ATV

Category: Lajme

  • Themelorja dhe Apeli konfirmojnë aktakuzën ndaj Dragisha Milenkoviq për krime lufte në Kosovë

    Themelorja dhe Apeli konfirmojnë aktakuzën ndaj Dragisha Milenkoviq për krime lufte në Kosovë

    Gjykata Themelore e Prishtinës dhe Gjykata e Apelit kanë konfirmuar aktakuzën kundër Dragisha Milenkoviq, ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile.

    Më 10 janar 2024, në seancën fillestare Milenkoviq ishte deklaruar i pafajshëm për krime lufte, ndërsa kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.

    “Betimi për Drejtësi” ka siguruar dy vendimet në fjalë me të cilat është konfirmuar aktakuza e këtij rasti.

    Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Millenkoviq, avokati Dejan Vasiq kishte kërkuar hudhjen e aktakuzës me pretendimin se hetimin të cilin e ka zbatuar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) është joligjor në pikëpamje të nenit 61, par.3 dhe nenit 129, par.9 të KPPK-së.

    Kjo me pretendimin se mbrojtja nuk është ftuar asnjëherë në lidhje me zbatimin e veprimeve hetimore nga ana e policisë, në dëgjimin e dëshmitarëve, duke aluduar se kjo mënyrë e mbledhjes së provave nuk është e mundur në asnjë gjykatë apo prokurori në Kosovë, përveç në lëndët ku serbët janë të akuzuar për krime lufte.

    Po ashtu, avokati Vasiq në kërkesën për hudhje të aktakuzës ka pretenduar se nuk është vërtetuar në masë të mjaftueshme dyshimi i bazuar i nevojshëm për akuzim, gjithashtu pretendoi se provat që i ka siguruar Prokuroria janë joligjore.

    Mirëpo, Gjykata Themelore në Prishtinë, sipas vendimit të përpiluar më 28 shkurt 2024, ka refuzuar kërkesën e Vasiq si të pabazuar.

    Në këtë vendim thuhet se, gjykata pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të mbrojtjes, ka arritur në përfundim se kërkesa për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimi i provave janë të pabazuara, pasi që në rastin konkret provat mbi të cilat është mbështetur aktakuza janë të pranueshme dhe ekzistojnë prova të mjaftueshme të cilat vërtetojnë dyshimin e bazuar të kërkuar në këtë fazë të procedurës penale për të parashtruar aktakuzën dhe proceduar çështjen deri në shqyrtim gjyqësor.

    “Sa i përket pretendimeve të mbrojtësit të të pandehurit se hetimi të cilin e ka zbatuar PSRK është joligjor në pikëpamje të neni 61 par.3 dhe nenit 129 par.9 të KPPK-së, pasi që mbrojtja nuk është ftuar asnjëherë në lidhje me zbatimin e veprimeve hetimore nga ana e policisë, në dëgjimin e dëshmitarëve, gjykata këto pretendime i hodhi poshtë si të pabazuara dhe të pa argumentuara, ngase PSRK ka zhvilluar hetime sipas dispozitave ligjore që i parasheh KPPK, hetimi është mbikëqyrur edhe nga gjyqtari i procedurës paraprake, dhe si i tillë është i ligjshëm dhe provat janë marrë në mënyrë të ligjshme duke mos i shkelur apo cenuar të drejtat e mbrojtjes”, thuhet tutje në vendimin e Themelores.

    Ndërsa, në raport me pretendimet e mbrojtësit se “nuk prova të mjaftueshme për të mbështetur një dyshim të bazuar mirë se është kryer vepra penale sipas aktakuzës”, gjykata ka vlerësuar se bazuar në provat bashkëngjitur aktakuzës, siç janë: deklaratat e të dëmtuarve-dëshmitarëve deri në këtë fazë të procedurës, krijohet bindja se ekziston dyshimi i bazuar që i pandehuri është kryerës veprës penale e cila me aktakuzë i vihet në barrë.

    “Andaj me qëllim të vërtetimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, rrjedhimisht zbardhjes së të vërtetës materiale, gjykata gjatë shqyrtimit gjyqësor do të administrojë me të gjitha provat e propozuara e në përputhje me dispozitat në fuqi të KPPRK-së, e nga të cilat prova në përfundim të këtij shqyrtimi do të konstatohet nëse ekziston përgjegjësia penale e të pandehurit në raport me veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në vendimin e Themelores.

    Kundër këtij aktvendimi, avokati Vasiq kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike.

    Ai kishte propozuar që Apeli të aprovojë ankesën e tij dhe të ndryshojë aktvendimin e atakuar duke i shpallur të gjitha provat e papranueshme të cekura në aktakuzën e Prokurorisë, apo të njëjtin të anulojë dhe ta kthejë në rivendosje.

    Mirëpo, më 20 mars 2024, Apeli ka marrë vendim me të cilin ka konstatuar se ankesa e parashtruar është e pabazuar.

    Apeli ka gjetur se aktvendimi i ankimuar nuk është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale apo shkelje tjera të cilat do ta kushtëzonin anulimin e aktvendimit.

    “Nga shikimi i aktvendimit të gjykatës së shkallës së parë rezulton se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qëndrueshme me refuzimin e kërkesave të mbrojtjes”, thuhet tutje në vendimin e Apelit.

    Sipas Apelit, aktakuza e ngritur nga ana e PSRK-së përmban të gjitha elementet e duhura ligjore siç i parasheh dispozita e nenit 235 paragrafi 1 të KPP-së, dispozitë kjo që rregullon aktakuzës, ndërsa nuk ekzistojnë arsyet për hedhjen e aktakuzës ashtu siç i ka paraparë dispozita ligore e nenit 244 paragrafi 1, nën paragrafi 1.1, 1.2, 1.3, 1.5, 1.6 dhe 1.7 të KPP-së.

    Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejt kur ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, meqë pretendimet ankimore në këtë fazë të procedurës penale u vlerësuan si të pabazuara.

    Aktakuza e ngritur më 26 dhjetor 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Dragisha Milenkoviqin se në cilësinë e gardianit të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve në fjalë Ljubomir Çimburoviç, ish-drejtor i Burgut të Qarkut në Prishtinë, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, ish-gardianë të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç‘njerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, kabllo elektrike, gypa të ujit, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore, ashtu siç e shpjegojnë vetë viktimat, se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psiqike, i kanë lënë pa ngrënë për gati një javë, i kanë kanosur seriozisht për jetë e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë.

    Aktakuza thotë se Milenkoviq, nga 24 maj 1999 deri më 10 qershor 1999, në Burgun e Lipjanit, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve në fjalë Çimburoviç, Bradiq dhe Iviq, pasi i kanë transferuar të burgosurit shqiptarë nga Burgu i Dubravës në Burgun e Lipjanit, fillimisht kishin formuar kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët, ku të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit, e pastaj kishin filluar që t’i godasin me mjete të ndryshme si shkop gome, grushte e shqelma.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, pas kësaj në mënyrë sistematike kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke torturuar në mënyrë ç‘njerëzore, maltretuar, shkaktuar lëndime trupore dhe siç e shpjegojnë vetë viktimat, pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psiqike, i kanë lënë pa ngrënë për ditë të tëra, i kanë ofenduar e sharë dhe i kanë kanosur seriozisht për jetë se do i vrasin të gjithë, veprime këto të cilat kanë shkaktuar gjendje ankthi dhe frike tek ata.

    Me këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.

    Milenkoviq ngarkohet edhe se në shtëpinë e tij më 21 qershor 2023, në Graçanicë, gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, policia ka gjetur një pistoletë, fishekë, karikatorë, thikë, shufër metalike.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

  • Bie fasada e ndërtesës, intervenojnë zjarrfikësit dhe inspeksioni komunal

    Bie fasada e ndërtesës, intervenojnë zjarrfikësit dhe inspeksioni komunal

    Një pjesë e fasadës së një ndërtese në rrugën “UÇK” në Prishtinë ka rënë në tokë duke rrezikuar qytetarët, raporton Ekonomia Online.

    Mirëpo fatmirësisht askush nuk ka pësuar lëndime ndërsa tani vendi i ngjarjes është siguruar nga zjarrfikësit. Të pranishëm janë edhe Inspeksioni i Komunës së Prishtinës.

    Bashkim Zeneli udhëheqës i skuadrës së zjarrfikësve “Prishtina 2” ka thënë se në mëngjes kanë pranuar thirrje që është duke rënë fasada nga banesat në rrugën “UÇK”.

    “Ne jemi në këtë intervenim dhe udhëheq të incidentit. Në orën 9:25 kemi pranu thirrje që është duke ra fasada nga banesat që është duke rrezikuar qytetarët dhe menjëherë kemi dal menjëherë në vendin e ngjarjes. Diku rreth 70% të punës e kemi kry kurse nga hyrja tjetër nuk kemi pasur qasje sepse nuk është banesa e pabanueshme. E kryem intervenimin çka ishte në rrezik me ra fasada”, u shpreh Zeneli, teksa kritikoi edhe Policinë e Kosovës të cilët u larguan nga vendi i ngjarjes. Ai deklaroi se u janë dashur që të merren edhe me trafikun në Prishtinë.

    “Absolutisht nuk ka pasur dëme mirëpo në këtë intervenim jemi të zhgënjyer prej patrullës së policisë e cila iku nga incidenti. Na la në vendin e ngjarjes dhe po ballafaqohemi me dy punë, sigurimin tonë të automjeteve, qytetarëve, trafikut e të gjithave. Në qoftë se ka reshje atmosferike do të zbutet dhe do të bie (fasada)”, ka thënë Zeneli.

    E drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, ka thënë për Ekonomia Online se me marrjen e informatës ekipet emergjente të kryeqytetit janë dal në vendin e ngjarjes.

    “Është një incident që ka ndodhu sot në mëngjes. Me marrjen e informatës ekipet emergjente të kryeqytetit janë dal në vendin e ngjarjes. Inspektoret dhe shërbimi i zjarrfikësve e kemi eleminu rrezikun. Një pjesë e fasadës si pasojë e shirave ka ra. Është eleminu rreziku dhe do ta pastrojmë ta kthejmë në gjendjen e mëparshme. Do të monitorojmë më tutje këtë pjesë të qytetit mirëpo edhe pjesë të tjera të qytetit për ndonjë eventualitet”, ka thënë Fushtica.

  • Arrestohet ndihmësi i një eurodeputeti gjerman, dyshohet se spiunon për Kinën

    Arrestohet ndihmësi i një eurodeputeti gjerman, dyshohet se spiunon për Kinën

    Një burrë, i cili punon për një ligjvënës gjerman në Parlamentin Evropian, është arrestuar si spiun i dyshuar i Kinës, thanë prokurorët gjermanë të martën.

    I dyshuari, i identifikuar vetëm si Jian G. në përputhje me ligjet gjermane të privatësisë, u arrestua të hënën në Dresden, tha Prokuroria Federale e Gjermanisë në një komunikatë për media.

    Ai ka punuar për ligjvënësin gjerman në legjislaturën e Parlamentit Evropian prej vitit 2019, sipas njoftimit.

    Prokuroria nuk tregoi se për cilin ligjvënës punon ai, por transmetuesi publik gjerman, ARD, dhe revista Der Spiegel, raportuan se ai është i angazhuar nga Maximilian Krah, anëtari i partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë.

    Maximilian Krah është kandidati kryesor i partisë gjermane për zgjedhjet e ardhshme në Parlamentin Evropian, që do të mbahen në qershor.

    Jian G. akuzohet se punon për shërbimin inteligjent të Kinës dhe se vazhdimisht i ka dhënë informata asaj për bisedimet dhe vendimet në Parlamentin Evropian në janar. Prokurorët e akuzojnë gjithashtu edhe për spiunimin e disidentëve kinezë në Gjermani.

    Lajmi për arrestimi e tij u bë i ditur një ditë pasi u arrestuan tre gjermanë të dyshuar si spiunë të Kinës në një rast tjetër. Ata dyshohet se i kanë dhënë asaj informata të teknologjisë.

  • ​Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, sot votojnë të sëmurët dhe të burgosurit

    ​Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, sot votojnë të sëmurët dhe të burgosurit

    Në Maqedoninë e Veriut sot ka nisur heshtja zgjedhore, para zgjedhjeve të nesërme, të shtata presidenciale. Heshtja përfundon më 24 prill në orën 19:00, kur mbyllen vendvotimet. Këtë vit, pasi mbahen zgjedhje të dyfishta, gjatë heshtjes për zgjedhjet presidenciale, nuk ka ndërprerje të fushatës për zgjedhjet parlamentare të caktuara për më 8 maj.

    Zakonisht sot, një ditë para zgjedhjeve, votimi për zgjedhjet presidenciale mbahet për të sëmurët dhe personat e pafuqishëm, të burgosurit në Shtëpitë ndëshkuese-përmirësuese dhe personat në paraburgim, në shtëpitë e të moshuarve dhe shtetasit tanë jashtë vendit.

    Votimi për president filloi me 191 anëtarë të këshillave zgjedhor të shtunën të cilët udhëtuan për ta zbatuar votimin në diasporë. Në përfaqësitë diplomatike dhe zyrat konsullare sot prej orës 7:00 deri në orën 19:00 sipas kohës lokale, në bazë të 2.571 paraqitjeve të pranuara të shtetasve tanë, votimi duhet të mbahet në Abu Dabi, ku janë paraqitur 26 shtetas tanë për votim, në Beograd – 31, Berlin- 260, Bernë – 186, Bon– 164, Bruksel – 93, Uashington – 34, Venecie – 79, Vjenë – 123, Detroid – 34, Zagreb – 87, Kaberrë – 31, Kopenhagë – 74, Londër – 87, Lubjanë – 332, Munih – 166, Melburn – 64, Nju-Jork – 85, Osllo – 41, Paris – 44, Pragë – 52, Romë – 30, Stokholm – 85,Toronto – 117, Hagë – 65, Çikago – 88, Ankara – 18, Varshavë – 23, Madrid – 18, Pekin – 12 dhe Sofje 22.

    Qytetarët e Maqedonisë së Veriut të tjerë të cilët jetojnë jashtë vendit të drejtën e vet të votës mund ta realizojnë në vendvotimet në vend. Rezultatet nga votimi i sotëm do të dihet nesër, së bashku me rezultatet nga votimi në vend. Të drejtë vote në zgjedhjet e shtata presidenciale kanë 1.814.317 votues. Vendvotimet hapen në orën 7:00, ndërsa votimi zgjatë deri në orën 19:00. Votohet në 3480 vendvotime në tërë Maqedoninë e Veriut.

    Ndërkohë, janë gjithsej 942 vëzhgues, gazetarë dhe përkthyes të huaj janë të akredituar për monitorimin e zgjedhjeve presidenciale. Siç njoftohet në ueb faqen e KSHZ-së, deri më 19 prill janë akredituar 342 vëzhgues dhe përkthyes vendas dhe 568 të huaj, nga të cilët më të shumtët janë nga OSBE/ODIHR – 375. Vëzhguesit vendorë më të shumtë do të jenë vëzhguesit e Shoqata për zhvillimin e inovacioneve social-sociale “VAKE UP” – Shkup – 182.

    Përveç këtyre organizatave të akredituara për të vëzhguar Zgjedhjet për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut 2024 dhe Zgjedhjet për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut 2024 janë edhe Asociacioni qytetar CIVIL – Qendra për Liri – Shkup, Asociacioni për Promovimi dhe zhvillimi i një shoqërie gjithëpërfshirëse Kumanovë, Fondacioni Rom për Demokraci – Shkup, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës – komisioni ad hoc për monitorimin e zgjedhjeve presidenciale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Instituti Kombëtar Demokratik për Punë të Jashtme , Uashington SHBA – filial i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Qendra për zhvillimin e sistemeve zgjedhore, reformat dhe trajnimet (qendra e trajnimit) e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Gjeorgjisë, Ambasada e Republikës Sllovake në Shkup, Qendra për Zhvillim e Sistemeve Zgjedhore, reformave dhe trajnimeve (qendra e trajnimit) e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Gjeorgjisë dhe Shoqatës Evropiane për Dialog dhe Demokraci – Bergen, Norvegji.

    Zgjedhjet për kreun e shtetit do të ndiqen nga 32 gazetarë të huaj, duke përfshirë agjencitë Reuters dhe France Press, Euronews Albania, European Press Photo Agency – EPA, Al Jazeera Balkans, Zëri i Amerikës – editorial maqedonas, Top Kanal Albania – seksioni i Kosovës dhe të tjerët.

    Zgjedhjet e shtatë presidenciale në vend do të mbahen më 24 prill, ndërsa raundi i dytë i mundshëm së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj.

  • Gjendet 12-vjeçarja që u raportua e zhdukur në Pejë

    Gjendet 12-vjeçarja që u raportua e zhdukur në Pejë

    Është gjetur 12-vjeçarja e cila ishte raportuar e zhdukur nga babai i saj në Pejë.

    Këtë për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, i cili tha se vajza është gjetur pa lëndime dhe është dërguar në shtëpinë e saj.

    Në raportin e sotëm të policisë, thuhej se vajza e cila ishte nisur për në shkollë nuk ishte kthyer më.

  • ​Deputeti ukrainas: Serbia të heqë dorë nga prirjet perandorake e ta pranojë Kosovën

    ​Deputeti ukrainas: Serbia të heqë dorë nga prirjet perandorake e ta pranojë Kosovën

    Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, thotë se Kosova nuk mund të jetë “zonë gri” në Evropë.

    Sipas tij, Serbia duhet ta pranojë faktin se Kosova është shtet i pavarur dhe të krijojë marrëdhënie fqinjësie me të.

    “Nuk jam në pozicion për të thënë se çfarë duhet të bëjnë Kosova dhe Serbia, por, personalisht, besoj se nuk mund të ketë zona gri në Evropë. Kosova nuk mund të jetë zonë gri. Serbia duhet ta pranojë faktin se Kosova është shtet i pavarur, i njohur prej vendeve të tjera, dhe të krijojë marrëdhënie me Kosovën si fqinje. Kjo është një punë që duhet kryer dhe prej saj do të përfitonin Kosova dhe Serbia dhe e gjithë Evropa”, ka thënë ai në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

    Më tej ai është shprehur se nëse nuk heq dorë nga kjo qasje, Serbia do të vazhdojë të jetojë në varfëri u shfrytëzuar nga Rusia, Irani dhe vende të tjera që duan të ndezin flakë në Ballkan.

    Deputeti beson se Kosova do të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës, pas votimit në muajin maj.

  • Gjykata vendos: 62 vite burgim për të akuzuarit për rastin e dhunimit të 11 vjeçares

    Gjykata vendos: 62 vite burgim për të akuzuarit për rastin e dhunimit të 11 vjeçares

    Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Mitur ka shpallur aktgjykim dënues ndaj akuzuarve B.R, D.Rr, B.S, M.S, F.S., dhe M.R, duke i dënuar me 62 vjet burgim (së bashku) për përfshirje në dhunimin e 11-vjeçares në qershor të 2022-ës. Kurse, G.S dhe E.S., u liruan nga akuza.

    Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se i akuzuari B.R u dënua me 12 vjet burgim, kurse të akuzuarit D.Rr., B.S., M.S., F.S dhe M.R., u dënuan me nga 10 vjet burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Të akuzuarit B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S, M.R janë shpallur fajtor dhe janë dënuar nga gjykata, pasi të njëjtit veç e veç kanë kryer veprën penale të Dhunimit, ashtu që i akuzuari B.RR është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) viteve, ndërsa të akuzuarit D.RR, B.S, M.S, F. S dhe M.R janë dënuar në kohëzgjatje prej dhjetë (10) vitesh, secili veç e veç”, thuhet në njoftim.

    Më tej, në njoftim thuhet se i akuzuari G.S është liruar nga aktakuza për veprën penale “Dhunimi”, kurse i akuzuari D.Rr është liruar nga aktakuza për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit”.

    Po ashtu, në njoftim thuhet se i pandehuri F.S është liruar nga aktakuza për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimi”, si dhe i akuzuari E.S është liruar nga aktakuza për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit”.

    “Të akuzuarve B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S dhe M.R. iu është caktuar masa e paraburgimit deri ne plotfuqishmërinë e aktgjykimit”, thuhet në njoftim.

    Bëhet e ditur se të akuzuarit janë obliguar të kompensojnë shpenzimet e procedurës penale, ndërsa pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për kërkesën pasurore.

    Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Ndryshe, për rastin e dhunimit të 11-vjeçares po akuzohen 13 persona në dy raste të ndara. Lidhur ne rastin e përfshirjes në dhunimin e 11-vjeçares në qershor të 2022-ës akuzohen tetë persona B.Rr., D.Rr., G.S., B.S., M.S., F.S., M.R., dhe E.S. Kurse, pesë të akuzuarit: E.R. dhe Sh.K., (madhor), si dhe tre të miturit G.R, G.J dhe Xh.S, akuzohen për përfshirje në rastin e dhunimit të 11-vjeçares, në muajin gusht të vitit 2022.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë në janar të vitit 2023 e kishte hudhur poshtë aktakuzën ndaj pesë të akuzuarve lidhur me dhunimin e 11-vjeçares në gusht të vitit 2022. Mirëpo, Apeli kishte aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke anuluar vendimin e Themelores dhe çështjen e kishte kthyer në rivendosje.

    Po ashtu, Themelorja kishte hudhur poshtë aktakuzën ndaj tre të akuzuarve për dhunimin e 11-vjeçares në qershor të 2022-ës. Kurse, Apeli e kishte kthyer në rivendosje.

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 24 shkurt 2023 i ka dënuar me 40 vjet burg katër të akzuarit në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, në gusht të vitit 2022, tre prej tyre të mitur. Kurse, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim çështjen penale.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, pas zhvillimit të hetimeve dhe zgjerimit të tyre, mbledhjes dhe analizimit të provave, më 8 dhjetor 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj pesë personave: E.R. dhe Sh.K., (madhor), si dhe ndaj tre të miturve: G.R., G.J., Xh.S, të akuzuar për përfshirje në rastin i cili ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2022, ndaj 11-vjeçares.

    Lajmi ishte bërë i ditur përmes një komunikate për media nga kjo Prokurori, ku thuhej se të akuzuarit gjenden në paraburgim.

    “Sipas aktakuzës, i pandehuri E.R., për veprat penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2 lidhu me paragrafin 1 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri Sh.K., ngarkohet për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhej në njoftim.

    Po ashtu, thuhej se njëri prej të miturve ngarkohet për veprat penale “Dhunimi”, nga neni 227, paragrafi 8 lidhur me paragrafin 7 dhe paragrafin 4 të KPRK-së, “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”, nga neni 232 par. 1 të KPRK-së.

    “Ndërkaq, dy të miturit e tjerë ngarkohen për veprat penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 8 lidhur me paragrafin 7 dhe paragrafin 4 të KPRK-së, si dhe për veprën penale “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”, nga neni 232 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së”, thuhej tutje.

    Kurse, më 21 dhjetor 2022, Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte ngritur aktakuzë ndaj tetë personave të moshës madhore: B.Rr., D.Rr., G.S., B.S., M.S., F.S., M.R., dhe E.S., të akuzuar për përfshirje në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, në muajin qershor 2022. /BetimipërDrejtësi

  • Disa fëmijë në mesin e shtatë të plagosurve nga sulmet ruse në Odesa

    Disa fëmijë në mesin e shtatë të plagosurve nga sulmet ruse në Odesa

    Së paku shtatë njerëz, përfshirë dy fëmijë, janë plagosur si pasojë e sulmeve ruse me dronë në qytetin ukrainas të portit në Detin e Zi, Odesa, mëngjesin e së martës, njoftuan zyrtarët.

    Zjarri i përfshiu disa ndërtesa gjatë sulmeve, sipas shefit të administratës rajonale, Oleh Kiper.

    Kundërajrorët ukrainas i rrëzuan 15 nga 16 dronët me të cilët Rusia i sulmoi rajonet Odesa, Kiev, Mikolaiv dhe Çerkasi, njoftoi Forca Ajrore e Ukrainës në Telegram.

    Të gjithë dronët që e kishin shënjestër Kievin u shkatërruan, tha Serhiy Popko, kryetar i administratës ushtarake të kryeqytetit ukrainas, duke shtuar se nuk ka viktima apo dëme në qytet.

    Në javët e fundit, Rusia i ka rritur dukshëm sulmet me dronë dhe raketa kundër infrastrukturës civile dhe posaçërisht asaj energjetike, duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë dhe numër të madh të viktimave civile, teksa forcat ukrainase po përballen me mungesë të municioneve dhe të sistemeve të mbrojtjes ajrore.

    Duket se vendet evropiane, të cilat zotërojnë kundërajrorë Patriotë, po ngurrojnë t’ia japin Ukrainës ndonjë prej tyre.

    Ukraina ka shumë nevojë për së paku shtatë Patriotë për t’i frenuar sulme ajrore ruse.

    Të shtunën, Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara e miratoi paketën e ndihmës ushtarake për Kievin në vlerë prej 61 miliardë dollarësh.

    Kritikët thanë se vonesat në miratimin e kësaj ndihme, lejuan Rusinë që të marrë momentumin në luftime./REL/

  • Osmani: Rruga e Kosovës drejt institucioneve euroatlantike është e palëkundur

    Osmani: Rruga e Kosovës drejt institucioneve euroatlantike është e palëkundur

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar përfaqësues të vendeve partnere pas takimit Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën.

    Osmani përmes një postimi në X ka thënë se kjo ishte një mundësi e mirë për të diskutuar për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në institucionet euroatlantike.

    Presidentja ka marrë pjesë të hënën në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën.

    Ajo në përballje me presidentin serb Vuçiq, ka akuzuar Serbinë për provokime me ushtrimet ushtarake të kryera në kufij me Kosovën.

  • ​Zogaj: Qeveria po vendos barriera në realizimin e projekteve për kryeqytetin

    ​Zogaj: Qeveria po vendos barriera në realizimin e projekteve për kryeqytetin

    Qeveria e Kosovës nuk po i mbështet projektet e rëndësishme të Komunës së Prishtinës për shkak të përplasjeve politike. Kështu ka thënë nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, Madje, ai nuk përjashton mundësinë që të mbahen zgjedhjet për Kuvend Komunal në Prishtinë në vjeshtë si rrjedhojë e mungesës së votave të mjaftueshme për buxhetin e vitit 2025.

    Zogaj ka thënë se shumë prej projekteve të planifikuara ndër vite tashmë në sezonin pranveror kanë nisur të realizohen. Ndërkaq, sipas tij, projekti i ‘Rrugës A” pritet të lëshohet për qarkullim, ndërsa në tenderim është projekti i nënkalimit të rrugës “Agim Ramadani”.

    Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Zogaj në një intervistë për KosovaPress thekson se projekti kryesor po cilësohet edhe ai i sheshit “Xhorxh Bush” i cili është planifikuar të përfundojë këtë vit dhe sipas tij deri në vitin 2025 do të jetë gati.

    Derisa foli për investimet në kryeqytet, ai tha se projektet janë të qëlluara dhe do ta ndryshojnë pamjen e kryeqytetit.

    “Një prej projekteve më të mëdha është “Rruga A”, e cila po vazhdon me zhvillim të hovshëm dhe shpresojmë që faza e parë të lëshohet për qarkullim edhe nga mesi i këtij vit apo fundi i verës. Tani e kemi në tenderim pjesën e nënkalimit “Agim Ramadanit” është një prej projekteve më të mëdha të Komunës së Prishtinë, një nënkalim i veturave nga teatri deri të pjesa e komunës deri pjesa e xhamive të vjetra të Prishtinës, ku veturat do të futen në nënkalim dhe pjesa mbi do të jetë e këmbësorëve dhe shesh. 01:56 Ne jemi në diskutim me ministrin e Infrastrukturës që të bëhet një rreth rrotullim i madh te “Gorenje” dhe të zbrazim një prej fyteve të ngushta të Prishtinës, sepse atje ka qarkullim të madh të veturave. ….Është edhe platforma në mes të lagjes “Arbëria” me qendrën e qytetit dhe Pallatin e Rinisë, ajo është platformë e ecjes së qytetarëve, është një kat i dytë i Prishtinës… Në një gjelbërim, platformë të gjerë të këmbësorëve, sot pjesa e “Arbërisë e ndan një rrugë të madhe. 04:17 Bulevardi “Xhorxh Bush” po përfundohet projekt i detajuar, në momentin që e kemi atë, këto ditë do të shpallim për tenderim, deri në tre muaj dhe fillojmë më punime intensive. Gjatë këtij viti bulevardi “Xhorxh Bush”, do të ketë pamjen e dëshiruar, viti 2024 viti i këtij bulevardi”, tha Zogaj.

    Nënkryetari i Prishtinës, Zogaj tha se projektet për kryeqytet po planifikohen, por se realizmi i tyre nuk po përkrahet nga qeveria. Zogaj tha se është përgjegjësi e Qeverisë që të ndaj fonde për projekte të kryeqytetit, por se diçka e tillë nuk ka ndodhur.

    Ai tha se qeveria po anashkalon projektet e kryeqytetit për shkak siç thotë ai të përplasjeve politike.

    “Përkrahje shumë pak kemi nga qeveria, barrierat që na dalin nga institucionet qeveritare. Qeveria e Kosovës ka ndarë buxhet vetëm pjesën që na takon me ligj, asnjë cent më shumë për kryeqytetin nuk e ka nda, dhe kjo është absurde, të gjitha institucionet qeveritare dhe ato të arsimit dhe ndërkombëtare funksionojnë në kryeqytet dhe përgjegjësia e qeveris është që të ndaj fonde më shumë për kryeqytetin. 06:30 Ne nuk e kuptojmë, por kjo mund të jetë një përplasje politike, sepse partia në qeveri dhe ajo në kryeqytet janë parti të ndryshme dhe këtu janë pengesat kryesore dhe nuk duhej të ishin”, potencoi Zogaj.

    Zogaj duke përmendur mos përkrahjen e qeverisë tha se për shkak të mungesë së shumicës parlamentare, buxheti i vitit 2025 mund të mos votohet, por se si komunë parlamentare po planifikojnë për të krijuar një shumicë. Zogaj tha në këtë situatë nuk mund të mos mendohen edhe zgjedhjet e reja.

    “Në qoftë se buxheti i vitit 2025 i cili prezantohet nga ne në shtator të vitit 2024 nuk votohet nga kuvendi komunal, atëherë kuvendi komunal shkon në zgjedhje por jo kryetari, kurse asambleja shkon në zgjedhje, nëse asamblistët kanë interesim më shkuar në zgjedhje dhe mos me votuar buxhetin, atëherë le të shkojmë. Ne mendojmë që Kuvendi Komunal e votojnë dhe buxhetin, ndërsa ne jemi në bisedime që me krijuar një shumicë të re dhe nuk besoj që do të ketë problem për votim të buxhetit. Ne jemi në biseda për partitë që janë të përfaqësuara në Kuvend Komunal dhe mendojmë që lehtë mundemi me krijuar një shumicë të re në asamble. Nuk e besoj që do të ketë zgjedhje, por mundet nëse nuk votohet buxheti, asambleja mundet me shkuar në zgjedhje por unë nuk e besoj këtë, do të gjendet një zgjidhje për buxhetin e ardhshëm”, tha Zogaj.