ATV

Category: Lajme

  • Të miturit në Prishtinë i gjendet arma në çantë

    Të miturit në Prishtinë i gjendet arma në çantë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se dje gjatë ditës ka arrestuar dy të mitur në rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë.

    Sipas PK-së, gjatë kontrollimit tek njeri nga të dyshuarit është gjetur një armë, dhe ky i fundit ka deklaruar se e kishe marrë nga një tjetër i dyshuar me qëllim që të bëjë disa fotografi me të.

    “Rr. Bajram Kelmendi, Prishtinë 05.04.2024 – 12:10. Janë arrestuar dy të dyshuar të mitur meshkuj kosovarë, pasi që gjatë kontrollit në çantën e njërit prej tyre i është gjetur dhe sekuestruar një armë-pistoletë me gaz. Gjatë intervistimit i dyshuari ka deklaruar se arma nuk ishte e tij, por e kishte marrë nga i dyshuari tjetër me qëllim që të bëjë disa fotografi me të. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.” – thuhet në njoftimin e PK-së.

  • Opozita e kërkon formimin e Komisionit Hetimor për kontrata një burimore: Ka dyshim të madh për korrupsion

    Opozita e kërkon formimin e Komisionit Hetimor për kontrata një burimore: Ka dyshim të madh për korrupsion

    Dy partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, LDK e PDK, kanë thënë se duke marr parasysh numrin e madh të kontratave një burimore të nënshkruar nga qeveria, është e domosdoshme formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për ti hetuar këto kontrata, raporton Ekonomia Online.

    Nga këto parti janë shprehur se mos përkrahje e rezolutës në Kuvend, ku parashihej edhe formimi i këtij Komisioni, tregon se partia në pushtet ka diçka për të fshehur. Ndërkaq përfaqësuese të bizneseve kanë thënë se numri i madh i këtyre kontratave e dëmton buxhetin dhe konkurrencën e drejtë.

    Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hykmetet Bajrami, ka thënë se mos përkrahja e Komisionit Hetimor nga ana e VV-së tregon që qeveri po frikësohet dhe sipas saj kjo është edhe një indikacion shtesë për Prokurorin e Shtetit që të filloj hetimin mbi këto kontrata.

    “Mospërkrahja përfundimisht tregon që Lëvizja Vetëvendosje dhe qeveria tyre në pushtet kanë diçka për të fshehur, fillimisht ikja nga debati në kohën kur kishim debat për kontratat sekrete apo të negociume pa publikim të njoftimit për kontrata. E  dyta në seancën tjetër kur kërkuam meqenëse edhe rezoluta u pamundësua votimi i saj, ku na në rezolutë kishim njëra nga kërkesat e rezolutës ishte që të formohej një Komision Hetimor Parlamentar për të parë me të gjitha organizatat buxhetore se cilat kanë qenë arsyet për nënshkrimin e një numri jashtëzakonisht të madh të kontratave të negociume”.

    “Mos përkrahja gjithashtu e Komisionit Hetimorë që është në fakt i vetmi element, është instrumenti i vetëm të cilën opozita e ka si element demokratik për të implementim mbikëqyrjen e qeverisë, mbikëqyrjen parlamentare të qeverisë. Kjo tregon që ata më të vërtete po frikësohen dhe kanë arsyeje domethënë, dëshirojnë që këto çështje të mos trajtohen në Kuvend edhe kjo konsideroj që është një indikacion shtesë për Prokurorin e Shtetit në mënyrë që sa më parë të hy në hetim të këtyre kontratave”, ka thënë ajo.

    Ajo ka thënë se opozita e ka edhe një opsion për formimin e këtij Komisioni, kështu duke mbledhur 40 nënshkrime të deputetëve.

    Deputetja e LDK-së ka shtuar se shuma e këtyre kontratave është mbi 200 milion euro dhe janë mbi 780 kontrata të nivelit qendror.

    “Ne natyrisht e kemi edhe një opsion tjetër dhe ai mbetet themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentare përmes mbledhjes 40 nënshkrimeve. Jam e sigurte që së shpejti do të procedojmë edhe me atë mirëpo si asnjëherë më parë në historinë  e Kuvendit të Kosovës ne kemi një si të themi, një sabotim të punës së Komisioneve Hetimore. Siç kemi pa nga lista e kontratave të shumta në vlerë prej 209 milionë euro dhe 781 kontrata të nivelit qendror. Ka raste kur ka kontrata milionëshe që janë negociuar me një palë ose janë negociuar maksimumi me dy palë, domethënë fillimisht bëhen kontrata me njohje dhe kjo është shkelje e ligjit. E dyta shërbimin që e merr pa publikim të njoftimit për kontrata për shkak të mungesës së konkurrencës në mes të operatorëve ekonomik organizata buxhetore paguan shumë më shtrenjte”, ka thënë ajo.

    Anëtari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hajdar Beqa, ka thënë se janë qindra-miliona euro që kjo qeveri ka lidhur me këto kontrata një burimore dhe sipas tij, si opozitë e kanë parë që është e nevojshme që të krijohet ky Komision Hetimor.

    “Në rrethanat të cilat janë krijuar në Kosovë e në veçanti në menaxhimin e parasë publike përmes kontratave një burimore dhe aneks kontratave ne kemi parë që kemi me qindra milion, që janë lidhur përmes kontratave një burimore. Atëherë ne e kemi parë si opozitë që është domosdoshmëri ta krijojmë një Komision Hetimor bazuar në ligjin për hetim parlamentar dhe në rregulloren e Kuvendit dhe nuk ka pasur një precedent të tillë në të kaluarën që mazhoranca t’i pengoj themelimet e Komisioneve. Mendoj që është domosdoshmëri nëse ne jemi për transparenca edhe qytetarët tanë me ditë si po menaxhohet apo si po shfrytëzohet paraja publike apo djersa e tyre, mendoj që Komisioni Hetimorë është domosdoshmëri”, ka thënë ai.

    Deputeti i PDK-së ka theksuar se mazhoranca duhet që ti hap rrugë krijimit të Komisionit, pasi sipas tij, kjo nuk ndodh ata janë duke fshehur “hajnin”.

    “Nuk e di pse po fshihet ndaj kësaj, ne kur flasim për kontrata a një burimore është alarmante numri i tyre, është alarmante vlera të cilat po lidhen kontrata. Nëse përkthejmë pak më thjesht që me kuptuar qytetar e Kosovës se çka nënë kuptojmë me kontrata një burimore, i bjenë që në këtë rast një ministri përkatëse apo një agjenci përkatëse, ndonjë ndërmarrje publike përkatëse e thirr një kompani, që e njeh në këtë rast edhe bënë pazare në katër sy sa kushton një punë. Duhet që të reflektoj mazhoranca që sa më shpejt të krijohet Komisioni Hetimor dhe këto kontrata një burimore të dalin në pah sepse nuk e di pse ka nevoje qeveria aktuale të fshehë keqpërdorime e buxhetit. Nëse fshehët ndaj kësaj normale është që po e amniston hajninë”, ka thënë ai.

    Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dereshaj, ka thënë se me nënshkrimin e një numri aq të lartë të këtyre kontratave i bëhet pa drejtësi konkurrencës e po ashtu i dëmton edhe kompanitë të cilat janë serioze.

    “Vetë fakti që Kushtetua e Kosovës e ndalon monopolin në Kosovë dhe vetë fakti që legjislacioni në fuqi e ka paraparë shumë qartë se cilat duhet të jenë kontrata një burimore dhe ato kontrata janë të cilat e rrezikojnë sigurinë e vendit dhe duhet të jenë konfidenciale. Kështu që këto të tjerat të cilat janë të nënshkruara ose vazhdojnë të nënshkruhen, mendoj që edhe organet kompetente do ta jepni fjalën e vete. Sa i përket aspekti të zhvillimit ekonomik dhe bizneseve unë mund të them që i bëhet pa drejtësi konkurrencës e mbi të gjitha po dëmtohen kompanitë të cilat janë serioze sepse nuk dëshirojnë të kenë fare komunikim politik, por dëshirojnë që të jenë korrekt dhe strikt. Kështu që kjo i behet pa drejtësi të gjitha kompanive të tjera të cilat nuk kanë lidhje me qeverinë, kjo nuk i bënë ndere as qeverisë as vendit, as zhvillimit ekonomik dhe as bizneseve”, ka thënë ai.

  • Arrestohet një person në Ferizaj, sulmoi fizikisht bashkëshorten e tij

    Arrestohet një person në Ferizaj, sulmoi fizikisht bashkëshorten e tij

    Është arrestuar një burrë dje në Ferizaj pasi që ai dyshohet se ka shkaktuar dhunë në familje.

    Policia njoftoi se i dyshuari pas një mosmarrëveshje e ka sulmuar fizikisht  bashkëshorten e tij.

    “Pas intervistimit me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin policor.

     

  • ShBA-ja në gjendje të lartë gatishmërie pas kërcënimit të Iranit drejtuar Izraelit

    ShBA-ja në gjendje të lartë gatishmërie pas kërcënimit të Iranit drejtuar Izraelit

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në gjendje të lartë gatishmërie dhe po përgatiten për një sulm të mundshëm nga Irani ndaj interesave izraelite apo amerikane në rajon, si përgjigje ndaj sulmit ajror të Izraelit tek ambasada iraniane në Siri.

    Kështu ka deklaruar të premten një zyrtar amerikan, duke konfirmuar një njoftim të bërë fillimisht në kanalin televiziv CNN, se sulmi mund të ndodhë gjatë javës që vjen.

    “Jemi pa dyshim në një gjendje të lartë vigjilence”, tha ai.

    Siç raportohet, mendohet se ishin avionët izraelitë që sulmuan ambasadën iraniane në Damask të hënën, duke shënuar kështu një përshkallëzim të rëndësishëm të konfliktit.

    Presidenti amerikan Joe Biden e diskutoi këtë çështje gjatë një telefonate të enjten me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

    “Ekipet tona mbajnë kontakte të rregullta dhe të vazhdueshme që nga ai moment. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht mbrojtjen e Izraelit nga rreziqet nga Irani”, tha një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Biden.

    Ndërkaq, komandanti i Gardës së fuqishme Revolucionare të Iranit paralajmëroi të premten se “burrat tanë guximtarë do ta ndëshkojnë regjimin zionist”, duke përshkallëzuar kështu kërcënimet ndaj Izraelit pas sulmit ajror që vrau më herët këtë javë shtatë zyrtarë të lartë të gardës, ndër ta edhe dy gjeneralë.

    Sulmi, për autorësinë e të cilit mendohet gjerësisht se ka përgjegjësi Izraeli, shkatërroi një seksion konsullor të ambasadës iraniane në Siri. Sulmi ndaj një kompleksi diplomatik iranian ishte një përshkallëzim domethënës i asaj që ka qenë një luftë e gjatë në prapaskenë mes dy vendeve armike dhe Izraeli është përgatitur për një kundërpërgjigje.

  • Rekordi i akrobatëve, dy vëllezërit shqiptarë hyjnë në Librin e Rekordeve Guinness

    Rekordi i akrobatëve, dy vëllezërit shqiptarë hyjnë në Librin e Rekordeve Guinness

    Artan dhe Arnold Balla janë dy vëllezërit shqiptarë që kanë pasion akrobacinë. Ata morën pjesë në talent show-n e njohur në të gjithë botën “America’s Got Talent” dhe falë një performance të jashtëzakonshme morën duartrokitjet e publikut të gjerë dhe tre “PO” nga juria.

    Epo duket se sukseset e tyre nuk kanë ndaluar aty. Dy vëllezërit shqiptarë, kanë bërë histori duke vendosur një rekord botëror për kohën më të gjatë të qëndrimit në ekuilibër me sy të mbyllur, në një cilindër.

    Për këtë ata janë certifikuar nga “Guinness World Records”.

    Rekordi u vendos në Times Square në NeW York, ku morën vëmendjen e të gjithëve! Arnold dhe Artan Balla regjistruar rekordin 61,95 sekonda.

  • Moti sot me diell, dhe vranësira të pakta gjatë ditës

    Moti sot me diell, dhe vranësira të pakta gjatë ditës

    Moti sot parashihet të jetë i ngrohtë, i karakterizuar me diell dhe vranësira të pakta gjatë ditës.

    Era do fryjë drejtimesh të ndryshme por më dominues do të jetë nga veriperëndimi, me shpejtësi prej 10-28 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 6 deri në 9°C, ndërsa ato maksimale prej 23 deri në 26°C, njofton Meteo Kosova.

  • Sejdiu: 30 mjekë në procedurë për largim nga Kosova, disa veçse kanë ikur

    Sejdiu: 30 mjekë në procedurë për largim nga Kosova, disa veçse kanë ikur

    Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu thotë se në tre muajt e parë të këtij viti janë larguar nga Kosova 30 mjekë. Sejdiu për Ekonomia Online thotë se nga ky numër, disa veçse janë larguar e disa janë në proces të kompletimit të dokumentacionit për t’u larguar nga Kosova.

    E krahas ikjes së mjekëve, në Kosovë ekziston një numër i madh i mjekëve të papunë, që aktualisht shkon në mbi 400.

    Sejdiu thotë se institucionet përgjegjëse që nuk po ndërmarrin masa për ta ndalur ikjen e profesionistëve shëndetësor, teksa kritika ka edhe “për punësim të joprofesionistëve”.

    “Si fenomen është duke vazhduar me trendin e njëjtë një trajektore e cila tash e sa vite është e njëjtë me rënie dhe ngritje periodike. Për këtë tre mujor kemi 30 kolegë të rinj të cilët vetëm se kanë plotësuar dokumentacionin dhe janë në proces apo disa prej tyre vetëm se janë larguar e që neve na bën me dije se asgjë nuk ka ndryshuar gjatë kësaj kohe që mundohemi t’i ndalim pra nuk ka pas efekt nëse mund të them se është marrë ndonjë masë atraktive për me e ndal ose zvogëlua këtë trajektore apo numrin e largimit”, u shpreh Sejdiu.

    Por krahas ikjes së mjekëve sipas Sejdiut në Kosovë figurojnë edhe mbi 400 mjekë të papunë. E për këtë Sejdiu kërkon që Ministria e Shëndetësisë e komunat të krijojnë strategji për punësimin e tyre.

    “Me raportin e vitit 2023 do të thotë me 1 janar do të thotë të verifikuar përmes listave të pagave buxhetit të Kosovës dhe të ATK-së përfitimeve që i sjellin prej ATK-së janë të vetëdeklaruar 441 mjekë të papunë që është një numër shumë i madh… është shumë e vërtetë që disa komuna të vogla me qenë më pak atraktive kanë probleme për më i tërheq ata por nënkuptohet për shembull, Obliqi, Fushë-Kosova që janë para lagjes së Prishtinës janë të pakuptueshme kështu që unë mendoj se ka ardhur koha dhe është momenti i fundit që Ministria e Shëndetësisë dhe komunat në këtë rast të bëjnë një strategji të përbashkët se si të ia bëjnë  për funksionimin e këtyre të rinjve sepse duhet ditur se një mjek i cili për tri, katër vite është i papunë pret punë nuk ushtron profesionin ai është mund të them se 50 për qind e njohurive të tij apo e procesit mësimor është e barabartë me zero”, deklaroi Sejdiu.

    Shkak i kësaj gjendje, Sejdiu ka kritikuar edhe nivelin qendror dhe lokal për shkak se “punësimet janë keqpërdorur”.

    “Ministria e Financave jo vetëm tani por edhe në të kaluarën çdoherë e ka dokumentuar se kanë dhënë vende pune të reja për mjek në komuna po ata kryetarët e komunave të cilët janë ata përgjegjës kanë punësuar të tjerë jo mjek, jo punëtorë shëndetësor dhe ato vende janë keqpërdorur dhe tani rreziku vjen faza e dytë është që është më problematike është niveli sekondar i spitaleve i cili unë besoj se vetëm kanë filluar të kenë probleme për shkak të mungesës së specializimeve për një kohë dhe specializime pa kriter të cilat nuk janë dhënë për nevoja reale të këtyre spitaleve rajonale”, thotë Sejdiu.

    “Duhet shtuar këtu çdoherë një sistem i dështuar i dhënies së specializimeve dhe tani kemi mungesa atje kemi një mbingarkesë në Prishtinë në disa larmi dhe kjo bën të pamundur edhe mungesa e një kornize ligjore obligative për këta të rinj që shkollohen nga shteti në këtë rast sepse këto që marrin këta nuk janë paga janë mbështetje financiare për shkollimin specialistik dhe nuk ka një kornizë ligjorë që i obligon të kthehen atje ku janë shkolluar”, u shpreh Sejdiu.

  • Kompensimi për faturat e fryra për veriun, nga qershori 2024 deri në shkurt 2030

    Kompensimi për faturat e fryra për veriun, nga qershori 2024 deri në shkurt 2030

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Konsumatorët e dëmtuar nga faturat e fryra të energjisë elektrike në periudhën Shkurt 2012 – Tetor 2017, si mbulesë për veriun, do të kompensohen çdo muaj, në shpërndarje të njëjtë kohore, nga Qershori 2024 deri në Shkurt të vitit 2030.

    Në zbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Zyra e Rregullatorit për Energji vendosi që shërbimet e shpërndarjes së energjisë elektrike, përkatësisht KEDS, të kryejë kompensimin në vlerë totale 40.8 milionë euro.

    Përfitues nga ky vendim do të jenë vetëm konsumatorët që, sipas data-bazës, vërtetohet se janë dëmtuar gjatë periudhës në fjalë.

    “OBLIGOHEN – Shërbimet e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS), që kompensimi konsumatorëve sipas dispozitivit nën pikën ll të këtij Vendimi, të bëhet duke zbritur faturat në baza mujore në vlerën përkatëse, për periudhën nga 01 qershor 2024 – 28 shkurt 2030”, thuhet në vendimin e ZRRE-së.

    Në bashkëpunim me furnizuesin e licencuar, KEDS-i është i obliguar që, në faturë, të evidentojë vlerën e kompensimit ndaras nga shpenzimet e rregullta mujore.

    Ndonëse në periudhën Shkurt 2012 – Tetor 2017, për disa muaj, shpërndarës kanë qenë edhe KEK-u dhe KOSTT-i, vendimi i Gjykatës obligon KEDS-in të kryejë kompensimin si operator i licencuar i shpërndarjes më 2013, pas privatizimit të këtij shërbimi.

    Konsumatorët nga 34 komunat, për pesë vjet e tetë muaj, u përballën me fatura të fryra për të mbuluar humbjet, si pasojë e mospagesës së energjisë elektrike në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

  • Në komunat verore nuk nis regjistrimi i popullsisë

    Në komunat verore nuk nis regjistrimi i popullsisë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Të premten kur planifikohej të niste regjistrimi popullsisë, rrugëve të Mitrovicës së Veriut gjëkundi nuk u panë zyrtarët që janë angazhuar që ta kryejnë këtë proces.

    Regjistruesit nga komuniteti serb u tërhoqën në momentet e fundit, ngjashëm siç ndodhi edhe në Zubin-Potok e Zveçan, andaj trajnimi i zëvendësuesve, do ta zvarrisë procesin të paktën për disa ditë.

    “Kemi pasur regjistrues mjaftueshëm, por disa janë tërhequr për shkak të trysnisë. Kemi gjetur prapë regjistrues. Të hënën do të fillojë trajnimi dhe besoj se do jenë të gatshëm”, tha drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave, Avni Kastrati.

    Për shkak të tërheqjes së zyrtarëve regjistrues, qytetarëve iu pamundësua edhe informimi.

    Sidoqoftë, drejtori i Agjencisë së Statistikave bëri thirrje për pjesëmarrje, sepse s’do kenë mundësi të dytë siç kishin kërkuar pas bojkotit të vitit 2011.
    “Në vitin 2011 ata refuzuan, por 3 vite më pas i kërkuan BE-së që të regjistrohen. Ne nuk pranuam. Andaj iu bëj thirrje tash që të regjistrohen”, tha Kastrati.

    Mirëpo, pavarësisht zëvendësimit të zyrtarëve dhe thirrjes së kryeshefit të ASK-së, sipas shoqërisë civile, në komunat në veri do të ketë vështirësi të realizohet ky proces.

    “Për procesin e regjistrimit nuk kishte kampanjë njoftuese. Vlerësoj se pak nga qytetarët dinë për këtë proces – kur fillon e kur përfundon. Këtu nuk kishte po ashtu ndonjë sinjal nga Beogradi zyrtar nëse e mbështet regjistrimin apo jo. Krahas kësaj, në ditët e fundit Lista Serbe bëri thirrje për bojkot”, tha Aleksandar Sljuka, anëtar i Shoqërisë Civile.

    Në mëngjesin e së premtes, Lista Serbe u bëri thirrje qytetarëve të komunitetit serb që ta bojkotojnë procesin e regjistrimit.

    Në vitin 2011, qytetarët serbë me kërkesë të Beogradit kishin bojkotuar procesin e regjistrimit të popullsisë.

  • Një depo e pajisjeve mjekësore bëhet shkrumb e hi

    Një depo e pajisjeve mjekësore bëhet shkrumb e hi

    Përgatiti: Sara Shehu

    Një depo e pajisjeve mjekësore, në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, është përfshirë nga zjarri në mëngjesin e së premtes.

    Depoja e cila është e ndarë në tri objekte dhe sipas të dhënave të para besohet se zjarri ka shpërthyer në objektin që gjendet në mes.

    Për të lokalizuar zjarrin në vendin e ngjarjes arritën edhe zjarrfikësit.

    Por gjasat për ta shpëtuar objektin, sipas Komandantit të Brigadës së zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, ishin të vogla. Madje, ai shprehu shqetësimin, se si kompanitë e mëdha nuk kanë masa mbrojtëse kundër zjarrit.

    Nga ky incident, nuk është lënduar askush, por dëmet materiale vlerësohet të jenë të mëdha.

    Shkaktarët e incidentit të zjarrit ende nuk dihen, ndërkaq hetimet po vazhdojnë.