Sot mbushen 25 vjet nga vrasja e piktorit të mirënjohur mitrovicas, Kadri Kadriu.
Kadri Kadriu gjatë kthimit në shtëpinë e tij te kullat e famshme me “plis” në lagjen “Kroi i Vitakut”, pas qëndrimit te të afërmit, kapet tinëzisht nga forcat paramilitare e makineria serbe dhe vritet mizorisht, ndërsa trupi i tij u gjet në Stan Tërg.
Kadri Kadriu është njëri nga piktorët më të njohur kosovarë, i cili mbetet frymëzim për gjeneratat e reja.
Sot bëhen 43 vjet nga organizimi i demonstratës studentore, e cila është protesta e parë që u shtyp me dhunë nga policia dhe ushtria jugosllave.
Me datën 4 mars të vitit 1981 studentët e Kosovës organizuan një protestë në Prishtinë për kushte më të mira në mensën e tyre dhe kjo protestë ishte shkëndija e demonstratës së organizuar nga studentët më datën 11 mars 1981.
Si pasojë e demonstratave të studentëve erdhën tubimet e njohura si “Demonstratat e punëtorëve”, në të cilat kërkohej lirimi i studentëve të burgosur.
Por përsëri, organet shtetërore ndërhyjnë me tërë brutalitetin e tyre gjatë tubimeve, dhe ish-armata jugosllave pushtoi rrugët e Kosovës, duke u vendos në tërë territorin u vendos gjendja e jashtëzakonshme, e më vonë edhe shtetrrethimi.
Demonstratat gjithëpopullore të marsit dhe prillit të vitit 1981, shënuan fillimin e kthesës vendimtare të ndarjes definitive të shqiptarëve të robëruar nga ish-Jugosllavia. /KP
Nga nesër të gjithë besimtarët mysliman do të nisin muajin e Shenjtë të Ramazanit.
Liderët e shtetit kanë uruar për një agjërim sa më të lehtë.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, përmes një postimi në Facebook i ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për Ramazan.
Ai u ka uruar agjërim të lehtë, duke u dashuruar që sakrificat dhe lutjet të iu pranohen tek Zoti.
“Të gjithë qytetarëve të besimit islam, urime fillimi i muajit të bekuar të Ramazanit. Qoftë një muaj i begatë, ku solidariteti dhe dashuria për njëri-tjetrin rriten, ndërsa sakrificat dhe luatjet tuaja pranohen tek Zoti. Agjërim të lehtë të gjithëve. Me Fat”, ka shkruar Krasniqi.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka uruar të gjithë besimtarët mysliman për fillimin e Ramazanit.
Konjufca është shprehur se muaji i Ramazanit sjell sprovën përballë së cilës disiplina dhe virtyti çojnë drejt realizimit shpirtëror.
“Të gjithë besimtarëve myslimanë, urime dhe me fat muajin e Ramazanit! Duke bartur frymën e sakrificës dhe solidaritetit ndaj tjetrit në nevojë, muaji i Ramazanit sjell sprovën përballë së cilës disiplina dhe virtyti çojnë drejt realizimit shpirtëror”, ka shkruar i pari i Kuvendit në Facebook.
“Si muaj i sakrificës dhe përkushtimit, ai sjell mesazhin për atë që është më e lartë se ne, dhe se përlartësimi vjen nga një përulësi e thellë e shpirtit ndaj Zotit që tejkalon shtrëngesat e rrethanës. Agjërim të lehtë për të gjithë besimtarët!”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një postimi në Facebook i ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e nisjes së muajit të Ramazanit.
“Pas mesnate, me syfyrin e parë, fillon muaji i shenjtë i Ramazanit. I uroj të gjithë qytetarëve tanë të besimit islam agjërim të lehtë e të shëndetshëm, mbarësi dhe begati në familje”.
“Forca e njeriut qëndron në durimin, veprat humane dhe respektin e ndërsjellë. Ndaj në këtë muaj e çdo ditë tjetër, të shpërfaqim solidaritetin nder njerëzor që e karakterizon popullin tonë. Urime muaji i bekuar i Ramazanit”, ka shkruar Osmani.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës ka publikuar vaktin e Ramazanit për vitin 2024.
Dita e parë e Ramazanit është me 11 mars, ku koha e syfyrit është në ora 04:16, ndërsa iftari në ora 17:45.
Kurse, dita e fundit e Ramazanit është më 9 prill, ndërkaq dita e parë e Fitër Bajramit është më 10 prill, ditë e mërkurë.
Ramazani është muaji më i zgjedhur dhe më i rëndësishmi për të gjithë myslimanët. Muaji në të cilin është urdhëruar agjërimi dhe në të cilin filloi zbritja e Kur’anit të madhërishëm.
Çdo besimtar i sinqertë e pret me gëzim Ramazanin, duke shpresuar në mëshirën dhe faljen e Allahut. Është koha kur zakonet dhe detyrimet tona jetësore ua nënshtrojmë momenteve kur fillojmë agjërimin dhe kur bëjmë iftarin.
Libri i Shenjtë Kurani thotë se Ramazani ka dimension shpirtëror, moral, solidar dhe shëndetësor. Nga agjërimi janë liruar fëmijët, shtatzënat, nënat me foshnja në gji dhe të sëmurët. Ditët e Ramazanit janë gjithashtu specifike në atë që xhamitë janë plot gjatë të pesë namazeve (faljeve), megjithëse ato mund të falen edhe në shtëpi.
Agjërimi njëmujor nuk i liron besimtarët nga obligimet dhe punët e rregullta, por u lejohet t’u përshtaten detyrimeve fetare.
Dy persona kanë humbur jetën pasi një kombi-bus u përplas me një tren të udhëtarëve në Krushevë e Madhe të Klinës. Viktimat e këtij aksidenti janë burrë dhe grua Fahri dhe Vlora Gjocaj.
Curr Gjocaj, familjar i viktimave, ka njoftuar se varrimi i çiftit të cilët kanë humbur dje jetën në një fatkeqësi tragjike në Klinë, do të varroset të hënën, shkruan Gazeta Sinjali.
Gjocaj i cili më herët ka qenë udhëheqës i SHSKUK-së i ka familjarë çiftin e vdekur në mënyrë tragjike.
“Varrimi i çiftit FAHRI dhe VLORA (të cilët me datë 09.03.2024 humbje jetën tragjikisht) do të bëhet ditën e hënë, datën 11.03.2024”, ka thënë Gjocaj në njoftim.
“Funerali niset në ora 13:30 nga Gasallhone-ja ndërsa varrimi në ora 14″00 në varrezat e qytetit të Pejës.
E pamja do të jetë më datat 12 dhe 13 mars 2024 dhe fillon në ora 08″00 deri 12″00 në fshatin Baballoq, komuna e Deçanit dhe do te vazhdon pas iftarit nga ora 18″00 deri në ora 20:00 në qytetin e Pejës. Vendi i të pamës në qytetin e Pejës, do të njoftohet nesër në ceremoninë e varrimit.”, ka thënë ai.
10 shkolla në komunën e Ferizajt mësimin e zhvillojnë në vetëm një ndërrim. Andaj, këto shkolla shihen si potencial që në to të zhvillohet mësimi tërëditor.
Ndonëse kishte premtim që në së paku dy shkolla të fillojë ky koncept, në këtë aspekt për diçka të tillë s’ka asgjë konkrete.
Megjithatë, si pilot-projekt Drejtoria e Arsimit në Ferizaj shpreson të fillojë në vitin e ri shkollor.
“Po besoj që mund të jetë viti i ardhshëm shkollor, thjesht do ta bëjmë një pilot-projekt për të parë nëse mund të vazhdojmë tutje dhe çfarë mund të bëjmë, sepse janë edhe gjërat e tjera, siç është ushqimi për nxënësit e të tjerë”, tha drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani.
Por kritika ka shoqëria civile. Sipas aktivistëve, shndërrimi i shkollave për nevojat e mësimit gjithëditor ka mundur të realizohet kaherë.
Ndërkohë, në fushën e arsimit deri më tani janë përmbushur disa nga planet e kësaj komune, derisa gjithsej në Ferizaj janë 60 institucione edukative arsimore.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Dyshimet që i patën për keqpërdorimet me rezerva shtetërore, deputetët e opozitës vështirë se do të mund t’i zbardhin.
Komisionit Hetimor Parlamentar, që u krijua për këtë qëllim në shtator të vitit të kaluar, i kanë mbetur vetëm edhe 11 ditë deri në përfundim të mandatit.
Kryetari i komisionit, Rashit Qalaj nga Partia Demokratike, tregon se janë ende në faza të hershme të punës.
“Sigurisht që nuk është punuar mjaftueshëm, në kemi arritur t’i caktojmë ekspertët në punë e këtij komisioni, ekspertet janë të rëndësishëm sidomos për hartimin e raportit përfundimtar, presim të caktojmë edhe listën e dëshmitarëve të mundshëm por me kohë jemi në një situatë jo të mirë”, tha Qalaj.
Këtu nuk erdhi radha as të intervistohet ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, si subjekti kryesor i kritikës opozitare. Kjo u pamundësia qëllimshëm nga pushteti, sipas Valentina Bunjakut nga Lidhja Demokratike.
Komisioni kishte dështuar të konstituohej në shtatë mbledhjet e para, në mungesë të kuorumit.
“Puna e këtij komisioni është i dështuar shkak mazhoranca, ne e kemi bërë të pamundurën por tash na kanë mbetur vetëm edhe dy jave dhe nuk kemi kohë për me hetu diçka, kërkesa në dokumentacion u pengu e të mos flasim për zbardhjen e së vërtetës”, tha Bunjakut.
Pjesëmarrjen në mbledhjet e komisionit hetimor, deputetët e Vetëvendosjes e patën kushtëzuar me një veprim tjetër në kuvend.
“Sigurisht komisioni hetimor nuk ka arritur të bëjë punën e vet shkak bojkoti ynë që ka qenë i njohur publikisht që ne nuk marrim pjesë në komision për shkak të bllokimit të marrëveshjeve ndërkombëtarë më pas pati reflektim nga ana një pjesë e opozitës por më pas atyre ju ra vullneti”, tha Halil Thaçi, anëtar i komisionit nga LVV.
Në gusht të vitit të kaluar, Hafiz Gara, drejtor për Rezervat Shtetërore në Ministrinë Tregtisë, dhe Irfan Lipovica, drejtor në Departamentin për Integrim Evropian, u arrestuan nën dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Të dy gjatë një bisede të incizuar pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërriti kurrë. Sipas regjistrimeve e njëjta gjë ka ndodhur edhe me rezervat e grurit.
Gjykata e Apelit përmes një vendimi i kishte liruar dy dyshuarit.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Syfyri i parë i muajit të Ramazanit, Miftar Mehmeti po e zë pa e marrë rrogën nga puna në minierën e Trepçës.
“Së pari për syfyr nuk se çfarë të iu servojë fëmijëve”, tha Mehmeti.
Edhe pse është dita e dhjetë e marsit, ndërmarrja “Trepça”, nuk i ka ekzekutuar ende pagat për rreth 1200 punëtorët e saj.
Mehmeti thotë se kjo po e detyron të hyjë në borxhe.
“I kam disa kolegë, disa bashkëluftëtar të mi në diasporë iu kam kërkuar 200 euro hua një bashkëluftëtari tim, mi ka dërguar, ato 200 euro i kam ndarë në tre pjesë me kolegë të mijë të “Trepçës””, tha Mehmeti.
Ndërkaq sindikalistët thonë se menaxhmenti e ka shkelur marrëveshjen e nëntorit, që rezultoi me ndërprerjen e grevës dhjetëditore të punëtorëve të nëndheshëm të Stan Tërgut.
“Pika e dytë në fillim është zbatuar deri më tash. Mirëpo, sot është data dhjet ende nuk janë pagat nuk e di kur do të dalin”, tha Gani Osmani, minator.
Megjithatë, sipas kryeshefit të “Trepçës”, Bashkim Kurti, minatorëve do iu shpaguhet mundi i shkurtit, të hënën.
“Sa i përket pagave, nesër do paguhen pasi që i kemi siguruar mjetet”, tha kryeshefi i “Trepçës”, Bashkim Kurti.
Minatorët, e mbyllën muajin e kaluar, duke eksploatuar mbi 14 mijë ton xehe. Por, marsin nuk e nisën mbarë.
Është bërë rreth një javë që kur furnizimi i minierës me derivate e eksploziv është ndërprerë totalisht, kurse flotacionit iu ndërpre furnizimi me reagenca.
Për ATV-në, kryeshefi tha se kanë borxhe ndaj furnitorëve.
“Komisionet e pranimit të furnizimeve nuk i kanë pranuar naftën dhe reagencat për shkak të mospajtushmërisë me kontratën. Ndërsa sa i përket municionit nuk e kemi pranuar për faktin se kemi obligime të mëdha të prapambetura e që besoj se nesër do paguhen pjesërisht për të pasur mundësi furnizimi dhe pune në miniera”, tha Kurti.
Mosfunksionimi i minierës dhe flotacionit më të madh në Kosovë, nënkupton humbje për vet ndërmarrjen.
Në total, borxhi i “Trepçës” ndaj furnitorëve është mbi gjashtë milionë euro.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: