ATV

Category: Lajme

  • Publikohet logoja zyrtare për shënimin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës

    Publikohet logoja zyrtare për shënimin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës

    Qeveria e Kosovës ka bërë tashmë publike logon me të cilën pritet të shënohet përvjetori i 16-të i pavarësisë së shtetit.

    “Kosovë, ne të dalim zot!”, mbishkruhet në logon e pavarësisë, të cilën qeveria e ka shpërndarë në faqen zyrtare në ‘Facebook’.

    Qeveria ka ndarë edhe agjendën për 17 shkurt, ku pritet të ngrihet flamuri i Kosovës fillimisht, homazhe tek ish-presidenti Ibrahim Rugova, tek komandanti legjendar Adem Jashari.

    Po ashtu, nga ora 12:00 do të mbahet një seancë solemne në nder të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

    Qeveria ka ndarë agjendën edhe për nder të 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së (5,6 dhe 7 mars) dhe 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës (12 qershor).

  • Shkrimi jo i mirë i mjekëve, farmacisti: I thërras dhe i pyes çfarë ke shkruar

    Shkrimi jo i mirë i mjekëve, farmacisti: I thërras dhe i pyes çfarë ke shkruar

    Përshkrimi i barnave nga mjekët në mënyrë elektronike po konsiderohet si nevojë e domosdoshme. Kjo meqë vlerësohet se lehtëson barrën e pacientëve, punën e farmacistëve dhe të vetë doktorëve. Të njëjtit thonë për KosovaPress, se digjitalizimi i recetës mjekësore do të ndikonte në zvogëlimin e mundësisë që pacientëve t’u jepen terapi të gabuara, si pasojë e shkrimit jo të mirë me dorë.

    Zëvendësdrejtori i Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF-ve) në Prishtinë, Bujar Gashi tha se funksionimi i mangët i Sistemit Informativ Shëndetësor, po shkakton vështirësi të vazhdueshme, duke përfshirë edhe ngecjen e procesit të digjitalizimit të recetës mjekësore.

    Gashi për KosovaPress potencoi se ka disa vite që ekziston ky problem, për çka shtoi se rënia e sistemit u shkakton telashe infermierëve e mjekëve për ta kryer punën e tyre.

    Ai shtoi se janë bërë mbi gjashtë muaj prej kur në të gjitha QKMF-të në Prishtinë, janë tërhequr printerët nga kompania përkatëse, kështu duke u pamundësuar doktorëve përshkrimin e terapive në mënyrë elektronike.

    Se digjitalizimi i recetës mjekësore është i nevojshëm e thotë edhe farmacisti përgjegjës në një nga barnatoret në kryeqytet, Arbnor Alidema, i cili thotë për KosovaPress, tregon se shumë shpesh detyrohen që të thirrin mjekun që ka përshkruar terapinë për ta pyetur rreth saj, ngase nuk mund ta kuptojnë shkrimin.

    Ai shton se një gjë e tillë do të lehtësonte edhe punën e farmacistëve.

    Njëjtë mendon edhe kryetari i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Besim Kodra, derisa thotë se shkruarja e recetës mjekësore në mënyrë klasike i dëmton pacientët. Sipas tij, jo gjithmonë ato që shkruhen nga mjekët, jepen nga farmacistët, si shkak i shkrimit jo të kuptueshëm nga këta të fundit.

    Ndërkaq, qytetarët thonë se shkrimi i recetës mjekësore në mënyrë elektronike është dashur të bëhet që moti. Sipas tyre, kjo do të ndikonte në minimizimin e ngatërrimit të ilaçit, si shkas i dorëshkrimit jo të mirë.

    Qytetari Gani Gashi thotë për KosovaPress, se në këtë botë të digjitalizuar, kjo gjë do të duhej të rregullohej kohë më parë. Sipas tij, si pasojë e “shkarravitjes” së mjekëve në receta mjekësore, pacientët mund të dëmtohen.

    Edhe Haki Kasumi vlerëson se duhet të ndryshojë mënyra klasike e shkrimit nga mjekët, për çka thotë se kjo do të zvogëlonte gabimet e mundshme.

  • Erërat e forta lëvizin edhe semaforët në Prishtinë

    Erërat e forta lëvizin edhe semaforët në Prishtinë

    Shpërndarje të mbeturinave po ndodhin në gjithë Prishtinën për shkak të erërave të forta. Qytetarët kanë dërguar një video nga rruga B, ku vërehet shpërndarja e mbeturinave nga kontejnerët dhe rreth tyre, por njëkohësisht shihet fuqia që kanë erërat në këto momente.

    Gjithashtu, tek komuna e re, në lagjen “Arbëria”, në kryeqytet, vërehet se si janë shpërndarë mbeturinat, madje erërat lëvizin edhe semaforët.

    Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët se sot do të ketë erëra të forta nga 20 deri në 80 km/h, prej të cilave do të ketë edhe dëme materiale. /kp

  • Myftiu Tërnava inspekton punimet në xhaminë qendrore të Prishtinës

    Myftiu Tërnava inspekton punimet në xhaminë qendrore të Prishtinës

    Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka dalë në terren për të parë punimet rreth ndërtimit të xhamisë qendrore në Prishtinë.

    Në njoftimin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) është thënë se është betonuar një pjesë e pllakës së xhamisë.

    “Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim ef. Tërnava, ka parë nga afër punimet në ndërtimin e xhamisë qendrore në Prishtinë, ku edhe është betonuar një pjesë e pllakës së kësaj xhamie. Ai u njoh për së afërmi me ecurinë e punimeve në ndërtimin e kësaj xhamie. Gjatë kësaj vizite, bashkë me myftiun Tërnava ishte edhe atasheu për Çështje Fetare pranë Ambasadës së Turqisë, z. Bunjamin Albayrak”, ka njoftuar BIK-u.

  • IPK: Vitin e kaluar janë hetuar 156 zyrtarë të Policisë

    IPK: Vitin e kaluar janë hetuar 156 zyrtarë të Policisë

    Inspektoratit Policor të Kosovës ka publikuar raportin vjetor të punës për vitin 2023.

    Sipas këtij raporti, Departamenti i Hetimeve në kuadër të IPK-së, vitin e kaluar ka hetuar 156 punonjës policorë dhe 22 qytetarë, shprehur në përqindje 1.8% e numrit të përgjithshëm të punonjësve policorë që janë hetuar nën dyshimin se janë përfshirë në veprimtari penale.

    “IPK-ja në ketë periudhe raportuese, ka realizuar gjithsej 35 arrestime (21 punonjës të Policisë së Kosovës dhe 14 qytetarë) nën dyshimin e arsyeshëm se kanë qenë të përfshirë në veprimtari penale si dhe kanë rekomanduar suspendimin e 71 punonjësve policorë”, thuhet në raportin e IPK-së.

    2023 konsiderohet i suksesshëm për Drejtorinë e Hetimeve në IPK, bazuar në të dhënat lidhur me numrin e rasteve të trajtuara, numrin e kallëzimeve penale, numrin e të arrestuarve, të suspenduarve etj.

    “Në vitin 2023, DH-ja ka pranuar 540 raste përmes DMA-së në kuadër të IPK-së, ndërsa 334 raste kanë vazhduar trajtimin nga vitet paraprake në vitin 2023, kurse D.H pas zhvillimit të hetimeve penale 2 raste i ka iniciuar për hetim disiplinore. D.H ka trajtuar gjithsej 876 raste, duke përfshirë rastet e bartura nga vitet paraprake si dhe rastet e pranuara në këtë vit”, thuhet në raportin e IPK-së.

    Policia e Kosovës ka gjithsej 8826 punonjës, nga të cilët 7958 janë zyrtarë policorë me grada të ndryshme, ndërsa 868 janë personel civil pa autorizime policore.

    Gjatë vitit 2023 sipas raportit të IPK-së, janë hetuar 2 major, 3 kapiten të policisë, 7 toger, 15 rreshter, 120 zyrtarë policorë, 1 kadet dhe 8 shërbyes civil.

    Gjatë vitit 2023 janë hetuar 107 punonjës policor të angazhuar në drejtoritë rajonale, ku DRP – Prishtina prinë nga të gjitha drejtoritë me numrin më madh të hetuarve nga radhët e saj, duke pasur edhe numrin më të madh të punonjësve të shpërndarë në stacione policore.

  • Asambleja Kombëtare e PS, Rama: Nuk kemi në plan ndryshime, por riorganizim të partisë

    Asambleja Kombëtare e PS, Rama: Nuk kemi në plan ndryshime, por riorganizim të partisë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se në mbledhjen e sotme të Asamblesë së Partisë Socialiste do të kryhet një analizë dhe riorganizim i kësaj “familjeje politike”.

    “Kjo është një mbledhje pune, raportimesh, diskutimesh në lidhje me hapat e tjerë që do të ndiqen në funksion të objektivit për të riorganizuar tërësisht Partinë Socialiste dhe për ta bërë gati për fitoren e radhës”, tha Rama.

    Ai theksoi më tej se këtë të diel nuk do ketë ndryshime në radhët e partisë, por lëvizje në të mirë të punës së përbashkët.

    “Sot nuk kemi asnjë plan për të bërë ndryshime, jemi për të bërë një analizë dhe për të ndërmarrë veprime të tjera. Fjala ndëshkim nuk i shkon organizimit të një familjeje politike, riorganizim nënkupton lëvizje në të mirë të bërjes së punës”, përfundoi Rama.

    Në fokus të kësaj mbledhjeje do të jetë gjendja e çdo baze dhe strukturave të PS-së, ndërsa pritet të mbajë një fjalim Rama, por ajo do të jetë me dyer të mbyllura drejtuar vetëm asamblistëve. Pritet që Rama të ketë edhe mesazhe politike krahas porosive.

  • Musliu për grafitet në Veri: Të ngjashme ishin shkruar edhe para sulmit në Banjskë

    Musliu për grafitet në Veri: Të ngjashme ishin shkruar edhe para sulmit në Banjskë

    Sot në katër komunat veriore të Kosovës janë parë grafite “Kur të kthehet ushtria në Kosovë… jeton Brigada e Veriut”.

    Pas kësaj ka reaguar njohësi i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu.

    Musliu përmes rrjetit social Facebook, ka shkruar se grafite të ngjashme janë shkruar edhe para sulmit të 24 shtatorit në Banjskë.

    “Gjersa, krejt Evropa dhe SHBA janë këtë vit në zgjedhje, e ndoshta edhe Kosova, Serbia tashmë s’e ka këtë hall, sepse i ka vjedhë zgjedhjet. Putini po siguron mandat jetësor! Perëndimi në gjumë, e Kosova ku?”, ka shkruar Musliu.

    Postimi i plotë:

  • Azemi: Pas liberalizimit ikën 140 mijë punëtorë, 70 për qind e kompanive kanë përmirësuar kushtet e pagat

    Azemi: Pas liberalizimit ikën 140 mijë punëtorë, 70 për qind e kompanive kanë përmirësuar kushtet e pagat

    Kryetari i Sindikatës së Sektorit privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë për Ekonomia Online se 70% e kompanive pas liberalizimit të vizave kanë përmirësuar kushtet e punës, pasi kjo iu është imponuar.

    Ai ka thënë se ka lëvizje edhe tek pagat, por që ato nuk janë ende në nivelin që e meritojnë punëtorët.

    “Ka përmirësim kushtesh, paga të mira të punëtorëve jo aq sa e meritojnë por ka lëvizje. Por më e rëndë është fakti se iu është imponuar, ka lëvizje edhe tek pagat. E kushtet nuk ka dilema aty, shembull në markete deri vonë ka qenë 250 euro tashmë kemi ngritje 350 megjithatë ka vende që s’e kanë këtë pagë. Diku 70% të kompanive kanë lëvizur në këtë drejtim”, ka thënë ai.

    Azemi ka thënë se pas liberalizimit të vizave rreth 140 mijë persona janë larguar nga vendi.

    Ai ka shtuar se si Sindikata e po ashtu edhe bizneset janë të indinjuar se si qeveria nuk ka marr hapa me herët për të parandaluar këtë dukuri.

    “Ne kemi paralajmëruar si Sindikatë se mund të kemi rreth 150 mijë punëtorë që do të largohen, megjithatë nuk duhet të japim shifra. Por shifrën që e kemi dhënë për gjatë gjithë vitit, vetëm për një muaj kemi pasur ikje 140 mijë vetëm gjatë janarit. Vetëm nga aeroporti 230 mijë dalje por duke e konsideruar që 50% të tyre kthehet, 25% kanë shkuar të themi tek familjarët e tyre, pjesa tjetër mbetet shqetësuese dhe ne jemi shumë të indinjuar, edhe pronarët e kompanive sepse ata e kanë parë seriozitetin e kësaj pune”, ka thënë ai.

  • Diskriminimi i shqiptarëve në Serbi, Mustafi thirrje Shqipërisë: Të krijohet fond i posaçëm për ndihmë

    Diskriminimi i shqiptarëve në Serbi, Mustafi thirrje Shqipërisë: Të krijohet fond i posaçëm për ndihmë

    Qeveria e Republikës së Serbisë, me konkretisht Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave e Serbisë ka reduktuar me mbi 1 milion dinarë buxhetin për Këshillit Kombëtar Shqiptarë në Luginën e Preshevës për vitin 2024.

    Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, Ragmi Mustafi se shqiptarët në Serbi janë të diskriminuar.

    Ai i bëri thirrje Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, që ashtu siç është e shkruar në Kushtetutë, të kujdeset për shqiptarët jashtë trojeve duke krijuar një fond të posaçëm për shqiptarët e Luginës.

    “Ne konsiderojmë që Ministria e Punëve të Jashtme duhet të përkujdeset, në bazë të kushtetutës, dhe të përmbushë nevojat për t’u kujdesur për shqiptarët jashtë trojeve, në veçanti ata të Preshevës, që janë të diskriminuar. Shqipëria në anën tjetër duhet të krijojë fondin e nevojshëm, siç ka krijuar republika e Kosovës për të ndihmuar shqiptarët e Luginës së Preshevës”, tha Mustafi.

  • Dështojnë tenderët afër tre milionë euro për uniformat e policëve

    Dështojnë tenderët afër tre milionë euro për uniformat e policëve

    Rreth tre milionë euro ishin paraparë që t’u dedikohen zyrtarëve policorë.

    Por, dy tenderët për furnizim me uniforma operacionale dhe uniforma për detyra taktike janë anuluar nga Policia e Kosovës në muajin janar me arsyetimin se asnjëra ofertë nuk ka qenë e përgjegjshme.

    Kështu, janë bërë afro tri vite që pjesëtarët e kësaj organizate sigurie nuk janë pajisur me uniforma zyrtare.

    Për këtë çështje, tëvë1 ka adresuar pyetje në këtë institucion, por që të njëjtit nuk i janë përgjigjur interesimit të televizionit.

    E mungesa e kushteve të punës, sipas njohësve të fushës së sigurisë është shqetësuese.

    Hartuesi i Ligjit për Policinë, Nuredin Ibishi thekson se deri te këto probleme kanë ardhur për shkak të procedurave në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

    Teksa shton se për shkak të natyrës së veçantë të punës për policët, procedura të tilla të tejkalohen.

    Kurse, ish.zv-ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha vlerëson se këto ndikojnë në kryerjen e detyrave zyrtare por edhe paraqet imazh negativ të këtij institucioni.

    Ndryshe, gjatë vitit të kaluar pjesëtarë të Njësive Speciale e njësi tjera të Policisë kishin protestuar dy herë para objekti të Qeverisë duke kërkuar përmirësim të kushteve të punës.