ATV

Category: Lajme

  • ASK: Mbi gjysmë milioni banorë rezidentë janë regjistruar deri tash

    ASK: Mbi gjysmë milioni banorë rezidentë janë regjistruar deri tash

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Për 17 ditë, zyrtarët e Agjencisë së Statistikave i kanë regjistruar mbi 530 mijë banorë rezidentë në Kosovë.

    Sipas ASK-së, që organizoi konferencë të hënën, në këto shifra hyjnë edhe qytetarë të komunitetit serb, në komunat veriore të vendit.

    “Deri më tani procesi ka kaluar sipas planit dhe parashikimeve që kemi bërë që në fillim. Deri dje janë regjistruar mbi 530 mijë qytetarë në Kosovë, janë regjistruar mbi 36 për qind e objekteve që janë në Kosovë. Nuk kemi sfida madhore ne terren. Regjistruesit tani kanë arritur atë kuotën që kemi parashikuar, nëse vazhdon kështu”, tha u.d. i kryeshefit ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati.

    Nëse regjistrimi vazhdon sipas kësaj dinamike, sipas Kastratit, nuk do të ketë nevojë për shtyrje të afatit.

    Por, që ky proces të shkojë edhe më mirë, drejtori i ASK-së, pati një kërkesë për kryetarët e komunave.

    “Të jenë më komunikues dhe të krijojnë bashkëbisedime me banorët e tyre për t’ua treguar rëndësinë e regjistrimit…”, tha Kastrati.

    Kryeshefi u përgjigj edhe në pyetjet rreth ankesave për formularin e regjistrimit, ku veçoi atë për përkatësinë fetare.

    Ndërsa, sa i përket diasporës, u tha se janë regjistruar 180 mijë pjesëtarë.

    “Deri tani nga java e kaluar kemi filluar me një intensitet për platformën për diasporën. Në kuadër të platformës mund të gjeni dhe pyetjet më të shpeshta. Kjo platformë na jep një pasqyrë se ku gjenden bashkatdhetarët tanë. Deri më tani, 180 mijë pjesëtarë të diasporës janë regjistruar dhe mbi 50 mijë direkt në platformën e-diaspora”, tha zv. ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.

    Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë ka filluar nga data 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj 2024.

  • “Task forca e gjelbër”, zgjidhja e Ministrisë për mbrojtje të ambientit

    “Task forca e gjelbër”, zgjidhja e Ministrisë për mbrojtje të ambientit

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Materiale ndërtimore e orendi shtëpie, ka po thuajse në çdo cep të rrugës kryesore në fshatin Bërnicë, të komunës së Prishtinës.

    Por jo shumë larg këtij fshati, diku rreth 7 kilometra më në qendër, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës themeloi “task-forcën e gjelbër”, përmes së cilës synohet grumbullimi i atyre materialeve, por edhe mbrojtja në tërësi e ambientit.

    Kemi më se një muaj që përgatitemi për themelimin e kësaj Task-Force dhe sot pas nënshkrimit të këtij vendimi presim që brenda javës të mbajmë mbledhjen që do të miratohet edhe agjenda e veprimeve konkrete, e cila do të fillojë menjëherë. Muaji maj do të jetë i ngjeshur me aktivitete në të cilat do të përfshihen inspektoratet e këtyre ministrive, Policia e Kosovës dhe do të ndërmerren masa konkrete kundër degradueseve gjithandej në vendin tonë”, tha ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.

    Një task-forcë e tillë, sipas ambientalistit Besnik Shabiu, do të duhej të bëhej kohë më parë e jo në fund të mandatit.

    “Në fund të mandatit të iniciohet një task-forcë e tillë, për mua është shumë e mirë, por sa është për t’u marrë seriozisht lë shumë për të dëshiruar, kisha dashtë mos me pas të drejtë unë, por ministria. Mobilizimi i kësaj ka të bëjë edhe me rehabilitimin e ujit në gjithë Kosovën. Kur iniciativa të tilla të qeverisë bëhen në fund të mandatit ta japin një shije të hidhur, marrin më shumë konotacion të fushatës”, tha Shabiu.

    Që vendimi është i vonuar e thotë edhe profesori universitar, Behxhet Mustafa.

    “Masakrimi më i madh i Kosovës, ka ndodh në këtë periudhë, është betonua është shkatërrua tokat pjellore, s’kanë mbetë pa u prekë as ekosistemet pyjore. Të gjithë këto problem ndonjë një zgjidhje por është hap i vonuar”, tha Mustafa.

    Përveç këtyre problemeve me betonim, problem tjetër thonë të jetë edhe ndotja e ujërave e degradimi i lumenjve.

    “Problematika e ndotjes së ujërave vazhdon të jetë e njëjtë, ujërat vazhdojnë me u ndot në masë të madhe nga kanalizimet. Kemi probleme edhe me mbeturinat e po ashtu edhe natyrën e problematikave të pesticideve, kur bujqit duke hedhë preparate me i trajtua kulturat bujqësore ndotja po bëhet edhe tek ujërat”, tha Shabiu.

    Më 22 prill, në ditën ndërkombëtare të tokës, në shumë komuna u mbollën fidanë të rinj e u morën aksione vullnetare për pastrimin e hapësirave të gjelbra e shtretërve të lumenjve.

  • Katër heroinat e Kosovës nuk u lejuan të futeshin në takimin e KS të OKB-së, Osmani refuzoi pjesmarrjen derisa lëshoi pe protokolli

    Katër heroinat e Kosovës nuk u lejuan të futeshin në takimin e KS të OKB-së, Osmani refuzoi pjesmarrjen derisa lëshoi pe protokolli

    Takimi në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së New York ka nisur me vonesë, pasi duhej të prisnin delegacionin e Kosovës.

    Kryesuesja e takimit, e cila vjen nga Malta, tha se “E di se po më shihni çuditshëm, por është çështje protokolli i Kombeve të Bashkuara të presim derisa të vijë edhe delegacioni i Kosovës.

    “ Pra, duhet të presim, sipas protokollit. Duket se erdhën. Mund të vazhdojmë me takimin”, tha ajo, ndërkohë që Osmani me delegacionin e saj hynë në sallë.

    Siç ka mësuar Telegrafi, vonesa kishte ndodhur pasi Osmani kishte marrë me vete edhe Fahrije Hoti, Vasfije Krasniqi, Elhame Muçollin dhe Shyrete Tairin – një e mbijetuar e masakrave të kryera nga forcat jugosllave në Kosovë, një grua që ka familjarë të zhdukur në luftë, si dhe dy gra të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

    Edhe pse të katërtat kishin qenë në listë të regjistruar për pjesëmarrje si pjesë e delegacionit të Kosovës, zyrtarë të KS të OKB-së nuk i kishin lejuar të hynin në sallë.

    Ndërsa, presidentja Osmani, ka refuzuar të futet pa to në sallën e takimit.

    Gjatë senacës, Vuçiq është ankuar pse ato gra kanë marrë pjesë në takim.

    Ai tha se ato nuk janë pjesë e stafit diplomatik, dhe pse është diskutuar për të kaluarën, sidomos për kohën e luftës, duke pretenduar se në kohën e luftës ka pasur edhe gra serbe të dhunuara seksualisht në Kosovë.

    Edhe përfaqesuesi rus, kishte kundërshtuar pjesëmarrjen e tyre brenda sallës.

    Osmani, në anën tjetër, ka thënë se gratë pjesëmarrëse janë edhe pjesë e kabinetit të saj.

  • Maqedonci pret në takim lamtumirës këshilltarin bilateral nga Forcat e Armatosura të Italisë, kolonel Mario di Girolamo

    Maqedonci pret në takim lamtumirës këshilltarin bilateral nga Forcat e Armatosura të Italisë, kolonel Mario di Girolamo

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci sot priti në takim lamtumirës këshilltarin bilateral nga Forcat e Armatosura të Italisë, kolonel Mario di Girolamo.

    Me këtë rast, për shërbimin e tij dhe kontributin e dhënë në zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së, ministri Maqedonci e dekoroi kolonelin Mario di Girolamo me Medalje për Shërbim të Shquar, duke i dëshiruar suksese në detyrën dhe misionin e ri të tij.

  • ​Delegacioni i BQK-së përfundon me sukses takimet pranverore të FMN-së dhe BB-së në Washington

    ​Delegacioni i BQK-së përfundon me sukses takimet pranverore të FMN-së dhe BB-së në Washington

    Një delegacion i nivelit të lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), kryesuar nga Guvernatori Ahmet Ismaili, Zëvendësguvernatori Fusha, Koordinatorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar Abazi dhe Shefi i Kabinetit Zyfliu, kanë përfunduar me sukses pjesëmarrjen në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), që u mbajtën në Washington D.C. të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Në takimet që u zhvilluan nga 15 deri më 21 prill, Guvernatori Ismaili ka prezantuar prioritetet për sektorin financiar në pajtim me objektivat dhe Planin Strategjik të BQK-së, përditësimet dhe zhvillimet lidhur me zbatimin e programeve dhe asistencave teknike profesionale.

    Guvernatori Ismaili gjatë takimit me Zëvendëspresidentin dhe njëherësh Drejtuesin e Thesarit të BB-së, Jorge Familiar ka theksuar vlerësimin e tij të sinqertë për anëtarësimin e BQK-së në Partneritetin për Këshillimin dhe Menaxhimin e Rezervave (RAMP) dhe mundësitë që ka ofruar ky program për ngritjen e ekspertizës dhe kapaciteteve të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës përmes seminareve dhe programeve të saj trajnuese.

    Gjatë takimit, diskutimet u fokusuan edhe në progresin e bërë drejt investimeve të përgjegjshme Mjedisore, Sociale dhe të Qeverisjes (ESG). Guvernatori Ismaili theksoi përkushtimin e BQK-së ndaj këtij qëllimi, i cili është paraqitur dukshëm në Planin Strategjik 2024-2028.

  • Kurti takon presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev

    Kurti takon presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev

    Në Sofje të Bullgarisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u mirëprit edhe nga Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, me të cilën zhvilloi një takim bilateral pas atij që kishin bashkë në kryeqytetin e Republikës së Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar.

    Takimin e dytë brenda katër muajve kryeministri Kurti e cilësoi së dëshmi të marrëdhënieve të mira, teksa theksoi rëndësinë e takimeve të tilla të shpeshta për marrëdhëniet dypalëshe. Ai falënderoi Bullgarinë për mbështetjen e saj në periudha vendimtare të vendit dhe popullit tonë, për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit tonë në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës tash së fundmi, për bashkëpunimin e ngushtë rajonal dhe për kontributin e saj në sigurinë rajonale si anëtare e NATO-s.

    Folën për raportet ekonomike ndërmjet dy vendeve, mundësitë që i kemi përpara për thellimin dhe fuqizimin e tyre si dhe për sigurinë e kontinentit dhe rajonit përballë sfidave të kohës. Biseduam gjithashtu edhe për fushën e mbrojtjes ku këtë vit ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës dhe ai i Republikës së Bullgarisë pritet të nënshkruajmë një Marrëveshje Bashkëpunimi.

    Në kuadër të Odës Ekonomike Kosovë-Bullgari e cila u themelua vitin e kaluar, këtë vit planifikohet të organizohet forumi ekonomik për biznese me qëllim nxitjen e investimeve të huaja dhe shkëmbimeve tregtare.

  • Osmani e përball Vuçiqin me të mbijetuarat e luftës: I strehoi dhe mbrojti ata që kryen krime në Kosovë

    Osmani e përball Vuçiqin me të mbijetuarat e luftës: I strehoi dhe mbrojti ata që kryen krime në Kosovë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka deklaruar se presidenti serb, Alexandar Vuçiq ka strehuar, mbrojtur dhe promovuar policët dhe ushtarakët që kryen krime gjatë luftës në Kosovë.

    Vëmendje të madhe në fjalimin e saj rroku historia e Elhame Muçollit, të mbijetuarës së masakrës së Poklekut, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Pjesë nga fjalimi i presidentes në Këshillin e Sigurimit të OKB-së:

    Pesë ditë më parë, shënuam 25-vjetorin e një prej masakrave më të rënda dhe çnjerëzore nga regjimi i Millosheviqit. Elhame Muçolli, që po më shoqëron sot mua në këtë takim, ishte vetëm 14-vjeçare kur shtëpia e saj u bastis nga forcat policore të Serbisë. 53 civilë – shumica fëmijë – ishin vrarë pasi ishin tubuar në një dhomë. Teksa policia u largua për t’u rifurnizuar, Elhamja ia doli të kërcente nga dritarja dhe të ikte, ani pse ishte e plagosur nga pëlumbat. Shkurt pas kësaj, policia u kthye e furnizuar me benzinë duke ua vënë flakën të gjithë 53 civilëve.

    Elhamja kurrë nuk ia doli të harronte piskamën shurdhuese të disa prej fëmijëve që ishin ende gjallë teksa po bëheshin shkrumb e hi. Dhe sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme, policia ua vuri flakën përsëri e përsëri. Fëmijë të vegjël, më të vegjlit 6 dhe 10 muajsh, ishin djegur në përpjekje për t’i shfarosur nga faqja e dheut veç pse ishin shqiptar; sepse i përkisnin etnisë tjetër nga ajo e policisë dhe ushtrisë.

    Shkalla e djegjes së trupave ishte aq e rëndë sa anëtarëve të mbijetuar të familjes u mbet pak nga më të dashurit e tyre, sa të mund t’i vendosnin 53 viktimat në një varr të vetëm. Një memorial është ngritur në kujtim të viktimave afër vendit ku ndodhi krejt kjo, por asnjë politikan serb – as edhe një, nuk erdhi për t’u gjunjëzuar para varrit të këtyre fëmijëve të vegjël. Dhe të mendos se masakrat e këtyre përmasave u krhyen në çdo cep të vendit, me fëmijë të vegjël, gra, përfshirë edhe shtatzëna, të vrarë pa mëshirë, për shkak të mendësisë luftënxitëse që është ende gjallë dhe po vazhdon në Beograd.

    Pra, zonja dhe zotërinj, ju mund të dëgjoni propagandën e Vuçiqit dhe ta lejoni ta shtyjë përpara revizionizmin e tij historik të bazuar në skenarin e Rusisë, por e vetmja e vërtetë për regjimin e Vuçiqit është ajo që është në mohim të vazhdueshëm dhe duke mos pranuar kurrë përgjegjësinë për këto krime të tmerrshme; asnjëherë duke mos kërkuar falje apo duke shfaqur shenja pendimi. Kurrë!

    Masakra e Poklekut, si të gjitha masakrat tjera nëpër Kosovë, tregoi se Millosheviqi dhe ministri ministri i tij i atëhershëm i propagandës, sot i ulur në karrigen e Presidentit, jo vetëm që kërkonin t’i shfarosnin të gjithë shqiptarët e Kosovës nga faqja e dheut, por donin t’i zhduknin edhe proavet dhe të mos kishte dëshmitar. Megjithatë, ata dështuan pareshtur. Elhamja mbijetoi për t’i treguar botës historinë e familjes dhe kombit të saj. Pavarësisht se humbi nënën, tri motrat, dy vëllezërit dhe shumë kushërinj gjatë kësaj masakre, ajo ësht kthyer në mishërim të vërtetë të qëndresës dhe forcës dhe në mbrojtëse të palëkundur e së vërtetës dhe luftës për drejtësi.

    Teksa ajo është e ulur këtu me mua, duke kërkuar asgjë tjetër përveç drejtësisë, Vuçiqi, i ulur atje, ende ofron strehim, mbrojtje, promovim, për njësitë speciale të policisë dhe brigadën e ushtrisë që kreu krimet kundër familjes së Elhamës. Në rastin e TPNJ-së Shainoviq et al, u konfirmua se Detashmenti 86 i njësisë speciale të policisë serbe, ishte i pranishëm në Poklek në ditën e krimit, së bashku me brigadën e 15 të blinduar dhe brigadën e 37-të të motorizuar të Ushtrisë Jugosllave. U identifikuan përgjegjësit, përfshirë ish-komandantin e detashmentit 86, Dragan Obradoviq. Megjithatë, këta përgjegjës kurrë nuk u gjykuan. Krejt e kundërta, atyre u dhanë punë dhe nderime të rangut më të lartë.

  • ​OEK shpreh shqetësimin për situatën e kompanive që merren me ambalazhimin dhe shitjen e ujit

    ​OEK shpreh shqetësimin për situatën e kompanive që merren me ambalazhimin dhe shitjen e ujit

    Oda Ekonomike e Kosovës shpreh shqetësimin për sulmet që po ju bëhen kompanive vendore që merren me ambalazhimin dhe shitjen e ujit dhe kërkon që situata të sqarohet nga organet kompetente dhe të mos dëmtohen bizneset me pretendimin se këto kanë bërë shkelje ligjore dhe nuk kanë paguar taksat gjegjëse.

    Në njoftim thuhet se Oda Ekonomike e Kosovës e vlerëson përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së taksës së ujit, por njëkohësisht bën thirrje që kjo të bëhet ashtu që të mbrohet ky sektor i prodhimit vendor, si dhe interesat e përgjithshme të bizneseve kosovare.

    “Oda Ekonomike e Kosovës vëren se „sektori i ambalazhimit të ujit ballafaqohet me sfida të ndryshme, duke përfshirë paqartësitë ligjore dhe vonesat në zbatimin e politikave“ dhe shton se të gjitha këto kanë vështirësuar operimin e këtyre kompanive”, thuhet në komunikatë.

    Si institucion në shërbim të sektorit privat në Kosovë, OEK inkurajon dialogun ndërmjet sektorit publik dhe privat. “Në këtë rast, kërkojmë të bëhen të qarta çështjet dhe informacionet për shumën e borxhit të pretenduar si dhe pasqyrimin e situatës reale, por edhe mbrojtjen e bizneseve nga dëmtime“, apelon OEK”, thuhet në komunikatë.

  • Vuçiq ankohet në KS të OKB-së: Paaftësi e BE-së që Kosova nuk po e bën Asociacionin

    Vuçiq ankohet në KS të OKB-së: Paaftësi e BE-së që Kosova nuk po e bën Asociacionin

    Aleksandër Vuçiqi ankohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, se Kosova qe 11 vjet nuk po e bën Asociacionin e komunave serbe.

    “Më lejoni para se të lëviz te raporti, cka po flasim sot është t’ju kujtojmë që më 19 prill, para njëmbëdhjetë viteve prej marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, dicka që gjithashtu ka qenë pjesë përbërëse edhe bashkësia evropiane, që prej atëherë Asociacioni i komunave serbe ende nuk është në horizont.

    Për gjithë serbët që jetonë në Kosovë kanë qenë vite të të pavërtetave dhe premtimeve të pambajtura.

    11 vite të paaftësisë së BE-së si garantuese për të lëviz gjërat.

    Para se gjithash, përgëzoj përfaqësuesen e Kombeve të Bashkuara për të përmbushur mandatin e UNMIK-ut dhe Rezolutën 1244”, tha ai.

    Ne plotësuam të gjitha, ndërsa Asociacuioni as që është në horizont.

    Për 11 vite kemi parë premtime të papërmbushura.

    Sigurisht kjo rezultoi në dhunë ligjore ndaj popullatës serbe në Kosovë.

    Raporti i UNMIK-ut nuk kap krejt ndjeshmërinë e situatës në Kosovë.

    Raporti që kemi para neve po diskutohe 1 muaj e gjysmë pas seancës (ku u diskutua për dinarin). Në atë kërkesë Serbia njoftoi për veprimet e hollësishme se si qeveria kosovare krijon jetë të rëndë për serbët. Serbia paraqiti të gjitha veprimet se si këta institucione kryejnë malltretim sistematik ndaj serbëve.

    Më 8 shkurt të gjitha anëtërët e KS OKB-së e pranuan që argumentet e tona ishin të bazuara në fakte.

    Shumica e atyre vendeve që pranuan argumentet tona ishin edhe prje atyre që s’na e respektojnë integritetin territorial në bazë të Rezolutës 12/44″, tha ai.

  • Shefja e UNMIK-ut: Vazhdoj ta theksoj kërkimin e përgjegjësisë për incidentin në Banjskë

    Shefja e UNMIK-ut: Vazhdoj ta theksoj kërkimin e përgjegjësisë për incidentin në Banjskë

    Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, në raportimin e saj gjashtë mujor për Kosovën në OKB, ka folur për agresionin në Banjskë duke kërkuar drejtësi.

    Ajo ka deklaroi se thotë sërish dhe do të vazhdoj ta thotë edhe në vazhdim që të dalin para drejtësisë përgjegjësit e agresionit të 24 shtatorit.

    “Vazhdoj ta theksoj kërkimin e përgjegjësisë për incidentin në Banjskë që është një incident shumë serioz i sigurisë. Kjo është edhe çështje gjyqësore, por edhe domosdoshmëri politike, në mënyrë që t’u ikim rasteve të tilla që më të mos përsëriten”, ka thënë Ziadeh.

    Ziadeh ka thënë se zgjidhja e probleme që po ndodhin në Kosovë është formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    “Thirrjet për themelimin e Asociacionit duhet të merren parasysh me këtë do të tejkalohen elementet e sigurisë për komunitetin serb që përfshin edhe çështjet e administrimit lokal. Implementimi i plotë i marrëveshjeve të dala nga dialogu është një prioritet i madh për t’iu ikur krizave që na kanë dalë, me rëndësi është që të dyja plaët të jenë të angazhuara”, ka thënë Ziadejh.