Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot pret në takim Ndihmës Sekretarin për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-ve, Todd D. Robinson.
Ndryshe siç njofton Departamenti Amerikan i Shtetit, Robinson do të takohet me presidenten si dhe partnerët e INL-së në sektorin e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë.
Robinson, dje ka arritur për një vizitë në Kosovë. Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane, Robinson me të arritur është ndalur në pikën kufitare të Vërmicës për të diskutuar rolin e bashkëpunimit kufitar në luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit ndërkombëtar.
“Mirë se erdhe në Kosovë Ndihmës Sekretar Robinson!. Rrugës për në Kosovë, Ndihmës Sekretari i Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) i Departamentit amerikan të Shtetit, Todd Robinson, u ndal në pikën kufitare të Vërmicës për të diskutuar rolin jetik të bashkëpunimit kufitar në luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit transnacional”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së ShBA-së.
Ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se pronat e uzurpuara, të cilat i takojnë Ministrisë së Bujqësisë, janë në vlerë rreth 50 milionë euro.
“Diku një ë vlerë të përafërt, jo vetëm, nuk e di sa mund ta them, vetëm në Fushë Kosovë, por në pronat që i posedon Ministria e Bujqësisë, Instituti Bujqësor me seli në Pejë, diku vlerësohet që është diku rreth pesëdhjetë milionë euro”, tha Peci. /atvlive.tv
Ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se vila e kryeterroristit Milan Radoiçiq në veri, destinim final do ta ketë shfrytëzimin nga Policia e Kosovës.
“Me e shkatërru s’ka nevojë. Çështja është se ne e kemi ministrin e Punëve të Brendshme, zotëri Xhelal Sveçla dhe mbi bazën e diskutimit që e kemi bërë, ne e kemi pasur një dakordim në parim që pronën prej Agjencisë së Pyjeve i bartet Ministrisë së Punëve të Brendshme, e që për destinim final do ta ketë shfrytëzimin nga mekanizmat e drejtësisë, në këtë rast nga Policia e Kosovës”, tha Peci. /atvlive.tv
Gjykata e Apelit e ka në shqyrtim edhe një tjetër rast ndaj Arbër Sejdiut.
I dënuar me 15 vjet burgim për ndihmë në vrasjen e Marigona Osmanit nga Gjykata Themelore e Ferizajt, Sejdiu në një rast tjetër për vrasje në tentativë, ishte liruar nga e njëjta gjykata në gusht të 2023-s.
Aktgjykimi lirues edhe për prindin e tij Muhametin, është atakuar nga Prokuroria në Apel, kolegji i së cilës të mërkurën mbajti seancë.
Sipas aktakuzës, babë e bir tentuan ta privojnë nga jeta Gazmend Pecin, në korrik të vitit 2013 në rrugën “Dritan Islami” në Ferizaj.
Sipas Prokurorisë, krejt kjo kishte ardhur pasi i akuzuari tjetër Gazmend Peci kishte arritur një marrëveshje për lidhjen të një martese me qëllim rregullimin e shtetësisë suedeze.
Sipas gjykatës, ata u liruan në mungesë të provave, për çka nuk është pajtuar organi i akuzës dhe ka kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim.
Vetëm Arbër Sejdiu nga të pandehurit ishte prezent në sallë, e babanë e tij e përfaqësoi avokati Avni Ibrahimi.
Sejdiu pas përfundimit të seancës u dërgua në Burgun e Sigurisë së Lartë, ku po mbahet në paraburgim, për ndihmë në vrasjen e 18 vjeçares Marigona Osmanit.
Ai do të vazhdojë ballafaqimin me drejtësinë për këtë rast bashkë me Dardan Krivaqën, pasi Apeli ia ktheu rastin në rivendosje gjykatës, e cila e dënoi atë 15 vjet, e Krivaqën me burgim të përjetshëm.
Për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, vetëm një shtet është më larg NATO-s, sesa Serbia.
Prandaj, sipas saj, Beogradi as nuk mund të ëndërrojë të bëhet pjesë e aleancës transatlantike.
Në këtë formë, Osmani iu kundërpërgjigj të mërkurën ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili një ditë më parë tha se Serbia aktualisht është më afër NATO-s, sesa Kosova.
“Është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të anëtarësohet në NATO dhe se është kundër NATO-s. E treta Serbia është shtet që para pak muajsh ka kryer akt agresioni kundër Republikës së Kosovës, që vazhdimisht tenton të shkatërrojë Bosnjë-Hercegovinën përbrenda, të njëjtën e bën edhe me Malin e Zi”, tha presidentja Osmani.
Për këtë deklarim të Hillit foli edhe kolegu i tij në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili tha se i kundërshton ata që bëjnë këso lloj krahasimesh. Ndërsa shtoi se SHBA e mbështet synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, edhe pse ka sfida për shkak të disa shteteve që nuk e njohin ende shtetin e ri ballkanik.
“Kosova rreshtohet shumë mirë me NATO-n, sa i përket vlerave e institucioneve. Më tepër janë këto çështje të pazgjidhura dhe të shohim të avancojë. Presim që plotësisht Kosova të bëhet një ditë anëtare e NATO-s dhe po punojmë në këtë synim”, tha Hovenier.
Hovenier ofroi garanci për sigurinë e kosovarëve, edhe lidhur me deklarimet e presidentit serb, Aleksander Vuciq. Ky i fundit ua dha një lloj ultimatumi shteteve perëndimore, që nëse pozicionohen me Kosovën, Serbia do ta presë momentin për të vepruar.
“Ne flemë rehat sa i përket këtij kërcënimi. Mendojmë se NATO-ja është e përgatitur dhe e gatshme dhe mendoj se as populli i Kosovës nuk duhet të mbetet pa gjumë, sepse aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prani të madhe këtu, që është e gatshme të bëjë gjënë e duhur”, tha Hovenier.
Sipas ambasadorit, përkushtimi amerikan për sigurinë e Kosovës është i fortë si kurrë më parë.
Buxheti i ndarë prej afro 10 milionë eurove për vitin 2024, nuk po i mjafton.
Andaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkoi nga Ministria e Financave që t’ia shtojë edhe një shumë të majme, për t’i kryer disa investime.
Ky institucion ka paraparë blerjen e disa kamerave që do të përdoren për vendvotime, por edhe disa softuerë, për të cilat u duhen rreth 1.5 milion euro.
“Në kuadër të transparencës, KQZ-ja ka paraparë të blejë kamera vëzhguese për secilin vendvotim, që i bie rreth 2 mijë e 500 vendvotime për të blerë nga një kamerë, po ashtu edhe pajisjet tjera softuerike, të cilat janë në shërbim të transparencës dhe për këtë janë rreth 1 milion e gjysmë euro, të cilat i kemi në buxhet për vitin 2024 dhe të cilat do t’i zhvillojmë gjatë këtij viti”, tha shefi i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj.
Këto kërkesa i patën teksa raportuan në komisionin për buxhet dhe transfere ku edhe treguan për buxhetin që u është ndarë atyre, dhe atë se sa e kanë shpenzuar.
Por raporti i shpenzimeve qe pakëz i vjetër.
“Me ligjin e buxhetit për vitin 2022 të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, KQZ-ja është akorduar një fond prej mbi 5 milionë e 913 mijë me qëllim të funksionimit të institucionit dhe për të përmbushur detyrimet ligjore. Pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në pjesën veriore të vendit, si dhe pas vendimit të Qeverisë, buxheti i përgjithshëm i KQZ-së për vitin 2022 ishte 6 milionë e 24 mijë e 134 euro”, tha kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Andaj kjo irritoi paksa deputetët që patën vërejtje për punën e KQZ-së.
“Ne jemi duke e trajtuar një raport të vitit 2022 dhe jemi në vitin 2024, në vend se të mendojmë për raportimin e vitit 2023, ne ende para dy viteve merremi me raportet e institucioneve të pavarura”, tha deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.
“Raporti i auditimit të cilin e kemi pranuar po paraqet që nuk është gjendje e mirë e mbajtjes së llogarive në këtë institucion. Raporti është i kualifikuar, që është për më tepër zhgënjyes që të mos paraqiten si duhet llogaritë e arkëtueshme”, tha deputeti i LV-së, Visar Korrenica.
Sidoqoftë kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i tha “po” Komisioni për buxhet, por përgjigjja definitive i mbetet Ministrisë së Financave.
Përveç si kufij shtetërorë, Serbia vazhdon të mos e njohë Kosovën as si kufi energjetik.
Pas takimeve që pati të martën në Bruksel, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se linjat e interkonjeksionit me Serbinë vazhdojnë të jenë të bllokuara.
“Është fakt që “Elektroseveri” ka nisur faturimin e energjisë në veri, por ende nuk janë liruar linjat e interkonjeksionit. Për habinë e të gjithëve, Petar Petkovic tha para Lajcakut, se kjo nuk është pjesë e marrëveshjes për energjinë për çka u kundërshtua nga Lajcaku dhe mbetet të diskutohet kjo çështje”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Megjithatë, kjo çështje më shumë është teknike sesa politike, sipas ekspertit të energjisë, Naim Bujupi.
“KOSTT-i, si Operator i Transmisionit është i pranuar në ENTSOE, si anëtar me të drejta të plota që Kosova është e njohur si zonë rregulluese që realisht veç është duke e bërë alokimin e kapaciteteve dhe menaxhimin e kongjecioneve me tri shtete të tjera, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Pra kjo është ma shumë çështje teknike me Serbinë sesa politike sepse menaxhimi i linjave është pjesë ekskluzive e KOSTT-it andaj Serbia po bën shkelje të marrëveshjes së ENTSO-së në ketë rast”, tha Bujupi.
Sidoqoftë, roli i këtyre linjave në sistemin elektroenergjetik të Kosovës, vlerësohet të jetë i madh, rrjedhimisht edhe dëmi ndaj KOSTT-it.
“Kosova është nyje e fortë elektroenergjetike, pra lidhet shumë me vendet përreth, sidomos me Serbinë. Me Serbinë është e lidhur me nivel të tensionit 400 kilovoltsh, 220 dhe 110 kilovoltsh. Dhe Kosova është duke humbur shumë sepse në këtë rast gjithë alokimin e kapaciteteve e bën Serbia”, tha Bujupi.
Krahas linjave të interkonjeksionit, Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut vazhdon të mos ketë qasje fizike në nënstacionin e Vallaçit, ndonëse ishte paraparë si hap i radhës, pas faturimit të rrymës në veri.
Një ditë pas takimit në Bruksel, kryenegociatorit kosovar Besnik Bislimi, i erdhi në zyrë ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.
Ky i fundit tha se e sheh mundësi të mirë që Kosova dhe Serbia të japin propozimet e tyre për çështjen e dinarit, siç janë marrë vesh me ndërmjetësuesin nga Bashkimi Evropian, Miroslav Lajcak.
Hovenier përsëriti qëndrimin amerikan se kjo nuk ka të bëjë me dinarin, por se nuk pajtohet me mënyrën e implementimit të rregullores së Bankës Qendrore.
Mirëpo, mohon se ka parë ndonjë dokument të mundshëm, që Bislimi do ta nisë për në Bruksel, të premten.
“Nuk më prezantoi ndonjë propozim specifik. Mendoj se Qeveria ende po punon në këtë drejtim, siç është e nevojshme. Unë desha të shprehja mendimet tona, siç kemi bërë vazhdimisht përderisa duam të jemi konstruktiv në këtë proces, por mendojmë se është shumë çështje e rëndësishme që duhet të adresohet”, tha Hovenier.
Ndërsa, nga zyra e zëvendëskryeministrit thanë se propozimi i palës kosovare nuk do të jetë ndryshe nga rregullorja, derisa shtuan se zgjidhja duhet të bëhet sipas ligjeve të Kosovës.
“[Propozimi] nuk ka fare lidhje me rregulloren në vetvete, në sensin e përmbajtjes së saj, por me mënyrën e zbatimit dhe nëse ka krijuar ndonjë vështirësi për qytetarët nga komuniteti serb në veri”, tha Klisman Kadiu nga zyra e Zëvendëskryeministrit.
Pas dorëzimit të propozimeve, të premten, kryenegociatorët nga Kosova e Serbia, Bislimi e Petkoviq, do ta kenë edhe një takim të radhës, të hënën.
Kështu e nisi fjalimin presidentja, Vjosa Osmani, konferencën Java e Gruas. Nga ky organizim që kthimin në të e cilësoi si në shtëpi, Osmani bëri thirrje që gratë të mos dorëzohen së luftuari për të drejtat e tyre.
“Mos hezitoni sado që duket e vështirë në fillim mos nguroni ta ngritin zërin të kundërshtoni e të kërkoni të drejtat e tuaja. Në rrugëtimin tuaj mos pranoni kurrë t’ju ulin, t’ju dekurajojnë e t’ju bëjnë të ndryshoni kahun, sepse askush nuk e di më mirë se ju potencialin tuaj për të kontribuar drejt ndryshimit. Në secilin nga ju ka diçka që nuk mund të ketë diçka te tjetri”, tha Osmani.
Pranvera Lipovica, drejtoreshë e Programit, NDI Kosovë, tha se gjithëpërfshirja e grave dhe komuniteteve në proceset vendimmarrëse, e rrit besueshmërinë dhe legjitimitetin e institucioneve.
“Angazhimin aktiv në sferën politike, ekonomike dhe sociale forcohet tutje një shoqëri më e shëndoshë, më e drejtë për të gjithë qytetarët e saj. Java e Gruas mbetet një platformë e veçantë me shumë rëndësi për dialog me temat me prioritet për individët dhe grupet e ndryshme të shoqërisë, të cilën e kanë parë të konceptohet, zhvillohet dhe marrë formën që ka sot përgjatë këtyre 12 viteve”, tha Lipovica.
Sipas Nathalie Niedoba, zëvendësudhëheqëse e Misionit diplomatik kanadez në Kroaci e Kosovë, gjithëpërfshirja është qenësore në Qeverinë e Kanadasë.
“Tema e kësaj konference, gjithëpërfshirja dhe ekonomia është diçka që qeveria e Kanadasë e bën edhe në politikën e jashtëm dhe të brendshme. Vizioni i Kanadasë është ku të gjitha gratë janë të lira dhe të marrin pjesë në vendimmarrje. Kur gratë janë të arsimuara, ato fuqizohen në shumë aspekte në jetën e tyre. Barazia gjinore është një prioritet për Kanadanë”, tha Niedoba.
Ky është organizimi i 12-të i javës së gruas, në të cilin u diskutua për Avancimin e lidershipit gjithëpërfshirës si domosdoshmëri strategjike në adresimin e sfidave të shekullit 21.
Java e Gruas organizohet nga Instituti Demokratik Amerikan në Kosovë.