga qeveria.

    “Këshilli i Mediave të shkruara dhe AGK-ja po akuzojnë se shteti është duke i marrë nën kontroll mediat online…”, tha Tahiri.

    Pavarësisht kundërshtimeve, anëtarët e pushtetit në komision arritën ta miratojnë projektligjin me gjashtë vota pro.

  • Furgoni me dinarë kthehet prapa, nuk lejohet të hyjë në Kosovë

    Furgoni me dinarë kthehet prapa, nuk lejohet të hyjë në Kosovë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Një furgon i cili po bartte 117 milionë, respektivisht rreth 1 milion euro dinarë serbë drejt Kosovës, nuk është lejuar të kalojë kufirin. Furgoni u ndalua në pikën kufitare në Jarinjë.

    Siç raportuan mediat serbe dinarët ishin të destinuar për pagat, pensionet, përfitimet sociale dhe pagesat tjera për serbët. Dinarët po transportoheshin në kasafortën e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq.

    Nga Dogana e Kosovës përmes një përgjigje për ATV-në thanë se vetëm zbatuan rregulloren e BQK-së, e cila parasheh që qarkullimi i mjeteve monetare duhet bërë prej kompanive të autorizuara nga BQK-ja.

    “Sot kanë ardhur përfaqësuesit e një kompanie, palës serbe, kanë pyetur në Jarinjë se a lejohet, ne ia kemi kumtuar që sipas vendimit të BQK-së, qarkullimi i mjeteve monetare duhet me u bo prej kompanive të autorizuara nga BQK-ja. Ne i kemi treguar që kompania duhet të jetë e licencuar dhe e autorizuar nga BQK-ja.”, thuhet në përgjigjen e Doganës së Kosovës.

    Lidhur me rastin reagoi edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili akuzoi Serbinë se këtë e bëri një ditë para mbledhjes së Këshillit të Sigurimit.

    “Imagjinojeni një paralele, ku para inspektorit doganor, shfaqet njё kamion me mallra tё konsumit tё përditshëm, nga individë qё prezantohen nё emër tё kompanive inekzistuese dhe pretendojnё qё mallin janё duke e dёrguar te njё kompani, e cila po ashtu nuk figuron askund nё regjistrat zyrtarё tё shtetit”, ka thënë Bislimi.

    Ky është transferimi i parë i parave pas 1 shkurtit dhe hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e qarkullimit të dinarëve.

    Kjo rregullore parasheh që euro të jetë valuta e vetme për pagesa në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

  • Rritet çmimi i naftës, 1,44 euro për litër

    Rritet çmimi i naftës, 1,44 euro për litër

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Naftëtarët vazhdojnë të shesin naftë shumë më shtrenjtë sesa e marrin.

    Derisa mesatarja e çmimit të importit gjatë muaji janar ishte 1 euro e 18 centë, në disa pika derivatesh çmimi i naftës ka shkuar në 1 euro e 44 centë, apo 26 centë më shtrenjtë se mesatarja e importit.

    Sidoqoftë në bazë të udhëzimit administrativ që aktualisht nuk është aktiv, parashihet që marzha e fitimit për naftëtarët të jetë 12 centë për litër, përfshirë edhe taksat, por që aktualisht naftëtarët fitojnë më shumë se kaq.

    “Është e vërtetë që kostos së shpenzimeve të naftëtarëve u është rritë kostoja e transportit, por nuk është aq e lartë sa që me reflektu menjëherë me 10 centë shtrenjtim, siç ka ndodhë në tregun tonë. Pra naftëtarët tanë janë ata që përfitojnë më së shumti në kurriz të qytetarëve për çfarëdo ndryshimi që ndodh”, tha njohësi i çështjeve të ekonomisë, Zekirja Shabani.

    Manipulimin me çmime, sipas Shabanit, e tregon fakti se ka kompani të tjera që shesin naftë me çmim deri në 14 centë diferencë në të njëjtën kohë.

    “Kjo e tregon më së miri situatën, kompanitë që janë furnizuar më herët do duhej t’i shesin me çmimin e mëhershëm, ndërsa pikat e derivateve që tashmë e kanë shtrenjtuar çmimin, po e shfrytëzojnë situatën që me e shitë me çmim të ri edhe sasinë e derivateve që e kanë ble me çmim të lirë, pra fitojnë shumë më shumë”, tha Shabani.

    Andaj, sipas një ish-ministri të Tregtisë, kjo do të duhej të rregullohej nga mekanizma të tjerë, teksa tregon shembuj nga vendet e rajonit.

    “Maqedonia e ka krijuar një rregullator i cili përcakton edhe politikat, por edhe çmimet e derivateve, ndërsa Kosova i është nënshtruar tregut të lirë. Por vendet të cilat nuk kanë institucione të forta siç është autoriteti i konkurrencës, inspektorati, kompanitë e fuqishme gjejnë hapësira për të krijuar favore me qëllim të përfitimeve sa më të mëdha”, tha Ismet Mulaj, ish-ministër i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë .

    Sidoqoftë, autoriteti i konkurrencës nuk tregoi nëse na shqiptuar ndonjë dënim për kompanitë e derivateve për rritje të çmimit të naftë, njashtu sikurse edhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë që nuk tregoi nëse do ta aplikojnë përsëri çmimin tavan për derivate. Ndërkohë, vetëm në janar, në Kosovë janë importuar mbi 57 milionë litra naftë.

  • Rruga Prishtinë – Mitrovicë, nesër nënshkruhet kontrata

    Rruga Prishtinë – Mitrovicë, nesër nënshkruhet kontrata

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Më shumë se një dekadë nga fillimi i punimeve, të enjten pritet të nënshkruhet kontrata për përfundimin e rrugës Prishtinë – Mitrovicë.

    Kështu konfirmoi për ATV-në, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

    “Tashmë kemi shpallë fituesin dhe nesër është nënshkrimi i kontratës dhe afati për kryerjen e punimeve është 1 vit nga data kur nënshkruhet kontrata pra nesër 1 vit, operatori ekonomik është i obliguar që t’i dorëzojë punimet e përfunduara. Është periudhë e shkurtër, por e kemi kushtëzua, sepse të gjitha shpronësimet janë përfunduar, të gjitha pagesat janë ekzekutuar”, tha Durmishi.

    Kontrata për ndërtimin e segmentit përfundimtar të rrugës që nisi të zgjerohej në vitin 2009, iu dha një konsorciumi pjesë e të cilit është kompania Ekskavatori, e kontraktuar edhe për ri-konstruktimin e rrugës Prizren – Prevallë.

    Pikërisht për kontratën në fjalë, Durmishi kishte thënë se ishte nënshkruar nën presion politik dhe se ishte interes i vetëm disa personave.

    “Kjo kontratë që po nënshkruhet nuk varet prej institucioneve tona, sepse është një njësit për implementimin e projekteve dhe bankave, duhet të merret aprovimi i bankave dhe bëhet një komision miks prej bankave dhe ministrisë dhe pra nuk ka shkuar përmes procedurave të prokurimit”, tha Durmishi.

    Ndonëse, për rrugën Prizren – Prevallë ka edhe procese gjyqësore për zëvendësministrin nuk paraqet problem.

    “Por, pavarësisht se çfarë ka ndodhur në rrugën Prizren – Prevallë dhe mënyrën si është nënshkruar kontrata, unë po them që i kam denoncuar publikisht të gjitha informatat që i kam dhe do ta denoncoj publikisht çdo informatë që do ta kem kur një kontratë nënshkruhet. Atje janë duke u zhvilluar disa procese gjyqësore edhe për këtë rrugën Prizren – Prevallë. Duhet ta presim epilogun e përfundimit të këtyre proceseve gjyqësore. Zgjasin shumë por jemi të detyruar që t’i presim sepse s’kemi si të bëjmë ndryshe. Në ndërkohë, në qoftë se nuk punon dhe nuk i përmbahet kushteve të kontratës, tani në këtë kontratë, ne menjëherë marrim masa, pavarësisht cili operator ekonomik është. Përderisa nuk është në listën e zezë, ne nuk mund t’ia pamundësojmë pjesëmarrjen në aktivitetet e prokurimit”, tha Durmishi.

    Nga 38 kilometra sa është gjatësia e kësaj rruge, gjatë gjithë kësaj periudhe kanë përfunduar mbi 20 kilometrat e para nga kryeqyteti.

  • Sërish kërkohet të ndryshohet ligji për skemën pensionale

    Sërish kërkohet të ndryshohet ligji për skemën pensionale

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Pas disa muajsh miratimi në Kuvend, Ligji për skemën pensionale rrezikon sërish të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e dorëzoi ligjin te Avokati i Popullit me kërkesë që më pas Avokati ta dërgojë për shqyrtim në Kushtetuese.

    Deputeti Shemsedin Dreshaj tha se kërkesa kryesore është largimi i kushtit për 15 vjet përvojë pune, me qëllim të përfitimit të pensionit kontributdhënës.

    “Këta që nuk e plotësojnë kushtin 15 vite punë shkojnë me skemën bazike të pensioneve me 100 euro, që e ka instaluar Kosova disa vite më herët. Ky ligj për opinionin është që nga viti i kaluar askush nuk përfiton nga ky ligj, për shkak asnjë nuk i plotëson 15 vite punë, ky ligj është jofunksional, nuk ka nevojë të ekzistojë fare, nëse nuk largohet 15 vite mund të shpallet si i vdekur”, tha Dreshaj.

    Avokatit të Popullit iu drejtua edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

    Ndërkohë, kërkesën për shqyrtim Avokati i Popullit në Gjykatën Kushtetuese duhet ta parashtrojë brenda afatit prej gjashtë muajve, pas hyrjes në fuqi të aktit të kontestuar.

    Ndërkaq, në gazetën zyrtare ligji është publikuar më 16 gusht 2023, prej edhe kur është në fuqi.

  • Shkurti, periudhë tranzitore para ndalimit të tërësishëm të përdorimit të dinarit

    Shkurti, periudhë tranzitore para ndalimit të tërësishëm të përdorimit të dinarit

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Institucionet kosovare u pajtuan që muaji shkurt të jetë si periudhë tranzitore para ndalimit të tërësishëm të përdorimit të dinarit në Kosovë.

    Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha se pas takimit me Kryeministrin Albin Kurti, u pajtuan për t’iu dhënë më shumë kohë përgatitjeve për zbatim të rregullores.

    Por Rashiq nuk dha detaje se si do të jetë kjo përudhë tranzitore.

    As Qeveria në një komunikata që lëshoi mbrëmë, në të cilën njoftoi për periudhën e tranzicionit, nuk dha detaje, por u tha se gjatë këtij muaji, do të sigurohemi që t’i japim të gjitha informacionet e nevojshme që ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur dhe se do të promovojmë fushata të komunikimit.

    Rashiq, i cili takoi edhe guvernatorin e BQK-së, tha se propozoi dy mënyra të implementimit dhe funksionalizimit sa i përket përdorimit të dinarit.

    “BQK-ja e Kosovës dhe ajo e Serbisë të zhvillojnë mes vete një lloj transaksioni. Dje kam marrë konfirmimin nga guvernatori se ata sot do ta kontaktojnë bankën qendrore në Serbi. Është mënyra tjetër kur bankat kanë përfaqësi këtu dhe në Serbi ta bëjnë kthimin e dinarit në euro direkt dhe përdorimi të bëhet këtu. Të gjithë njerëzit që nuk kanë llogari bankare kjo do t’i mundësojë ta hapin një pa pagesë”, tha Rashiq.

    Ministri, po ashtu, tregoi se ka marrë premtim nga kryeministri Kurti që institucionet shkollore dhe mjekësore të Serbisë në komunat veriore të Kosovës nuk do të mbyllen, por funksionimi i tyre do të vazhdojë. Njëkohësisht këto institucione do të vazhdojnë të qarkullojnë dinarë.

    Rashiqi, po ashtu, tha se bankat komerciale në Veri kanë qenë të paralajmëruar për vendimin e BQK-së qysh në shtator të viti 2022, por nga atëherë nuk ka pasur asnjë vullnet nga ana e bankave për t’u pajisur me licencë.

  • Si u zhvilluan “negociatat” e komunës me pronarët e tokave

    Si u zhvilluan “negociatat” e komunës me pronarët e tokave

    Përgatiti: Leart Hoxha

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, sqaroi të martën në emisionin Context, se kryeqyteti nuk ka nisur proces të ri të këmbimit të pronave.

    Sipas Ramës, ka vazhduar një proces të nisur më herët me pronarët e një toke në afërsi të Liqenit të Badocit, që ishte vlerësuar nga Ministria e Financave me vlerë 8 milionë Euro. Kjo tokë kishte kushte të ndërtimit, por ndërkohë u shpall zonë e mbrojtur dhe Komuna u detyrua të këmbejë tokë me pronarët.

    Sot, ATV-ja nga Komuna siguroi procesverbalet e takimeve të zyrtarëve të komunës me pronarët e tokës në Badoc.

    Në këto dokumente precizohet zyrtarisht se Komuna fillimisht iu kishte ofruar tokë në zonën e Matiqanit dhe kjo ofertë ishte refuzuar.

    Më pas, në një takim të tetorit 2023, pronarët e tokës në Badoc kishin kërkuar që këmbimi të bëhet me tokë në qendër të Prishtinës dhe kjo ishte refuzuar nga Komuna.

    Si përfundim ishte arritur pajtimi që kompensimi të bëhet me një pjesë të një parcele 80-hektarëshe tek Prishtina e Re, jo me krejt parcelën.
    Vendimi i Komunës së Prishtinës për këmbimin e tokës me pronarët Rrahman Haradini dhe Shaban Konxheli, është pezulluar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, si masë sigurie, pas padisë së IKD-së ndaj Komunës së Prishtinës.

    Ndërkohë, të enjten është thirrur seancë e jashtëzakonshme e Asamblesë Komunale me pikë të rendit të ditës “tërheqja e këtij vendimi për këmbim të pronave”.

  • ZRRE-ja bën përshtatje, refuzon kërkesën e KESCO-s për ngritje tarifash

    ZRRE-ja bën përshtatje, refuzon kërkesën e KESCO-s për ngritje tarifash

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në hapin e parë, Zyra e Rregullatorit për Energji ka hedhur poshtë propozimin e KESCO-s për ngritje të sërishme tarifave.

    Në raportin konsultativ si përgjigje ndaj aplikimit të KESCO-s për të hyrat e lejuara maksimale, Rregullatori refuzoi kërkesën rritjen e hyrave – e cila do të përbënte barrë të re për konsumatorët.

    Por kjo nuk është finale, pasi procesi vijon me hapjen e komenteve nga palët deri më 21 Shkurt.

    “Të hyrat e Lejuara Maksimale caktohen në nivelin që mundëson të licencuarit e rregulluar t’i mbulojnë kostot e arsyeshme operative dhe të mirëmbajtjes së aseteve të tyre dhe të realizojnë kthim të arsyeshëm në investimet e tyre”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

    Referuar praktikave nga e kaluara, eksperti i energjisë, Naim Bujupi, nuk pret që raporti përfundimtar të ndryshojë.

    “Të hyrat maksimale në bazë të kërkesës së KESCO-s janë rreth 410 milionë euro, ndërsa ato të propozuara nga ZRRE-ja janë diku 401 milionë euro. Nëse i krahasojmë me të hyrat e lejuara maksimale të vitit të kaluar, kemi një diferencë diku 3 milionë euro, që i bie që praktikisht nuk do të ketë rritje ose një rritje shumë e vogël”, tha Bujupi.

    Referuar faktorit korrigjues nga viti paraprak në vlerë 25 milionë euro, Bujupi sqaroi se ZRRE-ja mund të përshtatë të hyrat e akterëve të sektorit për të mos lejuar ngritje tarifash.

    “Faktori korrigjues është bërë te furnizuesi i shërbimit universal për faktin se kemi rritje të vlerës së importit, pra në bazë të bilancit të energjisë janë lejuar 70 gigavatë orë, ndërsa të realizuara janë diku 212 gigavatë orë. Praktikisht, kjo kosto duhet të mbulohet nga tarifat, mirëpo përshtatja e kostove mund të bëhet nga rregullatori”, tha Bujupi.

    Në raportin konsultativ, ZRRE-ja refuzoi edhe kërkesën e KEK-ut për ngritje të çmimit të furnizimit me shumicë për KESCO-n, nga 29.5 në 31.5 euro.

    Dy herë radhazi, më 2022 dhe 2023, Kosova pati ngritje të tarifave të energjisë elektrike.

  • ​Gjermania njofton paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën

    ​Gjermania njofton paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën

    Qeveria gjermane njoftoi një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë dorëzimin e 105 tankeve Leopard 1A5 dhe 30 automjeteve luftarake të këmbësorisë Marder, njoftuan mediat lokale të mërkurën.

    Gjermania i ka siguruar Ukrainës tashmë 30 Leopard 1, 90 automjete luftarake këmbësorie Marder dhe 18 tanke Leopard 2-A6 që nga pranvera e 2023.

    Shumica e këtyre të fundit janë aktualisht në një punëtori riparimi në Lituani, tha e përditshmja Frankfurter Rundschau.

    30 tanket e premtuara Leopard 1 vijnë nga stoqet e vjetra industriale dhe të Bundeswehr-it dhe aktualisht janë duke u riparuar plotësisht nga Rheinmetall, një kompani gjermane e armëve.

    Sipas faqes së internetit të qeverisë, Gjermania planifikon të dorëzojë edhe 15 tanke të tjera antiajrore Gepard dhe nëntë sisteme të mbrojtjes ajrore IRIS-T SLM për të mbrojtur qytetet ukrainase nga sulmet me raketa ruse.

    Që nga fillimi i luftës ruse, Gjermania ka dërguar armë me vlerë 17.13 miliardë euro (rreth 18.44 miliardë dollarë) në Ukrainë.

    Ndërkohë, SHBA ka siguruar armë dhe materiale të tjera me vlerë 43.86 miliardë euro dhe Britania e Madhe vjen në vendin e tretë me 6.57 miliardë euro armë të dërguara në Ukrainë.

    Muajin e kaluar, kancelari gjerman Olaf Scholz njoftoi planet për të përfunduar së shpejti një marrëveshje sigurie me Ukrainën, por nuk specifikoi një kornizë kohore.

    Gjermania gjithashtu ka bërë përparim në sigurimin e llojeve të reja të armëve. Muajin e kaluar, Ministria Gjermane e Mbrojtjes njoftoi se do t’i dorëzonte Ukrainës gjashtë helikopterë ushtarakë Sea King Mk41 të dekompozuar për herë të parë. /AA

  • Një grua goditet nga vetura në Prishtinë, i mbesin në rrugë çanta dhe këpuca

    Një grua goditet nga vetura në Prishtinë, i mbesin në rrugë çanta dhe këpuca

    Një grua dyshohet se është goditur nga një veturë në Prishtinë.

    Rasti ka ndodhur në lagjen “Dardania” në kryeqytet, derisa në pamjet e siguruara nga ATV-ja shihet se në rrugë ka mbetur një këpucë dhe një çantë dore.

    Ende nuk dihen rrethanat e aksidentit, teksa Policia e Kosovës kanë dal në vendin e ngjarjes./atvlive.tv/

    Lajmi në përditësim…