ATV

Category: Lajme

  • Një vit nga nisja e gjykimit ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë

    Një vit nga nisja e gjykimit ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë

    Më 3 prill të vitit 2023 filloi edhe zyrtarisht pas gati 3 vitesh pritje, gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

    Aso kohe në afërsi të objektit të Gjykatës Speciale ishte shënuar edhe një protestë, ku morën pjesë mijëra shqiptarë që jetojnë në vendet e diasporës.

    Në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë, deri më tash janë dëgjuar 54 dëshmitarë. Nga ta kishte shqiptarë, serbë e ekspertë ndërkombëtarë që në kohën e luftës kishin shërbyer në Kosovë.

    Në mesin e emrave më të njohur që dëshmuan ishin Rrustem Mustafa, Gjergj Dedaj, Sadik Halitjaha, ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes, hulumtuesi Fred Abrahams, e dëshmitarë të tjerë.

    Gjatë një viti të gjykimit, krerët e UÇK-së vazhduan të qëndrojnë në paraburgim. Megjithatë, njëra prej arsyeve të paraburgimit u rrëzua. Ajo ishte rreziku i arratisjes, për të cilën gjyqtarët vlerësuan se nuk përbën më arsye për ta vazhduar paraburgimin.

    Por arsyet e rrezikut të ikjes e ndikimit në dëshmitarë vazhdojnë të qëndrojnë, gjithnjë sipas Gjykatës Speciale.

    Me këto arsye, Gjykata Speciale për një kohë ndaloi edhe vizitat në Qendrën e Paraburgimit. Kjo pasi vlerësuan se ka pasur tendenca që krerët e UÇK-së të zbulojnë informacione me vizitorë. Si rezultat, vendimi përfundimtar ishin disa masa strikte për vizitë në Qendrën e Paraburgimit.

    Kritika më e madhe nga juristët e organizatat joqeveritare ka qenë mbajtja e pjesës më të madhe të seancave si private, kjo në mbrojtje të dëshmitarëve. Sipas të dhënave, më shumë se 60% e seancave janë zhvilluar të mbyllura.

    Gjatë vitit të gjykimit, në Kosovë qëndroi edhe kryetarja e Dhomave të Specializuara të Hagës, Ekaterina Trendafilova.

    Fjalët e krerëve të UÇK-së

    Në seancën hyrëse, krerët e UÇK-së mbajtën fjalët e tyre hyrëse, përveç ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Secili prej tyre, u deklaruan sërish të pafajshëm.

    “Kur raporti i Dick Martyt para 13 vjetësh mbushi titujt e mediave ndërkombëtare me akuza të sajuara për trafikim organesh nga UÇK-ja dhe nga unë, unë menjëherë i kërkova bashkësisë ndërkombëtare të hetonte në mënyrë të pavarur. Bashkësia ndërkombëtare më tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë të akuzave për trafik të organeve në Kosovë. Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafik organesh dhe se shtëpia e verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë, edhe UÇK-ja, edhe populli i Kosovës, gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Kjo sakrificë ia ka vlejtur”, pati deklaruar Hashim Thaçi.

    “Ne nuk kishim kazerma, por kishim shtëpitë e familjeve tona dhe familjeve të tjera, të cilat na strehonin dhe na mbanin, ne nuk kishim akademi ushtarake, por na kishin mësuar prindërit tanë se si duhet të mbrohemi e të luftonim për vendin tonë, ne nuk kishim uniforma, por ato i sajonim, disa i blinim e disa edhe i ngjyrosnim vetë që të dukeshim si ushtarë, kujtoj se si piktori akademik Idriz Berisha, me brushën e tij të piktorit i pikturonte rrobat e punëtorëve, që ato të dukeshin sikur rrobat e ushtarëve”, deklaroi Rexhep Selimi në seancën e parë në Hagë.

    “Kam qarë kur pashë në një depo materialesh ndërtimore të gjithë ata të vrarë të familjesh Jashari. Adem Demaçi më tha ‘Jakup nuk ka fitore’ pa luftë dhe sakrifica. Unë e dija se ky ishte ‘çmimi i lirisë’. Unë po qaja për fëmijët, për pasardhësit e kombit tim, për ata që nuk patën mundësi të jetonin asnjë ditë të fëmijërisë së tyre,. Në ato momente e kuptova se nuk mund të jetoja më duke futur kokën në zall si struci. Ishin momente vendimtare. Në ato momente thashë ‘liri a vdekje’ por kurrë më nën këtë gjenocid”, tha Jakup Krasniqi.

    Fjala e Prokurorisë

    Në seancën e parë, Prokuroria e Specializuar e pati thënë fjalën e saj.

    “Ushtarët e UÇK-së mbanin emra të koduar, mbanin maskë. Pas lufte disa dëshmitarë dhe persona të dyshuar kanë pasur interes për të fshehur strukturën dhe rolin që ekzistonin gjatë luftës. Edhe pse kjo çështje gjyqësore do të vërtetojë me shumë copëza mozaiku, sjellje kriminale është mjaft e thjeshtë. Do ta dëgjoni gjatë deklaratës hyrëse se shtabi i përgjithshëm i UCK-së ku 4 të akuzuarit ishin më të rëndësishëm, përqafoi një politikë të shprehur shumë qartë: të shënjestrimit të kolaboracionistëve dhe kundërshtarëve. Katër të akuzuarit u përfshin direkt në zbatimin e kësaj politike, përfshirë këtu duke caktuar mbikëqyrjen e komandandatëve që e vunë këtë në jetë. Provat do të tregojnë se politika e shpallur u vu vërtetë në jetë”, tha prokurori i specializuar Alex Whiting, që tash është larguar nga Specialja.

    Në anën tjetër, avokatët mbrojtës mohuan akuzat, duke theksuar se gjykimi do të dëshmojë që krerët e UÇK-së nuk janë fajtor për veprat që akuzohen.

  • ​Shtatfishohet numri i zyrtarëve që nuk deklaruan pasurisë

    ​Shtatfishohet numri i zyrtarëve që nuk deklaruan pasurisë

    Për rreth shtatë herë është rritur numri i zyrtarëve publik që nuk e kanë bërë deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion në krahasim me vitin e kaluar. Afro 200 zyrtarë nuk i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për deklarimin e pasurisë, nga 8 mijë sa ishin të obliguar.

    Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Yll Buleshkaj thotë se përkundër që ka pasur lehtësime në procesin e deklarimit, numri i zyrtarëve që nuk e kanë kryer këtë obligim, është rritur në krahasim me vitin e kaluar gjatë vitit të kaluar kanë qenë mbi 30 persona që nuk e kanë deklaruar pasurinë, derisa tregon se këtë vit, ky numër shkon në 200.

    Për KosovaPress, Buleshkaj potencon se për të gjithë ata të cilët nuk u janë përgjigjur pozitivisht kësaj thirrjeje, ligji parasheh shqiptimin e gjobave, duke filluar me ndaljen 30 për qind të pagës mujore e deri në kallëzim penal te institucionet e drejtësisë.

    “Kanë qenë afërsisht rreth 8 mijë zyrtarë të cilët kanë qenë në këtë fazë të obliguar ta kryejnë deklarimin e pasurisë. Nga këta janë 198 sipas statistikave të paraditës të cilët nuk e kanë kryer këtë obligim në kohë. Ky numër edhe pse është kaq i madh, ka mundësi që të bie sepse ende nuk kemi pastruar listat. Ka mundësi që ndonjë nga ta si pjesë të pozitave të tjera e ka deklaruar më herët pasurinë. Por, afërsisht ky është numri, kemi një përgjigje të mirë, mbi 99 për qind e kanë kryer obligimin. Por, prapë e kemi një numër i cili nuk është i vogël, të cilët nuk e kanë kryer këtë obligim ligjor. Hapi i radhës është pastrimi i listave, pastaj kontaktojmë me të gjithë këta zyrtarë, marrim shpjegimet e tyre dhe si fund vendosim për gjoba. Ligji e ka paraparë për secilën vonesë deri në 14 ditë të shqiptohet gjoba prej 30 për qind të pagës mujore të tyre, e cila është vendimi i menjëhershëm që e kryejmë ne dhe shqiptohet gjoba. Pastaj nëse nuk e kryejnë këtë obligim edhe në afatin shtesë prej 15 ditëve, nëse nuk e kryejnë këtë obligim deri me 15 prill, ne jemi të detyruar që të dorëzojmë kallxim penal te institucionet e drejtësisë”, thotë Buleshkaj.

    Buleshkaj në një intervistë për KosovaPress thotë se ka pasur një kërkesë nga Policia e Kosovës që disa pozita specifike mos ta bëjnë deklarimin e pasurisë, porse shton se është refuzuar sepse nuk ka pasur bazë ligjore.

    Ai thekson se ligji përjashton nga publikimi i deklarimit të pasurisë vetëm Agjencinë Kosovare për Inteligjencë dhe njësitë e veçanta të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).

    “Ka pasur disa ankesa për shembull, kemi pasur rast ku shtatë minuta para mbylljes ë afatit ka thënë se nuk po më funksionon sistemi elektronik. Por, ne e dijmë që ka punuar sepse në ata sekonda ne kemi pranuar deklarim të pasurisë nga dikush tjetër…Ka pasur një kërkesë nga Policia e Kosovës, sepse nuk ka pasur bazë ligjore. Nuk ka pasur kërkesa, lehtësime për këtë grup të deklarimit të pasurisë…Policia ka kërkuar që disa pozita mos ta deklarojnë fare pasurinë apo mos të bëhen publike për shkak të pozitave specifike që mbajnë. Por, për shkak agjencia e zbaton ligjin, ligji i përjashton nga publikimi i deklarimit të pasurisë vetëm Agjencinë Kosovare për Intelegjencë dhe njësitë e veçanta të FSK-së”, tregon Buleshkaj.

    Buleshkaj e konsideron si trend negativ rritjen e numrit të zyrtarëve publik që nuk me kanë bërë deklarimin e pasurisë.

    Ai tha se pavarësisht që nuk e kanë pasur për obligim, i kanë dërguar disa vërejtje zyrtarëve lidhur me këtë çështje.

    “Këtë vit, fatkeqësisht trendi është negativ, nëse mbet ky numër. Përderisa vitin e kaluar nga këto shifra i kemi pasur vetëm 33 apo 32 të cilët nuk e kanë kryer obligimin. Këtë vit, ky numër shtatëfish më i madh, edhe pse ka pasur lehtësime në deklarimin e pasurisë. Vetë futja në funksion e sistemit elektronik e ka bërë shumë të lehtë deklarimin e pasurisë për zyrtarët publik. Të gjithë ata që nuk kanë pasur dallime shumë të mëdhaja në pasurinë e tyre kanë mundur ta kryejnë për disa minuta pasurinë…Këtë vit, ngjashëm me vitin e kaluar, edhe pse nuk e kemi obligim ligjor, kemi dërguar shumë vërejtje, shumica e zyrtarëve kanë pranuar më shumë se katër vërejtje nga agjencia”, potencon Buleshkaj.

    Periudha për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët publik ka filluar me 1 mars dhe ka përfunduar me 31 mars.

    Ndërkaq, për herë të parë në Kosovë, mbi 2 mijë mjekë dhe profesorë kanë qenë të obliguar që ta deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Brenda afatit një mujor, i cili ka përfunduar më 12 mars, 1500 mjekë nga spitalet rajonale dhe të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke përfshirë edhe 800 profesorë nga shtatë universitetet publike, kanë qenë të detyruar ta kryejnë këtë obligim ligjor. /kp

  • Bideni i zemëruar për sulmin izraelit ndaj stafit të Kuzhinës Qendrore Botërore

    Bideni i zemëruar për sulmin izraelit ndaj stafit të Kuzhinës Qendrore Botërore

    Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka dënuar sulmin e Izraelit ndaj stafit të Kuzhinës Qendrore Botërore të hënën në Gaza, gjatë të cilit u vranë shtatë punonjës humanitarë, raporton “BBC”.

    Biden ka thënë se “është i zemëruar dhe zemërthyer”, ndërsa ka akuzuar Izraelin që nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i mbrojtur punonjës humanitar.

    Izraeli ka premtuar një hetim të pavarur pasi shtetas të Britanisë së Madhe, SHBA-së, Kanadasë, Australisë dhe Polonisë humbën jetën në sulmin.

    Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka kërkuar falje për vdekjet.

    Shtatë viktima, të cilët punonin për Kuzhinën Qendrore Botërore, humbën jetën pasi kolona e tyre u sulmua të hënën nga ajri.

    Bideni ka bërë thirrje që hetimi i Izraelit të kryhet me shpejtësi dhe se duhet “të sjellë përgjegjësi” dhe gjetjet të bëhen publike.

  • Rritet numri i të vdekurve dhe të lënduarve nga tërmeti në Tajvan

    Rritet numri i të vdekurve dhe të lënduarve nga tërmeti në Tajvan

    Shtatë persona kanë humbur jetën në Tajvan pas një tërmeti me magnitudë 7.4 ballë që goditi bregun lindor të ishullit të mërkurën në mëngjes, sipas Agjencisë Kombëtare të Zjarrit (NFA) raporton CCN.

    Sipas NFA (Agjencia Kombëtare e Zjarrfikësve) 736 persona të tjerë janë lënduar.

    Pamjet me video nga mediat lokale treguan se disa ndërtesa në qytet u shembën për shkak të tërmetit, i cili ndodhi në një thellësi prej 34.8 kilometrash (21 milje).

    Raportohet për njerëz të bllokuar në ndërtesat e shembura.

    CWA lëshoi gjithashtu një paralajmërim për cunami për rajonet veriore të ishullit pas tërmetit, i cili gjithashtu shkaktoi rrëshqitje dheu.

    Linjat e metrosë në Taipei dhe zonat Taichung dhe Kaohsiung u prekën, ndërsa njerëzit në zonat bregdetare po përgatiteshin të evakuoheshin për shkak të frikës nga dallgët e larta, raporton AA.

    Disa fluturime për dhe nga Tajvani u prekën gjithashtu, ndërsa tre lëndime u raportuan në Korporatën Ndërkombëtare të Aeroportit Taoyuan, e cila gjithashtu pësoi disa dëmtime në dyshemetë e terminalit, muret dhe kokat e spërkatës.

    Shkollat në zonat e prekura gjithashtu pezulluan punën, dhe energjia elektrike në shumë zona u prek gjithashtu.

    Ka mundësi që dridhjet të përsëriten gjatë ditëve në vijim.

    Kompanitë e teknologjisë së Tajvanit gjithashtu evakuuan mijëra njerëz dhe një proces rishikimi është në vazhdim. Çdo ndikim i tërmetit në sektorin e teknologjisë ka të ngjarë të shkaktojë ndërprerje në furnizimin me çipa.

    Ndërkohë, Komisioni i Sigurisë Bërthamore i Tajvanit tha se i vetmi central bërthamor aktiv në ishull “po funksiononte si zakonisht”.

    Tërmeti shkaktoi valë të vogla cunami që arritën në Japoninë jugperëndimore, e cila tani ka ulur alarmin mbi valët e larta, raporton AA.

    “Një cunami i vogël arriti në ishujt Yonaguni, Ishigaki dhe Miyako në prefekturën Okinawa”, tha Agjencia Meteorologjike Japoneze, duke paralajmëruar për mundësinë e një cunami më të madh.

  • ​25.8 milionë euro më shumë të hyra tatimore

    ​25.8 milionë euro më shumë të hyra tatimore

    Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se mbledhja e të hyrave për periudhën janar-mars 2024, kap shifrat prej 236.2 milionë euro, ndërsa nëse i krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka rritje për 25.8 milionë euro apo 12.2%

    ATK thekson se po vazhdojnë të përforcojnë në mënyrë të shkëlqyer në drejtim të rritjes së mbledhjes së të hyrave tatimore, si dhe në trajtimin e dukurive të cilat dëmtojnë ekonominë dhe konkurrencën e drejtë në treg.

    “Profesionalizmi, implementimi i legjislacionit tatimor, llogaridhënia, rritja e shërbimeve digjitale, partneriteti me qytetar në raportimin e rasteve korruptive, janë disa nga faktorët të cilët kanë ndikuar në rritjen e trendit të të hyrave tatimore dhe uljen e statistikave të evazionit fiskal. Mbledhja e të hyrave për periudhën janar – mars 2024, kap shifrat prej 236.2 milionë euro, ndërsa nëse i krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kemi rritje për 25.8 milionë euro apo 12.2%. Mjedisi në të cilin ATK vepron është kompleks dhe vazhdimisht pëson ndryshime, andaj kjo e detyron Administratën Tatimore që të reagojë paanshëm në përputhshmëri me legjislacionin në fuqi. Forcimi i përmbushjes vullnetare në të gjitha segmentet e tatimpaguesve vazhdon të mbetet prioritet kryesor, duke u siguruar që tatimpaguesit paguajnë shumën e saktë tatimore, dhe duke ndërmarrë veprimet e duhura ndaj tatimpaguesve mospërmbushës”, thuhet në komunikatë.

    ATK falënderon të gjithë tatimpaguesit, të cilët i kryejnë saktë dhe me kohë obligimet tatimore.

  • Aksidenti me 14 të lënduar në Novobërdë, Policia jep detaje

    Aksidenti me 14 të lënduar në Novobërdë, Policia jep detaje

    Një aksident trafiku ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Prekoc të Novobërdës.

    Sipas policisë, një autobus dhe një mjet transportues janë përfshirë në aksident, ku për pasojë lëndime kanë marrë 14 persona.

    Të lënduarit kanë pranuar trajtim mjekësor në QKUK.

    Aksidenti dyshohet se ka ndodhur kur drejtuesi i autobusit për arsye të panjohura ka humbur kontrollin mbi drejtimin e autobusit duke kaluar në shiritin e kundërt të lëvizjes dhe është përplasur frontalisht me automjetin që po lëvizte në anën e kundërt.

  • Vdes në QKUK burri që u aksidentua javën e kaluar në Prizren

    Vdes në QKUK burri që u aksidentua javën e kaluar në Prizren

    Ka vdekur dje në QKUK një person që ishte duke u trajtuar aty, si pasojë e një aksidenti më 24 mars në Prizren.

    Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

    “Rr. Wesli Klark, Prizren / 24,03.2024 – 22:00. Lidhur me rastin me datë 02.04.2024 rreth orës 15:20 viktima mashkull/kosovar, i cili ka qenë në tretman mjekësor në QKUK ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, ka njoftuar policia.

  • Arrestohet një burrë në Podujevë, pasi ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes

    Arrestohet një burrë në Podujevë, pasi ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes

    Një burrë është arrestuar mbrëmë në Podujevë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Dhunë në familje’.

    Siç njoftoi Policia, një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj në vazhdimësi është duke shkaktuar dhunë ndaj saj.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se viktimës i është ofruar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.

     

  • Për të 11-tën herë dorëzohen në Kushtetuese dosje për kompensim të dëmeve të luftës

    Për të 11-tën herë dorëzohen në Kushtetuese dosje për kompensim të dëmeve të luftës

    Shoqata për Dëme të Luftës “Ngritja e Zërit“, ka dorëzuar të martën në Gjykatën Kushtetuese për herë të 11-të dosjet e radhës për kompensimin e dëmeve të luftës, respektivisht kërkesat, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktvendimeve të Gjykatës Supreme të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari i kësaj shoqate, Jahir Bejta, ka deklaruar për Ekonomia Online se shpreson që Gjykata Kushtetuese të korrigjoj lëshimin e bërë nga Gjykata Supreme.

    “Ja sot për të 11-ën herë i dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dosjen nga ana e Gjykatës Supreme të Kosovës. Na jemi këtu të njëjtin vend për të 11-ën herë sot për njëjtin qëllim dhe pranë Gjykatës Kushtetuese, ne për të referuar dhe folur për drejtësinë e viktimave të luftës dhe jo për ta përcjell mesazhin tek publiku pasi që e drejta për të drejtën e njeriut dhe pronën private është kategori kushtetuese e drejta për qasjen e drejtësinë vendore, është kategori kushtetuese obligimi për implementimin e detyrimit pozitiv sikurse detyrimit negativë është kategori kushtetuese dhe në fund harmonizimi vendimeve gjyqësore dhe vendimeve mu të kësaj gjykate Kushtetuese është kategori kushtetuese ndaj sa është rënde mos lejimi i qasjes së viktimave në drejtësi që 16 vite nga Pavarësia”, ka thënë Bejta.

    Sipas Bejtës, Gjykatat vendore po i udhëzojnë palët që të shkojnë në Gjykatat në Beograd, teksa kritikon edhe gjyqtarët e Kushtetueses të cilët “kanë punuar në sistemin e kaluar dhe të ndjekur për kriminalitet”.

    “Gjykatat tona nuk  i shqyrtojnë paditë dhe i udhëzojnë  palët që të shkojnë në gjykata të Beogradit të cilat nuk janë kompetente, të paktën bile nga 20 korriku 2010 kur gjendja ka konstatuar se të dy shtetet e Republikës së Serbisë dhe Kosovës se entitete janë të pavarura njëra nga tjetra, Serbia nuk e ka imunitetin të i shqyrtojë tani vlen të apostrofohen edhe disa çështje tjera pikërisht gjykata kushtetuese në cilësinë e gardianit të drejtësisë ka filluar  ta zbeh autoritetin e  vetë për faktin se në gjirin e saj kushtetues kem gjyqtarë pa kredibilitet moral mos të them gjyqtar të cilët kanë punuar në sistemin e kaluar të drejtësisë pra në sistemin monist plus asaj kemi gjyqtarë të ndjekur për kriminalitet madje edhe nga Interpoli dhe këto ka gjet shtretër këtu në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Bejta për EO.

  • Prej sot ashpërsohen gjobat për shkelësit e rregullave në komunikacion

    Prej sot ashpërsohen gjobat për shkelësit e rregullave në komunikacion

    Më 3 prill [sot] do të fillojë të zbatohet Ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor pasi Ligji është votuar në Parlament dhe është dekretuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 11.03.2024.

    Mosvënia e rripit të sigurisë, mbajtja në prehër e personit tjetër gjatë vozitjes, tejkalimi në vijë të plotë, përdorimi i celularit gjatë vozitjes dhe garat me vetura janë vetëm disa prej veprimeve të vozitësve që pritet të dënohen shumë më ashpër sesa me Ligjin e vjetër për rregullat e trafikut rrugor.

    Sipas Ligjit të ri, i cili është publikuar në Gazetën Zyrtare më 19.03.2024 dhe hyn në fuqi më 03.04.2024, parashihet që dënimi me gjobë për personat që nuk vënë rripin e sigurisë të jetë 150 euro.

    Mosvënia e rripit të sigurisë me Ligjin e kaluar dënohej me 40 euro gjobë.

    Tutje, Ligji i ri ia ndalon vozitësit të automjetit të mbajë në prehër dikë tjetër, duke përfshirë këtu edhe fëmijët, gjë të cilën nuk e kishte specifikuar Ligji i vjetër (aktual). Ligji i ri ka paraparë dënimin me gjobë prej 400 euro, shqiptimin e 5 pikëve negative dhe ndalim të vozitjes së automjetit për 6 muaj nëse mban në prehër dikë tjetër.

    Ligji i ri ka paraparë dënime edhe për vozitësit të cilët bëjnë tejkalime në vijë të plotë. Gjoba për këtë veprim do të jetë 200 euro, shqiptimi i 2 pikëve negative dhe 3 muaj ndalim të drejtimit të automjetit. Ligji i vjetër kishte paraparë dënimin me gjobë nga 100-300 euro, 3-6 muaj ndalim të vozitjes dhe 2 pikë negative.

    Gjatë vozitjes nuk lejohet përdorimi i telefonit.

    Këtë e ka paraparë Ligji për rregullat e trafikut rrugor. Nëse një person përdor telefonin gjatë vozitjes i njëjti do të dënohet me 100 euro gjobë dhe do t’i shqiptohet një pikë negative.

    Nëse veprimi i njëjti i përdorimit të telefonit përsëritet për herë të dytë, ngasësi i veturës do të dënohet me 200 euro gjobë dhe me shqiptimin e dy pikëve negative dhe do t’i ndalohet ngasja për tre muaj. Ndërsa nëse për më shumë se dy herë vozitësi ka përdorur telefonin do të dënohet me gjobë në shumën 500 euro, do t’i shqiptohen tri pikë negative dhe do t’i ndalohet ngasja e veturës në kohëzgjatje prej 6 muajsh.