ATV

Category: Lajme

  • Sot mblidhen shtatë komisione parlamentare

    Sot mblidhen shtatë komisione parlamentare

    Sot në Kuvendin e Kosovës pritet që shtatë komisione parlamentare të mbajnë mbledhje e rregullta të tyre.

    Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport do të shqyrtojë vendimin e Qeverisë për miratimin e Statutit të ri të Universitetit Publik “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

    Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, do të shqyrtojë raportin me amendamente të Projektligjit për regjistrin e pronarëve përfitues si dhe shqyrton Projekt-rezolutën për Raportin vjetor të Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare – ARKEP, për vitin 2022.

    Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, do të shqyrtojë Projektligjin për performancën energjetike të ndërtesave me raport amendamente të Komisionit funksional për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

    Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, do të takohet me përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur si dhe të Këshillit Koordinues të Familjarëve të Personave të Zhdukur, ku të ftuar janë edhe Andin Hoti dhe Ahmet Grajqevci.

    Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, do të shqyrtojë kërkesën e banorëve të “Toukbahçes” në Prishtinë rreth tjetërsimit të disa burimeve ujore.

    Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, do t’i shqyrtojë disa Projektligje. Ata po ashtu do të formojnë edhe grupin punues për Projektligjin për Gjykatën Administrative.

    Ndërkaq, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, do të takohet me Komisionin për Punë të Jashtme, Siguri dhe Mbrojtje të Senatit të Parlamentit të Republikës së Çekisë.

  • Krejt çka ndodhi dje në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara

    Krejt çka ndodhi dje në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të hënën se serbët e Kosovës janë në presion prej Qeverisë së Serbisë, derisa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se serbët në Kosovë po maltretohen në lloj-lloj formash nga autoritetet atje, pa ofruar ndonjë dëshmi.

    Shefja e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh, ka shprehur pakënaqësinë e saj për mungesën e përparimit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në muajt e fundit, drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    Ata i kanë bërë këto deklarata në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të organizuar për të diskutuar raportin gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

    Përfaqësues të vendeve tjera pjesëmarrëse kanë bërë thirrje që Serbia t’i mbajë përgjegjës personat e përfshirë në incidentin në Banjskë të Zveçanit, që ka ndodhur në shtator të vitit të kaluar, për formim të Asociaconit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe për zgjidhje të çështjes së dinarit serb.

  • Sot reshje intensive të shiut dhe rënie të temperaturave

    Sot reshje intensive të shiut dhe rënie të temperaturave

    Ditën e sotme parashikohet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje intensive të shiut, të cilat lokalisht do të jenë në formë të rrebesheve, ku ka mundësi të sjellin edhe vërshime në zona të caktuara.

    Meqenëse sistemi vjen nga Afrika Veriore, do të bartë me vete koncentrime të pluhurit Saharian, me ç’rast reshjet do të jenë të përziera me baltë.

    Era do fryjë kryesisht nga drejtimi i juglindjes, e cila në momente të veçanta gjatë pasdites pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-65 km/h, transmeton Sinjali.

    Temperaturat do të pësojnë ulje, me minimale që do të lëvizin prej 5 deri në 8°C, ndërsa ato maksimale prej 10 deri në 13°C.

  • ShBA: Serbia nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’i gjetur sulmuesit e Banjskës

    ShBA: Serbia nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’i gjetur sulmuesit e Banjskës

    Në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara është diskutuar situata në Kosovë.

    Aty foli edhe zëvendëspërfaqësuesi i Përhershëm i SHBA-së në OKB Robert Wood.

    Wood tha se Serbia nuk e ka ndërmarrë asnjë përpjekje për t’i gjetur përgjegjësit e sulmit të Banjskës më 24 shtator.

    “Liderin e proklamuar të serbëve Milan Radoiçiq. Është kritike që Serbia të punojë me KFOR-in për ta parandaluar edhe një sulm tjetër sikur ai i shtatorit të vitit 2023”, tha ai në fjalimin e tij.

    Wood foli edhe rreth ndalimit të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe në kufirin me Kroacinë javën e kaluar, duke shprehur shqetësimin e madh.

    “Jemi të shqetësuar me mungesën e lirisë së lëvizjes për qytetarët e Kosovës që po hynin në Serbi, përfshirë edhe serbët që shërbejnë në Policinë e Kosovës”, tha Wood.

    Përfaqësuesi i ShBA-së tha se e sheh këtë si kërcënim për serbët që duan të integrohen në jetën publike në Kosovë.

  • Lulzim Tafa zgjidhet anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

    Lulzim Tafa zgjidhet anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

    Përgatiti: Haris Ademi

    Profesori dhe poeti, Lulzim Tafa, si dhe inxhinierja Mira Murati, janë zgjedhur anëtarë të jashtëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

    Ata morën votat e Asamblesë së Përgjithshme të kësaj akademie, në mbledhjen e së hënës, në Tiranë. Rekomandimet për votimin e Tafës i dhanë akademikët Xhevahir Spahiu e Shaban Sinani. Ndërsa, u veçuan tre përbërës të profilit të tij akademik e letrar.

    “Kandidati ka një veprimtari botuese të pandërprerë prej më shumë se tri dekadash si poet, që cilësohet me të drejtë përfaqësues i brezit letrar shqiptar të pas 1990-ës në Kosovë. Është autor i 10 vëllimeve poetike, të cilët kanë merituar çmime ndërkombëtare të mirënjohura si Neruda e Eminescu, duke përfshirë urdhrin presidencial francez “Ordre des Arts et de literature”. Këtij certifikimi i shtohet numri i madh i gjuhëve në të cilat është përkthyer vepra e tij. Numri i gjuhëve në të cilat lexohet poezia e tij është rreth 30″, tha kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skender Gjinushi.

    Ndërsa, u çmua edhe roli i shqiptares Mira Murati, e cila është një nga njerëzit kryesorë në kompaninë “Open AI”, që ka bërë revolucion në teknologji së fundmi, përmes inteligjencës artificiale.

    “Me emrin e saj lidhen arritje nga më të rëndësishmet në zhvillimin e disa prej produkteve më të shquara të “Open AI”, duke përfshirë serinë e modeleve gjuhësore të “Transformerit të Paratrajnuar Gjenerues” (GPT)”, tha Gjinushi.

    Poeti Lulzim Tafa është i njohur për artin e tij, si njëri ndër poetët shqiptarë më të përkthyer në botë, njëherësh laureat i shumë çmimeve ndërkombëtare. Ai ka fituar dhjetëra çmime prestigjioze ndërkombëtare për letërsi, ndërsa mban shumë tituj nderi në akademi e universitete botërore. Së fundmi, Lulzim Tafa u dekorua edhe nga presidenti francez, Emanuel Macron, me dekoratën “Oficer i Urdhrit Kombëtar të Letrave dhe Arteve”, që është dekorata më e lartë të cilën shteti francez e ndan në fushën e artit dhe letërsisë.

    Është profesor universiteti, ligjërues e profesor i ftuar, anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencës dhe Arteve dhe i Akademisë së Shkencave të Bosnjës.

    “Është themelues e mundësues i pesë çmimeve e mirënjohjeve në letërsi, duke përfshirë çmimin “Ali Podrimja”; është aktivist për vokacion në lëvizje emancipuese, që nga lëvizjet letrare, nismat në favor të studentëve. Është themelues i “The British School of Kosova”, i Universitetit AAB (prej 8 vjetësh dhe rektor i tij), i televizionit jopublik ATV dhe gjithashtu i një teatri jopublik shqiptar në Prishtinë”, tha Gjinushi.

    Në mbledhjen e së hënës u tha se votimi i suksesshëm për anëtarët e rinj të jashtëm, i bën nder vetë akademisë.

    Përveç Tafës dhe Muratit, si anëtarë të jashtëm në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, të hënën u votuan edhe Lea Ypi, Gëzim Alpion dhe Angjelin Preljocaj.

  • Sylejman Selimi e Jahir Demaku thonë se e vuajtën dënimin pa qenë fajtorë

    Sylejman Selimi e Jahir Demaku thonë se e vuajtën dënimin pa qenë fajtorë

    Përgatiti: Nora Luta

    Më shumë se një dekadë pas ngritjes së aktakuzës për krime lufte, Sylejman Selimi e Jahir Demaku po vazhdojnë ballafaqimin me drejtësinë.

    Dëshmia e dëshmitarit A, është e vetmja provë në të cilën e mbështetet Prokuroria Speciale pikën e aktakuzës së përpiluar nga EULEX-i ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila u kthye në rigjykim nga Supremja.

    Në fjalën përfundimtare, PSRK-ja argumentoi pse sipas saj gjykata duhet t’ia falë besimin kësaj prove.

    Për Selimin kërkesa e PSRK-së që ai dhe Demaku të dënohen është tragjike dhe e bazuar në një dëshmitar që, sipas tij, ka shpifur.

    Duke folur për angazhimin e tij gjatë luftës si komandant i Zonës Operative të Drenicës, Selimi mohoi të ketë rrahur civilë, për çka e ngarkon organi i akuzës.

    Ndërsa, Demaku, i cili para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Ngadhnjim Arrni, u thirr në fjalët e ish-gjyqtarit të EULEX-it, Malkom Simons, tha se rasti ndaj tyre ka qenë i politizuar.

    Rasti ndaj Demakut e Selimit u kthye në rigjykim nga Supremja në vitin 2018 për vetëm një pikë të aktakuzës.

    Procesi nisi pas gjashtë vjetësh, në fillim të këtij muaji, kur lënda u bart në Departamentin Special, nga Gjykata e Mitrovicës.

    Mbrojtja teksa theksoi se me zgjatjen e procedurave palëve iu shkelën të drejtat, vuri në pikëpyetje besueshmërinë e dëshmitarit A.

    Sipas aktakuzës, ata keqtrajtuan disa civilë në Likoc të Skenderajt gjatë periudhës së luftës së fundit.

    Selimi ishte dënuar me tetë vjet burgim, ndërsa Demaku me shtatë, pasi ishin shpallur fajtor në rastin “Drenica 1” dhe “Drenica 2”.

  • Zyrtare: Marrëveshja me Kosovën, kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE

    Zyrtare: Marrëveshja me Kosovën, kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Përfundimisht, 13 muaj pas dakordimit në Ohër, Bashkimi Evropian kushtëzoi rrugën e anëtarësimit të Serbisë me zbatimin e marrëveshjes bazë dhe shtojcës me Kosovën.

    Në mbledhjen e së hënës, Këshilli për Punë të Jashtme i bllokut 27-anëtarësh miratoi ndryshimet në Kapitullin 35 të negociatave me shtetin fqinj.

    “Ndryshimet (në Kapitullin 35) janë miratuar sot nga Këshilli për Punë të Jashtme. Përditësimi do t’i transmetohet Serbisë nëpërmjet një letre. Dokumenti nuk është bërë publik”, tha Liss Jaansalu nga Këshilli i BE-së.

    Referuar Shtojcës së Ohrit, BE-ja konfirmoi se obligimi i njëjtë do të zyrtarizohet së shpejti edhe për Kosovën.

    “Ne mirëpresim vendimin e sotëm të Këshillit për përditësimin e kritereve, duke përshirë marrëveshjen në Kapitullin 35 të negociatave për anëtarësim me Serbinë. Në këtë kontekst, do të përditësohet edhe agjenda e mbledhjes së radhës të Grupit Special të Normalizimit për Kosovën. Ne presim që të dyja palët të zbatojnë marrëveshjen dhe të gjitha detyrimet e tjera të dialogut të mbetura pezull – pasi kjo është çelës për rrugët përkatëse evropiane”, ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    Këtë vendim, hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj, e vlerësoi formë detyrimi në mungesë të vullnetit të palëve për zbatim të obligimeve.

    “Kosova dhe as Serbia nuk mund t’i ikin në asnjë moment marrëveshjeve për të cilat janë dakorduar, veçanërisht në Ohër dhe në Bruksel. Kjo është parë sot me kushtëzimin e Serbisë për Kapitullin 35. Ndërkohë edhe për Kosovën do të jenë detyrime të reja. Nuk do të duhej obligimet të cilat i ke marrë përsipër vetë t’i zbatosh, të detyrohesh të zbatohen në rrugë të tjera, në atë që quhet rrugë drejt BE-së”, tha Jakaj.

    Dokumenti për të cilin Kosova dhe Serbia u pajtuan më 18 Mars 2023, në Ohër, saktëson që zbatimi i Marrëveshjes bazë dhe Shtojcës do të bëhet pjesë integrale e procesit të anëtarësimit në BE për të dyja shtetet.

  • Osmani në KS të OKB-së: Terroristët enden të lirë në Serbi

    Osmani në KS të OKB-së: Terroristët enden të lirë në Serbi

    Përgatiti: Armand Hoti

    Së bashku me katër gra të mbijetuara nga krimet e luftës, Presidentja Vjosa Osmani, u paraqit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

    Në fjalën e saj, Presidentja e Kosovës, renditi të bëmat nga Serbia, përfshirë këtu sulmin e Banjskës, kidnapimin e policëve në veri, presionin ndaj serbëve në Kosovë por edhe sulmin ndaj gazetarëve.

    “Përpjekjet nga Serbia për destabilizim janë aktive. E ka eskaluar agresionin fillimisht me kidnapinimin e policëve, sulmin ndaj gazetarëve e sulmin terrorist ndaj Kosovës në shtator. Serbët që ishin integruar në institucionet e Republikës së Kosovës u detyruan të japin dorëheqje për shkak të presionit të ushtruar nga strukturat ilegale të Serbisë. Sulmet ndaj pronave të tyre, shkatërrimi dhe rreziqet për jetën e tyre, me qëllim që t’i detyrojnë ata të largohen nga institucionet e Kosovës, janë skenarë të shpeshtë që thirren ndaj atyre që refuzuan të japin dorëheqje nga institucionet e Kosovës. Pra, po, serbët janë nën presion, por jo nga Qeveria e Kosovës por nga Qeveria e Serbisë”, tha Osmani.

    Veç kësaj, Osmani foli edhe për heroinat që ishin bashkë me të në sallë, se cfarë ato kanë kaluar gjatë luftës.

    “Ata donin ta shkatërronin dhe t’i vrisnin shpresën. Kjo është arsyeja pse ata zgjodhën pa mëshirë një nga mjetet më mizore të luftës – përdhunimin. ‘Do të vuash më shumë nëse të lëmë të jetosh’, i thanë, ndërsa ajo i lutej ta vrisnin”, tha Osmani.

    Mirëpo prezenca e tyre, i pengoi presidentit serb.

    “Keni sjellë njerëz që nuk e kanë vendin këtu në korrin diplomatik apo në ekipin këshilldhënës të zonjës Osmani, është një lloj teatri politik dhe një kurth për delegacionin serb”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic.

    I menjëhershëm ka qenë reagimi i Presidentës së Kosovës, e cila tha se të katër gratë janë pjesë e kabinetit të saj.

    Vucic, u ankua se kryeministri Albin Kurti po i diskriminon serbët.

    “Serbia i paraqiti Këshillit të Sigurimit të OKB-së gjithçka që ndodhi, dhunë ligjore, dhunë fizike dhe shënjestrim selektiv të serbëve në Kosovë. Të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së vlerësuan se argumentet dhe ankesat tona të dorëzuara ishin në përputhje me faktet. Lëvizjet e pushtetarëve të Prishtinës prekin të gjithë në mënyrë të barabartë, pavarësisht moshës dhe gjinisë, dhe të gjitha brenda agjendës shoviniste që synon krijimin e Shqipërisë së Madhe”, tha Vucic.

    Këto akuza, i quajti totalisht të rreme presidentja Osmani.

    Delegacionet e shteteve njohëse të Kosovës, deklaruan se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ndërkaq, në raportimin e saj për periudhën kohore 19 shtator- 15 mars, shefja e UNMIK-ut, shprehur të hënën pakënaqësinë e saj për mungesën e përparimit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në muajt e fundit, drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Nis “Java e imunizimit”, në rritje vaksinimi i qytetarëve

    Nis “Java e imunizimit”, në rritje vaksinimi i qytetarëve

    Përgatiti: Sara Shehu

    Për një jetë më të shëndetshme institucionet e shëndetësisë u kanë apeluar qytetarëve për vaksinim.

    Në njërën nga aktivitetet e të hënës, me rastin e shënimit të javës së imunizimit, u potencua se vaksinimi është i një rëndësie të lartë për ruajtjen e shëndetit të shoqërisë.

    Me këtë rast, ministri Arben Vitia ka thënë se gjatë viti 2023 mbulueshmëria me vaksina ishte në shkallën 90%.

    Edhe sipas drejtorit të IKShKP-së, Naser Ramadani, imunizimi është njëri prej investimeve më të mira të MSh-së.

    Kurse, kryesuesja e Komisionit të shëndetësisë, Fatmire Kollçaku, tha se ende duhet kohë për të kuptuar shoqëria se vaksinimi është një nga shtyllat kryesore për parandalimin e sëmundjeve të ndryshme.

    Pjesë e këtij organizimi ishin edhe partnerët ndërkombëtarë nga UNICEF-i, të cilët u shprehën të kënaqur me punën e profesionistëve shëndetësorë në vend.

    Ndërkaq, gjatë këtij diskutimi, nëpërmjet një video-lidhje, Oleksandr Martynenko, shef i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, ka bërë të ditur se për shkak të vaksinimit të rregullt në vitin 2023 janë shpëtuar 4 milionë vdekje në botë.

  • Kryetarët e PDK-së në veri s’e përfillin kërkesën e Kurtit

    Kryetarët e PDK-së në veri s’e përfillin kërkesën e Kurtit

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Kryetarët e katër komunave veriore do të mund ta vazhdojnë mandatin të paktën edhe për një vit.

    Por nga maji i vitit të kaluar kur morën zyrtarisht mandatin, dy nga ta, respektivisht ai i Zubin Potokut e ai i Zveçanit, detyrën e ushtruan në zyra alternative.

    Por tash kur procesi për shkarkimin e tyre dështoi, kryeministri Albin Kurti ua çoi një selam që të dalin në objekte të komunave.

    Por, para kërkesës së kryeministrit, kryetari i Zveçanit Ilir Peci preferon të veprojë në koordinim me ndërkombëtarët.

    “Do të vazhdojmë prej këtu, por të shohim, ne me këshillat e miqve ndërkombëtarë kemi qëndruar këtu dhe me këshillat e tyre do të vendosim se a do të qëndrojmë apo do të shkojmë në objekt zyrtar”, tha Peci.

    Megjithatë, disa zyra tashmë janë aktive në komunën e Zveçanit. Njashtu edhe në atë të Zubin Potokut, por aty mund të shkojë edhe kryetari.

    Izmir Zeqiri tha se fillimisht duhet rinovuar një pjesë të objektit e më pas të vendosen aty.

    “Së shpejti do të jem aty, një pjesë e kabinetit tim gati çdo ditë është aty, qoftë këshilltari apo drejtorët, por së pari duhet të përgatiten zyrat për të funksionuar me tërë stafin. Unë kam mundur të shkoj edhe para një muaji edhe tash por kur të shkoj duhet të jetë teknikisht e gatshme”, tha Zeqiri.

    Zeqiri, Peci, Hetemi e Atici do mund të vazhdojnë të qëndrojnë në krye të komunave veriore, të paktën dhe për 12 muaj, pasi nisma për shkarkimin e tyre nga detyra dështoi të dielën meqë nuk u mblodhën votat e mjaftueshme.