ATV

Category: Lajme

  • Ganimete Musliu e vetmja nga PDK që e mori 1 votë në këtë komunë

    Ganimete Musliu e vetmja nga PDK që e mori 1 votë në këtë komunë

    Qendrat Komunale të Numërimit po vazhdojnë procesin e numërimit të votave për kandidatët për deputetë, ndërsa të dhënat po publikohen në platformën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

    Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, pas numërimit të mbi 60% të kutive të votimit, ka arritur të mbledh plot 18,596 vota.

    Megjithatë, interesante mbetet vota e vetme që ajo ka fituar në Partesh, ndërsa asnjë kandidat tjetër nga PDK nuk ka ‘rrëmbyer’ votë në këtë komunë.

  • ZKA gjen shkelje në Skenderaj: Komuna subvencionoi dy herë brenda vitit të njëjtën OJQ

    ZKA gjen shkelje në Skenderaj: Komuna subvencionoi dy herë brenda vitit të njëjtën OJQ

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar shkelje të rregulloreve komunale sa i përket ndarjes së subvencioneve në Komunën e Skenderajt për vitin 2025. Sipas raportit të ri të auditimit, të nënshkruar nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, kjo komunë ka subvencionuar dy herë brenda të njëjtit vit buxhetor të njëjtën Organizatë Jo-Qeveritare (OJQ), në kundërshtim me rregullat në fuqi.

    Neni 19, pika 4 e Rregullores së Komunës për ndarjen e subvencioneve përcakton qartë se përfituesit mund të subvencionohen vetëm një herë në vit. Nga ky rregull përjashtohen vetëm personat fizikë në fushën e shëndetësisë (për nevoja të shërimit dhe sigurimit të ushqimeve, mirëqenies sociale) dhe në fushën e bujqësisë.

    Megjithatë, Auditori ka gjetur se Komuna e Skenderajt ka ndarë mjete financiare në dy raste të ndryshme për të njëjtën organizatë brenda vitit.

    “Komuna gjatë vitit 2025 ka subvencionuar dy (2) herë brenda vitit të njëjtën OJQ. Financimi është bërë për realizimin e aktivitetit ‘Juaji i mërgatës’ në vlerë 5,000€ dhe ‘Aktivitete rinore dhe kulturore’ në vlerë 7,500€”, thuhet në raportin e ZKA-së.

    Sipas ZKA-së, kjo situatë ka ndodhur si rezultat i mungesës së kontrolleve të mjaftueshme nga ana e zyrtarëve përgjegjës gjatë shqyrtimit dhe aprovimit të kërkesave, si dhe mungesës së një mekanizmi efektiv për verifikimin e përfitimeve paraprake të përfituesve brenda vitit buxhetor.

    Rreziqet dhe rekomandimi i Auditorit

    ZKA ka tërhequr vërejtjen se ndarja e subvencioneve në kundërshtim me rregulloren komunale rrit rrezikun e trajtimit jo të barabartë të përfituesve dhe mund të kufizojë mundësitë e përfitimit për OJQ-të e tjera.

    Lidhur me këtë gjetje, Auditorja e Përgjithshme ka dhënë rekomandim të qartë për krerët e komunës.

    “Kryetari duhet të sigurojë se, para aprovimit të subvencioneve, të kryhet verifikimi i plotë i përfitimeve paraprake të përfituesve, në mënyrë që të parandalohet subvencionimi më shumë se një herë brenda vitit për të njëjtët përfitues”, rekomandon ZKA.

    Nga ana tjetër, menaxhmenti i Komunës së Skenderajt është pajtuar plotësisht me këtë gjetje të Auditorit.

  • S’ka vota ‘karate’, kaq u vlerësua deri tash kandidati i VV-së

    S’ka vota ‘karate’, kaq u vlerësua deri tash kandidati i VV-së

    Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Naim Bardiqi, duket se nuk ka arritur të marrë vota ‘karate’ në garën për Kuvendin e Kosovës.

    Sipas rezultateve të publikuara në platformën e KQZ-së, pas numërimit të mbi 60% të kutive të votimit për kandidatët për deputetë, Bardiqi ka siguruar 7.273 vota duke u pozicionuar i 57-ti në mesin e kandidatëve të kësaj partie.

    Kujtojmë se i njëjti qëndron pas mesazhit ‘karate’ që iu zbulua në seancën e 27 prillit për çështjen e presidentit.

  • Prishtina nis fazën e dytë të dezinsektimit hapësinor më 15 qershor

    Prishtina nis fazën e dytë të dezinsektimit hapësinor më 15 qershor

    Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se më 15 qershor 2026 do të fillojë faza e dytë e dezinsektimit hapësinor në kryeqytet, e cila do të realizohet sipas planit dinamik të operimit.

    Sipas njoftimit, aktiviteti do të nisë në orën 20:00, ndërsa gjatë kësaj faze do të zhvillohen edhe veprimet për hudhjen e larvicideve më 15 dhe 16 qershor, duke filluar nga ora 09:00.

    Nga komuna është bërë e ditur se procesi është i ndjeshëm ndaj kushteve atmosferike, prandaj datat dhe oraret mund të pësojnë ndryshime në varësi të motit.

    “Faza e dytë e dezinsektimit hapësinor në Komunën e Prishtinës për vitin 2026 fillon më 15.06.2026, nga ora 20:00, sipas planit dinamik të operimit”, thuhet në njoftim.

    Autoritetet komunale kanë apeluar për mirëkuptim nga qytetarët gjatë realizimit të këtij aktiviteti, i cili ka për qëllim kontrollin e insekteve dhe përmirësimin e kushteve higjienike në hapësirat publike.

  • Edhe Zyba i VV-së larg ulëses në Kuvend, aktualisht i 62-ti

    Edhe Zyba i VV-së larg ulëses në Kuvend, aktualisht i 62-ti

    Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Salih Zyba, nuk është as afër listës së kësaj partie për t’u bërë deputetë.

    Zyba deri më tani ka marrë 6 mijë e 941 vota, bazuar në numërimin e 61.45% të vendvotimeve.

    Kësisoj, kandidati nga Suhareka aktualisht është renditur 62-ti.

    Qytetarët e komunës së vet ia kanë dhënë 1,414 vota.

    Ndërsa në total, VV në Suharekë ka marrë 7,286 vota, rreth 10 mijë vota më pak se në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

  • Për herë të parë synon ulësen në Kuvend, kaq vota ka “rrëmbyer” deri më tani Fahrije Hoti

    Për herë të parë synon ulësen në Kuvend, kaq vota ka “rrëmbyer” deri më tani Fahrije Hoti

    Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhja Demokratike e Kosovës, Fahrije Hoti, po shënon një paraqitje të rëndësishme në garën për ulëse në Kuvendin e Kosovës.

    Sipas rezultateve të deritanishme nga procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë, kur janë numëruar 60 për qind e votave, Hoti renditet në vendin e 26-të në listën e kandidatëve më të votuar të LDK-së.

    Deri më tani, kandidatja për deputete ka mbledhur 5845 vota gjithsej.

    Për Fahrije Hotin, kjo është hera e parë që garon për një mandat deputeteje.

  • Numërohen mbi 60% e votave, kaq vota kanë marrë kandidatët e PSD

    Numërohen mbi 60% e votave, kaq vota kanë marrë kandidatët e PSD

    Qendrat Komunale të Numërimit po vazhdojnë procesin e numërimit të votave për kandidatët për deputetë, ndërsa të dhënat po publikohen në platformën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

    Sipas të dhënave të përditësuara, deri më tani janë numëruar 61.13% të votave për kandidatët për deputetë nga zgjedhjet e 7 qershorit.

    Nga votat e numëruara deri tani, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka grumbulluar 944 vota, ndërkaq kandidatët e tjerë të kësaj partie kanë grumbulluar pothuajse të gjithë mbi 900 vota.

    1. Dardan Molliqaj 944 vota

    2. Natyra Kuçi 941 vota

    3. Teutë Rrusta 910 vota

    4. Nol Nushi 910 vota

    5. Florin Krasniqi 904 vota

    6. Frashër Krasniqi 867 vota

  • Jusuf Azemi u drejtohet Kurtit e Muratit: Kur do të shpërndahen 100 eurot për punëtorët e sektorit privat?

    Jusuf Azemi u drejtohet Kurtit e Muratit: Kur do të shpërndahen 100 eurot për punëtorët e sektorit privat?

    Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, u është drejtuar Kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit dhe Ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, lidhur me shtesën prej 100 euro për punëtorët e sektorit privat.

    Azemi ka kërkuar sqarime se kur pritet të bëhet shpërndarja e këtyre mjeteve.

    “Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, pas miratimit të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0 nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është duke pranuar vazhdimisht pyetje dhe kërkesa për sqarim nga punëtorët lidhur me kohën e realizimit të pagesës prej 100 eurove të paraparë me këtë pako, andaj ju kërkojmë sqarime zyrtare se kur pritet të bëhet shpërndarja e kësaj mbështetjeje financiare për përfituesit e kësaj mase”, thuhet në shkresë.

    Aplikimi për këtë mjete është mbyllur më 5 qershor, pra dy ditë para zgjedhjeve.

    Vendimi i Qeverisë ishte cilësuar si elektoral meqë erdhi në kohën e fushatës.

  • Aktakuzë ndaj gjashtë serbëve për barrikadat në veri

    Aktakuzë ndaj gjashtë serbëve për barrikadat në veri

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave për veprat penale “Bashkim për veprimtari kundër Kushtetuese, me qëllim të sulmit kundër Rendit Kushtetues të Republikës se Kosovës” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se të pandehurit D.M., D.D., M.R., N.J., N.O., dhe S.V., akuzohen se, nga 10.12.2022 deri më 29.12.2022, në komunat veriore të Republikës së Kosovës, duke vepruar në bashkëkryerje dhe përmes përdorimit të forcës dhe dhunës, kanë penguar institucionet e Republikës së Kosovës në vendosjen e rendit kushtetues, ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe kryerjen e detyrave zyrtare në këto komuna.

    “Sipas aktakuzës, ata kanë bllokuar rrugët kryesore me mjete të rënda, përfshirë kamion të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera.Po ashtu, nga veprimet e tyre rezulton se, në rast të ndërhyrjes së Policisë së Kosovës për largimin e barrikadave dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes, pjesëtarët e grupit kanë qenë të gatshëm t’i sulmonin zyrtarët policorë me mjetet që kishin në dispozicion”, thuhet në njoftim.

    Tutje siç thuhet në njoftim ndaj të pandehurve M.R., A.S., A.F., A.J., R.S., S.A., D.V., S.P., V.R., M.R., dhe M.R., janë pezulluar hetimet, pasi ata deri më tani janë të paarritshëm për organet e ndjekjes.

  • Pamje nga arrestimi i katër të dyshuarve në Tiranë – Shitën armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion luftarak

    Pamje nga arrestimi i katër të dyshuarve në Tiranë – Shitën armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion luftarak

    Policia e Shtetit ka arrestuar katër shtetas dhe dy të tjerë janë shpallë në kërkim.

    Sipas një njoftimi të Policisë bëhet e ditur gjatë gjithë periudhës hetimore dhe aksioneve policore, me objektiv goditjen e veprimtarisë kriminale të këtij grupi, në total, janë vënë në pranga 9 shtetas, si dhe janë sekuestruar 17 armë zjarri, katër kallëpë lëndë plasëse, sasi e madhe municioni, katër vetura dhe 13 celularë.

    “Sekuestrohen 7 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit. Gjatë të gjithë periudhës hetimore dhe aksioneve policore, me objektiv goditjen e veprimtarisë kriminale të këtij grupi, në total, janë vënë në pranga 9 shtetas, si dhe janë sekuestruar 17 armë zjarri, 4 kallëpë lëndë plasëse, sasi e madhe municioni, 4 automjete dhe 13 celularë”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu siç thuhet në njoftim në vijim këtij hetimi, si dhe në kuadër të operacionit “Rrjeti”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 ekzekutuan urdhrat e Prokurorisë së Tiranës, për ndalimin e shtetasve M. V., 35 vjeç, E. M., 25 vjeç, F. Z., 29 vjeç dhe K. B., 32 vjeç.

    “Më tej, u shpallën në kërkim shtetasit K. V., 21 vjeç dhe B. A., 28 vjeç. Nga hetimet dyshohet se 6 shtetasit e identifikuar gjatë operacionit “Rrjeti”, së bashku me shtetasit e arrestuar më parë, D. J., F. Gj., U. M., L. M. dhe K. M., të organizuar si grup, kanë siguruar dhe kanë shitur në zona të ndryshme të kryeqytetit, armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion luftarak”, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq, 6 shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 7 armë zjarri (4 pistoleta dhe 3 automatikë), municion luftarak dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit, i cili vijon për të identifikuar shtetas të tjerë të përfshirë në grup, si dhe për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të grupit.