ATV

Category: Lajme

  • Bojkotuesit e regjistrimit të popullsisë ‘ndiqen’ nga Inspektorët

    Bojkotuesit e regjistrimit të popullsisë ‘ndiqen’ nga Inspektorët

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Vetëm tri herë një zyrtar i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, e viziton të njëjtën adresë.

    Nëse në të gjitha rastet përgjigja është negative e qytetari refuzon të regjistrohet, zyrtari i agjencisë së statistikave, krejt çka mund të bëjë është njoftimi i organeve tjera.

    Me kaq përfundon edhe përgjegjësia e ASK-së.

    Gjobat që nisin nga 30 euro e deri 2 mijë euro, ndaj qytetarëve që bojkotojnë këtë proces, sipas juristëve do të shqiptohen nga inspektorët e Zyrës së Përgjithshme, meqë ASK-ja që nga viti 2022 është nën mbikqyrjen zyrës së Kryeministrit.

    Mirëpo sipas Smakiqit, qëllimi nuk duhet të jetë tek shqiptimi i gjobave, sepse nëse numri do të jetë i lartëatëhere ky proces mund të vlerësohet i pasukseshëm.

    Vështërsi për këtë proces sheh tek komunat në veri, pasi që banorët atje i binden partisë Lista Serbe.

    Të premten, regjistruesit ne veri u tërhoqën nga ky proces, por sipas ASK-së, ata janë zëvendësuar menjëherë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Zyra e Inspektorit të përgjithshëm, në fazë të konsolidimit

    Zyra e Inspektorit të përgjithshëm, në fazë të konsolidimit

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Vula dhe stema e Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm u miratuan në mbledhjen e fundit të Qeverisë.

    Por, kryeinspektori i kësaj agjencie ekzekutive që do të funksionojë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, nuk është zgjedhur ende, edhe pse ka kaluar gati një vit e gjysmë, nga miratimi i ligjit për Inspektimet.

    Derisa nga Qeveria konfirmojnë për televizionin se në vazhdën e konsolidimit ka nisur procesi i rekrutimit për pozita të tjera, ajo e Inspektorit të Përgjithshëm vazhdon të jetë me ushtrues detyre.

    “Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm (ZIP) ka ushtrues të detyrës së Inspektorit të Përgjithshëm që nga data 20.02.2023. Me vendim të kryeministrit, ushtruese e detyrës së Inspektorit të Përgjithshëm, është znj. Lyra Osmani. ZIP-i është në fazë të konsolidimit dhe së fundmi ka filluar edhe procesin e rekrutimit. Në kuadër të këtij procesi tashmë janë shpallur tri konkurset e para për ZIP: Zyrtar i lartë për Legjislacion, Zyrtar i lartë për Analizë dhe Metodologji dhe Zyrtar i Lartë Ekzekutiv”, u përgjigj zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

    Sipas përshkrimit të detyrës, Inspektori i Përgjithshëm do ta udhëheqë programin e reformës së inspektimit, duke koordinuar sistemin e inspektimeve brenda administratës shtetërore dhe nivelit komunal.

    Kthimi i Inspektorit të Përgjithshëm në Agjenci në kuadër të Kryeministrisë, si në kohën kur u miratua ligji, edhe tash kur është në fazë konsolidimi, po kritikohet nga opozita.

    Sipas pikës 4 të nenit 11 të Ligjit për Inspektimet, Qeveria mund të krijojë një komision ndërministror, të cilit Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm gjithashtu i raporton të paktën çdo gjashtë muaj./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Haradinaj përkulet para sakrificës së luftëtarëve të lirisë në Smolicë e Grabanicë

    Haradinaj përkulet para sakrificës së luftëtarëve të lirisë në Smolicë e Grabanicë

    Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj mori sot pjesë në homazhe në nderim të luftëtarëve të rënë për liri në Smolicë të Gjakovës dhe në një akami përkujtimore në Grabanicë të Klinës.

    Ai ka thënë se përpjekjet shekullore të shqiptarëve për liri kanë njohur luftën për liri dhe heroizmin e pashembullt në secilën pëllëmbë të atdheut.

    “Sot në dy ngjarje të ndara, kam nderuar dhe jam përulur para sakrificës së luftëtarëve të lirisë. Në Smolicë të Gjakovës, kam marrë pjesë në përurimin e Lapidarit të të rënëve nga ky fshat, qendër e luftimeve të ashpra që nga fillimi i luftës. Lapidari i ngritur, përjetëson kujtimin për heronjtë: Agron Rama, Sejdi Rama, Naim Lataj, Florim Sejdiu, Sokol Nuzaj, Demush Lataj, Ali Demaj, Avdyl Hasanaj, Burim Hamza, Afrim Nuza dhe Musa Balija. Gjithashtu me homazhe në Grabanicë dhe akademi përkujtimore në Klinë, kemi nderuar jetën dhe veprën e bashkëluftëtarit Shaqir Krasniqi, epror i UÇK-së, që dora tradhtare e rrëmbeu para njëzet vjetësh. Përkujtimet e ngjarjeve dhe personazheve që e bënë historinë tonë kombëtare, përpos krenarisë, na motivojnë edhe më shumë për të ecur para, për ta bërë Atdheun vatër të ngrohtë, të sigurt e të zhvilluar, me mirëqenie për brezin tonë, e me të ardhme të ndritur për fëmijët tanë. Respekt të përjetshëm për të rënët. Heroizmi i tyre u trashëgoftë,” ka shkruar Haradinaj në Facebook.

  • Kurti përkujton shqiptarët e vrarë nga serbët në Reznik të Vushtrrisë

    Kurti përkujton shqiptarët e vrarë nga serbët në Reznik të Vushtrrisë

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar viktimat e vrara shqiptare nga dora e kriminelëve serbë gjatë luftës 25 vjet më parë në Reznik të Vushtrrisë.

    Gjatë luftës në vitet 1998-1999 shqiptarët nuk ishin të sigurt as në Reznik, e askund tjetër në Kosovë.

    Fshati Reznik i Vushtrrisë ishte bërë strehë për mijëra civilë shqiptar nga Drenica, të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre që granatoheshin nga ushtria e Serbisë.

    Kryeministri Kurti ka thënë se civilët e pambrojtur qëndronin në kushte të rënduara gjë që e dëshmoi edhe komisionarja e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Sadako Ogata gjatë vizitës në shtator 1998.

    “Kujtojmë sot civilët e vrarë në Reznik. Nuk e harrojmë asnjëherë dhembjen e qëndresën e popullit tonë. Më 6 prill 1999, katër njësi të forcave të armatosura të Serbisë hynë me dhunë në katër shtëpitë e vëllezërve Ujkani. Në kohë të njëjtë, vranë nëntë anëtarë të kësaj familje, e kështu vepruan më vonë edhe ndaj familjeve Mustafa, Makiqi dhe Bunjaku. Nuk i harrojmë të dashurit tonë që i humbëm në rrugën e vështirë deri te fitorja e çlirimi. Nderojmë përditë kujtimin për ta duke u angazhuar për forcimin e Republikës sonë. Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës,” ka shkruar Kurti në Facebook.

  • Krasniqi: PDK-ja më 2017 shpenzoi 3.3 milionë për libra, LV-ja vjet shpenzoi 17 milionë dhe atë për më pak nxënës

    Krasniqi: PDK-ja më 2017 shpenzoi 3.3 milionë për libra, LV-ja vjet shpenzoi 17 milionë dhe atë për më pak nxënës

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka akuzuar Qeverinë Kurti për korrupsion me librat shkollorë.

    Ai thotë se në kohën kur për herë të fundit partia e tij e ka drejtuar Ministrinë e Arsimit, më 2017-18, janë shpenzuar 3.3 milionë euro për librat e 247 mijë nxënësve.

    Ndërsa thotë se sivjet, kur Vetëvendosje e udhëheq Ministrinë e Arsimit, “janë shpenzuar rreth 12 milionë euro për libra – ndonëse nuk janë kompensuar librat e nxënësve të klasave 6-9”.

    Vitin e kaluar, në vitin shkollor 2022-23, ai thotë se qeveria shpenzoi rreth 17 milionë euro për librat e rreth 210 mijë nxënësve.

    “Pra, ndonëse janë rreth 40 mijë nxënës më pak, Qeveria e Vetëvendosjes ka shpenzuar rreth 9, respektivisht 14 milionë euro më shumë! Kësaj i vjen era korrupsion dhe keqpërdorim i madh në kurriz të nxënësve dhe prindërve të tyre”, tha Krasniqi.

    Prandaj, ai thotë se me nismën e partisë që e drejton, “pardje u themelua komisioni hetimor parlamentar për të zbardhur se çfarë ka ndodhur me këtë proces skandaloz të furnizimit të nxënësve me libra”.

  • Macroni pret të hënën Vuçiqin, Elysee: Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën jetik për anëtarësim në BE

    Macroni pret të hënën Vuçiqin, Elysee: Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën jetik për anëtarësim në BE

    Presidenti francez Emmanuel Macron do të presë të hënën në mbrëmje homologun e tij serb Alleksandar Vuçiq në Pallatin Elysee për të diskutuar mbi integrimin evropian të Serbisë dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njoftoi Presidenca franceze.

    Siç raporton agjencia franceze e lajmeve AFP, presidenti i Serbisë do të pritet në pallatin presidencial francez rreth orës 20:00, ku do të ketë një deklaratë të përbashkët për gazetarët, pas së cilës do të ketë një darkë për dy krerët e shtetit.

    Me këtë rast, Macron do të “riafirmojë angazhimin dhe mbështetjen e plotë për integrimin evropian të Serbisë” dhe se “normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është pjesë integrale e procesit të anëtarësimit në BE”, thuhet në njoftim.

    Siç shkruan AFP, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë acaruar që nga ndalimi i monedhës së dinarit serb në Kosovë në fillim të vitit.

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka njoftuar dje se do të ketë bisedime të rëndësishme me presidentin francez Emmanuel Macron më 8 prill në Paris. Ai tha se do të jetë një “bisedë strategjike me Macronin dhe një nga më të rëndësishmet deri më tani”, dhe se deri më tani ka pasur 19 biseda me të.

  • Kryeministri Kurti udhëton për në Bukuresht të Rumanisë

    Kryeministri Kurti udhëton për në Bukuresht të Rumanisë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, ku do të marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Partia Socialiste Evropiane (PES), në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet evropiane në qershor të këtij viti.

    Gjatë qëndrimit atje, kryeministri do të ketë takime me përfaqësues dhe liderë të partive të ndryshme simotra.

  • Ministri Maqedonci: Armatosja e Serbisë, kërcënim për rajonin – FSK-ja e gatshme për mbrojtje të vendit

    Ministri Maqedonci: Armatosja e Serbisë, kërcënim për rajonin – FSK-ja e gatshme për mbrojtje të vendit

    Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, lidhur me vendosjen e shumë njësive ushtarake të Serbisë pranë kufirit me Kosovën, thotë se “ne jemi gjithmonë të gatshëm, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka në gatishmëri njësitet e saja për çdo kërcënim dhe rrezik që paraqitet në vendin tonë”.

    Në një intervistë të dhënë për “Anadolu”, Maqedonci ka folur për tensionet e fundit me Serbinë, procesin e shndërrimit të FSK-së në ushtri, planet për t’u anëtarësuar në NATO, ndihmën e tyre ushtarake për Ukrainën dhe marrëdhëniet ushtarake Kosovë-Turqi.

    Maqedonci tha se vendosja e shumë njësive ushtarake të Serbisë afër kufirit me Kosovën paraqet rrezik, derisa theksoi se ushtria dhe xhandarmëria serbe kanë 48 baza operative në afërsi të kufirit me Kosovën.

    “Duke i shtuar kësaj militarizimin e ushtrisë dhe Serbisë në përgjithësi, ku vlen të theksohet blerja e sistemeve të ndryshme të armatimit nga Kina, Rusia, madje edhe Irani, e shohim këtë si një kërcënim të vazhdueshëm të sigurisë në Republikën e Kosovës por edhe në vendet e tjera përreth”, theksoi Maqedonci.

    Sipas ministrit kosovar, këto zhvillime bazohen në politikën hegjemoniste dhe agresive të qeverisë serbe ndaj Kosovës dhe fqinjëve të tjerë.

    “Kjo gjë thuhet haptas. Kemi pasur deklaratat e fundit të presidentit Vuçiq se Serbia pret një moment të favorshëm për të marrë veprime ushtarake kundër Kosovës, por kjo na jep të dimë se duhet t’i zhvillojmë kapacitetet tona dhe të ndërtojmë ushtrinë tonë jo vetëm për të përballuar këtë kërcënim, por edhe për t’u ballafaquar me kërcënime të tjera që cenojnë sigurinë dhe territorin e vendit tonë”, theksoi ai për agjencinë turke të lajmeve, Anadolu.

    Procesi i transformimit të FSK-së në ushtri dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO

    Ministri Maqedonci tha se janë në fazën e dytë të realizimit të planit për transformimin e FSK-së në ushtri, me fokus në rritjen e kapaciteteve këmbësorike dhe luftarake për mbrojtjen e rajonit dhe se do të kalojnë në fazën e tretë dhe të fundit në vitin 2025 dhe në këtë kontekst, do të fokusohen në ndërtimin e kapaciteteve të artilerisë, mbrojtjes ajrore, si dhe kapaciteteve mbështetëse luftarake, deri në vitin 2028.

    Duke theksuar se aktualisht FSK-ja ka personel me rreth 4 mijë pjesëtarë, Maqedonci tha se në mesin e tyre janë 55 pjesëtarë turq të Kosovës.

    Ai tha se anëtarësimi në NATO është ndër synimet strategjike të sigurisë kombëtare të Kosovës, shtuar thënë se kanë krijuar kapacitete mbrojtëse në përputhje me doktrinën e NATO-s dhe se të gjitha pajisjet dhe sistemet e armatimit i kanë blerë sipas standardeve të NATO-s.

    “Blerjet e armatimit janë të drejtuara në vendet e NATO-s, ne nuk blejmë nga asnjë vend që nuk është pjesë e NATO-s. Kryesisht jemi fokusuar të bëjmë blerje nga vendet me të cilat kemi partneritet më të afërt, si SHBA, Turqia, Gjermania dhe vende të tjera”, theksoi ministri, duke nënvizuar se nga viti 2021 deri në vitin 2023 kanë ndarë mbi 200 milionë euro për blerjen e armëve dhe pajisjeve të ndryshme në kuadër të transformimit të FSK-së në ushtri.

    Kosova do të ofrojë ndihmë ushtarake për Ukrainën

    Ministri Maqedonci deklaroi se janë gjithmonë të gatshëm të mbështesin “luftën e drejtë për liri” të Ukrainës.

    Ai tha se ndihma, të cilën ai e quan modeste, është shumë e rëndësishme për Ukrainën në këtë fazë të vështirë të luftës së tyre për liri.

    “Qeveria e Kosovës ka vendosur të ofrojë dy pako mbështetëse për Ukrainën. Pakoja e parë do të dërgohet këtë javë për në Ukrainë dhe përbëhet nga kamionë taktikë, automjete taktike dhe autoblinda ushtarake. Kurse pakoja e dytë që përbëhet nga predha mortajash 120, 81 dhe 60-milimetërshe, do të dërgohet gjithashtu së shpejti në Ukrainë”, theksoi Maqedonci.

    Ne kemi “marrëdhënie të veçanta” me Turqinë në fushën ushtarake

    Maqedonci tha se ushtarët turq që shërbejnë në kuadër të KFOR-it që nga viti 1999 janë shumë të rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

    Ai tha se Kosova me Turqinë kanë “marrëdhënie të veçanta” në fushën ushtarake, bazuar në lidhjet kulturore dhe historike.

    “Ne në vazhdimësi kemi njësi dhe individë që i trajnojmë në Republikën e Turqisë. Kemi shumë ekipe të ushtrisë turke të cilat në Kosovë zhvillojnë trajnime të ndryshme për njësitë e FSK-së. Kemi gjithashtu raporte të shkëlqyera në aspektin e industrisë ushtarake, pra, më saktësisht të blerjeve ushtarake. Në këtë aspekt, për të rritur më shumë këtë bashkëpunim, në fillim të këtij viti nënshkruam një marrëveshje kornizë ushtarake me Republikën e Turqisë në Ankara bashkë me ministrin (Jashar) Gyler. Gjithë kjo mbështetje që Turqia ofron për kapacitetet mbrojtëse të vendit tonë janë vërtet vitale që vendi ynë, më saktë Ministria jonë e Mbrojtjes dhe FSK, të kenë sot një nivel të lartë profesionalizmi dhe ndoshta të jetë ndër ushtritë më të zhvilluara në rajon në aspektin e gjithëmbarshëm”, theksoi ai.

    Duke folur për dronët “Bayraktar TB2”, që Kosova i bleu nga Turqia gjatë vitit të kaluar, Maqedonci theksoi se proceset e testimit dhe trajnimit me to janë duke vazhduar.

    “Njësitë e veçanta që merren me drejtimin e Bajraktarëve TB2, zhvillojnë aktivitete të ndryshme me ta dhe me të vërtetë ne i shohim si asetet kyçe të FSK-së”, theksoi ministri.

    Duke deklaruar se në inventarin e FSK-së kanë produkte turke si raketa kundërtank “Omtas” dhe automjete “Vuran” me sistem të integruar të armatimit të mortajave 120 milimetër, Maqedonci shtoi gjithashtu se do të blejnë nga SHBA-ja raketa kundërtank “Javelin”, për të cilat procesi ende po vazhdon.

    FSK-ja, e cila u themelua në vitin 2009 për të ofruar operacione për menaxhimin e krizave në Kosovë dhe përtej kufirit, për të shërbyer në operacionet e mbrojtjes civile në vend dhe në fatkeqësitë natyrore dhe emergjenca të tjera, filloi procesin e transformimit të saj në ushtri me ndryshime ligjore nga viti 2018. Procesi pritet të zgjasë 10 vjet.

  • Nëntë persona lëndohen nga një aksident trafiku në Klinë, dërgohen në spital

    Nëntë persona lëndohen nga një aksident trafiku në Klinë, dërgohen në spital

    Nëntë persona kanë mbetur të lënduar nga një aksident mes dy veturave në Klinë në mesnatë.

    Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

    Ai tha se të lënduarit janë dërguar në spital.

    “Rreth orës 00:00 ka ndodhur një aksident në Klinë në mes dy veturave. Si pasojë e aksidentit 9 persona kanë pësuar lëndime trupore. Të njëjtit janë dërguar në Spitalin Rajonal për tretman mjekësor. Ndërsa, për rastin është duke u marrë njësia e trafikut rajonal”, njoftoi ai.

  • Turqia i arreston 48 të dyshuar për lidhje me Shtetin Islamik

    Turqia i arreston 48 të dyshuar për lidhje me Shtetin Islamik

    Autoritetet turke i kanë arrestuar 48 njerëz të dyshuar për lidhje me Shtetin Islamik, në lidhje me një sulm me armë në një kishë në Stamboll në janar, tha ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya të shtunën.

    Një shtetas turk u vra nga dy pjesëtarë të armatosur të Shtetit Islamik në kishën katolike në Stamboll më 28 janar.

    Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, duke thënë se ai u krye pas thirrjes së udhëheqësve të këtij grupi militant për t’i sulmuar hebrenjtë dhe të krishterët.

    Prej atëherë, autoritetet turke i kanë arrestuar qindra të dyshuar për lidhje me Shtetin Islamik.

    Shteti Islamik i ka kryer një sërë sulmesh në mbarë Turqinë, përfshirë një më 2017 në një klub nate në Stamboll, kur u vranë 39 persona.

    Sipas ministrit Yerlikaya, që nga qershori i vitit 2023, autoritetet turke kanë arrestuar 2.086 të dyshuar se kanë lidhje me Shtetin Islamik.

    Arrestimet e fundit vijnë po ashtu në kohën kur javë më parë një degë e Shtetit Islamik e mori përgjegjësinë për një sulm në një sallë koncertesh në Moskë të Rusisë, ku u vranë 144 njerëz./REL/