ATV

Category: Lajme

  • ​Ndëshkimet me gjoba të ashpra, policia nis zbatimin e ligjit të ri në trafik

    ​Ndëshkimet me gjoba të ashpra, policia nis zbatimin e ligjit të ri në trafik

    Ngasësit e automjeteve nga sot duhet të kenë kujdes në zbatimin e rregullave të reja, pasi me hyrjen në fuqi të ligjit të ri parashihen gjoba të larta për shkelësit e këtyre rregullave në trafik.

    Ashpërsimi i gjobave me ligjin e ri vjen si pasojë e numrit të lartë të aksidenteve, vetaksidenteve dhe aksidenteve me fatalitet të shumta në vendin tonë.

    Policia e Kosovës ka nisur me zbatimin e ligjit të ri në komunikacion dhe ndëshkimin e të gjithë atyre që shkelin rregullat.

    Nënkoloneli në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi, thotë se deri te ndryshimi i ligjit ka ardhur si pasojë e vlerësimeve të kryera deri më tash sa i përket zbatimit të ligjit të vjetër. Ai thotë se bazuar në analiza ka një shpërqendrim të ngasësve të automjeteve gjatë vozitjes e cila po ndikon në shtimin e numrit të aksidenteve.

    “Ky ligj ka hyrë në plotësim-ndryshim për shkak të nevojës dhe analizave, të cilat janë bërë nga Policia e Kosovës dhe institucionet tjera që kanë të bëjnë me zbatimin e këtij ligji. Meqenëse janë analizuar dhe shkaktarët e aksidenteve, kundërvajtjet më të shpeshta, janë marrë për bazë edhe numri i aksidenteve në trafik, që është me rëndësi numri i aksidenteve me persona të vdekur. Andaj të gjitha këto analiza dhe statistika dhe vlerësime sa i përket zbatimit të ligjit të vjetër, është parë e nevojshme dhe e domosdoshme që ligji i vjetër të hyjë në plotësim-ndryshim, i cili vetëm ka ndodhur… Bazuar në analiza kemi një shpërqendrim të shoferëve në vozitje, është rritur numri i aksidenteve me fatalitet, sidomos atyre vetaksident”, thotë Rexhepi.

    Me ligjin aktual për mos vendosjen e rripit të sigurisë, gjoba është 150 euro për shoferin dhe për pjesëmarrësit tjerë në automjet, gjoba për telefon do të jetë në tre variante, për herë të parë do të gjobitet për 100 euro, herën e dytë 200 euro dhe herën e tretë 500 euro dhe gjashtë muaj ndalohet të ngasë veturën.

    Ndërsa për shpejtësi brenda vendbanimit 20 euro për tejkalim të shpejtësisë nga 5 – 10 kilometra në orë (km/h) mbi shpejtësinë e lejuar, 40 euro për tejkalim të shpejtësisë nga 10 – 20 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, 60 euro për tejkalim të shpejtësisë nga 20 – 30 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, 200 euro dhe tre muaj ndalim i drejtimit të mjetit, plus tri pikë negative për tejkalim të shpejtësisë nga 30 – 50 km/h mbi shpejtësinë e lejuar dhe shumë rregulla të tjera.

    Të paktën 104 të vdekur dhe mijëra të lënduar është bilanci i aksidenteve rrugore për 2023. Sipas policisë, gjatë 2023 janë shënuar mbi 22.000 aksidente. Krahasuar me 2022, numri i aksidenteve për 2023 është rritur mbi 1.000. /KP

  • Klientë e faktura fiktive, arrestohet 24-vjeçari që dëmtoi me mbi 35 mijë euro firmën ku punonte

    Klientë e faktura fiktive, arrestohet 24-vjeçari që dëmtoi me mbi 35 mijë euro firmën ku punonte

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person me dyshimin se i njëjti ka dëmtuar kompaninë ku punonte.

    Bëhet e ditur se dëmi i shkaktuar është mbi 35 mijë euro përmes fakturave fiktive e klientëve fiktivë.

    Më poshtë edhe komunikata e plotë:

    Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Rajoni Ferizaj, pas pranimit te informatës mbi dyshimin se një person ka bere përfitim personal ne mënyrë te paligjshme, ka filluar hetimet intensive lidhur me personin e dyshuar.

    Pas veprimeve hetimore është vërtetuar, se personi i dyshuar E.Q ( viti i lindjes 2000) m/k., me pozitë menaxher në një kompani private, në periudhën Janar-Mars 2024 kishte arritur që përmes fakturave dhe klientëve fiktiv, për vete të përfitoj një shumë të hollash në vlerë 35 mije euro, duke i shkaktuar dëmkompanisë ku ai mbante këtë pozite.

    Më këto veprime, i dyshuari E.Q. duke mos zbatuar detyrimet që rrjedhin nga kontrata dhe përgjegjësitë si menaxher, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike“ nga neni 284 i KPRK-së.

    Të gjitha veprimet hetimore kanë qenë të koordinuara me Kryeprokurorin e PTHF, dhe sot, me datë 03.04.2024, është siguruar prezenca e të dyshuarit E.Q., i cili është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës, ku pas intervistës, me aktvendim të prokurorit i njëjti dërgohet në mbajtje për 48 orë.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe arrestimin e të gjithë personave që kryejnë apo tentojnë kryerjen e veprave penale.

  • ​EUFOR nis stërvitjet ushtarake në Bosnje, sjell rezervë strategjike

    ​EUFOR nis stërvitjet ushtarake në Bosnje, sjell rezervë strategjike

    Ushtarë shtesë nga vendet e BE-së nga java e ardhshme do të vendosen në Bosnje dhe Hercegovinë, konfirmoi sot komandanti i forcave paqeruajtëse të BE-së, EUFOR, gjenerali Laszlo Sticz, duke shtuar se këto janë aktivitete të planifikuara më parë që synojnë ruajtjen e një mjedisi të qëndrueshëm në vend.

    Ai u tha gazetarëve se ushtarët francezë do të jenë të parët që do të mbërrijnë në fushë dhe do të qëndrojnë në BeH për muajin e ardhshëm. Ushtarë nga Italia dhe Rumania do t’u bashkohen atyre dhe gjithsej 250 anëtarë të rezervës strategjike EUFOR janë planifikuar të mbërrijnë.

    “Çdo vit, aftësia për të vendosur dhe integruar (forca shtesë) duhet të testohet për t’u njohur me procedurat dhe situatën në terren”, tha gjenerali hungarez që komandon një forcë prej rreth njëmijë ushtarësh nga 23 vende.

    Në rast përkeqësimi të situatës së sigurisë, kontingjenti i EUFOR-it që është tashmë në terren mund të llogarisë në mbështetjen e menjëhershme të rreth 3.500 ushtarëve që janë pjesë e rezervës strategjike dhe janë gati për veprim.

    Ushtarët që do të mbërrijnë në BeH do të kryejnë stërvitje dhe patrullim së bashku me EUFOR-i që ndodhet tashmë në terren për t’u përgatitur për integrimin strategjik të forcave rezervë në rast të një krize që mund të kërkojë ndërhyrje ushtarake.

    Ministri i Mbrojtjes i BeH, Zukan Helez njoftoi se një batalion këmbësorie do të merr pjesë në stërvitje me anëtarët e forcave ushtarake të BE-së.

    Në vitin 2004, BE mori nga NATO misionin e monitorimit të situatës së sigurisë në BeH. Mandati i EUFOR-it, operacioni Althea, i nënshtrohet miratimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili vendos për të çdo vit.

  • ​Ruajtja e sigurisë, KFOR-i përfundon stërvitjen “Shpata e bronztë 2024”

    ​Ruajtja e sigurisë, KFOR-i përfundon stërvitjen “Shpata e bronztë 2024”

    Komanda Rajonale Perëndimore e misionit KFOR të udhëhequr nga NATO përfundoi sot një stërvitje të mbajtur në kampin “Villaggio Italia”, me qëllim vlerësimin e gatishmërisë operacionale të njësive dhe procedurat e testimit për të shpejtë. vendosjen e aseteve dhe aftësive.

    Stërvitja “Shpata e bronztë 2024”, paraqiste një sërë aktivitetesh të përbashkëta për të menaxhuar krizat dhe për të mbështetur sigurinë publike të kryera nga kontingjente të ndryshme kombëtare të caktuara për KFOR-in. Këto përfshinin kontrollin e trazirave të turmës, heqjen e pengesave rrugore, evakuimin mjekësor me helikopter, evakuimin e ndërtesave dhe vendosjen e përforcimeve të trupave.

    “Përfundimi i stërvitjes “Shpata e bronztë 2024” paraqet një arritje të rëndësishme në përpjekjet tona të vazhdueshme për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, nën mandatin e OKB-së. Përkushtimi dhe profesionalizmi i shfaqur nga të gjithë pjesëmarrësit kanë qenë shembullor dhe pasqyrojnë përkushtimin tonë të palëkundur për të kontribuar në sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën,” ka thënë komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.

  • UNDP dhe ADA promovojnë bizneset e “gjelbërta” që udhëhiqen nga gratë e Prizrenit

    UNDP dhe ADA promovojnë bizneset e “gjelbërta” që udhëhiqen nga gratë e Prizrenit

    UNDP dhe Zyra Koordinuese për Bashkëpunim Zhvillimor të Austrisë në Prishtinë (ADA), në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit, kanë organizuar “Pjatën e gjelbërt”, si përkrahje për bizneset e vogla të udhëhequra nga gratë, raporton EO.

    Aty u tha se përkrahja e donatorëve ka për synim edhe ndihmën ndaj të rinjve, krijimin e kushteve dhe hapjen e vende të reja të punës, në mënyrë që ata mos ta lëshojnë Kosovën.

    Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, falënderoi donatorët, me ç’rast tha se donacione të tilla do t’i fuqizojnë bineset e këtij qyteti.

    “Me aktivitetet tona përbashkët promovojnë qasjen ndaj ushqimit të shëndetshëm dhe ushqimit bio po ashtu promovojmë bashkëpunimin dhe aktivitetin drejtim të përkrahjeve të bizneseve të cilat kultivojnë këtë lloj të aktivitetit dhe prodhojnë produkte të gjëlbërta, produkte të shëndetshme kurse në të ardhmen do të ketë aktivitete te reja edhe kryesisht ato do të jenë në drejtim të përbërjes së grave që janë pronare të bizneseve por edhe të rinjve e pse është është e vetë shpjegueshme se duam t’i fuqizojmë gratë duam me i fuqizu rininë, me iu dhënë mundësi për punë që ata me punën e vet më dhënë kontributin për qytetin tonë po edhe mos me pas nevojë me u largu prej Kosovës”, tha ai.

    Yuliya Scherbenina nga UNDP, tha se shpreson që kjo thirrje ta rrisë vetëdijen për rëndësinë e ushqimit të gjelbër.

    “Është kënaqësi të ndodhem në Prizren, qyteti që gjithmonë na mirëpret shumë ngrohet sa herë të vijmë. Sa i përket udhëzuesit në Komunën e Prizrenit, shpresoj qe do te jetë një thirrje zgjuar për të gjithë mund të ngriseë vetëdijen për rendësin e ushqimit”, u shpreh ajo.

    Për rëndësinë e ushqimit të gjelbër, foli edhe Sandra Horina, drejtoreshë e ADA-s për Kosovë.

    “Dhe prodhimi i ushqimit në masë të madhe kontribuohet në emetimin e gazrave dhe gjithashtu ndikon tek ndryshimet klimatike pra duhet të flasim për sistemin e qëndrueshëm te ushqimit në mënyre që të i luftojmë ushqimet klimatike dhe ndryshimet klimatikë afektohën të na prek të gjithë neve natyrisht ne mund të themi duke luftuar ndryshimet klimatike prekin çështje të ndryshme të sistemit ushqimore dhe është mjaft e rëndësishme se duhet të mbrojmë natyrën tonë dhe bujqësia konvencionale po e ndot tokën dhe po e ndotë ujin në përdorimin e pesticideve të ndryshme dhe gjithashtu është një linjë e gjatë e prodhimit të ushqimit i cili përdor shumë paketime plastike dhe gjithashtu përdor shume fosile energji fosile në prodhimin e ushqimit”, u shpreh ajo.

    “Ne punojmë në fushën e promovimit ndërtimit të zhvillimit rurale bujqësisë për më shumë se një dekadë dhe ne punojmë se bashkë me UNDP si partneri jonë në dy komuna. Në fazën tjetër do të kemi më shumë komuna ne gjithashtu edhe punojmë me Zvicrën në mënyrë që të implementojmë projektet të mëdha në zhvillimet rurale dhe ndërtimin e bujqësisë. Pra ne punojmë dhe mbulojmë punën tonë shumë komuna mundohemi të ndërtojmë agrobiznese të vogla të udhëhequra nga gratë që t’i ndihmojmë si të ndërtojnë prodhime të vogla”, u shpreh tutje ajo.

  • Mungojnë Bislimi e Lushtaku, shtyhet seanca për përleshjen në Kuvend

    Mungojnë Bislimi e Lushtaku, shtyhet seanca për përleshjen në Kuvend

    Për shkak se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ishte në udhëtim zyrtar jashtë vendit dhe mungoi edhe deputeti Mergim Lushtaku, është shtyrë seanca fillestare të mërkurën në rastin ku Bislimi e Lushtaku bashkë me deputetët Hajdar Beqa dhe Bekim Haxhiu, akuzohen lidhur me rastin e përleshjes së ndodhur më 13 korrik 2023 në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu, palët nuk ishin pajisur me shkresa të lëndës.

    Kryetari i trupit gjykues, Eroll Gashi ka thënë se Bislimi ndodhet në një vizitë zyrtare jashtë vendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ai ka shtuar se i dëmtuari – ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, nuk ka qenë i qasshëm.

    Në seancë mungoi edhe Mergim Lushtaku, për të cilin mbrojtësi i tij, avokati Faton Fetahu, ka treguar se nuk mungon për arsye të angazhimeve në Kuvend, por për shkak të mosdërgimit të shkresave të lëndës, përfshirë edhe aktakuzën.

    Në këto rrethana, seanca e sotme është shtyrë.

    Bislimi akuzohet se më 13 korrik 2023 ka përdorur dhunë fizike ndaj Lushtakut që i kishte hedhur ujë Bislimit. Bislimi akuzohet për “sulm”.

    Edhe Lushtaku po ashtu akuzohet për “sulm” ndaj Bislimit.

    E deputeti tjetër Hajdar Beqa akuzohet “për sulm” ndaj ministrit Hekuran Murati, por edhe se duke ia tërhequr syzat ka kryer veprën “asgjësim apo dëmtim të pasurisë”.

    Deputeti tjetër i PDK-së, Bekim Haxhiu, akuzohet për “lëndim të lehtë trupor” për goditjen ndaj Muratit.

  • Regjistrimi i popullsisë nis të premten – këto janë disa nga pyetjet më interesante

    Regjistrimi i popullsisë nis të premten – këto janë disa nga pyetjet më interesante

    Të premten, më 5 prill do të nisë procesi i regjistrimit të popullsisë.

    Kjo po ndodh pas 13 vjetësh, ku herën e fundit ishte realizuar në vitin 2011-të.

    Regjistrimi i popullsisë parashihet të përfundojë më 17 maj.

    Në vitin 2011-të, bazuar në të dhënat e publikuara figurojnë se në Kosovë janë 1.7 milionë banorë.

    Për nisjen e këtij procesi, Agjencia e Statistikave i ka publikuar disa formularë.

    Disa nga pyetjet më interesante tek pyetësorët mund t’i gjeni KËTU.

  • Petkoviq e cilëson “provokim” vizitën e Kurtit në veri, kërkon “llogari” nga KFOR-i dhe EULEX-i

    Petkoviq e cilëson “provokim” vizitën e Kurtit në veri, kërkon “llogari” nga KFOR-i dhe EULEX-i

    Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, konsideroi se një ditë para ciklit të ri të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vendosi të ngrejë tensione të reja, kur vizitoi gjatë ditës Leposaviqin dhe Zubin Potokun – dy komuna të banuara me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

    Petkoviqi e cilësoi “provokim” vizitën e kreut të ekzekutivit kosovar në këtë zonë të banuar kryesisht nga serbë etnikë, ndërsa akuzoi KFOR-in dhe EULEX-in që e lejuan vizitën. Madje, korrieri kryesor i propagandës serbe e cilësoi “okupator” kryeministrin e Kosovës, duke shtuar se ai nuk është i mirëpritur në mesin e serbëve lokalë.

    “Kurti s’ka çfarë të kërkojë në veri, ku nuk është i mirëpritur. Fakti që i gjithë Leposaviqi u bllokua kur ai shkoi në ndërtesën e komunës, ku e priste kryetar i rremë, dëshmon se për çfarë demonstrimi të forcës bëhet fjalë. Gjithashtu, fakti që të gjitha rrugët janë bosh në Leposaviq dhe Zubin Potok tregon se populli serb shfaq përbuzje ndaj provokimit të Kurtit”.

    “Por shtrohet pyetja se kush e miratoi vizitën e Kurtit në veri dhe në çfarë mënyre, kush nga përfaqësuesit ndërkombëtarë është informuar – nëse KFOR-i dhe EULEX-i kanë ndihmuar dhe dhënë pëlqimin për këtë provokim?”, shtoi ndër të tjera Petkoviq.

  • Të enjten Kuvendi mban dy seanca, njëra solemne për shënimin e 25 vjetorit të Betejës së Koshares

    Të enjten Kuvendi mban dy seanca, njëra solemne për shënimin e 25 vjetorit të Betejës së Koshares

    Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca të enjten e 4 prillit.

    Seanca e parë do të jetë solemne dhe do të nisë në orën 10:00. Në rend dite është shënimi i 25 vjetorit të Betejës së Koshares.

    Ndërsa seanca plenare do të nisë në orën 11:00.

    Rendi i ditës:

    1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
    2. Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024,
    3. Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
    4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,
    5. Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,
    6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,
    7. Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,
    8. Votimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës,
    9. Votimi i Projektligjit nr.08/L-271 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”,
    10. Votimi i Projektligjit nr.08/L-273 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFË, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik,
    11. Votimi i Projektligjit nr.08/L-281 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian,
    12. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-270 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat,
    13. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-280 për ratifikimin e “amendamentimit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”,
    14. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-293 për ratifikimin e “Marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren”,
    15. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-292 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Drejtësia”,
    16. Votimi në lexim të dytë i Projekt Kodit doganor dhe të akcizave, nr. 08/L-247,
    17. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,
    18. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
    19. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-258 për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë,
    20. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,
    21. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-268 për shpronësimin e pronës së paluajtshme,
    22. Shqyrtimi i parë Projektligjit nr.08/L-284 për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave,
    23. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-285 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës,
    24. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-291 për Gjykatën Administrative,
    25. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-279 për Inspektoratin qendror të mbikëqyrjes së tregut,
    26. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-288 për mbrojtjen e konsumatorit,
    27. Votimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028,
    28. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,
    29. Shqyrtimi i rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.08/L-021 për tregti me jashtë,
    30. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të performancës “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për vitin 2021”,
    31. Shqyrtimi i Rekomandimeve për Raportin e auditimit të performancës “Renovimi dhe konfigurimi i stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë”,
    32. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2022,
    33. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
    34. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2022,
    35. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Autoritetit të Konkurrencës i Republikës së Kosovës për vitin 2022,
    36. Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,
    37. Zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale,
    38. Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës, përfaqësues nga Oda e Avokatëve të Kosovës,
    39. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës.
  • Rregullat e reja në komunikacion, Rexhepi: Janë analizuar shkaktarët e aksidenteve

    Rregullat e reja në komunikacion, Rexhepi: Janë analizuar shkaktarët e aksidenteve

    Nga sot kanë hyrë në fuqi dënimet e reja në komunikacion, në lidhje me të cilat ka folur Drejtori i Divizionit për Trafik Rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi, i cili tha se janë analizuar disa gjëra.

    Ai u shpreh se janë analizuar shkaktarët e aksidenteve, kundërvajtjet si dhe siç u shpreh ai, është marrë për bazë edhe numri i aksidenteve.

    “Janë analizuar shkaktarët e aksidenteve, janë analizuar kundërvajtjet më të shpeshta, poashtu është me rëndësi që janë marrë për bazë numri i aksidenteve me lëndime dhe persona të vdekur”.

    “Andaj, bazuar në gjitha këto analiza, statistika dhe vlerësime sa i përketë zbatimit të ligjit të vjetër është parë e nevojshme edhe e domosdoshme që ligji i vjetër të hyjë në plotësim-ndryshim i cili veç ka ndodh”, është shprehur ai.