ATV

Category: Lajme

  • Përkundër masave, Kosova përfiton nga fondet IPA III të BE-së

    Përkundër masave, Kosova përfiton nga fondet IPA III të BE-së

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Edhe pse nën masa ndëshkuese, të premten, Kosova nënshkroi marrëveshje nga e cila, bashkë me Malin e Zi, do të përfitojnë afër tetë milionë euro e gjysmë nga Bashkimi Evropian.

    Ky i fundit veçse ka ndarë mjetet financiare për ujdinë ndërmjet dy shteteve për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III 2021-27.

    “Me 8.4 milionë euro të alokuara për të ardhmen, jemi të përkushtuar në nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe bashkimit në këto fusha të rëndësishme”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

    Nuk ka konfirmim zyrtar nëse kjo marrëveshje e re, në kuadër të instrumentit të para-anëtarësimit, përbën lëvizje në raport me masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

    Shenjë shpresëdhënëse e vlerësoi këtë zhvillim politologu Fidan Ukaj.

    “Mund të jetë sinjal që BE-ja dëshiron t’i lehtësoj këto masa, me shpresën që t’i largojë, e po ashtu fondet e IPA-s të vazhdojnë të jepen edhe për projekte shumë të rëndësishme për Kosovën, të cila kanë qenë edhe më herët. Mos të harrojmë, edhe USAID ka ndarë mjete për Kosovën, dhe mund them lirisht se janë sinjale të mira, pozitive, se shumë shpejtë mund të kemi largimin e këtyre masave apo sanksioneve nga BE-ja”, tha Ukaj.

    Rreth 300 milionë euro është një vlerësim për totalin e projekteve të pezulluara –shumica në kuadër të IPA-s – si pasojë e ndëshkimit nga BE-ja.

    Në anën tjetër, blloku 27 anëtarësh po pret raportin final hetimor për 24 Shtatorin, para se të shqyrtojë vendosjen eventuale të masave për Serbinë.

    Bashkimi Evropian ende nuk ka pajtimin e brendshëm as për ndryshimet e propozuara në Kapitullin 35 të rrugës së anëtarësimit të Serbisë, konkretisht futjen si kusht të zbatimit të marrëveshjes bazë dhe shtojcës me Kosovën.

    Pengues kryesor në të dyja rastet është Hungaria, kryeministri i së cilës, Viktor Orban, në Tetor, samitin në Spanjë, kishte qeshur me kërkesën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që BE-ja ta ndëshkojë Serbinë.

  • Rinisin punimet për zgjerimin dhe rregullimin e shtratit të lumit Ibër

    Rinisin punimet për zgjerimin dhe rregullimin e shtratit të lumit Ibër

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Pesë vjet më parë, u nis rregullimi dhe zgjerimi i shtratit të lumit Ibër, në Mitrovicë.

    Por ky projekt ku përfshihej edhe shëtitorja, nuk përfundoi me kohë, ani pse premtimi i të parit të komunës që në atë kohë ishte Agim Bahtiri, projekti do të përfundonte brenda mandatit.

    Për projektin në atë kohë u ndanë 1.8 milion euro, por kjo shumë duket se nuk mjaftoi, kështu nga Komuna e Mitrovicës ndan sërish buxhet.

    “Projekti i rregullimit ka vlerën 700 mijë euro. Projekti do të ketë hapësira rekreative, do të jenë 500 trupa të ri të pemëve. Brenda kësaj vere do ta gëzojnë qytetarët e Mitrovicës, këtë projekt që do të bëjë ndryshimin e kësaj pjese”, tha drejtori i Shërbimeve Publike dhe Investimeve, Granit Tmava.

    Sipas drejtorisë së shërbimeve publike, punimet tash do të kryhen për pak muaj. Për këtë shpresojnë më së shumti banorët e lagjes “2 korriku”, që ishin të prekur nga vërshimet sa herë që kishte të reshura.

    “Më përpara na ka marrë uji, tash e janë tu e ndërtua kanalin shumë mirë”, tha një qytetar.

    “Mirë është sigurisht pasi po sigurohet edhe bazamenti duhet me kanë ma mirë tash”, tha një tjetër qytetar.

    Ky projekt pritet t’i bashkojë dy pjesët e qytetit të Mitrovicës, atë urbane me Liqenin Akumulues.

  • Zotimi i krerëve të shtetit: Specialët në veri “vetëm kur ka nevojë”

    Zotimi i krerëve të shtetit: Specialët në veri “vetëm kur ka nevojë”

    Përgatiti: Nora Luta

    Krerët e shtetit janë zotuar se do ta dërgojnë Njësinë Speciale të Policisë në katër komunat veriore, vetëm në rastet e nevojshme.

    Ky është një prej zotimeve dhënë raportueses për Kosovën në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis.

    “Të përmbahen nga përdorimi i Njësisë Speciale të Policisë Speciale në veri të Kosovës për detyra të zakonshme policore, të sigurohet që ato dislokohen vetëm në rast nevoje dhe të shtojnë bashkëpunimin me KFOR-in dhe EULEX-in”, thuhet në këtë zotim.

    Nuredin Ibishi duke marrë shembull marrëveshjen me NATO-n për FSK-në, thotë se liderët kosovarë duhet të jenë të kujdeseshim, pasi çdo kushtëzim mund të mbetet peng i vazhdueshëm.

    Angazhimi i Njësive Speciale të Kosovës sipas njohësve të çështjeve së sigurisë, rregullohet me ligj dhe çdo veprim tjetër mund të bjerë në kundërshtim edhe me kushtetutë.

    Përveç për policinë, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti janë zotuar që të përmbahen edhe nga kritikat e panevojshme ndaj gjyqësorit e sistemit prokurorial.

    Kjo, sipas juristëve, është e domosdoshme të zbatohet në praktikë për të siguruar një pavarësi të organeve të drejtësisë.

    Letra e nënshkruar nga tre krerët e shtetit është miratuar bashkë me opinion statutor dhe është pjesë e rrugëtimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

  • Rregullat e reja, nga e mërkura dënime të ashpra për shoferët

    Rregullat e reja, nga e mërkura dënime të ashpra për shoferët

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Shoferët që bëjnë gara të tilla me vetura, i presin dënime të ashpra.

    Me ligjin e ri për rregullat në trafik, i cili hyn në fuqi nga e mërkura, garat si këto do t’iu kushtojnë deri në 500 euro shoferëve dhe do të mbeten pa patentë-shofer për 1 vit.

    Hiç më lehtë nuk do të shpëtojnë as ata që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar, meqë dënimet mund të arrijnë deri në 500 euro dhe lagim të katër pikëve nga patentë-shoferi.

    Dënimet pothuajse të njëjta nga 100 deri 500 euro i presin edhe ata që gjatë ngasjes përdorin telefonin.

    Dyfish më shumë se kaq, do të dënohen shoferët që nuk e pastrojnë automjetin dhe bëjnë rrugën me baltë.

    Shoferët që nuk vendosin rripin e sigurisë, do të gjobiten me nga 150 euro.

    Ashpërsimi i dënimeve, po mirëpritet nga qytetarët meqë thonë se po rrezikohet jeta e tyre.

    Por, rritjen e dënimeve nuk është se e përkrahin në tërësi ekspertët e komunikacionit. Sipas Bekim Ahmetit, ky Ligj i Ri, nuk do të ketë efekt të madh në zvogëlimin e rrezikshmërisë në komunikacion.

    Zgjidhje të duhur, Ahmeti e sheh vendosjen e radarëve statikë.

    Rastet e vdekjeve në aksidente nuk janë hiç të rralla në vend.

    Vetëm në vitin që lamë pas, 88 qytetarë vdiqën si pasojë e aksidenteve.

  • Rruga e shembur në Klinë, banorët rrezikojnë të bllokohen

    Rruga e shembur në Klinë, banorët rrezikojnë të bllokohen

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Shenja që rruga është e dëmtuar nuk ka.

    Edhe pse mbetet e hapur, mirëpo banorët e tre fshatrave të Klinës, e kanë të vështirë të kalojnë me vetura këndej, për shkak të shembjes së dheut.

    Rruga është dëmtuar për shkak të reshjeve atmosferike. Nga komuna e Klinës nuk kthyen përgjigje të hënën për ATV-në, nëse ka ndonjë plan për këtë problem.

    Derisa të fillojnë punimet, banorët thonë se lëvizja nëpër këtë rrugë do të mbetet e kufizuar.

    “Këtu kalojnë shumë njerëzit, është shumë rrezik. Uji prej lartit, e ka prish nuk e mbaj në mend 72 vjet i kom kështu s’ka ndodhë asnjëherë, me u dëmtu në këtë pjesë rruga”, tha Sadik Dallaveri, banor.

    Meqë, terreni është jo i mirë, sipas banorëve, rreziku rritet kur terri mbulon fshatin.

    “Rrezik është boll, kur të vijnë prej anës së lartë të panjohurit munden me ra me u mbytë. Na që jemi afër këtu po e dimë. Veç një herë kanë ardhë e kanë hedhur zhavorr”, tha Hasan Dallaveri, banor.

    Nëse rruga nuk rregullohet, banorët e fshatit Jashanicë dhe Kërnicë për të shkuar në shtëpinë e tyre, duhet të përdorin rrugët alternative nëpër komunën e Skenderajt.

  • Vazhdojnë të rriten çmimet e naftës

    Vazhdojnë të rriten çmimet e naftës

    Çmimet e naftës u rritën të hënën mes shqetësimeve për furnizim të shtrënguar të naftës për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe Luftës Rusi-Ukrainë.

    Standardi ndërkombëtar i papërpunuar Brent u tregtua me 87.24 dollarë për fuçi në orën 9:31 të mëngjesit me orën lokale (0631 GMT), një rritje prej 32% nga çmimi i mbylljes prej 86.96 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare.

    Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) u tregtua me 83.42 dollarë për fuçi në të njëjtën kohë, një rritje prej 0.30% nga seanca e mëparshme që u mbyll me 83.17 dollarë për fuçi.

    Ndërsa konflikti midis Izraelit dhe Palestinës dhe lufta Rusi-Ukrainë vazhdon, shqetësimet globale të furnizimit me energji janë vënë në rrezik, duke i shtyrë çmimet më të larta.

  • “Pfizergate” me vaksinat e COVID, prokurorët hetojnë porosinë 20 miliardë euro të Von der Leyen

    “Pfizergate” me vaksinat e COVID, prokurorët hetojnë porosinë 20 miliardë euro të Von der Leyen

    Telashe në horizont po duken për presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Prokurorët e lartë europianë po hetojnë negociatat e saj për blerjen e vaksinave anti-COVID me drejtuesin e kompanisë Pfizer. Këtë e raporton media e njohur, Politico, që citon një zëdhënës nga zyra e prokurorisë, e cila sqaron se po shqyrtohen dyshimet nëse janë bërë shkelje kriminale.

    Në fakt hetimi është një vazhdim i një investigimi të bërë nga prokurorët e Belgjikës ndaj Von der Leyen për “ndërhyrje në funksionet publike, shkatërrim të SMS-ve, korrupsion dhe konflikt interesi”, sipas dokumenteve të siguruara nga Politico.

    Çështja e pagëzuar me emrin “Pfizergate”, për blerjen më të madhe të vaksinave për pandeminë koronavirus, është ngritur vitin e kaluar nga politikani belg Frederic Baldan, që më pas mori mbështetjen e qeverisë së Polonisë dhe Hungarisë. Në qendër janë mesazhet e shkëmbyera mes Von der Leyen dhe kreut të Pfizer, Alber Bourla, të raportuara së pari nga media amerikane New York Times, përmes së cilave dyshohet se janë përcaktuar kushtet e marrëveshjes, që ende mbahen sekret.

    Prokurorët europianë, që po hetojnë marrëveshjen me vlerë mbi 20 miliardë euro për krime financiare, në teori mund të sekuestrojnë telefona dhe materiale të tjera nga zyrat e Komisionit Europian, apo kudo në Europë, përfshirë vendlindjen e Von der Leyen. Ky zhvillim vjen në një moment kur shefja e KE-së po kërkon një mandat të dytë.

    Marrëveshja mes Brukselit dhe Pfizer është arritur në mes të pandemisë në vitin 2021 dhe është parë si një triumf i madhe për politikanen gjermane, por polemikat nuk kanë munguar gjatë këtyre viteve, me raportime të shumta që sugjerojnë se vitin e kaluar janë shpërdoruar doza vaksinash me vlerë 4 miliardë euro.

  • Kosovari vdiq në aksidentin e rëndë në Itali, Ferrari po shkonte 200 km/h – flet vëllai i tij

    Kosovari vdiq në aksidentin e rëndë në Itali, Ferrari po shkonte 200 km/h – flet vëllai i tij

    Një kosovar nga kantoni Vaud i Zvicrës vdiq tragjikisht në një aksident të rëndë me Ferrari të dielën në Italinë veriore.

    Vetura u copëtua, copat u shpërndanë dhe flakë e madhe u pa. Mediat italiane shkruajnë se Ferrari GT C4 i bardhë kishte qenë duke lëvizur me mbi 200 km/h kur ka rrëshqitur në rrugën e lagësht dhe është përplasur në anësore.

    Zjarrfikësve iu desh mjaft mund që ta nxirrnin kosovarin e vdekur nga vetura.

    Mediumi zviceran, Blick shkruan se 40-vjeçari të shtunën në mbrëmje – vetëm disa orë para vdekjes – ishte në një klub nate në kantonin e Valais dhe pas performancës më pas ishte nisur për në Itali me Ferrari.

    Vëllai i tij 41-vjeçar ka treguar se vetura i përkiste atij.

    “Është e vështirë ta shprehësh me fjalë këtë person të madh dhe pozitiv. Por nëse do të më duhej ta përshkruaja me një fjalë, do të thosha se ai ishte personi më i dashur që e kam njohur”, tha ai.

    Vëllai i kosovarit të vdekur në aksident nuk e di se si ndodhi, kush po e drejtonte veturën dhe kush ishte viktima tjetër – një grua sipas mediave italiane.

    “Për momentin nuk kemi marrë shumë informacion nga policia. Vëllai im tjetër, i cili jeton në Itali, tani kujdeset për gjithçka”. Gjithçka që ai di është se një test i ADN-së po pritet të bëhet.

    Sipas raportimeve të mediave italiane, identifikimi është i komplikuar pasi të vdekurit u dogjën në veturën që mori flakë. Ndërkohë, policia e Settimo Torinese ka kontaktuar disa të afërm dhe u ka kërkuar atyre që të ndihmojnë në identifikimin e të vdekurve përmes analizës së ADN-së.

    Vetë vëllai sapo kishte mbërritur në Suedi me familjen e tij, por tani po udhëton për në Zvicër, siç i tha Blick të hënën. “Ne duam ta mbështesim gruan dhe fëmijët e tij. Ata janë në shtëpi në Zvicër”.

  • Netanyahu ringjall masën për mbylljen e televizionit Al Jazeera të Katarit në Izrael

    Netanyahu ringjall masën për mbylljen e televizionit Al Jazeera të Katarit në Izrael

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ringjalli të hënën masën për mbylljen e stacionit televiziv satelitor të Katarit “Al Jazeera” në Izrael, duke thënë përmes zëdhënësit të partisë së tij se parlamenti do të mblidhet në mbrëmje për të ratifikuar ligjin e nevojshëm.

    Pas kësaj, Netanyahu “do të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të mbyllur Al Jazeeran në përputhje me procedurën e përcaktuar në ligj”, thuhet në deklaratën e partisë Likud.

    Izraeli ka akuzuar më parë këtë medium për nxitje kundër Izraelit në mesin e shikuesve arabë.

    As zyra kryesore e stacionit në Izrael dhe as qeveria e Katarit në Doha nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.

    Al Jazeera ka akuzuar më parë Izraelin për shënjestrim sistematik të zyrave dhe personelit të tij.

    Zyrtarët izraelitë janë ankuar prej kohësh për mbulimin e Al Jazeera-s, por nuk kanë ndërmarrë veprime, duke pasur parasysh financimin nga Katari të projekteve të ndërtimit palestinez në Rripin e Gazës – i parë nga të gjitha palët si një mjet për të shmangur konfliktin.

    Më 7 tetor në këtë zonë nisi lufta, pasi militantët e udhëhequr nga Hamasi, grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, hynë në jug të Izraelit, duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe duke marrë peng rreth 250 njerëz.

    Izraeli u përgjigj me një ofensivë ajrore, tokësore dhe detare që ka vrarë të paktën 32,782 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës. Ministria nuk bën dallim midis civilëve dhe luftëtarëve në numërimin e saj, por thotë se gratë dhe fëmijët përbëjnë rreth dy të tretat e të vrarëve.

    Doha ka ndërmjetësuar negociatat për armëpushim, sipas të cilave Izraeli ka rimarrë disa nga ata që ishin marrë peng.

    Megjithatë, bisedimet për një armëpushim të dytë të propozuar duket se nuk po shkojnë askund. Në janar, Netanyahu bëri thirrje publikisht që Katarit t’i bëhet presion për të ushtruar më shumë presion ndaj Hamasit. Katari është nikoqir i zyrës politike të grupit dhe disa zyrtarëve të lartë të Hamasit.

    I pyetur nëse kërcënimi kundër Al Jazeera-s mund të jetë pjesë e një presioni të tillë, një zëdhënës i qeverisë izraelite, Avi Hyman, nuk u përgjigj drejtpërdrejt, megjithëse ai tha se mediumi ka shpërndarë “propagandë për shumë e shumë vite”.

    Ministri izraelit i komunikimit akuzoi mediumin më 15 tetor për nxitje pro-Hamasit dhe ekspozim të trupave izraelite në prita.

    Al Jazeera dhe qeveria e Dohas nuk iu përgjigjën këtyre akuzave.

    Muajin pasardhës, Izraeli dukej se e kurseu stacionin e Katarit, në vend të kësaj urdhëroi t’i jepte fund transmetimeve lokale të një kanali më të vogël pro-iranian libanez, Al Mayadeen, sipas rregullave emergjente të medias.

    Projektligji që pritet të ratifikohet të hënën kaloi leximin e tij të parë në Knesset në shkurt. /REL

  • Ende nuk dihet se kur do të nisin gërmimet për varrezat masive në Serbi

    Ende nuk dihet se kur do të nisin gërmimet për varrezat masive në Serbi

    Institucionet e Kosovës kanë bërë kërkesë te pala serbe për gërmimin në 11 lokacione dhe rikthimin në pesë lokacionet të varrezave masive që tanimë janë të konfirmuara në territorin e Serbisë. Ndërkohë, nëpërmjet një shkrese i kanë kërkuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të kenë qasje të plotë në arkiva të brigadës 37 të ish-ushtrisë jugosllave dhe brigadës 549, të cilat kanë vepruar në regjionin e Drenicës dhe Prizrenit, ku edhe janë kryer krime të përmasave gjenocidale.

    Në Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur thonë se do të vazhdojnë gërmimet në territorin e Kosovës, megjithatë, sfidë mbeten gërmimet në Serbi për shkak të qasjës në vazhdimësi politizuese e Beogradit zyrtar kundrejt këtij procesi.

    Kushtrim Gara nga ky komision i ka thënë për KosovaPress-it se deri tash janë të konfirmuara pesë varreza masive në territorin e Serbisë, ku janë gjetur dhe zhvarrosur më shumë se 900 viktima shqiptare nga lufta në Kosovë.

    “Sfidë dhe shqetësim mbetet qasja në vazhdimësi politizuese e Serbisë kundrejt këtij procesi dhe siç e kemi thënë edhe më parë politizimi i kësaj procesi mbetet turpi i këti shekulli…Ne kemi diskutuar edhe mbi mundësinë e një agjende të dinamizmit të këtij procesi, dhe tani më kanë filluar gërmimet vlerësuese edhe me procesin e zhvarrimit në disa lokacione brenda territorit të Republikës së Kosovës.. Kemi kryer gërmime të nevojshme në lokacion në fshatin Prekaz, që kanë rezultuar në gjetjen e një pjese kockore dhe pastaj kemi vazhduar gërmime në Komunë të Suharekës, ku gërmimet nuk kanë rezultuar me gjetje,… kemi edhe disa lokacione të shënjuara përfshirë edhe lokacionin Tusus që ne do të kthehemi në disa pika të tjera që kanë mbetur nga viti i kaluar, pastaj kemi një lokacion në Komunë të Podujevës që ne po e trajtojmë si rast për konfirmim identiteti dhe sigurisht që pastaj ka një sërë lokacionesh… Sfiduese mbeten lokacionet në territorin e Serbisë, përkundër të kërkesave të vazhdueshme, përkundër të dhënave që ne kemi iniciuar në formë të kërkesave gjatë takimeve që kemi pasur gjatë këtyre muajve, por edhe në takime paraprake, nuk ka ende ndonjë datë çoftë për të filluar gërmimet në lokacion të shënjuara në të cilat nuk është punuar asnjëherë apo edhe për të vazhduar gërmimet në lokacionet që është punuar në vitet e pasluftës por në bazë të dhënave që ne kemi, është e nevojshme që të kthehemi për të realizuar gërmimet e nevojshme vlerësuese edhe në këto lokacione”, ka thënë Gara.

    Gara ka shtuar se kryesuesi i Komisionit Qeveritar, Andin Hoti, ka dërguar një shkresë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke kërkuar që të kenë qasje të plotë në arkiva të Brigadës 37 dhe 549, të ish-ushtrisë jugosllave, të cilat kanë qenë të përfshirë në rajonin e Drenicës dhe Prizrenit.

    “Me 28,29 dhe 30 mars kemi pasur takimin tre palësh mes Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur të Republikës së Kosovës, të Malit të Zi dhe të Serbisë për persona të zhdukur… Janë të paktën 20 lokacionesh të adresuara në kuptimin e kërkesave për palën serbe, çoftë lokacioni në territorin e tyre për të vazhduar gërmimet apo edhe në territorin e Republikës së Kosovës… Tek rasti arkiva sigurisht që është rikthyer në agjendë dhe kemi bërë përpjekje t’i vëmë theks të veçantë edhe shkresës që kryesuesi i Komisionit Qeveritar, ka kërkuar në muajin qershor prej presidentit të Serbisë, Vuçiq, me kërkesën për qasje të plotë në arkiva të brigadës 37 të ish-ushtrisë jugosllave, për gjeste, për krime të përmasës gjenocidale të kryer kryesisht në regjionin e Drenicës. Krahas brigadës 37 ka qenë edhe kërkesa për brigadën 549 për krime në regjionin e Prizrenit

    Gara shtoi se në këtë takim tre palësh kanë kërkuar të kenë qasje edhe në një list që është bërë nga autoritetet e Serbisë në vitinb 2021, ku janë evidentuar 16 lokacione të masakrave masive në Serbi, prej të cilave Kosova, tanimë i di vetëm pesë.

    “Krahas këtyre pesë varrezave masive që janë hapur në territorin e Serbisë, pashmangshëm një prej kërkesave, krye temave që është adresuar nga ana jonë, ka qenë insistimi që të kemi qasje në listën prej 16 lokacioneve lokacioneve të varrezave masive dhe kjo listë që është prezantuar dhe ne nuk kemi arrit ta sigurojmë por megjithatë kjo listë ekziston, po flasim për qeverinë e Zoran Gjingjiqit, që në atë kohë është formuar një grup punues të cilët kanë nxjerr këtë listë prej 16 lokacione të varrezave masive dhe ne deri tani kemi konfirmuar vetëm pesë varreza masive në territorin e Serbisë, në lokacionin Batajnicë, Petrovosello, Bajnabasht, përkatësisht Rudnicë të Rashkës dhe Kishevac të Rashkës, janë gjetur dhe zhvarrosur më shumë se 900 viktima shqiptare nga lufta në Kosovë dhe mbetje mortore të zhvarrosen dhe të adresohen në territorin e Kosovës, megjithatë, shtrohet pyetja dhe ka qen një nga rastet që ne kemi insistuar të mësohet edhe lista prej 11 lokacioneve që ende nuk janë të konfirmuara në territorin e Serbisë, apo edhe një sërë lokacionesh kryesisht në regjionin e Rashkës dhe Novi Pazarit, të të cilat mbi bazën e informatave që ne kemi dërguar për palën serbe, sigurisht që ne do të duhet të kishim datën e fillimit të gërmimit të lokacioneve”, ka shtuar ai, duke shtuar se vetëm me një presion më të madh të bashkësisë ndërkombëtare, është arritur të ketë gërmime në pesë lokacionet ku janë gjetur varrezat masive në Serbi.

    Përndryshe, në Kosovë mbeten edhe mbi 1600 persona të zhdukur./kp