ATV

Category: Lajme

  • Një muaj paraburgim për tre të miturit që dyshohet se i vënë zjarrin gjykatës së Kaçanikut

    Një muaj paraburgim për tre të miturit që dyshohet se i vënë zjarrin gjykatës së Kaçanikut

    Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, ka aprovuar propozimin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër tre të miturve, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale zjarrvënia nga neni 322 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për të Mitur, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se të miturit me datë 13 mars 2024, rreth orës 03:42, me qëllim të dëmtimit me dashje kanë ndezë zjarrin në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Dega në Kaçanik, ashtu që pas planifikimit paraprak, përmes shkallëve emergjente depërtojnë në katin e dytë ku me shishe hedhin benzinë në dy zyre të gjyqtarëve penalist dhe në korridor, pastaj nga shkallët emergjente ndezin zjarrin, ku për pasojë shpërthen zjarri dhe dy zyrat e gjyqtarëve dëmtohen tërësisht e po ashtu edhe korridori, kurse të dyshuarit tjerë bëjnë roje përreth gjykatës.

    Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër tre të dyshuarve të mitur e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

    Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

  • Përmbyllet suksesshëm edicioni i tretë i Panairit për Karrierë dhe Punësim në Kolegjin AAB

    Përmbyllet suksesshëm edicioni i tretë i Panairit për Karrierë dhe Punësim në Kolegjin AAB

    Sot nga ora 10:00-15:00 është mbajtur dita e dytë e Panairit të Karrierës dhe Punësimit në Kolegjin AAB, duke shënuar kështu edhe mbylljen e edicionit të tretë të këtij panairi.

    Interesimi i madh nga studentët për tu takuar me punëdhënësin e mundshëm brenda hapësirave ku studiojnë ishte përparësia më e madhe e ofruar për ta.

    Suksesin e panairit e konfirmuan edhe organizatoret Gresa Makolli dhe Jehona Rukovci, të cilat u shprehën se gjithçka shkoi shumë mirë dhe aplikimet e studentëve për vende të punës ose realizimin e praktikës te kompanitë pjesëmarrëse ishin në numër të konsiderueshëm. Unioni Studentor ka ndihmuar të gjitha kompanitë gjatë panairit në mënyrë vullnetare për ta lehtësuar punën e tyre, por edhe për t’i njoftuar studentët e AAB.

    Ky edicion solli afro 60 kompani nga të gjitha fushat të përafërta me programet studimore të Kolegjit AAB, përfaqësuesit e të cilave shprehën mirënjohje për këtë organizim.

  • Roth: E pakuptueshme që ShBA vendos kushte shtesë për anëtarësimin e Kosovës në KiE, kjo qasje duhet të përfundojë

    Roth: E pakuptueshme që ShBA vendos kushte shtesë për anëtarësimin e Kosovës në KiE, kjo qasje duhet të përfundojë

    Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth, ka kritikuar SHBA-në se po i vendos Kosovës kritere shtesë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës.

    Ai tha se kjo qasje e pabalancuar ndaj Kosovës duhet të përfundojë pasi nuk është fer dhe është e padrejtë.

    “Është krejtësisht e pakuptueshme që SHBA vendos ekstra kushte për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Kjo qasje e pabalancuar nga SHBA-ja drejt Kosovës duhet përfundimisht të përfundojë. S’është fer dhe është e padrejtë. Këshilli i Europës dhe shtetet anëtare ulën në ulësen e shoferit – jo SHBA”.

    Roth shkroi në X derisa rishpërndau një postim një kolegu të tij të Bundestagut, Frank Schwabe, që gjithashtu komentoi deklaratat e emisarit amerikan, Gabriel Escobar, i cili tha se përveç vendimit për Manastirin e Deçanit, Kosova duhet të plotësojë edhe dy kushte, përfshirë Asociacionin.

    “Me gjithë respektin për të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Këshilli i Europës po bën të mundur gjëra që të tjerët nuk mund t’i arrinin. Dhe ne do të vendosim për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në bazë të rregullave dhe vlerave tona”, kishte shkruar Schwabe.

  • Szunyog viziton Galerinë Kombëtare, flet për mbështetje në kulturë

    Szunyog viziton Galerinë Kombëtare, flet për mbështetje në kulturë

    Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, ka vizituar hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe ekspozitat aktuale.

    “Të shijosh artin është gjithmonë një pushim i mirëpritur gjatë një jave të ngarkuar si kjo”, ka shkruar ai.

    Ai ka përmendur se në GKK është pritur nga Alisa Gojani–Berisha, teksa ka parë veprat ka folur edhe për mbështetjen për aktivitete kulturore.

    “Ne folëm edhe për mbështetjen e Shtëpisë së Evropës për aktivitete kulturore në Kosovë”, ka shkruar shefi i zyrës së BE-së.

  • Përgatitet anija tjetër me 240 tonë ushqim për t’u dërguar në Gazë

    Përgatitet anija tjetër me 240 tonë ushqim për t’u dërguar në Gazë

    Kuzhina Botërore Qendrore ka thënë se “të gjitha ngarkesat” me ndihma ushqimore janë shkarkuar dhe pritet të fillojnë së shpërndari në Gazë.

    Organizata amerikane ka thënë të shtunën se ekipi i saj në Rripin e Gazës të shkatërruar nga lufta ka përfunduar shkarkimin e dërgesës së parë të ndihmës detare për të arritur në territorin e rrethuar, raporton AFP.

    “E gjithë ngarkesa është shkarkuar dhe po përgatitet për shpërndarje në Gazë”, ka thënë Kuzhina në një deklaratë, duke vënë në dukje se ndihma ishte “pothuajse 200 tonë ushqim”. Anija ishte nisur të martën nga Qipro.

    Grupi ka thënë se po përgatit një varkë të dytë prej 240 tonësh ushqimi për ta nisur nga Qiproja, pikënisja e një rruge të re ndihme detare përtej Mesdheut lindor.

    Përpjekja humanitare synon të zbusë mungesën e ushqimit që ka shkaktuar paralajmërime për urinë në Gazë nga OKB-ja dhe punonjësit e ndihmës.

    “Kjo dërgesë përfshin paleta me mallra të konservuara dhe produkte me shumicë, duke përfshirë fasulet, karotat, tonin e konservuar, qiqrat, misrin e konservuar, orizin, miellin, vajin dhe kripën”, ka bërë të ditur Kuzhina.

    Grupi humanitar ka thënë se nuk kishte “asnjë informacion për të dhënë se kur anija jonë e dytë dhe anija e ekuipazhit do të jenë në gjendje të nisen”.

    Ushtria izraelite të premten konfirmoi se anija e parë, e operuar nga shoqata bamirëse spanjolle “Open Arms”, duke shtuar se ushtarët ishin vendosur për të siguruar zonën dhe për të kryer një inspektim sigurie.

    Ushtria ka thënë gjithashtu se dërgimi i ndihmave humanitare nga deti nuk përbën një shkelje të bllokadës detare prej vitesh të Gazës, e cila drejtohet që nga viti 2007 nga Hamasi.

  • Vetëvendosje për “Trazirat e Marsit”: UNMIK e KFOR s’reaguan kur serbët gjuajtën protestuesit paqësorë

    Vetëvendosje për “Trazirat e Marsit”: UNMIK e KFOR s’reaguan kur serbët gjuajtën protestuesit paqësorë

    Lëvizja Vetëvendosje ka kujtuar ngjarjen tragjike të 20 vjetëve më parë kur tre fëmijët në Çabër të Mitrovicës humbën jetën në lumin Ibër.

    “20 vjet më parë, në Çabër të Mitrovicës, buzë lumit Ibër, tre fëmijë, Egzon Deliu, Avni Veseli, dhe Florent Veseli po luanin duke ndjekur shota të egra. Fillimisht një serb që po korrte tallën aty fillon t’i fyej, e më pas një grup tjetër serb që i bashkohen atij me sharje, ndërsejnë qentë e tyre drejt fëmijëve të cilët të frikësuar fillojnë të ikin dhe hyjnë në lumin Ibër duke humbur tragjikisht jetën e tyre”.

    Kjo ngjarje e përshkruar si më lart, Vetëvendosje thotë se është shkruar asokohe edhe në raportin e prokurorit amerikan të UNMIK-ut, Robert Dean, por, shton, për të nuk është ndarë kurrë drejtësi.

    Vetëvendosje akuzon policinë e UNMIKU-ut dhe KFOR-it për mosreagim kur protestuesit paqësorë e shqiptarët u gjuajtën me armë nga kriminelë në pjesën veriore.

    “Kjo vrasje e tre fëmijëve preku secilin qytetar duke rezultuar në organizimin e protestës paqësore me datë 17 Mars. Qytetarët shqiptarë dolën te ura e lumit Ibër në Mitrovicë për të parë serbët e organizuar në pjesën tjetër të cilët filluan të shtijnë me armë zjarri ndaj protestuesve, dhe ndaj shqiptarëve që ende jetonin në pjesën veriore. Policia e UNMIK-ut dhe e KFOR-it, vetëm kishte vëzhguar situatën dhe nuk kishte provuar ta ndalë dhunën e t’i arrestojë kriminelët serb që kishin shtënë mbi protestuesit paqësor. Kështu, pas vrasjes së fëmijëve dhe qytetarëve të paarmatosur në protestë, në mbarë vendin vërshuan protestat që kërkonin drejtësi. Në këto ngjarje që pasuan, e që u quajtën “Trazira të Marsit”, 19 qytetarë mbetën të vdekur, prej tyre 11 shqiptarë”.

    Vetëvendosje thotë se do të kërkojë drejtësinë e munguar për këto krime.

    “Data 16 mars, shënon një ditë e zezë për Mitrovicën dhe gjithë Kosovën. Drejtësia për ngjarjen tragjike, vrasjen e tre fëmijëve e më pas edhe e qytetarëve të tjerë, ende nuk është vënë. Ne nuk do e harrojmë kurrë dhe do të kërkojmë përherë vendosjen e drejtësisë për këto krime”.

    Për të bërë homazhe në nderim e kujtim të tre fëmijëve që humbën jetën tragjikisht sot në Çabër ishte një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i prirë nga Sekretari Organizativ, Alim Rama së bashku me deputetë, aktivistë e anëtarë të Qendrës sonë në Mitrovicë, thotë VV në një njoftim në Facebook.

  • Nis programi i trajnimeve për instalues të paneleve solare

    Nis programi i trajnimeve për instalues të paneleve solare

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se ka nisur programi i trajnimeve për instalues të paneleve solare.

    Përmes një postimi në Facebook, Murati ka thënë se ky trajnim ka nisur në Ferizaj, ndërsa këtë drejtim do ta ofrojnë edhe Qendrat e Aftësimit Profesional në qytete tjera.

    “Në Ferizaj shënuam fillimin e programit të ri të trajnimeve për Instalues të Paneleve Solare.  Bashkë me ndryshimet e kërkesave në trendet globale, duhet të përgatisim edhe fuqinë punëtore me aftësitë e nevojshme. Nga tani e tutje, me mbështetjen e UNDP-së, Qendrat e Aftësimit Profesional në Prishtinë, Ferizaj, Prizren, Mitrovicë e Gjakovë do të ofrojnë këtë drejtim për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë integrale e një procesi transformues drejt energjisë së gjelbër. Falenderoj Drejtoreshën e APRK-së, znj. Namani Rexha, dhe shefin e zyrës së UNDP-së në Kosovë, z. Queirós, bashkë me ekipet e tyre për angazhimin në realizimin e këtij projekti”, ka shkruar Murati në Facebook.

  • Mustafa: Raportet e Qeverisë me ShBA-në janë dëmtuar, vendin e qeverisin praktikantët

    Mustafa: Raportet e Qeverisë me ShBA-në janë dëmtuar, vendin e qeverisin praktikantët

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, konsideron se raportet ndërmjet Qeverisë Kurti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian janë dëmtuar, raporton Ekonomia Online.

    Sipas Mustafës, marrëdhëniet ndërmjet dy popujve janë të shkëlqyera dhe se këtë e ka konfirmuar vetë emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Në një konferencë për media, deputeti i LDK-së e ka quajtur Qeverinë e Albin Kurtit si të praktikantëve.

    “Sa i përket shkatërrimit të marrëdhënieve ndërmjet dy qeverive pra jo dy popujve, zotëri Escobar dhe të gjithë zyrtarët amerikanë kanë qenë të kujdesshëm të përçojnë mesazhin se mes dy popujve pra popullit amerikan dhe kosovarë, marrëdhëniet vazhdojnë të jenë të shkëlqyera por kjo Qeveri duke vepruar pa u koordinuar me Qeverinë e partnerin më të rëndësishëm ndërkombëtar pra ShBA dhe BE, pra atje ku ne synojmë të jemi anëtarë sa më shpejt që të jetë i mundur, janë dëmtuar tej mase raportet me Qeverinë por jo mes dy popujve”, ka deklaruar Mustafa në konferencën për media.

    “Nuk mund të komentoj deklaratat e një zyrtari amerikan siç është Escobar por ne si LDK kemi deklaruar edhe më parë se kjo është Qeveri e praktikantëve pra një Qeveri e zyrtarëve që nuk kanë përvojë nuk kanë vizion nuk kanë ide se si të qeverisin me vendin dhe kjo është fatkeqësia më e madhe dhe rezultatet e kësaj mungese të njohurive dhe përvojës së qeverisjes e mos të folët për gjerat e tjera rezultatet e kësaj mos pune tashmë po shihen qartazi nga të gjithë qytetarët e Kosovës dhe më e keqja edhe nga ndërkombëtarët”, u shpreh Mustafa.

  • Çitaku kërkon zgjedhje të parakohshme: Kosova është më e rëndësishme se egot e Kurtit

    Çitaku kërkon zgjedhje të parakohshme: Kosova është më e rëndësishme se egot e Kurtit

    Zyrtarja e lartë e PDK-së, Vlora Citaku, ka thënë se në një kohë kur bota po përballet me sfida të mëdha, Kosovën janë duke e udhëhequr një kastë avanturierësh.

    Ajo thotë se në një kohë kur kërkohet stabilitet dhe parashikueshmëri, Kosova ka një qeveri pa ide, pa vizion dhe të papërgjegjshme.

    Sipas Çitakut, Kosova asnjëherë s’ka qenë në një situatë të tillë në 25 vite liri dhe thotë se zgjedhjet e parakohshme janë domosdoshmëri. Ajo thotë se Kosova është më e rëndësishme se egot e kryeministrit Albin Kurti.

    Reagimi i plotë:

    Në një kohë kur bota po përballet me turbulenca të mëdha, Kosova po udhëhiqet nga një kastë avanturierësh.

    Në kohën kur qytetarët tanë kanë nevojë për stabilitet e parashikueshmëri, Kosova ka në krye një qeveri të papërgjegjëshme, pa ide e pa vizion.

    Konfrontimet e hapura tashmë me aleatët tanë na kanë sjellur në një teren tërësisht të pashkelur nga ne tash e 25 vite.

    Pa projekte konkrete e pa vizion, si në planin e brendëshëm, si në politikën e jashtme.

    Mbajtja sa më parë e zgjedhjeve parlamentare tashmë është jo vetëm kërkesë, por domosdoshmëri.

    Kosova është më e madhe dhe më e rëndësishme se egoja e Kurtit.

  • Mali i Zi u godit nga një tërmet tjetër herët në mëngjes

    Mali i Zi u godit nga një tërmet tjetër herët në mëngjes

    Një tërmet tjetër më pak i fortë e ka goditur Malin e Zi të shtunën herët në mëngjes, i cili ishte i dytë në tri ditët e fundit, njoftoi Qendra Evropiane Sizmologjike Mesdhetare (EMCS).

    Tërmeti u regjistruar në orën 06:11 dhe, sipas të dhënave të Qendrës Evropiane Sizmologjike Mesdhetare, epiqendra e tij ishte në afërsi të një komune të Nikshiqit, qytetit qendror të Malit të Zi.

    Lëkundja nga tërmeti është ndier edhe Bosnjë e Hercegovinë. Sipas EMCS-së, tërmeti ka qenë 3.6 ballësh.