ATV

Category: Lajme

  • Hovenier e cilëson produktiv takimin e Kurtit me O’Brien ku u fol për themelimin e Asociacionit

    Hovenier e cilëson produktiv takimin e Kurtit me O’Brien ku u fol për themelimin e Asociacionit

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka cilësuar si produktiv takimin e kryeministrit Albin Kurti me Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, James O’Brien.

    Hovenier tha se ShBA-të presin nga Kosova dhe Serbia që të përmbushin të gjitha obligimet e marra në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    Në takimin që pati me Kurtin, O’Brien tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.

    “Për të ecur përpara, nevojitet zbatimi i marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, duke përfshirë përparimin urgjent mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Diskutova hapat pozitivë të nevojshëm me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti”, shkroi O’Brien.

  • Raporti i “Freedom House”, Kosova vend pjesërisht i lirë

    Raporti i “Freedom House”, Kosova vend pjesërisht i lirë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Stabiliteti në Qeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje që gëzon shumicën në Kuvend, nuk ka ndikuar që të ketë përmirësime të dukshme në funksionimin e brendshëm të shtetit, sipas Freedom House.

    Kështu në fakt nis raporti i organizatës, i cili bazuar në ngjarjet vitit 2023, shtetin e konsideron pjesërisht të lirë me poentim 3.29 nga 7 sa është maksimumi.

    Ky vlerësim sipas shpjegimit në raport, nënkupton që institucionet demokratike janë të brishta dhe ekzistojnë sfida thelbësore për mbrojtjen e të drejtave politike dhe lirive civile.

    Duke e konsideruar vit të vështirë, në mënyrë kronologjike janë përmendur zhvillimet kryesore, nisur nga takimet në dialogun Kosovë – Serbi, sulmi në Banjskë dhe bojkoti i zgjedhjeve në veri.

    Te paragrafët për korrupsionin, ndër të tjera, Freedom House ka përmendur shkarkimin e një zyrtari të policisë për shkak të hetimeve ndaj Martin Berishajt e Nagip Krasniqit.

    “Në korrik, shefi i Njësisë së Hetimeve Speciale të Policisë së Kosovës, Shemsi Haziri, ishte shkarkuar nga pozita e tij, përmes një njoftimi verbal pa arsyetim të detajuar për vendimin. Haziri ishte i njohur për udhëheqjen e hetimeve kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, dhe kundër ish-shefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi, të dy të lidhur me Vetëvendosjen. Ky vendim për shkarkimin e kreut të hetimeve të rëndësishme të korrupsionit u konsiderua si shkak për shqetësim, duke dërguar një sinjal negativ në opinion për angazhimin e Kosovës në luftimin e korrupsionit”, thuhet në raport.

    Më së shumti është vlerësuar zhvillimi në shoqërinë civile, me gjithsej 4.75, duke përmendur protestat dhe reagimet posaçërisht pas dënimit ndaj të akuzuarve për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Me 3.75 është poentuar qeverisja demokratike vendore, duke u përmendur qëndrimi i Lulzim Hetemit brenda komunës për muaj të tërë, ndryshimi i ligjit për tatimin në pronë dhe fillimi i faturimit të energjisë elektrike në komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

    Duke i përmendur 64 sulmet fizike ndaj gazetarëve, gjysma prej të cilave të ndodhura gjatë raportimit në veri, pavarësia e mediave është vlerësuar me 3.25.

    Në fakt, i gjithë poentimi i vitit 2023 përfshirë edhe ata në paragrafët specifikë, është komplet i ngjashëm me atë të vitit 2022.

  • “Skadon regjistrimi”, shoferëve iu konfiskohen veturat

    “Skadon regjistrimi”, shoferëve iu konfiskohen veturat

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Regjistrimi i veturës i kishte kaluar tash e disa ditë, por kjo nuk e ndaloi shoferin ta ngasë atë.

    Mirëpo, rrugën nuk e bëri deri ku kishte plan, pasi që policia nëpërmjet pajisjeve inteligjente e shënjestroi veturën me regjistrim të skaduar.

    Për këtë shkelje, shoferi u dënua me 200 euro dhe vetura iu konfiskua.

    Sipas njohësit të komunikacionit, Nol Deda, dënimet me ligjin e ri janë ashpërsuar, përfshirë këtu edhe për veturat që iu ka kaluar afati i regjistrimit.
    “Janë trefishuar gjobat prej tre prillit, ka qenë 60-80 euro, tash është trefishu, për fat të keq, në qoftë se një automjet jo i regjistruar ka mundur me ia marrë tabelat, me konfiskua dhe me ia dhanë afatin për ta regjistruar. Regjistrimi është shërbim juridik”, tha Deda.

    Sipas Dedës, shumë qytetarë nuk janë informuar aq sa duhet për ndryshimet e Ligjit për Komunikacion.

    “Vetëdijesimi është i nivelit të ulët sa i përket ligjit. Kam pasë rast me e pa vetë asnjë drejtues i automjetit nuk ka qenë i informuar për dënimet”, tha Deda.

    Mirëpo, pavarësisht që nuk i dinë të gjitha ndryshimet, qytetarët vlerësojnë se është zgjidhje e mirë shtrenjtimi i gjobave.

    “Kjo është e qëlluar unë tash po e di që jonë rritë gjobat, shpresoj që ka me u pa suksesi në të ardhmen”, tha Nezir Lekaj, qytetar.

    “Duhet me u zbatu patjetër, është me vonesë i aprovuar ky farë ligji”, tha Ramadan Ibrahimi, qytetar.

    Ligji i ri i komunikacionit rrugor hyri në fuqi nga 3 prilli i këtij viti.

    Ndërkaq, Policia e Kosovës kishte vënë në funksion pajisje teknologjike përmes të cilave do të identifikohen shkelësit në komunikacion më 2 gusht të 2022-ës.

  • Vendimi i PE-së “atak jashtëzakonisht i rëndë ndaj Kosovës”

    Vendimi i PE-së “atak jashtëzakonisht i rëndë ndaj Kosovës”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Qeveria vijon të kundërshtojë vendimin e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për pasaportat e lëshuara nga e ashtuquajtura Drejtori Koordinuese Serbe, në të cilat komunat e Kosovës paraqiten si pjesë e Serbisë.

    Akti i cili do të dërgohet për miratim përfundimtar në Këshillin e BE-së, sipas Qeverisë, shkel sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

    Duke e quajtur precedent të rrezikshëm, zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, theksoi se vendimi dëmton procesin e integrimit të komunitetit serb.

    “Ka pasur një interesim të jashtëzakonshëm të komunitetit serb që të pajisen me dokumente personale të shtetit të tyre, të shtetin tonë, Republikës së Kosovës. Prandaj, vendimi për të cilin po flasim, nga BE-ja për mundësim të lëvizjes së lirë, pa regjim vizash, edhe për pasaportat e Serbisë të lëshuara për qytetarët serbë në emër të komunave të Kosovës shënon një prapakthim në këtë proces”, tha Vokrri.

    Pasi e vlerësoi të palogjikshëm dhe të dëmshëm për shtetësinë, profesori Dritëro Arifi theksoi se vendimi vjen edhe në kohë të gabuar, kur komuniteti serb nisi që më masivisht të pajisej me pasaporta të Kosovës.

    “Në mënyrë të drejtpërdrejtë po e dëmtojnë shtetin e Kosovës dhe në fund vetë pasaportën e Kosovës, pra vlerën që i jep institucioni. Në këtë fakt, serbët më nuk kanë nevojë të nxjerrin pasaporta të Kosovës, sepse në njëfarë mënyre BE-ja ua ka bërë të qartë se e pranojnë edhe si Kosovë dhe Metohi. Pra, është një atak jashtëzakonisht i rëndë për Republikën e Kosovës, për formën që është bërë, sepse ato janë institucione ilegale të cilat nuk e kontrollojnë këtë territor”, tha Arifi.

    Proces të mirë e vlerësoi vendimmarrjen e së martës aktivisti i shoqërisë civile, Dusan Radakovic, i cili si problem përmendi vetëm faktin se me të ashtuquajturën pasaportë koordinuese nuk mund të udhëtohet nga Prishtina.

    “Po, mendoj se ka prej atyre që nuk pajtohen me këtë. Unë personalisht kam dy pasaporta, kam edhe pasaportën e Kosovës. Është mirë që Kosova mori liberalizimin e vizave për Evropë, por ka shumë njerëz që nuk kanë mundësi të marrin pasaportë të Kosovës për shkaqe të ndryshme dhe në mes të kësaj është shumë keq që, për probleme administrative, dikujt t’i mohohet mundësia e udhëtimit… Mendoj se hapi i radhës duhet të jetë të udhëtohet nga Beogradi me pasaportë të Kosovës, dhe nga Prishtina me pasaportë të Serbisë, dhe përfundimisht të krijohet një linjë fluturimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, tha Radakovic.

    Sipas Bashkimit Evropian, rreth 18 mijë qytetarë të komunitetit serb në Kosovë posedojnë pasaporta të lëshuara nga e ashtuquajtura Drejtori koordinuese serbe.

    Poseduesit e pasaportave të tilla nuk mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen, përkundër se BE-ja ia liberalizoi vizat Serbisë më 2009.

    Ditë më parë, BE-ja vlerësoi se integrimi i komunitetit serb në Kosovë është thelbësor në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

  • Biden nënshkruan paketën e ndihmës për Ukrainën dhe Izraelin

    Biden nënshkruan paketën e ndihmës për Ukrainën dhe Izraelin

    Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka nënshkruar paketën e ndihmës prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, duke e shndërruar në ligj.

    Në paketë përfshihen edhe nene që do të detyrojnë median sociale, TikTok, të shitet apo ndalohet në SHBA.

    Njoftimi shënon një betejë të gjatë me republikanët në Kongres sa i përket ndihmës ushtarake për Ukrainën.

    “Ne u bëmë bashkë dhe e arritëm këtë”, tha Biden nga Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se brenda orësh do të nisin dërgesat me ndihma ushtarake për në Ukrainë.

    Sipas zyrtarëve amerikanë, pjesa e parë e ndihmës për Ukrainën – që ka vlerë të përgjithshme prej 61 miliardë dollarësh – do të nisë së ekzekutuari brenda orësh. Aty përfshihen aftësi të mbrojtjes ajrore, municione për artileri, autoblinda dhe armë të tjera që do t’iu dërgohen forcave ukrainase të cilat po përballen me pushtimin që Rusia nisi në shkurt të vitit 2022.

    Në paketën e ndihmës po ashtu përfshihet ndihmë humanitare për palestinezët në Gazë, teksa lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – po vazhdon.

    Biden tha se Izraeli duhet të sigurojë që ndihma humanitare për palestinezët, që parashihet në ligj, të arrijë në Gazë “pa vonesa”.

    Paketa e ndihmës për Izraelin, Ukrainën dhe aleatët e tjerë të SHBA-së ishte bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve për shkak të kundërshtimit të republikanëve të ekstremit të djathtë.

    Megjithatë, më 18 prill Dhoma e Përfaqësuesve arriti të kalojë projektligjin, i cili më pas u dërgua në Senat për miratim. Senati e miratoi atë të martën, më 23 prill.

  • Dalja në zgjedhjet e Maqedonisë deri ora 15:00 është rreth 35 për qind

    Dalja në zgjedhjet e Maqedonisë deri ora 15:00 është rreth 35 për qind

    Deri në orën 15:00, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni të Veriut ka marrë të dhënat për pjesëmarrjen e votuesve nga 2 mijë e 110 vendvotime.

    Nga gjithsej 1.092.341 votues të regjistruar në këto vendvotime, votuan 392.066 ose 35.89 për qind.

    Sipas të dhënave të deritanishme, pjesëmarrja më e madhe është shënuar në Novaci me 57,69% dhe më e ulëta në Qendër Zhupa, 13,11%.

    MPB me detaje për disa parregullsi në vendvotime në Shtip dhe Shkup.

    Siç ka raportuar Alsat, deri më tani, votimi ka qenë i qetë në të gjitha qendrat e votimit.

    Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski më herë ka njoftuar se për dallim nga zgjedhjet e kaluara presidenciale të vitit 2019, këtë herë dalja është më e madhe për gjashtë për qind.

  • Sarrazin: Kriteret e Serbisë për anëtarësimin në KiE s’janë tonat -Kosova të bëjë gjithçka që mundet për t’i bindur ministrat

    Sarrazin: Kriteret e Serbisë për anëtarësimin në KiE s’janë tonat -Kosova të bëjë gjithçka që mundet për t’i bindur ministrat

    Emisari i Gjermanisë, Manuel Sarrazin, tha se vendi i tij është përkrahës i fortë i Kosovës, por shtoi se është kyçe tash për Kosovën që të bindë shtetet anëtare të Këshillit të Evropës ta përkrahin kërkesën e saj për anëtarësim.

    “Kemi ndjekur me vëmendje zhvillimet në Asamblenë Parlamentare. Dhe ne, natyrisht, marrim parasysh vendimin e Asamblesë Parlamentare në diskutimet tona. Natyrisht, ne jemi miq dhe përkrahës të fortë të Kosovës. Dhe ne qëndrojmë pas idesë për ta afruar Kosovën me Europën, që nënkupton edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Por vendimi në fund do të jetë i Këshillit të Ministrave dhe është thelbësore që Kosova tani të bëjë gjithçka që mund të bëjë për të bindur një shumicë të gjerë të shteteve anëtare. Sidomos të drejtat e pakicave janë një temë kyçe për Këshillin e Evropës”, tha Sarrazin për EWB.

    I pyetur për “pakënaqësinë e autoriteteve serbe” për themelimin e Asociacionit nga ana e Kosovës, Sarrazin tha se kushtet që i cakton Serbia nuk përbëjnë kushte edhe për Gjermaninë.

    “Më duhet të them se nuk mund ta ndjek vërtet argumentimin e Serbisë. Së paku për palën gjermane, mund të them se kriteret e përmendura nga Serbia nuk janë publikuar asnjëherë si kriteret tona për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës. Në përgjithësi, situata e ballafaqimit me minoritetet në Kosovë është shumë relevante. Por Kosova ka obligim nga marrëveshjet e Brukselit të arritura në vitin 2011 dhe 2013, si dhe nga marrëveshja e Ohrit për të zbatuar Asociacionin. Ajo që është e qartë është se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit, e cila përfshin themelimin e Asociacioni”.

  • Sveçla: Serbia vazhdon të ketë aspirata territoriale ndaj Kosovës

    Sveçla: Serbia vazhdon të ketë aspirata territoriale ndaj Kosovës

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka pritur sot në takim delegacionin nga Republika e Çekisë, nënkryetarin e senatit të parlamentit, Tomas Czernin, si dhe kryetarin e komisionit për Punë të Jashtme, Siguri dhe Mbrojtje, Pavel Fischer.

    Ministri Sveçla ka falënderuar Çekinë për ndihmën e vazhdueshme ndaj Kosovës.

    Ai ka bërë të ditur se në takim kanë biseduar për situatën aktuale të sigurisë dhe sfidat e vazhdueshme të shkaktuara nga Serbia.

    Postimi i plotë:

    Kisha kënaqësinë të mirëpres sot në Ministrinë e Punëve të Brendshme delegacionin nga Republika e Çekisë, i prirë nga z. Tomáš Czernin, Nënkryetar i Senatit të Parlamentit dhe z. Pavel Fischer, Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Siguri dhe Mbrojtje.

    Në fjalën time falënderova Republikën e Çekisë për mbështetjen e vazhdueshme për Republikën e Kosovës. Prezantova angazhimet tre vjeçare të Qeverisë sonë veçanërisht në fushën e sigurisë publike, luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, kontrabandës, trafiqeve të ndryshme dhe terrorizmit. Diskutuam për situatën aktuale të sigurisë dhe për sfidat e vazhdueshme të shkaktuara nga Serbia e cila vazhdon të ketë aspirata territoriale ndaj vendit tonë. E falënderova delegacionin çek për reagimin publik në dënimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij sulmi.

    Z. Fischer në emër të delegacionit të Republikës së Çekisë falënderoi për mikpritjen dhe përgëzoi për angazhimin e vazhdueshëm që pavarësisht sfidave të njëpasnjëshme kemi arritur të kemi suksese në prioritetet tona.

    Të dyja palët shprehëm gatishmërinë e plotë për thellim të bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

  • Kurti e njoftoi presidentin Macron për presionin, frikësimin dhe shantazhet e vazhdueshme të Qeverisë së Serbisë ndaj serbëve

    Kurti e njoftoi presidentin Macron për presionin, frikësimin dhe shantazhet e vazhdueshme të Qeverisë së Serbisë ndaj serbëve

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi dje një bisedë telefonike me Presidentin e Republikës së Francës, Emmanuel Macron.

    Gjatë kësaj bisede, kryeministri Kurti falënderoi presidentin francez dhe Republikën e Francës për mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës.

    Më tej, kryeministri shprehu besimin e tij se Franca do të vazhdojë ta mbështesë anëtarësim e Kosovës në Këshillin e Evropës, pa parakushte shtesë, në përputhje me opinionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës dhe votën historike të 16 prillit. Ai theksoi se Republika e Kosovës meriton anëtarësimin mbi bazën e performancës dhe arritjeve në zhvillimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe linjëzimit të saj me vlerat dhe politikat perëndimore.

    Sa i përket temës së procesit të dialogut në Bruksel dhe raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Kurti insistoi në respektimin dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe aneksit të saj të 18 marsit.

    Në këtë telefonatë, kryeministri Kurti me presidentin Macron ngriti edhe çështjen e mungesës së dënimit të autorëve të sulmit paramilitar dhe terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar, në krye me Millan Radoiçiq i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi, pavarësisht dëshmive të qarta dhe pranimit të fajësisë për organizimin dhe përfshirjen në sulmin ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës.

    Ai po ashtu e njoftoi presidentin Macron për presionin, frikësimin dhe shantazhet e vazhdueshme që Qeveria e Serbisë po i bën qytetarëve të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, gjë që u reflektua dhe me numër të ulët të pjesëmarrjes në procesin e votimit të 21 prillit në katër komunat në veri të vendit.

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi dje një bisedë telefonike me Presidentin e Republikës së Francës, Emmanuel Macron.

    Gjatë kësaj bisede, kryeministri Kurti falënderoi presidentin francez dhe Republikën e Francës për mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës.

    Më tej, kryeministri shprehu besimin e tij se Franca do të vazhdojë ta mbështesë anëtarësim e Kosovës në Këshillin e Evropës, pa parakushte shtesë, në përputhje me opinionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës dhe votën historike të 16 prillit. Ai theksoi se Republika e Kosovës meriton anëtarësimin mbi bazën e performancës dhe arritjeve në zhvillimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe linjëzimit të saj me vlerat dhe politikat perëndimore.

    Sa i përket temës së procesit të dialogut në Bruksel dhe raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Kurti insistoi në respektimin dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe aneksit të saj të 18 marsit.

    Në këtë telefonatë, kryeministri Kurti me presidentin Macron ngriti edhe çështjen e mungesës së dënimit të autorëve të sulmit paramilitar dhe terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar, në krye me Millan Radoiçiq i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi, pavarësisht dëshmive të qarta dhe pranimit të fajësisë për organizimin dhe përfshirjen në sulmin ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës.

    Ai po ashtu e njoftoi presidentin Macron për presionin, frikësimin dhe shantazhet e vazhdueshme që Qeveria e Serbisë po i bën qytetarëve të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, gjë që u reflektua dhe me numër të ulët të pjesëmarrjes në procesin e votimit të 21 prillit në katër komunat në veri të vendit.

  • Qeriqi përfundon dëshminë në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Qeriqi përfundon dëshminë në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Pas dy ditësh e gjysmë dëshmi, ka përfunduar dëshminë dëshmitari i 55-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Ramiz Qeriqi në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

    Në fund të dëshmisë, dëshmitari u mor në pyetje nga trupi gjykues, saktësisht gjyqtarët Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Dëshmitari tha se në mes të gushtit 1998 është emëruar zyrtarisht si komandant i Batalionit, por që këtë funksion e ushtronte edhe më herët.

    “M’u ka dhënë me shkrim vendimi. Ndërsa, edhe më herët, batalioni ka funksionu si batalion. Por, në këtë kohë m’u ka dhënë me shkrim”, tha ai.

    Dëshmitarit iu prezantua edhe rregullorja që supozohet që është e policisë ushtarake e cila është nënshkruar nga Haxhi Shala, në të cilën sipas trupit gjykues thuhet se ata kanë të drejtë të ekzekutojnë, arrestojnë edhe komandantët e batalionit, në rast të shkeljes së rregullores.

    Qeriqi tha se fjala ‘ekzekutoj’ e përdorur në atë dokument nuk është fjalë e mirë dhe nuk i kujtohet nëse ka pasur raste të tilla diku gjatë kohës sa ka shërbyer në luftë.

    “Po tash masi e lexut ju, me ra në sy, jo fjalë e drejtë, jo fjalë e mirë. Nuk e di që kanë ekzekutu dikun. Nuk e di pse e kanë shkru këtu, duhet me e pyet Haxhiun jo mua, fjalë e keqe. Të ekzekutohet, s’kam përgjigje, po më çuditë pse e kanë shkru këtu. Policia ka të drejtë të arrestojë është… pytne Haxhiun”, tha dëshmitari.

    Qeriqi shtoi se fjala ‘ekzekutoj’ e ka kuptimin që “të eleminoj”.

    Ndërsa, sa i takon çështjes së bashkëpunëtorëve me Serbinë, Qeriqi tha se asnjëhrë nuk është diskutuar në mbledhjet javore në nivel brigade.

    Qeriqi u mor në pyetje edhe nga avokati i Thaçit, Luka Mishetiq e po ashtu edhe nga ai i Veselit, Ben Emmerson.

    Mishetiq pyeti dëshmitarin lidhur me deklaratën e tij për anëtarët e LPK-së dhe funksionet e tyre në udhëheqjen e UÇK-së.

    “Kryesorët në LPK, Azem Syla, Xhavit Haliti janë kryesorët në UÇK që janë të LPK-së. Unë kur e kam thënë këtë ka qenë realiteti se nuk kam dashtë me i hup vlerat e LPK-së për luftën. Nuk e kam thënë për të keq, por për të mirë. Le të dihet botërisht se anëtarët e LPK-së e kanë bërë këtë organizim”, tha dëshmitari.

    Ndërsa, për përzgjedhje e vullnetarëve dhe gjasave që të ketë dyshime për ndonjërin prej tyre si bashkëpunëtor, dëshmitari tha se nuk i ka ndodhur asnjëherë të ketë dyshime ose ta largojë dikë nga ushtria.

    “S’ka ndodhë asnjëherë që me me ardhë dikush që ka qenë i dyshimtë. Të gjithë çka kanë ardhë i kam pranu, e kam librin Amëz se kush ka qenë. Asnjëherë nuk ka ndodhë qe me e largu dikë, s’e kam largu askënd. Ata që kanë ardhë i kam pranu”, tha Qeiriqi.

    Dëshmitari theksoi se bashkëpunëtorët e Serbisë nuk kanë ardhë në UÇK, por kanë ardhë ata që kanë dashur ta çlirojnë vendin.

    Ramiz Qeriqi u pyet nga Emmerson në emër të klientit të tij lidhur me një takim që vetë ai kishte thënë se kishte ndodhur në mes Azem Sylës, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Ram Bujes dhe Veselit.

    Emmerson tha se Veselit nuk i kujtohet se ka ndodhur ky takim.  Ndërsa, dëshmitari insistoi në deklaratën e tij duke thënë se ai ka qenë i pranishëm, por që nuk ka folur në takim.

    Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues njoftoi se sesioni i pasdites i kësaj seance do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmisë së dëshmitarit të 56-të të ZPS-së në këtë proces, por që sipas tij ai është me masa mbrojtëse.