ATV

Category: Lajme

  • Asnjë bankë serbe s’ka aplikuar për licencim në BQK

    Asnjë bankë serbe s’ka aplikuar për licencim në BQK

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pavarësisht se kanë kaluar 10 ditë që nga hyrja në fuqi e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës më të cilën parashihet që pagesat në Kosovë të kryhet vetëm me euro, asnjë bankë serbe nuk ka aplikuar për licencim.

    Sipas rregullores që nga hyrja e saj në fuqi, bankat kanë kohë 30 ditë që bëjnë kërkesë për licencim. BQK-ja përmes një përgjigje për ATV-në nuk dha detaje nëse edhe bankat të cilat tashmë operojnë në Kosovë kanë aplikuar për këtë licencë.

    “Ju informojmë se që nga hyrja në fuqi e rregullores, Për Operacionet me Para Të Gatshme nuk ka aplikuar – s’ka bërë kërkesë për licencim asnjë bankë që vjen nga shteti serb. Procedurat dhe kriteret e licencimit janë të rregulluara me Rregulloren e BQK-së për Licencimin e Bankave dhe Degëve të Bankave të Huaja. Për çdo aplikues, procedurat dhe kriteret për licencim janë të sqaruara”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

    Ndërkaq sipas ekonomistëve bankat në Kosovë mund edhe të hezitojnë për të hapur filiale në komunat veriore për shkak të situatës së brishtë atje.

    Sipas tij afati për 30 ditësh edhe mund të shtyhet.

    Në rregullore të BQK-së për para të gatshme në nenin 36 parashihet se këmbimet valutore mund të kryhen në Republikën e Kosovës vetëm përmes institucioneve të licencuara nga BQK-ja që ofrojnë këtë shërbim.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Qeveritarët optimistë për autostradën deri në Gjilan

    Qeveritarët optimistë për autostradën deri në Gjilan

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Sikurse ky ekip i ATV-së, për ta shfrytëzuar autostradën Prishtinë – Gjilan, qytetarët duhet të presin edhe një kohë. E paraparë të përfundonte në vitin 2020, punët në terren, po shkojnë ngadalë.

    Ndonëse në vende të caktuara është kantier ndërtimi, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi është optimist që segmenti deri në Bresalc të finalizohet gjatë këtij viti.

    “Nga Banulla ku fillon autostrada e deri në Bresalc disa lote janë para përfundimit kanë mbet vetëm këto punët finale ne disa ka pak ma shume pune dhe jemi duke punu një urë, që është në pjesë të Zheovcit dhe na kanë mbet disa pjesë të gërmimit që duhet me i përfundua që me e hapë komplet trasenë dhe deri ka gjysma e vitit po shpresojmë qe deri kah gjysma e vitit ta përfundojmë komplet deri ne Bresalc”, tha Durmishi.

    Për projektin që në veçanti do t’iu shërbejë banorëve të Anamoravës dhe Luginës së Preshevës, foli edhe kryetari i Gjilanit. Alban Hyseni theksoi problemet.

    “Problemet me shpronësimin, rrëshqitjet e dheut për shkak të kualitetit jo të mirë të projekti. Kemi pas edhe zvarrite të punëve nga operatori për shkak të ngritjes së çmimeve që kanë sjellë problem. Unë besoj që brenda këtij viti autostrada e Gjilanit do të jetë temë e harruar”, tha Hyseni.

    Ndërkohë, ministria e Infrastrukturës pritet ta shpallë tenderin për ndërtimin e segmentit nga Bresalci deri të Dheu i Bardhë. Fillimisht janë paraparë 60 milionë euro.

    “Këto nuk mjaftojnë por planifikohet që autostrada në tërësinë e saj, pra deri te Dhe u Bardhe faza e ndërtimit te zgjasë 4 vite… kështu që një pjesë e buxhetit është e parapare ne vitin i cili nuk është ende në buxhet pra ne vitin 2024-25 dhe 2026-27 që të përfundojë në tërësi”, tha Durmishi.

    Gjatësia e autostradës nga Prishtina deri në Gjilan është 22 kilometra, teksa mbi 12 kilometra janë të asfaltuara dhe të përfunduara.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Faturat në veri pritet të shpërndahen gjatë këtij muaji

    Faturat në veri pritet të shpërndahen gjatë këtij muaji

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Gjatë muajit shkurt pritet që qytetarëve të katër komunave veriore t’ju shpërndahen faturat e energjisë elektrike.

    Sipas kryetarit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu, leximi i njehsorëve është në proces derisa janë të regjistruar rreth 22 mijë konsumatorë.

    “Një pjesë e tyre (njehsorëve) besoj se janë në rregull, por ata që nuk janë në rregull do të zëvendësohen me njehsorë të rinj… Këto detaje ende nuk i kemi (rreth mënyrës dhe çmimit të pagesës), mirëpo presim një raport nga Elektroseveri, KEDS-i dhe KOSTT-i…. Po gjatë këtij muaji ata duhet veç t’i shlyejnë detyrimet për muajin janar”, tha Fejzullahu.

    Ndërkohë, qytetarët në atë pjesë shprehen të gatshëm të kryejnë obligimet.

    “Nuk kam pranuar (faturë të rrymës)… Kam njehsorin e rrymës, është që 30 – 40 vjet… Nëse vijnë faturat duhet të paguhen, të gjitha duhet të paguhen”, tha Svetomir Boskovic, qytetar.

    Ndonëse thonë se ende nuk i kanë marrë faturat ka prej atyre që ende nuk kanë orëmatës.

    “Për rrymë nuk kam marrë kurrfarë faturash. Jo, nuk kam njehsor, mirpëo është një obligim civilizues çdo kund, do ta paguajmë normalisht edhe ne energjinë elektrike”, tha një tjetër qytetar.

    akoma nuk kam marrë faturë për rrymë… Me sa di unë jo, akoma nuk më kanë vënë njehsorë, por natyrisht se do ta paguaj rrymën”, tha Gordana Vlajic, qytetare.

    Ndërkohë nga ZRRE-ja nuk kanë dhënë detaje rreth mënyrës së faturimit, sidomos të atyre që janë pa njehsorë, dhe as për çmimin e kë nëse do të jetë i njëjtë sikurse në pjesët tjera të Kosovës.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Banorët e fshatrave të banuar me shqiptarë në Leposaviq pajtohen ta paguajnë rrymën

    Banorët e fshatrave të banuar me shqiptarë në Leposaviq pajtohen ta paguajnë rrymën

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Banorët e fshatrave të banuar me shqiptarë në Leposaviq nuk shkoi askush t’i informojë rreth mënyrës së pagesës së energjisë eklektike.

    Megjithatë, me atë se çfarë dëgjuan, banorët e tri fshatrave, Koshtovë, Bistricë e Cerajë, u mblodhën të diskutojnë se çfarë të bëjnë. Nga takimi që patën pati dakordim që rryma të paguhet.

    Meqë me paushall nuk pajtohen kërkojnë vendosjen e njehsorëve të rinj.

    Por, para se të fillojë t’u faturohet rryma e kanë një kërkesë.

    Banorët shqiptarë të komunës më veriore të vendit nuk e kanë problem që rrymën duhet paguar kompanisë Elektroserver, por s’duan të jenë të vetmit që paguajnë.

    E për faturimin e energjisë në pjesën veriore të vendit vendosjen e njehsorëve digjitalë e ka marrë përsipër ta financojë Bashkimi Evropian.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • KOSTT-i nuk e bart më barrën e veriut, por s’e di a do të kompensohet

    KOSTT-i nuk e bart më barrën e veriut, por s’e di a do të kompensohet

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Nga 30 Janari, kur ZRRE-ja ia hoqi obligimin në licencë, KOSTT-i nuk është i detyruar t’i mbulojë humbjet për energjinë e papaguar në veri, por ende nuk dihet nëse do të kompensohet për dëmin buxhetor pas licencimit të Elektroseverit.

    Në një situatë të pazakontë, nga Qershori 2022 – për një vit e gjysmë, dy kompani KOSTT dhe Elektrosever, përmes licencave të tyre, ishin përgjegjës për energjinë elektrike në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

    Megjithëkëtë, dështimi për përmbushjen me kohë të licencës nga Elektrosever i kushtoi vetëm KOSTT-it dhe buxhetit të shtetit.

    Rreth 50 milionë euro llogaritet të jetë dëmi buxhetor nga 1 Tetori 2022, kur sipas licencës, Elektrosever do të duhej të ishte tërësisht funksional dhe të niste faturimin e energjisë elektrike në veri.

    Derisa KOSTT-i dhe ZRRE-ja presin veprime politike, Qeveria kërkon zgjidhje në dialog.

    “Problemi i tretë të cilin e kemi diskutuar janë borxhet e akumuluara të KOSTT-it si rezultat i devijimeve për konsumin e energjisë pas Tetorit të vitit 2022, për çka presim që BE-ja të gjejë një zgjidhje për financimin e tyre”, tha zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

    Në një përgjigje për ATV-në, muaj më parë, BE-ja kishte thënë se borxhi është çështje që duhet zgjidhur mes palëve.

    Peter Stano, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri
    “Lidhur me përgjigje praktike në pyetje praktike e konkrete, për ndikimin në buxhetin e Kosovës, kush çfarë paguan, kjo është diçka që duhet të trajtohet nga akterët kryesorë dhe partnerët kontraktualë. Ne jemi aty për t’iu ndihmuar të gjejnë zgjidhjet më të mira”, ka thënë zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    Referuar rrethanave dhe ndikimit të politikës, eksperti i energjisë Naim Bujupi, theksoi se një marrëveshje e bazuar në obligimet që dalin nga licenca është e domosdoshme.

    “Pasi është politizuar si çështje, mendoj se mund të diskutohet në nivel politik, që ai obligim gjithsesi duhet të paguhet nga Elektroseveri. Nëse duhet të zbatohet licenca, ajo duhet të zbatohet në tërësi, jo parcialisht. Nëse zbatohet në tërësi, atëherë duhet të paguhet nga i licencuari, në këtë rast Elektrosveri”, tha Bujupi.

    Nga 1 Janari, përgjegjësia e plotë për energjinë në veri i takon Elektroseverit.
    Që nga përfundimi i luftës, dëmi buxhetor si pasojë e mos-pagesës së energjisë në këtë pjesë të vendit llogaritet të jetë rreth 350 milionë euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kurti e Vetëvendosja kujtojnë Mon Balajn e Arben Xheladinin

    Kurti e Vetëvendosja kujtojnë Mon Balajn e Arben Xheladinin

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007, kundër Pakos së Ahtisaarit, ishte se bashku me ta.

    Pas 17 vjetësh, tashmë kryeministër, Albin Kurti përkujtoi dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje Mon Balajn e Arben Xheladinin.

    “Sot me 10 shkurt ne i përkujtomë me mall e dhimbje por edhe me krenari, Mon Balaj e Arben Xheladini, dy aktivistë të VV-së të cilët u vranë para 17 vjetëve nga policia ndërkombëtare e UNMIK-ut. 232 plumba gome me afat të skaduar dhe të keqpërdorura jashtë protokolleve të Kombeve të Bashkuara u hodhën mbi gjokset dhe kokat e protestuesve paqësor”, tha Kurti.

    Kritikat e asaj kohe për Pakon e Ahtisarit, Kurti vazhdon t’i konsiderojë të drejta.

    “Me 2 shkurt të viti 2007 pat zbritur pakoja e Ahtisarit e cila u kundërshtua dhe u kritikua nga lëvizja jonë VV, me qenë se parashihte shumë koncesione monoetnike në vendin tonë. Ne atë botë kundërshtuam ulëset e garantuara e të rezervuara në Kuvendin e Kosovës me të drejt vetoje për pakicën serbe, kundërshtuam realitetin mbi baza fetare, decentralizimin mbi baza etnike, kundërshtuam shuarjen e trupave mbrojtës të Kosovës dhe kundërshtuam vazhdimin e sundimit ndërkombëtar me fuqi ekzekutive mbi neve”, tha Kurti.

    Për homazhe te pllaka përkujtimore ishte edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe anëtarë të tjetër të partisë. Konjufca tha se Balaj e Xheladini, janë dëshmorë të përpjekjes së vazhdueshme për shtet të barabartë.

    “Pas vitit 1999 kemi pas dëshmor siç janë Arbër Xheladini dhe Mon Balaj, këta janë dëshmorë të përpjekjes së vazhdueshme të popullit të Kosovës që shteti me qenë i barabarte dhe ne me qenë qytetarë të një shteti të dinjitetshëm. Kjo është arsyeja pse ranë Moni dhe Arbeni por pastaj me rënien e Enver Zymberit dhe të Afrim Bunjakut tash së fundi po tregohet se përpjekja po vazhdon edhe pas pavarësisë për popullin tonë edhe pas vitit 2008”, tha Konjufca.

    Krerë të partisë në pushtet e familjarë, këtë 10 shkurt vizituan edhe varret e aktivistëve të vdekur.

    Me organizimin e Lëvizjes Vetëvendosje, me 10 shkurt të vitit 2007 u mbajt protesta kundër Pakos së Ahtisaarit. Kjo njëherësh ishte protesta më masive e Lëvizjes Vetëvendosje e asaj kohe.

    Policia e UNMIK-ut, konkretisht anëtarë të regjimentit rumun e ukrainas, shtënë me plumba gome ndaj protestuesve, duke lënë të vdekur 2 protestues dhe plagosur mbi 80-të të tjerë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Raportimet për atentat ndaj Kurtit, ai thotë se s’u ndje i rrezikuar

    Raportimet për atentat ndaj Kurtit, ai thotë se s’u ndje i rrezikuar

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk është ndjerë i rrezikuar, edhe pse ka mësuar se ka shumë kërcënime për të nga Beogradi.

    Kryeministri Kurti të premten mbrëma qëndroi në Shkup. Siç ka raportuar transmetuesi publik, Kurti është kërcënuar me vrasje derisa autoritete maqedonase menjëherë kanë vendosur masa të rrepta sigurie.

    “Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar”, tha Kurti.

    Sipas burimeve të televizionit publik të Kosovës tentativa për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, ka ardhur nga “atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”.

    Sidoqoftë, kryeministri të shtunën mori pjesë në disa aktivitete të Lëvizjes vetëvendosje në Prishtinë dhe tha se nuk është ndjerë i rrezikuar.

    “Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, tha Kurti.

    Ndryshe kjo është hera e parë që ndaj kryeministrit Kurti pati raportime për plane për atentat. Megjithatë Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka thënë se nuk ka pasur tentim për vrasjen e tij.

    Kurti qëndroi në Shkup në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE e cila mori pjesë në takim rajonal të partive simotra të Partisë së Socialistëve Evropiane.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Rama: Mbështesim përpjekjet BE-ShBA për normalizimin Kosovë-Serbi, e shkuara t’i lë vend të ardhmes

    Rama: Mbështesim përpjekjet BE-ShBA për normalizimin Kosovë-Serbi, e shkuara t’i lë vend të ardhmes

    Në një mesazh të gjatë që lajmëron ardhjen në Tiranë të Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken javën e ardhshme, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i ka uruar mirëseardhjen kreut të diplomacisë amerikane.

    Rama shpreh angazhimin e Shqipërisë si një vend aleat i SHBA-së i angazhuar për paqen dhe stabilitetin në rajon, teksa shpreh edhe njëherë rreshtimin e Shqipërisë krah Shteteve të Bashkuara sa i përket luftës ndaj terrorizmit.

    “Sekretari i Shtetit do të gjejë një Shqipëri në punë, me rritje të vazhdueshme ekonomike e me vullnet të prekshëm transformues në sektorin publik dhe atë privat, por edhe me vetëdijen e plotë të boshllëqeve e të mangësive ende të shumta, të cilat duhen adresuar përmes thellimit të reformave që garantojnë mirëqeverisjen në çdo nivel, fuqizojnë komunitetet vendore, promovojnë barazinë gjinore, stimulojnë grupet e interesit, përshpejtojnë modernizimin, sigurojnë zhvillimin e qëndrueshëm”, shkruan ndër të tjera Kryeministri Rama në reagimin e tij të gjatë në Facebook.

    Rama foli edhe për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, ku tha se Shqipëria i mbështet pa asnjë rezervë përpjekjet e BE-së dhe ShBA-së, teksa tha se “e shkuara e mbushur me tragjedi, konflikte e prapambetje” duhet të lëshojë rrugë për mundësitë e së ardhmes.

    Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të vijë në Tiranë më 14 shkurt.

  • Bideni kritikon Kongresin që nuk po i kalon fondet për Ukrainën

    Bideni kritikon Kongresin që nuk po i kalon fondet për Ukrainën

    Presidenti amerikan Joe Biden tha se Kongresi do të ishte fajtor për “përafërsisht neglizhencë kriminale” nëse nuk do të kalonte fondet për Ukrainën dhe falënderoi të premten kancelarin gjerman Olaf Scholz për udhëheqjen e tij në sigurimin e ndihmës ushtarake gjermane për Kievin.

    Scholz, i cili ishte në Washington për t’i dhënë mbështetjen e tij përpjekjeve të Bidenit për të marrë fonde për Ukrainën, u takua me presidentin në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar luftën e Rusisë me fqinjin e saj më të vogël si dhe krizën në Lindjen e Mesme.

    Duke folur me gazetarët përpara takimit, Scholz tha se ishte inkurajuar nga masa e Senatit të SHBA-së të enjten për të avancuar një projekt-ligj prej 95.34 miliardë dollarësh (mbi 86 miliardë euro) që përfshin ndihmë për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin pasi republikanët bllokuan legjislacionin e kompromisit që kishte përfshirë reformat në politikën e imigracionit.

    Shtëpia e Bardhë ka dhënë paralajmërime për muaj të tërë se një dështim nga ligjvënësit për të ofruar ndihmë për Kievin do të dëmtonte aftësinë e tij për të luftuar Rusinë dy vjet pas pushtimit të Ukrainës nga Moska.

    “Dështimi i Kongresit të Shteteve të Bashkuara, nëse ndodh, për të mos mbështetur Ukrainën është afër neglizhencës kriminale. Është skandaloz”, tha Bideni në Zyrën Ovale, përpara një zjarri të ndezur, ku i ulur pranë tij ishte kancelari gjerman.

    “Jam shumë i lumtur që në Evropë ne morëm tani vendime për të marrë mbështetjen e nevojshme financiare për buxhetin”, tha Scholz, duke folur në anglisht.

    “Gjithashtu se Gjermania ishte e gatshme të rriste mbështetjen e saj me dërgimin e armëve. Dhe shpresojmë që Kongresi, Dhoma, do t’ju ndjekë dhe do të marrë një vendim për të dhënë mbështetjen e nevojshme”, shtoi ai.

  • Vdes një person në vendin e punës në Qirez të Skenderajt

    Vdes një person në vendin e punës në Qirez të Skenderajt

    Sot rreth orës 13:43 një person ka humbur jetën derisa ka qenë në vendin e tij të punës në fshatin Qirez të Skenderajt.

    Rastin e ka konfirmuar zyrtari për Informim i Policisë, Avni Zahiti.

    Sipas tij, ende nuk dihet arsyeja që ka shkaktuar vdekjen e personit në fjalë.

    “Bazuar në informatat fillestare, sot rreth orës 13:43, është raportuar se në një vendpunishte në fshatin Qirez të Skenderajt, në rrethana tani për tani të pa sqaruara ka humbur jetën. Viktima mashkull i moshës madhore! Njësitet kompetente ndodhen në vendin e ngjarjes”, ka thënë Zahiti.