ATV

Category: Lajme

  • Shpallet epidemi e “kollës së keqe” në Kumanovë

    Shpallet epidemi e “kollës së keqe” në Kumanovë

    Qendra e Shëndetit Publik të Kumanovës ka shpallur epidemi të kollës së keqe në nivel të Kumanovës, njoftuan sot zyrtarë nga institucioni publik shëndetësor. Epidemiologia Dr. Edita Ramizi tha se nga 26 të raportuar në nivel të Qendrës, 23 janë të sëmurë në Kumanovë.

    Mosha e pacientëve varion nga 4 muaj deri në 60 vjeç. Numri më i madh është nga 1 deri në 4 vjeç, më pas është nën një vit, që nga pesë deri në 9 vjeç, pjesa tjetër përfaqësohet nga një rast. Sigurisht që rekomandimi dhe apeli për vaksinimin e fëmijëve për t’i mbrojtur nga kjo sëmundje mbetet.

    Të gjitha rastet janë konfirmuar laboratorikisht, nga të cilët numri më i madh janë konfirmuar në laboratorin mikrobiologjik në Qendrën e Shëndetit Publik Kumanovë. Sa i përket statusit të vaksinimit të të sëmurëve nga Kumanovë, tetë persona janë të vaksinuar plotësisht, tre të vaksinuar sipas moshës, pesë persona janë të pavaksinuar, gjashtë janë të pavaksinuar, statusi i vaksinimit të personit 60 vjeçar nuk dihet, tha Dr.Ramizi, raporton Alsat-M.

  • Qeveria ndan 4 milionë për ndërtimin e shtëpive për komunitetet joshumicë në veri

    Qeveria ndan 4 milionë për ndërtimin e shtëpive për komunitetet joshumicë në veri

    Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për ndarje të 4 milion eurove për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve pakicë në komunat: Mitrovicë Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, raporton EO.

    Albin Kurti është shprehur se një ndër vendimet do të jetë edhe ai i ndarjes së 4 milionë eurosh për ndërtimin e shtëpive për komunitetet joshumicë në veri.

    “Pas thirrjes thirrjes publike të MAPL-së për ndërtimin e shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë, që janë në gjendje të rëndë sociale me kushte të rënda banimi, ka kërkesë për ndarjen e mjeteve shtesë në vlerën e katër milionë eurove të cilat përdoren për subvencionimin qind për qind për ndërtim e shtëpive për qytetarët tanë në katër komunat veriore”, tha Kurti.

    Kjo ka qenë kërkesë e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kjo është një kërkesë shtesë për të përmbushur nevojat që kanë qenë gjatë fazave të mëhershme të aplikimit për ndërtim apo rindërtim të shtëpive nga komunitetet pakicë.

  • U dogjën në Ferrari, kosovari e drejtonte veturën, gruaja që ishte me të s’po mund të identifikohet

    U dogjën në Ferrari, kosovari e drejtonte veturën, gruaja që ishte me të s’po mund të identifikohet

    Policia italiane ka konfirmuar se 41-vjeçari nga Kosova që banonte në Villeneuve të Zvicrës, Hysni Qestaj është një nga dy të personat që vdiqën në aksidentin e rëndë në orët e hershme të së dielës në Italinë veriore.

    Ai ishte në veturën Ferrari GTC4 së bashku me një grua, e cila nuk është identifikuar ende. Nuk është gruaja e tij. Të dytë u dogjën brenda veturës. Vetura doli nga rruga në autostradën Ivrea-Santhia menjëherë pas tunelit Passo d’Avenco në drejtim të Milanos. Matjet e para bënë të mundur të konstatohet se ai po lëvizte me një shpejtësi midis 200 dhe 250 kilometra në orë.

    Përplasja në anësoren e autostradës Ivrea-Santhia e ndau veturën përgjysmë: pjesa e përparme u thërrmua e më pas u përpi nga flakën, ndërsa pjesa e pasme u hodh pesëdhjetë metra larg, raportojnë mediat italiane, përcjell Express.

    Mediumi italian, Rai shkruan se shoferi u identifikua, ndërsa gruaja, e cila mendohet se ishte në anën e pasagjerit, ende jo. Të hënën, vëllai i drejtuesit të veturës u paraqit në stacionin e policisë rrugore Settimo Torinese për ta bërë identifikimin. Nuk ishte e lehtë, siç raportohet, pasi trupi ishte plotësisht i djegur. Ende asgjë nuk dihet, megjithatë, për viktimën e dytë të aksidentit, gjithashtu e djegur dhe e panjohur: për identifikimin e saj Prokuroria e Vercellit ka urdhëruar të bëhet një test i ADN-së.

    Ka gjasa që Prokuroria e Vercellit, e cila po e heton aksidentin, të përgatisë edhe hetimet teknike për rrënojat e veturës për ta zbardhur dinamikën e aksidentit. Nga gjendja e veturës, sipas Rai është e sigurtë se ajo po lëvizte me shpejtësi shumë të madhe, aq sa zjarrfikësve iu deshën pesë orë punë për nxjerrjen e trupave të djegur dhe për ta hequr atë që kishte mbetur nga Ferrari.

    Gazeta La Sentinella del Canavese, shkruan ndërkaq, se 41-vjeçari kishte lindur e banonte në Zvicër.

    Dy trupave do t’u bëhet autopsia. Mediat italiane shkruajnë se të dy personat mbanin orë me rrip ari. Një detaj që mund ta ndihmojë prokuroren Mariaserena Iozzo.

    Misteri i viktimës së dytë

    Mediat italiane shkruajnë se viktima e dytë nuk është gruaja e kosovarit që vdiq në këtë aksident.

    Siç raporton Torino Cronaca, ruaja që vdiq së bashku me Hysni Qestajn, DJ me profesion, nuk ishte gruaja e tij.

    Por pse DJ Hysni Qestaj humbi kontrollin e Ferrarit të bardhë dhe u përplas?

    Duket se një natë më parë ka performuar në një klub nate në kantonin Valais të Zvicrës. Muzika deri në agim, pastaj, ndoshta, shumë pak orë gjumë para vozitjes. Për më tepër, një makinë garash, një Ferrari që mund të arrijë shpejtësinë 335 kilometra në orë, shkruan Torino Cronaca.

    Mediumi zviceran, Blick, shkroi dje se vëllai i Hysni Qestajt ka konfirmuar se vetura ishte e tij.

    “Është e vështirë ta përshkruash me fjalë këtë person të madh dhe pozitiv. Por nëse do të më duhej ta përshkruaja me një fjalë, do të thosha se ai ishte personi më i dashur që e kam njohur”, tha ai.

    Vëllai i Hysni Qestajt sapo kishte mbërritur në Suedi me familjen e tij, por më pas udhëtoi për në Zvicër.

    Mediat në Itali raportojnë se bashkëshortja e Hysni Qestajt ndodhet në Kosovë, së bashku me fëmijët e çiftit, 11 dhe 14 vjeç. Vëllai i tij, megjithatë, saktësoi dje se ata ndodhen në Zvicër.

    “Ne duam ta mbështesim gruan dhe fëmijët e tij. Ata janë në shtëpi në Zvicër”, tha ai për mediumin zviceran.

  • Qeveria miraton Projekt-udhëzimin për Parandalimin dhe Ndalimin e Formave të Rrezikshme të Punës së Fëmijëve në Kosovë

    Qeveria miraton Projekt-udhëzimin për Parandalimin dhe Ndalimin e Formave të Rrezikshme të Punës së Fëmijëve në Kosovë

    Qeveria e Kosovës ka miratuar Projekt-udhëzimit Administrativ për Parandalimin dhe Ndalimin e Formave të Rrezikshme të Punës së Fëmijëve në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se në këtë udhëzim administrativ specifikohet në mënyrë të qartë punët të cilat janë të rrezikshme për fëmijët dhe sektorët që atyre iu ndalohet që të punojnë.

    “Specifikon në mënyrë të qartë të gjitha format e rrezikshme të punës të cilat janë të ndaluara për fëmijët dhe nuk e rrezikojnë shëndetin e tyre. Ky udhëzim administrativ adreson punët që konsiderohen e rrezikshme si në vijim: puna gjatë orarit të natës, ngritja dhe bartja e peshave të rënda, puna në thellësi nën sipërfaqet e tokës, ekspozimi në temperaturat ekstreme, ekspozimi ndaj radio aktivitetit… Sektorët me rrezikshmëri të lartë në të cilët ndalohet puna e fëmijëve që janë specifikuar në këtë udhëzim administrativ janë puna në eksploatimin e pasurive natyrore, punë në deponi të mbeturinave, puna në hoteleri, klubeve të natës, lojëra të fatit…”, ka thënë ajo.

  • Policia në Ferizaj shqiptoi mbi 5 mijë gjoba për kundërvajtje gjatë muajt mars

    Policia në Ferizaj shqiptoi mbi 5 mijë gjoba për kundërvajtje gjatë muajt mars

    Policia në Ferizaj ka shqiptuar 5 mijë e 551 gjoba për kundërvajtje gjatë muajit mars, ndërsa ka hequr 112 patentë shoferë për drejtuesit që kanë shkaktuar kundërvajtje më të rënda në komunikacion, ku parashihet masa mbrojtëse heqje e patentë shoferit.

    Disa nga kundërvajtjet e shkaktuara në komunikacionin rrugor:

    – Tejkalim i shpejtësisë, 1798 gjoba

    – Mos përdorimi i rripit të sigurisë, 613 gjoba

    – Përdorimi i telefonit gjatë ngasjes, 406 gjoba

    Xhamat e errët , vendosja e foljes ose materialit tjetër, 206 gjoba

    – Drejtimi i mjetit pa patentë shofer, 192 gjoba

    – Skadimi i afatit të regjistrimit të automjetit, 148 gjoba

    – Tejkalim në vijë të plotë, apo vend të ndaluar, 49 gjoba

    – Kyçja e pa rregullt në rrugën kryesore, 17 gjoba

    – Tejkalim i kolonës së automjeteve, 9 gjoba

    – Mjetet pjesëmarrëse në trafik pa sinjalizim të duhur ndriçues, 5 gjoba

    – Drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit, 4 gjoba

    – Mos respektimi i këmbësorëve, 3 gjoba

    – Të tjera, 2101 gjoba

    “Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe apelon tek shoferët që të bëjnë kujdes”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Miratohet projektligji për marrëveshjen kornizë ushtarake mes Kosovës dhe Turqisë

    Miratohet projektligji për marrëveshjen kornizë ushtarake mes Kosovës dhe Turqisë

    Qeveria e Kosovës ka miratuar Marrëveshjen Kornizë Ushtarake ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.

    Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, ka thënë se kjo marrëveshje parasheh ndër të tjera bashkëpunimin me Turqinë në stërvitje dhe edukim ushtarak, shkëmbim të inteligjencës ushtarake, operacione paqeruajtëse dhe humanitare.

    “Kjo marrëveshje parasheh bashkëpunimin në këto fusha, stërvitje dhe edukim ushtarak, shkëmbim të inteligjencës ushtarake, operacione paqeruajtëse dhe humanitare”, ka thënë ai.

  • Kurti: Për herë të parë në regjistrimin e popullsisë do të regjistrohen edhe dëmet e luftës

    Kurti: Për herë të parë në regjistrimin e popullsisë do të regjistrohen edhe dëmet e luftës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë të mbajtur të martën ka thënë se për herë të parë në procesin e regjistrimit të popullsisë do të jetë edhe një formular në të cilin do të mund të regjistrohen dëmet e shkaktuara gjatë luftës, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka përmendur edhe funksionalilzimin e Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës, për të cilin tha se janë hapur edhe pozita të reja të punës. Me këtë rast, ai ftoi qytetarët që të aplikojnë për këtë konkurs dhe të dorëzojnë dëshmitë e tyre në këtë Institut.

    “Në për ditë i kujtojmë sakrificat e këtyre familjeve. Në mbledhjen e kaluar për të dokumentuar me saksi të gjitha kurimet me qenë se shpeshherë kemi shpërputhje të të dhënave, kemi funksionalizuar Instituti për Dokumentimin e Krimeve të Luftës për të cilin tashme janë hapur 25 pozita, atëherë ju bëjë thirrje ekspertëve që të aplikojnë. Krahas thirrjes për të deponuar dëshmi, i bëjë thirrje qytetarë që të përgjigjen pozitivisht thirrjes për regjistrim të popullsisë. Për herë të parë në regjistrim e popullsisë është përfshirë formulari për regjistrimin e dëmeve të luftës”.

    “Ky regjistrim që fillon të premten do të na siguroj edhe një evidencë të se kaluarës. Kemi mundësuar gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. I bëjë thirrje sistemit të drejtësisë për adresim me urgjencë i krimeve të kryera gjatë luftës, me kalimin e kohës jemi duke i humbur dëshmitarët”, ka thënë ai.

  • ​Kurti: Sistemi i drejtësisë të adresojë me urgjencë krimet e luftës

    ​Kurti: Sistemi i drejtësisë të adresojë me urgjencë krimet e luftës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje sistemit të drejtësisë që të adresojnë me urgjencë krimet e luftës.

    Ai para kabinetit qeveritar, në mbledhjen e së martës, tha se krimet e luftës asnjëherë nuk vjetërsohen, por sipas tij është e rëndësishëm që të njëjtat të adresohen sa më shpejtë, pasi dëshmitarët po vjetërsohen dhe po vdesin.

    Kurti bëri të ditur se vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti policia e Kosovës ka intervistuar 169 dëshmitarë të krimeve të luftës.

    “Për të dokumentuar me saktësi të gjitha krimet, meqenëse shpeshherë kemi shpërputhje të të dhënave nga burime të ndryshme, kemi funksionalizuar Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, për të cilën tashmë janë hapur 25 pozita…Me strukturën e re të miratuar tashmë në Policinë e Kosovës e kemi ngritur në nivel të drejtorisë së hetimeve të krimeve të luftës me 41 hetues. Pra më shumë se qind për qind ngritje e zyrtarëve përkatës. Derisa gjatë vitit 2023 hetuesit e krimeve të luftës i kanë intervistuar 191 dëshmitarë me rritjen e numrit të hetuesve vetëm në këta muajt e parë të vitit 2024 janë intervistuar 169 dëshmitarë të krimeve të luftës. Kemi mundësuar gjykimin në mungesë të krimeve të luftës, gjatë këtij mandati kemi bërë ndryshimet e nevojshme ligjore që kriminelët e luftës të përballen me drejtësi. Andaj nga këtu i bëj thirrje sistemit të drejtësisë për adresim me urgjencë për rastet e krimeve të kryera gjatë luftës. Këto krime nuk vjetërsohen, por dëshmitarët janë gjithnjë edhe më të moshuar”, tha ai.

    Krahas kësaj, Kurti bëri thirrje qytetarëve që të përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë, që pritet të fillojë me 5 prill.

    “Krahas thirrjes për të deponuar sa më shumë dëshmi për krimet e kryera kudo në Kosovë, në institutin e themeluar, i bëj thirrje qytetarëve të Kosovës që t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë. Nuk kemi mangësi vetëm te shpërputhja e të dhënave, por edhe mungesa e tyre. Për herë të parë në këtë regjistrim të popullsisë është përfshirë edhe pyetësori i dëmeve nga lufta 1998-1999 në ekonomitë familjare…Ky regjistrim që fillon të premten me datë 5 prill, përveç që do të na jep një pasqyrë të së tashmes do të na siguroj edhe një evidencë të së kaluarës. Të mos kemi të dhëna të ndryshme për fakte të njëjta dhe mos të keni mungesë të dhënave për ato që i dina sepse i kemi jetuar dhe familjarët vazhdojnë t’i vuajnë edhe sot e kësaj dite”, përfundoi ai.

  • ​BE: Kosova e rrezikon rrugëtimin evropian, nëse s’e themelon Asociacionin

    ​BE: Kosova e rrezikon rrugëtimin evropian, nëse s’e themelon Asociacionin

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka thënë të martën se Kosova duhet ta zbatojë urgjentisht detyrimin shumëvjeçar për themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe në vend dhe paralajmëroi se ajo do të përballet me pasoja në rrugën e saj drejt BE-së, nëse dështon ta bëjë këtë.

    Ai tha se themelimi i Asociacionit është detyrim për Kosovën dhe “kjo është përsëritur disa herë nga Bashkimi Evropian në nivelin më të lartë, atë të liderëve evropianë”.

    Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

    Por, më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

    Në fund të vitit të kaluar, bashkësia ndërkombëtare ua paraqiti palëve një draft për statutin që do të kishte ky asociacion. Palët, fillimisht, thanë se e pranojnë në parim, por nuk kanë bërë asnjë hap përpara.

    Stano e përsëriti se themelimi i Asociacionit lidhet me përparimin e Kosovës në synimin e saj për t’u bërë pjesë e bllokut.

    “Nëse Kosova nuk është në gjendje të japë rezultate në këtë drejtim, atëherë nuk do të shihet si sinjal pozitiv se ajo dëshiron të lëvizë në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve [me Serbinë], që tash është i lidhur me përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së”, shtoi ai.

    Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe vazhdojnë të ngulin këmbë se Kosova është e detyruar ta themelojë Asociacionin.

    Stano theksoi se çështja e themelimit të Asociacionit vazhdimisht diskutohet në takimet me palët.

    Megjithatë, ai tha se në takimin e kësaj javë në nivel të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, çështja kryesore do të jetë gjetja e një zgjidhjeje për dinarin e ndaluar serb në Kosovë.

    Ai tha se bisedimet e javës së kaluar shënuan përparim dhe se ato do të vazhdojnë të enjten e 4 prillit në Bruksel.

    Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

    Kjo çështje, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

    Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re. /REL/

  • Petrovci: Po më godasin, nuk e kam përmendur UÇK-në hiç

    Petrovci: Po më godasin, nuk e kam përmendur UÇK-në hiç

    “Pa luftë këta kurrkushi s’kishin qenë, mësuesa e badigarda”, ka qenë deklarata e aktorit Enver Petrovcit, e cila ka ngjallur reagime të shumta në publik.

    Aktori Petrovci është shfaqur i përlotur derisa po tregonte një histori me një ushtarë të UÇK-së.

    “Jam plakë, jam ligë”, thotë Petrovci, derisa shton se deklarata e tij është nxjerrë nga konteksti.

    “Tash edhe po më godasin, kur se kam përmend aty UÇK-në, hiç, hiç, hiç. Edhe besom, askush 99 për qind të këtyre, e kam parë përmes shikimeve, asnjëri prej këtyre 99 për qind se kanë parë origjinalin”, ka thënë Petrovci në Top Channel.

    Aktori Enver Petrovci në emisionin “Show i së Premtës me Adelina Ismajlin”, ka përdorur gjuhë përçmuese ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, teksa thuri lëvdata për Kryeministrin Albin Kurti.

    Sipas Petrovcit, Kurti ka lexuar libra që nga mosha dy-tre vjeçare, ndërsa për ish-udhëheqësit tjerë të shtetit thotë se erdhën rastësisht në shprehje duke u shprehur – sipas aktorit – se “lufta i ka bërë këta”.

    “Unë menoj se Albini është ai që është, e nuk është mirë. Sepse Albini s’fulliratë hiç. Ky është ky që është. Kshtu mendoj, kështu mendoj. Ky është shumë i meçëm, jom i sigurt ma shumë ka lexu ky se sa krejt parlamenti bashkë. Ai nuk lexon tash se është bë Kryeministër. Ky ka lexu prej kur është dy vjeç e gjysmë. Nejse mos ta teproj. Kur i ka bë gjashtë vjeç. Këta tjertë i ka lind koha. Lufta i ka ba këta. Këta kurgjo s’kishin qenë, po mos të kishin qenë në luftë. Kishin qenë do mësuesa do badigarda. Kurgjo s’kishin qenë hiç. Kishin kalu afër nesh… në televizion s’kishin mujt me hi. Këta i ka bë koha. Albini u bë vetë” – ka thënë Petrovci.