ATV

Category: Lajme

  • Pas liberalizimit të vizave, mbi 287 mijë qytetarë udhëtuan me aeroplanë gjatë muajit janar

    Pas liberalizimit të vizave, mbi 287 mijë qytetarë udhëtuan me aeroplanë gjatë muajit janar

    Numri i qytetarëve të Kosovës të cilët udhëtuan drejt vendeve të Bashkimit Evropian e gjetiu, në janar të vitit 2024, ishte 287 mijë e 193 udhëtarë.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në janar të vitit 2024, numri i fluturimeve të realizuara ishte 996 ose 23.3 % më shumë së në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    “Numri i udhëtarëve në total ishte 287 mijë e 193 ose 21.9 % më shumë së në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (janar 2023)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

  • Therje me thikë në Prishtinë, lëndohet një person

    Therje me thikë në Prishtinë, lëndohet një person

    Një person është therur me mjet të mprehtë (thikë), të shtunën e 16 marsit në Prishtinë.

    Policia rastin e ka cilësuar si “lëndim i lehtë trupor”.

    Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se tashmë është arrestuar i dyshuari i cili është dërguar në mbajtje.

    Ndërkaq, viktima ka pranuar trajtim mjekësor.

    “Prishtinë / 16.03.2024 – 02:26. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se pas një mosmarrëveshje e ka therur me thikë viktimën mashkull kosovar duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Opinioni për aplikimin e Kosovës në KiE shpaloset më 27 mars në Paris, Tahiri: Duhen votat e 27 deputetëve

    Opinioni për aplikimin e Kosovës në KiE shpaloset më 27 mars në Paris, Tahiri: Duhen votat e 27 deputetëve

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri, ka njoftuar se është duke udhëtuar për në Paris.

    Ai tha se atje po shkon si anëtar në Komitetin për barazi dhe jo-diskriminim në kuadër të Këshillit të Evropës, ku do të diskutojnë çështje tematike të Komitetit.

    Tahiri ka shtuar se do të ketë edhe takime rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

    “Jam rrugës për Paris, ku si anëtar në Komitetin për barazi dhe jo-diskriminim në kuadër të Këshillit të Evropës do të diskutojmë çështje tematike të Komitetit por edhe do të kam takime rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshill.”

    Ai ka thënë se këtë javë janë dy momente të rëndësishme.

    Tahiri shtoi se më 27 mars mbahet takimi i Komisionit për Politikë dhe Demokraci dhe për t’u votuar raporti duhen votat e 27 deputetëve.

    “Dy momente janë me rëndësi në këto javë. Takimi që do të mbahet më 27 mars 2024 i Komisionit për Politikë dhe Demokraci. Ky takim është i jashtëzakonshëm me pikën e vetme, aplikimin e Kosovës. Raporti duhet të votohet me 1/2, pra 27 deputetë duhet të votojnë në Komitet dhe të dergohet në seancën plenare në PACE për votim. Në Asamblenë Parlamentare kërkohen 2/3 e votave.”

  • Macron sërish refuzon të përjashtojë operacionet tokësore perëndimore në Ukrainë ‘në një moment’

    Macron sërish refuzon të përjashtojë operacionet tokësore perëndimore në Ukrainë ‘në një moment’

    Disa ditë pas takimit me udhëheqësit gjermane dhe polakë, presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një interviste të dhënë të shtunën mbrëmje, ka deklaruar se operacionet tokësore perëndimore në Ukrainë mund të jenë të nevojshme “në një moment”.

    Muajin e kaluar Macron refuzoi të përjashtonte vendosjen e trupave perëndimore në terren në Ukrainë, gjë që shkaktoi një përgjigje të ashpër nga Berlini dhe partnerët e tjerë evropianë.

    Por presidenti francez nuk ka hequr dorë nga qëndrimi i tij, duke theksuar se aleatët perëndimorë nuk do të merrnin iniciativën, transmeton Telegrafi.

    “Ndoshta në një moment – nuk e dua, nuk do të marr iniciativën – do të duhet të kemi operacione në terren, çfarëdo qofshin ato, për t’iu kundërvënë forcave ruse”, i tha Macron gazetës Le Parisien në një intervistë të zhvilluar të premten.

    “Forca e Francës është se ne mund ta bëjmë atë”, shtoi presidenti francez.

    Mosmarrëveshjet mbi mundësinë e operacioneve tokësore dhe dërgimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në Kiev, kishin kërcënuar të minonin bashkëpunimin midis aleatëve.

    Kancelari gjerman Olaf Scholz reagoi me zemërim ndaj refuzimit të mëparshëm të Macron për të përjashtuar dërgimin e trupave në Ukrainë, dhe komenteve të tij që u kërkonin aleatëve të mos ishin “frikacakë”.

    Macron u takua me homologët e tij gjermanë dhe polakë në Berlin të premten, në një shfaqje solidariteti për Kievin.

    Pas takimit, Macron tha se tre vendet e të ashtuquajturit Trekëndëshi i Weimarit ishin “të bashkuar”, në qëllimin e tyre “të mos e lënë kurrë Rusinë të fitojë dhe të mbështesin popullin ukrainas deri në fund”. /Telegrafi/

  • Shpallet gjendja e jashtëzakonshme në Islandën jugore/ Nëse llava derdhet në det, lëshon gazra vdekjeprurëse

    Shpallet gjendja e jashtëzakonshme në Islandën jugore/ Nëse llava derdhet në det, lëshon gazra vdekjeprurëse

    Një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në Islandën jugore për shkak të një tjetër shpërthimi vullkanik në Gadishullin Reykjanes – i katërti që nga dhjetori.

    Mendohet të jetë shpërthimi më i fuqishëm deri tani. Lava ka arritur në mbrojtjen lindore rreth qytetit të evakuuar të Grindavik, thanë mediat lokale. Njerëzit janë zhvendosur gjithashtu nga Laguna Blu aty pranë, një nga atraksionet turistike më të njohura të Islandës. Hapësira ajrore e Islandës mbetet e hapur. Një derdhje gjigante llave po fryn tym.

    Sipas shërbimit të mbrojtjes civile të vendit, shpërthimi filloi pas orës 20:00 me orën lokale (20:00 GMT) të shtunën, në veri të Grindavik. Pamjet e shpërthimit treguan re tymi dhe magmë të ndezur që rrjedhin dhe flluskojnë nga vrimat në tokë. Shpërthimi nuk ka prekur aeroportin kryesor ndërkombëtar, i cili shtrihet në veri-perëndim të Grindavik.

    Gjeofizikani Magnus Tumi Gudmundsson, i cili ishte ndër ata që fluturuan mbi zonat e prekura me një helikopter, tha për mediat lokale se shpërthimi i së shtunës ishte më i fuqishmi deri më tani. Dy rrjedha llave kanë lëvizur në perëndim dhe në jug. Mediat lokale raportuan se llava nga kjo e fundit kishte arritur në muret lindore të mbrojtjes së Grindavikut. Z. Gudmundsson tha se ishte gjithashtu e mundur që llava të mund të derdhej në det, por se kjo mund të mos ndodhë nëse aktiviteti vullkanik lehtësohet.

    Einar Bessi Gestsson, një ekspert i fatkeqësive natyrore në Agjencinë Meteorologjike Norvegjeze, i ka thënë për median irlandeze RUV se gaze të rrezikshme dhe shpërthime të vogla mund të ndodhin nëse llava bie në kontakt me ujin e detit.

    Ndërkohë, llava që lëviz drejt perëndimit po shkon në drejtim të Lagunës Blu dhe një termocentrali gjeotermik, i cili siguron ujë të nxehtë për pjesën më të madhe të gadishullit Reykjanes. Zyra e Meteorologjisë Islandeze tha se ky shtrat i llavës ishte “dukshëm më i gjerë” se në shkurt, kur një shpërthim i mëparshëm shkaktoi rrjedhjen e llavës në një drejtim të ngjashëm.

    Rreth të dyjave janë ndërtuar shumë argjinatura mbrojtëse, tha për Reuters kreu i Qendrës Vullkanologjike Nordike me bazë në Rejkjavik, Rikke Pedersen. Ka shqetësime se kabllot me fibra optike në rrugë mund të dëmtohen – duke shkaktuar ndërprerje në shërbimet telefonike dhe të internetit.

    Laguna Blu është e mbyllur deri në një njoftim të dytë si masë paraprake. Kishte midis 500-600 njerëz në zonë kur ndodhi shpërthimi i së shtunës, tha zonja Pedersen. Rreth 4,000 banorët e qytetit u lejuan të kthehen në shtëpitë e tyre vetëm rreth një muaj më parë pasi një shpërthim në janar pa magmën të përhapur në qytet, duke shkatërruar tre shtëpi. Shumica prej tyre kanë zgjedhur të mos kthehen.

    Islanda ka 33 sisteme vullkanike aktive dhe ndodhet mbi atë që njihet si Kreshta e Mesme të Atlantikut, kufiri midis dy prej pllakave tektonike më të mëdha në planet. Hera e fundit që Gadishulli Reykjanes pati një periudhë aktiviteti vullkanik ishte 800 vjet më parë – dhe shpërthimet vazhduan për dekada.

    Ky është tani shpërthimi i shtatë që nga viti 2021 dhe shkencëtarët besojnë se zona po hyn në një epokë të re vullkanike që mund të zgjasë për dekada apo edhe shekuj.

  • Ditë me shi, ky është parashikimi i motit për sot

    Ditë me shi, ky është parashikimi i motit për sot

    Prishtina Weather ka njoftuar se të dielën do të ketë mundësi për reshje të dobëta shiu, teksa temperaturat do të lëvizin nga 11 deri në 12 gradë Celcius.

    Intervale më të gjata me diell pritet të ketë të hënën.

    “Mundësi për reshje të dobëta shiu shfaqen lokalisht edhe ditën e diel, ndërsa temperaturat pësojnë një rënie të lehtë në 11C e 12C. Intervale më të gjata me diell po priten ditën e hënë, me temperatura që sërish shënojnë rritje deri në 15C e 16C. Nga dita e martë depërtimi I një sistemi frontal sjell sërish kushte për të reshura shiu, e temperaturat pësojnë rënie në 10C e 12C.”

  • Neurokirurgu Petrela kryen rreth 17.000 operacione: Në mendje kam vetëm dështimet

    Neurokirurgu Petrela kryen rreth 17.000 operacione: Në mendje kam vetëm dështimet

    Për Mentor Petrelën, ndër 100 neurokirurgët më të mirë në botë, i cili ka kryer rreth 17 mijë operacione, janë dështimet gjatë punës ato që mbesin në mendje, ndërsa sipas tij sukseset harrohen.

    Mesazhi i tij në intervistën për KosovaPress është që njerëzit të mësojnë nga gabimet, për të mos e përsëritur dëmin e bërë. Petrela konsideron se prioritet për sistemin shëndetësor në Shqipëri e Kosovë duhet të jetë shërbimi sa më i mirë ndaj pacientëve. Ndërkaq, thekson se neurokirurgjia në Kosovë është në prag të një hapi të madh, duke nisur nga investimet që po bëhen, porse krahas infrastrukturës nevojitet edhe shtimi i kapaciteteve njerëzore.

    “Janë dy sisteme shëndetësore që në Shqipëri është një sistem shëndetësor post- periudhës së komunizmit dhe në Kosovë është një sistem shëndetësor në Kosovën e lirë. Janë dy sfida të profesionistëve të shëndetësisë që shpresoj që me mendësi të përbashkëta, të cilën bashkërisht dorë për dore drejt shërbimit më të mirë të popullit…Ndryshmet janë të mëdha, në të dy sistemet, jo me një ndjenjë kritike, dashakeqëse, por t’i shohësh që ndryshimet janë të mëdha falë përpjekjeve të komuniteteve profesionale të dy vendeve dhe futjes në strukturat evropiane ku ne aspirojmë”, thotë Petrela.

    Për KosovaPress, neurokirurgu me përvojën e tij disa vjeçare, Mentor Petrela derisa tregon se ka kryer rreth 17 mijë operacione, thotë se gjatë punës së tij, në mendje i kanë mbetur vetëm dështimet që kanë ndikuar në mos përsëritjen e gabimit, për çka shton se sukseset harrohen dhe nuk janë të përjetshme. Petrela për neurokirurgjinë në Kosovë thotë se krahas investimeve në infrastrukturë, duhet të ketë edhe shtim të kapaciteteve njerëzore.

    Kujtojmë se në vitin 2016, “World Academy of Neurological Surgery” përzgjodhi profesorin shqiptar Mentor Petrelën ndër 100 neurokirurgët më të mirë në botë. Disa vite me radhë, Mentor Petrela ka qenë pjesë e strukturave botërore akademike, duke dhënë kontributin në kërkimin shkencor nëpërmjet publikimeve dhe ligjërimit, por edhe duke ofruar konsulencën e tij për punën e gjatë.

  • Babai në Suharekë e raporton të zhdukur vajzën e tij 13 vjeçare

    Babai në Suharekë e raporton të zhdukur vajzën e tij 13 vjeçare

    Një prind në Gelancë të Suharekës ka raportuar se vajza e tij e mitur është larguar nga shtëpia dhe nuk ka njohuri për vendndodhjen e saj.

    “PERSON I ZHDUKUR- Gelancë, Suharekë / 16.03.2024-15:10. Ankuesi m/k ka raportuar se vajza e tij e mitur (13 vjeç) viktima femer/k, është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vend ndodhjen e saj. Rasti është duke u hetuar.”

  • Dibrani: Parandaluam 60 raste të kontrabandës nëpër burgje, të përfshirë edhe zyrtarë të ShKK-së

    Dibrani: Parandaluam 60 raste të kontrabandës nëpër burgje, të përfshirë edhe zyrtarë të ShKK-së

    Luftimi i kontrabandës në burgjet e Kosovës, vazhdon të jetë storie suksesi për Shërbimin Korrektues të Kosovës. Nga ky institucion, thonë për Ekonomia Online, se gjatë 2023-ës ka pasur dyfishim të rasteve të parandalimit të kontrabandës.

    Drejtori i Shërbimi Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, thotë për Ekonomia Online se sasia më e madhe e kontrabandës me lëndë narkotike ka qenë gjysmë kilogrami, ndërsa 60 raste me kontrabandë janë parandaluar gjatë vitit të kaluar.

    Ai thotë se kontrabanda ndihmohet nga furnizuesit e familjarët e të burgosurve.

    “Afër 60 raste vetëm në vitin 2023 kemi arritur të parandalojmë raste të futjes së kontrabandës edhe përmes familjarëve por edhe përmes vetë të dënuarve. Fatkeqësisht kemi pas raste kur edhe përmes kompanive të ndryshme të cilat furnizojnë institucionet tona është tentuar të futet kontrabanda por edhe në këtë aspekt kemi avancuar edhe me pajisje teknologjike por edhe në këtë drejtim neve na ka ndihmuar shumë edhe fuqizimi i njësisë së inteligjencës e cila funksionon në kuadër të shërbimit korrektues përmes të cilës kemi arritur përmes informacioneve që kemi pranuar nga kjo njësi të parandalojmë numrin e madh të këtyre rasteve, natyrisht janë në burgje dhe forma dhe metoda për futjen e kontrabandës janë të shumta dhe nuk mund të eliminohen në asnjë rrethanë. Ka raste ndër vite kur deri në gjysmë kilogrami”, thotë ai.

    E personat që janë të thirrur për ta parandaluar kontrabandën, shpesh herë përfshihen në veprimtari kriminale. Drejtori i ShKK-së thotë se ka raste kur zyrtarët e Shërbimit Korrektues janë kapur duke tentuar të fusin kontrabandë.

    “Fatkeqësisht kemi pas raste por që numri më i vogël është kur zyrtarët tanë kanë tentuar të fusin kontrabandë por që fatkeqësisht ata janë përfunduar përveç që kanë humbur vendin e punës ka raste edhe kur janë arrestuar dhe dënuar dhe ka raste kur vazhdojnë me e mbajt dënimin”, thotë Dibrani.
    Ndonëse nuk kanë statistika të sakta për numrin e të burgosurve në burgje e qendra korrektuese, Dibrani thotë se numri i tyre nuk kalon mbi 1800 të burgosur.

    “Nuk kemi statistikë të qartë për moshën por kryesisht janë të gjitha, fatmirësisht Kosova është vend ku më së miri qëndron sa i përket statistikave për të mitur dhe për gra, d.m.th është numër i vogël. Të dënuar nuk e kalon numrin 20 as për të mitur dhe as për gra. Gjendja momentale kur po flasim sot i kemi 1600 persona që mbahen në Institucione Korrektuese. 1100 janë të dënuar dhe 500 të paraburgosur. Këto shifra variojnë por nuk e kalon numrin 1700 apo 1800”, thotë Dibrani.

    E kryerësit e veprave, thotë Dibrani nuk janë recidivist, përjashto disa për vjedhje. Për raste tjera më të rënda, thotë ai se nuk ka të atillë.

    “Fatmirësisht edhe në këtë aspekt qëndrojmë mirë është numër i vogël nuk ka shifra të sakta se sa është numri i recidivisteve sepse duhet me u bë hulumtim ndër vite, por edhe në këtë aspekt qëndrojmë mirë përjashto rastet e vjedhjeve, nuk kemi vepra tjera që janë recidivistë. D.m.th numri më i madh i rasteve të recidivisteve është vjedhje”, u shpreh ai.

  • Dëmtimi i shenjave të trafikut, Elshani jep detaje thotë se fillimisht janë ndaluar 4 persona të dehur

    Dëmtimi i shenjave të trafikut, Elshani jep detaje thotë se fillimisht janë ndaluar 4 persona të dehur

    Në raportin e sotëm 24 orësh, Policia ka njoftuar se për një rast “Vandalizëm” në Leposaviq.

    Atje një shtetas i Serbisë dyshohet se ka dëmtuar dy shenja të trafikut.

    “VANDALIZËM- Leposaviq / 16.03.2024 01:45. Është arrestuar i dyshuari mashkull/s, shtetas i Serbisë për shkak se i njëjti dyshohet se i ka dëmtuar dy shenja të trafikut. I dyshuari me vendim të gjyqtares është dërguar për procedim në gjykatën për kundërvajtje.”

    Lidhur me rastin, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, i tha Gazeta10 se fillimisht janë ndaluar 4 persona të dehur.

    “Katër persona i kemi ndaluar fillimisht, që të gjithë të dehur. Në fund dy personave ju janë shqiptuar tiketa për dehje në vend publik, një i dyshuar për vandalizëm (kundërvajtje) dhe një ka mbetur dëshimtar. Asnjëri nuk është arrestuar”, tha Elshani.

    Ai konfirmoi se shenjat e trafikut që janë dëmtuar janë tabelat e vendbanimeve që janë vendosur së fundi.

    Të enjten tabelat e komunikacionit që tregojnë vendbanimet të shkruara në cirilik në veri të Kosovës janë zëvendësuar me tabela dygjuhëshe, në gjuhën shqipe dhe atë serbe, por me alfabet latin.