ATV

Category: Lajme

  • Mblidhet Kryesia e Kuvendit, këto janë pikat e rendit të ditës

    Mblidhet Kryesia e Kuvendit, këto janë pikat e rendit të ditës

    Kryesia e Kuvendit, është mbledhur të hënën për të caktuar seancën e re me pika të papërfunduara nga seanca e kaluara. Në rend dite janë pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 8, 14 dhe 22 shkurt 2024, raporton Ekonomia Online.

    Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-268 për shpronësimin e pronës së paluajtshme, votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-278 për faturat e kulturave bujqësore dhe fletëmagazinave, votimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028, shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2022.

    Po ashtu në rend dite është edhe shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2022, shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2022, shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.02/L-65 Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjesy shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.2003/5 për farërat, shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.04/L-114 për pasurimin e miellit dhe shqyrtimi i Rekomandimeve për Raportin e auditimit të performancës “Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012 – 2021”.

    Kurse pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 7 mars 2024 janë: votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti, votimi i raundit të dytë për zgjedhjen e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptarë, shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës, shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2022 dhe shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2022.

    Ndërsa propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të radhës ka këto pika: deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm, votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm, votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”, votimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës, votimi i Projektligjit nr.08/L-271 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”, votimi i Projektligjit nr.08/L-273 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFW, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik, votimi i Projektligjit nr.08/L-281 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-270 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-280 për ratifikimin e “amendamentimit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015” dhe shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-293 për ratifikimin e “Marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren”.

    Po ashtu në rend dite janë: votimi në lexim të dytë i Projekt Kodit doganor dhe të akcizave, nr. 08/L-247, votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile, shqyrtimi i rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.08/L-021 për tregti me jashtë, shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të performancës “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për vitin 2021”, zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale e zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës, përfaqësues nga Oda e Avokatëve të Kosovës.

  • Haradinaj: Protestat e 1981-it, dridhën themelet e regjimit serb

    Haradinaj: Protestat e 1981-it, dridhën themelet e regjimit serb

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar protestat e 11 marsit të vitit 1981.

    Haradinaj ka thënë se studentët ishin ngritur kundër shtypjes jugosllave.

    “Ishte 11 Marsi i vitit 1981 kur studentët e Universitetit të Prishtinës u ngritën kundër shtypjes jugosllave, duke dridhur themelet e regjimit të atëhershëm”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka thënë se rinia heroike e frymëzuar nga ideali i atyre protestave, shkëlqente në istikamet e luftës çlirimtare.

    “Sot nderojmë ata që i dhanë grushtin shtypjes jugosllave, nderojmë të rënët e atyre ditëve të lavdishme të historisë sonë. Rinia heroike shqiptare, e frymëzuar nga ideali i protestuesve të vitit 1981, do shkëlqente në istikamet e Luftës Çlirimtare, e cila e solli fitoren dhe çlirimin”, është shprehur Haradinaj.

  • VV deponon nënshkrime për mbledhje të jashtëzakonshme për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal në Prishtinë

    VV deponon nënshkrime për mbledhje të jashtëzakonshme për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal në Prishtinë

    Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka njoftuar se grupi i këshilltarëve komunalë të kësaj partie ka deponuar nënshkrimet për thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit.

    VV ka thënë se nuk do të propozojnë asnjë asambleist për kryesues të kuvendit komunal.

    “Në një situatë të tillë, duke qenë grupi më i madhë në kuvendin komunal, dhe duke e ditur përgjegjësinë e përfaqësimit të qytetarëve të Prishtinës si dhe nevojën për lëvizjen e proceseve përpara, grupi ynë i këshilltarëve komunal ka deponuar nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, me pikën e vetme të rendit të ditës: Zgjedhja e Kryesuesit të Kuvendit. Me qëllim të zhbllokimit të gjendjes së krijuar dhe të kthimit të normalitetit e funksionalitetit në kuvend, Lëvizja VETËVENDOSJE! në Prishtinë njofton opinionin publik se nuk do të propozojmë ndonjë asambleist të grupit tonë për kryesues të kuvendit komunal, përkundër faktit që jemi partia e parë në Kryeqytet”, thuhet në njoftim.

    Vetëvendosje thotë se Kuvendi po vazhdon të mbes jofunksional.

    “Kuvendi vazhdon të mbetet jo funksional dhe po bëhen tre muaj që nuk është mbajtur asnjë mbledhje e rregullt. Shumë çështje esenciale për qytetin, rregullore e projekte, pika diskutimi e vendime, kërkesa e ankesa, kanë mbetur pezull dhe të pa trajtuara nga ata që janë të zgjedhur dhe kompetentë për këtë punë, këshilltarët komunal.Kjo bllokadë totale, ku po mungon llogaridhënia dhe transparenca, padyshim i konvenon vetëm pushtetarëve komunal, atyre që vet e sollën këtë gjendje. S’ka se si të jetë ndryshe kur kemi parasysh faktin se janë ata që nuk thërrisnin mbledhje në kohën kur kuvendi kishte kryesues dhe gjithashtu tash e dy javë nuk morën veprime për funksionalizimin e kuvendit, për të propozuar kryesues të ri.”

    VV i ka bërë thirrje të gjithë këshilltarëve komunalë nga të gjitha subjektet politike që të vijnë në mbledhjen e thirrur.

    “Me këtë rast i bëjmë thirrje të gjithë këshilltarëve komunal, nga të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në kuvend, të vijnë në mbledhjen e thirrur dhe bashkërisht të japim kontributin tonë që Kuvendi Komunal i Prishtinës nga një kuvend i mbledhjeve solemne dhe të jashtëzakonshme të kthehet në kuvend të rregullt e produktiv, ashtu siç do duhej të jetë dhe ashtu siç e kërkojnë qytetarët.”

    Pëllumb Bajqinovci është shkarkuar nga pozita e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, në seancën e jashtëzakonshme më 27 shkurt.

    Votimi për shkarkimin e tij erdhi pas prishjes së koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në kryeqytet.

  • Vajza që u zhduk në Malishevë gjendet nën shoqërimin e dy të dyshuarve

    Vajza që u zhduk në Malishevë gjendet nën shoqërimin e dy të dyshuarve

    Policia e Kosovës ka njoftuar se është gjetur viktima që ishte raportuar e zhdukur në Malishevë. Ajo kishte dalë nga shtëpia më 10 mars, e në orët e para të së hënës është lokalizuar ajo, e shoqëruar nga dy burra të dyshuar.

    Rasti është iniciuar si “person i zhdukur”.

    “Raportohet se viktima femër kosovare, kishte dalë nga shtëpia dhe se nuk dihet për lokacionin e saj. Me datë 11.03.2024 rreth orës 00:50 njësitet e hetuesi ka lokalizuar viktimën e cila ishte e shoqëruar nga dy të dyshuarit meshkuj kosovarë. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin ditor të Policisë.

  • ​“Ngritja e flamurit të bardhë”, Ukraina me aleatë kritikojnë Papa Françeskun

    ​“Ngritja e flamurit të bardhë”, Ukraina me aleatë kritikojnë Papa Françeskun

    Ukraina dhe aleatët e saj rajonalë e kanë kritikuar Papa Françeskun më 10 mars, i cili gjatë një interviste sugjeroi se Kievi duhet t’i hapë bisedimet me Moskën dhe e përdori termin “flamuri i bardhë”.

    Vatikani u mundua më vonë t’i tërheqë disa prej fjalive, duke thënë se Françesku nuk po fliste për “kapitullimin”.

    Françesku ka sugjeruar, gjatë një interviste të publikuar pjesërisht më 9 mars, se Ukraina, përballë një disfate të mundshme, duhet ta ketë “guximin” për t’u ulur dhe për të biseduar me Rusinë për paqe, duke thënë se nuk është turp ta valosh “flamurin e bardhë”.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e kritikoi Françeskun – pa ia përmendur emrin – duke thënë se “kisha duhet të jetë me popullin. Dhe, jo 2.500 kilometra larg, diku, të ndërmjetësojë virtualisht mes dikujt që dëshiron të jetojë dhe dikujt që dëshiron të të shkatërrojë”.

    Më herët, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, reagoi më drejtpërdrejt në rrjetet sociale, duke thënë se “kur bëhet fjalë për ‘flamurin e bardhë’, ne dimë strategjinë e Vatikanit nga pjesa e parë se shekullit XX”.

    Shumë historianë e kishin kritikuar Vatikanin gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke thënë se Papa Pius XII heshti gjatë Holokaustit. Vatikani argumenton vazhdimisht se, në atë kohë, nuk ishte në gjendje t’i verifikonte raportimet diplomatike për mizoritë naziste, prandaj nuk i kishte dënuar ato.

    Kuleba shkroi në rrjetet sociale: “Bëj thirrje për shmangien e përsëritjes së gabimeve të së kaluarës dhe për mbështetje për Ukrainën dhe popullin e saj në luftën e tyre të drejtë për mbijetesë”.

    “Flamuri ynë është verdhekaltër. Me këtë flamur ne jetojmë, vdesim dhe triumfojnë. Ne nuk do të ngremë kurrë të tjerë flamuj”, shtoi ai.

    Zelensky ka ngulur këmbë se nuk do të flasë drejtpërdrejt me Rusinë, nëse kushtet e “formulës” së tij për paqe nuk plotësohen.

  • ​KOK-u nënshkruan kontrata me 44 bursistë, Krasniqi: Mbështetja do vazhdojë të rritet

    ​KOK-u nënshkruan kontrata me 44 bursistë, Krasniqi: Mbështetja do vazhdojë të rritet

    Komiteti Olimpik i Kosovës ka nënshkruar kontratë me 44 bursistë që janë sportistët të rinj nga sporte të ndryshme, kontrata këto nga të cilat këta sportistë do të përfitojnë nga 150 euro në muaj.

    Me rastin e nënshkrimit, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi ka thënë se kjo mbështetje do të vazhdojë të rritet si në vlerën financiare por edhe në numrin e sportistëve përfitues.

    “Sot po nënshkruajmë 44 Shpresa Olimpike, ky numër dukshëm po rritet, ju e dini që në fillim ka qenë një numër shumë i vogël, mandej çdo vit e kemi shtuar numrin e mbështetjes së sportistëve. E kemi cekur shumë herë që kjo shumë është 150 euro për një sportist, mirëpo shpresojmë që vitin tjetër kjo shumë të rritet sepse e dimë që ka pasur ndikim shumë pozitiv kjo përkrahje e sportistëve dhe ne do të vazhdojmë edhe me rritjen e vlerës së kësaj shume, mirëpo edhe në rritjen e numrit të sportistëve. Siç e dini, kemi edhe bursat olimpike ku i kemi 22 bursa olimpike dhe pesë bursa të sporteve dimërore dhe 22 të sporteve verore që gjithashtu i kemi edhe pesë sportistë të cilët marrin bursa nga Komiteti Olimpik i Kosovës, ku në total, Komiteti Olimpik i Kosovës ndanë 76 bursa për çdo muaj”, tha Krasniqi.

    I pari KOK-ut gjithashtu foli edhe për suksesin e fundit të boksieres Donjeta Sadiku e cila siguroi normën olimpike për Lojërat Olimpike Parisi 2024. Ai tha se ky është një tjetër sukses i madh për sportin kosovar.

    “Shfrytëzojë rastin ta uroj Donjeta Sadikun e cila na nderoi me fitoren e saj, na bëri krenar, tani e kemi edhe një norme extra nga sporti i boksit dhe shpresojmë që edhe vëllezërit Bajoku në maj ku e kanë edhe garën e fundit për kualifikime në Tajlandë të kenë fat e sukses dhe të prezantohet Kosova në lojërat Parisi 2024 me më shumë sportistë me normë olimpike si dhe të kemi rezultatet të mira nga Parisi”, nënvizoi Krasniqi.

    Përveç Sadikut, normën olimpike në sporti i boksit po e synojnë edhe vëllezërit Shpëtim dhe Bashkim Bajoku.

  • Mungon prokurori, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

    Mungon prokurori, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

    Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi bëri të ditur se prokurori Hamiti mungon në seancën e sotme për arsye shëndetësore.

    Gjykatësja Bytyqi po ashtu tha se nga njësia e transportit gjykata është njoftuar se do të vonohen disa minuta për sjelljen e të akuzuarit Jeton Vllasaliu.

    Në këto rrethana, seanca e sotme është shtyrë.

    Ndryshe, seanca e datës 23 janar 2024, 5 tetorit 2023 dhe ajo e 30 nëntorit 2023, ishin mbyllur me kërkesë të prokurorit.

    Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e 14 nëntorit 2022.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin, Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.

    Sipas akuzës, ata fillimisht i kishin ndarë rolet dhe planifikuar veprimet dhe Jeton Vllasaliu duke shfrytëzuar besimin që i dëmtuari/i ndjeri Rexhepi kishte ndaj tij, e vë në lajthitje të njëjtin, ashtu që duke filluar nga 9 janar 2021, i kishte ofruar për shitje dy vetura, një “Range Rover” dhe një “BMË X3”, për vlerën prej 30 mijë euro.

    Tutje, thuhet se gjatë realizimit të planit te tyre, i pandehuri Jeton, më 8 prill 2021 të dëmtuarin Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali në shtëpinë e të pandehurit Nexhat ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.

    Pas kësaj, aktakuza thotë se i pandehuri Jeton në mënyre tinëzare duke e ngufatur e privon nga jeta Rexhepin, duke menduar se ka me vete shumën e të hollave dhe atë në vlerë prej 30 mijë euro, siç edhe ishin marrë vesh për shitjen e veturave.

    Mirëpo, sipas aktit akuzues pas vrasjes tek viktima kishte gjetur vetëm shumën prej 8 mijë euro që i ka ndarë me të pandehurin Nexhat Vllasaliu. Pastaj, thuhet se kufomën e të ndjerit e dërgon në katin e tretë të shtëpisë dhe në pamundësi për ta varrosur e kishte mbështjellur kokën e tij me qese të zezë të najlonit, kurse tërë trupin me perden e shtëpisë së të pandehurit Nexhat dhe e kishte lidhur me një litar.

    Tutje, thuhet se veturën e të ndjerit Rexhepi e kishte dërguar në arat e fshatit Sushicë-Janjevë dhe nga aty, i pandehuri Jeton i kishte telefonuar të pandehurit Nexhat, i cili pastaj e kishte marrë me veturën e tij në rrugën që dërgon tek vendi ku e kishte lënë automjetin e të ndjerit.

    Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se në këtë mënyrë, i pandehuri Nexhat do të merrte pjesë në kryerjen e veprës dhe atë duke tentuar t’i humb gjurmët e kryerjes së veprës, ashtu siç edhe ishte planifikuar më herët.

    Sipas aktakuzës, të nesërmen herët në mëngjes më 9 prill 2021, së bashku shkojnë në shtëpinë e tyre në fshatin Vllasali tek vendi ku ishte kufoma dhe në bashkëkryerjeje e dërgojnë në vendin kodrinor-malor të quajtur Mali i Madh në Vllasali, ku i pandehuri Nexhat e kryen veprimin siç e kishin planifikuar më herët, për zhdukjen e kufomës duke e varrosur dhe duke i fshehur edhe gjurmët deri më 30 shtator 2022, kur janë gjetur mbetjet mortore që besohet se janë të të dëmtuarit Rexhepi.

    Të njëjtit, po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, të pandehurit Vllasaliu më 9 prill 2021, rreth orës 06:00 në fshatin Vllasali Novobërdë, në bashkëkryerjeje me qëllim të fshehjes së gjurmëve për veprën e kryer penale e kanë fshehur kufomën e tani të ndjerit Rexhepi, duke e varrosur në një vend që nuk është vendvarrim, gjegjësisht në vendin e quajtur Mali i Madh në Vllasali. /BetimipërDrejtësi

  • Rritet numri i turistëve të huaj në Kosovë, këto janë vendet nga vijnë

    Rritet numri i turistëve të huaj në Kosovë, këto janë vendet nga vijnë

    Numri i turistëve të huaj që vizitojnë Kosovën, është rritur nga viti në vit. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) në janar të këtij viti, kishte më shumë vizitorë në hotele se sa një vit më parë.

    Në janar të vitit 2024, numri i vizitorëve vendorë dhe të huaj në hotele ishte 77 295, prej tyre 42,1% ishin vendorë dhe 57,8% ishin të jashtëm.

    Krahasuar me muajin janar të vitit 2023 sa ishin 51 253 vizitorë, kishte rritje të numrit të përgjithshëm të vizitorëve në hotele për 50,8 për qind.

    Sa i përket vizitorëve të huaj, krahasuar me periudhën paraprake Janar 2023, ka rritje të vizitorëve për 50,8%. Në total, 77 295 vizitorë të huaj, nga të cilët numri më i madh ishte nga Shqipëri, Zvicra, Gjermania dhe Turqia.

    Numri i net-qëndrimeve ishte 152 051, prej tyre 38,5% nga vendorët dhe 61,4% nga të huajt.

    Numrin më të madh të vizitorëve te brendshëm në hotele e kishte rajoni i Pejës me 19 472 vizitorë dhe më 33 080 net-qëndrime.

  • Kurti në përvjetorin e demonstratave të ’81-shit: Jugosllavia i shtypi shqiptarët

    Kurti në përvjetorin e demonstratave të ’81-shit: Jugosllavia i shtypi shqiptarët

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar përvjetorin e nisjes së demonstratave të 1981-shit, duke thënë se aty ishte ngjizur një lëvizje e tërë për artikulimin e pakënaqësive ndaj Jugosllavisë.

    Kurti ka shkruar në Facebook të hënën se shqiptarët nën Jugosllavi ishin të nënpërfaqësues, të diskriminuar, të shtypur dhe të prapambetur ekonomikisht.

    “Nga ky reagim u ngjiz një lëvizje e tërë e aktivizmit politik, që duke artikuluar politikisht pakënaqësinë e shqiptarëve të Kosovës ndaj pabarazisë në qasje të shtetit federativ të Jugosllavisë, brenda një muaji, nxori në rrugë për të demonstruar qindra mijëra njerëz të një popullsie të Kosovës asokohe diç më shumë se një milion e gjysmë. Demonstratat e vitit 1981 ishin revoltë gjithëpopullore ndaj një periudhe të gjatë ku shqiptarët në Jugosllavi ishin të nënpërfaqësuar, të diskriminuar, të shtypur, të eksploatuar ekonomikisht, të kufizuar në të drejta kulturore dhe politike. Kështu, Kosova ishte lënë si zona më e pazhvilluar dhe më e prapambetur në Jugosllavi, porsi një koloni”, ka shkruar kryeministri.

    Postimi i plotë i tij:

    43 vite nga fillimi i demonstratave të vitit 1981

    Këto ditë bëhen 43 vite prej demonstratave të vitit 1981, të cilat filluan më 11 mars të atij viti. Pas një revolte spontane për kushte më të mira në mensën e studentëve të Universitetit të Prishtinës më 4 mars, një javë më pas, u organizua demonstrata e parë masive e një serie të tillash, që në histori kanë hyrë si
    “Demonstratat e ’81-shit”. Sikur revolta e 4 marsit ashtu edhe demonstrata e 11 marsit, u shtypën me dhunë nga policia e Jugosllavisë ku po rritej dominimi i Serbisë.

    Nga ky reagim u ngjiz një lëvizje e tërë e aktivizmit politik, që duke artikuluar politikisht pakënaqësinë e shqiptarëve të Kosovës ndaj pabarazisë në qasje të shtetit federativ të Jugosllavisë, brenda një muaji, nxori në rrugë për të demonstruar qindra mijëra njerëz të një popullsie të Kosovës asokohe diç më shumë se një milion e gjysmë. Demonstratat e vitit 1981 ishin revoltë gjithëpopullore ndaj një periudhe të gjatë ku shqiptarët në Jugosllavi ishin të nënpërfaqësuar, të diskriminuar, të shtypur, të eksploatuar ekonomikisht, të kufizuar në të drejta kulturore dhe politike. Kështu, Kosova ishte lënë si zona më e pazhvilluar dhe më e prapambetur në Jugosllavi, porsi një koloni.

    |Pas demonstratës së 11 marsit, u demonstrua edhe më 26 mars, më 1 dhe 2 prill 1981, si dhe në tubime e aktivitete të tjera. Të gjitha këto u shtypën egërsisht nga policia dhe aparati shtetëror i dhunës, pasuar nga përndjekje, gjyqe politike, burgosje, tortura dhe vrasje. Rreth një e treta e popullsisë së Kosovës u përfshi nëpër procedura ndalimi policor apo gjyqësor dhe marrje në pyetje përgjatë viteve në vijim, teksa mbi tre mijë të burgosur i kaluan mbi 25 mijë vite në burgje. Kështu më 1986, Kosova ishte vendi me numrin më të lartë të të burgosurve politikë në Europë. Menjëherë pas demonstratave të nisura si studentore më 1981 e të shndërruara në popullore, Universitetit të Prishtinës iu ndërrua emri dhe u quajt Universiteti i Kosovës në Prishtinë, deri më 1983 kur iu rikthye emri “Universiteti i Prishtinës”.

    Demonstratat e vitit 1981, e nxorrën parullën popullore “Kosova Republikë”, që për vite do të vazhdonte të shkruhej edhe si shkurtesë “KR”, nëpër mure e rrugë. Ajo prodhoi një gjeneratë të re të aktivistëve politikë që vetvetiu do ta merrte emrin “Brezi ‘81”. I asaj kohe, është edhe ky punim i Hydajet Hysenit, njërit prej organizatorëve të demonstratave të ’81-shit, i titulluar “Bisha unitariste”, e i cili reflektonte dorën e zgjatur të Moskës mbi zhvillimet në Jugosllavi (vëreni kthetrat mbi Slloveni, Kroaci, Kosovë dhe Vojvodinë). Shumë nga aktivistët dhe të burgosurit e demonstratave të vitit 1981, do të angazhoheshin edhe në lëvizjen për çlirimin e Kosovës në dekadën pasuese, që kulmoi me çlirimin e Kosovës nga Serbia në qershor të vitit 1999.

    Në kujtim të të gjithë të vrarëve nga policia gjatë dhe pas demonstratave të vitit 1981, si dhe në shenjë mirënjohje për përpjekjet e atij brezi për lirinë e Kosovës!

  • FSK realizon ushtrimin fushor “Fortuna 11”, ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve luftarake

    FSK realizon ushtrimin fushor “Fortuna 11”, ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve luftarake

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë ka realizuar ushtrimin Fushor ‘’Fortuna 11”.

    Në kuadër të ngritjes së kapaciteteve të këmbësorisë, Kompania e dytë B ka realizuar këtë ushtrim me qëllim që të jetë e përgatitur taktikisht dhe fizikisht për fazat tjera të zhvillimit dhe ngritjes profesionale.

    “Ushtrimi është realizuar në kuadër të planit vjetor të trajnimeve ku ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve luftarake në mënyrë që të përgatis, trajnoj personelin në Nivelin T2, këmbësori e lehtë, detyrat kolektive të ushtarit në nivel skuadre në veprimet individuale dhe kolektive në operacionet luftarake.” – thuhet në njoftim.