Për të enjten parashikohet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe kohë pas kohe me reshje lokale shiu, të cilat në momente të caktuara pritet të jenë në formë të rrebesheve gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes. Sipas MeteoKosova ka mundësi të ketë ndonjë vetëtimë dhe bubullimë ndërsa në zonat malore reshje bore.
Era do fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 15-40 km/h.
Temperaturat do të pësojnë ulje të theksueshme, me minimale që do të lëvizin prej 6 deri në 8°C, ndërsa ato maksimale prej 9 deri në 13°C.
Sot takohen katër komisione parlamentare për të shqyrtuar çështje të ndryshme.
Me fillim nga ora 09:00, Komisioni për Ekonomi shqyrton Projektrezolutën për raportin vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare – ARKEP, për vitin 2022.
Gjysmë orë më vonë, pra nga 09:30 takohet Komisioni për Legjislacion, i cili shqyrton në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Kosovë.
Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim nga ora 09:50 shqyrton Projektligjin për performancën energjetike të ndërtesave me raport amendamente të Komisionit funksional për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.
Komisioni për Integrime Evropiane voton Projektligjin për tekste shkollore, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. Takimi mbahet nga ora 10:00.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është takuar me përfaqësuesit e 27-të vendeve anëtare të BE-së, pjesë e grupit punues të Këshillit të BE-së, COWEB.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se në takim ka shprehur qëndrimin e PDK-së në lidhje me temat të cilat i përkasin raportit të Kosovës me BE-në.
Bashkë diskutuam edhe për zhvillimet aktuale politike në vend, respektivisht dialogun, zgjedhjet në pjesën veriore të Kosovës dhe nevojën që sa më parë të largohen masat ndëshkuese të BE-së ndaj shtetit tonë”.
“Edhe në këtë takim, ritheksova se vetëm zgjedhjet e parakohshme dhe krijimi i një shumice qeverisëse që udhëhiqet nga PDK, mund të krijoj kushtet për rrugëtimin e sigurt të Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe organizatat e tjera ndërkombëtare”, ka thënë Krasniqi.
Në Maqedoninë e Veriut qytetarët më 24 prill votuan për presidentin e ri të shtetit.
Sipas rezultateve të para të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, kandidatja e partisë opozitare, VMRO DPMNE, Gordana Siljanovska- Davkova, po prin bindshëm në garën për të parin e shtetit.
Sipas rezultateve të publikuara nga 59 për qind e vendvotimeve, Siljanovska-Davkova, ka fituar 197.741 vota apo 37.80 %. Ajo ishte kandidate e VMRO-së për presidente edhe në zgjedhjet e vitit 2019.
Kandidati për president i koalicionit për Ardhmëri Evropiane, presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pandarovski, ka marrë 97.592 apo 18.66 % të votave.
Sipas këtyre rezultateve, presidenti i ri do të zgjidhet në rundin e dytë zgjedhjeve, ku do të shkojnë dy kandidatët me më së shumti vota. Kjo pasi në rundin e parë kërkohet që presidenti të zgjidhet me 50 për qind të votave, me kushtin që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë mbi 40 për qind e elektoratit.
Më herët, KSHZ, tha se në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale votuan rreth 49 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Pas mbylljes së vendvotimeve në orën 19:000, kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, tha se procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të rregullt, ndërkohë që opozita shqiptare ka denoncuar parregullsi në disa zona në komunën e Likovës.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të drejtë vote kishin 1.814.317 votues./REL
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka votuar për anulimin e rregullore që parashihte kufizimit e orarit të barnatoreve të kryeqytetit.
Këtë e ka bërë të ditur shefi i Grupit të Asamblistëve të PDK-së , Leutrim Retkoceri, i cili ka thënë se shkaku i këtij kufizimi qytetarët kanë pasur shumë ankesa.
“Të nderuar qytetarë të Prishtinës, duke marr parasysh ankesat e shumta të qytetarëve lidhur me kufizimin e orarit të punës së barnatoreve në Kryeqytet, sot Kuvendi i Prishtinës me propozim të Grupit të PDK-së anuloj “Propozim Ndryshimin e Rregullores” e cila kishte sjellë këtë kufizim. Pacientët e kryeqytetit në vitin e fundit hasën në shumë vështirësi në furnizim me barëra gjatë kujdestarisë, posaçërisht në situata emergjente dhe për pasojë ishin detyruar që të furnizohen me këto barëra nga barnatoret në komunën e Fushës Kosovës apo Graçanicës. Pas anulimit që u bë, PDK Prishtinë kërkon që kjo rregullore të kthehet në debat publik dhe vendimmarrja lidhur me këtë çështje të kthehet tek qytetarët, ka shkruar Retkoceri.
Për produktin e njëjtë, qytetarët vazhdojnë të paguajnë çmime të ndryshme nëpër barnatore.
Ndonëse, ligji për çmimin e produkteve medicinale që nivelon çmimin e barnave, ka kaluar në Kuvend në korrik të vitit të kaluar, ai ende nuk po zbatohet në praktikë.
Kësisoj farmacitë vazhdojnë të shesin barna me çmimet që i vendosin vetë ata.
Vetë Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte thënë se po bëjnë punë të madhe, në ditën kur ai kaloi në qeveri, në mars të vitit të kaluar.
Por, nga Ministria që ai udhëheq nuk treguan për arsyet e moszbatimit të këtij ligji, as nëntë muaj pas plotfuqishmërisë së tij. Megjithatë, pak detaje për këtë dha Oda e Farmacistëve.
“Ky ligj është planifikuar të zbatohet në muajin janar të këtij viti, por për disa probleme teknike ka filluar në muajin prill, pra tani ka filluar procedura e aplikimit për të gjitha produktet që kanë autorizim marketingu, apo produktet që janë të regjistruara në agjencinë për produktet dhe pajisjet medicinale”, tha zv.drejtori i Odës së Farmacistëve, Astrit Haxhijaha.
Pasi tha se e mirëpresin zbatimin e këtij ligji, zv/drejtori i odës, Astit Haxhijaha, tregon për dobitë e këtij ligji në interes të qytetarëve.
“Do të ketë shumë përparësi, pra në mënyrë direkte do të ndikojë tek ulja e çmimit të barnave që do të ndikojë edhe te pacientët, pastaj do të minimizohen tregtimet e produkteve dhe në mënyrë direkte do të jetë edhe pjesa e konkurrencës profesionale dhe do të eliminohet konkurrenca e pjesës së çmimeve”, tha Haxhijaha.
Sipas Haxhijahës, për vendosjen e çmimeve për barna do të vendosë një komision, brenda Ministrisë së Shëndetësisë dhe pas asaj çmimet që do të jetë të njëjta në të gjitha barnatoret do të vendosen në banderolë të secilit produkt.
Një shtëpi gjysmë-milionëshe dhe një banesë 190 mijë euro iu shtuan pasurisë së presidentes Vjosa Osmani këtë vit, në krahasim me 2021.
Shtëpinë e bleu vitin e kaluar, ndërsa banesën 244 metra katrorë e kishte blerë më 2019, por nuk e kishte deklaruar atë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, më 2021.
Familja Osmani në 2022 u bë edhe me veturë në vlerë 10 mijë euro, që u deklarua në pronësi të bashkëshortit Prindon Sadriu.
Ndërsa, asetet e paluajtshme iu trefishuan kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca. Krahasuar me vitin 2021, kur Konjufca deklaroi vetëm një banesë në vlerë 67 mijë euro, më 2023 atij iu shtuan edhe një parking në vlerë 6 mijë euro dhe një depo 500 euro.
Ndryshe nga këta dy liderë shtetërorë, pasuria nuk i ndryshoi kryeministrit Albin Kurti. Atij vetëm iu rrit vlera e të hyrave mujore.
Ndryshime për tri vjet vërehen te ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla. Atij i janë zvogëluar pasuritë e paluajtshme që kishte trashëgimi nga prindi.
Mirëpo, iu shtuan dy biznese të reja, të cilat u deklaruan në pronësi të bashkëshortes së tij.
Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i është rritur shuma e parave të gatshme, krahasuar me vitin 2021, kur kishte deklaruar mbi 200 mijë euro, ndërsa tash iu shtuan mbi 25 mijë euro, të hyra këto edhe nga Anglia.
Edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka më shumë para të gatshme, nga 6, në 20 mijë euro.
Kurse ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kredi më të madhe, sesa para tri vjetëve.
Pasuria e paluajtshme nuk i ndryshoi ministrit të Financave, Hekuran Murati, por atij i vlejnë diçka më pak, letrat me vlerë që i posedon.