ATV

Category: Lajme

  • “Homofobët s’kanë vend n’Kuvend”, ndërpritet mbledhja e Komisionit për të drejta të njeriut

    “Homofobët s’kanë vend n’Kuvend”, ndërpritet mbledhja e Komisionit për të drejta të njeriut

    Nisma e të Rinjve për të Drejta të Njeriut (YIHR KS), nëpërmjet një aksioni ka ndërprerë mbledhjen e Komisionit për të drejta të njeriut në Kuvend duke kërkuar dorëheqjen e kryetares së këtij Komisioni deputetes Duda Balje dhe anëtares Labinotë Demi-Murtezi.

    Në një njoftim për media në të cilin ata kanë dërguar edhe një video të aksionit shihen duke mbajtur parullat ku shkruhej “Homofobët s’kanë vend n’Kuvend”. Ata gjithashtu kanë vendosur në tavolinën e Baljes një flamur të komunitetit LGBTIQ+ si dhe kanë fishkëllyer.

    “Duda Balje publikisht deklaroi përsëri që i qëndron prapa gjuhës së saj përjashtuese dhe diskriminuese ndaj personave LGBTIQ+ nën pretekstin klasik se ‘është mendimi im personal’. Këtë deklaratë e bëri sot në diskutimin që u mbajt në Kuvendin e Republikës së Kosovës me temën ‘Gjendja aktuale në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë’”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate për këtë aksion.

    Sipas tyre “është skandaloze dhe jashtëzakonisht shqetësuese që një deputete e Kuvendit, njëherit kryetare e Komisionit për të drejta të njeriut, nuk e kupton parimin bazë mbi të cilin duhet të funksionojnë këto pozita publike – të drejtat e njeriut janë universale dhe personat LGBTIQ+ meritojnë të drejta të barabarta”.

    Për këto deklarata publike sipas tyre Balje duhet të jep dorëheqje të menjëhershme nga pozita e kryetares.

    Ata kanë kërkuar që edhe deputetja Labinotë Demi-Murtezi të japë dorëheqje.

    “Diskriminimi vazhdon nga deputetja Labinotë Demi-Murtezi, prezente në këtë takim, që publikisht deklaroi që “personat LGBTIQ+ shpërndajnë sëmundje”, deklaratë të cilin e kemi dëgjuar nga ajo edhe në seancën e 16 marsit të vitit 2022”, thuhet në njoftim.

    Sipas tyre “kjo shpifje dhe gjuhë e urrejtjes ndaj personave LGBTIQ+ është e papranueshme dhe kërkon adresim të menjëhershëm nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës”.

    “Aksioni i sotëm e detyroi Duda Baljen ta lëshoj takimin të cilin vetë e ka organizuar. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Duda Balje nga Komisioni i Drejtave të Njeriut. Kërkesa është e njëjtë edhe për deputeten Labinota Demi-Murtezi”, thuhet në njoftim.

    Më herët Balje dhe Demi-Murtezi janë deklaruar kundër projektkodit civil i cili dështoi të miratohej në mars të vitit të kaluar. Si arsye u përmend pika e dytë e nenit 1138, që lejon bashkësitë civile mes personave të seksit të njëjtë.

  • Komisioni për sëmundje infektive shpall epideminë e kollës së keqe në Shkup

    Komisioni për sëmundje infektive shpall epideminë e kollës së keqe në Shkup

    Komisioni për sëmundje infektive në Maqedoninë e Veriut ka shpallur epideminë e kollës së keqe (pertusis) në Shkup për shkak të rritjes së rasteve me të prekur.

    Sipas të dhënave të Komisionit të publikuara të mërkurën, janë gjithsej 18 persona të prekur nga kolla e keqe dhe prej tyre, 14 raste janë regjistruar në Shkup.

    Vendimi i Komisionit duhet të miratohet nga Qeveria teknike e Maqedonisë së Veriut dhe shihet si “masë për të parandaluar përhapjen e infeksionit”.

    Kolla e keqe është paraqitur nga fundi i dhjetorit të vitit 2023 dhe në mesin e prekurve ishin dy foshnje në gjendje të rëndë shëndetësore.

    “Duke marrë parasysh shifrat e fundit, 18 raste të konfirmuara të kollës së madhe dhe duke pasur parasysh se ditëve të fundit ky numër është në rritje, veçanërisht në territorin e Shkupit, ku janë konfirmuar 14 raste, propozojmë që të rekomandohet shpallja e epidemisë në Shkup”, ka thënë të mërkurën, kryetari i Komisionit për sëmundje infektive, Aleksandar Petliçkovski.

    Komisioni ka kërkuar nga kopshtet dhe shkollat të mos pranojnë fëmijë të pavaksinuar me vaksinën DTP.“Kjo tingëllon paksa e frikshme, por në realitet duhet të na lehtësojë përballimin e rrezikut që vjen me kollën e keqe. Në atë drejtim ne jemi duke u përgatitur, gjegjësisht presim që të nxjerrim një udhëzim të përgatitur për trajtimin e gjendjeve epidemike nga Instituti i Shëndetit Publik dhe aktivitetet kyçe kanë për synim përfundimin e vaksinimit”, ka thënë Petliçkovski.

    Sipas tij, përhapja e kollës është pasojë e mosvaksinimit të popullatës.

    Nga Komisionit për sëmundje infektive thonë se “vaksina DTP mbron nga bakteret që shkaktojnë tri sëmundje ku bën pjesë edhe ‘pertusis’ ose kolla e keqe”.

    Sipas raportit vjetor të Institutit të Shëndetit Publik për vaksinimin e kryer në Maqedoninë e Veriut në vitin 2022, mbulimi me vaksinim primar me tri doza të vaksinës DTP është vetëm 83.9 për qind në nivel të shtetit./REL/

  • Banka Popullore e Serbisë thotë se Kosova nuk lejoi hyrjen e dinarëve

    Banka Popullore e Serbisë thotë se Kosova nuk lejoi hyrjen e dinarëve

    Banka Popullore e Serbisë tha se autoritetet në Kosovë më 7 shkurt nuk kanë lejuar që në territorin e këtij shteti të hyjnë fondet në dinarë.

    Pas këtij njoftimi të Bankës Popullore serbe, Radio Evropa e Lirë kontaktoi Doganën e Kosovës. Por, nga ky institucion thanë se nuk munden që menjëherë të deklarohen për këtë çështje.

    Sipas Bankës Popullore të Serbisë, fondet ishin të destinuara për të paguar pagat, pensionet, kontributet shoqërore dhe pagesat e tjera për serbët që jetojnë në Kosovë.

    “Në bazë të një praktike të kamotshme, automjeti i Bankës Popullore të Serbisë me mjete në dinarë, sot është dërguar në pikëkalimin në Jarinjë, ku paratë për transport të mëtejmë do të merreshin nga vetura e kompanisë ‘Henderson’, e cila ka licencë nga autoritetet e Prishtinës për transportin e parave. Por, ajo është kthyer pa asnjë shpjegim”, tha Banka Popullore e Serbisë përmes një njoftimi më 7 shkurt.

    Kjo bankë tha se paratë ishin të destinuara të shkonin në kasafortën që ajo ka në Leposaviq, një prej katër komunave në veri të Kosovës, ku serbët janë shumicë.

    “Banka Popullore e Serbisë dënon fuqishëm incidentin e sotëm dhe riktheson se është e nevojshme që menjëherë të shfuqizohen masat diskriminuese dhe të paligjshme të ndërmarra nga autoritetet e përkohshme në Prishtinë, për të mundësuar transportin dhe shpërndarjen pa telashe të dinarëve dhe për të parandaluar kufizimin e kushteve për jetë të popullatës serbe në ‘Kosovë dhe Metohi’”, u tha në njoftim.

    Që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës. Kjo rregullore parasheh që euro të jetë valuta e vetme për pagesa në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

    Megjithatë, në këtë rregullore thuhet se institucionet e licencuara për operim në Kosovë mund të kryejnë importin dhe eksportin e valutave. Dogana dhe Policia e Kosovës janë autoritetet përgjegjëse që sigurohen që importi apo eksporti ndërkufitar i euros apo valutave të tjera nga dhe për në Kosovë mund të lejohet vetëm “përmes paraqitjes së dëshmisë së licencës dhe autorizimit të lëshuar nga BQK-ja”.

    Serbia ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.

    Pensionet nga buxheti i Serbisë, zakonisht serbët në Kosovë i marrin në datën 10 të çdo muaji. Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 2 shkurt se mjetet nga buxheti serb të dedikuara për serbët në Kosovë do të dërgohen më herët seç ishte planifikuar.

    “Sot filluam t’i paguajmë paraprakisht rrogat, pensionet dhe përfitimet sociale për njerëzit tanë në Kosovë. Shumë më herët se sa ishte paraparë”, deklaroi Vuçiq.

    Ndërkaq, punëtorët e arsimit dhe shëndetësisë, që punojnë në bazë të sistemit serb, e marrin pagën në dy pjesë, 6 dhe 21 shkurt, kurse të punësuar në vetëqeverisjen lokale në ditën e 10 të çdo muaji.

    Vuçiq ka treguar se shteti i tij i ka 31.831 të punësuar në Kosovë, 29.115 pensionistë – prej të cilëve 4.700 i marrin pensionet në dorë – si dhe 31.586 shfrytëzues të ndihmës sociale.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme nuk është kundër dinarit serb dhe se serbët që pranojnë pensione dhe ndihmë tjetër nga Serbia me dinarë, mund të vazhdojnë t’i pranojnë ato, por ato pagesa duhet të deponohen në llogaritë bankare në Kosovë me euro.

    Kosova ka thënë se zbatimi i rregullores të BQK-së për operacione me para të gatshme do të bëhet përmes një periudhe të tranzicionit, duke mos specifikuar se sa do të zgjasë kjo periudhë.

    Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores, pasi kanë argumentuar se ajo hyri në fuqi pa konsultime paraprake. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur drojën se rregullorja mund të ketë ndikim negativ në popullatën serbe që jeton në Kosovë.

    Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka kritikuar vendimin e BQK-së, dhe kreu i kësaj partie, Zllatan Ellek, më 3 shkurt tha se ndalimi i përdorimit të dinarit “nënkupton dëbimin të serbëve dhe të gjitha institucioneve serbe” nga territori i Kosovës.

    Sipas Ellekut, afër 100.000 serbë do të preken drejtpërdrejt nga vendimi i BQK-së për ndalimin e përdorimit të dinarit./REL/

  • Krasniqi: Përpjekja e Qeverisë për ta paraqitur Kushtetuesen si rivale e dëmton demokracinë në vend

    Krasniqi: Përpjekja e Qeverisë për ta paraqitur Kushtetuesen si rivale e dëmton demokracinë në vend

    Gjatë raportimit në Komisionin për Administratë Publike, numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar ashpër kur nga deputetët e opozitës i është përmendur mundësia e çuarjes në Kushtetuese të Ligjit për KPM-në.

    Bislimi ka thënë se Gjykata Kushtetuese s’mund të shihet si një institucion paralel me Qeverinë dhe se dihet që rolet i kanë të ndara. Bislimi tutje ka thënë se Kushtetuesja për të marrë vendime sa i përket koeficientit të pagave dhe rreth asaj se sa anëtarë duhet t’i ketë KMP, atëherë duhet të dalë të kërkojë vota si Gjykatë Kushtetuese për ta bërë pastaj qeverinë.

    Ndaj kësaj gjuhet të zëvendëskryeministrit Bislimi ka reaguar anëtari i shoqërisë civile, Albert Krasniqi. Ai ka thënë se këto sulmet të zyrtarëve të Qeverisë ndaj Kushtetuese duhet të ndalen menjëherë.

    Sipas Krasniqit, përpjekja e Bislimit për ta paraqitur Kushtetuesen si një rival të Qeverisë është e dëmshme për demokracinë dhe për rendin kushtetues në vend.

    Ai në fund ka thënë se Kushtetuesja është institucion mbrojtës i Kushtetutës nga vendimet e gabuara të Qeverisë dhe nganjëherë edhe qëllimkëqija.

    “Sulmet e organizuara ndaj Gjykatës Kushtetuese nga zyrtarët e Qeverisë duhet të ndalen menjëherë!

    Përpjekjet për të dëmtuar kredibilitetin e Gjykatës Kushtetuese dhe për ta paraqitur atë si një rival të Qeverisë janë të dëmshme për demokracinë dhe për rendin kushtetues të Republikës. Gjykata nuk është parti politike opozitare që synon të fitojë vota, por është institucion mbrojtës i Kushtetutës nga vendimet e gabuara të Qeverisë dhe, ndonjëherë, qëllimkëqija”, ka shkruar Krasniqi.

  • Stano: Kosova rrezikon të mbetet prapa në rrugën drejt BE-së për shkak të veprimeve të njëanshme

    Stano: Kosova rrezikon të mbetet prapa në rrugën drejt BE-së për shkak të veprimeve të njëanshme

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka thënë të mërkurën se Kosova rrezikon të mbetet prapa në rrugën e saj drejt anëtarësimit në bllok, për shkak të, siç i quajti ai, veprimeve në njëanshme të saj.

    Ai i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të përqendrohen në përmbushjen e detyrimeve që dalin nga marrëveshjet për të cilat janë pajtuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

    Kosova është kritikuar vazhdimisht së fundmi nga BE-ja, për shkak të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ta ndaluar përdorimin e dinarit serb për transaksione me para ta gatshme në gjithë vendin, si dhe për mbylljen e disa komunave paralele serbe në Dragash dhe Pejë.

    BE-ja i ka quajtur të njëanshme këto vendime dhe ka kërkuar që Kosova t’i zgjidhë këto çështje në bisedime me Serbinë në dialogun e ndërmjetësuar nga ajo.

    “Po shohim shumë gjëra për të cilat kemi reaguar, sidomos në rastin e Kosovës, me veprime të njëanshme që kanë krijuar shqetësim për ne. Kjo krijon frikë në anën tonë se Kosova mund të mbetet jashtë dhe të mbetet prapa“, tha Stano.

    Rregullorja e BQK-së, e cila kërkon që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, hyri në fuqi më 1 shkurt, me gjithë trysnin e madhe ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj.

    Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha të mërkurën se gjatë një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, janë pajtuar se rregullorja e BQK-së për ndalimin e dinarit është në një periudhë tranzicioni.

    Vendimi për heqjen e dinarit në Kosovë përkon me mbylljen e komunave paralele që punojnë në sistemin serb dhe janë të paligjshme për Kosovën.

    Në dy javët e fundit janë mbyllur katër komuna paralele serbe në Dragash dhe në Pejë.

    Stano tha se nuk sheh rrezik për bllokim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Stano, pavarësisht mungesës së përparimit në disa takimet e fundit.

    “Dialogu po vazhdon dhe puna jonë po vazhdojmë për t’u ndihmojmë palëve që më në fund të fillojnë të sillen në mënyrë konstruktive dhe ato të lëvizin përpara. Nuk kemi frikë nga ndonjë bllokadë, në fakt ne nuk kemi frikë nga asgjë. Por, vetëm kem frikë që njerëzit në Kosovë dhe në Serbi të mbesin jashtë asaj që është për ta e rëndësishme, procesi i integrimit”, theksoi Stano.

    Ai shtoi se “ne vazhdojmë punën tonë dhe përfaqësuesi i posaçëm Mirosllav Lajçak, si dhe përfaqësuesi i lartë Joseph Borrell janë duke vazhduar punën me partnerët, si me ata në rajon ashtu edhe me ata në skenën ndërkombëtare, për të mundësuar të dyja palëve që të nisin të bëjnë hapa të cilat do t’u mundësonin avancimin në të gjitha çështjet në dialog… sidomos në zbatimin e gjithë asaj që është arritur vitin e shkuar si në Bruksel, ashtu edhe në Ohër”.

    Sipas BE-së, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe Aneksit për zbatimin e saj në fillim të vitit 2023. Por, ato nuk janë duke u zbatuar, pavarësisht trysnisë ndërkombëtare./REL/

  • Aksident trafiku në rrugën Gjakovë-Prizren, lëndohen tre persona

    Aksident trafiku në rrugën Gjakovë-Prizren, lëndohen tre persona

    Një aksident ka ndodhur sot në rrugën Gjakovë-Prizren, tek vendi i quajtur” fshati slloven”.

    Aty janë përfshirë dy automjete dhe lëndime kanë marrë tre persona, të cilët më pas janë dërguar në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovës.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

    “Në rrugën Gjakovë-Prizren, tek vendi i quajtur “fshati Slloven”, rreth orës 12:20 është pranuar informatë për aksident trafiku”.

    “Menjëherë policia ju ka përgjigjur rastit dhe ka dalë në vendin e ngjarjes. Në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete udhëtarësh, ku përveç dëmeve materiale tre persona janë dërguar në Spitalin e Përgjithëshme në Gjakovë për trajtim mjekësor. Njësia e trafikut rajonal është duke trajtuar rastin”.

  • Haxhiu takohet me homologun britanik: U rikonfirmua mbështetja e bashkëpunimin në fushën e drejtësisë

    Haxhiu takohet me homologun britanik: U rikonfirmua mbështetja e bashkëpunimin në fushën e drejtësisë

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është takuar me homologun e saj britanik, Alex Chalk.

    Haxhiu tha se gjatë takimit me Chalk u rikonfirmua mbështetja dhe fuqizimi i bashkëpunimit në fushën e drejtësisë.

    Ndërsa, dje, Haxhiu ka takuar edhe kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns.

    Gjatë takimit, Haxhiu e Kearns, folën për forcimin e sundimit të ligjit, situatën politike dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

  • Rushiti: Në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, kemi arritur t’i identifikojmë dy persona të dyshuar për dhunim gjatë luftës

    Rushiti: Në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, kemi arritur t’i identifikojmë dy persona të dyshuar për dhunim gjatë luftës

    Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), të mërkurën ka lansuar projektin “4CRSVsurvivors” Rrugët drejt fuqizimit: Promovimi i drejtësisë, shërimit dhe gjithë përfshirjes për të mbijetuarit e dhunës seksuale lidhur me konfliktin, raporton Ekonomia Online.

    Feride Rushiti, drejtore ekzekutive e kësaj qendre deklaroi se procesi i përkrahjes fillon që nga momenti kur gratë dhe burrat paraqitën, janë të obliguar t’i informojnë në mënyrë të drejtë se si do shkon procesi e deri tek çështja me familjarët.

    “Pasi ajo do kalon në proces jo te lehtë andaj ne kërkojmë që edhe familjarët t’i mbështetin të mbijetuarit e dhunës seksuale”, deklaroi Rushiti.

    Rushiti tha se në momentin kur e mbijetuara gjen forcë, realizimi i intervistës bëhet në organizatat joqeveritare cilat janë të licencuara për këtë drejtim, me prezencë të psikologut.

    Sipas saj mbyllja e një sekreti për më shumë se 25 vite nuk është e lehtë, andaj kërkoi më shumë kujdes e vëmendje.

    “Vitin e kaluar kemi arritur bashkërisht me Prokurorinë Speciale, të punojmë me 6 raste ku dy prej tyre i njohin kryesit e veprës. Po ashtu gjatë 2023-ës për herë të parë Gjykata Supreme vërtetoi rastin e Apelit për dënimin e njërit nga të arrestuarit për krime lufte dhe pas 24 vitesh është vendos drejtësia në vend”, u shpreh ajo.

    Rushiti shtoi se shumica  e grave të burrave dhe grave që shkojnë  në seanca thonë qe pa drejtësi s’ka paqe e as qetësi në vend.

  • Dogana zbulon mbi 13 mijë euro të padeklaruara në një veturë në Bërnjak

    Dogana zbulon mbi 13 mijë euro të padeklaruara në një veturë në Bërnjak

    Dogana e Kosovës njofton se në pikë kalimin kufitar në Bërnjak u ndalua një automjeti ku edhe u zbulua një sasi e konsiderueshme e mjeteve monetare të padeklaruara, mbi 13 mijë euro.

    “Pas ndaljes së automjetit nga oficerët doganorë, të cilët në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kryen kontrollin e hollësishëm të automjetit. Gjatë këtij kontrolli, në çantën e drejtuesit të mjetit u zbulua një shumë e mjeteve monetare të padeklaruara në lartësinë prej 13,350 euro”, thuhet në njoftim.

    Sipas Doganës në përputhje me procedurat, 25 për qind e kësaj shume do të konfiskohet, që do të thotë një shumë prej 3,337.50 euro.

    “Kjo masë është ndërmarrë si pasoje e shkeljes së rregullave të deklarimit monetar, derisa shuma e mbetur do të nënshtrohet një verifikimi të mëtejshëm në lidhje me origjinën e këtyre mjeteve monetare, në bashkëpunim me sektorët kompetentë dhe në koordinim me prokurorinë”, thuhet në njoftim.

    Dogana e Kosovës ka aplikacionin eDogana për pajisjet e mençura android dhe ios, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron shërbime tjera me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe komunitetit të prodhuesve dhe tregtisë në përgjithësi.

  • Digjitalizimi i arsimit dhe vështirësitë e mësimdhënësve

    Digjitalizimi i arsimit dhe vështirësitë e mësimdhënësve

    Viti i ri shkollor në Kosovë, prej kohësh, nuk nis pa ndonjë sfidë – sivjet ishte sigurimi i teksteve shkollore, vjet ishte greva e mësimdhënësve.

    Por, ajo që tani viteve të fundit i është shtuar arsimit është digjitalizimi i shkollave.

    Një nga shkollat në të cilën është zhvilluar digjitalizimi është Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Tefik Çanga” në të cilën ka tabela digjitale përmes të cilave nxënësit po i kryejnë prezantimet e tyre.

    Një nga nxënëset, Anila Alija e cila bëri prezantimin e saj përmes tabelës digjitale tha se në fillim ka qenë vështirë ta praktikojnë atë.

    Megjithatë, nga menaxhmenti drejtues thonë se praktikimi i tabelave digjitale nuk është i vështirë por kanë nevojë për rritjen e numrit të tabelave digjitale.

    Por jo në të gjitha shkollat në vend digjitalizimi ka shënuar avancim, si rrjedhojë prindërit thonë se digjitalizimi i arsimit është një proces i domosdoshëm, meqë mësimnxënia aktuale nuk përkon me epokën digjitale./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: