ATV

Category: Lajme

  • Ish-diplomati amerikan Shaun Byrnes, dëshmitar i ZPS-së

    Ish-diplomati amerikan Shaun Byrnes, dëshmitar i ZPS-së

    PËRGATITI: NORA LUTA     

    Ish-shefi i misionit mbikëqyrës diplomatik të SHBA-së, në Kosovë gjatë periudhës 1998 – 1999, Shaun Byrnes, është kthyer sërish në Hagë, në cilësinë e dëshmitarit.

    Në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, diplomati i pensionuar amerikan ka treguar se ishte i pranishëm kur pesë serbë të ndaluar në fshatin Likoc ishin liruan me urdhër të Jakup Krasniqit në janar të 1999-s.

    Këtë vendim, sipas tij, e kishte kundërshtuar komandanti i Zonës së Drenicës, Sami Lushtaku.

    “Sami Lushtaku kishte kapur 5 serbë të moshuar që ishin kapur një ditë më herët, me ç’dukej dhe më pyeti nëse duhej t’i lironim apo jo, më pyeti mua dhe zotin Walker dhe David Mayerin dhe ne thamë po dhe më pas ai dha urdhrin që të liroheshin këta 5 vetë. E rëndësishme është që unë kam qenë i pranishëm dhe më kujtohet vetë kur janë liruar 5 fshatarët e moshuar serbë.”, deklaroi Byrnes.

    Tutje, gjatë dëshmisë, ai ka thënë se komandant Remi furnizohej me armë nga një kolonel në Ushtrinë Jugosllave.

    “Remi na ka thënë që ai po blinte armë nga një kolonel i Ushtrisë Jugosllave në Shtabin e Korpusit të Prishtinës dhe koloneli i dërgonte një kamion plot me armë deri në Podujevë. Ai paguhej në marka gjermane. Rrahman Rama në Zonën e Shalës po bënte të njëjtën gjë dhe Ramushi po bënte të njëjtën, ma ka thënë vetë.”, shtoi tutje dëshmitari Byrnes.

    Gjatë përgjigjes në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, ish–diplomati amerikan tha se në vitin 1998 dinte shumë pak për strukturën dhe udhëheqjen e UÇK-së.

    Mishetiq iu referua disa raporteve të shkruara nga dëshmitari, ku thuhej se nuk kishte ndonjë udhëheqës, por disa i referoheshin si epror edhe Thaçit.

    “UÇK-ja origjinale fillestare ka bërë një bërje bashkë, e atyre që do t’i shpjegoja si një forcë mbrojtje territoriale dhe ne në fakt në raportimet tona për Uashingtonin, i kemi quajtur pra persona që kishin të bënin me grupe civilësh, që i kemi quajtur si ata civilët amerikanë që luftonin kundër trupave ushtarake britanike, në revolucionin tonë në vitin 1700, dhe ne të njëjtën terminologji kemi përdorë edhe për këta, sepse mbronin shtëpitë e tyre dhe familjet e tyre.”, tha Byrnes.

    Ish-shefi i misionit mbikëqyrës diplomatik të SHBA-së, kishte dëshmuar edhe në Tribunalin e Hagës, në rastin e ish-gjeneralit të policisë serbe, Sreten Lukiq.

    Pasdite, me kërkesë të mbrojtjes së Thaçit, dëshmia e tij ka vazhduar në seancë private./atvlive.tv/

  • Gjykimi ndaj ish-kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj dhe të tjerëve po shkon drejt përfundimit

    Gjykimi ndaj ish-kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj dhe të tjerëve po shkon drejt përfundimit

    PËRGATITI: NORA LUTA

    Gati tri vjet nga ngritja e aktakuzës ndaj ish–kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj, ish–ministrit të Tregtisë, Bajram Hasani dhe të tjerëve, gjykimit po i vjen fundi.

    Ata akuzohen nga Prokuroria Speciale se duke shfrytëzuar pozitën e tyre, kanë mundësuar shpronësimin në disa zona, për të mundësuar Zonën Ekonomike në Malishevë.

    E të hënën mbrojtja është deklaruar rreth provave të PSRK-së, duke përmendur marrëveshjet e nënshkruara mes tyre, dhe përgjimet telefonike, që sipas avokatit të Begajt, ato nuk tregojnë asgjë relevante për rastin.

    Gjatë seancës ku ishte paraparë edhe dhënia e mbrojtjes së të akuzuarve, u dorëzuan edhe nga ana e tyre prova materiale për administrim.

    Gjykimi ndaj Begajt dhe të tjerëve do të vazhdojë, të mërkurën, pasi me kërkesë të avokatëve seanca u shty.

    Sipas Prokurorisë, Begaj, Hasani, dhe ish–zëvendësministri, Faton Thaqi, kanë keqpërdorurpozitat e tyre, duke mundësuar shpronësimin e tokave të blera me çmim të ulët, me një çmim më të lartë, gjatë periudhës maj-qershor 2018, për të mundësuar zonën ekonomike.

    Përveç tyre, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen edhe Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi e Malë Krasniqi, ndërsa Ahmet Rrahmanaj akuzohet për veprën penale “Shpëlarje e parave”, e Nazmi Kafexholli për “Mashtrim”./atvlive.tv/

  • Arrestohet në Mitrovicë i kërkuari nga Interpoli, kishte identitet të rremë

    Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicën e Veriut, (NJRHKEK), ka arrestuar një person të dyshuar për kryerje të veprave penale “ Legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe ‘’Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes”.

    I njëjti nga Interpoli i Greqisë kërkohet për disa vepra të rënda penale, si: ‘Krimi i organizuar’, ‘Grabitje’, ‘Detyrim’, ‘Lëndim të rëndë trupor’, ‘Dhënie e deklaratave false’, ‘Posedim ilegal të eksplozivit dhe mjeteve shpërthyese’, ndërsa nga Interpol i Malit të Zi kërkohet për veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.

    “Si rezultat i bashkëpunimit të njësive të lartcekura policore me zyrtarët kompetent të ARC-së dhe zhvillimit të punëve intensive, operative dhe hetimore në koordinim me prokurorin e shtetit, me datën 22.03.2024, në qendrën për pajisje me dokumente në komunën e Zubin Potokut është arrestuar një person i dyshuar me të dhëna të rreme i cili ka tentuar të pajiset me dokumente personale pasaportë dhe patentë shoferi”, thotë policia.

    Personi i dyshuar (i njëjti), tashmë me datën 07.06.2013, përmes dokumenteve të falsifikuara është regjistruar me të dhëna të rreme si D. B. i lindur në vitin 1980 në Mitrovicë si shtetas i Kosovës, ku edhe është pajisur me dokumente personale të RKS-së si letërnjoftim, pasaportë dhe patentë shoferi.

    Ndërsa me datën 05.01.2024, personi i dyshuar me të dhënat e lartcekura është paraqitur për aplikim në Zubin Potok për të vazhduar afatet kohore të dokumenteve personale të Republikës së Kosovës, ku gjatë verifikimit të dokumenteve që i dyshuari NN i ka paraqitur me rastin e aplikimit, NJRHKEK-Mitrovicë e Veriut, ka ardhur deri tek një dyshim i bazuar se i dyshuari NN ka marrë identitet të rremë si shtetas i RKS-së.

    Lidhur me rastin me qëllim të vërtetimit të identitetit të saktë të personit të dyshuar, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtarë për Zbatim të Ligjit – ILECU, përmes gjurmëve të gishtërinjve dhe fotografive, ka pranuar raport nga Interpoli ku ka rezultuar se gjurmët e gishtërinjve përputhen me personin në arrati me iniciale G. S. (viti 1977) në Greqi.

    Lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori kompetent, i cili të dyshuarit i ka caktuar masën e ndalimit policor, dhe pas masës së ndalimit policor, personit të dyshuar me vendim të gjykatës I është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

  • Rohde: Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit duhet të zbatohen plotësisht

    Rohde: Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit duhet të zbatohen plotësisht

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka deklaruar se marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit duhet të zbatohen plotësisht.

    “Mosbërja e tyre dëmton procesin e dialogut”, shkruan ai në X.

    Kësisoj diplomati gjerman ka komentuar në një postim të Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet.

    “Serbia nuk mund të injorojë një marrëveshje ku u zotua se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare” dhe pastaj të argumentojë se, për shkak të së njëjtës marrëveshje, Kosova duhet të bllokohet”.

    “Kjo thjesht dëmton procesin e dialogut”, shkroi Knaus.

    Duke iu referuar një deklarate të kryeministres serbe rreth çështjes së anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ai ka deklaruar se dialogu i Brukselit dhe anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë janë çështje të ndara.

  • Nënshkruhet kontrata 21 milionëshe për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Pejë

    Nënshkruhet kontrata 21 milionëshe për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Pejë

    Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka bërë të ditur se është nënshkruar kontrata për fillimin e ndërtimit të rrugës Prishtinë – Pejë, segmenti Kijevë-Dollc.

    Kontratë kjo që kap vlerën e njëzet e një milionë eurove.

    Aliu tha se rruga do të jetë me katër korsi, e ndarë në katër llote dhe përshkon gjatësi prej 12.8 kilometra.

    Ministri shton se kjo rrugë do të ndikojë në jetën e mijëra banorëve dhe do të shërbejë si mundësi për zhvillim ekonomik të vendit.

    “Tashmë janë nënshkruar kontratat për fillimin e ndërtimit të Rrugës Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Dollc. Rruga është me katër korsi, e ndarë në 4 llote, dhe përshkon gjatësi totale prej 12.8 km, rrugë e cila do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e mijëra banorëve dhe do të shërbejë si mundësi për zhvillim ekonomik të vendit”, ka shkruar Aliu në Facebook.

  • Vazhdojnë takimet në Bruksel për dinarin

    Vazhdojnë takimet në Bruksel për dinarin

    Takimet për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë muajin e kaluar, janë duke vazhduar në Bruksel, ku Kosova është duke u përfaqësuar nga kryenegociatori i saj, Besnik Bislimi, ndërsa Serbia nga Petar Petkoviq.

    Pas një takimi tre palësh mes Bislimi dhe Petkoviqit, me ndërmjetësuesin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian Mirosllav Lajçak, herët në mëngjes, tani do të ketë takim ndaras mes palëve.

    Një takim ndaras mes Bislimit dhe Lajçakut ka filluar tashmë dhe pritet të pasohet nga një takim mes Petkoviqit dhe ndërmjetësuesit evropian, para një takimi tjetër trepalësh më vonë gjatë ditës.

    Takimet e sotme janë vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit.

    Ata pritet t’i diskutojnë propozimet e secilës palë gjatë këtyre takimeve të sotme.

  • Haradinaj: Absurde të gjykohen çlirimtarët ndërsa nuk është vendosur drejtësia mbi shumë masakra të kryera nga shteti fashist serb

    Haradinaj: Absurde të gjykohen çlirimtarët ndërsa nuk është vendosur drejtësia mbi shumë masakra të kryera nga shteti fashist serb

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në nderim e kujtim të të rënëve në Celinë, Fortesë e Brestoc.

    Haradinaj ka thënë se është absurde që sot në liri po gjykohen çlirimtarët, e ende nuk ka drejtësi për shumë masakra.

    “Është absurde që sot në liri po gjykohen çlirimtarët ndërsa ende nuk është vendosur drejtësia mbi shumë masakra të kryera nga shteti fashist serb, në civilë të pambrojtur”, ka thënë Haradinaj.

  • Gërvalla: Rusia përpiqet të ngrejë paralele absurde midis ndërhyrjes në Kosovë dhe luftës së saj në Ukrainë

    Gërvalla: Rusia përpiqet të ngrejë paralele absurde midis ndërhyrjes në Kosovë dhe luftës së saj në Ukrainë

    Ministrja e Punëve të Brendshme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se me thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Rusia po përpiqet të ngjallë një paralele midis ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe luftës agresive ruse në Ukrainë.

    Ajo këtë tentativë të Rusisë për të krijuar një paralele midis ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, që ndaloi veprimet gjenocidale të Serbisë, dhe veprimeve të Rusisë në Ukrainë e sheh si absurde dhe të papranueshme.

    Ajo këtë deklaratë e ka bërë teksa ka përkujtuar masakrën në Krushë të Madhe të Rahovecit, dhe fshatrat përreth, ku Serbia vrau 241 shqiptarë civilë.

    “25 vite pas, Rusia ka thirrur për sot një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke tentuar të ngrejë një paralele absurde dhe të papranueshme mes ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, e cila ndaloi fushatën gjenocidale të Serbisë, dhe luftës së saj agresive për aneksimin e territorit të Ukrainës”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

  • Krasniqi në 25-vjetorin e masakrave në Rahovec: Sot dhe gjithmonë, i kujtojmë me nderim dhe respekt ata që u flijuan për këtë ideal

    Krasniqi në 25-vjetorin e masakrave në Rahovec: Sot dhe gjithmonë, i kujtojmë me nderim dhe respekt ata që u flijuan për këtë ideal

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka përkujtuar masakrat në fshatrat e Rahovecit, ku mbeten të vrarë 68 civilë në Fortesë, 75 në Celinë, 49 në Brestoc.

    Krasniqi ka shkruar se në mesin e të vrarëve ishte edhe gjyshi i tij, Hysni Zhuniqi.

    “25 vite më parë, regjimi gjenocidal serb filloi masakrat ne fshatrat e Rahovecit, duke vrarë 68 civilë në Fortesë, 75 në Celinë, 49 në Brestoc, e ku ranë edhe pesë dëshmorë në mbrojtje të popullatës shqiptare.
    Në mesin e martirëve të Fortesës ishte edhe gjyshi im, Hysni Zhuniqi, bashkë me familjarë të shumtë.
    Sakrificat, vuajtjet dhe dhembja e popullit tonë në rrugën e çlirimit kanë qenë të mëdha – por akoma më e madhe ishte vendosmëria për liri dhe pavarësi. Prandaj, sot dhe gjithmonë, i kujtojmë me nderim dhe respekt ata që u flijuan për këtë ideal.
    Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit”, ka shkuar Krasniqi.

  • Hovenier takon udhëheqësit e odave ekonomike të Kosovës e Serbisë, flasin si të përmirësohet bashkëpunimi mes bizneseve të dy vendeve

    Hovenier takon udhëheqësit e odave ekonomike të Kosovës e Serbisë, flasin si të përmirësohet bashkëpunimi mes bizneseve të dy vendeve

    Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka njoftuar se ka zhvilluar takim me kryetarin e Odës Ekonomike në Kosovë, Lulzim Rafuna, dhe kryetarin e Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh.

    Hovernier ka thënë se me ta ka biseduar për mënyrat se si të përmirësohet bashkëpunimi mes bizneseve të dy vendeve.

    “Diskutim i mirë me liderët e Odës Ekonomike të Kosovës dhe asaj të Serbisë për mënyrat për të përmirësuar bashkëpunimin mes komuniteteve të biznesit kosovar dhe serb në Kosovë dhe Serbi. Normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve do ta rrisë stabilitetin dhe prosperitetin rajonal”, ka shkruar Hovenier.