ATV

Category: Lajme

  • Presidentja Osmani pritet në Tiranë nga Rama e Zelensky

    Presidentja Osmani pritet në Tiranë nga Rama e Zelensky

    Liderët e shteteve të Evropës Juglindore kanë filluar të mbërrijnë në Samitin Ukrainë – Europa Juglindore”, që po mbahet në Tiranë të Shqipërisë.

    Fillimisht kanë mbërritur dy nikoqirët e samitit, kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të cilët po mirëpresin homologët e tyre.

    E para që arriti ishte presidentja e Moldavisë, e pasuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Osmani, iu përgjigj pyetjeve, nëse do të kërkojë që Ukraina të njohë Kosovën.

    “Ne gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë, do ta vazhdojmë ta bëjmë, por me mirëkuptimin e plotë për situatën ku është Ukraina. Jam e bindur se ai moment do të vijë, bashkë me fitoren e Ukrainës”, theksoi ajo.

  • Kurti mori pjesë në përurimin e nismës “Labour Friends of Kosova”

    Kurti mori pjesë në përurimin e nismës “Labour Friends of Kosova”

    Gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, mori pjesë mbrëmë në përurimin e nismës “Labour Friends of Kosova” (Miqtë Laburistë të Kosovës).

    “Labour Friends of Kosova” është një grup i Parlamentarëve Laburistë në Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim promovimin e marrëdhënieve të forta dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    Në fjalën e tij, kryeministri tha se është i bindur që kjo nismë do t’i fuqizojë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    Duke folur për raportet dhe lidhjet ndërmjet dy vendeve, ai veçoi personalitetet e shquara nga kultura dhe sporti, si Dua Lipa e Rita Ora, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri gjatë kohës sa luanin në Premier Ligën e Futbollit britanik, por edhe personalitete të tjera veprimtaria e të cilëve ka luajtur rol të rëndësishëm në marrëdhëniet tona.

    Ndër ta është Esat Kryeziu i cili ka shërbyer në Forcat Ajrore Mbretërore gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe i cili pas vdekjes së tij, është nderuar nga tanimë e ndjera Mbretëresha Elizabeth me pesë medalje për shërbimin e tij ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe forcave aleate. Një tjetër personalitet është ai i heroit kombëtar shqiptar nga Kosova, Gani beg Kryeziu që luftoi kundër fashizmit përkrah ushtarëve britanikë, në po të njëjtën Luftë, dhe që ishte anëtar i Ekzekutivit të Operacioneve Speciale të formuar nga ministri i atëhershëm i Punës për Luftën Ekonomike dhe më vonë kancelari, Hugh Dalton.

    Diaspora jonë, e cila u largua nga vendi si rezultat i fushatës gjenocidiale të Serbisë gjatë viteve të 90-ta, është integruar me sukses në Mbretërinë e Bashkuar, tha kryeministri. Ai shtoi se ky komunitet përfshin jo vetëm emrat e famshëm, por edhe njerëz të suksesshëm në shumë sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe shoqërisë.

    Ai theksoi rolin e rëndësishëm që Partia Laburiste ka luajtur në momente kritike për popullin dhe shtetin e Kosovës, duke kujtuar që si në rastin e intervenimit të NATO-s në vitin 1999 të mbështetur fuqishëm nga Mbretëria e Bashkuar ashtu edhe me rastin e njohjes së pavarësisë të shpallur në vitin 2008 nga Kosova, qeveria britanike udhëhiqej nga laburistët, përkatësisht nga ish-kryeministri Tony Blair dhe ish-kryeministri Gordon Brown.

    “Kur mendoj për Mbretërinë e Bashkuar, mendoj për vlerat tuaja: tolerancën, modestinë, guximin dhe më e rëndësishmja, nderin. Britania është një vend që nuk ua kthen shpinën miqve dhe aleatëve të saj. Një vend që nuk rri duarkryq dhe nuk shikon përballë agresionit, dhunës dhe terrorit. Ne e dimë shumë mirë këtë dhe vazhdojmë ta ndiejmë dhe ta vlerësojmë atë mbështetje”, u shpreh kryeministri Kurti.

    Të pranishëm në këtë ngjarje mes shumë personalitetesh ishin edhe baronesha Catherine Ashton, deputetët Laburistë David Lammy, Christian Wakeford, Stephen Doughty, Luke Pollard, Nia Griffith, Wayne David, Dan Jarvis, Shabana Mahmood, Liz Twist, Gill Furniss, Anneliese Dodds e cila është dhe Sekretare në Hije e Shtetit për Gratë dhe Barazitë, dhe ish-sekretari i mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar dhe ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson.

  • Sekuestrohen para false në Prishtinë dhe Fushë Kosovë

    Sekuestrohen para false në Prishtinë dhe Fushë Kosovë

    Policia e Kosovës njofton se në Prishtinë dhe Fushë Kosovë dje janë sekuestruar një shumë e parave të falsifikuara.

    Sipas Policisë, në Prishtinë ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se ne institucionin ku ai punon janë deponuar një shume e të hollave që dyshohet të jenë të falsifikuara.

    “Të hollat janë sekuestruar si dëshmi për hetime të mëtutjeshme”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

    Po ashtu sipas siç njofton policia në Fushë Kosovë ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se në institucionin ku ai punon janë deponuar një shumë e të hollave të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara.

    “Të hollat janë sekuestruar si dëshmi për hetime të mëtutjeshme”, thuhet po ashtu në raport.

  • Një shtetase e huaj dyshohet se u sulmua seksualisht në Prishtinë

    Një shtetase e huaj dyshohet se u sulmua seksualisht në Prishtinë

    Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh njoftoi se një shtetase e huaj është sulmuar seksualisht, nga një person në ashensorin e një ndërtese, në Prishtinë.

    Siç kishte raportuar viktima, një i dyshuar i pa njohur fillimisht e ka përcjellë e më pas i njëjti kishte hipur në ashensor të ndërtesës së bashku me viktimën dhe të njëjtën e kishte prekur në pjesët intime dhe i kishte shkaktuar lëndime në qafë.

    Tutje, Policia njoftoi se viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa rasti është duke u hetuar.

  • Këta janë liderët që marrin pjesë në samitin për Ukrainën në Tiranë, në mesin e tyre edhe Osmani e Vuçiq

    Këta janë liderët që marrin pjesë në samitin për Ukrainën në Tiranë, në mesin e tyre edhe Osmani e Vuçiq

    Tirana mirëpret sot Samitin Ukrainë-Europa Juglindore që nis në ora 11:00.

    Për herë të parë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndodhet në Tiranë. Nga fronti i luftës, Zelensky mbërriti mbrëmjen e djeshme në Shqipëri, për të marrë pjesë në Samitin për Ukrainën që mbahet sot.

    Në këtë samit Kosovën do ta përfaqësojë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, derisa prezent në Samit pritet të jetë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ai i Maqedonisë, Stevo Pendarovski e kryeministri kroat Adrej Plenkoviq.

    Pjesë e takimit përmes teknologjisë do të jenë kryeministri grek Kyriakis Mitsotakis dhe presidenti turk Rexhep Taip Erdogan.

    Prezente do të jetë edhe presidentja e Moldavisë Maia Sandu dhe Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Borjana Kristo.

    Në orën 11:00 pritet që liderët të mbërrijnë në Pallatin e Kongreseve ku do të zhvillohet më pas Samiti.

     

  • DASh: Bisedimet për rregulloren e BQK-së të vazhdojnë me urgjencë

    DASh: Bisedimet për rregulloren e BQK-së të vazhdojnë me urgjencë

    Departamenti amerikan i Shtetit (DASh) tha se bisedimet në Bruksel për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, “duhet të vazhdojnë me urgjencë”.

    “Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha një zëdhënës i DASh-it, pasi u pyet nga Radio Evropa e Lirë për të komentuar bisedimet që u zhvilluan të martën për çështjen e rregullores.

    Ndërmjetësuesi i tyre, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se shumë pikëpyetje politike për çështjen e dinarit serb në Kosovë, mbetën pa përgjigje, andaj “duhen takime shtesë”.

    Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, i cili udhëhoqi delegacionin e Kosovës, tha se nuk u diskutua për rregulloren, porse për mundësitë që i ofron ajo për transferimin e mjeteve nga shtetet e tjera në Kosovë.

    Delegacionin e Serbisë e udhëhoqi kryenegociatori Petar Petkoviq, i cili tha se rregullorja e BQK-së kërkon zgjidhje në nivel politik.

    Bisedimet pasuan fuqizimin e kësaj rregulloreje, e cila e përcakton euron si valutën e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë.

    Por, rregullorja nxiti reagime të zemëruara të Beogradit zyrtar, i cili mbështet financiarisht komunitetin serb në Kosovë.

    Bashkësia ndërkombëtare shprehu, po ashtu, shqetësime për ndikimin e saj në jetën e qytetarëve serbë dhe kërkoi pezullimin e saj.

    Ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha se vendimi për dinarin i ka vënë në pikëpyetje marrëdhëniet Kosovë-SHBA.

    “Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta në shprehjen e shqetësimeve për rregulloren e re”, tha zëdhënësi i DASH-it për REL-in.

    Ai tha se përsërit thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që t’i ulin tensionet dhe të angazhohen “seriozisht dhe urgjentisht”, në përpjekje “për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe produktive në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këmbëngul se vendimi i BQK-së nuk mund të anulohet. Sipas tij, rregullorja nuk i ndalon pagesat nga buxheti i Serbisë, por se ato duhet të bëhen në euro.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se qëllim i Kurtit është “spastrimi etnik i popullit serb nga Kosova”./REL/

  • Sot i jepet lamtumira e fundit 26-vjeçarit që u godit për vdekje nga vetura në Prishtinë

    Sot i jepet lamtumira e fundit 26-vjeçarit që u godit për vdekje nga vetura në Prishtinë

    Gjatë ditës së sotme pritet të mbahet ceremonia e varrimit të 26-vjeçarit, Shkumbim Hebibaj që u aksidentua për vdekje disa ditë më parë në rrugën ‘’Agim Ramadani’’, në Prishtinë.

    Sipas njoftimit ceremonia e varrimit pritet të mbahet duke filluar nga ora 13:00 në varrezat e fshatit Baballoq të Deçanit.

    Ndryshe, lidhur me rastin është arrestuar shoferja që dyshohet se shkaktoi aksidentin.

  • Rama pret në takim presidentin Zelensky

    Rama pret në takim presidentin Zelensky

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur në takim presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

    Rama dhe Zelensky do të kenë takim fillimisht kokë më kokë dhe më pastaj do të takohen dy delegacionet shtetërore.

    Zelensky po qëndron sot në Tiranë, ku pritet të mbahet Samiti “Ukrainë – Europa Juglindore”, në të cilin pjesëmarrëse është edhe presidentja e Kosovë, Vjosa Osmani.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky për herë të parë po viziton Shqipërinë.

    Ai ka mbërritur në tokën shqiptare mbrëmë, ku është pritur nga ministri Igli Hasani dhe ambasadori i Ukrainës në Tiranë, ndërsa sot merr pjesë në samitin për Ukrainën.

     

     

  • Gjendet i vdekur një burrë në Obiliq

    Gjendet i vdekur një burrë në Obiliq

    Policia njoftoi se dje është gjetur i vdekur një burrë në Obiliq.

    “Obiliq 27.02.2024, 11:31. Është raportuar per nje person pa shenja jete. Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës mashkull kosovar ”, thuhet në njoftimin policor.

    Tutje, Policia bëri të ditur se ka nisur hetimet për vdekjen e tij.

     

  • Ministri Hasani takohet me homologun nga Ukraina

    Ministri Hasani takohet me homologun nga Ukraina

    Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në këto momente pret në një takim ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba.

    Sipas njoftimit, në orën 8:25, ministri Hasani dhe homologu ukrainas Kuleba do të dalin në një deklaratë të përbashkët për media.