ATV

Category: Lajme

  • EULEX: Familjarët e personave të zhdukur kanë të drejtë ta dinë të vërtetën për fatin e të dashurve të tyre

    EULEX: Familjarët e personave të zhdukur kanë të drejtë ta dinë të vërtetën për fatin e të dashurve të tyre

    Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka marrë pjesë në aktivitetin e institucioneve të vendit për të përkujtuar të zhdukurit e luftës në Kosovë, në Ditën Kombëtare për Personat e Zhdukur.

    Përmes një njoftimi, EULEX-i ka shprehur solidarizimin “për 1615 personat e zhdukur nga lufta në Kosovë dhe menjëherë pas saj, si dhe me familjet e tyre”.

    “Familjarët e të gjithë personave të zhdukur kanë të drejtë ta dinë të vërtetën për fatin e të dashurve të tyre. Ne mbetemi të përkushtuar që të punojmë pandërprerë me Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe institucionet tjera përkatëse për t’u ndihmuar atyre që ta përmbushin këtë të drejtë duke i gjetur personat e zhdukur, si dhe duke ndarë këshilla dhe ekspertizë për identifikimin e varreve ende të pazbuluara, kryerjen e zhvarrimeve dhe identifikimin e viktimave”.

    “Nga viti 2009 e deri më sot, EULEX-i i ka marrë pjesë në mënyrë aktive në 800 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, duke përfshirë 209 zhvarrime. Mbetjet mortore të 501 personave janë identifikuar, duke përfshirë këtu 343 persona të zhdukur”, ka thënë EULEX-i në njoftimin për media.

    Në aktivitetin e organizuar nga autoritetet e Kosovës, ka marrë pjesë zëvendës-shefja e Misionit, Emily Rakhorst.

  • IKD: Ganimete Musliu, Hykmete Bajrami dhe Kusari-Lila gratë deputete më aktive në Kuvendin e Kosovës

    IKD: Ganimete Musliu, Hykmete Bajrami dhe Kusari-Lila gratë deputete më aktive në Kuvendin e Kosovës

    Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar raportin e monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovë.

    Nga të dhënat e raportit që janë nxjerrë, Ganimete Musliu nga PDK-ja, Hykmete Bajrami nga LDK dhe Mimoza Kusari Lila nga VV janë tri deputetet gra me më së shumti deklarata në Kuvendin e Kosovës.

    Ndërsa në bazë të deklaratave të deputetëve, rezulton se 15 deputetë nuk kanë ngritur asnjë çështje nga totali i 2114 deklaratave gjatë vitit 2023, ku prej këtyre deputetëve 9 janë grupit parlamentar të Listës Serbe, një nga GP LV, një nga GP LDK, një nga GP MULTIETNIK, një deputet i subjektit politik GI za Slobodu, Pravdu i Opstanak (GI SPO), një deputet nga Partia Unike Gorane (JGP) dhe Një deputet nga subjekti politik Romani Iniciativa (RI).

  • Turqia goditet nga tërmeti

    Turqia goditet nga tërmeti

    Turqia është godititur nga një tërmet me magnitudë 4.1 në Tercan të Erzincanit në orën 01:30, sipas Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD).

    Sipas të dhënave zyrtare thellësia e tërmetit ishte 15.67 kilometra është ndjerë në disa krahina përreth.

    Deri më tani nuk ka të dhëna për persona të lënduar apo dëme materiale.

  • Presidentja Osmani priti në takim përfaqësues të familjarëve të të zhdukurve me dhunë

    Presidentja Osmani priti në takim përfaqësues të familjarëve të të zhdukurve me dhunë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në kuadër të aktiviteteve për shënimin Ditës Kombëtare të të zhdukurve me dhunë, priti në takim një grup të përfaqësuesve të familjarëve të personave të pagjetur në krye me Bajram Qerkini, drejtor i Qendrës Burimore të Personave të Pagjetur, njëherësh koordinator i Këshillit Koordinues të Asociacioneve familjare të të pagjeturve të Kosovës.

    Presidentja Osmani theksoi se ndriçimi i fatit të të zhdukurve me dhunë është njëra ndër plagët më të rënda që ka Kosova edhe 25 vite pas luftës. Për fat të keq, Serbia akoma vazhdon të mbajë të mbyllura arkivat, përkundër marrëveshjes së Brukselit që e detyron atë t’i hapë ato.

    Presidentja Osmani riafirmoi angazhimin dhe përpjekjen e saj jo vetëm për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, por edhe për të vënë në vend drejtësinë.

  • MPJ në Ditën e të Zhdukurve: Serbia vazhdon të mbrojë ata që janë përgjegjës, duke mohuar drejtësinë

    MPJ në Ditën e të Zhdukurve: Serbia vazhdon të mbrojë ata që janë përgjegjës, duke mohuar drejtësinë

    Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka rikujtuar se ende janë edhe mbi 1600 të zhdukur në Kosovë nga regjimi gjenocidal i Serbisë në luftën e fundit.

    Në ditën kombëtare të të zhdukurve, MPJ thekson se Kosova kërkon drejtësi për krimet e luftës nga Serbia.

    “Në ditën kombëtare të personave të zhdukur me forcë, kujtojmë mbi 1600 të zhdukurit ende në Kosovë për shkak të regjimit gjenocidal serb.

    Kosova kërkon në mënyrë aktive drejtësi për krimet e luftës, megjithatë Serbia vazhdon të mbrojë ata që janë përgjegjës, duke mohuar drejtësinë edhe sot e kësaj dite”, thuhet në postim në X.

  • Knaus: Vuçiqi po bën fushatë të suksesshme kundër Kosovës në KiE

    Knaus: Vuçiqi po bën fushatë të suksesshme kundër Kosovës në KiE

    Kosovës iu miratua raporti pozitiv për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 16 prill nga Asambleja Parlamentare e kësaj organizate.

    Që kjo të arrihej, u desh punë diplomatike për të bindur shtete të ndryshme.

    Por, derisa para atij votimi Frank Schwabe, kryetar i delegacionit gjerman në KiE, ishte më se e sigurt se do të arrinte dy të tretat e nevojshme, tre javë përpara ministerialit ai është më i rezervuar me parashikime.

    “Nga këndvështrimi i sotëm, shanset janë 50/50 për qind. Hapi domethënës që arritëm me shumicën në Asamblenë Parlamentare sigurisht që ka lënë përshtypje tek qeveritë, ministrat dhe komisionet. Por ka ende shumë për të bërë”, tha politikani socialdemokrat për DW.

    Edhe më skeptik është Gerald Knaus, kryetar i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, (ESI).

    Ai thotë se presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, po zhvillon një fushatë kundër Kosovës në KiE, për të cilën thotë se ka gjasa të dalë e suksesshme.

    “Ne e vëmë re që presidenti i Serbisë po bën një fushatë të suksesshme për të bindur shtetet kyçe në Evropë që të shtyjnë votimin për pranimin e Kosovës për momentin, duket sikur presidenti Vuçiç do ta fitojë këtë betejë”, i tha ai DW.

    Për Gerald Knaus dhe Frank Schwabe është një gjë e qartë: Kosovës do t’i duhet shumë punë diplomatike në javët e ardhshme, saktësisht deri në mes të muajit maj, kur do të mblidhet Komiteti i Ministrave të KiE-së.

    Ata thonë se, përveç betejave të drejtpërdrejta diplomatike kundër fushatës së presidentit serb Vuçiq, sfidë përbën edhe fakti se në kancelaritë e Evropës mungon vëmendja ndaj vendeve të vogla, duke pasur parasysh problemet serioze me Ukrainën, Rripin e Gazës dhe kërcënimin Izraelit nga Irani.

  • Mbi 830 milionë euro arrin shkëmbime tregtare mes Kosovës dhe Gjermanisë

    Mbi 830 milionë euro arrin shkëmbime tregtare mes Kosovës dhe Gjermanisë

    AKB-ja ka bërë një studim hulumtues lidhur me shkëmbimet tregtare dhe ekonomike, që Kosova ka më së shumti eksport-import për gjatë vitit 2023 me tri shtete të fuqishme siç janë: Gjermania, Turqia dhe Kina.

    Të gjeturat statistikore e renditin se Gjermania është partneri më i madh i Kosovës dhe zë vendin e parë me shkëmbime tregtare me vlerë 832.5 milionë €, kurse në vendin e dytë është Turqia me shkëmbime tregtare me 802.5 milionë € dhe në vendin e tretë është Kina me 648 milionë € importe që Kosova ka nga ky vend.

    Agim Shahini kryetari i AKB-s thotë se qeveris i mungon strategjia për të mbështetë prodhuesin vendor kurse neve na mungon vetëdija konsumuese të prodhimeve Made in Kosova dhe jemi të orientuar shoqëri drejtë konsumit të prodhimeve të huaja.

  • Osmani: Edhe sot Serbia vazhdon të fle mbi varreza masive

    Osmani: Edhe sot Serbia vazhdon të fle mbi varreza masive

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në shënim të Ditës së Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës në Kosovë ka thënë se Serbia vazhdon të bëjë krim të dyfishta, “njëherë e kreu krimin dhe pastaj bëri çmos që ta fshehë atë duke i fshehur gjurmët e krimit edhe 25 vite pas”, raporton Ekonomia Online.

    Në një deklaratë për media, Osmani tha se sot shënohet një nga ditët më të dhimbshme në historinë e Kosovës.

    “Sot është një nder ditët më të dhimbshme në historinë e Kosovës, sepse përveç që shënojmë 25 vjetorin e masakrës më të madhe të kryer kundër shqiptarëve në Kosovë në luftën e fundit, pra masakrën e Mejës, po ashtu edhe i bashkohemi dhimbjes së gjithë familjarëve të të zhdukurve me dhunë të cilët edhe 25 vitet pas akoma e kanë dhimbjen dhe mungesën e pa përshkueshme me fjalë”, tha Osmani.

    “Është një dhimbje që ta shpon shpirtin sepse për dallim nga shumë tjerë që kanë humbur më të dashurit, familjet e të zhdukurve akoma nuk kanë ku ta vendosin një lule për t’i përkujtuar familjarët e tyre. Siç po e shohim edhe nga shoqata e familjareve të të zhdukurve me dhunë që janë sot me në një numër i madh i tyre janë fëmijë të vegjël edhe sot Serbia vazhdon të fle mbi varreza masive edhe sot Serbia vazhdon të bëjë krim të dyfishtë sepse njëherë e kreu krimin dhe pastaj bëri çmos që ta fshehë atë duke i fshehur gjurmët e krimit edhe 25 vite pas përkundër faktit që kryetari i komisionit qeveritar Andin Hoti disa herë i ka drejtuar letra Serbisë, duke kërkuar që në përputhje me marrëveshjen në Bruksel të hapën arkivat për të dhënat e brigadave edhe policore edhe ushtarake për të cilat ka dëshmi të qarta se kanë marrë pjesë në masakra por po ashtu edhe në operacionin e pasluftës për fshehjen e trupave Serbia akoma nuk bëhet e gjallë në përgjigjen ndaj këtyre kërkesave dhe akoma vazhdon që ta shkelë këtë marrëveshje kaq të rëndësishme të arritur në Bruksel”, shtoi presidentja.

    “Si institucione të Republikës do vazhdojmë të jemi pranë familjes që ta ndajmë dhimbjen sepse të gjithë 1 mijë  e 600 të zhdukur janë familjarë të të gjithë Kosovës janë më të dashurit të të gjithë Kosovës por plaga jonë plaga e Kosovës do të mbetet e hapur përderisa nuk kthehen që të gjithë dhe liria do jetë kuptim plotë vetëm atëherë kur na kthehen të gjithë të dashurit tanë”, tha Osmani.

  • Zhduket një burrë në Prishtinë

    Zhduket një burrë në Prishtinë

    Një grua ka raportuar në Policinë e Kosovës se një burrë ka dalë nga shtëpia në Prishtinë dhe nuk dihet për vendndodhjen e tij.

    Siç thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, viktima është larguar nga shtëpia me datën 24 prill të këtij muaji, teksa rasti është paraqitur dy ditë më vonë.

    Policia bën me dije se rasti është nën hetime, teksa shton se është njoftuar dhe prokurori.

    “Më 26.04.2024 ankuesja femer kosovare ka raportuar se viktima mashkull kosovar ka dalur nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e tij. Lidhur me rastin është njoftuar prokurorit dhe rasti mbetet në hetime”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Kurti për Asociacionin: Ahtisaari parasheh një bashkëpunim ndërkomunal, por larg asaj që kërkon Beogradi

    Kurti për Asociacionin: Ahtisaari parasheh një bashkëpunim ndërkomunal, por larg asaj që kërkon Beogradi

    Kryeministri Albin Kurti është shprehur optimist për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Në një intervistë me DW, ai shpjegon se si do ta menaxhojë sfidën aktuale drejt këtij anëtarësimi.

    Në ndërkohë, duke folur për të drejtat e pakicës serbe dhe Asociacionin, ai “i bën me faj” paraardhësit e tij, kryeministrat Hashim Thaçi e Isa Mustafa, për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.

    “Pra, nuk i reduktojmë ne të drejtat e pakicës serbe në një formulim të Asociacionit, por në të njëjtën kohë nuk mohojmë se këtë asociacion e kanë nënshkruar paraardhësit e mi, Thaçi dhe Mustafa, njëri para 11 vjetëve dhe tjetri para 9 vjetëve”, ka deklaruar Kurti në këtë intervistë.

    DW: Zoti Kryeministër, sa optimist jeni se Kosova do të pranohet në maj në Këshillin e Evropës?

    Albin Kurti: Sipas renditjes së organizatave prestigjioze ndërkombëtare, ne kemi bërë progres. Kësaj i shtojmë edhe faktin që kemi kaluar me sukses në mbledhjen e ambasadorëve më 24 prill të vitit të kaluar dhe mbledhjen e parlamentarëve më 16 prill të këtij viti, dhe raporti nuk ka parashikuar parakushte apo kushte që nuk i kemi plotësuar. Unë jam optimist edhe për mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës në mes të muajit maj për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Megjithatë ka ende dyshime, se vendimi do të shtyhet. Çfarë kontributi mund të japë Gjermania konkretisht sipas mendimit tuaj?

    Së pari, më duhet të falënderoj deputetët gjermanë që na kanë ndihmuar aq shumë dhe kanë punuar pa kursim e pa rezerva, e në veçanti do të kisha theksuar Frank Schwabe dhe Knut Abraham, të cilët mbajtën fjalim në seancën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill. Por kjo mbështetje e madhe për Republikën e Kosovës me 131 vota për, krahasuar me 29 kundër, 82 përqind në mbështetje të vendit tonë, do të duhej që të reflektohej edhe në Këshillin e Ministrave. Prandaj po punojmë që edhe Gjermania në Këshillin e Ministrave të reflektojë vullnetin e saj pozitiv edhe te të tjerët. Ne po e ndihmojmë Gjermaninë që të na ndihmojë neve dhe në këtë mënyrë Kosova të bëhet anëtare e 47-të e Këshillit të Evropës.

    Nga ana tjetër, nga kancelaritë evropiane ju kërkohet krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Si po e menaxhoni ju këtë presion?

    Ne dëshirojmë të eliminojmë disa skepticizma, që mund të ekzistojnë eventualisht deri në mes të muajit maj, por jemi në të drejtën tonë. Mos të harrojmë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ofron të drejta të gjera për pakicat, e në veçanti për atë serbe. Dhe nuk e mohojmë që paraardhësit tanë kanë bërë një marrëveshje për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por gjithçka duhet të jetë në përputhje me ligjshmërinë, kushtetutshmërinë, interesin publik të republikës dhe në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve serbë. Pra, edhe plani i Ahtisaarit e ka paraparë një lloj bashkëpunimi ndërkomunal, por larg asaj që ka kërkuar Beogradi, si në Bosnjë, që tash edhe faktori ndërkombëtar, evropianët dhe amerikanët, natyrisht që e kundërshtojnë duke pasur parasysh se çfarë pasojash shkaktoi ajo në Bosnjë. Pra, nuk i reduktojmë ne të drejtat e pakicës serbe në një formulim të Asociacionit, por në të njëjtën kohë nuk mohojmë se këtë asociacion e kanë nënshkruar paraardhësit e mi, Thaçi dhe Mustafa, njëri para 11 vjetëve dhe tjetri para 9 vjetëve.

    Gerald Knaus, nga European Stability Initiative, e quan realizimin e Asociacionit në kushtet aktuale të pamundur, sepse mungon dëshira e komunave serbe për ta realizuar. A është kjo që po komunikoni edhe ju në Evropë?

    Zoti Knaus niset nga parimi demokratik se demokracia vjen nga poshtë. Nuk mund t’ua imponosh asociacionin komunave. Çka nëse komunat nuk e duan asociacionin? Pra, mendimi i tij është shumë i shëndoshë, por mendimi i tyre (i pakicës serbe, shën i red.) është ende i panjohur. Pra, ai ka të drejtë në këtë aspekt, por të gjitha këto jemi duke i trajtuar. Besoj që ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës te Kosova e kanë një partner që nuk synon vetëm të përfitojë nga Këshilli i Evropës, por të kontribuojë. Sepse sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, demokracia në Kosovë janë jo vetëm më të mirat në rajon, por edhe më të mira se në disa vende anëtare të Këshillit të Evropës.

    Megjithatë, kërkesa e perëndimorëve për Asociacionin mbetet. A keni ju një draft?

    Unë kam propozuar që ta shkruaj draftin më 18 mars në Ohër, por nuk është pranuar një gjë e tillë. Kjo është refuzuar nga Serbia. Tash, Asociacioni i komunave me shumicë serbe është në kuadër të nenit 10 të 39 marrëveshjeve që i kanë bërë paraardhësit e mi, të marrëveshjes bazike. Nuk konsideroj që është në rregull që Asociacioni të nxirret nga marrëveshja bazike, të vendoset në qendër si prioritet, dhe që marrëveshja bazike të spostohet në prapavijë. Të gjitha këto janë pjesë të diskutimeve që po i bëjmë. Ne e mbështesim raportin e zonjës Dora Bakoyannis, e cila ka qenë ministre e punëve të jashtme të Greqisë, të një shteti që vazhdon të jetë mosnjohës, dhe e cila e ka thënë qartë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që ka një marrëveshje që po shkelet nga Serbia, nuk duhet të ngatërrohet me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për të cilin ne i kemi plotësuar të gjitha parakushtet.

    Një çështje aktuale e trajtuar edhe gjatë javës në Bruksel është ajo e dinarit. Si po e zgjidhni këtë problem?

    Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës është një rregullore e një institucioni të pavarur. Serbia nuk e ka hall që po ndalohet dinari, sepse dinari nuk po ndalohet por po ndalohet dinari si mjet pagese dhe kjo është kërkesë e nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës: Ajo ka hall që po ndalohet cash-i, paraja e gatshme. Dhe ne, për të pasur transparencë se kush kujt i dërgoi para me çfarë qëllimi, e mbështesim plotësisht këtë rregullore të BQK-së që është institucion i pavarur i Republikës së Kosovës, ndërkohë për modalitetet se si ajo të zbatohet dhe të funksionalizohet pa kurrfarë pasojash janë duke dialoguar në Bruksel dhe unë mendoj që janë në rrugë të mbarë për të gjetur një zgjidhje e cila e mundëson tranzicionin e lëmuar drejt kësaj rregulloreje, e cila jo vetëm që është e drejtë e Bankës Qendrore të Kosovës, por është rregullore e drejtë për të mirën e qytetarëve.

    Ju thatë se Kosova është një nga vendet ku të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë më të përparuarat në rajon. Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, megjithatë, flitet për probleme serioze të pavarësisë së institucioneve juridike dhe intimidim të medias. Si e komentoni raportin?

    Natyrisht që ka edhe kritika për ne, por nëse shikoni raportin e vitit 2019, sot Kosova ka progres të jashtëzakonshëm dhe ajo që mua më çudit është që në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit nuk citohet për shembull “Freedom House”, nuk citohet “Transparency International”, dhe po të citoheshin, do të duhej të lëvdohej Kosova. /DW