ATV

Category: Lajme

  • 26 vjetori i Epopesë së UÇK-së, Memli Krasniqi: Familja Jashari, u bë fanar shprese në luftën për çlirim

    26 vjetori i Epopesë së UÇK-së, Memli Krasniqi: Familja Jashari, u bë fanar shprese në luftën për çlirim

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në 26 vjetorin e shënimit të Epopesë së UÇK-së, ka thënë se me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Drenicës, fjalët qëndresë, sakrificë, guxim e krenari u përbashkuan në mbiemrin e Familjes Jashari.

    Kreu i PDK-së, në një postim në Facebook, është shprehur se heroizimi dhe sakrifica e familjes Jashari, mishëron shpirtin e një kombi të etur për liri.

    “Secili anëtar i familjes Jashari, u bë fanar shprese në luftën e përgjakshme për çlirim. Nga baca Shaban e te nana Zahide, nga Hamza e te Blerina, nga Ademi e te Kushtrimi 13 vjeçar, pushka e të cilit shkrepi e fundit në atë betejë. Për tri ditë, familja Jashari ktheu çdo gur të Prekazit në monumente të lavdisë që do të jetojë përgjithmonë në mendjet dhe zemrat e secilit shqiptar deri në mbarim të kohës. Nderime përjetësisht!”, ka shkruar Krasniqi.

  • Abdixhiku: Është obligim i secilit që të punojmë për Kosovën, kështu nderojmë familjen Jashari

    Abdixhiku: Është obligim i secilit që të punojmë për Kosovën, kështu nderojmë familjen Jashari

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në 26-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, ka përkujtuar sakrificën sublime të familjes Jashari.

    Përmes një postimi të faqes zyrtare në Facebook, Abidixhiku ka thënë së i kujton me nder e krenari, fëmijët, gratë dhe burrat, siç i ka quajtur ai, më të mirët e kombit, që kanë sakrifikuar jetën për lirinë e shtetit të Kosovës.

    “Datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 shënojnë ngjarjen më kulminante në luftën e Kosovës për liri e çlirim; sakrificën sublime të Familjes Jashari e me këtë dhe fillimin e fundit të përpjekjes sonë shekullore për liri. Sot, në këtë 26 vjetor të Epopesë së UÇK-së, ne i kujtojmë me nder e krenari, fëmijët, gratë dhe burrat më të mirë të kombit që sakrifikuan jetën për lirinë dhe shtetin që e gëzojmë sot”, tha Abdixhiku.

    Tutje, Abdixhiku ka thënë se është obligim i secilit që të punojnë për forcimin dhe avancimin e Kosovës, sepse siç thotë ai, në këtë mënyrë nderohen familja Jashari dhe të gjithë të rënët për lirinë e vendit.

    “Është obligim i secilit nga ne që të punojmë fort çdo ditë e më shumë në forcimin dhe avancimin e shtetit tonë, sepse vetëm kështu i nderojmë dhe e dërgojmë në vend amanetin e të rënëve të Familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës”, shkroi Abdixhiku.

  • Osmani kalon para kuadrateve të FSK-së

    Osmani kalon para kuadrateve të FSK-së

    Presidentja e vendit, ka kaluar para rreshtimit të kuadratëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Kjo ngjarje po zhvillohet në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ndërsa Osmani u prit nga komandanti i Brigadës Ilir Qeriqi.

    Kjo po zhvillohet me rastin e 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

  • ​Arifi: Familja Jashari na dha mësim, në Preshevë po jetojmë me pushtuesit çdo ditë

    ​Arifi: Familja Jashari na dha mësim, në Preshevë po jetojmë me pushtuesit çdo ditë

    Me rastin e 26 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi ba bërë homazhe në kompleksin memorial të Adem Jasharit në Prekaz duke i nderuar ata që dhanë jetën për këtë liri që e gëzojmë sot.

    Arifi sa herë që viziton kompleksin ndjenë gëzim, krenari, por edhe mall për Jasharët që dhanë jetën e tyre për një liri dhe për të larguar pushtuesin, me të cilët në Preshevë ende përballen dhe jetojnë me ta.

    “Erdha në këtë vend të shenjët sepse çdoherë që vi këtu është një vend i cili çdoherë krijon të njëjtën ndjenjë, gëzim, krenari por edhe pak mall për këta njerëz që kanë vërë veprën më të madhe që mund të bëjë dikush, të jep jetën e tyre dhe familjes, për një liri dhe idenë i lirisë dhe me largu pushtuesin me të cilin ne në Preshevë jemi ende duke jetuar çdo ditë e më shumë. Shyqyr Zoti, që i kemi pasur me na dhënë një mësim të cilin nuk e harrojmë kurrë,” thotë Arifi.

    Në 26-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, sot kompleksi memorial i Adem Jasharit në Prekaz është duke u vizituar nga qytetarë të vendeve të ndryshme.

  • ​Partitë politike nderojnë jetën dhe sakrificën e familjes Jashari

    ​Partitë politike nderojnë jetën dhe sakrificën e familjes Jashari

    Seanca solemne për nder të 26-vjetorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka nisur me një minutë heshtje për familjen Jashari dhe të gjithë të rënët për liri. Deputetët kanë nderuar sakrificën dhe flijimin e familjes heroike nga Prekazi. Pozitë e opozitë kanë thënë se liria është amaneti i komandantit legjendar dhe dëshmorëve të lirisë. Në këtë seancë solemne u përmendën edhe ish-luftëtarët e UÇK-së, të cilët po gjykohen nga Hagë. Po ashtu, u bë thirrje që të ruhen miqësitë dhe miqve mos t’u mbyllen dyert.

    Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi-Mehmeti u shpreh se qëndresa është virtyt i së drejtës. Ajo nderoi sakrificën e gjithë heronjve për liri dhe pavarësi të vendit.

    “Atdheu dhe liria janë amaneti i Adem Jasharit dhe dëshmorëve të lirisë. Këtë amanet duhet të jemi gati ta ruajmë me jetën tonë. Kështu e nderojmë veprën e Jasharëve. Kohët që po kalojnë nuk janë aspak të qeta. Ata na kujtojnë se armiku është i njëjtë, ai është i njëjtë tash e një shekull. Dredhitë e njëjta, planet e njëjta, egërsinë e fshehur po të njëjtë. Në këtë kohë aspak të lehta, na duhen më shumë se kurrë mësimet e Ademit dhe Hamzës. Për atdheun asnjë kompromis”, u shpreh ajo.

    Në 26 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri përmendi Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

    “Kur e kujtojmë Epopenë e komandantit legjendar Adem Jashari, nuk mund të harrojmë edhe bashkëluftëtarët e tij që sot janë në Hagë duke bërë betejën e radhës për Kosovën. Presidentin Hashim Thaçi, kryetarin Kadri Veselin, kryetarin Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimin dhe të tjerët, që sot janë në betejën për mbrojtjen e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata sot po e mbrojnë drejtësinë e luftës së UÇK-së, të komandantit legjendar Adem Jashari, po e mbrojnë sakrificën e familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve e martirëve të rënë në luftën tonë për çlirim. Në vitin 1990, Thaçi dhe Selimi u dënuan me grupin e Jasharit nga gjykatat serbe, por lufta e tyre dhe komandantit legjendar Adem Jashari, ishte e drejtë dhe kemi shpresën që edhe në procesin në të cilin po kalojnë ata sot, do të dalë e drejtë dhe fitimtare siç ka dalë çdo herë”, deklaroi ai.

    Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni tha se datat 5,6 dhe 7 mars, janë të përjetshme shqiptare. Ai shtoi se krisma e pushkës së Adem Jasharit ishte krisma e mbrojtjes së pragut të shtëpisë.

    “Sot jemi të lirë dhe të pavarur, mirëpo na mbetet të punojmë fort dhe ta zhvillojmë atdheun ashtu siç e meriton. Të punojmë fort e ta bëjmë ushtrinë tonë pjesë të NATO-s, të punojmë fort e ta bëjmë Kosovën pjesë të Bashkimit Evropian, të punojmë fort e t’i ruajmë miqësitë e Kosovës me miqtë e përjetshëm. Kurrë miqve mos t’ua mbyllim derën, kurrë armiqtë mos t’i lejojmë të shkelin në pragun e shtëpisë. Kjo është detyra jonë këtë ia kemi borxh Adem Jasharit dhe familjes heroike Jashari”, u shpreh ai.

    Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri nderoi sakrificën e familjes Jashari.

    “Baci Shaban me të bijtë, Ademin e Hamzën, i kishin krejt të njohura faktet e rezistencës por edhe fatet popujve që nuk ecin në atë rrugë. Datat 5, 6 dhe 7 mars shënojnë kthesën e madhe për Kosovën, aty ku ndryshoi ora e historisë, aty ku u bë një epokë. Shtëpia, oda e familjes Jashari ishte kthyer në kuvendin e shumë takimeve të luftëtarëve për liri, aty vinin nga Drenica, Dukagjini, Llapi, Shala e Bajgorës, Pashtriku, Gollaku, Nerodimja, Karadaku dhe nga të gjitha trojet shqiptare. Ky vend i shenjtë ishte kthyer në qendrën e rezistencës, dhe të frymëzimit të atdhetarëve të UÇK-së”, përfundoi Tahiri.

  • Sveçla: Nga 1 janari, rreth 124 mijë kërkesa për pasaporta

    Sveçla: Nga 1 janari, rreth 124 mijë kërkesa për pasaporta

    Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla bëri me dije se që nga fillimi i vitit respektivisht 01.01.2024 në total janë diku rreth 124 mijë kërkesa për pasaporta.

    Kështu tha ministri gjatë përurimit të objektit të ri të Drejtoratit për Prodhimin e Dokumenteve që funksionon në kuadër të Agjencisë për Regjistrim Civil.

    Pjesëmarrës tjerë në inaugurim ishin edhe kryeministri Albin Kurti dhe u.d. i drejtorit të ARC-së, Blerim Camaj.

  • Lajçak: Duhet progres në zbatimin e marrëveshjes bazike, është marrëveshja më e mirë që kemi mundur të arrinim

    Lajçak: Duhet progres në zbatimin e marrëveshjes bazike, është marrëveshja më e mirë që kemi mundur të arrinim

    I Dërguari i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka dalë në konferencë pas takimit me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka thënë se kanë folur për marrëveshjen e arritur midis Kosovës dhe Serbisë, çështjet e pagesave, aspektin monetar dhe sistemin e pagesave.

    Lajçak, ka thënë se duan më shumë përparim në zbatimin e Marrëveshjes bazë, e cila tashmë ka bërë një vit që nga nënshkrimi.

    Lajçaku po ashtu ka thënë se në takimin e fundit në Bruksel, u ishte lënë palëve të vendosin vetë kë duan ta dërgojnë në takim.

    “Kemi diskutuar një listë të gjatë të çështjeve. Dhe më e rëndësishmja është zbatimi i Marrëveshjes bazike të arritur dhe kjo është në interes të të gjithëve që të kemi progres në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Është marrëveshja më e mirë që kemi mundur të arrinim. Nëse do të kishte marrëveshje më të mirë, do ta kishim bërë prandaj është në interes të secilit që të zbatohet. Sepse në këtë marrëveshje kemi të gjitha përgjigjet, çfarë të bëjmë dhe si t’i bëjmë. Pyetja e vetme është se kur do të ndodhë zbatimi i këtyre pikave. Kemi shpenzuar shumë kohë për të ndërmarrë hapa dhe ka frikë në të dyja palët se çfarë do të bëjë unë e çfarë pala tjetër. Por besoj se këto çështje munden shumë thjesht të zgjidhen”.

    “Është me rëndësi të them se diskutuam edhe për çështjen e pagesave dhe që është pjesë e procesit të dialogut, diskutuam edhe këtë çështjen në takim. Ashtu siç kemi biseduar edhe në Bruksel, dhe kemi pasur disa pyetje dhe kemi diskutuar për ato që çështje që kanë tejkaluar kompetencat e delegacioneve në Bruksel”, ka thënë ai.

  • Tahiri: Datat 5, 6 dhe 7 marsi janë kulmimi i një trashëgimie dhe burimi shpirtëror për lirinë

    Tahiri: Datat 5, 6 dhe 7 marsi janë kulmimi i një trashëgimie dhe burimi shpirtëror për lirinë

    Shefi i grupit parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se shtëpia e familjes Jashari ishte kthyer në kuvendin e shumë takimeve të luftëtarëve për liri të cilët vinin nga të gjitha trojet shqiptare.

    Gjatë fjalës së tij në seancën për Epopenë e UÇK-së, Tahiri më tej u shpreh se 5,6 dhe 7 marsi nuk janë thjesht data.

    “Baci Shaban me të bijtë, Ademin dhe Hamzën, i kishin të njohura faktet e rezistencës dhe fatin e popujve që nuk ecin në atë rrugë. Këto data shënojnë kthesën e madhe për Kosovën, aty ku ndryshoi ora e historisë, aty ku u bë një epokë. Shtëpia, oda e familjes Jashari ishte kthyer në Kuvendin e shumë takimeve të luftëtarëve për liri, vinin nga Drenica, Dukagjini, Llapi, Shala e Bajgorës dhe nga të gjitha trojet shqiptare. Ky vend i shenjtë u kthye në qendrën e rezistencës dhe të frymëzimit të UÇK-së. Sakrifica dhe rënia ishte ndërtuar mbi motive e ideale të qarta të tilla që nuk mund të gjenden në një shembull kaq unik. 5,6 dhe 7 marsi nuk janë thjesht data, ato janë kulmimi i një trashëgimie, burim shpirtëror për lirinë, ndjenja më sublime për sakrificë e luftë për liri”, ka thënë Tahiri.

  • Andi Pajazitit i vazhdohet paraburigmi edhe për dy muaj

    Andi Pajazitit i vazhdohet paraburigmi edhe për dy muaj

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të dyshuarit Andi Pajaziti, i cili dyshohet për vrasjen e ndodhur më 4 gusht 2023 në lokalin “Bon Vivant”.

    Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Gashi konfirmoi se të dyshuarit Pajaziti, masa i është vazhduar deri më 4 maj 2024.

    “Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit A.P, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 04.03.2024 ka marr vendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit A.P iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj. Masa e paraburgimit të njëjtit i llogaritet prej datës 05.03.2024 deri me datën 04.05.2024”, thuhet në përgjigje.

    Ndryshe, me urdhër të prokurorit të shtetit, më 31 gusht 2023, ishte ndaluar N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më 5 shtator iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

    Të njëjtit, pas një muaji nga kjo masë, i është ndërprerë paraburgimi, pasi nuk kishte kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e paraburgimit.

    Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, të dyshuar për vrasjen e 4 gushtit në “Bon Vivant”, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.

    Më 24 tetor 2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë pësuar lëndime trupore në incidentin në “Bon Vivant” më 4 gush, që të paraqiten në Policinë e Kosovës apo në Prokurori, me qëllim të zbardhjes së rastit.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.

    Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti dyshohet se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarve.

    Policia e Kosovës e kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave./BetimipërDrejtësi

  • Quni: Miqve kurrë mos t’ua mbyllim derën, këtë ia kemi borxh Adem Jasharit

    Quni: Miqve kurrë mos t’ua mbyllim derën, këtë ia kemi borxh Adem Jasharit

    Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka thënë se 5,6 dhe 7 Marsi janë ditët e shpërthimit të dritës për shqiptarët.

    Ai duke folur në 26-vjetorin e Epopesë së UCK-së, ka thënë se këto ata janë të përjetshme “sepse krisma e pushkës së komandantit legjendar, Adem Jashari, ishte pushka e mbrojtjes së pragut të shtëpisë”.

    Nga kuvendi, Quni ka bërë thirrje që të ruhet miqtë ndërkombëtarë.

    “Sot jemi të lirë dhe të pavarur, mirëpo na mbetet që të punojmë fort dhe ta zhvillojmë atdheun dhe të punojmë fort, ashtu siç e meriton, ta bëjmë ushtrinë tonë pjesë të NATO-s, Kosovën pjesë të BE-së, t’i ruajmë miqësitë e Kosovës, miqve kurrë mos t’ua mbyllim derën, armiqtë kurrë mos t’i lëmë të shkelin në pragun e shtëpisë. Këtë ia kemi borxh Adem Jasharit dhe Familjes Jashari”, ka thënë ai.