ATV

Category: Lajme

  • Parandalohet një rast i kontrabandës në Jarinje, vlera e mallit rreth pesë mijë euro

    Parandalohet një rast i kontrabandës në Jarinje, vlera e mallit rreth pesë mijë euro

    Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Policinë kanë parandaluar një rast të kontrabandës në pikë kalimin kufitar të Jarinjes.

    Në momentin e hyrjes së një autobusi të linjës Serbi-Kosovë, i cili kishte si destinacion Kosovën, u zbuluan mallra të fshehura në një nga hapësirat e tij.

    Mallrat e zbuluara, të cilat ishin të pa deklaruara, përfshinin: produkte ushqimore, mbathje sportive, si dhe produkte tjera tekstili.

    Vlera totale e mallit që ka tentuar të futet në mënyrë të paligjshme në territorin e Kosovës është 4,793.48€.

    Komunikata e plotë:

    Gjatë një kontrolli rutinë, oficerët Doganor në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, parandaluan tentim kontrabandimi e mallrave përmes autobusit në pikëkalimin kufitar të Jarinjës.

    Në momentin e hyrjes së një autobusi të linjës Serbi-Kosovë, i cili kishte si destinacion Kosovën, u zbuluan mallra të fshehura në një nga hapësirat e tij.

    Mallrat e zbuluara, të cilat ishin të pa deklaruara, përfshinin: produkte ushqimore, mbathje sportive, si dhe produkte tjera tekstili.

    Vlera totale e mallit që ka tentuar të futet në mënyrë të paligjshme në territorin e Kosovës është 4,793.48€. Autobusi është dërguar në terminalin doganore të Mitrovicës nën mbikëqyrjen e stafit doganor dhe policor për një kontroll të hollësishëm.

    Mallrat e pa deklaruara janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës, ndërsa rasti po trajtohet nga njësitë relevante të Doganës së Kosovës.

  • Shtohen edhe nëntë seanca të tjera për 2024-ën, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Shtohen edhe nëntë seanca të tjera për 2024-ën, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë janë paraparë disa ndryshime në kalendarin e seancave në çështjen gjyqësore ndaj Hahsim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Me anë të vendimit të trupit gjykues, në këtë çështje gjyqësore pritet që të mbahen edhe nëntë seanca të tjera shtesë gjatë vitit 2024, raporton” “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas asaj që u tha në seancën e sotme në këtë çështje gjyqësore si dhe sipas njoftimit të DhSK-së, ditët e parapara për seanca shtesë janë 10, 24 dhe 30 maj, 15, 16, 17 dhe 18 korrik dhe 31 tetor dhe 28 nëntor.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Rastet e plaçkitjeve, Latifi kërkon shtimin e prezencës së policisë në Rahovec

    Rastet e plaçkitjeve, Latifi kërkon shtimin e prezencës së policisë në Rahovec

    Rastet e fundit të plaçkitjeve, rrahjeve dhe gjuajtjeve me armë në fshatrat e Rahovecit kanë ngritur shqetësim të qytetarët e kësaj komune.

    Në lidhje me këtë çështje, Komuna e Rahovecit sot ka shqyrtuar gjendjen aktuale të sigurisë dhe ka vendosur për një koordinim më të fortë në mes të policisë dhe qytetarëve.

    Kryetari Smajl Latifi tha se situata është serioze pasi po cenohen prona dhe pasuria e qytetarëve, dhe kërkoi të rritet prania e ekipeve policore në terren.

    “Shqetësimet serioze të qytetarëve tonë, për disa zhvillime, të cilat kanë cenuar pronën dhe pasurinë, qoftë përmes veprimeve ordinere të keqbërësve apo veprimeve tjera, të cilat paraqesin rrezik sipas vlerësimeve tona… Kanë avancuar në plaçkitje, grabitje të armatosura, gjuajtje me armë, plagosje, rrahje dhe plaçkitje njëkohësisht. Qëllimi i këtij takimi është që të konfirmojmë gatishmërinë tone të plotë, vullnetin tonë për rritjen e nivelit të gatishmërisë së organeve profesionale, organeve kompetente të cilat i ka në veprim shteti ynë. Ky takim ka për qëllim të konfirmojë rritjen e seriozitetit të të gjitha organeve komunale, të policisë dhe organeve të tjera profesionale, me qëllim që të krijojmë në vazhdimësi klimë të fortë të sigurisë, stabilitetit në trojet dhe shtëpitë tona. Kjo ka për qëllim të konfirmojë bashkëpunimin dhe koordinimin më të mirë që të përballemi bashkërisht të gjithë për kërcënimet e sigurisë, të cilat janë theksuar sidomos nga veprimet…Kërkoj prani më të madhe të forcave policore, forcave elitare të policisë, ato janë, por po kërkoj të mbahet ky nivel dhe të forcohet ky nivel dhe të forcohet ky nivel i pranisë dhe i angazhimit, të cilat i disponon Kosova. Përmes pranisë së tyre dhe angazhimit tyre dërgojnë mesazhin qartë se qytetarët tonë janë të qetë dhe të sigurt”, tha Latifi, raporton KP.

    Komandanti i stacionit policor të Rahovecit, Fadil Morina tha se rastet e veprave penale në këtë komunë për këtë vit janë 35% janë më pak.

    Ai tha se situata është paksa shqetësuese për shkak të rasteve të fundit në dy fshatrat e Rahovecit, por se policia ka ndërmarrë të gjitha masat dhe janë rrugës për t’i zgjidhur.

    “Në vitin 2024 në krahasim me vitin e kaluar janë gjithsej 63 raste apo 63 vepra penale, që do të thotë se këta dy muaj të këtij viti në krahasim me vitin e kaluar kemi 30 raste më pak apo 35 për qind. Është situatë shqetësuese dhe brengë duke u ndërlidhur me dy rastet e fundit, mirëpo mund të garantoj që nuk po hezitojmë dhe jemi të përkushtuar. Sa i përket besueshmërisë, jemi institucion që jemi të përkushtuar pavarësisht gjendjes së rrezikshmërisë të secilit zyrtar që është aktiv”, tha Morina.

  • Anketa e UNDP-së: Kosovarët më të kënaqur me Osmanin se me Kurtin dhe Konjufcën

    Anketa e UNDP-së: Kosovarët më të kënaqur me Osmanin se me Kurtin dhe Konjufcën

    UNDP-ja ka realizuar një anketim me 1,306  qytetarë prej të cilëve mesatarisht 42.44 për qind janë të kënaqur me punën e institucioneve qendrore të Kosovës, duke shënuar rënie për 3.32 pikë përqindje krahasuar me prillin e vitit 2023, kur ky numër ishte 45.76%.

    Në gjetjen e anketimit thuhet se kënaqshmëria me performancën e kabinetit ekzekutiv e kapi vlerën prej 41.8% duke shënuar ulje për 4 pikë përqindje krahasuar me prillin 2023 kur ishte 45.8%.

    “Kënaqshmëria me punën e kryeministrit e kapi vlerën prej 48.9%, duke treguar ulje për 2.6 pikë përqindje krahasuar me prillin 2023 (51.5%). Kënaqshmëria me Kuvendin ishte në vlerën prej 38.7% krahasuar me 46.4% në prill 2023. Një rënie pak më e lartë e kënaqshmërisë është vërejtur me Kryetarin e Kuvendit, duke e shënuar vlerën prej 52.2%, krahasuar me 58.3% në prill 2023”, thuhet në njoftim.

    Kurse edhe për presidenten Vjosa Osmani thuhet se ka një rënie të kënaqshmërisë: “duke e kapur vlerën prej 56.2% krahasuar me 60.3% në prill 2023.

    Ndërkohë, është shënuar një rritje për 0.3 pikë përqindje me punën e gjykatave (29.3%) krahasuar me nëntorin e vitit 2023 (29%), dhe për 1 pikë përqindje me punën e Prokurorisë (30%) krahasuar me prillin e vitit 2023 (29%).

    Në përputhje me rritjen e përgjithshme të të gjithë treguesve të indeksit ekonomik, në anketën e nëntorit 2023, kënaqshmëria me drejtimin ekonomik shënoi rritje prej 2.41 pikë përqindje, duke e kapur vlerën prej 20.2% krahasuar me 17.79% në prill 2023.

  • Mes lotësh, familjarët e 26-vjeçarit që vdiq nga aksidenti në Prishtinë e falin gjakun

    Mes lotësh, familjarët e 26-vjeçarit që vdiq nga aksidenti në Prishtinë e falin gjakun

    Familjarët e 26-vjeçarit që mbeti i vdekur si pasojë e aksidentit në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë sot ia kanë falur gjakun familjes së të dyshuarës që ka shkaktuar aksidentin.

    “Ky gjak familjes Kllokoqi-Berisha iu fal sot, mos me e çu më gat, e para se me falë xhenazen e djalit. Veç me ia bë hallall, pa ja jep dorën. Në prezencën e burrave këtë punë me ia lënë në dorë të Zotit, por jo na me u marrë me atë punë”, ka thënë shehu prezent.

    Familjarët janë parë të emocionuar në momentin e faljes së gjakut.

    Aksidenti i rëndë ku mbeti i vdekur 26-vjeçari ndodhi para dy ditësh në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë.

    26-vjeçari u godit për vdekje, pasi vetura kishte përplasur semaforin.

  • Andin Randobrava rrëfen rastin e një vajze që i është shfaqur emri “Allah” pas terapive të bioenergjisë

    Andin Randobrava rrëfen rastin e një vajze që i është shfaqur emri “Allah” pas terapive të bioenergjisë

    Për vite të tëra e kemi njohur si këngëtar dhe kompozitor i shumë hiteve muzikore, por, tashmë Andin Randobrava po punon në një profesion krejtësisht ndryshe nga ai i mëparshmi. Ai, tani është bioenergjist i certifikuar dhe në LIBERO ishte i ftuar për të shpjeguar më tepër rreth bioenergjisë dhe mënyrës se si funksionon ajo.

    “…Bioenergjia është shkencë që merret me trajtimin e anës energjetike të njeriut, unë jam mjeshtër i meditimit dhe kur kalojnë 10 vite gjërat përjetohen ndryshe, unë e kam matur nivelin e bioenergjisë time dhe kam kuptuar që bota nuk është ashtu siç e shohim – sepse kjo që shohim ne është vetëm 0.04 e asaj që ekziston…”, u shpreh ai.

    Gjithashtu, përmes bioenergjisë Andini tha se arrin të shërojë njerëz që nuk ndihen mirë me shëndetin e tyre, madje rrëfeu edhe një rast që e ka ndaluar edhe vetëvrasjen!

    “…Erdhi një vajzë tek unë që ka tentuar vetëvrasjen sepse ishte ndierë fajtore për një fatkeqësi që i kishte ndodhur në familje, unë fillova ta bëj kristalo-terapinë dhe i thashë që nëse shfaqet diçka dije që Zoti ta ka falur, ajo filloi të qajë sepse iu shfaq fjala ‘Allah’…”, shtoi ai.

    Vlen të ceket se shërimi përmes bioenergjisë është një teknikë alternative e shërimit që përdor fushat e energjisë  natyrore të trupit për të promovuar shërimin dhe mirëqenien.

    Për të ndjekur diskutimin e plotë, mund të klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Zelensky falënderon Shqipërinë për ndihmën: Të mbështesim njëri-tjetrin në integrimin evropian

    Zelensky falënderon Shqipërinë për ndihmën: Të mbështesim njëri-tjetrin në integrimin evropian

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbajtur fjalën e tij në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama.

    Presidenti ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen dhe ka theksuar që vendet të mbështesin njëra-tjetrën në rrugën drejt integrimit evropian.

    “Së pari e mbi të gjitha dëshiroj tju falenderoj juve Edi, popullin tuaj, të gjithë shqiptarët për mbështetjen e sinqertë që ju na keni dhënë ne, popullit tonë dhe mbështetjen që i jepni drejtësisë në Europë. Ju falenderojmë për të gjitha paketat që keni mbështetur. Dëshiroj t’ju falenderoj për bashkëpunimin politik. Na duhet më shumë besim të çfarë mund të bëjmë ne. Duhet që ju të keni besim te ne. Ne mbështesim edhe integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimro në BE, por duhet që edhe jut ë na mbështesni ne. faleminderit për vullnetin tuaj të qartë. Ukraina si edhe i gjitha rajoni i Europës Juglindore, duhet të bashkëpunojmë, të ecim përpara, të na mbështesni edhe në formulën tonë të paqes, planin me një pika. Lufta është filluar nga një person i vetëm, por punën për paqe do ta bëjmë të gjithë së bashku”, tha Zelensky.

    Lexoni edhe:

    Rama fajëson Putinin për luftën: Donte ta fshinte Ukrainën nga harta brenda ditës

  • ​Bislimi kërkon nga Sarrazin largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës

    ​Bislimi kërkon nga Sarrazin largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës

    Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, i shoqëruar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, mirëpriti në takim Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

    Sipas një njoftimi thuhet se palët diskutuan mbi situatën në vend dhe rajon dhe zhvillimet e fundit politike.

    Derisa një prej temave të adresuara ishte edhe masat ndëshkuese ndaj Kosovës, ku zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se ato vijojnë të jenë të padrejta dhe se duhet të hiqen sa më parë.

    Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi emisarin Sarrazin për përkushtimin, angazhimin e tij të vazhdueshëm e intensiv dhe për këtë vizitë të radhës në vendin tonë.

  • Rama fajëson Putinin për luftën: Donte ta fshinte Ukrainën nga harta brenda ditës

    Rama fajëson Putinin për luftën: Donte ta fshinte Ukrainën nga harta brenda ditës

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën hapëse të Samitit mes Ukrainës dhe vendeve të Evropës Juglindore, fajësoi presidentin Putin si shkaktarin e luftës në Ukrainë.

    Në nisje të punimeve të samitit u shfaq një video me mesazhe solidarizuese të liderëve botërorë për Ukrainën.

    Rama tha se ëndrrat e vjetra perandorake të Putinit janë ato të cilat kanë shkaktuar luftën e armatosur. Sipas shefit të qeverisë, lideri rus donte që ta fshinte nga harta brenda ditës Ukrainën, por ai nuk ia ka dalë, pasi përkundrazi sot Ukraina është më afër se kurrë me Bashkimin Evropian.

    “Kjo është një luftë që as Ukraina e as bashkësia jonë e kombeve me të njëjtin qëndrim nuk e zgjodhën, një katastrofë e ngjizur nga vendimi i një njeriu i trajtuar nga një ëndërr e vjetër e një të shkuare perandorake. Prania juaj këtu është një kujdesë që ai nuk ia ka dalë. Pavarësisht fuqisë së saj ushtarake dhe propagandës toksike Rusia neo-imperialistë nuk ia ka dalë të përmbysë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, nuk ia ka dalë të shtyp vullnetin e Ukrainës të jetojë në një vend të lirë, nuk ia ka dalë të shtyp të vërtetën, kontrasti nuk mund të jetë më i madh se aq. Putin donte ta fshinte Ukrainën nga harta brenda ditës, por Ukraina sot është më shumë se kurrë e ankoruar në Evropë”, tha Rama.

    Ai nga ky forum ka bërë thirrje Rusisë që ta ndal luftën, pasi duan një paqe që respekton Ukrainën dhe të drejtat e saj.

    “Hedh sytë rreth kësaj tryeze, shoh fytyra të njohura, miqësore, pas një historie të gjatë luftërash, konfliktesh marrëdhëniesh të ngrita. Të gjithë ne këtu në Ballkanin Perëndimor jemi bërë bashkë për të paktën një dekadë, për t’u takuar. Për të folur për sfidat tona, për të planifikuar të ardhmet tona. Pavarësisht asaj për të cilën ende s’mund të mos biem dakord, për të parë përpara në vend se të shohim pas historinë brutale të ndasive të përgjakshme që na kanë mbajtur peng për kaq shumë brezni. E ardhmja që ne në Shqipëri shohim është e ardhmja e përbashkët ku jetojmë në paqe me fqinjët, ku punojmë në bashkëveprim me partnerët tanë e qëndrojmë në miqësi me botën. Prania juaj këtu zoti President na bën thirrje që të pranojmë diçka me një rëndësi të jashtëzakonshme që e njëjta shpresë që na ka bërë bashkë ne përgjatë viteve, na bashkon tanimë me popullin e Ukrainës. Sapo kemi shënuar përvjetorin e dytë të zymtë, të sulmit në shkallë masive të Rusisë kundër Ukrainës dhe kryeqytetit të saj Kievit dhe jemi këtu të përtërijmë solidaritetin dhe mbështetjen për Ukrainën dhe popullin e saj dhe juve zoti President e të gjithë atyre që vuajnë sot në Ukrainë. Duam po kështu të përtërijmë thirrjen tonë për Rusinë të ndalë këtë luftë. Duam të përtërijmë angazhimin tonë ndaj paqes, një paqeje të drejtë e mbështetur në Kartën e Kombeve të Bashkuara, të së drejtës ndërkombëtare e rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Një paqe që respekton Ukrainën dhe të drejtat e saj.”, tha ai.

    Rama shtoi se të shpërblesh një agresor, i cili anekson territoret e një vendi sovran duke çarmatosur viktimën e agresionit nuk sjell paqe, por shtron terrenin për më shumë luftë.

    “Ne vetë nuk kemi kapacitetin për të ofruar nivelet e mbështetjes financiare dhe ushtarake për të cilën ka nevojë Ukraina për të mbrojtur si duhet veten dhe popullin e vet. Kështu që më lini t’i kërkoj gjithkujt këtu të bashkohen me thirrjen time për anëtarët më të mëdhenj e më të pasur të bashkësisë sonë demokratike për të njohur rolin e tyre. Jetesa e Ukrainës si një shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik e si bastion i lirisë së Evropës në tërësi varet nga mbështetja financiare dhe ushtarake që ata së pari mbi të gjitha ofrojnë. Kjo mbështetje nuk duhet të jetë peng i politikave të brendshme ditëshkurtra, apo i vonesave demokratike. Mos u gaboni! Ukraina nuk po lufton veç për veten, por për gjithçka në ne cilën besojmë, qëndrojmë dhe punojnë. Ka atje tej disa oportunist cinik se të ndihmosh Ukrainën në qëndresën e saj ndaj ushtrisë pushtuese, pengon kauzën e paqes, por atyre do t’u them sot se mënyra për t’i dhënë fund luftës nuk është të çarmatosim viktimën, por të ndalim agresorin në agresionin e tij. Të shpërblesh një agresor, i cili anekson territoret e një vendi sovran duke çarmatosur viktimën e agresionit nuk sjell paqe, por shtron terrenin për më shumë luftë. Të ndalosh Ukrainën në vend që të ndalosh Vladimir Putinin e shndërron paqen mbështetur në shpërblim për agresion një bazë legjitimimi të një agresioni të mëtejshëm dhe e shndërron botën tonën tonë në një vend të sunduar nga fuqia, jo nga të drejtat. Kolegë dhe miq, e dimë më shumë se mirë se rajoni ynë dhe kontinenti ynë nuk janë të panjohur me luftërat dhe pasojat e tyre shkatërrimtare. Evropa siç e njohim, doli pas dy luftërash të tmerrshme botërore vetëm shekullin e shkuar. Në këtë rajon, në rajonin tonë pas më shumë se një çerek shekulli plagët e thella të lëna nga shpërbërja e dhunshme e ish Jugosllavisë diktatura e fundit e Evropës sonë të përbashkët ende duhen shëruar, por kemi parë dhe ndërtim të paqes pasqyruar mbi të gjitha në vizionin e urtinë e pashembullt dhe kurajën e punën e madhe që çoi në krijimin dhe zhvillimin e BE.”, tha ai.

    Sipas tij, vizioni që çoi në krijimin e BE-së udhëzon sot në Ballkanin Perëndimor në rrugëtimin drejt së ardhmes, një të ardhme që mund të arrihet vetëm në paqe duke qëndruar dhe duke punuar së bashku dhe duke zgjidhur dallimet tona në mënyrë paqësore, konstruktive në emër të brezave të ardhshëm.

  • Foto familjare e liderëve pjesëmarrës në Samitin Ukrainë-Evropa Juglindore në Tiranë

    Foto familjare e liderëve pjesëmarrës në Samitin Ukrainë-Evropa Juglindore në Tiranë

    Pas përfundimit të Samitit për Ukrainën, që po mbahet në Tiranë, pjesëmarrësit kanë realizuar “fotografinë familjare”.

    Në fotografi, siç shihet kryeministri Edi Rama dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky janë në qendër, ndërsa krah tyre gjenden presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, po qëndron në një vizitë zyrtarë në Shqipëri, si bashkëorganizator i Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore”.