ATV

Category: Lajme

  • Pamje ekskluzive / Nën masa të rrepta sigurie, Albin Kurti viziton veriun, shkon edhe në Banjskë

    Pamje ekskluzive / Nën masa të rrepta sigurie, Albin Kurti viziton veriun, shkon edhe në Banjskë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrat Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi kanë përfunduar vizitën në komunën e Leposaviqit.

    ATV-ja ka siguruar një video ku shihet se për këtë vizitë, Kurtit dhe të tjerëve iu është ofruar siguri e madhe nga Policia e Kosovës.

    Kujtojmë se pas disa ditësh në katër komunat veriore do të votohet për shkarkimin e kryetarëve aktual.

    Ai vizitën e ka vazhduar edhe në Banjskë, derisa raportohet se do të takohet edhe me kryetarin e Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

  • Arrestohet ish-presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, i akuzuar për sulm seksual

    Arrestohet ish-presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, i akuzuar për sulm seksual

    Luis Rubiales, ish-president i Federatës Spanjolle të Futbollit, u arrestua mëngjesin e kësaj të mërkurë në aeroportin Barajas, në Madrid, sapo u kthye në Spanjë nga Republika Domenikane, ku ndodhej kur u kryen kontrollet e Federatës disa ditë më parë dhe në shtëpinë e tij.

    Ishte planifikuar të mbërrinte të shtunën, por vendosi të kthehej më shpejt në Spanjë.

    Dhjetëra gazetarë po e prisnin Rubiales në daljet e aeroportit, por ish-drejtuesi i lartë i Federatës u arrestua teksa dilte nga avioni nga Njësia Qendrore Operative e Guardia Civil. Ai ishte personi i fundit që la bordin e avionit.

    Nuk është e sigurt nëse Rubiales do të mund të dëgjohet sot nga një gjykatës. Nëse kjo nuk është e mundur, ai do të mbahet në paraburgim në Komandën Civile të Guardia në Tres Cantos, në periferi të Madridit.

    Javën e kaluar, autoritetet spanjolle lëshuan ​​një urdhër arresti ndërkombëtar për Luis Rubiales, në lidhje me kontratat e parregullta të nënshkruara gjatë pesë viteve të fundit, duke përfshirë transferimin e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite. Rubiales po hetohet për krime të dyshuara për korrupsion në biznes, administrim të paligjshëm dhe pastrim parash.

    Ish-presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) ndodhej në Republikën Domenikane, vend që nuk ka marrëveshje ekstradimi me Spanjën. Njësia Qendrore Operative e Guardia Civil kontrolloi selinë e federatës dhe gjithashtu shtëpinë e Rubiales

    Një ditë para udhëtimit, Rubiales kishte dhënë një intervistë për La Sexta në të cilën fliste për paratë. “Paratë në llogarinë time janë rezultat i punës dhe kursimeve të mia”, në intervistën që do të transmetohet e plotë këtë të mërkurë.

    Rubiales u shkarkua nga pozicioni që e mbajti midis majit 2018 dhe shtatorit 2023, duke u larguar pas polemikave të shkaktuara nga puthja që i dha Jenni Hermosos, pas triumfit në Kupën e Botës për femra në gusht 2023. /tch

  • Një grua nga Podujeva lind katërnjakë – tre djem dhe një vajzë

    Një grua nga Podujeva lind katërnjakë – tre djem dhe një vajzë

    Në Klinikën Obstetrike – Gjinekologjike, të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, një nënë nga Podujeva ka lindur katërnjakë.

    Sipas një njoftimi të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK) bëhet e ditur se nëna me inicialet D. S., 26-vjeçare, ka lindur me operacion, në kujdes shëndetësor të mjekëve, mamive dhe infermierëve.

    “Tre fëmijë janë të gjinisë mashkullore dhe një e gjinisë femërore. Nëna bashkë me fëmijët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Tani fëmijët janë nën përkujdesje të stafit mjekësor në Klinikën e Neonatologjisë, ku janë duke marrë trajtimet e nevojshme”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

  • Nivelit i ulët i pagave, OShP përballet me mungesë të stafit

    Nivelit i ulët i pagave, OShP përballet me mungesë të stafit

    Organi Shqyrtues i Prokurimit është duke u përballur me mungesë të stafit, kjo për shkak të dorëheqjeve të tyre si pasojë e nivelit të ulët të pagave. Si rrjedhojë e kësaj, kryetarja e Organit Shqyrtues të Prokurimit, Vjosa Gradinaj ka theksuar se ka vonese në trajtimin e lëndëve.

    Gradinaj gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, gjatë shqyrtimit të Raportit vjetor të punës së Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2023 ka thënë se nga puna shtesë, punëtoret në këtë institucion po përballen me fluks të punës, derisa shtoi se ka edhe dorëheqje të tyre.

    “Bordi aktual i njëjti ushtron mandatin e tij, dhe në këtë përbërje është përballur me fluks të lëndëve të reja. Jemi në fazën e rekrutimi edhe për stafin tjetër të mbetur. Kemi pranuar tri dorëheqje, po ndikon puna shtesë që po ndikohen punëtorët e OShP-së. Sa i përket vitit 2023, OShP ka pranuar gjithsej 1071 lëndë, 345 janë kthyer në rivlerësim, nga të cilat 85 lëndë janë anuluar. OShP ka nevojë për punëtor të rinj, marrë parasysh edhe ftesat e vazhdueshme nga gjykata 300 ftesa i kemi pranuar, kemi nevojë edhe për zyrtar ligjor dhe të IT”, tha Gradinaj.

    Ndërsa deputeti nga partia në pushtet, Eman Rrahmani ka thënë poashtu se është e pamundur që me këtë numër të stafit të funksionojë ky institucion.

    “Është mirë me pas krahasim edhe me vitet e kaluara, tek numri ankesave e aktivitetet tjera. Shqetësuese është numri i të punësuarve me aktivitetin që bëhet, si OShP kanë ardhë me kërkesë për rritjen e tyre dhe nuk e keni pranuar me një arsyetim të ndryshimit të ligjit qysh para dy viteve. Nuk ka mundësi teorike e praktike me funksionu OShP në detyrën e saj që është aty. Është e pamundur të analizohet secila lëndë në këtë drejtim, nuk ka kapacitet të kryej punën me këtë staf”, tha Rrahmani.

    Zyrtari financiar në këtë institucion, Agim Shaqiri ka thënë se nuk kanë gjetur mirëkuptim për ngritje të koeficientit për zyrtarët, ani pse ka dorëheqje të profesionistëve për këtë shkak.

    “OShP ka buxhet të vogël për dy kategori sidomos për paga dhe mëditje dhe për kategorinë mallra dhe shërbime. Nuk kemi gjet mirëkuptim për ngritje të koeficientit për zyrtarët. Muajin paraprak kanë dhënë dorëheqje dy, momentalisht jemi pa zyrtar të teknologjisë së informacionit. Mora një njoftim që edhe sot ka dhënë një dorëheqje, por kanë paralajmëruar edhe dy të tjerë. Ky është shqetësim për nivelin e pagave. Vlera totale depozitave ka qenë mbi dy milion euro”, tha ai.

    Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se pasojat e ligjit të pagave janë të mëdha e shqetësuese.

    Ai derisa ka pyetur për arsyet e vonesës në shqyrtimin e lëndëve, ka thënë se gjysma e dorëheqjeve po ndodhin për shkak të pakënaqësisë me koeficientin e ri të pagave.

    “Jemi duke parë pasojat e ligjit të pagave të koeficientit. Prej dëmeve keni 21 anëtar stafi, prej tyre 13 kanë dhënë dorëheqje në këto tre vite, gjysma stafit është ndërruar, arsyeja kryesore koeficienti. A mund të themi se kjo kategori ka filluar pas ligjit të pagave. Pra, vonesat në shqyrtimin e lëndëve janë pasojë e largimit të stafit”, tha Hoti.

    Këtë e ka pohuar Shaqiri, duke thënë se e gjithë kjo po ndodhë për shkak të mungesës së stafit si pasojë e largimit të tyre nga niveli i pagave të ulëta.

    Ndërkaq, nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm për raportin plotësues.

    Ndërsa në mungesë të auditores së përgjithshme, Vlora Spanca shqyrtimi i Raportit vjetor financiar i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2022 dhe 2023 është shtyrë për një ditë tjetër./kp

  • Kurti shkon në Leposaviq, takon kryetarin Lulzim Hetemin

    Kurti shkon në Leposaviq, takon kryetarin Lulzim Hetemin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në këto momente është duke zhvilluar një vizitë në komunën e Leposaviqit, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune, Lulzim Hetemi.

    Policia e Kosovës është duke u kujdesur për vizitën e tij.

    Kjo vizitë po zhvillohet vetëm disa ditë para votimit për shkarkimin e katër kryetarëve në këto komuna veriore.

    Hetemi për disa muaj më radhë ka qendruar i mbyllur në zyre.

  • Kaplohet nga zjarri trafo-stacioni në Prishtinë

    Kaplohet nga zjarri trafo-stacioni në Prishtinë

    Është duke vazhduar zjarri në objektin e nënstacionit elektrik pranë stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

    Nga pamjet shihet se zjarrfikësit kanë arritur në vendin e ngjarjes, ndërkohë nuk dihet se a ka të lënduar.

    Insajderi ka kërkuar përgjigje edhe nga Policia për rastin por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri tani.

  • Stoltenberg propozon ndihmë ushtarake për Ukrainën me vlerë 100 miliardë euro

    Stoltenberg propozon ndihmë ushtarake për Ukrainën me vlerë 100 miliardë euro

    Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka propozuar një paketë ndihme ushtarake pesëvjeçare për Ukrainën me vlerën 100 miliardë euro, çka do t’i mundësonte aleancës perëndimore një rol më të drejtpërdrejt të mbështetjes për Kievin, thanë pesë diplomatë të martën.

    Sipas planit, NATO-ja do të merrte përsipër disa nga detyrat koordinuese të koalicionit ad-hoc, i njohur si grupi Ramstein, një hap që do të mbronte pjesërisht çdo shkurtim të mbështetjes amerikane nëse Donald Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, thanë diplomatët.

    Propozimi pritet të diskutohet në një takim dy-ditor të ministrave të jashtëm të NATO-s të mërkurën dhe të enjten, me synimin për të finalizuar një paketë në prag të takimit të lartë të NATO-s në Uashington në muajin korrik.

    Deri më tani, NATO-ja si organizatë nuk e ka ndihmuar Ukrainën me armatime nga droja se një rol i drejtpërdrejtë mund të shkaktojë një përshkallëzim të tensioneve me Rusinë. Shumica e vendeve anëtare të aleancës i ofrojnë Ukrainës ndihma ushtarake në baza dypalëshe.

    Por diplomatët thanë se brenda aleancës po shtohet mbështetja për idenë që NATO-ja ta ndihmojë ushtarakisht Ukrainën në aspektin afatgjatë dhe se aleanca mund ta marrë përsipër pjesën më të madhe të këtij roli.

    Në bazë të planit, NATO-ja do të krijonte një mision për Ukrainën, megjithëse ishte ende e paqartë nëse misioni do të vepronte brenda vendit, thanë diplomatët. Disa shtete ishin të kujdesshme edhe në emërtimin e operacionit si mision.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se plani është pjesërisht “për t’u mbrojtur kundër erërave të ndryshimeve politike” në çdo vend anëtar të NATO-s.

    NATO-ja nuk pranoi të komentonte në detaje lidhur me propozimet e zotit Stoltenberg, por një zyrtar i aleancës tha se ministrat e jashtëm do të “diskutojnë mënyrën më të mirë për të organizuar mbështetjen e NATO-s për Ukrainën, për ta bërë atë më të fuqishme, të parashikueshme dhe të qëndrueshme”.

    “Asnjë vendim përfundimtar nuk do të merret në takimet ministrore të prillit dhe diskutimet do të vazhdojnë ndërsa i afrohemi takimit të nivelit të lartë në Uashington në korrik”, tha zyrtari, i cili kërkoi që të mbetej anonim.

    Diplomatët thanë se diskutimet mbi propozimin ishin në një fazë të hershme dhe ishte e paqartë nëse do të miratohej shuma prej 100 miliardë eurosh apo si do të financohej. Të gjitha vendimet e NATO-s kërkojnë konsensus nga 32 vendet anëtare të aleancës./voa

  • Oda e Mjekëve njofton për vdekjen e një pediatreje

    Oda e Mjekëve njofton për vdekjen e një pediatreje

    Oda e Mjekëve të Kosovës ka njoftuar për vdekjen e pediatres Dallëndyshe Kumnova.

    Sipas njoftimit ajo u ka shërbyer qytetarëve të Mitrovicës në Spitalin regjional “ Dr. Sami Haxhibeçiri” deri në pensionimin e saj.

    “Ndahet nga jeta Dr. Dallëndyshe Kumnova (15.11.1983- 02.04.2024) Dr. Dallëndyshe Kumnova përfundoi studimet për mjekësi të Përgjithme në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Prishtinës, ndërsa specializimin për Pediatri e përfundoi në Kroaci, në vitin 1991. Dr. Kumnova u ka shërbyer qytetarëve të Mitrovicës në Spitalin regjional “ Dr. Sami Haxhibeçiri” deri në pensionimin e saj. Oda e Mjekëve të Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta miqve, kolegëve dhe familjarëve të saj”, thuhet në njoftim.

  • Admirali amerikan: Rusia mund të kryejë sulme kibernetike ndaj rrjetit energjetik në Kosovë

    Admirali amerikan: Rusia mund të kryejë sulme kibernetike ndaj rrjetit energjetik në Kosovë

    James Stavridis, një admiral në pension i marinës amerikane dhe ish-ushtarak i lartë i NATO-s, ka dhënë alarmin për rrezikun që i kanoset Ballkanit nga Rusia.

    Nëpërmjet një analize të publikuar për “Bloomberg”, Stavridis thotë se presidenti rus Vladimir Putin ka në plan destabilizimin e disa vendeve në Ballkan në mënyrë që të hiqet vëmendja nga Ukraina.

    Stavridis theksoi rrezikun e sulmeve kibernetike që mund të cënojnë infrastrukturën jetike të Kosovës, një veprim që do të shtonte tensione dhe pasiguri në rajon. Ai ka parashikuar një ofensivë e tillë nga ana e Kremlin-it përfshirë sulme në rrjetin energjetik të Kosovës, do të krijojë konfuzion të madh dhe pakënaqësi sociale.

    Gjatë gjithë historisë së Rusisë, carët kërkuan mënyra për të dominuar atë që ata e quanin “jashtë vendit të afërt” të perandorisë së tyre të përhapur. Në botën e sotme, pushtimi i paligjshëm i Presidentit Vladimir Putin në Ukrainën fqinje ndjek atë hark strategjik. Nëse ai fiton, është logjike që ai do ta kthejë vëmendjen te Moldavia, ndalesa e radhës në rrugën drejt Evropës Lindore – dhe ku një enklavë separatiste ruse, Transnistria, tashmë është e pushtuar nga Rusia.

    Por ka një objektiv tjetër shumë tërheqës aty pranë: Ballkani Perëndimor. Shtrirja e trazuar e territorit në juglindje të Evropës përfshin katër anëtarë të qëndrueshëm të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut: Kroacinë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Por Kremlini i ka sytë te çmimet e tjera: Serbia, Kosova dhe kombi etnikisht i ndarë i Bosnjë-Hercegovinës. Si mund të kërkojë Putini të zgjerojë ndikimin rus dhe të minojë angazhimin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe Bashkimit Evropian në këtë cep të rëndësishëm të Evropës?

    Unë e njoh mirë këtë terren që nga ditët e mia në NATO dhe si komandant i përgjithshëm ushtarak amerikan në Evropë. Para kësaj, kam shërbyer në luftërat ballkanike të viteve 1990 si kapiten i një destrojeri në brigjet e ish-Jugosllavisë, duke zbatuar një bllokadë armësh kundër regjimit të saj agresiv. Gjatë viteve, kam takuar shumicën e liderëve të lartë në rajon, duke përfshirë presidentin serb Aleksandar Vuçiç, ish-presidenten kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç dhe Milorad Dodik, udhëheqësin aktual të Republika Srpska (pjesa etnike serbe e Bosnjës).

    Në vazhdën e shpërbërjes së Jugosllavisë, luftërat tepër të përgjakshme ballkanike midis 1991 dhe 2001 vranë deri në 105,000, shumë prej tyre civilë (8,000 burra dhe djem myslimanë, për shembull, u masakruan në Srebrenicë në korrik 1995). Tensionet mbeten midis katolikëve romakë në Kroaci, të krishterëve ortodoksë kryesisht në Serbi dhe myslimanëve në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë.

    Putini po kërkon të përfitojë nga kjo histori e papërfunduar. Ai e di se nëse vendet anëtare të NATO-s tërhiqen përsëri në policimin e një Ballkani të trazuar, ata do të shpërqendrohen nga fokusi i tyre në mbështetjen e Ukrainës.

    Ka ende disa mijëra paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, një ish-rajon i Serbisë që as serbët dhe as rusët nuk e njohin si një komb të pavarur. Vitin e kaluar, ushtria serbe hyri në gatishmëri të lartë pas trazirave të protestuesve etnikë serbë brenda Kosovës, duke plagosur rreth 100 ushtarë të NATO-s; kjo e detyroi aleancën të dërgonte disa qindra paqeruajtës shtesë. Putin po e inkurajon qartë Serbinë që të bëjë presion mbi qeverinë e Kosovës të mbështetur nga NATO.

    Ai po punon gjithashtu për të destabilizuar qeverinë e lëkundur të Bosnje-Hercegovinës, e cila është e ndarë në një presidencë trepalëshe të çuditshme me një përfaqësues të secilës prej tre zonave kryesore etno-fetare. Aktori politik më me përvojë është Dodik, i cili është i lidhur ngushtë me Moskën. Edhe një dekadë më parë, ai më thoshte për nevojën e shkëputjes së Republika Srpska, e cila do të shkatërronte në mënyrë efektive vendin. Pjesa e tij e pasme do të përputhej me vetë Serbinë, duke krijuar një shtet më të madh serb, të cilin Putini do ta miratonte me kënaqësi.

    Siç ka thënë kundëradmirali në pension Mark Montgomery, i cili ishte oficeri i planeve të mia në Komandën Evropiane të SHBA-së: “Kjo është e njëjta lloj sfide me të cilën u përballëm një dekadë më parë – Putin përfiton nga nxitja e tenxheres diku tjetër në Evropë, duke u përpjekur të dobësojë besueshmërinë e NATO-s. dhe na largojnë nga mbështetja e Ukrainës.”

    Për fat të mirë, Perëndimi ka opsione. Për momentin, ideja e vendosjes së batalioneve të NATO-s në Ukrainë nuk ka gjasa. Kështu rritja e nivelit të trupave të dislokuara në Kosovë tani, dhe marrja përpara trazirave që Putin po përpiqet të nxisë, është e mundur dhe ka kuptim strategjik.

    Të bësh këtë do të ishte një shembull i një ndarjeje efektive rajonale të përpjekjeve brenda aleancës: vendet e NATO-s në Ballkan dhe aty pranë (p.sh. Greqia dhe Italia) mund të fokusohen në atë rajon. Anëtarët e Evropës Lindore dhe Nordike mund të udhëheqin në përpjekjen e Ukrainës. Vendet e mëdha në perëndim – Franca, Gjermania, Britania e Madhe dhe SHBA – kanë burime të mjaftueshme për t’u përfshirë në të dyja.

    Krahas forcave të stabilizimit, NATO duhet të jetë e ndërgjegjshme për përdorimin e Rusisë të të ashtuquajturës luftë hibride. Putini është i mirë në përdorimin e mediave sociale, fushatave të dezinformimit dhe propagandës pro-ruse për të krijuar tensione jashtë kufijve të tij. NATO duhet të përdorë rrjetet e veta të informacionit për të ekspozuar dhe kundërshtuar këto narrativa të rreme. Nëse rusët vendosin të ngrisin para, ata mund të përdorin sulme kibernetike kundër rrjeteve të energjisë dhe objektivave të tjera jetike në Kosovë dhe pjesët joserbe të Bosnjës. Kjo do të krijonte konfuzion dhe do të rriste pakënaqësinë sociale. NATO mund të sigurojë sisteme më të mira të mbrojtjes kibernetike për aleatët dhe miqtë e Ballkanit.

    Së fundi, ka stimuj ekonomikë që mund të kundërshtojnë angazhimin rus. Serbia dëshiron dëshpërimisht anëtarësimin në BE, ashtu si Bosnje-Hercegovina. Udhëheqësit e tyre duan të jenë në gjendje të angazhohen me Perëndimin dhe të shmangin sanksionet. Ambasadori serb në SHBA ka shkruar së fundmi një letër duke pretenduar se Serbia dëshiron vetëm paqe.

    Serbët mund të tregojnë se janë të sinqertë duke hedhur poshtë manipulimet e Putinit dhe duke lejuar Perëndimin të qëndrojë i fokusuar në sfidën e tij më të madhe: luftën imorale të Rusisë në Ukrainë.

  • Raporti i ICG: Kërkohet presion ndërkombëtar për t’i kapërcyer pengesat mes Kosovës dhe Serbisë

    Raporti i ICG: Kërkohet presion ndërkombëtar për t’i kapërcyer pengesat mes Kosovës dhe Serbisë

    Në një raport të ri të publikuar dje, Organizata joqeveritare “International Crisis Group” (ICG) u ka kushtuar vëmendje të veçantë zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës, duke ofruar një vlerësim kritik të situatës dhe duke sjellë në dritë disa rekomandime për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

    ICG përshkruan veriun e Kosovës si “territor rebel” dhe vëren se, pavarësisht suksesit të Kosovës në fitimin e kontrollit mbi territorin, mundësitë për normalizim me Serbinë po zbehen.

    Në raportin me titull ‘Veriu i Kosovës: Pohimi i sovranitetit mes besnikërive të ndara’, dedikuar marrëdhënieve Kosovë – Serbi, me fokus në veriun e Kosovës dhe zhvillimet atje, Kosovës i sugjerohet të bashkëpunojë me forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë [KFOR] “për të çmilitarizuar veriun”.

    “Kosova duhet t’i tërheqë njësitet speciale të Policisë prej rajoneve me shumicë serbe dhe derisa ta bëjë atë, t’i dislokojë ato me masë dhe vetëm në koordinim me paqeruajtësit e KFOR-it, të cilët banorët e veriut i shohin si më të besueshëm, marrë parasysh përkushtimin e tyre për neutralitet”.

    Raporti jepet në një kohë kur situata në veriun me shumicë serbe vazhdon të jetë jo e qetë, kështu duke përmendur edhe sulmin terrorist të grupit serb në krye me Milan Radoiçiq në shtator 2023.

    Sipas raportit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, për të rritur ndjesinë e sigurisë së Prishtinës, KFOR-i duhet t’i ndihmojë Kosovës në kontrollin e kufirit, të parandalojë kontrabandën e armëve të rënda dhe t’i gjejë ato që janë futur më herët.

    “E Serbia duhet të ndalojë mbështetjen për aktivitet paramilitar dhe t’i gjykojë ata që janë përfshirë në vrasjen e policit të Kosovës. Në mungesë të një zgjidhjeje politike gjithëpërfshirëse, barra do të jetë mbi Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, për të garantuar paqe dhe për të shmangur përshkallëzimin, derisa të arrihen kushtet për një marrëveshje të negociuar”.

    ICG thekson se për të mbetur një komunitet i aftë për vetëqeverisje, serbët e Kosovës kanë nevojë për qasje të vazhdueshme në institucionet e Kosovës dhe një ndjenjë sigurie, e cila mund të vijë vetëm përmes kthimit të serbëve në forcat policore të Kosovës.

    Raporti thotë se në 2021, thotë se përpjekjet e Kosovës për të shtuar autoritetin e saj në veri përmes Njësive Speciale të Policisë, janë përballur me kundërshtim të ashpër nga komuniteti serb, duke çuar në përleshje të shpeshta mes policisë dhe serbëve rebelë. Situata është përkeqësuar në maj 2023, kur një përleshje mes serbëve dhe paqeruajtësve të NATO-s ka lënë shumë të plagosur.

    Ndërkohë, Prishtina ka përfituar nga kjo situatë duke forcuar pozicionin e saj në veri, arritur një marrëveshje me Serbinë për njohjen reciproke të targave dhe ndaluar përdorimin e dinarit serb.

    ICG kërkon një zgjidhje të arsyeshme të propozuar nga BE-ja që përfshin një marrëveshje të gjerë normalizimi ku Serbia nuk do ta njihte zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, por do të vepronte sikur ta bënte.

    “Në këmbim, Kosova do t’i jepte minoritetit serb një njësi vetëqeverisëse për komunat serbe. Megjithatë, kjo marrëveshje mbetet e pazbatuar për shkak të mosmarrëveshjeve rreth detajeve dhe fushëveprimit të njësisë autonome serbe”.

    ICG paralajmëron se dialogu i BE-së mund të mos arrijë të kapërcejë pengesat ekzistuese dhe marrëdhënia mes Beogradit dhe Prishtinës mund të mbetet e ngrirë.

    Prandaj, organizata thekson rëndësinë e presionit ndërkombëtar për të sjellë qetësi në Ballkanin Perëndimor.