Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Pejë, pasi i njëjti kishte shtënë me armë zjarri.
Në njoftimin e bërë për media, Drejtoria Rajonale e Policisё nё Pejё, Stacioni Policor Pejё, thotë se më datë 29 mars 2024 rreth orës 09:00, ka pranuar njё informacion se me datё 23.03.2024 rreth orёs 17:00, nё fshatin Vitomiricё njё person i dyshuar kishte shtёnё me armё zjarri.
Njёsiti i hetimeve pranё Stacionit Policor nё Pejё, ka ndёrmarrё veprime hetimore ёshtё arritur qё tё gjinden dy (2) gёzhoja ne vendin e ngjarjes, e mё pas edhe personi i dyshuar ёshtё arrestuar dhe nё veturën e tij janё gjetur dhe sekuestruar:
• Njё (1) armё (pistoletё) e tipit M57 kal: 7.62mm
• Dy (2) gёzhoja kal: 7.62X 25mm.
Tutje, Policia njoftoi se i dyshuari pas intervistimit nga hetuesit, me vendim tё Prokurorit tё shtetit rasti shkon nё procedurё te rregullt.
Ishte 2 prilli i vitit 1999 kur në Kralan të Gjakovës forcat ushtarake dhe policore serbe ndanë disa qindra djem dhe burra nga grupi prej 1500 shqiptarëve që kishin braktisur vatrat për t’u shpëtuar krimeve serbe që kishin përfshirë tërë Kosovën. Të tjerët – gra, fëmijë dhe pleq, ishin urdhëruar që të shkojnë në Shqipëri.
Dy ditë më vonë, më 4 prill, nga grupi i djemve dhe burrave të cilët janë mbajtur në livadh, gjatë gjithë kohës, të rrethuar me tanke, pa ujë dhe pa ushqim, një numër i madh i tyre është liruar. Janë mbajtur 86 prej tyre, ndër të cilët edhe 11 të mitur.
Që nga ajo ditë, që nga ai moment, askush nga ta më nuk është parë i gjallë.
Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në vitin 2013 kishte bërë kallëzim penal ndaj disa eprorëve të Ushtrisë jugosllave për krime lufte në Kralan. Me këtë rast, u njoftua se trupat e 18 djemve dhe burrave të ndaluar, janë gjetur në një varrezë masive pranë liqenit të Peruçës, në Bajina Bashta të Serbisë.
FDH, në bazë të deklaratave të dhjetëra dëshmitarëve, ka identifikuar gjashtë eprorë të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilët kanë qenë në pozitat më të larta të njësive që dyshohen se kanë kryer krimet.
Lidhur me krimet serbe në Kralan, në dhjetor 2014 një letër kryeprokurorit të Tribunalit të Hagës i ka dërguar kryetarja e Shoqatës “Familja dhe Shpresa” Arifete Bytyqi. Në emër të familjarëve të 86 viktimave të masakrës, Bytyqi kërkoi që të hetohet vrasja e 86 civilëve shqiptarë nga policia serbe më 4 prill 1999 në Kralan.
Bytyqi në letrën e vet përkujton se edhe sot e kësaj dite askush nga fajtorët për masakrën nuk është dërguar para drejtësisë.
Një tërmet me magnitudë 6.1 goditi Iwate dhe Aomori në Japoninë veriore, njoftoi Agjencia Meteorologjike e Japonisë.
Epiqendra ishte në pjesën veriore bregdetare të prefekturës Iwate, tha agjencia, duke shtuar se nuk ishte lëshuar asnjë paralajmërim për cunami. Për momentin nuk ka raportime për dëme apo të lënduar.
Sot parashihet mot me diell dhe vranësira të pakta, ndërsa vonë pasdite mund të ketë shtim të vranësira dhe reshje lokale shiu, kryesisht në Rrafshin e Kosovës: zona veriore, verilindore, lindore dhe ajo disi qëndrore, ku nuk përjashtohet mundësia për ndonjë shkarkesë elektrike.
Era do fryjë nga kuadrati i perëndimit, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 20-75 km/h, ku edhe ka mundësi të ketë dëme materiale.
Sipas MeteoKosova, temperaturat do të pësojnë ulje, me minimale që do të lëvizin prej 10 deri në 12°C, ndërsa ato maksimale prej 17 deri në 20°C.
Tetë person dyshohet të kenë vdekur si pasojë i një aksidenti të rëndë që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së martes.
Siç raporton Abcnews.al, aksidenti ka ndodhur në rrugën Këlcyrë-Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar.
Automjeti i tipit Mercedes Benz, ka dalur nga rruga dhe ka përfunduar në lumin Vjosa.
Raportohet se shtatë viktima janë shtetas të huaj, po ashtu edhe shoferi i automjetit, nga Shkodra.
Në vendin e ngjarjes ka dalur policia dhe Prokurori, që po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Gjithashtu në vendin e ngjarjes ndodhen Drejtori Vendor i Policisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin, Drejtori i Policisë Rrugore dhe Drejtori i Rendit Publik, si dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë.
Qeveria e Kosovës të martën do të mbajë mbledhje ku në rend dite janë një sërë pikash për shqyrtim e miratim.
Mbledhja do të mbahet nga ora 14:30.
Në mesin e tyre është edhe shqyrtimi i ratifikimi të marrëveshjes kornizë ushtarake ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
Ekzekutivi do të shqyrtojë Projektligjin për Provimin e Maturës Shtetërore, kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal për ndarjen e mjeteve për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive për pjesëtarët e komunitetit pakicë në katër komunat veriore, e disa pika të tjera.
Në Kuvendin e Kosovës sot do të mbahen mbledhjet e gjashtë komisioneve parlamentare, ndër to edhe ajo e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe katra të tjera.
Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, sot në ora 10:00 mbanë mbledhjen e radhës, në rend dite ka edhe takimin me shoqatën e logopedëve dhe takimin me shoqatën e ergoterapistëve.
Ndërsa, Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, fillon mbledhjen në ora 11:00. Në rend është edhe takimi i Komisionit me kursantët e Kursit të Lartë për Siguri dhe Mbrojtje të Shqipërisë.
Mbledhje, në ora 11:00 ka edhe Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport i cili në rend dite ka edhe një takim me Komisionin për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, gjithashtu fillon mbledhjen në ora 11:00 dhe në rend dite ka edhe shqyrtimin e Raportit të auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi elektronik i prokurimit publik e-prokurimi“.
Mbledhje kanë edhe Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim si dhe Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i cili do të ketë një takim me Bertrand Bouyx, Kryetar i Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Rreth 630 mijë euro është fitimi i vitit të kaluar i ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”.
Referuar raportit vjetor, vlera e të hyrave që ndërmarrja solli në total në 2023-ën, kap një vlerë prej mbi 10 milionë eurosh.
Kurse shpenzimet e ndërmarrjes për këtë periudhë, kushtuan rreth 9 milionë e 700 mijë euro.
Prodhimin i energjisë i solli “Ibër – Lepencit” më së shumti të hyra.
Sipas raportit, afro tetë milionë euro nga të hyrat totale, burojnë nga shitja e energjisë së gjeneruar nga hidrocentrali në Ujman.
“Të hyrat nga energjia elektrike kapën një shifër prej 7.818.043 euro, duke përbërë kështu 76% të të hyrave totale”, thuhet në njoftimin nga Ibër – Lepenci.
Për çmimin e shitjes së energjisë nga kjo ndërmarrje, një muaj më parë, ka folur Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Sipas saj, “Ibër Lepenci”, në bazë të një kontrate detyrohej që energjinë ta shiste me çmim të ulët.
“Deri në vitin 2021 dhe një pjesë të 2022-tës, ka qenë një kontratë me një çmim shumë të ulët, e cila e ka pamundësuar “Ibër Lepencin” që të shfrytëzojë, që të inkasoj të hyra dhe ta shesë energjinë me kushte të tregut”, tha Rizvanolli.
“Ibër – Lepenci”, në 2023-ën prodhoi më shumë energji, ngase kishte planifikuar.
Ndërkaq, distribuimi i ujit, i solli ndërmarrjes mbi 2 milionë e 200 mijë euro nga të hyrat totale.
“Të hyrat nga uji ishin 2.242.119 euro duke përbërë kështu rreth 21,87% të të hyrave totale. Kjo shumë ishte 1,93% më e lart sesa shuma e planifikuar dhe 5% më e lart sesa ajo e periudhës së njëjtë të vitit të kaluar”, thuhet më tej në njoftimin nga Ibër – Lepenci.
Nga sektori i ujitjes, “Ibër – Lepenci” gjeneroi mbi 150 mijë euro, duke tejkaluar synimet e paraqitura në plan të biznesit.
Kjo shumë është për 15% më e ulët nëse krahasohet me të hyrat nga ujitja në vitin 2022.
“Ibër – Lepenci” ka operuar me humbje për vite të tëra që nga shpallja e pavarësisë, ndërkaq, pos 2023-ës, ndërmarrja e mbylli me fitim edhe vitin 2022.
25 vjet më parë, banorët e Lybeniqit të Pejës përjetuan tmerrin kur ushtria serbe në këtë fshat vrau e masakroi 79 banorë.
Për t’i kujtuar të rënët, kryeministri Albin Kurti bëri homazhe tek lapidari i fshatit, prej ku bëri thirrje për adresim me urgjencë të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Shpresoj të deponohen sa më shumë dëshmi për krimet e kryera këtu në Kosovë. Ndërkaq, sistemi të drejtësisë nga këtu i bëj thirrje edhe një herë për adresim me urgjencë të rasteve të kryera gjatë luftës, sepse këto krime asnjëherë nuk janë vjetruar, por dëshmitarët janë gjithnjë e më të moshuar. Në Policinë e Kosovës në të kaluarën krimet e luftës janë trajtuar në kuadër të hetimeve të krimeve të rënda”, tha Kurti.
Për masakrën e Lybeniqit shkroi edhe Presidentja Vjosa Osmani, në rrjete sociale, duke thënë se tendenca për shfarosje të popullit shqiptar nuk kurseu as Muhametin 18 muajsh dhe Leonardin 7 vjeç.
Një prillin e 1999-ës, e përkujtoi edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Madje ai tha se, sa herë që viziton Lybeniqin, një copë zemre i mbetet aty.
Haradinaj shtoi se barbaria e shtetit fashist serb nuk kurseu askënd që i doli para. Armiku ekzekutoi mbi njëqind shqiptarë të paarmatosur, nga fshatrat Lybeniq, Buçan, Rashiq, Loxhë, Kosuriq e Prilep.
Pas shpalljes si të pavlefshme të disa neneve të Ligjit të pagave nga Gjykata Kushtetuese, kjo gjykatë i dha Kuvendit 6 muaj afat t’i bëjë ndryshimet.
Derisa kanë mbetur edhe disa muaj kohë ligjvënësit nuk kanë ndërmarrë ende ndonjë veprim në këtë drejtim. Madje, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti në opozitë, nuk besojnë fare se do të ketë ndryshime.
Megjithatë, Valon Ramadani, kryetar i Komisionit parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, Media dhe Zhvillim Rajonal, tha se ka vullnet që brenda afatit të caktuar të bëhen ndryshimet.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, derisa Kuvendit i kanë mbetur edhe 4 muaj afat që të ndryshojë ose plotësojë nenet.
Pikat të cilat duhet të ndryshohen janë nenet që kanë të bëjnë me fushëveprimin, pagën bazë, shtesat, vëllimin e punës e të tjerë.
Ligji për Pagat në sektorin publik u dërgua në Kushtetuese nga Avokati i Popullit, pas 104 ankesave të dorëzuara nga punëtorë të fushave të ndryshme, organizata e asociacione.