ATV

Category: Lajme

  • Shkarkohet kryesuesi i kuvendit komunal të Prishtinës

    Shkarkohet kryesuesi i kuvendit komunal të Prishtinës

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Me 33 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Pëllumb Bajqinovci, është shkarkuar nga detyra e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Pak para shkarkimit, Bajqinovci lëshoi sallën. Fillimisht, shkarkimin e tij e kundërshtoi kryetari përparim Rama.

    “Kjo është politika juaj me i ndalu projektet. Tani kur Rruga A po përfundon me kohë rekorde, ndërtimi i gjashtë shkollave dhe çerdheve. Tani kur unaza e qytetit është në proces. Këto po ndodhin kur ndërkombëtarët po besojnë… tani kur po kthehem nga Katari dhe kam marrë zotimin për projekte të reja”, tha Rama.

    Por, sipas asamblistëve të opozitës, një gjë e tillë është dashur të bëhej prej kohësh, pasi për shtatë muaj sa ishte në detyrë, pati performancë të dobët.

    “Akoma nuk kemi mbledhje të rregullta, kryesuesi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ta zhbllokojë Kuvendin. Nuk është angazhuar. Bajqinovci ka dështuar dhe nuk ka performancë të mirë”, tha Gëzim Sveçla, asamblist i LV-së.

    Madje, ata thanë se shkarkimin e tij e bënë edhe më të arsyeshëm mosmbajtja e një seance për të diskutuar zhvillimet e fundit në kryeqytet.

    “Kemi probleme që kanë kapluar kryeqytetin dhe nuk pati diskutime…”, tha Leutrim Retkoceri, asamblist i PDK-së.

    Pëllumb Bajqinovci ishte zgjedhur kryesues i kuvendit komunal të Prishtinës më 21 korrik të vitit 2023.

    Inicimi për shkarkim të kryesuesit erdhi pas prishjes së koalicionit LDK-PDK në nivelin ekzekutiv, duke e lënë në pushtet LDK-në, që tashmë është pakicë në Kuvendin komunal.

  • Propozimi i Qeverisë për pronësinë e KOSTT-it, vlerësohet tendencë kontrolli

    Propozimi i Qeverisë për pronësinë e KOSTT-it, vlerësohet tendencë kontrolli

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Propozimi i Qeverisë për bartje të pronësisë së aksioneve të KOSTT-it nga Kuvendi te Ministria e Financave, nga një pjesë e opozitës vlerësohet tendencë për vënien në kontroll të kësaj ndërmarrjeje publike.

    Kundërshtimi i PDK-së ndërlidhet me dyshimet për mos-përputhje të Projektligjit për Energjinë Elektrike me rregullat e Komunitetit të Energjisë në Vjenë.

    “Ne do ta trajtojmë nen për nen dhe do ta bëjmë publik qëndrimin tonë. Nuk mund të pajtohemi që të ndërrojë çështja e aksionarëve, siç ka qenë deri tash me KOSTT-in dhe disa institucione që i janë përgjigjur Kuvendit. Nëse e abstrahojmë me ligj çështjen e kompetencave të Kuvendit, atëherë kemi një situatë tjetër të asaj që nuk do të dëshiroja të shihja në ekonomi. Një ekonomi të centralizuar, që kontrollohet gjithçka nga ekzekutivi”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

    Pasi tha se rregullorja e BE-së për shthurjen është keqinterpretuar, deputeti Armend Muja kundërshtoi argumentimin se Qeveria dëshiron ta vërë në kontroll KOSTT-in.

    “Nuk krijon probleme, sepse ato duhet të jenë në njësi të ndara. Ajo është kërkesa e rregullores. Në shumë vende të tjera në rajon i kanë krejt bashkë. Por e vërteta është që kalimi i KOSTT-it nga Kuvendi te ministria, unë e përkrahi këtë, sado që unë i kam të dhënat, e kam përcjellë një kohë të gjatë, mirëpo ministria i ka kapacitete me i ndihmua KOSTT-it, qoftë te aspektet e prokurimit, qoftë te aspektet e auditimit. është shumë më mirë të jetë në kuadër të Ministrisë së Financave”, tha Muja.

    Në KOSTT ende nuk janë deklaruar për këtë propozim të Qeverisë.

    Vetëm në tri vjetët e fundit, KOSTT-i me ndihmën direkte të Qeverisë pagoi rreth 150 milionë euro për mbulimin e devijimeve, si pasojë e mos-pagesës së rrymës në katër komunat në veri.

    Në fund të muajit Janar, Rregullatori i Energjisë i hoqi KOSTT-it këtë barrë, të cilën e kishte në licencë që nga vitit 2017, kur u ndërpre praktika e faturave të fryra në 34 komuna për të mbuluar veriun.

    Për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, kalimi i ndërmarrjes në përgjegjësinë e plotë të ekzekutivit vetëm sa i ndihmon zhvillimit të ndërmarrjes.

    “Metoda e financimit është ajo çfarë e bën faktikisht diferencën. E dyta është mënyra e përzgjedhjes së anëtarëve të bordit, prapë shumica i përzgjedhë… Fakti që KOSTT-i ka qenë nën Kuvend besoni është e çuditshme, sepse nuk mund të jetë te Kuvendi, sepse nuk kanë deputetët kapacitet për t’u marrë me mbikëqyrje. Nuk është e pazakonshme”, tha Muja.

    Para miratimit të ligjit, sipas ekspertëve, kërkohet një vlerësim i përputhshmërisë me rregullativën e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, organizatë e cila ka kuadrin ligjor të BE-së në fushën e energjisë.

    Komuniteti i Energjisë është organizatë ndërkombëtare, që përbëhet nga BE-ja dhe 12 shtete, shumica e të cilave synojnë anëtarësimin në bllok.

  • Prokuroria Themelore e Gjilanit ka ngritur aktakuzë ndaj një kirurgu

    Prokuroria Themelore e Gjilanit ka ngritur aktakuzë ndaj një kirurgu

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Mesditën e 16 janarit, kirurgu Arbër Morina e kreu një operacion në spitalin regjional të Gjilanit. Por, thuajse menjëherë pas përfundimit të ndërhyrjes, gjilanasi që ishte edhe shef i ndërrimit, pati nevojë edhe vetë për trajtim mjekësor, meqë dyshohet se u grushtua nga kolegu i tij Luan Mustafa.

    Sipas aktakuzës të cilën e posedon ATV-ja, sulmi ndodhi për shkak se Morina, si shef i ndërrimit në Kirurgji, e raportoi me shkrim se tashmë i pandehuri nuk e respektonte orarin.

    “Me dokumentet e marra nga Drejtoria shkon në zyrën e të dëmtuarit Arbër Morina dhe i mllefosur fillon t’i kërkojë llogari për vërejtjet e paraqitura, duke iu drejtuar me fjalë arrogante. I dëmtuari Arbër kërkon t’ia lirojë zyrën, por i pandehuri i hedh dokumentet mbi tavolinë, duke i thënë “merri këto dhe pastroji sytë”, ndërkaq i dëmtuari, disa herë i kërkon të dalë jashtë, mirëpo i pandehuri ia mbyll derën dhe përnjëherë e sulmon duke e goditur me grusht në fytyrë”, thuhet në Aktakuzë.

    Përveç dy dëshmitarëve që ishin afër derës, ndër të parët që shkoi në vendin e ngjarjes ishte edhe drejtori i spitalit, Arsim Emini.

    Për të pandehurin, rënia ndesh me ligjin nuk është diçka e re.

    Sidoqoftë, përtej këtij rasti, pacientët ankohen për shërbimet që ofrohen në këtë spital regjional.

    Në fakt, nevoja për përmirësime në sistemin shëndetësor theksohet edhe nga politikanë.

    Deri në përfundimin e procesit gjyqësor, i akuzuari është pezulluar nga puna.

  • Nxënësit e shkollave të mesme të Gjilanit duan t’u lejohet ekskursioni

    Nxënësit e shkollave të mesme të Gjilanit duan t’u lejohet ekskursioni

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Ulëset e asamblistëve gjilanas për disa minuta u zunë nga nxënësit e shkollave të mesme. Në kuvendin komunal, këta po kërkojnë që vendimi që ua ndalon ekskursionin e përvitshëm jashtë shtetit, të shfuqizohet.

    Arsyet e përmendura në kohën e marrjes së vendimit siç ishin: substancat narkotike e pijet alkoolike në udhëtime të tilla, sipas maturantëve janë të pabaza.

    Anëtarët e Komitetit për Kulturë, Rini dhe Sport, që ishin prezentë mbështetën kërkesën.

    Në fund, tre anëtarët e LDK-së nga gjithsej pesë anëtarë sa ka komiteti, votuan që kërkesa të adresohet edhe në kuvendin komunal.

    Në fillim të muajit shkurt, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, kishte marrë vendim që ekskursionet jashtë vendit të ndalohen, për shkak që, sipas tij, në këto udhëtime përdoreshin substanca narkotike e alkool.

  • Një vit nga marrëveshja Kosovë – Serbi, “Në vend të normalizimit, shtensionim i situatës”

    Një vit nga marrëveshja Kosovë – Serbi, “Në vend të normalizimit, shtensionim i situatës”

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Saktësisht para një viti, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve që deri atëherë njihej si “plani franko-gjerman”.

    Vetëm 20 ditë pasi palët e pranuan marrëveshjen, në Ohër u pajtuan për një aneks-dokument për zbatimin e saj.

    Por, nga 11 pika, pas 365 ditësh vetëm dy u zbatuan pjesërisht e një plotësisht – ajo për themelimin e Komisionit për mbikëqyrjen e zbatimit të Marrëveshjes.

    Pas 11 muajve nga dakordimi, Kosova dhe Serbia i njohën targat e automjeteve të shteteve respektive, teksa më 2 maj, kryeministri kosovar dhe presidenti serb miratuan “Deklaratën për Personat e Zhdukur”.

    Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve, specifikisht me mjete paqësore dhe përmbajtja nga kërcënimet apo përdorimi i forcës, ishin disa nga pikat e Marrëveshjes për Normalizim.

    Megjithatë, ajo çka pasoi në terren gjatë vitit 2023, ishte pothuajse krejtësisht e kundërta.

    Në fund të majit pasi kryetarët e zgjedhur shqiptarë të komunave me shumicë serbe tentuan qasje në objektet komunale, pati kundërshtime nga qytetarë serbë.

    Më 29 maj protestuesit me mjete të forta, koktej molotovi e armë zjarri, sulmuan pjesëtarët KFOR-it, Policinë dhe ekipe të mediave.

    Pas tensioneve të fundmajit, Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat vazhdojnë të jenë në fuqi.

    Vetëm pak ditë më pas, forcat serbe rrëmbyen tre zyrtarë të Policisë së Kosovës. Nga ekzekutivi kosovar vazhdojnë të insistojnë se më 14 qershor forcat serbe ishin futur në territorin e Kosovës dhe kishin rrëmbyer policët. Ata u liruan pas procesimit nga autoritetet në Beograd.

    Me qëllim shtensionimin dhe heqjen e masave, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe i dërguari i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, më 10 korrik në Bratislavë, u pajtuan për hapat e nevojshëm.

    Derisa Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i Ohrit nuk po zbatoheshin, pa rezultate përfundoi edhe takimi i nivelit të lartë i 14 shtatorit.

    Pikërisht, 10 ditë pas takimit, më 24 shtator nga grupi terrorist serb, në Banjskë të Zveçanit u vra rreshteri Afrim Bunjaku e u plagos polici Alban Rashiti.
    Përgjegjësinë për organizimin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, derisa autoritetet kosovare këmbëngulin se prapa tij qëndron shteti i Serbisë.

    Në përvjetorin e parë të Marrëveshjes për normalizim, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi përmendi se Kosova pesë herë ka ofruar publikisht nënshkrimin e saj, gjë që u refuzua nga pala serbe.

    Bashkimi Evropian nuk ka kthyer përgjigje, derisa Qeveria e Kosovës pretendon se Serbia ka shkelur tetë nene të Marrëveshjes Bazike, preambulën e saj dhe nene të Aneksit Implementues.

  • Ministri Aliu nuk mori pjesë në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike

    Ministri Aliu nuk mori pjesë në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike

    Përgatiti: Armand Hoti

    Për të tretën herë, Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, nuk u paraqit para deputetëve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike ku do të raportonte lidhur me prokurimet e negociuara në vitin 2021.

    Ministri në llogarinë e tij në Facebook pohoi se do të marrë pjesë në mbledhjen e ardhshme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

    Sipas të dhënave të raportit të auditorit, 13 kontrata të negociuara në këtë periudhë kanë vlerë prej më shumë se katër milionë eurosh, që përbën 70% të vlerës së përgjithshme të kontratave të negociuara në vitin 2021.

    Kryesuesja e Komisionit, Hikmete Bajrami, tha se nuk ka informacione sa i takon kontratave njëburimore të Ministrisë për vitin 2022 dhe 2023. Mirëpo, ish-ministrja e Financave foli për dhjetëra miliona euro prokurime të negociuara në dy vitet e fundit, sipas Raportit të Progresit.

    “Thuhet që është mbi 78 milionë euro kontrata njëburimore, në ndërkohë unë si deputete kam bërë pyetje për qasje në dokumentet zyrtare të Komisionit Rrgullativ të Prokurimit Publik dhe i kam pyetur se sa është numri i kontratave një-burimore që kjo Qeveri ka nënshkruar deri më tani dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje”, tha Bajrami.

    Ndërkaq, sipas të dhënave të organizatës “Demokraci Plus”, nga viti 2021 në vitin 2022 vërehet rritje e trendit të kontratave njëburimore.

    “Vlera e kontratave të nënshkruara, sipas procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës (kontratave një burimore) gjatë vitit 2022, shënoi rritje për 26,571,105.09 euro nga viti 2021, duke arritur 14%2 të vlerës së përgjithshme të kontratave publike. Shuma e kontratave të nënshkruara sipas procedurës së hapur, që është procedura më transparente e prokurimit, në vitin 2022 ishte 437,134,994.55 euro (78.20%), ndërkohë kontratat e nënshkruara me procedura të tjera arritën vlerën 43,313,735.84 euro (8%)”, thuhet në të dhënat e “Demokraci Plus”.

    Për dallim nga tenderët e zakonshëm, kontrata njëburimore është procedurë e mbyllur e tenderimit që u mundëson ministrive apo autoriteteve të tjera kontraktuese të ftojnë një apo disa operatorë që t’i dorëzojnë ofertat.

  • Lajçak paralajmëron takime të tjera, për rregulloren mungojnë shumë përgjigje

    Lajçak paralajmëron takime të tjera, për rregulloren mungojnë shumë përgjigje

    Përgatiti: Haris Ademi

    Pa ndonjë marrëveshje për çështjen e dinarit është mbyllur takimi i së martës në Bruksel, mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

    Në diskutimin trepalësh, në nivel teknik, Prishtinën e përfaqësoi guvernatori i Bankës Qendrore, Ahmet Ismaili, ndërsa Beogradin, zyrtarë të Ministrisë së Financave dhe Bankës Postare.

    Sipas ndërmjetësuesit Miroslav Lajcak, për rregulloren e BQK-së duhen takime shtesë, meqë shumë pyetje politike kanë mbetur pa përgjigje. Ndërsa, Banka Qendrore pas takimit lëshoi komunikatë në të cilën tha se rregullorja nuk është vënë fare në diskutim nga BE-ja.

    “Autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim apo kontestua nga BE-ja, megjithatë janë ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

    Brenda takimit, BQK-ja thotë se ka ofruar opsione për mënyrën e lehtësimit të zbatimit të rregullores, nëse ka vullnet nga pala serbe.

    Mirëpo Beogradi nuk e do heqjen e dinarit nga qarkullimi në Kosovë. Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, që mori pjesë vetëm në takimin e ndarë me Lajcakun, tha se kjo temë nuk mund të zgjidhet me Ismailin në Bruksel.

    “Duhet një nivel politik për zgjidhje, ai nuk mund ta bëjë atë që bëri Besnik Bislimi, të mos vijë në Bruksel, por të dërgojë njerëz nga e ashtuquajtura Banka Qendrore e Kosovës për të vendosur për diçka për të cilën ata vetë thonë se nuk kanë mandat”, tha Petkoviq.

    Petkovic shtoi se kryeministri Albin Kurti po do t’i shuajë institucionet serbe në Kosovë, të cilat duhet të jenë themel i Asociacionit.

    Në anën tjetër, Bislimi nuk kishte pranuar të marrë pjesë në dialog për çështjen e dinarit, duke e akuzuar Lajcakun se e ka përcaktuar temën e diskutimit pa u marrë vesh paraprakisht me palët.

    Rregullorja e BQK-së që e njeh euron si valutë të vetme në Kosovë, ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, për të cilën Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kritike për mënyrën e zbatimit.

  • Gjykimi për krime lufte, dëshmitari thotë se fqinja i tregoi më 1999 se serbët ia kishin vrarë baban

    Gjykimi për krime lufte, dëshmitari thotë se fqinja i tregoi më 1999 se serbët ia kishin vrarë baban

    Përgatiti: Nora Luta

    25 vjet pas luftës, Gani Shala thotë se të vetmin ngushëllim që e kërkon është të kuptojë për fatin e babait, për vrasjen e të cilit rrëfeu të martën para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Nga Ozdrimi i Pejës, këtë të martë Shala erdhi në Gjykatë e cila po gjykon Millorad Gjokoviqin për krime lufte në këtë rajon.

    Në mesin e banorëve të fshatit të cilët ishin dëbuar dhe kishin shkuar për strehim në Rozhajë, ishte edhe Shala, ku nga aty kishte kuptuar për vrasjen e babait dhe anëtarëve të familjes Krasniqi.

    “E kam gjetë ku o vra, vendin ku o vra baba, ja kam gjetë flokët e rame, kapuçin dhe një pjesë të dhëmbëve”, tha Gani Shala, dëshmitar.

    Megjithëse, nuk e ka përmendur emrin e të akuzuarit për përfshirje në vrasje, Shala tha se kishin frikë nga fqinjët e tyre serbë, e emrin e njërit nga ta e ka ruajtur në kujtesë.

    Gjatë kësaj seance u dëgjuan edhe Rifat Krasniqi e Kadri Prekaj. Krasniqi rrëfeu se si pasi ia vranë prindërit, edhe ia dogjën brenda shtëpinë.

    Gjokoviqin, i cili ndodhet në paraburgim nga viti i kaluar, PSRK-ja e ngarkon me akuzat për pjesëmarrje në vrasjen e 14 civilëve në Ozdrim të Pejës, dhe dëbimin e maltretimin e qindra të tjerëve, gjatë majit të 1999-s.

  • KQZ-ja mund ta zvarrisë sa të dojë procesin e verifikimit të nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve në veri

    KQZ-ja mund ta zvarrisë sa të dojë procesin e verifikimit të nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve në veri

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk i ka verifikuar të gjitha nënshkrimet për largimin e kryetarëve nga katër komunat veriore. Sipas udhëzimit administrativ, KQZ-ja brenda afateve të përcaktuara me ligj duhet të bëjë verifikimin e nënshkrimeve, por ligji nuk specifikon asnjë afat.

    Megjithatë, tashmë është bërë një muaj nga kur KQZ-ja ka nisur procesin e verifikimit. Procesi mund të shtyhet edhe më gjatë, meqë pa afat të caktuar KQZ-ja mund të vonohet sa të dojë.

    Nga KQZ-ja thanë shkurt se po vazhdojnë verifikimin, por nuk treguan ndonjë datë të përafërt se kur mund të përfundojë procesi. Sidoqoftë, verifikimi i nënshkrimeve kurdo që përfundon, i hap rrugë votimit për shkarkimin e kryetarëve. E një kryetar verior ndaj të cilit është nënshkruar peticioni, procesin e konsideron të parregullt në tërësi.

    Nëse nisma funksionin, presidentja duhet që në afat prej 30-45 ditësh nga shkarkimi, t’i shpallë zgjedhjet e reja në komunat përkatëse.

  • Dy persona pranojnë fajësinë për huliganizëm në protestën në Zveçan

    Dy persona pranojnë fajësinë për huliganizëm në protestën në Zveçan

    Përgatiti: Nora Luta

    Protesta e banorëve lokalë serbë në kundërshtim të kryetarit të ri shqiptar në Zveçan, më 29 maj të vitit të kaluar kishte përfunduar me përleshje mes tyre dhe pjesëtarëve të KFOR-it, ku të paktën 30 ushtarë ishin lënduar.

    Për pjesëmarrje në këtë protestë dhe huliganizëm, Gjykata Themelore e Prishtinës i ka shpallur fajtor Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq.

    Që të dy të martën erdhën në Gjykatë, për t’u njoftuar me vendimin, pas pranimit të fajësisë, dhe arritjes së marrëveshjes me PSRK-në në janar të këtij viti.

    Të dy u dënuan me 6 muaj burgim, por dënimi Petroviqit do t’i kthehet në gjobë, e Obrenoviqit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

    Sipas aktakuzës Radosh Petroviq qysh një ditë pasi ishte arrestuar, në Polici nuk e kishte mohuar pjesëmarrjen në protestë.

    “Dushan Obrenoviq ka deklaruar se nuk ka marrë pjesë në momentet e ushtrimit të dhunës ndaj ushtarëve të KFOR-it, sepse ishte i arrestuar dhe se arrestimi i tij dhe thirrja për ndihmë meqë po e arrestojnë, mund të jetë shkak për fillimin e dhunës ndaj pjesëtarëve të KFOR-it. Po ashtu, ai ka deklaruar se ka kënduar këngë me përmbajtje nacionaliste, përkatësisht edhe me frazën “KOSOVA ËSHTË SERBI”, si dhe ka shtuar se kur është nisur për në Zveçan në trup kishte të veshur pantallonat, çizmet, xhaketën dhe një sheshir-kapelë të cilin ia kanë dhënë në hyrje të Zveçanit, një grup njerëzish dhe këtë me qëllim të maskimit sepse incizoheshin nga turma të njerëzve”, thuhet në Aktakuzë.

    Banorët serbë në maj të vitit të kaluar me protesta kishin kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat veriore.

    Tensionet ishin shtuar kur ata kishin tentuar të hyjnë në objektet komunale.

    Nën dyshimet për sulm ndaj KFOR-it, e pjesëmarrje në protesta të dhunshme, në paraburgim që nga qershori i vitit të kaluar është Milun Milenkoviq.