ATV

Category: Lajme

  • Hoti: Çdo fillim marsi na përkujton rëndësinë e lirisë që e gëzojmë

    Hoti: Çdo fillim marsi na përkujton rëndësinë e lirisë që e gëzojmë

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se çdo fillim marsi, Ditët e Epopesë së UÇK-së na përkujtojnë rëndësinë e lirisë që e gëzojmë.

    Ai ka shkruar se për popullin tonë, vendosmëria dhe sakrifica e Familjes Jashari u shndërruan në forcën që ndryshoi rrjedhën e historisë.

    “Epopeja e UÇK-së – moment lavdie e përkulje për të rënët, moment inspirimi për të ardhmen tonë si shtet i lirë e i pavarur, i integruar në BE e NATO, e në fqinjësi të ngushtë me SHBA-në. Çdo fillim marsi, Ditët e Epopesë së UÇK-së na përkujtojnë rëndësinë e lirisë që e gëzojmë.

    Frymëzuesi i lëvizjeve për të drejtat civile dhe lirinë në të gjithë botën, Mahatma Gandhi thotë: “Një grup i vogël i shpirtrave të vendosur, të pushtuar nga një besim i pashuar në misionin e tyre, mund të ndryshojë rrjedhën e historisë”. Për popullin tonë, vendosmëria dhe sakrifica e Familjes Jashari u shndërruan në forcën që ndryshoi rrjedhën e historisë. Familja Jashari u kthye në simbolin e sakrificës për liri, e cila u bë pjesë e historisë botërore të sakrificës së popujve për liri”, ka thënë ai.

    Tutje, Hoti ka thënë se cdo përvjetor i Epopesë së UÇK-së duhet të na shtojë përgjegjësinë në detyrat që kemi, pavarësisht dallimeve.

    “ Vetëm kështu mund ta kemi ndërgjegjen të qetë se jemi duke nderuar të rënët për lirinë që e gëzojmë sot e përjetë.Të lartësuar qofshin gjithmonë të rënët për liri”, ka shkruar Hoti.

  • Maqedonci: Familja Jashari, simbol i lirisë e burim frymëzim i ushtarëve të FSK-së

    Maqedonci: Familja Jashari, simbol i lirisë e burim frymëzim i ushtarëve të FSK-së

    Ministri i Mbrojtjes, ministri Ejup Maqedonci, në 26-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se Shaban Jashari dhe të bijtë Ademi e Hamza së bashku me të gjithë anëtarët e familjes, dhanë shembullin e një rezistence totale, duke vazhduar luftën deri në frymën e tyre të fundit.

    Ai ka theksuar se ata u bënë simbol i lirisë dhe një epopeje që shënoi historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Edhe pas 26 vitesh, ministri Maqedonci, ka thënë se rezistenca e Jasharëve është burim frymëzimi për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    “Që nga atëherë para 26 viteve dhe deri sot, rezistenca dhe lufta e Jasharëve të Prekazit, është kthyer në burim frymëzimi për të gjithë luftëtarët e UÇK-së në luftën e tyre për liri, duke u trashëguar deri te ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në misionin e tyre për ta ruajtur këtë liri. 26 vjet përpjekje për ta kultivuar luftën e drejtë për liri dhe për ta frymëzuar me të luftën për shtetndërtim. 26 vjet Epope e UÇK-së: 26 vjet lavdi!”, ka shkruar ministri Maqedonci në Facebook.

    Po ashtu, ai ka thënë se gjatë 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, fshati Prekaz bëhet dëshmi e një rezistence të palëkundur dhe heroike.

  • Kuvendi mban seancë solemne me rastin e 26 vjetorit të Epopesë së UÇK-së

    Kuvendi mban seancë solemne me rastin e 26 vjetorit të Epopesë së UÇK-së

    Kuvendi i Kosovës mban sot seancë solemne, duke filluar nga ora 10:00.

    Kjo seancë ka vetëm një pikë dhe është shënimi i 26 – vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në seancë, do të marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Pas seancës, në orën 12:00, nis ceremonia e Rreshtimit të Kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit të Epopesë.

  • Osmani sot pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it

    Osmani sot pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it

    Presidentja Vjosa Osmani sot pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee.

    Takimi fillon nga ora 10:00.

    Mediat mund të marrin pamje në fillim nga takimi, ndërsa pas takimit Osmani  dhe McKee deklarohen për media.

  • Zëvendëskryeministri Bislimi sot takohet me Lajçakun

    Zëvendëskryeministri Bislimi sot takohet me Lajçakun

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të martën(sot) do ta presë në takim emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

    Kështu është bërë e ditur nga Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media, ku thuhet se në takim do të diskutohet për ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike.

    Bëhet e ditur se takimi do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë duke filluar nga ora 09:30.

    “Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, pret në takim ditën e nesërme, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin do të diskutohet për ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike. Vendi: Ndërtesa e Qeverisë.Koha: 09:30”, thuhet në komunikatë.

  • Gjuajtja me armë në Lagjen e Muhaxhirëve në Prishtinë, Policia jep detajet e fundit

    Gjuajtja me armë në Lagjen e Muhaxhirëve në Prishtinë, Policia jep detajet e fundit

    Sonte rreth orës 21:30, ka pasur sërish gjuajtje me armë në Lagjen e Muhaxhirëve në Prishtinë.

    Lajmin për ATV-në e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    “Sot rreth orës 21:40, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë dy lokacione afër rrugës Bedri Shala në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e deritanishme nuk raportohet për persona të lënduar. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe janë në kërkim të personave të dyshuar”, tha për ATV-në, Flora Ahmeti.

    ATV merr vesh se të dyshuarit janë gjuajtur në drejtim të shtepisë së Salih Sekiraqës.

    Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, pikërisht në këtë lagje ka ndodhur një rrahje dhe plagoje me armë zjarri.

  • Sërish gjuajtje me armë në Lagjen e Muhaxhirëve në Prishtinë

    Sërish gjuajtje me armë në Lagjen e Muhaxhirëve në Prishtinë

    Pak minuta më parë, ka pasur sërish gjuajtje me armë në Lagjen e Muhaxhirëve në Prishtinë.

    ATV mëson se forca të shumta të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes.

    Ende nuk dihen më shumë detaje rreth kësaj ngjarje.

    Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, pikërisht në këtë lagje ka ndodhur një rrahje dhe plagoje me armë zjarri.

    ATV do t’ju të informuar me detajet e reja.

  • Komuna e Mitrovicës Veriore: 300 euro për fëmijët e lindur më 2024, çiftet e reja 500 euro

    Komuna e Mitrovicës Veriore: 300 euro për fëmijët e lindur më 2024, çiftet e reja 500 euro

    Komuna e Mitrovicës Veriore ka vendosur të ndajë subvencione për fëmijët e lindur në vitin 2024 si dhe për çiftet e reja.

    Familjet e fëmijëve të lindur në vitin 2024 do të subvencionohen me 300 euro, ndërsa çiftet e reja me 500 euro.

    Për këtë ka njoftuar Komuna e Mitrovicës së Veriut përmes një njoftimi në Facebook.

  • Vdes një ushtar turk i KFOR-it

    Vdes një ushtar turk i KFOR-it

    KFOR-i ka njoftuar se sot ka vdekur në gjumë një ushtar turk i KFOR-it, që ishte në Ekipin Monitorues Ndërlidhës të Gjilanit. KFOR ka thënë se ushtari ka vdekur në gjumë dhe shkaqet e sakta të vdekjes së tij nuk janë bërë të ditura.

    “Ushtari shërbeu me dallueshmëri dhe kontribuoi me shërbimin e tij të përditshëm në përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovës. Përkushtimi i tij ndaj misionit gjithmonë do të mbahet në mend dhe do të nderohet”, ka thënë KFOR.

    KFOR ka treguar se janë njoftuar familjarët e të ndjerit.

    Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ozkan Ulutash, ka ofruar ngushëllime.

    “Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për këtë humbje tragjike. Mendimet e mia janë me familjarët dhe shokët e ushtarit të vdekur. Humbja e tij ndihet në gjithë komunitetin e KFOR-it. Ne do ta nderojmë kujtimin e tij me angazhimin tonë të palëkundur për misionin e KFOR-it”, ka thënë Ulutash.

  • Përurohet bursa shqiptare e energjisë, bashkohen tregjet Kosovë-Shqipëri

    Përurohet bursa shqiptare e energjisë, bashkohen tregjet Kosovë-Shqipëri

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Përfundimisht, pas një serie vonesash, Kosova përuroi funksionalizimin e Bursës Shqiptare të Energjisë ALPEX dhe bashkimin e tregjeve energjetike me Shqipërinë.

    Hapja e zonës ofertuese të Kosovës në “tregun një ditë para”, u bë gati një vit pas asaj të Shqipërisë.

    Krahas vlerësimit “moment historik për sektorin e energjisë”, kryeministri Albin Kurti tha se funksionalizimi i ALPEX-it do të ndihmojë në rritje të konkurrencës dhe në zhvillim.

    Lansimi i bursës dhe bashkimi i tregjeve të dy vendeve në ditën e njëjtë, sipas kryeshefit të KOSTT-it, Evetar Zeqiri, e bën unik ALPEX-in.

    Në vlerësim e drejtores së USAID-it në Kosovë, ky hap, mes tjerash, mund të ndikojë në rritjen e sigurisë së furnizimit, integrimin energjetik rajonal e evropian, si dhe shtim eventual të investimeve.

    “Kemi mbështetur këtë iniciativë për bashkimin e tregjeve, duke ditur se integrimi rajonal është kyç për sigurimin e një të ardhme të pastër, sigurt dhe efiçiente të energjisë në Kosovë. ALPEX, veçmas, do të stimulojë konkurrencën, do t’i ndikojë çmimet dhe do t’i zgjerojë opsionet e zgjedhjes për konsumatorët”, tha Eileen Devitt, drejtore e misionit të USAID-it në Kosovë.

    Krahas bilanceve të tregtimit, në ceremoni u prezantuan edhe shkëmbimet e ditës Kosovë-Shqipëri.

    Hapi i radhës i synuar nga institucionet e Kosovës është funksionalizimi i “tregut brenda ditës”.

    Bursa Shqiptare e Energjisë – ALPEX është shoqëri aksionare në bashkëpronësi të Operatorëve të Sistemeve të Transmisionit të Kosovës dhe Shqipërisë, KOSTT dhe OST, e themeluar në bazë të marrëveshjes ndërmjet tyre më 2020.