ATV

Category: Lajme

  • Prangoset gruaja në Mitrovicë, sulmoi policët

    Prangoset gruaja në Mitrovicë, sulmoi policët

    Një grua është arrestuar në Mitrovicë pasi që e njëjta nuk i është bindur urdhrit policor dhe më pas ka sulmuar fizikisht zyrtarët policorë.

    Sipas raportit, e dyshuara dhe dy policë kanë pranuar tretman mjekësor.

    Me vendim të prokurorit pas intervistimit e dyshuara është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

  • Mjeku i Thaçit befason me numrin e votave, lë pas figura të rëndësishme të PDK-së

    Mjeku i Thaçit befason me numrin e votave, lë pas figura të rëndësishme të PDK-së

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar 58.09% nga numërimi i votave të kandidatëve për deputetë.

    Nga 2,498 vendvotime sa janë në total janë procesuar votat në 1,451 prej tyre.

    Në këto zgjedhje kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ishte edhe Adriatik Berisha, i njohur ndryshe edhe si “Mjeku i Hashim Thaçit”.

    Deri tani, kur janë procesuar 58.09% të votave, Berisha ka arritur të marrë 10 mijë e 190 vota.

  • “Nga 99 në mbi 2 mijë”, kush janë pesëshet e kandidatëve me më së paku vota?

    “Nga 99 në mbi 2 mijë”, kush janë pesëshet e kandidatëve me më së paku vota?

    Qendrat Komunale të Numërimit po vazhdojnë procesin e numërimit të votave për kandidatët për deputetë, ndërsa të dhënat po publikohen në platformën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

    Sipas të dhënave të përditësuara, deri më tani janë numëruar mbi 50 për qind e votave për kandidatët nga zgjedhjet e 7 qershorit.

    Bazuar në këto rezultate, kandidatët më pak të votuar nga Lëvizja Vetëvendosje janë:

    Arijeta Ajeti 1110 vota,

    Feim Tahirsylaj 1529 vota,

    Rajmonda Ahmetaj 1622 vota,

    Bajram Mehmeti 1736 vota

    Nazmi Hoxha 2173 vota.

    Nga Partia Demokratike e Kosovës pesë kandidatët më pak të votuar janë:

    Ilir Peci 386 vota

    Shaqir Hetemi 442 vota

    Fehmi Bekteshi 501 vota

    Fatos Shala 552 vota

    Agron Paçarizi 611 vota

    Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kandidatët më pak të votuar janë:

    Alban Hoti 348 vota

    Anduena Mekuli 354 vota

    Albana Bunjaku 364 vota

    Albulena Bilalli 419 vota

    Pajtesa Aliu Krasniqi 435 vota

    Kurse nga Aleanca kandidatët me më pak vota janë:

    Argjenta Berbatovci 99 vota

    Arijanita Hajdini 137 vota

    Agron Polluzha 150 vota

    Ramë Bislimi 179 vota

    Shyqyri Peci 200 vota.

  • Mbi 2 mijë gjoba trafiku për 24 orë, mbi 50 aksidente

    Mbi 2 mijë gjoba trafiku për 24 orë, mbi 50 aksidente

    Policia e Kosovës ka njoftuar se, gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 2038 gjoba trafiku.

    Në raport shtohet se gjatë kësaj kohe janë raportuar të kenë ndodhur 31 aksidente me të lënduar, dhe, 42 me dëme materiale.

    Në raport shtohet edhe se, janë arrestuar 25 persona ku 7 janë dërguar në mbajtje.

  • Dy të burgosur arratisen nga Qendra Korrektuese në Lipjan, arrestohen pak më vonë

    Dy të burgosur arratisen nga Qendra Korrektuese në Lipjan, arrestohen pak më vonë

    Dy persona janë arrestuar pasi dyshohet se janë arratisur nga Qendra Korrektuese në Lipjan. Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 9 qershor 2026, rreth orës 09:15, kur dy të dyshuar meshkuj kosovarë, njëri prej tyre i mitur, kanë shfrytëzuar kohën e shëtitjes brenda oborrit të qendrës korrektuese për t’u larguar nga institucioni.

    Të dyshuarit janë lokalizuar dhe arrestuar. Ata janë intervistuar nga organet kompetente dhe më pas janë dërguar sërish në Qendrën Korrektuese.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori.

    “Lipjan / 09.06.2026 – 09:15. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, njëri i mitur për shkak se janë arratisur nga Qendra korrektuese në Lipjan, derisa kishin qenë duke e shfrytëzuar kohën e shëtitjes brenda oborrit të qendrës korrektuese. Të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në Qendër Korrektuese, rreth rastit është njoftuar prokurori”.

  • Këto janë pesë gratë më të votuara nga partitë kryesore

    Këto janë pesë gratë më të votuara nga partitë kryesore

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po vazhdon procesin e numërimit të votave për kandidatët për deputetë. Deri më tani janë numëruar 58.28 për qind e votave.

    Nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, kandidatja më e votuar është Albulena Haxhiu me 59,621 vota.

    Pas saj renditet Donika Gërvalla-Schwarz me 48,090 vota, ndërsa në vendin e tretë është Mimoza Kusari-Lila me 33,418 vota.

    Shqipe Mehmeti-Selimi mban pozitën e katërt me 22,409 vota, ndërsa pesëshen e grave më të votuara në këtë subjekt e përmbyll Saranda Bogujevci me 14,578 vota.

    Në PDK, kandidatja më e votuar është Vlora Çitaku me 21,765 vota. Pas saj vjen Sala Jashari me 21,676 vota.

    E treta në renditje është Ganimete Musliu me 16,802 vota, ndërsa vendin e katërt e zë Besa Kabashi-Ramaj me 11,727 vota.

    Në pozitën e pestë renditet Blerta Deliu-Kodra me 10,396 vota.

    Nga LDK-ja, më e votuara është bartësja e listës, Vjosa Osmani-Sadriu, e cila ka siguruar 42,533 vota.

    Në vendin e dytë renditet Doarsa Kica-Xhelili me 30,035 vota, ndërsa e treta është Hykmete Bajrami me 23,780 vota.

    Janina Ymeri renditet e katërta me 12,289 vota, kurse pesëshen e grave më të votuara nga LDK-ja e përmbyll Jehona Lushaku-Sadriu me 10,889 vota.

    Në AAK, kandidatja më e votuar është Albana Bytyqi me 5,436 vota. Pas saj renditet Teuta Haxhiu me 4,270 vota.

    E treta në listë është Diellza Kukaj me 3,330 vota, ndërsa Malëzore Ramosaj-Januzaj mban vendin e katërt me 2,125 vota.

    Pesëshen e grave më të votuara në këtë subjekt politik e përmbyll Fitore Hulaj me 2,001 vota.

  • Votimi me postë: KQZ ka aprovuar mbi 7 mijë pako me fletëvotime, refuzon 142 të tjera

    Votimi me postë: KQZ ka aprovuar mbi 7 mijë pako me fletëvotime, refuzon 142 të tjera

    Procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht votimi përmes postës, po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ka njoftuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

    Sipas tij, deri të mërkurën, më 10 qershor 2026, në orën 10:00, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 7 mijë pako të supozuara me fletëvotime, nga të cilat 7,153 janë aprovuar, ndërsa 142 janë refuzuar.

    Elezi bëri të ditur se arsyeja kryesore e refuzimit ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit, një dokument me të dhëna unike që KQZ-ja ua dërgon votuesve të regjistruar për votim me postë. Vetëm për këtë arsye janë refuzuar 114 pako.

    “Procesi i vlerësimit ka nisur më 9 qershor në orën 16:00 dhe synon të verifikojë nëse pakot janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës. Pas përfundimit të këtij procesi, KQZ-ja do të publikojë numrin përfundimtar të pakove me fletëvotime që do t’i nënshtrohen numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”.

    Ndërkohë, më 8 qershor është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës. Këto pako janë tërhequr nga 23 kuti postare të KQZ-së, të vendosura në 22 shtete të ndryshme dhe në Kosovë.

    Sipas KQZ-së, nga këto kuti postare janë tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, ndërsa një pjesë e tyre tashmë janë transportuar në Kosovë për t’iu nënshtruar procesit të verifikimit.

    Gjatë periudhës së regjistrimit, nga 6 deri më 17 maj 2026, gjithsej 104,480 shtetas janë regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

  • Zvërneci, Rama: Ka shumë gjysmë të vërteta që po bëhen gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha

    Zvërneci, Rama: Ka shumë gjysmë të vërteta që po bëhen gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha

    Kryeministri Edi Rama vazhdon të mbrojë idenë për një projekt luksoz të lidhur me dhëndrin e presidentit të SHBA-së Donald Trump, Jared Kushner, pavarësisht një rritjeje të protestave kundër tij.

    Në një intervistë me Associated Press të martën, Rama i hodhi poshtë kundërshtimet mjedisore si rezultat i dezinformimit dhe tha se ky zhvillim po e kthente Shqipërinë nga një vend dikur të injoruar nga investitorët në një vend “ku kapitali i madh dëshiron të vijë dhe investitorët e mëdhenj duan të vijnë”.

    Qeveria thotë se ky zhvillim do të ishte transformues për ish-kombin komunist, ndërsa kërkon të hyjë në tregun e turizmit të nivelit të lartë dhe shtyn përpara anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

    Por mijëra demonstrues i janë bashkuar protestave të përditshme jashtë zyrës së Ramës në kryeqytet, Tiranë kundër projektit të planifikuar që përfshin hotele, apartamente, vila dhe një marinë për jahte.

    Kryeministri tha se një vlerësim formal i ndikimit në mjedis nuk ka filluar ende, edhe pse puna ka filluar për pastrimin e tokës brenda një rezervati natyror.

    I pyetur nëse mund të tërhiqej nga projekti, Rama refuzoi, duke shtuar: “Tërhiquni nga çfarë?”

    SPAK ka hapur një hetim në lidhje me projektin. Qeveria thotë se toka është në pronësi private, por kanë dalë pretendime rivale mbi privatizimin e saj.

    ‘Vendi juaj është absolutisht mahnitës’

    Rama tha se propozimi i Kushnerit filloi rastësisht. Ai kujtoi një darkë në jug të Shqipërisë me Kushnerin, gruan e tij, Ivanka Trump dhe miqtë që kishin ndaluar në portin e Durrësit për të furnizuar me karburant anijen e tyre gjatë rrugës për në Mal të Zi.

    Muaj më vonë, Kushner iu afrua atij në një takim të liderëve botërorë dhe drejtuesve të biznesit në Davos të Zvicrës, dhe shprehu interes për të investuar në Shqipëri, tha Rama.

    “Vendi juaj është absolutisht mahnitës dhe ne do të donim të kërkonim një mundësi për të investuar”, kujtoi Rama t’i kishte thënë Kushner.

    Një firmë investimi e lidhur me Kushnerin i është dhënë statusi i investitorit të posaçëm nga autoritetet shqiptare.

    Projekti luksoz ka dy komponentë: një zhvillim bregdetar në zonën e Lagunës së Nartës, e cila është një rezervat për kafshët e egra, dhe një vendpushim më të vogël në ishullin e pabanuar të Sazanit, një bazë ushtarake e epokës komuniste.

    ‘Ky është ende një proces planifikimi’

    Puna ka filluar tashmë për pastrimin e tokës brenda një rezervati natyror të përdorur nga zogjtë shtegtarë, duke i bërë grupet mjedisore të paralajmërojnë për shkatërrimin e habitateve të ruajtura prej kohësh. Shqipëria ka 450 kilometra bregdet që mbeti kryesisht i pazhvilluar gjatë dekadave të sundimit të ashpër komunist.

    Rama tha se një vlerësim formal i ndikimit në mjedis nuk ka filluar sepse plani për zhvillimin nuk është finalizuar. Ai tha se arkitektët dhe specialistët ndërkombëtarë të mjedisit ende po e formësojnë propozimin.

    “Kur bëhet fjalë për mjedisin, ende nuk ka asnjë projekt, ende nuk ka asnjë vlerësim të ndikimit në mjedis, sepse ky është ende një proces planifikimi”, tha ai.

    Ai argumentoi se Shqipëria ka një rekord të fortë për ruajtjen e natyrës, duke treguar ndalimet e gjuetisë dhe prerjes së pyjeve që ai tha se ndihmuan në rimëkëmbjen e popullatave të flamingove.

    “Kemi dokumentacion fantastik se si jeta e egër në Shqipëri u rikthye falë moratoriumit 10-vjeçar të gjuetisë”, tha Rama.

    Që nga fundi i majit, ekskavatorë dhe makineri të tjera të rënda kanë hyrë në zonën e planifikuar të zhvillimit, duke hapur rrugë hyrëse, duke gërmuar në rërë, duke pastruar tokën midis pishave dhe duke instaluar gardhe.

    Rama thotë se kritikat janë plot me ‘gjysmë të vërteta’

    Kryeministri sugjeroi që një pjesë e reagimit negativ ndaj projektit po amplifikohej nga ndërhyrjet e jashtme, duke përmendur atë që ai e përshkroi si një fushatë kibernetike iraniane afatgjatë kundër Shqipërisë.

    Shqipëria e ka akuzuar prej kohësh Iranin për mbështetjen e hakerave që sulmojnë infrastrukturën kibernetike të vendit, pasi Shqipëria strehoi anëtarë të një grupi opozitar iranian. Teherani i ka mohuar akuzat.

    “Ka shumë manipulime. Ka shumë gjysmë të vërteta që bëhen gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha çdo orë”, tha ai.

    Ai theksoi se nuk po akuzonte protestues individualë se vepronin si agjentë të huaj. /Euronews.al/

  • Pas 18 vitesh në heshtje, pacientja rikthen dëgjimin falë operacionit në QKUK

    Pas 18 vitesh në heshtje, pacientja rikthen dëgjimin falë operacionit në QKUK

    Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës ka bërë të ditur se në Klinikën e Otorinolaringologjisë është realizuar me sukses intervenimi kirurgjik i veshit për kthimin e dëgjimit, te një paciente e cila sipas QKUK-së, për 18 vjet ishte përballur me humbje të rëndë të dëgjimit dhe vështirësi të mëdha në komunikim.

    “Pacientja kishte kërkuar trajtim në qendra të ndryshme shëndetësore brenda dhe jashtë vendit, pa arritur përmirësimin e dëshiruar. Pas vlerësimeve të detajuara klinike, ekzaminimeve diagnostike dhe analizës multidisiplinare të rastit, ajo iu nënshtrua me sukses ndërhyrjes kirurgjikale në Klinikën e Otorinolaringologjisë”, thuhet në njoftimin e institucionit.

    Bëhet e ditur se pas trajtimit dhe qëndrimit disa ditor në Klinikën e ORL-së, pacientja u lirua në gjendje të mirë shëndetësore.

    Testet e dëgjimit të realizuara pas operacionit treguan përmirësim të dukshëm të dëgjimit dhe të aftësisë së komunikimit.

  • Gjini dhe Haradinaj, këta janë më të votuarit e AAK-së deri tani

    Gjini dhe Haradinaj, këta janë më të votuarit e AAK-së deri tani

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar 55.16% të votave të kandidatëve për deputetë.

    Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kryetari i saj Ardian Gjini ka marrë 21 mijë e 843 vota. Pas tij vie Ramush Haradinaj me 19,587 vota. Në vend të tretë del të jetë Daut Haradinaj me 14 mijë e 947 vota. Ndërsa vendin e katërt dhe të pestë e zënë Besnik Tahiri dhe Bekë Berisha.

    10 më të votuarit në AAK:

    1.[1] ARDIAN GJINI 21,843 Vota
    2.[11] RAMUSH HARADINAJ 19,587 Vota
    3.[50] DAUT HARADINAJ 14,947 Vota
    4.[2] BESNIK TAHIRI 13,062 Vota
    5.[4] BEKË BERISHA 10,623 Vota
    6.[7] BURIM RAMADANI 9,744 Vota
    7.[3] TIME KADRIJAJ 9,319 Vota
    8.[10] AGIM ÇEKU 8,347 Vota
    9.[5] ARBER TOLAJ 7,715 Vota
    10.[6] ALBANA BYTYQI 5,434 Vota.