ATV

Category: Lajme

  • Aksidentohet traktori me një veturë në Zveçan, lëndohen pesë persona

    Aksidentohet traktori me një veturë në Zveçan, lëndohen pesë persona

    Një aksident trafiku ka ndodhur dje mes një veture dhe një traktori në fshatin Sopanicë të Zveçanit dhe për pasojë janë lënduar pesë persona.

    Policia njoftoi se të lënduarit pas trajtimit mjekësor në Spitalin e Mitrovicës janë liruar.

    “Fsh.Sopanicë,Zveqan 03.04.2024-19:50. Raportohet se ka ndodhur aksident trafiku në mes të një veture që drejtohej nga i dyshuari mashkull kosovar dhe një traktori që drejtohej nga viktima mashkull kosovar. Si pasojë, pesë persona, dy meshkuj dhe tre femra , të gjithë kosovarë, kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit pas pranimit të tretmanit mjekësor në Spitalin e Mitrovicës janë liruar”, thuhet në njoftimin policor.

  • Sulmi në Finlandë, një nga të plagosurit është nga Kosova

    Sulmi në Finlandë, një nga të plagosurit është nga Kosova

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Alisa Seferi, nga Kosova, është njëra nga dy të plagosurit nga të shtënat me armë zjarri në një shkollë në Finlandë.

    ATV-ja mëson se 12-vjeçarja ka marrë plagë serioze në kokë dhe si pasojë e kësaj ajo është në gjendje të rëndë shëndetësore.

    Gazetari shqiptar në Finlandë, Mentor Dreshaj, i cili është autorizuar nga familja Seferi, të flasë për rastin, meqë prindërit janë në gjendje të rëndë emocionale, thotë për ATV-në, se shëndeti i 12-vjeçares nuk ka ndonjë përmirësim.

    “U takova me prindin edhe vajza e ka gjendjen kritike edhe i ka pytë mjekët a ka pas ndonjë përmirësim edhe mjekët i kanë thanë që asnjë përmirësim nuk e ka pasë”, tha Dreshaj.

    Në klasë kishte edhe nxënës të tjerë shqiptarë, por që fatmirësisht nuk ka të tjerë të plagosur.

    “Kanë qenë edhe tjerë shqiptarë, nuk është e vetmja shqiptare që ka pasë. Tjerë s’ka të lënduar po të gjithë çka kanë qenë aty e kanë parë rastin. Normal që psiqikisht jonë krejt të rënduar, ani pse janë tash në shtëpi”, tha Dreshaj.

    Sipas autoriteteve të rendit në Finlandë, sulmi është si pasojë e bullizmit ndaj të miturit, tashmë të dyshuar e të arrestuar.

    “Policia e Finlandës ka thënë se dorasi që ka gjuajtë, sipas deklaratës ai paska pasë problem sepse kinse e kanë bullizuar në shkollë dhe për atë, e ka bo këtë veprim”, tha Dreshaj.

    Për rastin ka reaguar edhe ambasadorja e Kosovës në Stokholm, Shkëndije Geci-Sherifi.

    “E pikëlluar thellë për tragjedinë në Finlandë. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për të gjithë të prekurit nga kjo ngjarje tragjike. Bashkëndiej me familjarët e të plagosurve, në mesin e të cilëve është edhe një vajzë nga Kosova. Lutem që të shërohen dhe jemi me ta në këto momente të vështira!”, ka shkruar ambasadorja e Kosovës në Stokholm, Shkendije Geci- Sherifi.

    Gjithashtu, ngushëllime familjes së të ndjerit dhe shërim të shpejtë dy vajzave të plagosura u ka shprehur edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nëpërmjet një postimi në platformën X.

    Sulmi me armë zjarri ndodhi të martën rreth orës 9:00, në njërën nga shkollat fillore në Vanta të Finlandës, me ç’rast një 12-vjeçar u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Sipas policisë, arma e cila u përdor ka qenë me leje dhe i takon një të afërmi të të dyshuarit, po ende nuk dihet se si ajo ka arritur të përfundojë në duart e 12-vjeçarit.

  • Policia sot shqiptoi gjobat e reja ndaj shkelësve të rregullave

    Policia sot shqiptoi gjobat e reja ndaj shkelësve të rregullave

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Patrullimet e policisë ishin të zakonshme, por jo edhe dënimet.

    Qytetarët që thyen rregullat e trafikut, këtë të mërkurë morën gjoba më të larta se më herët.

    Policia nis menjëherë zbatimin e Ligjit të ri për Rregullat e Trafikut Rrugor që hyri në fuqi sot më 3 prill.

    “Kemi vazhduar menjëherë qysh mbrëmë në mesnatë edhe ndëshkimin e kundërvajtësve, por ka vazhduar edhe largimi i automjeteve, sidomos atyre që janë të paregjistruara”, tha drejtori i Divizionit të Trafikut Rrugor, Jeton Rexhepi.

    Ndryshimi i gjobave për nga vlera monetare sipas nënkolonelit Jeton Rexhepi, erdhi si shkak i numrit të madh të aksidenteve në trafik.

    “Janë analizuar shkaktarët e aksidenteve, janë analizuar kundërvajtjet më të shpeshta, janë marrë për bazë edhe numri i aksidenteve në trafik me lëndime dhe persona të vdekur, andaj bazuar në të gjitha këto analiza e statistika dhe vlerësime sa i përket zbatimit të ligjit është parë e nevojshme dhe e domosdoshme që ligji i vjetër të hyjë në plotësim-ndryshim”, tha Rexhepi.

    Me këto ndryshime pajtohen edhe qytetarët, megjithëse propozojnë edhe forma të tjera që do mund të ndikonin në parandalimin e aksidenteve.

    “E përkrahi shumë edhe ndoshta ka me ndiku shumë, por ndëshkimet janë të vogla sidomos për telefon e kisha bo 1000 euro”, tha Latif Kaqandolli, qytetar.

    “Duhet më shumë me vendosë kamera me fotografu shpejtësinë se p.sh. kur dalin në autostradë s’ka kamera edhe bëhen aksidente”, tha Xhevdet Kaqiu, qytetar.

    Me ligjin e ri, qytetarët për mosvendosje të rripit të sigurisë do të dënohen me 150 euro, ndërkaq ata që përdorin telefonin gjatë vozitjes do të dënohen deri në 500 euro dhe marrje të patentës për një vit.

    Gjoba pothuajse të njëjta do të marrin edhe ata që bëjnë gara me makina dhe ata që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar.

  • Përfshihet nga zjarri nënstacioni i KOSTT-it “Prishtina 3”

    Përfshihet nga zjarri nënstacioni i KOSTT-it “Prishtina 3”

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Nënstacioni i Operatorit të Transmisionit dhe Tregut “Prishtina 3” u përfshi nga zjarri, në mëngjesin e së mërkurës. Flakët u nisën nga bodrumi, por i dëmtuan edhe katet e sipërme të ndërtesës.

    Megjithatë, nuk pati të lënduar.

    Krahas vështirësive në intervenim, zjarri u fik.

    “Reagimi ka qenë i shpejtë, mirëpo problemi është se zjarri i cili ka ndodhur këtu është bukur problematik për faktin se gjendet në pjesën e poshtme në podrum dhe është i mbuluar sipër me pllaka”, tha Malë Gashi, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës.

    Për shkak të kësaj, disa pjesë të kryeqytetit mbetën pa rrymë që nga mëngjesi.

    “Nga KEDS-i kanë njoftuar se intervenimi për rregullimin e problemit është i pamundur, ngase institucionet relevante janë duke bërë vlerësimin”, tha Lulzim Fushtica nga drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës.

    “Njoftojmë konsumatorët se pas zjarrit në Nënstacionin Prishtina 3 të KOSTT, që furnizon kryesisht qendrën e qytetit të Prishtinës, se ekipet e KEDS-it, edhe pse në gatishmëri, për momentin e kanë të pamundur për të intervenuar, meqenëse aty gjenden institucionet relevante shtetërore duke bërë vlerësimin e gjendjes dhe verifikimet e nevojshme”, ka thënë zëdhënësi i KEDS-it.

    Shkaqet që çuan deri te shpërthimi i zjarrit në Nënstacionin Prishtina 3, ende nuk dihen.

  • Një vit nga nisja e gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Një vit nga nisja e gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në orën 10:00 të 3 prillit 2023, nisi gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së, të cilët nga banka e të akuzuarve u deklaruan të pafajshëm.

    Jashtë mureve të Speciales, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi morën mbështetje nga bashkatdhetarë.

    Nga ajo kohë, përballë të akuzuarve për krime lufte u dhanë dhjetëra dëshmi.

    “Kanë dëshmuar më shumë se 50 dëshmitarë. Tani numri është 140”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

    Sipas monitoruesve, procesi nuk shkoi sipas afateve kohore.

    “Mund të flasim për mosplanifikim. ZPS-ja dhe mbrojtja nuk i kanë planifikuar mirë dëshmitë. Kjo mund të ndikojë në zvarritje të procesit”, tha Astrit Kolaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    “Me këtë ritëm, atëherë prokurorisë do t’i duhet së paku edhe 2 vjet për t’i dëgjuar dëshmitarët”, tha Amer Alija.

    Përveç vonesave, Instituti i Kosovës për Drejtësi e Fondi për të Drejtën Humanitare kanë identifikuar edhe disa probleme të tjera.

    “Kemi raste kur dëshmitarët kanë folur shqip dhe ndonjë fjalë nuk është përkthyer”, tha Astrit Kolaj.

    “Më shumë se 55 për qind e dëshmitarëve kanë dhënë dëshmi në seanca të mbyllura. Sigurisht redaktimi i tepërt ndikon te opinioni publik, sepse qytetarët nuk kanë qasje”, tha Amer Alija.

    Në muajin nëntor, krerëve të UÇK-së iu kufizuan vizitat e telefonatat.

    “Vizitat nuk janë ndalu komplet. Janë kufizuar. Të akuzuarve do t’u mundësohet vizita e personave të tretë, por me mbikëqyrje strikte, për shkak të ruajtjes së dëshmitarëve”, tha Alija.

    Derisa vazhdonin dëshmitë, zyrtarë të dhomave të specializuara gjatë vitit kryen bastisje për të siguruar edhe të tjera prova.

    “Konsideroj se ZPS duhet të jetë më transparente. Kuptohet pa ndikuar në proces” tha Astrit Kolaj.

    Në fillim të vitit 2024, Ministria e Drejtësisë kishte kufizuar pagesat për mbrojtjet e të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara.

    Ndërsa, më 14 shkurt, Thaçi mbeti pa avokatin Gregory Khoe, i cili ishte i angazhuar privatisht. Juristi i cili u tërhoq nga mbrojtja për shkak se familja e ish-presidentit nuk pati më mundësi financiare ta paguante.

  • Zyrtarë të AAPSK-së në vilën e Radojiçiq, nisin identifikimin e pasurisë së sekuestruar

    Zyrtarë të AAPSK-së në vilën e Radojiçiq, nisin identifikimin e pasurisë së sekuestruar

    Përgatiti: Nora Luta

    Në përcjellje të policisë, të mërkurën në vilën e sekuestruar të Milan Radojiçiqit në veri erdhën zyrtarë të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar.

    Ata u kujdesën të ekzekutojnë vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila ka nxjerrë urdhër ndalues përfundimtar.

    Për më shumë se dy orë, zyrtarët e AAPSK-në kryen matjet gjeodezike dhe kontrollet e tjera të nevojshme në vilen që ndodhet buzë liqenit të Ujmanit.

    Gjykata ka nxjerrë urdhrin pas kërkesës së prokurorit, i cili do të mbetet në fuqi deri në ndryshimin apo shfuqizimin e tij nga ndonjë urdhër tjetër i gjykatës.

    Vendimin e gjykatës së shkallës së parë e ka vërtetuar edhe Apeli, e cila ka refuzuar ankesën e mbrojtjes së Radojiçiqit.

    “Neni 265 që flet për urdhrin ndalues përfundimtar, paragrafi 5 i Kodit të Procedurës Penale thotë se ndalohet ndërmarrja e çfarëdo veprimi lidhur me pasurinë e specifikuar në urdhër” thuhet në Vendim.

    Ndërkohë vilën do të vazhdojë ta sigurojë Njësia Speciale e Kosovës për Reagim të shpejtë.

    Për nisjen e zbatimit të urdhrit të Gjykatës, lidhur me pasuritë e paluajtshme në rastin Banjska, e ka konfirmuar për ATV zv.drejtori i përgjithshëm i Agjencisë, Enver Krasniqi.

    “Ju informojmë se sot zyrtaret e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë se sekuestruar dhe të konfiskuar – AAPSK kanë filluar ekzekutimin e Urdhrit Ndalues përfundimtare me masë të përkohshëm për administrimin e pasurisë se specifikuar tek Administruesi i Pasurisë të nxjerre nga Gjykata Themelore – Departamenti Special në Prishtine, të Vërtetuar me Aktvendim nga Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special. Agjencia ka filluar evidentimin e pasurive të përshkruara në Urdhrin e lartcekur ndër to edhe Vila tek Ujmani në Zubin Potok me objekte përcjellëse, ne pajtim me Ligjin për Administrimin e Pasurisë se Sekuestruar dhe te Konfiskuar dhe Urdhrin e Gjykatës”, tha Krasniqi.

    Ndërsa pasdite në rrjete sociale njoftoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Kolegu i Haxhiut, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, disa javë pas sekuestrimit të vilës milionëshe, pati thënë se ajo do të jetë në shfrytëzim të Policisë.

  • Sulmi në Banjska, nis zbatimi i urdhrit ndalues për pasurinë e Radoiçiqit në veri

    Sulmi në Banjska, nis zbatimi i urdhrit ndalues për pasurinë e Radoiçiqit në veri

    Ministria e Drejtësisë, përmes Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, kanë nisur zbatimin e urdhrit ndalues përfundimtar me masë të përkohshme, lidhur me pasuritë e paluajtshme në rastin Banjska më 24 shtator të vitit të kaluar.

    Agjencia ka filluar identifikimin e pasurive të përmendura në urdhrin në fjalë, duke përfshirë edhe vilën e cila konsiderohej të ketë qenë e kryekriminelit, Milan Radojiçiq te Liqeni i Ujmanit në Zubin Potok dhe pasuritë e tjera, në përputhje me Ligjin për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, si dhe me urdhrin e gjykatës, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

    Milan Radoiçiq publikisht ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë. Ai ndodhet në Serbi dhe endet i lirë, ndërsa po kërkohet edhe nga Interpoli.

  • ​Votimi në veri, KQZ zgjat afatin për aplikim për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës

    ​Votimi në veri, KQZ zgjat afatin për aplikim për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori sot vendim për zgjatjen e afatit për aplikim për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut që do të mbahet më 21 prill 2024.

    Ky afat, që sipas planit të aktiviteteve ishte paraparë të përfundonte më 3 prill, sipas vendimit të KQZ-së është shtyrë deri më 5 prill 2024. Sipas KQZ-së, ky vendim ka për qëllim t’i ofrojë më shumë kohë shtetasve të Kosovës me të drejtë vote dhe që janë të interesuar të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

    Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj tha se deri më 2 prill kanë pranuar vetëm dy kërkesa për regjistrim përmes platformës elektronike.

    “Kjo është për të gjithë shtetasit që jetojnë jashtë Kosovës dhe kanë mundësi të regjistrohen përmes platformës elektronike apo të planifikojnë përmes postës. Nga shërbimi votues raportohet se deri më datën 2 prill përmes platformës elektronike kemi pranuar vetëm dy kërkesa për regjistrim”, tha ai.

    Në anën tjetër, KQZ-ja mori vendim edhe për miratimin e përmbajtjes së fletëvotimi dhe pyetjes që do t’u parashtrohet votuesve me 21 prill në fletëvotim.

    “Miratohet fletëvotimi i tretë me pyetjen: A pajtoheni që emri-mbiemri i kryetarit të Komunës të largohet nga funksioni i kryetarit të komunës. Njëjtë do të jetë edhe në gjuhën serbe, ndërsa pjesa për të votuar do të jetë me po ose jo”, tha kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

  • ​Zulfaj i reagon Petkoviqit pas fyerjeve ndaj Lulzim Hetemit

    ​Zulfaj i reagon Petkoviqit pas fyerjeve ndaj Lulzim Hetemit

    Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka reaguar pasi kryengociatori serb Petar Petkoviq sot iu referua një kryetari të komunës së Kosovës si “Gauleiter”, “udhëheqës rajonal i Partisë Naziste”.

    Ai në një postim në rrjetin X e ka quajtur fyese dhe thellësisht injorante të krahasosh një kryetar komune të Kosovës, të zgjedhur në zgjedhjet demokratike të njohura nga QUINT, me një udhëheqës rajonal të epokës naziste.

    “Ky krahasim nuk është thjesht një sharje; pasqyron gjithashtu paturpësinë e Petkoviqit dhe zbulon mentalitetin e tij. Nuk është për t’u habitur, duke pasur parasysh se ai është anëtar i një partie politike, lideri i së cilës shërbeu si ministër i propagandës gjatë regjimit të Millosheviqit, i cili kreu gjenocid dhe spastrim etnik në Bosnje dhe Kosovë,” ka shkruar ai.

    Petkoviq sot reagoi ndaj vizitës së sotme të kryeministrit Albin Kurti në veri, duke thënë se “nuk ka çfarë të kërkojë në veri, pasi nuk është i mirëpritur”.

    “Ai shkoi në ndërtesën e komunës, ku e priste “Gauleiteri” dhe kryetari “i rrejshëm” i komunës,”, tha ai duke iu referuar kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

  • ​MF: Kujdes nga mashtrimet, pensionistëve iu kërkohen dokumente nga persona të dyshimtë

    ​MF: Kujdes nga mashtrimet, pensionistëve iu kërkohen dokumente nga persona të dyshimtë

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka dalë me një reagim për media pasi ditëve të fundit persona të papërgjegjshëm janë duke kërkuar dokumentacion dhe autorizim nga pensionistët, me premtimin se do t’u sigurojnë përfitimin e shumave të caktuara monetare.

    Në reagim thuhet se informatat e qarkulluara nuk janë të sakta dhe konsistojnë në informatë të rremë me tendencë të mashtrimit të pensionistëve, të cilët po frekuentojnë zyrat e pensioneve, me kërkesa për vërtetime apo vendime që dëshmojnë se të njëjtit janë përfitues të pensioneve.

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve fton qytetarët të kenë kujdes nga informatat e rreme që po qarkullojnë këto ditë që për theks kanë keqinformimin e përfituesve të skemave pensionale në Kosovë. Po ashtu, fton përfituesit e skemave pensionale të kenë kujdes lidhur me dokumentacionin dhe autorizimin e bërë tek palët e treta, meqë mund të cenohet privatësia e të dhënave të tyre.

    Po ashtu, lidhur me skemat pensionale dhe përcaktimin e shumës së pensioneve, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, kërkon nga të gjithë përfituesit e skemave pensionale që të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare të MFPT-së dhe Qeverisë së Kosovës, ndërsa të kursehen nga njoftimet dhe shërbimet tjera jo zyrtare, të cilat mund të bëhen për interesa private të personave të caktuar.

    “Ne do të sigurohemi që të shpërndajmë në kohë të gjitha informacionet e sakta lidhur me pensionet dhe çështjet me interes për pensionistët. Andaj, ju lutem që t’i referoheni njoftimeve të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve si kanali i vetëm zyrtar në lidhje me këtë fushë”, përfundon reagimi.