ATV

Category: Lajme

  • Serbëve në Kosovë u dalin pagat në llogari, por s’ka dinarë

    Serbëve në Kosovë u dalin pagat në llogari, por s’ka dinarë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pagat nga shteti serb iu dolën. Por, shumë qytetarë serbë të cilët jetojnë në Kosovë, nuk kanë arritur t’i tërheqin të hollat, pasi institucionet financiare nuk kishin mjaftueshëm dinarë.

    Në mungesë të dinarit, qytetarëve u janë dhënë shuma vetëm deri në 10 mijë dinarë apo 85 euro.

    “Kjo situatë po na komplikon jetën se s’po mund t’i marrim pagat. Është situatë e rëndë. Mora vetëm 10 mijë dinarë, sepse ky është kufizimi, kaq mund të na japin”, thotë një qytetar.

    “Po krijohet tollovi e madhe. Kemi familje e fëmijë e nuk po mund t’i marrim paratë”, thotë një tjetër qytetar.

    Njëkohësisht, qytetarët serbë nuk janë shumë as të informuar se si të veprojnë, derisa BQK-ja ndaloi pagesat në dinarë.

    BQK-ja deri më tani ka dërguar vetëm mesazhe dhe nuk dihet nëse shkuan te individët që duhej, meqë shumë serbë nuk posedojnë numra të operatorëve që veprojnë në Kosovë.

    Qytetarët thonë se të vetmin informim i kanë mediat.

    “Është keq që nuk jemi informuar për çështjen e dinarit. Kjo është politikë e Prishtinës, por është dashur më shumë transparencë. Për komunitetin serb ky vend është i keq”, tha një qytetar.

    “Unë s’e kam idenë për procedurat, askush asgjë s’më ka thënë, po këto janë çështje politike në të cilat qytetarët nuk përfshihen”, tha një tjetër qytetar.

    Kritika për mungesë të fushatës nga BQK-ja ka edhe shoqëria civile.

    Vendimi i BQK-së për dinarin po zbatohet nga 1 shkurti.

    Aleatët ndërkombëtarë u bëjnë thirrje autoriteteve ta shtyjnë zbatimin e rregullores, ndërsa në Bruksel pati një takim javën e kaluar mes një delegacioni të BQK-së në lidhje me çështjen e dinarit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Gjendet një varr masiv me 1 mijë skelete në Gjermani

    Gjendet një varr masiv me 1 mijë skelete në Gjermani

    Arkeologët thonë se kanë zbuluar atë që mund të jetë varri masiv më i madh i gërmuar ndonjëherë në Evropë në një vend në Gjermaninë jugore.

    Rreth 1.000 skelete të viktimave të murtajës janë gjetur deri më tani në varrezat masive në qendër të qytetit të Nurembergut, të cilat ekspertët besojnë se mund të përmbajnë një total prej më shumë se 1.500 njerëz, sipas një njoftimi për shtyp të botuar të martën.

    Mbetjet u zbuluan gjatë një studimi arkeologjik përpara ndërtimit të ndërtesave të reja të banimit në qytet.

    Melanie Langbein, nga departamenti për ruajtjen e trashëgimisë së Nurembergut, tha për CNN se u identifikuan tetë gropa, secila me disa qindra trupa. Një epidemi si murtaja është shpjegimi “më se i mundshëm” për varrezat masive, sipas Langbein.

    Nuremberg përjetoi shpërthime të murtajës afërsisht çdo 10 vjet nga shekulli i 14-të e tutje, tha ajo.

    Ata zbuluan gjithashtu një shënim nga viti 1634 që përshkruan në detaje një shpërthim të murtajës që vrau më shumë se 15.000 njerëz në 1632-1633, që thotë se pothuajse 2000 njerëz u varrosën pranë Spitalit të Shën Sebastian, vendi i gërmimit aktual, tha Langbein.

    Kjo dëshmi e çoi ekipin në përfundimin se grupi më i vjetër i mbetjeve ndoshta daton nga epidemia e viteve 1632-1633. Do të ketë gjithashtu bashkëpunime me institucionet e interesuara për disa aspekte të gjetjeve, duke përfshirë analizimin e gjenomit të murtajës dhe hetimin e vezëve të parazitëve në tokë, shtoi Langbein. /CNN

  • Gjinden pesë zolla në afërsi të Manastirit të Banjskës

    Gjinden pesë zolla në afërsi të Manastirit të Banjskës

    Një sasi e armatimit është gjetur nga Policia e Kosovës afër Manastirit të Banjskës, në Zveçan.

    Lajmin për Front Online e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin Mitrovicës së veriut, Veton Elshani.

    Ai, ka thënë se bëhet fjalë për pesë “zolla”.

    Këtë armatim Policia e Kosovës e ka gjetur gjatë kryerjes së detyrave të përditshme.

    “Në afërsi të Manastirit të Banjskës në Zveçan janë gjetur pesë zolla. Mjetet ushtarake dyshohet se i përkasin ngjarjeve të shtatorit të vitit të kaluar”, ka treguar Elshani, për Front Online

    Ndërsa, ka bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar.

  • Ambasadori i ri britanik takon Kurtin: Britania e Madhe gjithmonë ka qenë aleat i Kosovës

    Ambasadori i ri britanik takon Kurtin: Britania e Madhe gjithmonë ka qenë aleat i Kosovës

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, është pritur nga kryeministri Kurti.

    Ai në një postim në “X” ka shkruar se Mbretëria e Bashkuar ka qenë aleat i Kosovës në kohë të mira e të këqija.

    “Në kohë të mira e të këqija, Britania ka qenë aleat i Kosovës dhe do të ketë gjithmonë në zemër interesin e saj më të mirë. Ishte kënaqësi që pata takimin njohës me kryeministrin Kurti dhe që diskutova bashkëpunimin e gjerë mes Britanisë dhe Kosovës dhe si ta thellojmë”, ka shkruar ambasadori.

    Hargreaves ka thënë se shpreson që Kurti ka kaluar mirë në Irlandën Veriore.

  • Suhareka merr vendim që për 7 Mars s’lejohet asnjë dhuratë tjetër, përveç lules dhe librit – Drejtori i arsimit tregon arsyen për këtë vendim

    Suhareka merr vendim që për 7 Mars s’lejohet asnjë dhuratë tjetër, përveç lules dhe librit – Drejtori i arsimit tregon arsyen për këtë vendim

    Me rastin e ditës së mësuesit që shënohet me 7 mars, ka qenë traditë që mësuesve tu jepen dhurata nga ana e nxënësve, si shenjë falënderimi për punën e tyre. Por për këtë vit, Drejtoria e Arsimit e Suharekës ka marrë vendim që përveç lules dhe librit, mësuesit nuk kanë të drejtë të pranojnë dhurata të tjera të shtrenjta.

    “Ndalohet pranimi i çfarëdo lloj dhurate tjetër pos lules e librit për mësimdhënësit për festën e 7 dhe 8 marsit nga ana e nxënësve”, thuhet në vendimin e kësaj drejtorie.

    Derisa, lidhur me këtë vendim, në një lidhje të drejtpërdrejtë ka folur drejtori i arsimit në komunën e Suharekës, Remzi Bajselmani. Ai në emisionin “A LIVE”, tha se ky vendim është bërë me arsyen e vetme që të ketë barazi mes nxënësve.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

     

  • Haradinaj pret në takim ambasadorin e Belgjikës, diskutojnë për zhvillimet politike në vend

    Haradinaj pret në takim ambasadorin e Belgjikës, diskutojnë për zhvillimet politike në vend

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka pritur në takim ambasadorin e Belgjikës në Kosovë, Gregoire Cuvelier.

    Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, Haradinaj ka shkruar se temë diskutimi kanë qenë zhvillimet në vend.

    Sipas Haradinajt, Belgjika si shtet mik, gjithmonë i qëndroi përkrah Kosovës dhe ne jemi të përkushtuar që ta fuqizojmë këtë miqësi përmes marrëdhënieve bilaterale në të gjitha fushat.

  • ​Parlamenti bullgar pranon dorëheqjen e kryeministrit Nikolai Denkov

    ​Parlamenti bullgar pranon dorëheqjen e kryeministrit Nikolai Denkov

    Parlamenti kombëtar pranoi të mërkurën dorëheqjen e kryeministrit Nikolai Denkov me 216 vota pro.

    Dorëheqja e Denkov është dorëzuar në Regjistrin e Parlamentit të martën.

    Kryeministri dha dorëheqjen si pjesë e një marrëveshjeje të bërë midis dy grupeve më të mëdha në Parlamentin aktual, CC-DB dhe GERB-UDF, sipas të cilit Denkov dhe Mariya Gabriel e GERB-UDF do të ndërroheshin si kryeministër dhe zëvendëskryeministër gjatë një periudhe nëntëmujore, duke filluar me Denkov.

    Në varësi të këtij mirëkuptimi, dy koalicionet parlamentare plus Lëvizja për të Drejta dhe Liri (MRF) votuan Kabinetin Denkov në detyrë më 6 qershor 2023.

    Rotacioni do të bëhej më 6 mars 2024. Në përputhje me një dispozitë të Kushtetutës, Këshilli i Ministrave i udhëhequr nga Denkov do të vazhdojë të kryejë funksionet e tij deri në zgjedhjen e një qeverie të re dhe do të sigurojë vazhdimësi në qeverisje.

    Kryetari i Parlamentit Kombëtar Rosen Zhelyazkov vuri në dukje se, sipas Kushtetutës, me pranimin e dorëheqjes së Denkov, presidenti, pas konsultimit me grupet parlamentare, do të caktojë një kandidat për kryeministër, të propozuar nga grupi më i madh parlamentar, për të formuar qeverinë. /BTA

  • VIDEO/ Ulërima dhe të qara: Dalin pamjet kur Elia sulmon Princ Lekën

    VIDEO/ Ulërima dhe të qara: Dalin pamjet kur Elia sulmon Princ Lekën

    Janë publikuar pamjet nga sherri mes Elia Zaharias dhe Princ Lekës.

    Një video e filmuar nga Princ Leka tregon sulmin nga Eliza Zaharia. Aktorja duket shumë e agravuar teksa sulmon Princin duke e akuzuar se ai ka dhunuar babain e saj.

    Gjatë ditës së sotme, Princ Leka dhe Elia Zaharia kanë bërë kallëzim në polici në datë 5 mars, ku akuzojnë njëri-tjetrin për dhunë fizike.

    Princi ka deklaruar se është dhunuar me shqelma dhe sende të forta nga ish-vjehrri, Gjergj Zaharia. Këto akuza janë hedhur poshtë nga Gjergj dhe Elia Zaharia të cilët pretendojnë se janë ata viktima e ngjarjes.

    https://www.youtube.com/watch?v=4bOdivanWUc&t=7s

     

  • Klerikët serbë vizituan Kishën në Studenicë të Istogut, Bekë Berisha thirrje qytetarëve: Mos bini pre e provokimeve

    Klerikët serbë vizituan Kishën në Studenicë të Istogut, Bekë Berisha thirrje qytetarëve: Mos bini pre e provokimeve

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka reaguar në lidhje me vizitën që disa klerikë serbë kanë zhvilluar në Kishën e Studenicës së Istogut.

    Berisha që është edhe kryetar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, ka dënuar ashpër këtë vizitë, pasi “qëllimi primar i tyre siç u pa ishte përhapja e shumë të pavërtetave nga ana e tyre dhe nxitja e urrejtjes në Kosovë”.

    “Ato se çka deklaruan nga këta ‘vizitorë të paftuar’ janë tipike propaganduese, janë në kundërshtim me faktet historike e shkencore, sepse Kisha e Studenicë së Istogut (e njohur ndryshe si Bazilika në Studenicë të Istogut) daton që nga shek. VI pas Krishtit, pra është një kishë (Balizikë paleokristiane, d.m.th i takon krishtërimit të hershëm), pra është një kishë josllave (joserbe)”, ka shkruar ai.

    Tutje, Berisha ka thënë se e dënon fuqishëm “këtë provokim që i është bërë Kosovës dhe kërkojmë edhe nga faktori ndërkombëtar që këtë vizitë ta cilësojë si cenim i rendit ligjor dhe kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, sepse me vizita të tilla Serbia ka hedhur zjarr në barot edhe në Bosnjë e Hercegovinë, në Kroaci gjë që patën rezultuar me luftëra të përgjakshme në ato hapësira”.

  • Kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, viziton Kolegjin AAB

    Kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, viziton Kolegjin AAB

    Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut z. Talat Xhaferi ka vizituar sot Kolegjin AAB ku mbajti ligjëratë për studentët me temën “Marrëdhëniet miqësore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

    Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, i uroi mirëseardhje z. Xhaferit në emër të stafit të institucionit, duke shprehur vlerësimin e lartë për kontributin dhe angazhimin e kryeministrit ndër vite për Kosovën dhe qytetarët e saj.

    “Kolegjin AAB e kanë vizituar shumë personalitete të jetës publike dhe politike, shkrimtarë, artistië e poetë eminent, por prezenca juaj është e rëndësisë së veçantë dhe domethënëse e motivuese veçanërisht për studentët tanë”, u shpreh Olluri.

    Kryeministri Xhaferi tha se “është kënaqësi e veçantë të gjendet para stafit dhe studentëve të Kolegjit AAB, në ambientet e bukura i rrethuar me intelektualët aktual dhe të ardhshëm të vendit mik, fqinj dhe mbi të gjitha vëllazëror Kosovës”.

    Tutje ai në ligjëratën e tij foli për marrëdhëniet që gëzojnë ndër vitet dy republikat ajo e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat janë trashëguar brez pas brezi me të gjitha sfidat, të përbashkëtat dhe çdo proces tjetër të rëndësishëm për dy palët.

    “Bashkërisht gjenerata të tëra kanë renditur kontributet e tyre për shtetndërtim dhe ne kemi të kaluar të përbashkët. Historia jonë është e dhimbshme dhe e hidhur për pasojat që ka lënë dhe përjetimet që i kemi pasur të gjithë. Sot me rastin e shënimit të marsit të lavdishëm për 26 vjetorin e epopesë së UÇK-së, kam pranuar ftesën që të jem në këtë periudhë në Kosovë dhe kjo më kthen pas tek ato vite”, tha Xhaferi.

    Si shenjë mirënjohje për praninë e tij kryeministrit Xhaferi iu dhurua një pikturë nga studentja e Fakultetit të Arteve në Kolegjin AAB, kurse pati edhe shumë pyetje të parashtruara nga studentët që ndërlidheshin me integrimin e dy shteteve në BE, thellimin e raporteve, bashkëpunimin ekonomik, kulturor dhe arsimor etj.

    z. Xhaferi përveç ligjëratës zhvilloi takime edhe me Këshillin Drejtues të Kolegjit AAB dhe vizitoi hapësirat e shumta të institucionit.