ATV

Category: Lajme

  • KFOR-i i dhuron mjete të punës brigadës së zjarrfikësve në Zubin Potok

    KFOR-i i dhuron mjete të punës brigadës së zjarrfikësve në Zubin Potok

    Komanda Rajonale-Lindje e KFOR-it i ka dhuruar radio, gjenerator dhe megafon brigadës së zjarrfikësve të Mitrovicës në Zubin Potok.

    “Kjo nismë synon të rrisë kapacitetet lokale për t’iu përgjigjur shpejt dhe efektivisht situatave emergjente që ndikojnë në mirëqenien e të gjitha komuniteteve”, shkruan në njoftimin e KFOR-it.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet tutje në postimin në Facebook.

  • Apeli e kthen në rigjykim rastin e vrasjes me 14 plumba, Themelorja i kishte dënuar me 66 vjet burgim tre të akuzuarit

    Apeli e kthen në rigjykim rastin e vrasjes me 14 plumba, Themelorja i kishte dënuar me 66 vjet burgim tre të akuzuarit

    Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim çështjen penale ndaj të akuzuarve Lirim Jakupi, Afrim Ismajloviq dhe Faton Osmani, të akuzuar për vrasjen e B.V me 14 plumba.

    Në vendimin e siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se janë aprovuar ankesat e mbrojtësve të akuzuarve, andaj çështja është kthyer rigjykim.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan më 13 nëntor 2023 i kishte dënuar me 66 vite burgim (së bashku) të akuzuarit Jakupi, Ismajloviq dhe Osmani për vrasjen me 14 plumba në kafenenë “Premium”.

    Sipas aktgjykimit, Lirim Jakupi ishte dënuar me dënim unik prej 27 vjet burgim, Ismajloviq me dënim unik prej 24 vjet burgim, kurse Osmani me 15 vjet burgim.

  • Kosova, pjesë e hartës Gjeologjike Evropiane – Rizvanolli: Kosova pa fusnotë e me hartë të plotë në Shërbimin Gjeologjik Evropian

    Kosova, pjesë e hartës Gjeologjike Evropiane – Rizvanolli: Kosova pa fusnotë e me hartë të plotë në Shërbimin Gjeologjik Evropian

    Kosova është listuar si shtet me të drejta të barabarta me shtetet tjera evropiane, pjesë e Shërbimit Gjeologjik Evropian. Kështu ka njoftuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    Ajo tha se “Kosova tash është paraqitur në hartë me kufij të plotë e pa fusnotë, si dhe trajtohet njëjtë si të 37 vendet Evropiane pjesë të Shërbimit Gjeologjik Evropian”.

    Këtë “sukses”, ajo ia ka atribuuar Shërbimit Gjeologjik të Kosovës, të cilët sipas saj “kanë pasur një angazhimi intenziv”.

    EGDI është Infrastruktura Evropiane e të Dhënave Gjeologjike të EuroGeoSurveys (EGS).

    Platforma siguron akses në grupet e të dhënave gjeologjike pan-evropiane dhe kombëtare dhe shërbimet nga Organizatat e Shërbimit Gjeologjik të Evropës.

  • Ismajli: Ka rritje të numrit të pacientëve me alergji ndaj polenit

    Ismajli: Ka rritje të numrit të pacientëve me alergji ndaj polenit

    Me ardhjen e stinës së pranverës është rritur numri i pacientëve që kërkojnë trajtim mjekësor për shkak të alergjisë nga poleni. Vështirësi në frymëmarrje, kollitje, temperaturë, teshtitje dhe skuqje e syve janë disa nga simptomat që e karakterizojnë këtë alergji. Derisa më të prekurit janë fëmijët, për shkak të rrugëve më të ngushta të frymëmarrjes.

    Specialisti pranë Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Rushit Ismajli në një intervistë për KosovaPress thotë se është shtuar numri i pacientëve me simptoma të alergjisë së shkaktuar nga poleni. Ai thotë se në këtë rast pacientët duhet të shmangin ekspozimin në vendet ku ka më shumë lule.

    “Duket që është shtuar numri i pacientëve, vërehet puna e çdo kolegut edhe tek puna ime personale, është pak më dendur se herëve të kaluara. Ka shumë pacientë që ankohen për kollitje, teshtitje që shoqërohet edhe me shkuarje të hundës, temperaturë që me gjasë ka të bëjë edhe me alergjitë sezonale, në këtë rast alergjia në polen…Për fat të keq, disa njerëz, pranvera ndoshta është stina më e bukur, kanë fazën e keqe që të kenë një alergji në atë që prodhojnë lulet e që quhet polen. Ata pastaj reagojnë në mënyrë pak më të ndryshme sesa të tjerët. Simptomat e polenit janë më shumë të bezdisshme sesa që janë të rrezikshme, përveç të rastet kur disa janë edhe më alergjik sesa të tjerët dhe shkaktohet edhe vështirësi në frymëmarrje,” tha Ismajli.

    Ismajli potencon se në rastet kur alergjia reagon më ashpër te pacientët, duke shkaktuar vështirësi më të mëdha në frymëmarrje, skuqje të syve dhe rrjedhje të hundëve, u rekomandohet përdorimi i inhalimit.

    Ai thotë se fëmijët vuajnë pak më shumë në stinën e pranverës me paraqitjen e alergjisë ndaj polenit, për shkak se rrugët e frymëmarrjes janë më të ngushta. Përveç fëmijëve, ai përmend edhe moshën mesatare.

    “Rastet shumë të rënda janë më të rralla, megjithëse hasim edhe aty ku ka vështirësi të mëdha në frymëmarrje, skuqje të syve dhe probleme me hundët. Në ato situata ne japim edhe inhalime dhe tejkalohet kjo situatë…Ndoshta fëmijët vuajnë pak më shumë, për shkak se rrugët e frymëmarrjes janë më të ngushta dhe reagojnë pak më vrullshëm sesa ata që janë të rritur. Mirëpo, këtu kisha thënë edhe mosha mesatare, për shkak të një alergjenit shumë të fuqishëm që është pirja e duhanit”, potencon Ismajli.

    Për KosovaPress, Ismajli potencon se trajtimi i pacientëve me probleme në frymëmarrje për shkak të alergjisë, bëhet me pompa e assesi me infuzione apo me antibiotikë. Ndërkaq, simptomat e zakonshme potencon se trajtohen me sprej dhe medikamente të tjera.

    “Nëse flasim për (alergjitë) në frymëmarrje ajo çka përpiqem ta dalloj te pacienti është astma bronkiale, që refuzohet nga pacientët dhe ndonjëherë trishtohen kur u them se pacienti ose fëmija është me astmë. Tjetra është riniti alergjik, një formë tjetër e alergjisë. Kur është fjala për astmë trajtimi bëhet me pompa dhe assesi me infuzione apo antibiotik. Kurse te të tjerat trajtohen në mënyrë simptomatike, përdorimi i sprejit për hundë dhe fyt…Mënyra më e mirë për t’u mbrojtur është të largohen nga alergjenët…Nëse flasim për polen, kuptohet që personat alergjikë është mirë të shmangin daljen në natyrë sidomos kur ka sasi të madhe të polenit”, shprehet Ismajli .

    Ndër të tjera, specialisti i Mjekësisë Familjare në QKMF-në e Prishtinës vlerëson se alergjia nga poleni është më shumë e bezdisshme sesa e rrezikshme. Poleni është një nga shkaktarët më të zakonshëm të alergjive sezonale. Bimët lëshojnë kokrra të vogla poleni, që barten përmes erës për të fekonduar bimë të tjera të së njëjtës specie në çdo pranverë, verë dhe vjeshtë, madje edhe në dimër.

    Sistemi imunitar i personave që kanë alergji ndaj polenit identifikon atë si një substancë të rrezikshme dhe fillon ta luftojë e që si pasojë e kësaj shfaqen sëmundjet alergjike.

  • ​Referendumi për bashkim: Shumica e shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri do të votonin pro

    ​Referendumi për bashkim: Shumica e shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri do të votonin pro

    Qytetarët në Kosovë dhe në Shqipëri, në shumicë, janë shprehur për Barometrin e Euronews Albania se do të votonin pro nëse do të mbahej një referendum për Bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.

    Përkatësisht, janë 82,9% e të pyeturve në Shqipëri që do të votonin pro një referendumi të mundshëm, dhe në Kosovë pak më pak, në nivelin e 70,6 % e të pyeturve janë ata që do të votonin pro në një referendum për bashkimin.

    Një përqindje shumë e vogël si në Kosovë edhe në Shqipëri është shprehur se do të votonte kundër në një referendum të tillë, përkatësisht 12,7 % e të pyeturve në Shqipëri, dhe 24,2 % në Kosovë.

  • Shkon në 11 numri i të arrestuarve për sulmin në Moskë

    Shkon në 11 numri i të arrestuarve për sulmin në Moskë

    Një gjykatë në Moskë ka lëshuar urdhër për arrestimin e një burri nga Taxhikistani në lidhje me sulmin terrorist muajin e kaluar në një sallë koncertesh në Moskë, duke e çuar në 11 numrin e përgjithshëm të të arrestuarve për këtë rast.

    Gjykata e qarkut të Basmanit urdhëroi që Sharifzoda Zoir të mbetet në paraburgim në pritje të gjykimit deri më 22 maj, duke e akuzuar atë për një vepër të paspecifikuar terroriste.

    Ajo nuk dha hollësi të tjera në komunikatën e publikuar më 5 prill.

    Zoir është personi i 11-të që është ndaluar, apo arrestuar në lidhje me dyshimet për përfshirje në sulmin e 22 marsit, në të cilin u vranë më shumë se 144 njerëz.

    Katër shtetas të Taxhikistanit akuzohen se u futën në sallën e koncerteve pak para se të niste një koncert dhe filluan të shtien me armë drejt njerëzve pa dallim, dhe pastaj ia vunë flakën ndërtesës.

    Nga 11 burrat e paraburgosur, 10 vijnë nga Taxhikistani, ndërsa njëri besohet se është nga Uzbekistani i lindur në Kirgistan, i cili ka shtetësi ruse.

    Dhjetëra njerëz të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur, duke nxitur thashetheme se numri i të vdekurve nga ky sulmi mund të jetë shumë më i lartë.

    Ky ishte sulmi më i rëndë terrorist në Rusi në dy dekadat e fundit.

    Përgjegjësinë për sulmin e mori një degë e grupit ekstremist, Shteti Islamik, ndërsa autoritetet e Taxhikistanit janë duke i marrë në pyetje një numër të madh njerëzish, kryesisht të afërmit e të dyshuarve, si pjesë e hetimit për sulmin.

    Prapëseprapë, Kremlini ka ngulur këmbë, pa asnjë dëshmi, se Ukraina, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, është përgjegjëse për sulmin.

    Kievi dhe Uashingtoni i kanë mohuar këto akuza.

    Sulmi është cilësuar si dështim i madh i shërbimeve ruse të inteligjencës dhe të sigurisë.

    Shtetet e Bashkuara thanë se i dhanë informata specifike Rusisë paraprakisht, duke e paralajmëruar për një sulm të mundshëm terrorist.

    Raportohet se edhe Irani e kishte paralajmëruar atë para se të ndodhte sulmi./REL/

  • Policia dhe KFOR-i kapin në flagrancë dy serbë duke u futur ilegalisht në Kosovë

    Policia dhe KFOR-i kapin në flagrancë dy serbë duke u futur ilegalisht në Kosovë

    Njësia patrulluese e Policisë Kufitare së bashku me KFOR-in, gjatë patrullimit kanë vërejtur një veturë duke hyrë nga Serbia në Kosovë, jashtë pikës së kalimit kufitar.

    Në raportin 24 orësh të Policisë, bëhet e ditur se brenda veturës ishin dy shtetas serb.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, teksa ka sugjeruar që të vazhdohet në procedurë të rregullt.

    “Fsh. Izvor, Zubin Potok 05.04.2024 – 16:20. Njësia patrulluese e Policisë Kufitare së bashku me KROR-in, gjatë patrullimit kanë vërejtur një veturë duke hyrë nga Serbia në territorin e Republikës së Kosovës jashtë Pikës së Kalimit Kufitar. Vetura është ndaluar, e njëjta drejtohej nga i dyshuari mashkull serb dhe në të ishte edhe një pasagjer mashkull serb. Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe i njëjti ka sugjeruar qe rasti të iniciohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.

  • ​Lobimi kundër Kosovës në KiE, qeveria akuzon Serbinë se po e shkel marrëveshjen e Brukselit

    ​Lobimi kundër Kosovës në KiE, qeveria akuzon Serbinë se po e shkel marrëveshjen e Brukselit

    Qeveria e Kosovës akuzon Serbinë se është distancuar nga Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në ekzekutivin kosovar, thonë se lobimi aktiv i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe letra e kryeministres serbe, Ana Bërnabiq drejtuar Bashkimit Evropian, e kanë sulmuar marrëveshjen në dy pikat e saj qendrore që do t’ia pamundësojnë zbatimin e saj. Sipas tyre, fajtor është edhe përfaqësuesi i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, i cili nuk arriti ta bindë Serbinë për nënshkrim të ujdisë dhe zbatim të saj.

    Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit, Albin Kurti, thotë për KosovaPress, se Serbia me veprimet e fundit e ka kontestuar ekzistencën e marrëveshjes së Brukselit.

    “Serbia është distancuar nga marrëveshja dhe ka dërguar letër në Bashkimin Evropian, ku thotë se marrëveshja nuk është e obligueshme ligjërisht për Serbinë dhe nuk është e pranueshme në tërësinë e saj. E ka sulmuar marrëveshjen në dy pikat e saj qendrore të cilat e pamundësojnë zbatimin e saj…Kjo është problem, në vend që të fokusohemi në zbatimin e saj, Serbia po e konteston ekzistencën e saj. Prandaj nënshkrimi i marrëveshjes është bërë i nevojshëm për të siguruar ligjshmërinë e saj. Një marrëveshje që duhet konsideruar ligjërisht e obligueshme, duhet të pranohet nga dy palët”, thotë ai.

    Sipas tij, letra e krerëve institucional dërguar Këshillit të Evropës konfirmon vetëm gatishmërinë e Kosovës për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit, duke përfshirë edhe Asociacionin, mirëpo pas anëtarësimit në këtë mekanizëm ndërkombëtar.

    “Letra që i është dërguar Këshillit të Evropës nga krerët e institucioneve të Kosovës është vazhdimësi edhe në të shkruar e zotimeve që ne japim publikisht për zbatim të plotë të marrëveshjes që e kemi arritur në Bruksel, në shkurt të vitit të kaluar. Nuk ka ndonjë gjë të re në këtë drejtim. Aty jemi të zotuar se do të zbatojmë mbi bazën e Kushtetutës edhe në letër siç e keni parë, brenda kompetencave të qeverisë dhe në përputhje me kushtetutën. Pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës do të merren të gjitha hapat për zbatimin e plotë të marrëveshjes. Por nuk mund të nxirret një nen nga marrëveshja, kur kemi mohimin në tërësi të ligjshmërisë së marrëveshjes dhe mohimit të disa neneve të marrëveshjeve, duke përfshirë edhe nenin katër mospengimin e anëtarësimit të Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare”, shton ai.

    Duke folur për rolin e emisarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, teksa është në përfundim të mandatit, Zulfaj thotë se kanë pasur mospajtime për shkak të qasjes së tij dhe mosbarazisë ndërmjet palëve.

    “Sigurisht ne kemi pasur mospajtime të cilat i kemi bërë edhe publike për mënyrën dhe qasjen në dialog sepse barazia e palëve për ne ka qenë dhe mbetet qenësore. Temat të cilat shtrohen kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve që qojnë drejt njohjes reciproke…Marrëveshjen që e kemi arrit është mundësi e humbur që nuk kanë arrit të sjellin Serbinë për të nënshkruar. Mendoj se në këtë drejtim dhe këtë dritë duhet të shihet edhe puna e emisarit. Një marrëveshje të cilën ishte i angazhuar nuk arriti të sjell Serbinë që ta nënshkruaj dhe tash kemi qëndrimin publik dhe zyrtarë të Serbisë kundër kësaj marrëveshje edhe në të shkruar. Në prapavijë ajo që len është kjo marrëveshje dhe këtë aneks që po e konteston Serbia, në këtë pikë jemi”, thekson Zulfaj.

    Në anën tjetër, Zulfaj për KosovaPress flet edhe për qeverisjen tri vjeçare, ku rendit sukseset që sipas tij janë arritur.

    Ai përmend zhvillimin ekonomik, progresin demokratik dhe shtrirjen e sovranitetit në veri, derisa thekson se s’kanë pasur asnjë aferë korruptive.

    “Zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik, shtrirja e sovranitetit, forcimi i shtetit, forcimi dhe investimi në mbrojtje, investimi tek të rinjtë në kthimin e trurit dhe promovimi i eksportit, mendoj se në këto fusha në të gjitha kemi punuar. Kemi 6.2 për qind rritje ekonomike mestare për tri vite, ndërkohë janë investuar investimet e huaja direkt. Kemi raportin eksport-import nga 1.9 e kemi sjell në 1.6. Vitin e kaluar patëm investimet më të mëdha kapitale ndonjëherë në Kosovë me 555 milionë, kemi 420 mijë vende aktive të punës, pra 20 për qind më shumë sesa kishim në vitin paraprak. Kjo tregon për formalizmin e madh të ekonomisë që kemi bërë…5:14 Të përmendësh praktikën e lidhjes së një kontrate me sugjerimin që vetëm praktika e lidhjes së asaj kontrate sipas asaj procedure është korrupsion nuk është e saktë. Në këtë drejtim ka akuzë të pabazë, siç akuzon opozita për shumë gjëra pabazë dhe kjo është një prej akuzave të pabazë. Nuk ka asnjë aferë korruptive në kontratat njëburimore. Lirisht le të hetohen dhe nëse ka bazë atëherë është shqetësim i duhur”, thotë ai.

    Sa i përket mundësisë për zgjedhje të parakohshme brenda këtij viti, Zulfaj, thotë se janë të gatshëm për një gjë të tillë, por vetëm kur të dakordohen me partitë opozitare për datën e zgjedhjeve dhe shpërbërjen e Kuvendit.

    “Pëlqyeshmëria e qytetarëve për punën e kryeministrit rezulton pak a shumë me votat që janë marrë me fitoren e 14 shkurtit 2021, pa përfshirë edhe diasporën në këtë matjen që bën UNDP-ja me pulsin publik dhe mbi 40 për qind për punën e qeverisë. Ndërkohë e dina që zgjedhjet e ardhshme janë në dimrin e vitit 2025. Prandaj duke ditur që në dimër është një sezon më e vështirë për nga kushtet e motit për zgjedhje dhe duke parë që vazhdimisht opozita është e interesuar për zgjedhje për këtë vit. Sigurisht mund të ulemi të bisedojmë dhe kur të shpërbejmë Kuvendin dhe të shkojmë në zgjedhje”, tha ai.

  • Ushtarët e FSK-së pjesë e garës për Luftëtarin më të Mirë të shtetit të Iowa, Ambasada publikon foto

    Ushtarët e FSK-së pjesë e garës për Luftëtarin më të Mirë të shtetit të Iowa, Ambasada publikon foto

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka njoftuar se në shtetin e Iowa-s po zhvillohet gara për Luftëtarin më të Mirë për këtë vit, ku po marrin pjesë edhe pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Në faqen e ambasadës janë publikuar fotografi të ushtarëve të FSK-së, ku në një prej tyre shihen përkrah një ushtari amerikan.

    “Gara për Luftëtarin më të Mirë të Shtetit të Iowa-s 2024 po zhvillohet këtë fundjavë në Camp Dodge, Iowa. Ushtarët dhe nënoficerët më të aftë do të përzgjidhen përmes një sërë testesh, duke theksuar qëndrueshmërinë, forcën dhe aftësitë. Fituesit nga shtete të ndryshme, përfshirë Kosovën, do të garojnë në tokën e Iowa-s për herë të parë në shtatë vjet. Suksese të gjithë ushtarëve në garë dhe fitoftë më i miri!”, thuhet në postimin e Ambasadës.

  • 8 kandidatë për kadetë në Policinë e Kosovës përjashtohen pasi dolën pozitivë në testet për droga

    8 kandidatë për kadetë në Policinë e Kosovës përjashtohen pasi dolën pozitivë në testet për droga

    Testimet e fundit të pretenduesve për kadetë në Policinë e Kosovës zbuluan se së paku 13 nga afro 1.000 të testuarit, rezultuan pozitivë për përdorimin e drogave. Së paku tetë prej tyre u përjashtuan nga procesi i rekrutimit.

    Në shqyrtimin e rasteve të tyre tashmë janë të përfshira edhe gjykatat.

    Për t’u pranuar në Policinë e Kosovës, kandidatët për kadetë duhet t’u nënshtrohen disa kontrolleve, përfshirë testet për disa lloje të drogave, ato mjekësore, psikologjike e të tjera.

    Testet për droga deri në fund të vitit të kaluar janë kryer në institucione private, por pas një marrëveshjeje mirëkuptimi mes Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, kanë kaluar në institucionet shtetërore.

    Drejtori i Klinikës së Biokimisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shemsi Veseli, konfirmoi se disa kandidatë të testuar aty, kanë dalë pozitivë në testet për amfetaminë dhe disa lloje të tjera të substancave narkotike.

    “Në grupin e parë prej 426 personash, në muajin janar, tetë kanë rezultuar pozitivë, kurse sa i takon grupit në muajin mars, prej 519 personash, pozitivë kanë rezultuar pesë”, tha Veseli për REL.

    “Duhet përmendur se në grupin e parë kanë dalë kryesisht pozitivë në amfetaminë, ndërsa në grupin e dytë ka qenë një laramani substancash”, shton ai.

    Në Policinë e Kosovës thonë se për tetë kandidatët e parë që kanë dalë pozitivë në substanca narkotike, është marrë tashmë vendimi për përjashtimin e tyre nga procesi i rekrutimit.

    Për pesë të tjerët pritet të merret vendimi i njëjtë.

    “Kandidatët që nuk i plotësojnë standardet e kërkuara në një nga fushat ku kryhen kontrollet mjekësore/psikologjike, nuk mund t’i vazhdojnë më tej procedurat për t’u bërë kadetë të Policisë së Kosovës”, thuhet në një deklaratë të këtij institucioni./REL/