ATV

Category: Lajme

  • Abazoviq: BE-ja duhet të jetë më konkrete në dialogun Kosovë – Serbi

    Abazoviq: BE-ja duhet të jetë më konkrete në dialogun Kosovë – Serbi

    Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet ta ndryshojë qasjen në ndërmjetësimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai në një intervistë për ‘Euroactiv’ ka thënë se “BE-ja duhet të jetë më konkrete”.

    “Nëse e kemi gjithmonë këtë lloj politike shumë të butë, do të flasim për të njëjtën gjë edhe pas 10 apo 20 vitesh. Kjo është një fatkeqësi sepse ne kemi humbur tashmë 20 vjet”, tha Abazoviq.

    Ai ka shfaqur besimin se Kosova dhe Serbia “duan të shohin një marrëveshje përfundimtare” dhe “të tregojnë se ne nuk jemi më një rajon konflikti, por një rajon mirëkuptimi”.

    Megjithatë, Abazoviq, ka pranuar se ajo nuk do të jetë e lehtë për t’u arritur.

    Ndërkaq, duke folur për votën kundër të Malit të Zi ndaj anëtarësimit të Kosovës në KiE, në Komisionin për çështje politike dhe demokraci në Asamblenë Paralamentare të Këshillit të Evropës, Abazoviq theksoi se ky zhvillim është një ‘realitet i ri’.

    Abazoviq tha se vota kundër Kosovës në KiE do të ishte “e pamundur nën mandatin e tij”.

    “Ne ishim shumë të qartë në politikën tonë të jashtme. Ajo ishte 100% e harmonizuar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian”, tha tutje ai.

    Në lidhje me zgjerimin e BE-së, Abazoviq tha se integrimi i Ballkanit Perëndimor është kyç.

    “Nuk është diçka që është një favor për ne; por investim në sigurinë dhe të ardhmen e Evropës dhe të kujtdo që dëshiron ta shohë Evropën si një superfuqi – një Evropë e bashkuar me të gjitha vendet tona”, shtoi Abazoviq.

  • 75 vjet ekzistencë, lufta në Kosovë përmendet si histori suksesi në dokumentarin e NATO-s

    75 vjet ekzistencë, lufta në Kosovë përmendet si histori suksesi në dokumentarin e NATO-s

    Aleanca Veri-Atlantike NATO ka realizuar një dokumentar me sfidat dhe sukseset përgjatë 75 viteve të ekzistencës së saj.

    NATO si aleanca më e suksesshme politiko-ushtarake në botë, përgjatë 75 viteve, ka arritur të përballojë sfidat, të zgjerojë rolin dhe misionin e saj dhe madje të rritet ndjeshëm në përmasa.

    Nga dita e themelimit në 1949 deri në përforcimin e Evropës Lindore në 2022, ky dokumentar eksploron momentet që përcaktojnë Organizatën sot, përmes syve dhe përvojave personale të njerëzve që kanë parë këto momente kryesore nga perspektiva unike e brenda sa , si ish-stafi i NATO-s.

    Aty përmendet se gjatë Luftës së Ftohtë, NATO e pengoi me sukses Bashkimin Sovjetik nga agresioni kundër Evropës Perëndimore. Në vitet 1990, NATO ndihmoi për t’i dhënë fund konflikteve etnike në Ballkanin Perëndimor, dhe kur Rusia nisi pushtimin e saj brutal, në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, NATO dërgoi trupat në Evropën Lindore, duke siguruar aleatët për sigurinë e tyre, ndërsa pengonte agresionin e mëtejshëm nga Rusia.

    Ndër misionet e suksesshme të intervenimit të NATO-s përmendet edhe ndërhyrja në Kosovë për të parandaluar gjenocidin e vazhdueshëm të kryer kundër popullit të Kosovës. Aty potencohet se misioni paqeruajtës në kuadër të NATO-s, KFOR sot vazhdon të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    Njëzet e katër marsi i sivjetmë shënoi 25-vjetorin e fillimit të sulmeve ajrore të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior, e njohur gjerësisht si NATO, kundër objektivave ushtarake dhe policore jugosllave në territorin e Kosovës, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Bombardimet e aleancës ushtarake perëndimore ndaj Jugosllavisë, që përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi, nisën pas dështimit të negociatave të vitit 1999 për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, teksa pala serbe refuzoi nënshkrimin e një marrëveshjeje për paqe në Rambuje.

    Bombardimet, që zgjatën 78 ditë, u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që parashihte administrimin e Kosovës nga një mision i OKB-së.

    Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë mundësoi edhe kthimin e më shumë se 800 mijë refugjatëve në shtëpitë e tyre.

    Intervenimi i NATO-s shënoi fillimin e fundit të regjimit serb mbi Kosovën.

    Vite më vonë, më 17 shkurt 2008, shpalli pavarësinë e saj.

    Aktualisht, në Kosovë janë rreth 4.700 trupa të NATO-s, përfshirë forcën rezervë, në kuadër të misionit paqeruajtës, KFOR./Reporteri.net/

  • Inspektorati i Tregut ndalon shitjen e rreth 50 mijë paketimeve të produktit hurma

    Inspektorati i Tregut ndalon shitjen e rreth 50 mijë paketimeve të produktit hurma

    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndaluar shitjen e mbi 49 mijë paketimeve të produktit hurma për mos përputhje të peshës së deklaruar në parapaketim.

    Bëhet fjalë konkretisht për produktin hurma, me ç’rast është ndaluar shitja e 49,352 paketimeve të këtij produkti.

    Inspektorët e Tregut në bashkëpunim me zyrtarët e Metrologjisë, pas marrjes së mostrave kanë konstatuar së produktet hurma të peshës 550 gram dhe 600 gram nuk e kanë peshën e deklaruar sikurse në parapaketim dhe të njëjtat nuk e plotësojnë kriterin e mesatares dhe atë të përmbajtjes në etiketë.

    Si rrjedhojë, subjektet ekonomike janë obliguar që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për t’i eliminuar këto parregullsi, përkatësisht të vendosin deklaracionin me peshën e saktë të produkteve, dhe në secilin rast janë marrë masa ndëshkuese në pajtim me legjislacionin në fuqi.

  • ZRRE merr vendim për tarifat energjetike

    ZRRE merr vendim për tarifat energjetike

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ditë më parë, në mbledhjen e sotme të bordit ka marrë vendim që tarifat e energjisë elektrike në bllokun deri në 800kwh mbesin të njëjta, ndërsa tarifat ne bllokun mbi 800 kwh do të ulen për 8% dhe tarifat tjera për biznese, po ashtu do të ulen për 3%, raporton ATV.

    Ky vendim u mor pasi ditë më parë ZRRE i miratoi të hyrat e lejuara maksimale për operatorët energjetik për periudhën 2024-2025. /atvlive.tv

  • Clark: Nuk mendoj që Serbia është gati të anëtarësohet në NATO

    Clark: Nuk mendoj që Serbia është gati të anëtarësohet në NATO

    Wesley Clark, ish-komandant i NATO-së në kohën e bombardimeve mbi ish-Jugosllavinë, ka folur për marrëdhëniet e Serbisë me NATO.

    Sipas Clarkut, Serbia nuk është gati të anëtarësohet në NATO.

    Duke folur në A2, Clarku vlerësoi se anëtarësimi i Serbisë do të ishte befasues.

    “Mendoj se me Serbinë ka çështje politike. Nuk mendoj se është gati të anëtarësohet në NATO. Do të ishte befasuese nëse do te ndodhte. Nëse Serbia do të merrej me çështjet problematike do të ishte e mirëseardhur të anëtarësohej në NATO. Unë mendoj se kjo do të ishte një gjë e mrekullueshme. Do të doja gjithashtu të shihja Kosovën gjithashtu në NATO. Ka disa gjëra specifike që duhet të bëhen për të qenë gati për anëtarësim në aleancë, dhe do të më duhej të hyja në detaje specifike për ta vlerësuar gatishmërinë për t’u anëtarësuar, dhe nuk e kam bërë këtë. Por mendoj se në parim do të ishte një gjë e mrekullueshme nëse i gjithë Ballkani ishte në NATO” – tha ai.

  • Në Zveçan vendosen grafite nacionaliste serbe, shkruhet data dhe dita kur ndodhi sulmi terrorist në Banjskë

    Në Zveçan vendosen grafite nacionaliste serbe, shkruhet data dhe dita kur ndodhi sulmi terrorist në Banjskë

    Në Komunën e Zveçanit janë vendosur përsëri grafite nacionaliste serbe.

    Në këto grafite është përsëritur mbi shkrimi “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” në të cilit është vendosur edhe data 24 shtator, ku në këtë datë vitin e kaluar një grup paraushtarak serb kishte kryer sulm në Banjskë kë si pasojë e të cilit u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

    “Mos bërtisni, ne jemi këtu për t’iu ndihmuar”, është një tjetër grafit

    Për vendosjen e grafiteve ka folur edhe zëvendësdrejtori i Policisë për Veriun e Mitrovicës, Veton Elshani.

    Ai për teve1 ka thënë se rasti është duke u hetuar dhe se do të iniciojnë kallëzim penal.

    Zyrtarët e institucioneve të Kosovës nuk e kanë përjashtuar një sulm të ngjashëm nga ana e Serbisë, duke u i bërë thirrej BE-së e ShBA-së që Serbia të sanksionohet për veprimin e 24 shtatorit.

  • Takimi i së enjtes në Bruksel, Stano: Asociacioni s’është temë kryesore por si çështje është prezente

    Takimi i së enjtes në Bruksel, Stano: Asociacioni s’është temë kryesore por si çështje është prezente

    Të enjten në Bruksel pritet që të zhvillohet takimi i radhës drejt gjetjes së një zgjidhjeje për çështjen e dinarit në mes të kryenegociatorëve, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit.

    Në lidhje me këtë takim nga Bashkimi Evropian kanë thënë se çështja e dinarit do të jetë tema kryesore e bisedimeve dhe jo ajo e Asociacionit.

    Megjithatë sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano Asociacioni si çështje është prezent në secilin takim dhe se Kosova e ka obligim që ta formojë.

    “Krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është një obligim tash e një kohë për Kosovën, kështu që duhet të përmbushet urgjentisht. Kjo është përsëritur disa herë nga Bashkimi Evropian, në nivelin më të lartë, atë të liderëve evropianë. Kështu që nëse Kosova nuk arrin që ta përmbush këtë, atëherë kjo nuk do të jetë shenjë pozitive e vullnetit për të ecur drejt normalizimit, që tani është i lidhur me rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit.  Kjo është e para. Tjetra është që takimi i kryenegociatorëve këtë të enjte, është e përqendruar në çështje të tjera, që janë diskutuar edhe në javën e kaluar dhe atë paraprake në Bruksel, për të gjetur një zgjidhje kryesisht për çështjen, implikimet ose pasojat e vendimit të BQK-së për përdorimin e dinarit. Pra, Asociacioni si i tillë nuk është një prej temave kryesore por si çështje është prezente në secilin takim, dhe të gjitha ndërveprimet tona me partnerët në Kosovë, pasi që është një prej kushteve që urgjentisht duhet përmbushur sa më shpejt, pa vonesa të tjera”, ka thënë Stano.

    Ndryshe, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dje ka thënë se në takimin e kësaj jave mes palëve në Bruksel pret të gjendet një zgjidhje për çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

  • Grupi i bamirësisë thotë se Izraeli ia vrau 7 punëtorë

    Grupi i bamirësisë thotë se Izraeli ia vrau 7 punëtorë

    Një grup i bamirësisë ka thënë të martën se ushtria izraelite kreu një sulm ajror ndaj punëtorëve të tij në Gazë, duke i vrarë së paku shtatë persona, përfshirë disa të huaj.

    Kuzhina Qendrore Botërore, një grup i bamirësisë i themeluar nga kuzhinieri i famshëm Jose Andres, tha të martën se shtatë punëtorët e vrarë janë nga vende si, Australia, Polonia, Britania e Madhe, si dhe një me shtetësi amerikano-kanadeze.

    Ky grup tha se do ta pezullojë menjëherë punën në këtë rajon.

    Sipas tij, punëtorët ishin duke i shpërndarë ndihmat e nevojshme ushqimore që kishin mbërritur në Gazë përmes detit të hënën, kur u goditën në mbrëmje.

    Izraeli ka thënë se është duke e hetuar këtë incident.

    Ushtria izraelite shprehu “pikëllim të sinqertë” për vdekjen e punëtorëve, por nuk e pranoi përgjegjësinë.

    Vende të ndryshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë filluar këtë muaj të dërgojnë ndihma humanitare edhe përmes detit në Gazën e rrënuar nga lufta.

    Kombet e Bashkuara dhe partnerët kanë paralajmëruar se uria mund të prek pjesën e shkatërruar, të izoluar të veriut të Gazës gjatë këtij muaji.

    Zyrtarët humanitarë kanë thënë se dërgesat nga deti dhe ajri nuk janë të mjaftueshme dhe se Izraeli duhet të lejojë që më shumë ndihmë të hyjë përmes rrugëve tokësore.

    Një gjykatë e lartë e OKB-së ka urdhëruar Izraelin që të hapë më shumë pikëkalime tokësore dhe të ndërmarrë masa për të adresuar krizën humanitare.

    Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë 1.200 civilë dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë.

    Sulmet ajrore dhe tokësore izraelite kanë lënë të vrarë më shumë se 33.000 palestinezë, sipas autoriteteve lokale në Rripin e Gazës.

    Luftimet kanë detyruar mbi 80 për qind të popullsisë së Gazës të zhvendoset dhe qindra mijëra janë buzë urisë, kanë thënë Kombet e Bashkuara dhe agjencitë ndërkombëtare të ndihmës./REL/

  • Qeveria hap thirrjen për ndihmë financiare për nxënësit dhe familjet në nevojë në Luginë të Preshevës

    Qeveria hap thirrjen për ndihmë financiare për nxënësit dhe familjet në nevojë në Luginë të Preshevës

    Qeveria e Kosovës ka hapur thirrjen për ndihmë financiare për nxënësit dhe familjet në nevojë në Luginën e Preshevës.

    Kjo thirrje është hapur për t’i ndihmuar fëmijët pa asnjë prind ose ata që kanë vetëm një prind, si dhe për familjet me 3 ose më shumë fëmijë në procesin edukativo-arsimor.

    Kështu ka bërë të ditur këshilltarja politike e Kryeministrit për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, Ardita Sinani.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar, është në një mision për të ndihmuar nxënësit që përballen me sfida të mëdha financiare. Këtë herë, drejtohemi drejtpërdrejtë te të gjithë nxënësit e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës pa prindër, si dhe te ata që kanë vetëm një prind. Po ashtu, ofrojmë ndihmë financiare të menjëhershme për familjet me 3 ose më shumë fëmijë në procesin edukativo-arsimor, për të siguruar që të gjithë kenë mundësi të barabarta”, ka shkruar Sinani.

  • Aksidenti tragjik në Shqipëri, Konjufca: Qëndrojmë pranë familjeve të viktimave

    Aksidenti tragjik në Shqipëri, Konjufca: Qëndrojmë pranë familjeve të viktimave

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj aksidentit tragjik në Shqipëri, ku si pasojë humbën jetën 8 persona.

    Konjufca shprehi ngushëllime familjarëve por si dhe shtetit të Shqipërisë.

    “Me shumë pikëllim dhe dhimbje të thellë morëm lajmin për aksidentin tragjik në Shqipëri, ku humbën jetën 8 qytetarë. Në këto momente kaq të vështira qëndrojmë pranë familjeve të viktimave, të cilët lutemi ta gjejnë forcën ta përballojnë këtë tragjedi, e cila na ka tronditur dhe prekur të gjithëve. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta ndaj familjarëve dhe miqve të viktimave, por edhe ndaj shtetit të Shqipërisë, po aq sa edhe popullit tonë, sepse sot është një ditë e trishtë për të gjithë shqiptarët”, ka shkruar Konjufca.